• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETRA-Basha falënderon ‘Venecian’: Rruga për një drejtësi të pavarur

July 25, 2016 by dgreca

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka falënderuar Komisionin e Venecias për reformën në drejtësi, e cila u miratua të enjten në Parlamentin shqiptar me 140 vota pro.Përmes një letre, kryedmeokrati i është drejtuar kreut të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, të cilët i shpreh miënjohje për ndihmën e dhënë në këtë proces jetik për vendin siç e cilësoi ai.“Rekomandimet tuaja siguruan ndryshimet thelbësore dhe ato i hapën rrugën një drejtësie të pavarur”, – shkruan mes të tjerash Basha.

Letra e plotë

I nderuar President Buquicchio,

Më lejoni të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time më të thellë për Komisionin e Venecias dhe për Ju zoti President, për mbështetjen e jashtëzakonshme që keni dhënë në drejtimin e përpjekjeve për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Me kënaqësi të veçantë Ju informoj se ndryshimet Kushtetuese të Reformës në Drejtësi u votuan unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 21 Korrik 2016.

Në përmbyllje të kësaj faze të procesit, dhe në emër të Partisë Demokratike dhe Opozitës shqiptare, më lejoni të shpreh mirënjohjen më të përzemërt për Komisionin e Venecias, për rolin Tuaj të pazëvendësueshëm në realizimin me sukses të kësaj faze të Reformës, duke garantuar nëpërmjet rekomandimeve Tuaja në të dy Opinionet që ndryshimet kushtetuese për sistemin e drejtësisë në Shqipëri të jenë në përputhje me standardet më të mira europiane dhe ndërkombëtare si dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ekspertiza profesionale dhe rekomandimet e qarta të Komisionit të Venecias siguruan ndryshime tërësore dhe përmirësime të thella të Amendamenteve Kushtetuese, duke i hapur rrugë ndërtimit të një drejtësie të pavarur, llogaridhënëse dhe politikisht të pakapur, që lufton korrupsionin në nivelet më të larta dhe krimin e organizuar. Partia Demokratike dhe Opozita shqiptare ka investuar të gjitha përpjekjet e saj që këto parime të respektoheshin përgjatë gjithë procesit të Reformës në Drejtësi.

Nisur nga zotimi im personal për të garantuar zbatimin e plotë të Opinionit Final të Komisionit të Venecias,  jam i lumtur të ndaj me ju faktin se pavarësisht sfidave të panumërta dhe pengesave të vështira përgjatë gjithë këtij procesi, opozita shqiptare ia doli të siguronte që ndryshimet kushtetuese të votuara të jenë në përputhje me Rekomandimet Tuaja.

Në këtë kuadër, më lejoni t’Ju rikonfirmoj vlerësimin tim më të lartë për rolin dhe kontributin e Komisionit të Venecias, në përfundimin me sukses të fazës së parë të Reformës në Drejtësi, si edhe për kontributin Tuaj të mëhershëm në realizimin e Reformës së Dekriminalizimit.

Është bindja ime e thellë se miratimi i këtyre dy reformave kyçe; në përputhje me standardet e Komisionit të Venecias, është një investim solid për qytetarët shqiptarë dhe të ardhmen e tyre europiane.

Ju lutem pranoni, i Nderuar President Buquicchio, sigurimet e konsideratës dhe vlerësimit tim më të lartë për Ju dhe anëtarët e Komisionit të Venecias.

Lulzim Basha

Kryetar

Partia Demokratike e Shqipërisë

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Basha, falënderon ‘Venecian, Letra

LETRA e aktorit serb për ministrin serb

May 15, 2016 by dgreca

LETRA  e aktorit serb për ministrin serb: Bëhuni  burrë dhe uroni Kosovën për FIFA e UEFA/

Një aktor serb i quajtur Cedomir Petroviç i ka shkruar një letër ministrit të Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiç duke i thënë që t’ia zgjatë dorën Fadil Vokrrit dhe t’i urojë pranimin në FIFA dhe të lërë anash luftën dhe inatin politik, shkruan Dialogplus.ch.

Petroviç shkruan se futbollistët e Kosovës dhe fansat e futbollit në Kosovë e meritojnë si gjithë të tjerët të gëzohen dhe të garojnë në nivele të barabarta me të gjitha shtet tjera.

Madje ai shkruan se do të ishte mirë që Serbia të ndihmonte Kosovën në këtë proces e mos ta pengonte, duke treguar kështu vullnetin e saj për dialog e përmirësim marrëdhëniesh.

Aktori i njohur serb i kujton ministrit të Serbisë se pro Kosovës votuan 141 shtete dhe kjo tregon më së miri çfarë debakli ka pësuar Serbia duke u mbështetur vetëm nga 23 shtete.

Në fund Petroviç shkruan edhe për sukseset e Vokrrit si futbollist dhe kontributin e tij.

Zoti Ministër,

njerëzit si ju në shkollën fillore dhe në fund i kemi quajtur spiunë të vegjël. Sa mirë do të ishte nëse Serbia do të votonte për anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA. Sikur t’i kishte ndihmuar, si fqinji i parë. Sa rëndësi do të kishte kjo për rrjedhën e mëtutjeshëm të bisedimeve me Prishtinën. Sa do të shihej dëshira jonë e vërtetë dhe vullneti që ato bisedime t’i zhvillojmë sinqerisht.

Nuk ka fuqi në botë që mund t’ua ndalojë futbollistëve të Kosovës dhe fansave të tyre, të cilët e duan futbollin si ne, për të cilët jetë e vërtetë është gara me reprezentacionet e tjera, që të luajnë futboll me të gjitha reprezentacionet e botës.

Ata s’kanë uniforma ushtarake. Ata bartin fanella me numra, me mbiemrat e tyre. Dija, shkathtësia, kondicioni, ferplej, këto janë armët me të cilat disponojnë futbollistët e Kosovës.

Nuk mund të bëhet fjalë për «goditje të rëndë ndaj sportit» për shkak të interesave politike. Ju jeni djalë i ri. Sportist. E dini shumë mirë si ndihen futbollistët dhe sportistë e tjerë kur janë të mbyllur në qark në vendin e tyre. Kur s’mund të dalin nga oborri i tyre dhe nga livadhi i tyre. Kur s’mund t’u tregojnë edhe të tjerëve se janë futbollistë me cilësi të njëjtë në mos më të mirë se shumë të tjerë. Nuk do të ishte mirë që në këto kohë krizash për futbollin tonë të luajnë me ne. Ndoshta FIFA do pyeste veten nëse e kemi merituar të jemi anëtar i saj.

Edhe sportistët tanë kanë qenë të goditur nga sanksionet. E dinë si është ko. Ju thoni – nuk do të heqim dorë nga lufta! Cila luftë, zoti Ministër? Garën e sportistëve nganjëherë e quajmë «luftë», duke dashur që ashtu të tregojmë rivalitet të madh sportiv. Ðokoviçi zhvilloi një luftë të rëndë kundër Nadalit…

Do t’i padisni në gjykatë? Nëse vetë e keni sajuar këtë deklaratë, harrojeni sa më shpejt. Nëse keni marrë urdhër, refuzoni ta zbatoni. Jepni dorëheqje, që të mos e shkatërroni prestigjin tuaj sportiv, i cili nuk është i vogël.

Rezultati i votimit për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA është 141 me 23. Ju, si sportist e dini se kjo është humbje katastrofale e atyre që ishin kundër pranimit.

Fadil Vokrri erdhi në Partizan në vitin 1986, kur e braktisën Zdravko Varga dhe Dragan Mance, i aksidentuar tragjikisht. Si mesfushor Vokrri u bë lojtari i dashur i jugut të Partizanit. Në Partizan Vokrri kaloi tre stinorë të ligës së parë, ka luajtur 55 ndeshje të ligës së parë dhe ka dhënë 18 gola në ligën e parë. Për reprezentacionin e Jugosllavisë ka luajtur në periudhën 1984-1987. Ka luajtur dymbëdhjetë ndeshje me reprezentacionin dhe ka dhënë gjashtë gola. Sot Fadil Vokrri është kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Urojani. Bëhuni njeri.

Bëhuni sportist. Harrojeni funksionin e ministrit. Dikur s’do të jeni më. A do t’ju vijë turp për këtë deklaratë? Gjithçka varet nga ju. Sportistët janë njerëz të kuptimeve të tjera dhe të vlerave morale.

 

Filed Under: Komente Tagged With: e aktorit serb për ministrin serb, Letra, Uroje Kosoven

LETRA EVËS – SIMBOL POETIK I VIZIONIT JETËSOR

April 17, 2015 by dgreca

Esse nga AGIM GJAKOVA/*
më merr në tokën e zjarrtë/
më merr atje/
rrëzë Çabratit majë Pashtrikut/
buzë Erenikut/
Të shkruaj Ty/
me fjalë të para/
të shqipes/
Letra janë fletë të shpirtit, të mendjes dhe të qëmtimeve artistike të Mazllum Sanejës Janë dëshmi e vetëdijes së ngarkuar me travajat e jetës, e qenies sa individuale aq shoqërore, e brumosjes së fisnikërisë nëpër fellutat e kësaj bote me njerëz të pamëshirshëm por edhe me të tillë të dashur, mirëkuptues dhe humanistë.
Eva është konkrete dhe simbolikë, ngacmuese dhe paqëtuese, joshëse dhe nxitëse e ëndërrimeve, zbardhje e ditës së jetës që tejpërmbushet me tërë gamën e përjetimeve. I përmbytur me shfrimin ndjenjave që bulojnë nga të katër anët, rreket njerëzimi të ekzistojë në realitetin e përdhosur nga shumë shtrembërime
në këtë
oqean të botës

përplot
ndodhi të papritura

mbërthyer me dredhi

kurthe
dhe komplote

dhe uni poetik i Mazllum Sanejës është ky njerëzim, që rropatet në shumë aspekte dhe as nuk mposhtet, por as nuk del fitues., vazhdon në luftën e përjetshme.
Letra Evës, në kontekstin e përshkrimit të ndjenjave, përbën një mostër për një analizë psikologjike të njeriut të sotëm, i cili është i vetmuar, i braktisur, i përbuzur, i marrë inat, i shtyrë në zgrip të greminës, por me dashurinë që zmbraps gjithë këto, duke dalë në rrahun e së vërtetës së thelbit njerëzor.
Cilat janë aspiratat e këtij uni poetik? Për ta kuptuar më mirë duhet të njohim jetën e Mazllum Sanesë, një jetë tërë peripeci ekzistence, vuajtje mërgimtare, por punë të palodhshme sizifiane në rrahun e letrave. (të pranishmit pothuajse e dinë), prandaj mos të rreket askush të thotë se jeta e tij nuk është vepra e tij.
Të shkruaj Ty
për net të pagjumë

i tretur
në mendime

i mbërthyer nga ëndrrat
ankthi vetmia pritja
të shkruaj ty
të vish të paktën në ëndërrime
Ky unë poetik nuk rreket të ndryshojë botën si Don Kishot, nuk përpushet të hyjë në kalibrin e atyre që shkaktojnë plagë njerëzore dhe gremisin çdo virtyt në humbellë se
loti i një fëmije
nuk vlen
sa tërë bota
ndaj
qaj,

nuk vrapon pas materiales, pasi i gjithi është përfshirë dhe madje mund të them është sunduar nga bota shpirtërore, artistike. Shpresa dhe realizimi, humbja dhe këndellja, konflikti i përjetshëm i kontradiktave përshkohen në prizmin e vargjeve të hedhura me tërë forcën e ndjenjës diku në hapësirë, por që kjo hapësirë është shoqëria, është njerëzimi.
Autorin nuk e ndjek askush, pasi nuk ka frikë nga vetja për rrugën që ka zgjedhur, nuk pendohet se është e tillë dhe se ka bërë këtë jetë të stërmunduar dhe që e stigmatizon në vargje me forcë e bukuri. Ideja se njeriu është i përkohshëm nuk e tremb të thotë se ia ka kushtuar mundin dhe djersën së vërtetës jetësore dhe artistike.
Dashuria për Evën është monument i ndjenjës, jo stil jete i rëndomtë, por i mbrujtur me sinqeritet dhe thellësi shpirti njerëzor, është pasqyrë e vetvetes, dhe reflektim i veprimtarisë, jehonë kumbuese e thelbit të qenies. Hedonizmi u nënshtrohet të gjitha këtyre:
Të shkruaj Ty
për mëkatin

vjedhur
nga qielli

dhe të fal
gjithë të mirat

fjalë të bukura
të mira fjalë
që zemrën shërojnë
si balsam
Nuk ngërthen urrejtje, smirë, xhelozi, mashtrim, lakmi, zili, vese njerëzore, por ka përmbledhur virtytet e së mirës dhe të madhërishmen, ardhmërinë, besimin, karakterin, optimizmin… Poeti nuk i shfaq ndjenjat për t’u mburru, as për të vajtuar. Ai siguron njerëzimin se është i pavdekshëm në shpirtin e tij, se është aleat dhe luftëtar i paepur kundër së ligës dhe poshtërsive njerëzore.
Me sa ethe artistike dhe dashuri të vërtete i lëshohet vargut na shtyn të mendohemi se çka vlon brenda poetit. Është një gamë e gjerë subjektesh e temash, ngjarjet e të cilave e kanë goditur poetin, e kanë fryrë si lumë të rrëmbyeshëm. Rrjedhin dëshirat, zemërimet, melankolitë e pashmangshme ndaj vendlindjes.
Të shkruaj Ty
që të përshkruaj
një fotografi
nga fëmijëria
vendlindja
Madhështia nuk është brumë i qenies së tij. Ai niset nga përkorja, nga thjeshtësia dhe ne e vlerësojmë se arrin aty. Nuk ka dëshirë të duket, nuk përton të stigmatizojë gjithë negativët, nuk heshtë përpara së vërtetës kudo, në çfarëdo rrethane dhe me guxim e rrebesh për ta shkulur gjithë shëmtinë e jetës.
Dhe këto e shumë të tjera i hedh, i shkruan në letra, i skalitë në vargje dhe ia drejton një personazhi që është Eva, simboli poetik i vizionit jetësor për të gjithë ne.

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Gjakova, esse, Eves, Letra, Mazllem Seneja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT