Sa i përket rotacionit, mund të thuhet se këto zgjedhje lokale prodhuan një kulturë të atdmirueshme të dorëzim-pranimit të pushtetit, por sa i përket standardeve, ato diku diku kaluan mbi vijën e kuqe. Pati votues misterioz, të importuar nga Shqipëria, të cilët e kishin vështirë ta dëshmonin, maqedonisht, përkatësinë e tyre maqedonase, pati shit-blerje të votave, pati fshirje të votuesve nga regjistri zgjedhor dhe mbi të gjitha, pati një fushatë glamuroze e të kushtueshme, për të cilën asnjë përfaqësues i pushtetit nuk dha llogari se prej nga janë siguruar fondet /
NGA EMIN AZEMI/
KOLLTUQE PËR SEFA APO PËR PUNË: Ka ngelur edhe pak hi nga prushi zgjedhor në Maqedoni, ndërkohë që të zgjedhurit e popullit po i modifikojnë përmasat e kolltukut me lartësinë dhe trashësinë e tyre dhe mbetet të shohim nëse ata do të ndryshojnë me shpejt apo kolltuqet e tyre. Ata që fituan mandate për të qeverisur komunat këto katër vjetë të ardhshëm, përpos performansave trupore, do të duhej të modifikojnë edhe retorikën e tyre parazgjedhore në vepra konkrete, duke i vënë në zbatim ato, por edhe duke dëshmuar se do të jenë më të ndryshëm nga pararendësit e tyre.
Normaliteti i zgjedhjeve nuk do të duhej të zbriste nën parametrat e një rotacioni normal të pushtetit, por jo edhe mbi iluzionin se ato ishin krye kreje demokratike e të ndershme. Sa i përket rotacionit, mund të thuhet se këto zgjedhje lokale prodhuan një kulturë të atdmirueshme të dorëzim-pranimit të pushtetit, por sa i përket standardeve, ato diku diku kaluan mbi vijën e kuqe. Pati votues misterioz, të importuar nga Shqipëria, të cilët e kishin vështirë ta dëshmonin, maqedonisht, përkatësinë e tyre maqedonase, pati shit-blerje të votave, pati fshirje të votuesve nga regjistri zgjedhor dhe mbi të gjitha, pati një fushatë glamuroze e të kushtueshme, për të cilën asnjë përfaqësues i pushtetit nuk dha llogari se prej nga janë siguruar fondet.
Këto zgjdhje lokale konfirmuan distancën në mes të pushtetit dhe opozitës, jo vetëm me programe dhe oferta zgjedhore, por edhe me mandate. Vështirësia e të qenit opozitë në Maqedoni, aktualisht matet me gjatësinë e distances që krijon diferencën e numrave, gjithnjë në favor të pushtetit aktual (VMRO, BDI) dhe në disfavor të opozitës (LSDM, PDSH). Ende nuk e kemi një analizë të plotë e gjithpërfshirëse për shkaqet e kësaj disfate kaq të madhe të opozitës në zgjedhjet lokale, ndonëse ka shumë përpjekje që këtij bilanci zgjedhor t’ia faturojnë, në radhë të parë, klimës jodemokratike dhe garës së pabarabartë që iu paraprinë këtyre zgjedhjeve, por edhe humbjes së sensit të njëmendët opozitar dhe mosofrimit të ofertave serioze nga ana e këtij kampi politik (maqedonas e shqiptar).
PAKUPTIMËSIA E BETEJËS PËR TETOVËN: Tetova, qyteti krijuar nga Perendia për t’i bërë ballë malit plak Sharr, viteve të fundit është futur edhe në një garë të pakuptimt, që vetëm politikanët naiv dijnë t’i japin kuptim e që domosdoshmërisht duhet të lidhet me të qenit e Tetovës bastion i politikbërjes së shqiptarëve në Maqedoni. Nëse është kështu, siç parapëlqejnë të mendojnë politikanët shqiptarë, atëherë PDSH duhet të shpërngulet prej andej dhe të shkoj, ose në Strugë, ose në Studeniçan, ku ajo pretendon se ka fituar. Rezoni lokalist i liderëve politik shqiptarë në Maqedoni, jo rrallë ka penguar ata të projektojnë një dioptri më të zgjeruar të situates kolektive të shqiptarëve, prandaj sot e kemi gjendjen e tillë që kryetarët e komunave shqiptare pas zgjedhjeve lihen totalisht të vetmuar dhe perceptimi i përgjithshëm për hallet e tyre, ngel vetëm në fjalimet boshe parazgjedhore të zhurmagjinjëve, që vetes i thuan liderë politik. Perceptimi paszgjedhor vazhdon të eklipsojë nevojat reale të njerëzve në terren, kurse drejtuesit e komunave sërish do të adresojnë kritika tek pushteti qendror, i cili, sipas tyre, nuk tregon sens të mjaftueshëm për projektet e tyre me karakter lokal. Kjo ndodhë zakonisht me ato komuna shqiptare të pazhvilluara tek të cilat kujdesi institucional-qeveritar nuk hetohet, gati, fare dhe na duket i pakuptimt ky vrap i liderëve shqiptarë për të promovuar gjoja njëfarë autoriteti shtetëror në nivel lokal, ndonëse përvoja ka dëshmuar se autoriteti shpejt zhvishet nga pafuqia për të ushtruar ndikim që edhe në këto mjedise të pazhvilluara të hetohet dora e pushtetit qendror.
KANIBALIZMI OPOZITAR SHQIPTAR: Bashkë me zgjedhjet lokale në Maqedoni, u hap edhe dilema nëse ato ishin vetëm një garë e thjeshtë për të zënë kolltukun e radhës së pushtetit, apo diçka edhe më shumë se kaq. Hijet e kësaj dileme u dukën që në startin e fushatës zgjedhore, kur prirja për dominim nuk ishte vetëm në relacionin pushtet opozitë, por diçka edhe më ngusht. E kemi pa dhe dëgjuar që pushteti, gjegjësisht opozita të përdor të gjitha format e lejueshme demokratike të atakimit të oponentit politik, por rrallë na bie të shohim e dëgjojmë që edhe vetë opozita të përdor metoda të sofistikuara për të eliminuar dhe shkërmoqur konkurrentët brenda kampit opzitar. Kjo ndodhi pikërisht në këto zgjedhje dhe na duket tepër absurde dhe e palogjikshme lufta e nëndheshme që u bë për ta dobësuar dhe, mundësisht, eliminuar prezencën politike të Rufi Osmanit, kundër të cilit, nuk ishin vetëm partitë aktuale në pushtet, por edhe një parti opozitare shqiptare (PDSH), drejtuesi i së cilës sikur është pajtuar me fatin që vetëm ai, dhe askush tjetër, të mbetet lideri i përjetshëm i opozitës shqiptare, me kusht që opozitarizmin ta kultivoj jo për të sjellë veten në pushtet, por për të eliminuar konkurrencës brendapozitare. Një kanibalizëm ky i paparë politik, i denjë vetëm për ndonjë xhungël të vetmuar në shkretëtirën e mendjes dhe arsyes.
Kur jemi te Rufi Osmani, do të duhej të nënvizojmë edhe një fakt që lidhet drejpërdrejt me metodologjinë e tij të veprimit politik. Disfata e fundit zgjedhore e cila e privoi atë nga drejtimi i mëtutjeshëm i komunës së Gostivarit, në fakt ishte një tagër që Rufiu i përmasave lokale pagoi për Rufiun e përmasave kombëtare. Ai, si kryetar komune që ishte për katër vite, shumë pak punoi për partinë dhe kjo e fundit e kishte gati të pamundur ta nxirrte atë lider, konkurrent, në përmasa kombëtare. Dhe ndodhi ajo që edhe pritej, sepse garën për pushtet lokal në Maqedoni nuk e bënë kandidatët, por vetë liderët dhe partite e tyre. Në rastin e Gostivarit, garën e bëri Rufiu i komunës duke ia zënë hijen Rufiut të RDK-së, dhe kondicioni i pamjaftueshëm i kësaj të fundit bëri që lideri Osmani të humb jo vetëm drejtimin komunal, por edhe vrapin për të qenë konkurrent i denjë në skenën e madhe politike të Maqedonisë, madje edhe për arsyet e sipërpëmendura.
Megjithate, të gjithë bashkë në Maqedoni, ende nuk mund ta bëjnë një vrap që po e kërkon Europa, që zgjedhjet të nxjerrin në pah domosdoshmërinë e ndryshimit dhe ofrimin e alternativave. Përderisa ndryshimi edhe alternativat janë vetëm simulim i demokracisë, Maqedonia e ka vështirë të konsiderohet nga qytetarët e saj si një aspiratë e ligshme për ta shijuar Europën edhe në oborret e tyre.