Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Santa Barbara, Kaliforni/
Mpakja dëshpëruese e popullsisë së vendit tonë/
Librin e shkrimtarit dhe të publicistit të talentuar Albert Zholi, me titull “Ikja e madhe: emigracioni i shqiptarëve në Greqi”, të cilin Shtëpia Botuese “Thamiras”,e ka vënë në qarkullim në vitin 1997, nuk më kishte qëlluar rasti ta lexoja më parë. Me zotin Albert u takuam një ditë verën që kaloi aty pranë Pallatit të Kulturës, kur një miku im na krijoi rastin për t’u njohur. Shkëmbyem numrat e telefonave dhe e lamë të takoheshim dikur. U takuam pas ca ditësh. Pavarësisht se nuk njihesha më parë me këtë publicist të mirënjohur në faqet e shtypit të Tiranës, artikujt, analizat dhe intervistat e tij i kisha ndjekur rregullisht në faqet e internetit. Më bënte përshtypje puna e tij e palodhur dhe pasioni i tij i admirueshëm për të hyrë në botën e njerëzve të të gjitha shtresave të popullsisë.
E pyeta për librin se mos i gjendej ndonjë kopje. Më premtoi të ma dërgonte me internet, pasi kopje nuk gjendeshin më. Libri ishte botuar 17 vjet më parë. E lexova në internet. Një libër prekës që të trondit për të vërtetat që autori shpalos në faqet e tij. Eh, ky emigracioni i shkretë i shqiptarëve! Kur mbarova së lexuari faqen e fundit, më erdhën ndër mend menjëherë ca vargje të dhimbshme të këngës së poetit dhe të këngëtarit mitik Neço Muka Himarioti “Vajza e valëve”: “… Ju të bukur zogj, te ju kam një shpresë, ju që çani det’ e male, dua t’ju pyés, e mjera, dua t’ju pyés: vallë mos e patë? Rron apo nuk rron? Ndonjë lajm a ndonjë letër? Vallë më kujton, e mjera, vallë më kujton?…”.
Albert Zholi, si një gazetar me një talent mjaft të spikatur, që ka jetuar dhe punuar disa vjet në Greqi, ka ditur të hyjë mjeshtërisht në të gjitha poret e shoqërisë greke: nëpër faqet e librit shpalosen pamje të gjithfarëllojshme të realitetit grek, që nga mjediset luksoze me drita llamburitëse, supermarketet me produkte të bollshme ushqimore, pallatet e bukura hijerënda e deri te zgëqet e braktisura e të pista, ku enden lloj-lloj njerëzish nga radhët e hajdutëve, e prostitutave, e lypsarëve dhe e kriminelëve të rëndomtë.
Ky libër është i pari që i shpalos lexuesit një të vërtetë tragjike për një zhvendosje kaq të madhe të një mase njerëzore shqiptare, e cila i largohet atdheut të vet sikur atje të kishte pllakosur murtaja. Historia e zhvendosjeve masive të njerëzve nga një hapësirë në një tjetër, është e kahershme.
Në sagat irlandeze dhe groenlandeze flitet për udhëtimet e lundërtarëve groenlandezë drejt Amerikës rreth vitit 1000 të erës sonë, nën drejtimin e vikingut Lejf Erikson (970-1020). Historianët irlandezë argumentojnë se që në shek.VI në Amerikë ka qëndruar për ca kohë lundërtari legjendar Sent-Brendan, për çka bën fjalë një libër i lashtë kelt. Ndërsa, në bazë të të dhënave arkeologjike, zhvendosjet masive të njerëzve drejt Amerikës kanë pas filluar shtatëdhjetë mijë vjet më parë, kur nga Azia, përmes ngushticës së Beringut (“urës së akullt”), fise të shekullit të gurit patën lëvizur drejt kontinentit të ri.
Brenda kontinentit evropian, mund të mjaftohemi me një zhvendosje masive njerëzish që pati filluar jo me dyndjen e hunëve që mendohet se popullonin hapësirat sipër Kinës Veriore, por me lëvizjen e gotëve që patën braktisur territorin e Suedisë Qëndrore, e cila asokohe quhej Goti, dhe u dyndën drejt brigjeve të Detit të Zi në shek.II-III të erës sonë. Arsyen kryesore të kësaj dyndjeje masive që vazhdoi drejt jugut gjatë gjysmës së mijëvjeçarit të parë (nga shek. II deri në shek. VII), shkencëtarët e shpjegojnë me uljet e ndjeshme të temperaturave, çka pati sjellë si pasojë zhdukjen e kafshëve të gjuetisë.
Si veçori karakteristike e zhvendosjes së njerëzve në kontinentin tonë ka shërbyer fakti se bërthama e Perandorisë Romake të Perëndimit, përfshirë fillimisht Italinë, Galinë, Spanjën dhe pjesërisht Dakinë, për ku qe drejtuar masa e të shpërngulurve gjermanë, në fillim të shek V të erës sonë, ishte mjaft e populluar prej vetë romakëve dhe prej popujve keltë të romanizuar. Prandaj zhvendosja në fjalë qe shoqëruar me konflikte kulturore, gjuhësore dhe më vonë edhe me komflikte fetare. Ato zhvendosje të mëdha të masës së njerëzve krijuan parakushtet për formimin dhe për zhvillimin në kontinentin tonë të shteteve të reja në periudhën e mesjetës.
Por zhvendosjet masive të shqiptarëve i ka shoqëruar një fat tragjik. Zhvendosja e parë masive ishte e dhunshme. Le të sjellim ndër mend për një çast rrënimin e kulturës mijëravjeçare iliro-epirote nga ana e gjeneralit romak Paul Emile, i cili, në vitin 168 p.e.r. rrafshoi 70 qytete dhe shiti si skllevër 150 mijë banorë vendës. Ky ishte rezultati i përplasjes së përgjakshme të Romës me Ilirinë që pati vazhduar pa ndërprerje gjatë një periudhe 60-vjeçare (228-168 p.e.r.).
Zhvendosja e dytë masive erdhi pas vdekjes së Skënderbeut, kur rreth 200 mijë shqiptarë, për t’i shpëtuar zgjedhës turke, u detyruan të zhvendosen drejt Italisë së Jugut, ku u themeluan kolonitë arbëreshe.
Zhvendosja e tretë masive ishte kjo e funddhjetorit dhe e fillimjanarit të viteve 1990-1991, të cilën Albert Zholi e ka bërë objekt të studimit të tij mjaft interesant në faqet e librit të lartpërmendur.
Arsyet e largimit masiv të shqiptarëve drejt vendeve të tjera, duke filluar nga vera e vitit 1990 dhe më pas, gjenden në realitetin e vajtueshëm që krijoi diktatura e egër komuniste, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit të grahmave të saj. Varfëria proverbiale që pllakosi mbarë vendin tonë për qejfin e diktaturës më të egër dhe më shtazarake enveriane që ka njohur historia e kombit shqiptar, ishte arsyeja kryesore që qindra mijë të rinj dhe familjarë u detyruan të braktisin atdheun që për ta ishte shndërruar në një skëterrë të vërtetë. Zbrazja e atdheut prej të rinjve shqiptarë dhe prej pjesës tjetër të popullsisë më të aftë për punë, ishte pasojë e krimit më të rëndë që diktatura enveriane bëri në vendin tonë. Një vend me pasuri të bollshme mbitokësore dhe nëntokësore, me rezerva të pamata energjetike, me kushte të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit detar dhe malor, me një popullsi me mesataren më të re të moshës në kontinentin evropian, mund të qe shndërruar në një oaz të begatë në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, në një vend të dëshiruar për mjaft investitorë dhe turistë të huaj. Por banda komuniste e Enver Hoxhës, këtë vend të bekuar nga Hyjnia e shndërroi në një bunker të vërtetë, të mbështjellë me tela me gjemba, vetë u mbyll brenda Bllokut kriminal, të rrethuar nga muri i bajonetave të diktaturës, dhe popullin po e çonte drejt degjenerimit gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit.
Autori, me mjaft vërtetësi, i ka dhënë lexuesit një pasqyrë të qartë të gjendjes ekonomike ku e kishte katandisur vendin tonë diktatura komuniste, e cila do të jepte shenjat e para të shkërmoqjes që në dhjetor të vitit 1985, kur gjashtë pjesëtar të familjes Popa kërkuan strehim politik në ambasadën italiane. Pas pesë vjetësh, në korrik të vitit 1990, shkërmoqja e ngrehinës socialiste enveriane do të merrte përmasa gjigante me dyndjen drejt ambasadave të huaja të 4795 vetave. Mes të larguarve, pati edhe nga ata që grisën pasaportat shqiptare dhe i flakën poshtë, sikur të ishin të infektuara me mikrobin e kolerës. Ato skena ishin llahtarisëse për faktin se mikrobin e kolerës së varfërisë rrënuese e kishte mbjellë në Shqipëri banda kriminale e Enver Hoxhës dhe pasaportat e gjora shqiptare nuk kishin ndonjë faj. Por të larguarit e shkretë të muajit korrik nuk kishin se ku ta shfrehnin mllefin e tyre që u ziente përbrenda për vite me radhë.
Ca muaj më pas, në fundin e dhjetorit 1990 dhe në ditët e para të janarit të vitit 1991, dyndja e njerëzve drejt kufirit grek mori përmasa mitike. Largimi marramendës i njerëzve drejt territorit grek ishte aq i paimagjinueshëm, saqë të kujtonte një ushtri të mposhtur që tërhiqet në panik e sipër. Largimi i njerëzve drejt Greqisë në palcë të dimrit, domosdo që u shoqërua dhe me viktima të shumta që nuk dihet se në ç’humnera përfunduan apo thjesht ngrinë nga të ftohtët. Kur lexon rrëfimet e autorit në faqet e librit për atë ikje të gjëmshme në një mot të acartë, nuk mund të mos tronditesh deri në palcë. Keqardhja e thellë për ata njerëz të mjerë, të katandisur në pikë të hallit për kafshatën e gojës, lexuesit ia pushton qenien në çdo qelizë. Kaq mjeshtërisht i ka pasqyruar Albert Zholi ato skena tronditëse të largimit masiv të njerëzve drejt së panjohurës.
Çdo lexues gjakftohtë i këtij libri, kur ka kthyer faqen e fundit të tij, rri e vret mendjen: po si qe e mundur që ata mijëra njerëz që hynë në ambasadat e huaja në korrik të vitit 1990 dhe ata qindra mijëra që u dyndën drejt kufirit grek, nuk hasën në asnjë pengesë? Lexuesit, me të drejtë, i lind dyshimi se në këtë mes ka pas ekzistuar një marrëveshje e fshehtë mes autoriteteve komuniste të Tiranës dhe autoriteteve të huaja. Me siguri që duhet të jenë vënë disa kushte. Por mbetet enigmë se cilat kanë qenë ato kushte që duhet t’u jenë vënë autoriteteve komuniste shqiptare nga vendet e Evropës Perëndimore, para se të hapeshin dyert e ambasadave. Ndoshta kushti kryesor mund të ketë qenë vendosja e pluralizmit politik. Sa për kushtet që pati vënë Greqia para Tiranës zyrtare për hapjen e kufirit, mund të thuhet me siguri të plotë se ato u bënë të njohura shumë shpejt, me vizitën e rrufeshme të kryeministrit grek Micotaqis në Tiranë më 13 janar 1991, kur kishin kaluar gati dy javë nga hapja kat e kat e kufirit grek. Në takimin që pati me Ramiz Alinë, Micotaqisi shtroi kërkesën e parë politike: kërkoi me këmbëngulje që në Tiranë të dërgohej Janullatosi, gjoja nën maskën e eksarkut, por që në të vërtetë synohej të hidhej në dorë drejtimi i kishës ortodokse fanoliane, siç u bë fakti i kryer më 02 gusht 1992. Pushtimin e kishës ortodokse fanoliane e pranon haptas historiani grek Nikolas Stavros, i cili në librin e tij me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj”, ka deklaruar shkoqur fare:
“Hedhja në dorë e kishës ortodokse të Shqipërisë, është fitorja jonë më e madhe në shek. XX”.
Pushtimi i kishës ortodokse fanoliane, me kontributin e drejtpërdrejtë të Athinës zyrtare, përmes shumave kolosale të parave që kalonin nëpër duart e Janullatosit, bëri të mundur të ngrihen varreza për ushtarët agresorë grekë, manastire dhe memoriale në nderim të tyre, të ndërtohet katedralja gjigante në qendër të Tiranës që u bën karshillëk të gjitha institucioneve qëndrore pranë Sheshit Skënderbej, e cila të krijon përshtypjen sikur Shqipëria është një vend ortodoks.
Pas vizitës së Micotaqisit dhe tradhtisë kombëtare që bëri Ramiz Alia në takimin me të, për shitjen e kishës fanoliane kishës shoviniste greke, shovinizmi grekokaragjoz, përmes Janullatosit, i ka futur kthetrat thellë në punët e brendshme të vendit tonë dhe deri tani, në Shqipëri, ende s’po dalin dot në skenë burra me dinjitet të lartë kombëtar që t’i presin ato kthetra një herë e mirë dhe t’i flakin në koshin e plehrave, të rivendosin autoritetin e nëpërkëmbur të Nolit të Madh dhe të të gjithë martirëve të ortodoksisë shqiptare, si edhe të krijojnë kushte për ardhjen në krye të kishës në fjalë të një Kryepeshkopi me gjuhë, me gjak, me prejardhje dhe me shtetësi shqiptare.
Më 17 maj 1993, kryeministri shqiptar Aleksandër Meksi ishte për vizitë në Greqi. Gjatë asaj vizite, pala greke nguli këmbë që të shfuqizohej ligji për zonat minoritare, i vendosur nga regjimi komunist dhe që përcaktonte si të tilla zonat me popullsi kompakte minoritare. Sigurisht, duke pasur si peng emigrantët shqiptarë, Athina vinte dhe i shtonte gjithnjë e më shumë presionet ndaj palës shqiptare, për t’i zhvatur asaj sa më shumë lëshime politike, siç edhe ia ka zhvatur deri tani. Pra, sipas palës greke, Shqipëria duhej të shpikte të tjera zona “minoriteti”, se kështu i donte qejfi shovinizmit grekokaragjoz, i cili ka vënë edhe një tellall të regjur, si puna e Vangjel Dules, i cili çirret në të gjitha udhëkryqet se Himara na qenka zonë “minoriteti”.
Albert Zholi shkruan në libër me shumë të drejtë se populli grek i priti shumë mirë emigrantët e parë. Por kufijtë i hapi klasa politike greke në pushtet, nuk i hapi populli grek që s’e pyeti kush. Se po të pyetej edhe populli grek, atëherë mund të lindte edhe ndonjë rezervë nga ana e tij: mirë që do të hapen kufijtë, por kush na siguron se midis emigrantëve nuk do të sulen drejt Greqisë edhe elementë nga radhët e vulgut shqiptar, si dembelë, hajdutë, hileqarë, imoralë, ish-të burgosur ordinerë, kriminelë, mashtrues, parazitë, vrasës etj.? Gjithë këta përfaqësues të fundërrinave të shoqërisë shqiptare, siç rrëfen me shumë objektivitet Albert Zholi, do të hapnin shumë probleme në radhët e emigrantëve korrektë, të ndershëm shqiptarë, të cilëve do t’ua nxinin faqen para opinionit publik grek.
Duhet thënë se Athina zyrtare, në këndvështrimin tim, i shqeu kufijtë me Shqipërinë për dy arsye.
Së pari, Greqia, tradicionalisht, ka qenë e përkëdhelura e Evropës, e cila e ka mbajtur gjithmonë me pekule. Përveç kësaj, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në Greqi kanë qenë të instaluara dy baza të fuqishme ushtarake amerikane, për çka ajo shpërblehej çdo vit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një shumë prej 2 miliardë e 100 milionë dollarë. Këto ishin të ardhura kolosale që futeshin qyl në bankën e shtetit grek. Turizmi ishte, gjithashtu, një burim të ardhurash kolosale. Veç kësaj, siç doli nga kriza e fundit që Greqia përjetoi dhe vazhdon ta përjetojë ende, Athina zyrtare, gjatë disa dhjetëvjeçarëve, e ka mashtruar rregullisht Bashkimin Evropian për gjendjen e vet finaciare, duke zhvatur prej tij male të tëra me kredi. Kjo bëri që shoqëria greke të aristokratizohej në kulm dhe erdhi një ditë që ajo, e tejvelur tashmë, sipas klasës politike greke, nuk kishte qejf të merrej më me punë të rëndomta, dosido, të cilat vendosi t’ua linte në kurriz emigrantëve që do të dyndeshin drejt saj pas shembjes së sistemit komunist në vendet fqinje. Dhe përparësi për t’u dyndur drejt Greqisë do t’u jepeshin emigrantëve shqiptarë, si më të varfërit në mbarë kontinentin.
Së dyti, hapja e kufirit me Shqipërinë fshihte në vetvete, çka është më kryesorja, një prapavijë tepër të djallëzuar: emigrantët shqiptarë Athina do t’i shfrytëzonte si peng për të zhvatur nga Tirana sa më shumë lëshime politike. Këtë fakt, dikur, para vitit 1990, e ka pranuar në një mënyrë konfidenciale vetë Papuliasi, kur ishte ministër i punëve të jashtme. Dhe mbarë shqiptarët janë dëshmitarë se deri tani Greqia i ka zhvatur Shqipërisë lëshime politike skandaloze, të cilat nuk mund të komentohen ndryshe, përveçse si tradhti kombëtare nga ana e klasës politike të Tiranës, ndërkohë që kjo e fundit nuk i ka zhvatur Athinës kurrfarë lëshimi.
Në këto pazare të pista mes Athinës e Tiranës, më të humbur kanë dalë emigrantët shqiptarë, ndaj të cilëve shteti grek ka mbajtur një qëndrim shovinist dhe racist të kulluar. Këtu po majtohem vetëm me dy fakte:
“Ne emigrantët shqiptarë kemi qenë në 20 vjet viktima politike e çdo qeverie greke, ne emigrantët shqiptarë jemi përdorur nga qeveritë greke si viktima të presioneve politike të qeverive greke ndaj Shqipërisë. Prandaj edhe pse që nga viti 2001, në Ligjin e emigracionit 2910/2001 parashikohej që çdo emigrant që plotëson 10 vjet qëndrimi pune në Greqi, fiton shtetësinë greke, deri më sot, më 2011, asnjë emigrant shqiptar nuk e ka fituar shtetësinë greke. Kjo është provësia e përdorimit të emigrantëve ekonomikë shqiptarë si mjet presioni politik të qeverive greke ndaj Shqipërisë” (Citohet sipas: Jakup B. Gjoça.“Përse ne – të tjerët emigrantë – nuk jemi të njëjtë me 300 emigrantët e grevës së urisë”. Marrë nga faqja e internetit. 28 shkurt 2011).
“Populli dhe qeveria greke i pritën fillimisht krahëhapur emigrantët, por brenda një kohe të shkurtër Athina zyrtare tregoi prirjen që praninë e emigrantëve të paligjshëm ta shfrytëzonte si një mjet presioni për realizimin e pretendimeve që lidheshin me minoritetin grek që jetonte në Shqipëri dhe që pjesa më aktive e tij, në masë të madhe, kishte emigruar gjithashtu në Greqi”. (Citohet sipas: Robert Goro. “Ditari i krizave”. Shënime mbi marrëdhëniet greko-shqiptare në vitet 1993-1996”. Botimet“Toena”. Marrë nga faqja e internetit “Athinë – Tiranë. Ditari i krizave”. Shtator 2012).
Skenat që Albert Zholi përshkruan për fatkeqësitë e shumë emigrantëve, madje të fëmijëve të vegjël, të trafikuar nga mafia shqiptare, janë me të vërtetë tronditëse: fëmijë të moshës së njomë, 10-12-vjeç, viktima të trafikut të mafies shqiptare, në bashkëpunim me mafiem greke, që enden nëpër mjediset e Athinës, duke lypur rrugëve, trotuareve, para semaforëve e gjithandej, vajza bukuroshe, të mashtruara prej njerëzish të hurit dhe të litarit që kanë përfunduar ose në prostituta, si puna e një bukurosheje me hire të magjishme që e quanin Karmen, ose të dëshpëruara deri në shpirtplagosje, si puna e Matildës, të cilat marrin rrugën e kthimit për në atdhe, pa kurrfarë shprese vetëngushëllimi, ta lëndojnë shpirtin thellë. Albert Zholi, me humanizmin e admirueshëm që e karakterizon, ka hyrë mjeshtërisht në psikologjinë e shumë emigrantëve fatgremisur që enden në dhe të huaj për të siguruar kafshatën e shkretë. Por ajo që lexuesit i lë një përshtypje të pashlyeshme në kujtesë, është fakti që Albert Zholi, me shqetësimin e një gazetari të ndershëm shqiptar, ngre zërin e tij të fuqishëm për shpërfilljen skandaloze të klasës politike shqiptare ndaj emigrantëve në Greqi. Kjo shpërfillje është e papërfytyrueshme, por, fatkeqësisht, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një realitet i dhimbshëm që nuk ka të krahasuar me asnjë vend tjetër. Ajo i ka pas zëmëruar keq emigrantët e gjorë me klasën politike të Tiranës dhe i ka ftohur me atdheun amë.
Më ka bërë përshtypje të thellë parathënia e bukur e Mihallaq Qillerit në këtë libër. Ai shkruan për vendin tonë fatkeq:
“Edhe ashtu i paktë siç ka qenë, me pjesë të tëra territori e popullsie të ndarë nga trungu, kur priste t’i rritej shtati, duke u bashkuar me Kosovën martire, ky dhe u mpak nga njerëzit që po i iknin, shumica pa kthim”.
Shprehja “po i iknin, shumica pa kthim” më la një vrragë të thellë në shpirt. Është një e vërtetë tragjike që e pohon një krijues i talentuar në lëmin e letrave shqipe. Dhe ky është fakt. Shpërfillja e klasës politike ndaj emigrantëve në Greqi, shoqërohet me pasoja të pariparueshme për Republikën e Shqipërisë: ata emigrantë që nuk kanë arritur ta gjejnë dot veten në realitetin grek, nuk shikojnë asnjë perspektivë për t’u kthyer në atdhe, prandaj detyrohen të emigrojnë në vende perëndimore, deri edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më kujtohet një bisedë telefonike që pata para ca ditësh me njërin prej tyre: dikur, në periudhën e diktaturës komuniste, ai ka qenë përkthyes në Redaksinë e Botimeve në Gjuhë të Huaja në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, ku punoja edhe unë asokohe. Në vitin 1992 ai emigroi në Greqi familjarisht. Por pas disa vjetësh, pasi nuk u ngul dot atje, emigroi drejt Perëndimit dhe tani jeton në Boston, ku është rregulluar shumë mirë familjarisht. Kur e pyeta nëse mendon të rikthehet në Shqipëri, më tha: as që bëhet fjalë.
Por midis emigrantëve tanë në Greqi, siç thekson autori i këtij libri, ka shumë nga ata që punët u kanë shkuar mirë, janë sistemuar për bukuri, kanë hapur bizneset e tyre, kanë blerë shtëpi, kanë depozita të majme bankare. Pra, rrojnë për bukuri, meqenëse kanë hyrë mirë në indin e shoqërisë greke. Por, me kalimin e kohës, duke mos parë kurrfarë interesimi nga ana e Tiranës zyrtare, domosdo që këta emigrantë do të vijnë duke u“arvanitizuar”, duke e harruar gjuhën shqipe dhe duke shkëputur edhe çdo lidhje me atdheun e tyre të dikurshëm. Kjo është fatkeqësi e rëndë kombëtare që e ka burimin te faji i rëndë, mëkatar, i pafalshëm i Tiranës zyrtare në qëndrimin ndaj emigrantëve. Në qoftë se Tirana zyrtare do të kishte qenë e vendosur në raport me emigrantët dhe në tërësi në marrëdhëniet e saj me Greqinë, me siguri që ngjarjet do të kishin rrjedhur ndryshe: ligji paradoksal i luftës do të ishte shfuqizuar, emigrantët do ta ndienin ngrohtësinë e shtetit amë, Çështja Çame do të kishte hyrë në rrugën e zgjidhjes. Por Tirana zyrtare zgjodhi rrugën e servilizmit të pështirë dhe të lëshimeve të vazhdueshme politike në raportet e saj me Greqinë, lëshime këto që bien era thjesht tradhti kombëtare, prandaj edhe Athina zyrtare nuk ushqen kurrfarë respekti ndaj saj, duke e shtrirë këtë mungesë respekti edhe ndaj çdo qytetari shqiptar, përfshirë këtu edhe emigrantët. Shfaqjen më skandaloze të mungesës së respektit ndaj Tiranës zyrtare, e manifestoi açik ministri i jashtëm grek Venizellos, i cili, gjatë vizitës së tij në Tiranë më 14 tetor 2013, në konferencën e shtypit deklaroi pa iu dridhur qerpiku: nuk e njoh Çështjen Çame!
Libri i Albert Zholit është një kontribut mjaft i shquar në publicistikën shqiptare për faktin se në të hidhet dritë mbi një ngjarje epokale në historinë e Republikës së Shqipërisë në periudhën e një kthese dramatike pas shembjes së diktaturës komuniste.
Botimin e këtij libri duhej ta kishte sponsorizuar shteti shqiptar, për të lënë vulën e vet në zbulimin që Albert Zholi u bën shkaqeve që nxitën atë zhvendosje mitike të një përqindjeje të konsiderueshme të popullsisë shqiptare drejt vendeve të huaja e sidomos drejt Greqisë. Por shteti s’mund ta bënte një sponsorizim të tillë se atij nuk i ka interesuar kurrë fati i qindra mijëra emigrantëve që e braktisën atdheun me lot e me vaj dëshpërimi në buzë, shumica prej tyre përgjithmonë, siç thotë shkrimtari dhe dramaturgu i nderuar Mihallaq Qilleri.
Më bën përshtypje figura e gazetarit, e publicistit dhe e shkrimtarit të talentuar Albert Zholi. I admirueshëm në heshtjen e tij, punon pa zhurmë e pa bujë, nuk rreket të dalë nëpër ekrane televizionesh dhe të rrahë gjoksin për punën që bën. Por, çuditërisht, asnjë moderator kanalesh televizive s’e ka ftuar një herë dhe ta intervistojë për atë punë aq të mundimshme që ka përballuar dhe vazhdon të parballojë në botën e gazetarisë dhe të publicistikës. Përkundrazi, moderatorët ftojnë nëpër studiot e televizioneve vetëm ca “gjithologë” të çngjyrosur që janë “specialistë” për gjithçka, që u kanë mbirë në sy teleshikuesve dhe që janë bërë për ta si puna e gjellës së thartuar.
Santa Barbara, Kaliforni
10 dhjetor 2014