Përmes një mesaszhi dërguar kryeredaktorit të Gazetës Dielli, z. Nikolin Kurti, nipi i martirit të Kishës, i lumi Don Shtjefën Kurti, informon se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva, ka gjetë proces-verbalin origjinal të I Lumi Don Shtjefën Kurti. Ja letra-mesazh:
I dashur miku im, Dalip Greca,
Fillimisht Ju uroj gjithë të mirat dhe shëndet në këto kohë të vështira të COVID-19.
Ju njoftoj se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva gjeta proces-verbalin original të pushkatimit të I LUMI DON SHTJEFËN KURTI, që po ua bashkëngjis si foto.
.. Duke kujtuar ato momente të tmerrshme, kur natën, me duar e këmbë lidhur, vritet me plumb pas koke një plak 74 vjecar…Përfytëroj gjendjen e tij mendore dhe shpirtërore para vdekjes, të cilën e pranoi pa kërkuar mëshirë, as falje!
Natyrisht nuk kishte bërë asnjë gabim, asnjë faj, që të kërkonte falje, thjesht kishte pagëzuar një fëmijë, ndërsa besimi në Krisht nuk iu lëkund as para skuadrës së pushkatimit.
Në proces-verbal shkruhen dhe fjalët e fundit të Tij para se t’i merrnin jetën- Tre fjalët e fundit: Rroftë Kisha Katolike!- i japin lavdi të përjetshme atij, dhe na bën të ndjehemi krenarë ne familjarët e Tij ,dhe nderojnë Kishën Katolike Shqiptare.
Procesverbali është hartuar nga hetusi i Ministrisë së Brendshme Vangjel Kote, i cili ka pasë pranë edhe zv/Prokurorin e rrethit të Krujës Piro Suli, zëvendës kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Krujës Ramiz Lalmi si dhe mjekun Asim Ylli.
Hetusi shkruan: në mbështetje të urdhërit të Ministrit të Brendshëm Nr. 3265/1 datë 25/9/1971, tërhoqa nga Reparti nr. 313, të dënuarin me vdekje Shtjefën Jak Kurti dhe e çuam në vendin e caktuar për ekzekutm.
Atje zv/prokurori i rrethit të Krujës shoku Piro Suli i komunikoi të dënuarit me fjalë se Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ka refuzuar faljen e jetës dhe se do të ekzekutohet vendimi i Gjyaktës, pra duhej të thoshte fjalën e fundit.
Pas fjalës së fundit u krye ekzekutimi me pushkatim dhe pasi u vërtetua nga mjeku se kishte vdekur, u veprua sipas autorizimit përkatës.
Procesverbali u hartua në katër kopje dhe u firmos nga të pranishmit: Hetusi Vangjel Kote, zv/Prokurori Piro Suli,zv/Kryetari i degës së Punëve të Brendshme –Krujë Ramiz Lalmi dhe Dr. Asim Ylli.
Prokurori që ishte ngarkuar me procesin gjyqsor të Don Shtjefën Kurtit, dhe kërkoi dënimin e tij me vdekje, si dhe gjykatësi Jani Vasili që dha dënimin me vdekje, të penduar u kërkuan ndjesë familjarëve të Don Shtjefnit me shkrim, pasi iu këkrua nga nipi Nikolin Kurti.
Me kërkesë e Nikolin Kurtit, nipit të Don Shtjefën Kurtit, ish-prokurori Hajredin Fuga dhe gjykatësi Jani Vasili kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorën e tyre, me kërkesën e vetme që ato të publikoheshin pas vdekjes së tyre. “Prokurori Hajredin Fuga më kërkoi të mos e botoja letrën e tij sa të ishte gjallë: ‘Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë’. Po ashtu edhe gjyqtari Jani Vasili. Pas vdekjes së tyre, Nikolini i bëri publike letrat e shkruara prej të penduarëve, me shkrim dore.
***
KUSH ISHTE DON SHTJEFËN KURTI?
Sjellim për lexuesin e Diellit një shkrim të shkruar nga Don Lush Gjergji,publikuar në të përmujshmen fetare, kulturore të Kishës Katolike – ”Drita”.
Don Shtjefën Kurti – dëshmor i fesë dhe lirisë
Nga Don Lush GJERGJI
Lajmi i pushkatimit të Don Shtjefën Kurtit ishte alarmi i parë në Evropë dhe në botë për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar, të klerit katolik, të çdo njeriu në Shqipërinë komuniste enveriste. Ja si shkruante Ettore Petta: “Gazeta zyrtare e sundimit komunist shqiptar “Zëri i Popullit” vërtetoi lajmin mbi pushkatimin e priftit katolik Shtjefën Kurti, që qysh më parë e shpalli shtypi ndërkombëtar… Gazeta e Tiranës në një komentim mbi këtë ngjarje tejet të vështirë pohon se ky prift qe dënuar me të drejtë si “spiun, bandit dhe avanturist”. Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste” e financuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte projektuar rrënimin e regjimit komunist. Zëri i Popullit ka shtuar lidhur me këtë që “agjentet e Kishës katolike kanë përgatitur në Shqipëri “magazine armësh” dhe kanë organizuar “qendra për spiuniume”. Po ashtu sipas Zërit të Popullit Don Shtjefën Kurti ‘ka merituar këtë denim” (“Corriere della sera”, 6 prill 1973).
Agjencia katolike austriake “Kathpress” shkruan se Don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje sepse e pagëzoi një fëmijë në fushën e përqendrimit në Lushnje. Artikulli përfundon me këtë pohim: “Shqipëria është shpallur qysh në vitin 1967 shteti i parë ateist në botë”.
Kush ishte Don Shtjefën Kurti?
Ishte së pari dëshmor i fesë dhe lirisë, viktimë e ateizmit shtetëror, i cili u mundua ta vriste Zotin, por e vrau vetveten, popullin e pafajshëm, me përndjekje, mundime, gjykime, varfëri, ideologji, që do të mbesin në analet e turpit, padrejtësisë, urrejtjes, egërsisë, verbërimit dhe shkatërrimit, si edhe vetë komunizmi dhe ateizmi.
Don Shtjefën Kurti u lind në Ferizaj më 24 dhjetor 1897, në një familje të mirë dhe të njohur, e cila pati tetë fëmijë, nga prindërit Jak dhe Katarina lind. Tuna – Kurti. Qysh në fëmijëri pati një edukim të shëndoshë njerëzor, kombëtar dhe fetar. Shkollën fillore e kreu në gjuhën shqipe pranë famullisë katolike të “Engjëllit Rojës” në Ferizaj. Gjimnazin klasik në Shkodër, ndërsa studimet filozofiko-teologjike i filloi në Austri, por pas Luftës së Parë Botërore, i vazhdoi dhe përfundoi në kolegjin dhe universitetin e famshëm “Propaganda Fide” në Romë. U shugurua meshtar në Romë dhe Meshën e Parë e kremtoi më 13 maj 1921. Së shpejti erdhi në vendlindje. Për një kohë punoi në zyre të ipeshkvisë në disa detyra të rëndësishme. Më vonë vite me radhë ishte famullitar në Novosellë të Gjakovës (vendlindja e nënës së Nënës Tereze, Drane lind. Bernaj-Bojaxhiu). Përpos veprimtarisë së zellshme bariore, meshtarake, edukative, arsimore, ai së bashku me dy vëllezër meshtarë, Don Luigj Gashi (famullitar në Smaq) dhe Don Gjon Bisaku (famullitar në Bec), punoi ditë e natë, trimërisht dhe urtisht për ta mbrojtur popullin shqiptar nga sulmet e gjithanshme diktatoriale serbe.
Kjo veprimtari iu ra në sy të gjithëve, popullit, por edhe sundimtarit, i cili në çdo mënyrë dhe mundësi ua kufizonte dhe pengonte çdo veprimtari kombëtare dhe fetare. Për ta ndriçuar deri diku kohën dhe rrethanat e veprimtarisë së tyre mjafton të përmendim vrasjen mizore të Atë Luigj Palaj (1913), Atë Shtjefën Gjeçovit (1929) dhe të tjerëve. Edhe këta tre klerikë ishin në shënjestër. Një herë haptazi një xhandar i ka thënë Don Shtjefën Kurtit kështu: edhe Ju do të përfundoni si Frati i Zymit!
Kjo gjë jo vetëm se nuk i ka frikësuar, por u ka dhënë edhe më tepër vrull, zemër për ta mbrojtur popullin, e jo vetveten, si trima të vërtetë. Vite me radhë ata kanë mbledhur nëpër shumë vise dhe troje shqiptare shënime mbi maltretimet, keqpërdorimet, pësimet, dhuna ndaj popullit shqiptar. Këto materiale i kanë radhitur në mënyrë sistematike në MEMORANDUM të njohur drejtuar Shoqatës apo Lidhjes së Kombeve, me seli në Gjenevë (1930) mbi këto tema të rëndësishme:mbrojtja e jetës, lirisë, të drejtës në pronë, përdorimit të gjuhës, shkollimit, fesë, kuptohet për të gjithë shqiptarët pa kurrfarë dallimi.
Ky është dokumenti i parë, për fat të keq gjertani edhe i vetmi, mbi pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Pas Luftës së Dytë Botërore, fati i Don Shtjefën Kurtit, si dhe i tërë popullit shqiptar, ishte mjaft i mjerë. Së shpejti qe burgosur dhe dënuar. Faji më i madh dhe i vetmi ishte ky: prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit. Mirëpo, si gjithmonë, edhe në këtë rast, Don Shtjefën Kurti nuk lëshoi pe:më mirë vdekja, martirizimi, se tradhtimi! Një herë jam përbetuar dhe gjithmonë jam i gatshëm këtë besë shenjte ta vulosi me gjakun tim! (Lexo: Drita, Ferizaj, nr. 3-4/1983, f. 8-9).
Burrëria, trimëria dhe besnikërisë e tij u pengonte edhe në burg, prandaj përgatiten kurthin: pagëzimin e një foshnje. Për ato fjalë të shenjta fetare, të lashta dhe të shenjta edhe kulturore dhe kombëtare, si të parat të shkruara në gjuhën shqipe, prapë nga një prift shqiptar, qe dënuar me vdekje. Populli thotë: trimëria dëshmohet në vështirësi. Don Shtjefën Kurti s’ kërkoi amnisti, falje, por me krenari e pranoi:e kam krye detyrën time meshtarake! Jam krenar dhe fatlum që po vdes martir!
Jeta dhe shërbimi i tij fetare dhe kombëtar u zbatua në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjaku i tij i begatoi analet edhe me një emër të shenjtë dhe martir. Shembulli i tij për shumë njerëz ishte dëshmi e gjallë e dashurisë, besnikërisë dhe pavdekësisë.
Kleri katolik shqiptar në çdo kohë është mishëruar me popull. Këtë më së miri e dëshmon dhe vërteton historia jonë: gjatë sundimit otoman, gjatë diktaturës në Jugosllavinë e vjetër tek ne, si dhe gjatë sundimit komunist dhe ateist, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë.
Në këtë varg historik Don Shtjefën Kurti ishte një dhanti e Zotit për popullin. Jetoi, veproi dhe vdiq për ideale të shenjta, të larta, për të cilat lypset jetuar dhe vepruar edhe ne, të gjithë vëllazërisht, së bashku. Martirët, dëshmorët, trimat lindin rrallë e nuk vdesin kurrë.
Papa Françesku e shpalli të lum në Shkodër, më 5 nëntor 2016, së bashku me Martirët Shqiptarë në krye me Imzot Vinçenc Prenushin