• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si u përkujtua Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në vitin 1968 në Shqipëri e mërgim

January 8, 2018 by dgreca

1 gjergj kastrioti

550 vjetori jubileu i vdekjes së Gjergj Kastriotit përballë të djeshmes dhe së tashmes/

1-leonora-laci

Leonora Laçi/ Shkodër/

“Kushterimi u –dha n’at chas ci Skanderbegu me shpatë n’dorë i prini Shqyptarve vet, e brima e t’ghithve ni herit tui lype lirii shkoi deri n’kupe t’cilles”. (Dom Ndoc Nikaj)

Jubileu i 550- vjetorit  të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot -Skënderbeut, më shtyu për të shkruar këtë artikull.Por nxitja kryesore ishin ca artikuj që lexova sëfundmi në shtypin e shkruar për festimet e jubileut të 500-vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë në Shqipërinë e atëhershme dhe në emigracion.

Ndërkohë që Gulagu shqiptar në vitin 1968 ishte në kulmin e tij duke  mbyllur institucionet fetare kishat, xhamitë e teqet, me një zell të tepruar, nga ana tjetër po punohej për një ngjarje të rëndësishme për qenësinë tonë kombëtare, 500-vjetori i Skënderbeut. Rëndësia e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut është e madhe për shqiptarët por dhe për të huajt, disa janë munduar ta përvetësojnë e disa ta përdhosin por i ka qëndruar kohës,  e bashkë me të dhe ne shqiptarët.

Festimet dhe nderimet e vitit 1968 kishin përfshirë jo vetëm Shqipërinë e robëruar nga ideologjia komuniste, por dhe mërgatën shqiptare.

Janë të njohura hedhja e themeleve për të  përgatitur një bibliografi për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun që në vitet ‘60. Bibliografia për Skënderbeun që u nis në vitet ’60 dhe përfundoi në 1997 më bashkautorësi të Jup Kastratit dhe Kasem Biçokut, si dhe me bashkëpunimin e studiuesve më të njohur.

Gazeta Bashkimi e janarit të 1968, i bënë jehonë këtij Jubileu, ndonëse ka ngarkesa ideologjike, por ato ishin të pashmangshme dhe pjesë e rutinës së historianëve e studiuesve. Duhet theksuar se në vitin 1968 u organizua një konferencë ndërkombëtare nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, ku morën pjesë albanologë si; Fredi Tirie, Alen Dyselie, Xhuzepe Skiro dhe Nexhip Alpan, K.Trajmer, E.Patcelt, V.Georgiev, S.Dimitrov, J.Irmsher, të ardhur nga vende të ndryshme si Franca, Italia, Turqia, Hungaria, RD Gjermane, Bullaria, Autria etj. Nuk munguan në këtë Konferencë të II të Studimeve Albanologjike, delegacione nga kolonitë shqiptare e punonjës shkencorë të ardhur nga Kosova si; prof.Mark Krasniqi, prof. Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Anton Cetta, Syrja Popovci e Zef Mirdita. Festime të jubileut të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut pati dhe në qytete të ndryshme si Shkodër, Lezhë, Krujë etj. U hapen ekspozita kombëtare të arteve figurative në kryeqytet, e me 12 janar 1968 u inaugurua monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në qendër të sheshit Skenderbej në Tiranë që ndodhet dhe sot, ky monument është realizuar nga skulptoret Odhise Paskali, Andre Mano dhe Jonaq Paço.

Për Gjergj Kastriotin janë shkruar vepra nga të huaj e shqiptarë, vepra të të gjitha gjinive letrare, deri edhe  Antonio Vivaldi kompozoi një opera në 1718 që u shfaq për herë të parë më 22 qershor 1718 në teatrin e Firencës/Itali.

Gjergji ynë është bërë i pavdekshëm me veprimtarinë e tij kombëtare dhe njihet si simbol bashkimi, e jo më kot rilindasit e shek.XIX shkruan e sollën në vëmendje bëmat e tij, identiteti kombëtar po vihej në pikëpyetje në një kohë që popujt e tjerë të Ballkanit po pavarësoheshin nga Perandoria Osmane e ne ende ishim në fazën fillestare të ndërgjegjësimit kombëtar për mësimin e këndimin e gjuhës së ëmbël shqipe.

Edhe mërgata shqiptare e përkujtoi, po sjelli këtu ca pjesë nga artikulli i L’Albanie Libre, fq-3, 15 aout 1968: -“Historija asht mësuesja e jetës”- Dy data fatbardha njef historija e popullit shqiptar dhe të dyja i sollën vendit t’onë fryte jetësore: me 1444 Skanderbegu mblodhi në Lezh kryezotat e kapidanat e krahinave të ndryshme të Shqipnis dhe i lidhi me besë për të veprue me nji qëllim të vetëm. Aty lindi Atdheu shqiptar e vllaznimi i fisit. Mbas katërqind vjetsh ajo ndienjë vllaznore e strukun në zemer të Shqiptarve, lulëzoi papritmas e shkaktoi nisjen e lëvizjes për rilindjen e kombit. Me 1878 Abdyl Frashëri, tue ndjekun gjurmat e Skanderbegut, tuboi në Prizrend Krenët e mbarë Shqipnis edhe rindërtoi njisin shqiptare qi robnija shekullore azjatike kishte shpartallue. Lidhja e Prizrendit, me frymen e vet ringjallëse, u dhuroi Shqiptarvet 28 Nandorin 1912. Kur Prendija ka me na falun nji Njiri mendendritun e zemerbardhë qi t’i nxjerri popullit shqiptar, ndrydhë në rrethana fatzeza, flakimin e ri të vllaznisë? Dy data 1444 e 1878 duhet qi t’i shoshisim thellësisht  në ndërgjegjen t’onë e ta bindim veten se vetëm bashkimi na shelbon. Atëherë ndoshta datën e tretë lumnuese ia afron fati Shqipnis.”

Mërgata shqiptare ka lobuar dhe iniciuar ngritjen e monumenteve të Gjergj Kastriotit në vende të ndryshme, pasi Skenderbeu i përket mbarë civilizimit evropian e jo vetëm shqiptarëve, dhe është për tu vënë në dukje dhe ngritja e monumentit të Skënderbeut për herë të parë në ShBA në fund të shkurtit të 2010, nismëtar i kësaj ngjarjeje ishte Dom Anton Kçira, Kryefamullitar i kishës së Shën Palit.  Përmendorja e heroit kombëtar shqiptar në Detroit është punua nga skulptori shqiptaro-amerikan, Kreshnik Xhiku.

Sot në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë na duhet të mendojmë jo vetëm për ta përkujtuar, por për ta plotësuar sa më të plotë figurën e tij si detyrim kombëtar, e për këtë duhen bërë kërkime në arkivat e Italisë, Frances, Gjermanisë e Stambollit duke përfituar dhe se tashmë shteti shqiptar është në rrethana të favorshme politike ndryshe nga 50 vite më parë që ideologjia kufizonte dhe punën shkencore.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Leonora Laci, me 1968, Mergime Shqiperi, Si u perkujtua Skenderbeu

E vërteta-Si i shpëtoi sigurimit Mons.dr. Zef Oroshi !

December 16, 2017 by dgreca

1 Leonora Laci.JPG

Shkruan: Leonora Laçi/Shkodër/

1 Audience Mns Oroshi Papa

Imzot Zef Oroshi në audiencë te Papa Pali VI më 1970/

 Qëllimi i këtij shkrimi është që të shpjegoj të vërtetën e arratisjes në mal të Mons.dr.Zef Oroshit, që për nga mënyra si u realizua u duk e pabesueshme. Duke hedhur hipoteza të ndryshme deri dhe në përbaltosjen e Dom Zef Oroshit.Historia dhe peripecitë e jetës së Mons. dr. Zef Oroshit  i lindur në Kaftall të Oroshit, Mirditë në 1912 e largët , si bashkohës i shumë ngjarjeve vendimtare të kombit shqiptar deri sa mbylli sytë në vitin 1989, duhet të jetë pjesë e historiografisë sonë, aktiviteti dhe kontributi i tij kombëtar duhet të shënohen me germa të arta për të mos u harruar.

Ardhja e komunizmit.

Fitorja e komunizmit në vitin 1944 në Shqipëri do jetë vetëvrasja më e madhe që i bënë shqiptarët vetës, për ata që e pranuan atë. Dom Zefi bën pjesë në ato njerëzit që nuk u pajtuan asnjëherë me fitoren e komunistëve, ai nuk e pranoi  as në atdhe por as në Shtetet e Bashkuar të Amerikës fitoren dhe pushtetin e komunistëve.Dom Zefi në fillim të viteve 50’ u tregua mjaft aktiv në zonën e Mirditës,kjo ishte  periudha më e ashpër e represionit shtetëror ndaj armiqve të pushtetit.  Si një antikomunist i vendosur ai i qëndroi besnik atdheut dhe fesë.Sigurimi po ushtronte një presion të madh mbi popullsinë civile, duke qenë se dhe iniciativa anglo-amerikane për të shembur komunizmin në Shqipëri, kishte ndikuar që lufta e klasave brenda vendit të ishte më e ashpër, konkretisht lufta kundër armiqve të pushtetit të cilët që në 1945 kishin mbushur burgjet dhe kampet e internimit duke u torturuar në format më çnjerëzore ngjashëm me kampet e nazizmit, dhe me metodat e tyre. Dom Zefi përveç detyrës fetare, duke parë çdo ditë se çfarë i bëhej popullit të tij Mirditas zgjodhi të ishte aleat i tyre.  Ai bëri përpjekje për kryengritje por që pa sukses, pasi komunistët tashmë kishin përgatitur terrenin dhe njerëzit për të zbuluar veprimtarinë e antikomunisteve. Aktiviteti i tij ra në sy të sigurimit dhe qeverisë së E.Hoxha duke kërkuar dhe arrestimin e tij me çdo kusht.

Pa nënshtrimin e Veriut e konkretisht Mirditës, komunistët e kishin të qartë që pushtetin nuk mund ta kishin të plotë.  Në një qarkore që Ipeshkvi Bernardin Shllaku i dërgon  dioqezave (shkruar nën torturë nga sigurimi) tregohet sesa bujë kishte bërë arratisja e Dom Zefit dhe jo vetëm sigurimi ishte në kërkim të tij por ishte ngritur dhe një komision kërkimi i përbërë nga Dekani i Tiranës, Dom Mark Dushi, dhe Administratori Dioqezan i Lezhës Dom Ndoc Sahatçija.

Madje vet D.Ndoc Sahatçija  në nëntor të vitit 1952 merr rrugën për në Veri të Shqipërisë për ta kërkuar vetë (referuar nga libri i Markus W. Peters, Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996). Për arratisjen e Dom Zefit është shkruar dhe në studimet “Dosjet e Diktaturës” e studiuesit Pjetër Pepa dhe në monografinë “Mons.dr.Zef Oroshi –Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të studiuesit dhe Sekretarit të Lidhjes së III të Prizrenit, z. Tomë Mrijaj (SHBA) dhe në veprën e Nikollë Melyshit, “Ngjarje Historike, të ndime, të pame e të jetueme”.

Momenti i arratisjes së Mons.dr. Zef Oroshit është kthyer në një legjend, por për ta bërë reale dhe të mos mitizohet më tej me këto fakte, pata një bashkëbisedim me nipin e Mons.dr. Oroshit, Prend Gjokën, i cili më rrëfeu të vërtetën sesi dom Zef Oroshi i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte fshehur në mal deri sa largohet fillimisht në Evropë e më pas në tokën e premtuar, SHBA.

Amerika u bë atdheu i dytë për të dhe veprimtarinë e tij, atje la gjurmë me themelimin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare, kjo tregon se i shërbeu më mirë atdheut larg tij duke qenë se Shqipëria u kthye në një burg të madh për intelektualët dhe ndrydhi jo vetëm dëshirat për tu arsimuar por ndrydhi dhe burgosi dhe mendimet për tu shprehur e për të arritur në jetë.

Ai (Prend Gjoka) rrëfen se halla a e tij (motra e dom Zefit, Lukja e cila përjetoi kalvarin nëpër burgjet e internimit, dhe pas rënies së komunizmit ka jetuar në shtëpinë e nipit deri ditën që mbylli sytë) kishte qenë personi i fundit  që Dom Zefi kishte takuar para se të arratisej në mal.

Por si ndodhi ngjarja?

Ishte janari i vitit 1952 (viti është i diskutueshëm mund të jetë dhe 1951) Dom Zefi si famullitari i Ungrejt,  do zhvillonte meshën e së Dielës në Kishën “Shën Maria Magdalenë”.

Kisha e fshatit kishte një distancë prej 50 metrash me Qelën. Në Kashnjet dhe në fshatin  Ungrej por dhe fshatrat përreth gëzonin respekt për meshtarin dhe është meritë e fshatit Ungrej që realizuan arratisjen e dom Zefit që të mos binte në duart e sigurimit të cilët bënë  të pamundurën të informojnë dom Zefin se Kisha ishte e rrethuar nga forcat e Sigurimit.  Urdhri i arrestimit kishte ardhur nga Mehmet Shehu.

Sigurimi po priste që mesha të përfundonte dhe prifti të dilte i fundit për ta arrestuar, e ata vëzhgonin nga dera kryesore daljen e popullit. Plani ishte që të arrestohej në momentin e daljes së popullit nga kisha dhe Dom Zefin ta arrestonin që të mos mund të kundërpërgjigjej.

Dom Zefi shfaqet se nuk ndjehet mirë dhe pa zhurmë lë meshën dhe del nga dera sekrete mbrapa Kishe, dhe shkon tek Qela që ishte sipër Kishës e takon të motrën e cila i shërbente, Luken. Ndërkohë që ajo gatuante dreken, dëgjon dom Zefin që e thërret:- “Luke, Luke unë ika”, koha nuk i premtoj që të përshëndetej më tej, dhe Lukja duke e kuptuar situatën e sheh Dom Zefin që kapërcen murin rrethues rreth 2 metra të lartë për të humbur gjurmë në pyllin me gështenja. Në këtë kohë ajo është kujtuar që të marr pardysyn dhe ja ka hedhur matanë murit duke i thënë -“Paq Zotin me vedi”.

Ndërkohë populli në kishë po priste përfundimin e predikimit të priftit. Dhe panë që diçka nuk shkonte dhe prifti nuk po dilte tek elteri duke qëndruar dhe pas orës 12:00, ku pretendohej që mesha të përfundonte. Në këtë kohë forcat e sigurimit dyshuan se pse populli nuk po dilte nga Kisha. Kështu ata vendosin të hyjnë në Kishë dhe ngelën të befasuar kur nuk kanë gjetur priftin aty.

Populli  e kuptoj që sigurimi kishte ardhur për arrestimin e Dom Zefit dhe ky ishte arratisur. Pasi sigurimi bëri një kontroll të shpejt të kishës, u nisën për tek Qela, aty pyeten Luken e cila i jep përgjigje se:-“Dom Zefi po jep meshë”-mbyll rrëfimin e tij nipi i Dom Zefit, Prend Gjoka.

Dom Zefi në mal bashkohet me grupet antikomuniste, ku do qëndroj për tetë muaj deri sa kaloi në Kosovë e cila ishte pjesë e Federatës Jugosllave, me gjithë vështirësitë dhe i plagosur kalon në Mitrovicë e nga aty sëbashku me Atë Daniel Gjeçajn O.F.M, Atë Ambroz Martinin O.F.M, dhe Nikollë Kimzen, pas garancive që i dhanë  Dera e Gjomarkut e personalisht Kapidan Ndoi, shkojnë në Itali. Nga aty, në vitet ’60  Mons.Oroshi niset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për veprimtarinë në male të Dom Zef Oroshit na jep të dhëna Bep Kuqani ish i burgosur politik për shumë vite, në një shkrim të botuar në vitin 2009, i cili thotë:- E tash në lidhje me nji shënim të Z. Ndue Melyshi, citue në faqen 53, ku thuhet: “Meqenëse ishte Komitet klandestin, nuk mund të zgjidhej kryetari me vota të lira të popullit, prandaj antarët në brendësine e Komitetit caktojshin nji kryetar…”, dishroj të plotësoj këtë mendim, tue shtue, se ne “brendësinë e këtij Komiteti”, kje zgjedhë si Kryetar Dom Zef Oroshi dhe Sekretar Jak Perjaku, i cili, kje vra në mal, në përpjekje me forcat e ndjekjes të Sigurimit. Këtë ma ka thanë përveç të tjerëve, që do t’i permendi ma poshtë, edhe vetë i vëllai: Gjon Perjaku, që u kap n’atë përpjekje, i plagosun randë dhe me të cilin kam ndejtë në burgun e Burrelit. Veç kësaj, kam pasë rastë me njohë personalisht edhe katër antarë të këtij Komiteti, nga të cilët per Karlo Çoben, avokat, i biri i Ndoc Çobës, që ka kenë Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Sulë Hafizin, Kryemyfti i Lezhës, nuk e kam ditë se ka kenë Antar i Komitetit të Maleve; ndërsa për Haki Bushatin, i vëllai i ish – Kryeministrit Maliq Bushati, që u pushkatue bashkë me At Anton Harapin O.F.M,  dhe Lef Nosin dhe Ndrek Kakarriqin e kam dijtë dhe, edhe këta më kanë thanë se “kena pasë për Kryetar Dom Zef Oroshin”.

Haki Bushatin e kam njoh vetëm për nji periudhë të shkurtë kohe në burgun e Tiranës; ndersa Ndreken e kam njohë qysh se kam kenë në moshë adolishente, se ka kenë mësues në Kolegjin Saverian, kryetar i Shoqatës “Rrethi Don Bosco” (krijue nga At Pjetër Meshkalla); kam ndejt në burg të Burrelit, mbasi kje denue 17 vjet si antar i atij Komiteti, i arrestuem në Lezhë, vetëm pak muej mbasi kishte fillue punën si avokat. Miqësinë e kena vazhdue edhe mbas daljes nga burgu, deri në ditën që vdiq. (…) Për Dom Zef Oroshin, duhet dijtë edhe kjo: Qysh nga dita e arratisjes, që hoqi veladonin e doli në mal, e deri që iku në Jugosllavi, banorët e Mirditës dhe të malësisë së Lezhës e kanë njohë ma fort se prift, si Kryetar të Komitetit të Maleve, si organizator i “Çetave të Shpagimit”, si luftëtar shumë trim dhe si antikomunist i vendosun” -shkruan në shkrimin e tij Bep Kuqani.

Mons.dr.Zef Oroshit i prehen eshtrat  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është hedhur diskutimi për kthimin e eshtrave në atdhe por diaspora e SHBA dhe miqtë e tij kanë qenë të mendimit se-“Ai bëri historinë atje dhe atje duhet të vazhdoj të prehet i qetë”.

  • U dergua per Diellin nga autorja.

 

Filed Under: Histori Tagged With: E vërteta-Si i shpëtoj sigurimit, Leonora Laci, Mons.dr. Zef Oroshi !

Dom Anton Kçira, Ambasadori i shqiptarëve në SHBA

October 3, 2017 by dgreca

Anton KciraKëto ditë doli nga shtypi libri i dytë kushtuar aktivitetit kombëtar dhe fetar të Dom Anton Kçirës me titull “Don Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë” me bashkautorësi të studiuesve Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova botuar në Shtëpinë Botuese  & Shtypshkronjën Volaj, Shkodër./

1 Leonora Laçi

Nga Leonora Laçi, Shkodër/Duke qenë se këtë libër e pata në duar para se të shoh dritën e botimit, pasi kam nderin të jem redaktore, dëshiroj që ti them dhe unë dy fjalë lexuesit.Ky libër është i strukturuar në katër pjesë, pjesa e parë –Historia e kishës së re në Detroit dhe don Anton Kçira, pjesa dytë- letër-këmbime, mesazhe, pjesa e tretë- refleksione dhe pjesa e katërt shtypi për don Antonin dhe kishën e shën Palit Detroit MI.Kjo monografi është referenca më e plotë jo vetëm për të njohur veprimtarinë e Dom Anton Kçirës për komunitetin shqiptar në SHBA por dhe  për kontributin e tij për Shqipërinë, Kosovën  e trevat shqiptare, si dhe për të ditur për kontributin e diasporës për atdheun.Historianë e studiues që do merren me veprimtarinë e diasporës shqiptare në SHBA, duhet ta kenë pjesë të bibliotekave të tyre pasi rëndësia është e shumanshme, mirë do ishte që të mos lihet në harresë dhe përkthimi në anglisht si vlerë e shtuar e plotësuese që ta kenë librin dhe kongresmen amerikan, mbështetës të shqiptarëve, e studiues të huaj.

Unë do ndalem tek rëndësia e letër-këmbimit në këtë monografi. Të cilat janë të rëndësishme për të njohur më mirë aktivitetin kombëtar e fetar të Dom Anton Kçirës; roli i tij për çështjen e Kosovës, për Shqipërinë e dal nga një sistem totalitar, problemet e rikthimit të besimit në Zot në Shqipërinë ateiste, një mision i vështirë që duhej filluar gjithçka nga zeroja.

Po ashtu, donacionet e ndryshme për ndërtimin e kishave e rindërtimin e atyre ekzistuese si në Gllogjan-Kosovë, Melgush-Shkodër, Kçirë-Pukë etj. Ndihmat për Kosovën paslufte. Donacione te bashkuara në komunitet nga Dom Anton Kçira pati dhe në rastin e përmbytjeve në Shkodër në 2010 të cilat ju dërguan Famullisë së Shën Jozefit-Dajç Bregu i Bunës, bëhej fjalë për shumën 20.000 dollar. Pa harruar dhe organizimin e darkave të bamirësisë për ti ardhur në ndihmë atdhetarëve.

Dom Antoni që me ardhjen në krye të kishës së Shën Palit në Detroit, që del dhe nga letrat si datë, 20 nëntori i 1989 në letrën e mirëseardhjes që i dërgon Arkidioqeza e Detroitit, i përkushtohet fillimisht kishës ekzistuese e më pas ndërtimit të kishës së re e cila do jetë stacioni më i rëndësishëm për komunitetin shqiptar por dhe bëhet vend pritje e përcjelljeje për delegacionet e huaja e ato shqiptare nga Shqipëria e Kosova, pa lënë mënjanë mësimin e gjuhës shqipe me klasa të përshtatshme e mësues të kualifikuar, si dhe festimet e festave të rëndësishme kombëtare e përkujtimin e figurave historike.

Ai ndërtoi jo vetëm një vend kulti, por Shqipërinë në miniaturë duke i ndihmuar shqiptarët të mos humbnin traditat e zakonet e tyre për t’ja përcjell ato dhe fëmijëve. Kisha e Shën Palit u bë model për nga rregullat strike jo vetëm për të respektuar rregullat kishtare por dhe shtëpinë e Zotit, Dom Antoni minimizoi hakmarrjen dhe ktheu besimtarët shqiptar në kishë.Urimet për përurimin e Kishës së Shën Palit  në gusht të 2010, kanë qenë nga personalitete të ndryshme si: shkrimtari Ismail Kadare, Prof.dr Anton Kolë Berishaj, Ilir Meta në postin e zëvendës/kryeministrit e Ministër i Punëve të Jashtme, Admira Jorgji- E ngarkuar me Punë-Konsulle e Republikës së Shqipërisë etj. Letrat janë dhe urime për ditëlindje, letërkëmbime  si nga Gjon Sinishtaj, Antonio Bellusci, Ramush Haradinaj etj.

Pjesë e librit, është mbështetja që i është ofruar Dom Antonit pas përhapjes së video-montazhit, ku i dolën në krah kongresmen e senator si dhe punonjës të policisë vendase si: Michael W.Reaves- shef i Policisë i cili i dërgon letër Arkidioqezës së Detroitit duke shprehur mbështetjen për Dom Antonin i cili ishte një emër i respektuar në Detroit dhe jo vetëm, po ashtu dhe nga Kapiten Thomas Fett Departamenti Policisë.

Libri përcjell mesazhe të forta të bashkëjetesës fetare e largpamësisë së Dom Antonit që bashkëpunoi pa dallim me klerin mysliman në dobi të çështjeve të përbashkëta. Libri demonstron mbështetjen morale me shkrime nëpër gazeta dhe suportin e intelektualëve qoftë dhe të besimit mysliman apo katolik si: Prof.dr.Riza Sadiku, dr.Mentor Quku, Beqir Sina, Hasan Hasani, Astrit Lulushi, Mr.sc.Nue Oroshi, Ekrem Bardha, Harry Bajraktari, Gjek Gjonlekaj, Prend Buzhala, Klajd Kapinova, Mikel Gojani, Agim Shehaj, Faruk Myrtaj, Bardh Nëngurraj, Krist Gjinaj, Lekë Mrijaj, Dalip Greca, Pjetër Dom Gjoni, Franz Llesh Grishaj, Kastriot Myftaraj, Ilmi Veliu, Bep Kuqani, Sami Repishti, Tonin Mirakaj etj. E gjithë kjo mbështetje publike na tregon qartë respektin që gëzonte Dom Antoni në rrethet e intelektualëve, dhe kurrsesi një video montazh nuk mund ta hedh poshtë të gjithë kontributin e tij.

Letërkëmbimet janë dëshmi e qartë e nuk kanë nevojë për komente pasi çdo njëri me ndërgjegje e formim të shëndosh mund ta kuptoj të vërtetën që shkruhet në këtë libër, ku Dom Antoni ka punuar pa u ndalur për kombin shqiptar, pa u kursyer, e në çdo formë, pa pritur dekorata apo fjalë të bukura.

Shpesh thotë:” Mos e bani mizën buall”, kjo shprehje tregon thjeshtësinë e tij, pasi ndonëse ka merituar e meriton respekt dhe vlerësim maksimal, disa antishqiptar deshën ti bënin gjëmën, në fakt më shumë i bënë dëm vetës sepse i dënoj Zoti, pasi Dom Antoni edhe pse luftohej në të gjitha format, qëndroi kryelartë e stoik përballë sharjeve e denigrimit, sepse ishte i vetëdijshëm se sa ka punuar me ndërgjegje të pastër e me përkushtim për komunitetin shqiptar në SHBA, për Shqipërinë, Kosovën e trevat shqiptare. Misionin e tij e ka ndjerë si detyrim moral kombëtar e fetar që duhet ta bënte çdo kush në vend të tij.Çdo kush që do të vazhdoj të shpif për Dom Anton Kçirën bazuar në video-montazhin apo thashetheme, më parë të marr të lexoj këtë libër.Pa hezitim mendoj se Dom Antoni ka qenë Ambasador i çështjes shqiptare dhe i ka shërbyer kauzës mbarëkombëtare për 50-vite meshtari.

Shkoder, Shtator 2017

Filed Under: Kulture Tagged With: “Don Anton Kçira në jubileun e, 50-vjetorit, Leonora Laci, të meshtarisë”

Falini se s’dinë çka bëjnë !

July 22, 2017 by dgreca

1-leonora-laci

Nga Leonora Laçi-Shkodër/

 Ndjesë o bashkombas !

 Shqiptarë të vërtetë !

Shqiptarë të besës e mikpritjes, ku jeni ?!Rënia e perdes së hekurt, solli rënien e perdes në sytë tanë për të njohur jo vetëm shqiptarët e trevave por më shumë për të njohur veten tonë. E tash në 2017 po na njohin dhe bashkatdhetarët tanë matanë kufirit. Neve na u hoq maska dhe iluzioni se Shqipëria ishte vendi më i zhvilluar i botës, e ndërkohë u përballëm me një realitet që nuk ja kishim ndje as erën, jo më parë fytyrën.

Sot po debatohet dhe diskutohet për popullimin e plazheve të bregdetit shqiptar nga “kosovaret”. Këto debate kanë marrë një rrjedhë negative dhe kjo vetëm sa na i gëzon armiqtë, e fatkeqësisht ca njerëz që e quajnë vetën shqiptar po shkruajnë duke “dërguar ujë në mullinjtë e armiqve”. E të mjerët ne !

 O shqiptarë, a e dini se “ata” vijnë në plazhet tona sepse dëshirojnë të na njohin sepse kanë luftuar për të qenë të bashkuar nën një shtet, sepse  dashuria e tyre për Shqipërinë nuk është e njëjtë me tonën për vendin tonë.

Sepse “ata” nuk e duan Shqipërinë londineze vetëm kur luan kombëtarja e futbollit. Sepse “ata”  kanë vuajtur nën thundrën e shkaut, kanë pranuar flijimin për hir të nënës Shqipëri, e për kë? Për Ne, që mundohemi të përfitojmë.

E ne nuk e duam as veten, e si mund të duam “ata”?!

Shqiptarët e Shqipërisë duhet të ndjehen të gëzuar që bregdeti po i tërheq bashkombasit tanë. Pasi kjo ka sjell zhvillim të mëtejshem të turizmit bregdetar, ka sjell rritje ekonomike e vetem dobi kemi pasur. Mos kujtoni se kushton më lirë, jo, edhe pse ndonjë pandeh kështu.

Ndonëse kemi qenë të shkëputur nga pikëpamja ideologjike për një periudhë 45 vjeçare, ku ne ishim të sunduar nga i yni e ju nga i huaji, asnjëherë nuk është venitur dashuria për atdheun nga bashkombasit tanë, po a mund të thuhet e njëjta gjë për Ne?

Shqiptarët që i njeh bota për mbrojtjen e hebrenjve, sot janë shndërruar në njerëzit që nuk duan bashkombasit e vet të një gjaku të një race të një kombësie !

Hebrenjtë na mbajnë mend si vendi besës e mikpritjes, a ka më paradoksale se kaq, që vëllezërit tanë të mos ndjehen si vëllezër në tokë të tyre, në plazhin e tyre, në shtëpinë e tyre.

 Turp të na vijë !

Kaq thellë paska pa hyrë në ndërgjegjen tonë krimbi komunist i njeriut të ri që vëllezër quajtëm racat e tjera, rus, kinez e sllav por jo shqiptar.

Shqiptar të Kosovës na pështyni në surrat kur të na shihni, sepse këtë e meritojmë, ne nuk meritojmë të na respektoni dyfish, të na bëni të ndjehemi në shtëpinë tonë, as të na admironi, as buzëqeshjen tuaj nuk e meritojmë.

Shqiptar të Shqipërisë bëhuni real, mos kujtoni se ngritja e volumit të këngës –“Xhamadani Vija-Vija” në plazh na tregon patriotë, jo, vetëm na bën qesharak, nuk kanë nevojë shqiptarët e trevave për patriotizmin tonë të shtirur. Ma kurseni turpin që ndjej kur ju ja hidhni në çmime dhe unë jam e pafuqishme për të reaguar, ma kurseni dhe turpin kur dëgjoj këngë patriotike kur ndërkohë ju mezi prisni të merrni rrugët e botës nëpër azile, e atje keni turp të thoni që jam nga Shqipëria. Ma kurseni turpin që miqtë e mijë nga Kosova të më shprehin sa e sa raste të zhgënjimit nga Shqipëria.Bashkombasit tanë kanë nevojë për një mikpritje të sinqertë, për një buzëqeshje, për një shërbim dinjitoz, për çmime reale, e jo përdorimin e dy standardeve. S’po ju kërkon kush ti falni diçka por ti trajtoni si duhet, sepse ata nuk janë njerëz të dorës së dytë. Sepse me këto sjellje ne vetëm sa po i largojmë vëllezërit tanë të një gjaku e të një kombësie.Plazhet shqiptare janë të të gjithë shqiptarëve.Vëllezërit tanë matanë kufirit janë rritur me dëshirën për të parë Shqipërinë, e tani që po e shohin dhe po na njohin, po largohen me dhimbje se sa pak gjak shqiptar ka mbetë në venat tona.  Falini se s’dinë çka bëjnë !

Filed Under: Komente Tagged With: Leonora Laci, Ndjesë o bashkombas !

25 vjet dhe është vetëm fillimi…

July 17, 2017 by dgreca

1 leonora1 meshe2 antoni1 meshe2 bisede3 antoni ok

Nga Leonora Laçi/Pukë-16-korrik 2017/E nisa me këtë frazë motivuese, si mesazh premtues për të ardhmen, këtë e pash të shkruar në një nga afishimet në oborrin e kishës katolike të Pukës, dhe po e vendosi si kryeartikull sepse vërtetë ishte vetëm fillimi, pse-n do e gjeni në brendësi të këtij shkrimi.

Me datën 16 korrik isha në Pukë për të ndjekur nga afër meshën dhe festimet e jubileut të 25 vjetorit të hapjes së Kishës Katolike në Pukë dhe ardhjen e Motrave të Nanës Terezë ( tashmë shenjtresh) në Pukë.Ndonëse meskorriku, kjo e diele ishte e freskët. Sa herë udhëtoj për në Pukë kam kënaqësi, aq më tepër kur shoh që në Pukë po bëhen përparime e punime infrastrukturore, dhe rinia pukjane po shkollohet në universitete të ndryshme, pasi vetëm nëpërmjet dijes e arsimimit mund të përparoj një vend.

Ndërkohë që mesha e 25-vjetorit ishte në 17:00 të pasdites, përfitova nga rasti që të gjendesha në Kishën e Kçirës, për herë të parë, ku ndoqa meshën e predikimin e orës 11:00. Kisha ishte e rrethuar nga gjelbërimi dhe pemëtari.

Teksa zbrisja në Kishën e Kçirës, më zunë sytë një tabelë ku shkruante “Rruga At Paulin Markgjokaj u lind në 26 shtator 1908 në Kçirë, vdiq me 30 korrik 1975 në Vjenë të Austrisë”.

Me të mbërritur në oborrin e Kishës, që për mua ishte hera e parë që e vizitoja, shoh të shkruar se: “Kjo Kishë u dhurua nga Dom Anton Kçira”, gëzimi ishte i dyfishtë, ndërkohë që Dom Anton Kçira pas dy dekadave u gjend në atë kishë tashmë duke mbajt meshë dhe predikim, e unë isha  dëshmitare e kësaj ngjarjeje.

Dom Antoni ishte i ftuar nga Dom Giovani Fiocchi, famullitar i Kishës katolike ne Puke për të kremtuar 25 vjetorin jubilar të hapjes së Kishës Katolike aty dhe ardhjen e Motrave të Nanes Terezë.

Dom Antoni shprehet se: “Pata fatin te predikoja në këtë Kishë dhe u ndjeva i emocionuar nga pritja dhe respekti qe treguan banoret të cilët mbushën stolat e Kishës dhe  se një prift i mirë dhe puna e tij del në pah me besimtarët që shkojnë në Kishë,  merita e kësaj i takon dom Giovanit”.

Dom Giovani, prifti italian i cili flet një shqipe perfekte, shërben prej 18 vitesh në Pukë dhe ka bërë një punë admiruese jo vetëm për përçimin e fjalës së Zotit por dhe si një shembull sesi duhet punuar dhe shfrytëzuar natyra dhe te mirat e saj për banoret vendas, i cili kishte krijuar punishte për përpunimin e produkteve vendase.

Në fjalën predikuese përveç meshës, Dom Antoni tha: “Shume prej jush jeni dëshmitaret e territ dhe dëshmitaret e dritës. Dëshmitaret e territ, koha e komunizmit pa fe e pa Zot, vuajtjet e juaja te pashpjegueshme te cilat nuk ka fjalë që mund t’i përshkruaj. Dëshmitarët e dritës jeni ju te rinjtë që keni jetuar demokracinë. Në kohen kur unë erdha në Kçirë në 1994, këtu vendi ishte i shkretë, e tani me punën e palodhur te dom Giovanit dhe juve, kjo zonë po lulëzon dita ditës.

Pas meshës Dom Giovani na qoi në punishtet ku bëheshin prodhimet vendase.

Pasdite ndoqëm meshën në ora 17:00, ku Dom Antoni u takua me Nuncin Apostolik Charls Braun, Ipeshkvin e Sapës Mons.Simonin, përfaqësues të klerit mysliman e besimtarë.

Pas meshës solemne u zhvillua dhe një aktivitet artistik. Dom Giovani u shpreh:- “Se duhet të shërbej ky 25 vjetor për të ngritur një pyetje të madhe se a ka Puka nevoje për një Kishe te madhe ?! Si dhe duhet punuar në këtë drejtim që të tjera përvjetore ta gjejnë popullin besimtar katolik te Pukës me kishën e re”.

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet dhe është vetëm fillimi..., Anton Kqira, Leonora Laci, Puke

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT