Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/
Nga Fotaq Andrea/
Fletore koniciane, nr.15 – Ese/
Ne Foto:Benjamin de Casseres nga Marius de Zayas/
I
Një enigmë e veçantë që shoqëron jetën e Faik Konicës në vitet e para të vendosjes së tij në SHBA (pas 1909) dhe që ka intriguar mjaft studiues, ka të bëjë drejtpërdrejt me një pohim të thjeshtë të poetit të madh Gijom Apoliner kur portretizon mikun e tij shqiptar, më 1 maj 1912: “I shkrova [Faik Konicës] në Saint-Louis, por nuk mora kurrfarë përgjigje. Dhe veç kur ditët e fundit, një letër e ardhur nga Çikagoja më kujtoi shqiptarin tim. E dërgonte njëfarë Benjamin DeCasseres (në një fjalë të vetme me dy shkronja të mëdha). Por shkrimi mbi zarf nuk më la asnjë dyshim, ishte pikërisht shkrimi i Faik Bej Konicës, i imët, me germa të qarta, me a-të të ngjashme me ato të shtypshkronjës dhe që u kopjuan mbi bazën e shkrimit të Petrarkës. E hapa letrën. Përmbante një biçim prospekti shtypur në dy faqe në anglisht, titulluar Prélude, dhe kushtuar të gjithë atyre që i largoi egoizmi im militant”.1
Shumë hipoteza janë ngritur rreth këtij pohimi, në dukje i çuditshëm. U tha fillimisht, në mbështetje të Apolinerit, se emri i lartpërmendur Benjamin de Casseres është një “pseudonim” më shumë i Faik Konicës gjatë viteve të tij në Amerikë. Më pas, vetë Revista e Historisë Letrare të Francës, ashtu si Apolineri, do ta cilësonte kryeredaktorin e Albania-s “i pakapshmi mik shqiptar Faik beg Konitza, alias Benjamin de Casseres…”.2
Alfonso Reyes, humanist, historian dhe teoricien i njohur meksikan, në një shkrim titulluar Për një fantazmë, shkon më tej, duke e shtruar çështjen në formë pyetjeje intriguese: Konitza apo Casseres? Pa qenë as vetë i bindur në bëhet fjalë për një figurë historike (që lëviz nga Shqipëria në Francë, në Belgjikë, në Angli, në Amerikë e gjer në Meksikë!) apo për dy De Casseres të veçantë, që atij i dalin të shkëputur në kohë e hapësirë!3
Në fakt, para se të nisim e të zhbirilojmë enigmën, lypset të themi që në fillim se nuk kemi këtu kurrfarë pseudonimi të Konicës, kurrfarë dyzimi apo tjetërsimi të emrit, sepse Benjamin de Casseres apo DeCasseres (1873-1945) është thjesht, kokë e këmbë, një gazetar dhe shkrimtar amerikan, vepra e të cilit sot po bëhet gjithnjë e më e njohur.
Mirëpo, doza e enigmës shtohet edhe më shumë kur vetë Apolineri ka shënuar katër adresa radhazi në fletoren e tij të adresave, konkretisht: të vëllait të vet Albertit, të Faik Konicës, të Mehmet Konicës dhe të… Benjamin de Cassères.4 Duke vëzhguar me vëmendje këto adresa vëren një fakt kuptimplotë: se Alberti, të cilin Faiku e njihte nga afër (e priti edhe këtë në Londër, sikurse priti dy herë vetë Apolinerin në shtëpi të tij), ka banuar në Nju Jork në shtëpinë e shkrimtarit të vërtetë Benjamin de Casseres; por, nga ana tjetër, adresa e “Benjamin de Casseres” në Saint-Louis, shteti Misuri ku botohej Trumpeta e Krujës është konkretisht ajo e Faik Konicës!
Duke parë këtë “parregullsi”, apo këtë “dyzim” nën penën e Apolinerit lidhur me personin konkret Benjamin de Casseres, studiues të ndryshëm nuk kanë munguar ta quajnë këtë “gabimi i Apolinerit, që pandehu se bëhej fjalë për një pseudonim tjetër” të shqiptarit Faik Konica!5
Profesori amerikan Willard Bohn, historian i njohur arti, duke u ndalur konkretisht në pohimin e lartpërmendur të Apolinerit shkruan: “Ironikisht, siç është vënë në dukje në Mercure de France, Apolineri kishte arritur në konkluzionin, mbi bazën e shkrimit mbi një zarf më 1912, se Preludi ishte hartuar nga ish miku i tij Faik Konitza, i cili kishte përshtatur edhe një herë një tjetër pseudonim kur emigroi në Amerikë… Kur Piktorët kubistë6 u shfaq një vit më pas, ai [Apolineri] i dërgoi një kopje Casseres-it, me shënimin: “Për Faik Konitza / Për Thrank-Spirobeg / Për Trhank-Spiriberg / Për Pyrrhus Bardily / Për Benjamin De Casseres / Për mikun e humbur / Nga Guillaume Apollinaire”. Por edhe pse Casseres-i do çuditej nga ky konfuzion fillestar midis tij dhe Konicës, ai as që mori mundimin të tregonte gabimin e Apolinerit. Mund të hamendësohet në këtë rast se ai e ka konsideruar këtë si një ekscentrizëm nga ana e Apolinerit. Dërgimi i një kopjeje të librit të fundit të Apolinerit me autograf përbrenda tregon se bëhet fjalë për një rast konfuzioni identitar, dhe që këtej, mund të pritet çdo spekulim.”7
Vërtet, mund të vijohet kësisoj me spekulime, me mori thëniesh e kundërthëniesh. Veçse e vërteta është krejt ndryshe! Lepuri fle gjetiu. Sepse, siç ndodh rëndom në studime, për fat të keq, mjaft autorë nuk i referohen drejtpërdrejt dokumenteve origjinale të burimeve arkivore. Neve nga ana jonë, duke u bazuar në letrat e Faik Konicës drejtuar Apolinerit, por edhe të Benjamin de Casseres-it, të cilat i kemi gatitur për botim, na rezulton tjetër gjë: që në këto letra, po edhe në zarfe, figurojnë dy shkrime të dallueshëm qartë nga ana jonë, ai i Benjamin de Casseres-it, shkrim i madh, me rrumbullakosje të plota të germave lidhur zinxhir, me ngjeshje boje, dhe ai i Faik Konicës, shkrim i shkrifët, i imët, me germa të drejta dallueshëm qartë, që qëndrojnë vertikalisht gati më vete. Dhe, ashtu si në zbulimin tonë për romanin e panjohur të Faik Konicës “Martesa e Lejlas”, kur çelësin e artë të emrit Lejla – Laje (mbesa e Faikut nga njëra anë dhe Nënëmadhja e Konicajve, nga ana tjetër) na e dha Sherif Delvina, pinjolli i shquar erudit i familjes fisnikërore Konica-Delvina, po këtë çelës të artë të duos intriguese Faik Konitza – Benjamin de Casseres do të na e jepte përsëri Sherif Delvina, ce grand Monsieur, siç thotë shprehja frënge, kur më pohoi lidhur me çështjen: “Hito Sadiku, sekretar i Faik Konicës, i kishte thënë në intimitet – në ato net dimrash të gjatë, gjatë viteve të tyre të mësuesisë syrgjynosëse fshatrave të thella të Tepelenës në vitet e diktaturës – se Faik Konica kishte në Amerikë një shok të ngushtë shkrimtar, me të cilin takohej shpesh…”8. Ky shkrimtar amerikan9 nuk do mund të jetë tjetër veçse Benjamin de Casseres! Dhe do mundohemi ta provojmë.10
Bazuar në letrat në fjalë dërguar Apolinerit, dhe në librin e tij të adresave ku ndërthuren emrat dhe vetë adresat e Faik Konicës e të Benjamin de Casseres, vërejmë konkretisht një çudi, një të papritur të lezetshme à la Konica, ashtu sikurse ka ndodhur me dy romanet e panjohura të tij “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka”, të cilat i kemi përmbledhur tashmë në një vëllim të vetëm me titullin kuptimplotë “Lojnia”. Sepse, fakti është se në zanafillë të këtyre romaneve – po edhe të vetë letrave të përbashkëta Konica – Casseres dërguar nga Amerika për Apolinerin -, ka qenë një farsë, një lojë, një shaka a trill, një “mashtrim”, një njëjësim a/e dyzim njëherësh i dy penave të ndryshme, një amalgamë e stilit “simbolik” me hije-dritat e veta të një lloj estetike gati-gati kubiste. Që më 19 gusht 1904, në një letër drejtuar Apolinerit, Faik Konica shkruante lidhur me shkrimin e tij “Mashtrimi më kolosal në historinë e llojit njerëzor”: “Artikulli im vërvitet vetëm rreth mundësisë për të krijuar një gjuhë ku i njëjti tekst të ketë dy kuptime,11 një të dukshëm, tjetrin të fshehur. Kisha kërkuar që prej disa vitesh mënyrën se si të krijoja një sistem me anë të të cilit të mund të thosha, në artikujt e mi shqip, në dukje pa interes, gjëra revolucionare…”.12 Dhe ja ku tanimë, shkohet shumë më tej në fushën e Letrave, kur na shfaqet, më 1912-1913 edhe një “trupëzim” e “personifikim” i vetëm i dy shkrimtarëve të ndryshëm me “gjuhë të vetme, të përbashkët”, i shqiptarit Konica dhe i amerikanit De Casseres.
Le të shohim konkretisht letrat nr 39 – 43 sipas renditjes sonë.
Letra nr. 39, është pa zarf dhe vetëm me tekstin e artikullit të shtypur: “Prelud” nga Benjamin de Casseres, që të kujton pohimin e Apolinerit në krye të esesë sonë, kur nis e portretizon Faik Konicën më 1 maj 1912. Mban për nëntitull: Kushtuar të gjithë atyre që dëbojnë individualizmin tim militant. Në morinë e epigrameve të tij me vërshim katarakti, që duhet të kenë tërhequr vëmendjen e Apolinerit, shprehet konkretisht: Unë jam bastard i një rastësie të pafundme… Nga mendimi i zenitit tim zgërdheshem… Rrjep lëkurat e Shpresës gjersa Hiçi i bërë mumje të shfaqet në krejt lakuriqësinë e vet… E kështu me radhë derisa shprehet: Jam misteri i kujtesës, loja e labirinteve të Hokasë, harku i tendosur i pritshmërisë. Pra hokaja, shakaja, trilli, domosdo që kanë edhe ato labirintet e veta misterioze, ku zor të kuturiste Apolineri për të depërtuar në to! Një sinjal i parë i “Farsës” na u dha.
Letra nr. 40: Mban në krye datën 28 maj 1912 futur mes kllapash katrore dhe me shkrimin e Faik Konicës. Po ashtu, mbi zarf, te faqja ballore e marrësit, në pjesën e sipërme dhe pjerrtas, Faiku ka shkruar qartë mbiemrin e tij: Konitza. Dallohet këtu se është e njëjta penë e Casseres-it me majë të trashë plot bojë që ka shkruar adresën e Apolinerit, ndërkohë që data mbi tekst është jo vetëm me shkrimin e Faikut, por edhe e shënuar me stilon e tij me majë të hollë. Brenda zarfit është një kartolinë në format të vogël që paraqet obeliskun e mermertë Washington Monument. Teksti pas kartolinës, me shkrimin e Casseres-it, po ku futet në mes, mes kllapash të rrumbullakëta edhe shkrimi i Faik Konicës: “Dans l’Infini. Quelle Farceur! Tout à Toi. Benjamin de Casseres (alias Faik beg Konitza). 11 West 39th St New York City E.U. d’A.” (përkthimi: “Në Pafundësi. Çfarë hokatari! Krejt i Yti. Benjamin de Casseres (alias Faik beg Konitza). 11West 39 St, New York City, SH.B.A.) Një vërejtje e veçantë para se t’i shohim gjërat më në hollësi: në krejt letrat e Konicës për Apolinerin, ai i drejtohet mikut të vet frëng me mirësjelljen e tij fisnike karakteristike: “Ju, Juaji”, etj., kurse Casseres i drejtohet themeluesit të simbolizmit me formulën e njëjësit në frëngjisht “Ti, Yti”, kur dihet që anglishtja nuk e bën këtë dallim. Por le të theksojmë këtu tre elementë me rëndësi:
Së pari, të dy personazhet tanë ndodhen bashkë në çastin e shkrimit të tekstit, sikurse vihet re në pleksjen e shkrimeve. Janë bashkë me dy shkrimet e me dy emrat e tyre, të lidhur nëpërmjet fjalës “alias”, fjalë e cila shfaqet për herë të parë, para se ta përdorë edhe vetë Apolineri. Veçse kemi këtu një nuancë të hollë, sepse fjala “alias” ndodhet, siç e vëmë re, në tog-emrin “Benjamin de Casseres alias Faik beg Konica” dhe jo në tog-emrin “Faik beg Konica alias Benjamin de Casseres”, siç do ta përdorë gabimisht më pas vetë Apolineri dhe tërë studiuesit pas tij në kuptimin e një pseudonimi për Konicën dhe jo për Casseres-in. Pra, dallimi, që këtu është i madh.
Së dyti, ka në tekstin frëngjisht të mësipërm një gabim trashanik, mospërshtatje gjinie: Quelle Farceur në vend të Quel Farceur, një gabim që kurrë nuk i shpëton dot penës së Faik Konicës në frëngjisht. Me siguri Faiku e ka pikasur gabimin trashanik të Casseres-it si shkrues i tekstit, (në mos qoftë një gabim me vetëdije i llojit ekscentrik!) dhe e ka lënë të kalojë, për të çuditur Apolinerin, i cili asnjëherë nuk i gjeti një gabim të vogël në frëngjisht mikut të tij shqiptar në dhjetëra faqe frëngjisht që ai i kishte dërguar.
Së treti, na shfaqet këtu fjala kyçe: Farceur, në shqip Hokatari, shakaxhiu apo ai “mashtrues identitar” i vetëdijshëm për dy persona të ndryshëm shkrirë në një të vetëm. Dhe kemi të drejtë të themi atëherë se që këtu nis e tërë “loja”, gjithë “pështjellimi” edhe në vetë mendjen e Apolinerit, krejt interpretimet nga më të çuditshmet që do pasonin, dhe që intrigojnë edhe sot e kësaj dite studiuesit, kur dy shkrimtarë të ndryshëm identifikohen me një emër përmes fjalës “alias”.
Por ama, siç thotë Konica me rastin e “Zullulandit” të tij: “Njerëzit më seriozë kanë nevojë të çlodhin mendjen me tallje.”13 Janë ata, “njerëzit seriozë, diplomatët e mërzitur nga puna e rëndë” që kërkojnë një biçim evazioni shpirtëror, një aventurë intelektuale, një tjetërsim apo tjetër realitet, qoftë edhe teatror, që kërkojnë, me një fjalë, një të mundshme ndryshe. Dhe në këtë rast, mjeti do jetë gjuha e hokasë, shakaja e zullumtë, që shfaq fuqinë e përfytyrimit / shpërfytyrimit falë asaj loje transpozicionale që shndërrohet në lojë maskash apo pasqyrash deformuese, në një lloj palimpsesti ku kërkohet të shkruhet allasoj. E këtu, vetë gjuha e hokasë që përdoret, merr, të themi, një formë krejt të veçantë artistike, një lloj xhonglimi intelektual. Tejkalohet edhe vetë personazhi letrar, i njëjësuar e i dubluar njëkohësisht, i Pablo Kanurit, që personifikon, nën penën e Apolinerit, Faik Konicën dhe Pablo Pikason;14 por tejkalohet edhe personazhi i “diplomatit të lashtë” që përfaqëson vetë Apolinerin 25 vjeçar15 dhe Faik Konicën 29 vjeçar, i cili i rrëfen diplomatit të lashtë historinë rokamboleske të Gaspër Jakova Mërturit e të Tones, një lloj personazheje à ” La Cichina”.16
***
Letra nr. 41: Është e shkruar krejtësisht nga Casseres dhe mban datën 14 korrik 1912. Nuk ka ndonjë gjë të veçantë për t’u shënuar në mos që është në stilin karakteristik të Casseres-it, i cili bën njëfarësoj te Apolineri një prezantim të vetvetes nëpërmjet formës pamfletike (traktit), plot aforizma. Nga përmbajtja e kësaj letre del se Apolineri i është përgjigjur kartolinës “së përbashkët” Konica-Casseres me anë letre, ku ka trajtuar, me sa duket, çështjen e “lirizmit” (por duke pasur gjithnjë parasysh se ai i drejtohet vetëm personit të Faik Konicës). Vërejmë se në një dorëshkrim prej tetë faqesh, Casseres përmend 87 emra të përveçëm në amalgamë historike, gjeografike, letrare, artistike, mitologjike, me emra perëndish e personalitetesh si në një “rendje kuajsh në kope”. Duke vazhduar lojën dubluese, por, me sa duket në mungesë të Konicës, që nuk ndodhet i pranishëm gjatë hartimit të kësaj letre, Casseres i bashkëngjit letrës së tij edhe një foto të vetën e shkruan: “Po ju dërgoj një foto të vogël, kam ndryshuar shumë”17. Domosdo, do shtonim ne! Veçse kjo fjali lë të kuptohet që farsa apo loja vazhdon, por me intensitet më të ulët. Po shkohet drejt së vërtetës, kur nis të shfaqet Casseres-i real.
***
Letra 42: mban datën 13 jan. 1913 me shkrimin e hollë të Konicës, dhe në zarf, në faqen e dërguesit është vetëm emri Faik beg Konitza me shkrimin e tij; kurse poshtë emrit, është adresa e Casseres-it me shkrimin e këtij të fundit; prania e të dy shkrimeve vërteton se dy protagonistët tanë ndodhen sërish bashkë. Përmbajtja e letrës së shkurtër është shkruar nga Casseres, dhe konkretisht thuhet: “Tani Alias. I dashur mik. Njëmijë falënderime për letrën tënde. U largova nga Shqipëria përgjithmonë. Le ta lëmë vdekjen të prehet mes të vdekurve! Tani jam duke shkruar një këngë kushtuar Nju Jorkut, Mater Triumphalis!18 Tani jam një materialist, një pagan, një futurist, i dhashë fund Europës përgjithmonë. U bë një mrekulli. Parabrahma u bë Pierrot19. E braktisa Afërditën për Viçin e Artë!20 E shkula zemrën me rrënjë dhe në vend të saj vura një luigj të artë.21 Nga Shqipëria, Ave Atque Vale!22 Me admirim. Benjamin de Casseres, 11 West 39th St. New York City.”
Sç e vëmë re, njëshja “e trupëzuar” Konica/Casseres njofton këtu për herë të parë Apolinerin se është larguar nga Shqipëria dhe nga ana tjetër, na shfaqet njëfarësoj një gjendje e caktuar shpirtërore kur thuhet: “Le ta lëmë vdekjen të prehet mes të vdekurve”, që fare mirë mund të përkthehet: “I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët”, në një kohë kur Konica, me sa duket, ka pasur një zhgënjim të rëndë për aktin e Shpalljes së Pavarësisë, kur shihte pas këtij akti “dorën” e Turqisë dhe ngadhënjimin e një “klike krahinore” drejtuar nga Stambolli. (Po prapë, në kontekstin hokatar të letrës dhe në kuadrin e farsës që po trajtojmë, mund të mos e marrim këtë pohim si të mirëqenë a serioz; për më tepër që gjërat e djeshme nuk kanë se si shihen me sytë e sotëm dhe është gjë krejt tjetër të arrihet sot në përfundimin se vetë koha nuk i dha të drejtë Konicës për aktin e shpalljes së Pavarësisë). Ana materiale apo paraja (luigji i artë), sikur e përforcon këtu idenë e zhgënjimit moral – po prapë, të mos harrojmë se jemi në qendër të farsës.
Letra nr 43, mban datën 21 prill 1913 të vulës mbi zarf dhe përmban dy copëza gazete, hyrjen e një artikulli dhe vetë tekstin e plotë të këtij artikulli të Casseres botuar te New York Times më 1 prill 1913 me këtë titull të gjatë: “Pas një nate pune të mundimshme e tha: “Unë do jem Kryetari i Bashkisë!” I ndaluar për të pirë e për të ngrënë pas orës 1 të mëngjesit, B. De Casseres do mund të zëvendësojë Gaynor-in. “A është vetë Cari që na qeveris?” Zotëroj hipokrizinë, “Cilësinë më të lartë për Postin”. Artikulli është një kolonë gazete me germa të vogla. Në fakt, kjo letër nuk ka asgjë të përbashkët me Konicën, i cili në këtë kohë duhet të ndodhet në Europë, por po e përmendim thjesht për të treguar se deri këtu Casseres vazhdon ende, dhe vetëm, lojën e tij të maskuar me figurën e Konicës.
Pas kësaj letre, loja e dublimit do të marrë fund dhe më 8 maj 1913, Benjamin de Casseres del hapur me emrin e vet falë një dokumenti në frëngjishte të bukur drejtuar Alfred Vallette-s, themeluesit dhe drejtuesit të revistës së mirënjohur le Mercure de France. Në këtë letër, Casseres merr fuqimisht në mbrojtje figurën e Walt Whitam-it të madh, duke u rreshtuar përkrah Stuart Fitzrandolph Merrill (1863-1915), poet amerikan dhe një nga teoricienët e simbolizmit, i cili hartonte vargje në frëngjisht që nga viti 1890 kur u vendos në Francë dhe përktheu e botoi veprën e humanistit Whitman në frëngjisht. Në atë kohë, Apolineri, duke iu referuar gjoja një dëshmitari të tij, denigron figurën e Whitman-it me një shkrim të botuar në Mercure de France, duke e akuzuar për sodomi 20 vjet pas vdekjes së tij, për të thënë se “në varrimin e Whitman-it 72 vjeçar kishte vetëm pijanecë e pederastë”. Me këtë rast, Casseres, duke mbështetur Stuart Merill, vihet në mbrojtje të figurave të tilla madhore si Bajron, Poe, Wilde, Whitman, Verlaine, Rimbaud, etj. që akuzoheshin për sodomi, pederasti, homoseksualizëm. Bota letrare dhe intelektuale e kohës, e hallakatur përpara absurdit të luftës së parë botërore, pasionohej pas “ekstravagantes” dhe jetës personale të figurave të shquara, vazhdimisht e prirë pas “së veçantës”, ndërkohë që Konica fillon e endet nëpër Europë në mbështetje të fatit të Shqipërisë rrezikuar keqas për copëtim e fërtelosje.
II
Si folëm gjer tani për lidhjen miqësore Casseres – Konica dhe farsën e tyre rinore ndaj Apolinerit, le të shohim nga afër jetën dhe veprën e Benjamin de Casseres për të dalë në idenë që parashtruam në titullin e kësaj eseje.
Lypset të themi që në fillim se njëshja/dyshja Konica – Casseres kishin mjaft gjëra të përbashkëta: ishin vërsnikë në moshë, duhanxhinj të mëdhenj, shijues pijesh të veçanta; ishin “de bons vivants” – sipas shprehjes së Sherif Delvinës ose ndryshe në shqip “shijues të artit të të jetuarit”; ishin publicistë që në moshë të re, eruditë autodidaktë, njohës të shumë gjuhëve; kishin shije të hollë për letrat, artin dhe kulturën në përgjithësi, të prirë drejt së rejë, modernes dhe penë të fuqishme për ta shprehur; kishin një rreth të gjerë miqsh dhe bënin përgjithësisht jetë të rregullt (po ku nuk mungonin ndoca hope origjinaliteti dhe, pse jo, “ekstravagance” rinore!); dhe më në fund, do ndodhte që, që të dy, të vdisnin në gjumë.
Individualist gjer në narcisizëm, Benjamin de Casseres e konsideronte “egon” si etalonin e tërë vlerave, duke i besuar madhështisë dhe hyjnizimit të Njeriut, në antitezë me idenë e masës, me opinionin publik, me Kishën apo Shtetin. “Çdo njeri ka program të vetvetes dhe për vetveten”, shprehej ai, duke u shfaqur kështu si një luftëtar i përjetshëm kundër moralizimeve, koncepteve dhe gjykimeve të standardizuara. “Të jesh individualist, do të thotë të kultivosh personalitetin tënd, autonominë tënde, egoizmin tënd”; dhe kjo, nëpërmjet tri gjërave të pashkatërrueshme: Fuqia, si sinonim i Vullnetit; Ngadhënjimi i vetvetes; dhe më në fund Bukuria dhe Gëzimi i jetës. “I barabartë, në mos më i miri shkrimtar publicist i kohës së vet”, ai publikoi artikuj në gati tërë organet e shtypit të Nju Jorkut, Bostonit, Çikagos, Los Anxhelosit, Filadelfias, San Franciskos, Uashingtonit, etj. Botoi mbi 40 vëllime me shkrime, ese dhe drama plot fiksione, aventura mërgimesh, anatemash, me kritikë të fortë e litani mohimesh, duke u shfaqur në këtë mënyrë si një pamfletist klasi të lartë. Më 1899, New York Times do shkruante për të: “Ka shumë kritikë, por ka vetëm një Benjamin de Casseres”. Ishte spontan në shkrimet e veta, të mbushura me epigrame nga më të mahnitshmet, një amerikan i stilit à la Rochefoucauld apo à la Lichtenberg. Me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij, gazeta franceze l’Unique do shkruante më 8 mars 1946: “De Casseres – ja një nga mendjet më të çuditshme e më origjinale të SHBA-ve, mendje e dimensionit të katërt, individualist i papendueshëm, kundërshtar i tërë idealizmave, të cilat i quante gënjeshtra”.
Studiuesi C.Cestre, profesor në Sorbonë, nëpërmjet artikujve të tij23 e paraqet Casseres-in si një “penë e lirshme kritike”, “shkatërruese, utopike e profetike” njëherësh, me një “asketizëm puritan”, si një kritik e individualitet që reagon me forcë ndaj individualiteteve të tjera të artit dhe letërsisë klasike e moderne, nga ajo franceze, te ajo angleze e amerikane. Shumë shkrime të tij janë refleksione për mori figurash madhore, në veçanti për Verlaine, Rosetti, Baudelaire, Wilde, Mary Magdalena, Balzac, Flaubert, Rimbaud, Ibsen, Wagner, Voltaire, Jules de Gaultier, Spinoza, Niçe, Shopenhauer, Emerson, Sofokliu, B. Show, Poe, Whitman, mbreti David, etj. etj. Por nga ana tjetër, ai vetë është i admiruari i veçantë i bashkëkohësve të tij: Xh. London, Clarc Ashton, Smith, R. de Gourmont, Mencken, Huncker, Thomas Hardy, Charles Fort, e kështu me radhë.
E kanë cilësuar Casseres-in si Bodëlerin amerikan që “më shumë sukses do kishte pasur në Europë se në Amerikë”; kanë thënë për të se i parapriu kohës duke shkruar për të pastajmen, me një finesë e pasuri sa pasiononte aq edhe sensuale, tipare këto të një gjeniu të vërtetë. Ishte një “avangardist i frikshëm”, aq sa nuk i botoheshin librat nga botuesit amerikanë. Vetë ai e shpall veten platonist, ndërkohë që karakterizohet nga breshëri idesh e mendimesh të shpejta falë një automatizmi a shkrimi të rrëmbyer e të hopuar, plot prerje e ndërprerje, plot humor e satirë. Radikal i lindur, studiues i shquar arti dhe njëkohësisht njohës i kulturës azteke, ishte një figurë e përplotë poliedrike: shkrimtar e gazetar, kritik e eseist, poet e editorialist. Mbi të gjitha, ishte kundërshtar i shpallur i komunizmit dhe i çdo ndërhyrjeje amerikane në konfliktet botërore. Dhe, meqenëqë kishte botuar artikuj edhe në shtypin anarkist e socialist të kohës, nuk kishin munguar ta cilësonin atë si një “anarkist e socialist”. Në një gabim të tillë do binte më pas edhe ndoca studiues të veprës së Konicës kur do e shihnin këtë të botonte për shembull artikullin e tij të parë më 1895 Shqipëria dhe turqit në organin e majtë parisian La Libre Parole, apo kur mund të ishte përfolur se Konica mbante lidhje me shkencëtarin Elysée Reclus, cilësuar ky si anarkist e socialist (me të cilin ai botoi një nga kryeveprat e tij Hartën e parë të Shqipërisë etnike – 1901). Apo, siç do ndodhte vite më pas (në vitet 20-30) kur Konica u shpreh për socializmin24, apo kur u përfol se kishte miqësi me një anarkist (me Casseres-in), por pa i ditur as emrin këtij të fundit. Jo, Konica ishte dhe mbeti një përfaqësues i denjë i klasës së tij (nuk e ndau nga emri titullin “beg”), ishte përfaqësues i së djathtës së moderuar shqiptare, Rilindës i emancipuar dhe i evropianizuar, Aristokratik në plot kuptimin e fjalës, sa fisnik, aq edhe elegant, shijehollë e mendjendritur. Por kjo çështje do të jetë objekt i një studimi tonë të ardhshëm.
Dihet se në kapërcyell të shekujve XIX – XX, si socializmi, si anarkizmi ishin rryma socio-filozofike në modë, dhe të ishe anarkist apo socialist, por edhe “revolucionar”, do të thoshte – pa qenë i lidhur me ideologji të caktuar -, të ishe thjesht kundërshtar i konservatores, një prishës a plëngprishës, një turbullues që kërkon ndryshimin, të renë, përmbysjen; veçse, njerëz të tillë doemos që shiheshin “me vese”, të papastër, shthuranakë, “çuditës”, njerëz që hutonin sidomos fanatikët e konservatorët. Këtyre epiteteve nuk do t’i shpëtonte as Casseres, i cilësuar si “anarkist individualist” kur në fakt për idhull e “kumbar shpirtëror” ai kishte filozofin Niçe.
Por duke iu shmangur këtu rrymave socio-filozofike, le të përqendrohemi tek avangardistët modernë të fillim-shekullit XX kryesisht në Amerikë, në fushat e letërsisë dhe artit, kur kërkonin shtigjet e reja që do çonin natyrshëm drejt simbolizmit të Apolinerit, drejt vlerave dhe estetikës artistike, letrare e kulturore europiane të viteve 1910-1920.
Është e njohur se, gjer në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIX, sidomos në kontinentin e ri vazhdonte – disi e zbutur – fryma konservatore tradicionale, ndërkohë që idetë e reja ishin pothuaj të papranueshme, duke u cilësuar madje anarkike. Më 1903, Alfred Stieglitz boton revistën e tij Camera Work, që do të bëjë epokë gjer më 1917 dhe do të çelë rrugën drejt modernitetit estetik amerikan. Fotografitë që botoheshin në të ishin të një cilësie jashtëzakonisht të lartë, me vlera të mirëfillta artistike në bardhë e zi. Fotografia mori në këtë revistë vlerën e mirëfilltë të artit, fitoi statusin artistik. Shumë shpejt, revista do botonte edhe riprodhime të artit modern, si ato të Rodin e Matisse para se vetë këta të bëheshin të njohur publikisht në arenën ndërkombëtare. Ndër bashkëpunëtorët e parë të revistës do të shfaqeshin Huncker, Casseres dhe i famshmi Marius de Zayas, promotori i ardhshëm i artit modern amerikan. Më 1903-1910, Benjamin De Casseres boton në këtë revistë mjaft shkrime, ku shfaq vlerat e individualiteteve letrare e artistike (Emerson the Individualist dhe Other Art, ndër të tjera), duke çelur kështu shtegun drejt vlerave të reja estetike. E megjithatë, gjatë kësaj periudhe nuk shohim ende të përmenden emrat e figurave moderne europiane, kur në fakt, Apolineri me shokë ishin ende në organizim e sipër të lëvizjes së tyre letraro-artistike që do të merrte emrin “simbolizëm” në bazë të propozimit që ishte bërë në në fund të shekullit XIX nga shqiptari Jean Moreas apo Jani Morea! Në janar 1910, nr. 29 i Camera Work boton katër karikaturat e meksikanit Marius de Zayas dhe shkrimin domethënës të Casseres-it Karikatura e Nju Jorkut. Po ashtu, çelet edhe ekspozita me 25 punime të Zayas në “Galerinë e artit 291” të Stieglitz. Që këtej nis reforma e dytë e revistës së tij lidhur me pikturat, vizatimet, riprodhimet dhe shkrimet me estetikë moderne, duke guxuar të goditet tradicionalja konservatore. Casseres del në tetor 1910 (Camera Work nr. 32) me esenë bombë për artin modern: “Mbi dekadencën dhe mediokritetin”. Dhe vetëm në janar 1912, për herë të parë, Casseres boton për simbolizmin shkrimin: “Essays in symbolisme subjektive”. Ndërkohë që Farsa që sapo trajtuam, do fillojë me letrën e parë Konica-Casseres drejtuar Apolinerit pas 4 muajsh, më 1 maj 1912. Kështu, duke përmbledhur sa më sipër, dhe duke parë intensitetin e veprimtarive për një art e letërsi amerikane ndryshe, por me model europian, kemi të drejtë të themi se lidhja Casseres – Konica, ka filluar që gjatë viteve të famshme të Havardit të Konicës (1910-1911), ndërkohë që Casseres kishte bërë sakaq edhe një udhëtim të shpejtë në Europë më 1910, aq sa të nuhaste atje artin e ri kubist që po lindte dhe artin e mirëfilltë afrikan. Shohim pra dyshen tonë Casseres-Konica, njëri me origjinë hebraiko-spanjolle, tjetri me origjinë shqiptare në miqësi të ngushtë, po edhe në rreth të gjerë miqsh e intelektualësh amerikanë,25 gjë që do të vazhdojë gjer në shkurt 1913.
Rrethanat si janë njohur Konica-Casseres janë ende të panjohura, por vitet e Havardit dhe mjedisi amerikan i Letrave e i Artit, poliglotizmi e erudicioni doemos e favorizonin një njohje e miqësi të tillë të ngushtë. Ndoshta ata janë njohur në ndonjë aktivitet artistik, kur e dimë që Konica ishte frekuentues i rregullt i Artit të Madh, i ekspozitave e i koncerteve simfonike. Ndoshta nëpërmjet revistës Camara Work, siç ndodhi njohja e Konicës me Apolinerin nëpërmjet revistës l’Européen në shtator 1903. Sidoqoftë, nisur nga përvoja e tyre e pasur në fushën e publicistikës, letrave dhe artit avangardist, ata kishin ç’t’i përcillnin shoshoqit. Sidomos Konica, që kishte njohur nga afër mjedisin europian modern, që kishte marrë pjesë edhe vetë me shkrime e botime shijeholla që e vendosnin atë në pararojë të intelektualitetit europian (sidomos dy librat e tij Mbi Edukimin dhe Ese mbi gjuhët e gjalla…) dhe që kishte bashkëpunuar me Apolinerin e Remy de Gourmont në revistat e tyre le Festin d’Esope dhe Mercure de France. Lidhja e tyre nuk ishte për të pirë thjesht një kafe turke, apo për të rrëkëllyer një whiski, por ishte lidhje miqësore për këmbim idesh dhe erudicioni, e pse jo, edhe për “aventura extra-artistike” të tipit të mësipërm. Dhe për shqiptarin, “Farsa” apo “Lojnia” Konica-Casseres-Apoliner që shtjelluam më sipër do pasonte menjëherë xhonglimin publicistik Konica-Aladro Kastrioti (në vitet 1909-1911) me romanet ende të panjohura për publikun Martesa e Lejlës dhe Sotiri e Mitka.
Mund të shtrohet pyetja, qoftë edhe me skepticizmin më të skajshëm: si ka mundësi që tërë këto kanë mbetur gjer sot në hije, në heshtje, si nuk janë përmendur kurrkund? E vërteta është se gjurmët e gjithçkaje intriguese koniciane, plot mistere e të papritura, janë të stampuara e hallakatura në dokumente e shkrime, në alegoritë e tij, në marrëdhëniet dhe qëndrimet “e çuditshme” ndaj figurash e ngjarjesh të caktuara, ku duhet qëmtuar me imtësi e gjykuar me ftohtësi. Sepse Konica, që nga ajsbergu i tij eruditiv, me dritë-hijet e veta, të xhonglonte intelektualisht, të vinte dhe të luante në majë të gishtave, siç thotë populli. Por e vërteta e thjeshtë është se në mjediset e larta intelektuale, qoftë të Europës, qoftë të Amerikës, qoftë mes bashkëpatriotësh, Konica impononte kudo personalitet në shkallë të epërme, dinjitet e respekt, mbi të gjitha si politikan, diplomat dhe burrë shteti i veçantë, deri aty sa Apolineri e pat thënë hapur e publikisht që më 1906: “Nëse Shqipëria do të ishte shtet, ai do të ishte padyshim kryeministri i saj”.27 Pra, vetë qarqet e larta intelektuale, apo ajka e intelektualitetit euro-atlantik e ruante atë, do guxonim të thoshim, mbante qëndrime serioze ndaj tij për të mos e “kompromentuar” në asgjë.
Pas vitit 1913, dhe gjatë viteve të luftës së parë botërore, gjithçka do fillojë të ndryshojë, dhe dyshja Konica-Casseres do shpërbëhet përkohësisht, secili në udhë të vet: Konica në Europë thellon veprimtarinë e tij patriotike, në mbrojtje të fateve të Shqipërisë, Casseres, falë shtigjeve që i ka çelur edhe Konica, intensifikon lidhjet e tij me avangardistët modernë, kryesisht me Remy de Gourmont nëpërmjet Mercure de France, teksa Camara Work dhe Galeria e Artit modern, Avenue 5 New York, zë të shfaqë vepra të Pikasos, Braque, Francis Picabia, Kandinsky, Laurvuk, Cezanne, Van Ghog, Brancusi, Rivera, etj. Casseres thellon nocionin e “bovarizmit”28 të Jules de Gaultier, si nocion çelës i kritikës letrare dhe psikopatologjisë, nocion i përcjellë më parë në Amerikë nga James G. Huncker, mik i ngushtë i De Casseres-it. Më 13 mars 1915, në kronikën “Një amerikan na shkruan”, Remy de Gourmont prezanton De Casseres-in te publiku intelektual francez, kur shënon: “Benjamin de Casseres – shkrimtari më i vrullshëm, më i pavarur, por shpesh, më paradoksali dhe ndonjëherë më poetikisht i errëti që kam njohur”.29 De Casseres nis kështu të përkthehet në Francë.
Më 1919, ai martohet me bukuroshen Adèle Mary Jones (Bio Terrill – ndarë nga i shoqi i parë), dhe me Konicën, mikun e tij të hershëm shqiptar, ai do takohet në Amerikë pas luftës, në vitet 20. Kjo dëshmohet tërthorazi jo vetëm nga pohime gojore ish-vatranësh, por edhe kur Konica boton më 1922 një nga kryeveprat e tij “Katër pralla nga Zullulandi”, tek përmend emrin Adela, kur shkruan këto vargje “simbolisto-erotike” në frëngjisht: “Adèle, / T’es belle! / J’aime tes gros nichons, / Folishon! / T’es ronde, / T’es blonde”. Përkthimi ynë i lirshëm, siç do apo nuk do t’i pëlqente Konicës: Adelë, e bukur je, / Cicat e mëdha m’i ke, / Cicat e tua dua / E azdisur ç’më je / Topolake ç’më je, / Leshrat e verdhë ç’m’i ke.30 Mund të mendohet këtu se kemi të bëjmë me një rastësi në përdorim emrash të përveçëm, veçse, nga studimi ynë i gjertanishëm, na del se rrallë ka gjëra të rastësishme nën penën e Konicës. Madje edhe një nga zogjtë e tij që e quante Fritz dhe për të cilin flet në letrat dërguar Apolinerit, Konica e bën apolineriançe, toger Frtiz, që do të jetë një nga personazhet kryesorë të romanit Martesa e Lejlës.
Në përfundim mund të themi se përtej çdo lloj çudie, fantazie, ekscentrizmi që mund të keqinterpretohet nga ky studim – por që e tejkalon figurën e gdhendur në mendjen tonë të rilindësit klasik shqiptar prirë drejt romantizmit idealizues të përparuar -, te figura e Faik Fisnik Konicës gjejmë përherë mendjen e ndritur si askush, të prirë drejt modernes së përparuar, drejt Perëndimit të avancuar, ashtu, i pakapshëm siç ishte në kohë, hapësirë e ide, pa profetë e dogma.
*1 Nënvizim i Guillaume Apollinaire në shkrimin portretizues Faik Beg Konitza, La Vie anecdotique, Mercure de France, nr. 357, vëll. XCVII, 1 maj 1912, viti 23, Paris, MCMXII
2 Pierre Caizergues, Revue d’Histoire Littéraire de la France, éd. Armand Collin, Paris, septembre-octobre 1995, nr. 5, f. 772. “Faik Konitza alias Benjamin de Cassères” është një formulim që figuron në disa letra që ndodhen në Fondin Guillaume Apollinaire, Correspondance NAF – 27164, Archives et Manuscrits, B.N. F.
3 Alfonso Reyes, Obras completas, XXI, Letras Mexicanas, Fondo de Cultura Economica, Primera Edicion 1981, f. 13-14.
4 Libri i adresave të Apolinerit gjendet i arkivuar në Bibliotekën Kombëtare të Francës, departamenti Manuscrits et Documents dhe është botuar në Que Vlo-ve?, seria 2, nr.3, korrik-shtator 1982, f.3-9, Dresat. Jepen konkretisht mjaft adresa tepër me interes për studiuesit, që dëshmojnë për lidhjet e Apolinerit me figura te rëndësishme të botës së letrave, artit e të politikës dhe konkretisht për objektin e studimit tonë: /Albert de Kostrowitsky, c/o Mrs Southgate, 11 west 39 th St. New York City USA/.; Benjamin de Casseres / BOX 956 Saint-Louis-Missouri-Et. USA/; Faik beg Konitza /39th Baable Road-Highbury London-N/; Konitza Mehmed Konitza/ Bath Club 34 Dover Street N. London. – Archives.
5 John Adlard, Un soir de demi-brume à Londres… (Një mbrëmje në gjysmë mugëtirën e Londrës…), përkthim nga Pierre Coustillas, bot. A L’écart, 1988, f. 38.
6 Libër i Apolinerit botuar më 1913, tekst madhor rreth kubizmit.
7 Willard Bohn, Apollinaire and the International Avant-Garde , State University of New York Press, Albany, 1977, chapiter 3, p. 44.
8 Nga arkivi personal, F.Andrea.
9 Është e njohur se Konica kishte në Amerikë një rreth të gjerë miqsh gazetarë e shkrimtarë, dhe në ndonjë rast flet për ta pa i cilësuar me emra, sikurse ndodh në tetor 1931 kur shkruan: “Lajmi i botuar nga ca gazeta amerikane se kam për të dhënë dorëheqjen time është pa themel edhe rodhi nga një keqkuptim. Burimi i tij është një gazetar amerikan i njohur, miku im, i cili më ka ndihur disa herë….” (F. Konica, Vepra 3, bot. Dudaj, f. 412.
10 Benjamin de Casseres ka lënë dorëshkrim rreth 1000 faqe “Ditar”, titulluar “Fantazia Impromptu”. Fillon që nga viti 1925, dhe gjendet në bodrumet e Bibliotekës publike të New Yorkut. Ndoshta ky ditar përmban edhe të dhëna për Faik Konicën, që do të ishin jo pa interes për Letrat shqipe.
11 Nënvizimi ynë, F. Andrea.
12 Letra nr. 16, F. Konica drejtuar Apolinerit, 19 gusht 1904, BNF, Departamenti i Dorëshkrimeve dhe Dokumenteve, NAF 25201-25245-NAF 27429.
13 F. Konica, Vepra, SH. B. N.Frashëri, Tiranë, 1993, f. 203.
14 F. Andrea, Fletore koniciane nr. 4.
15 F. Andrea, Pena të arta franceze për shqiptarët, f. 490.
16 Pierre Caizergues, Billet du vieux diplomate, Que Vlo-Vle? Serie 2 , nr. 6-7, prill-shtator 1983, Actes du colloque de Stavelot, 1982, f. 1-3.
17 Nënvizimi ynë.
18 Ngadhënimi i Materies. Është titulli i kryeveprës së piktores Annie Louisa Robinson Swynnerton (1844-1933).
19 Parabrahma apo Brahmani suprem shndërrohet në Pierrot, apo në personazh të thjeshtë karnavalesh, sipas konceptit fetar të intercesionit.
20 Afërdita në mitologji personifikon dashurinë, kënaqësinë, bukurinë, kurse Viçi i artë në Bibël është simbol i adhurimit.
21 Kaq shumë do bindej Apolineri me këto “pohime” sa në kronikën Faik bej Konica shkruan: “Hoqi [Konica] dorë nga Europa, nuk boton më Trumpeta e Krujës, ndoshta as Shqipëra vetë nuk bën pjesë më në preokupimet e tij, dhe ky pasardhës i bashkëluftëtarëve të Gjergj Kastriotit shëtit tani midis afaristëve të miçiganit melankolinë e vet prej evropiani shumë të ditur, të poetit të zhgënjyer…(Luan Starova,” Faik Konica dhe Gijom Apoliner, Një miqësi europine”, Onufri, 2001, f. 50.
22 Latinisht: të përshëndes dhe mirëmbetsh.
23 Botuar në Revue Anglo-Américaine , 1929-1930, Paris, les Presses Universitares de France, vëll. VII.
24 Më 15 korrik 1924 në një artikull të “Shqiptari i Amerikës”, Konica boton artikullin Lëvizja Kombëtare, ku shkuran: “Duke marrë nër sy sa prapa ka mbetur populli i Shqipërisë dhe sa pak i kuptuar është (për provë un’ i nënshkruari mund të jap faktin që këto tre vjet që u-ndodha në krye të Vatrës nga as një anë s’kam gjetur kundërshtime më të tërbuara se sa nga ana e çifçive, konservatisma e të cilëve nuk e duron dot socialismën t’ime, ndonëse është një socialismë fare e butë), duke marë këtë farë populli nër sy, kabineti i Fan Nolit është më i miri që mund të bëhej.” Për mendimin tonë një pohim i tillë, pa kurrfarë ngjyre ideologjike, pasqyron një koniunkturë specifike të caktuar (Revolucionin e Qershorit 1924), dhe nga ky fakt nuk ka pse të nxjerrim një rregull. Megjithatë, çështja kërkon analizë më të thellë.
25 Në rrethin e miqve të De Casseres bënte pjesë, në mënyrë të veçantë Marius de Zayas, me të cilin ai ishte njohur që më 1906 në Meksiko kur themeloi atje revistën e tij El Diario, ndërkohë që Zayas drejtonte revistën El Diario Illustrado. Të dyja revistat do mbylleshin me urdhër të presidentit meksikan Porfirio Diaz, për shkak se godisnin regjimin e tij. Të dy miqtë kthehen në Amerikë dhe vijojnë bashkëpunimin e tyre. Pas vitit 1910, Zayas do të shkonte vit për vit në Europë, i frymëzuar e i pasionuar pas artit të ri, duke krijuar lidhje me Pikason e rrethin e tij. Në këtë mënyrë Franca dhe arti i ri modern do të ishin një arsye më shumë që ai të lidhej edhe me Faik Konicën nëpërmjet De Casseres-it.
27 L. Starova, Faik Konica dhe Guillaume Apollinaire, një miqësi evropiane, vep.cit.f. 60.
28 Fenomen konceptualizues në shoqëri, me vlerë aplikacioni psikologjik, mbi bazën e veprës së G. Flaubert, Zonja Bovari.
29 Remy de Gourmont, Pendant l’orage, Paris, 1915, f. 113-114.
30 F. Konica, Vepra 2, f. 14.