Si u ndërkombëtarizua çështja e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në vitet 1949-1999/
(Recension për veprën “Lidhja Kosovare” të historianit të mirënjohur Prof. Dr. Riza Sadikut)/
Nga Leonora Laçi/
Një mërgat shqiptare e përçarë, e ndarë sipas bindjeve politike, kurrësesi nuk mund t’i shërbente Atdheut të roberuar apo dhe trojeve etnike, të mbetura jashtë Shqipërisë londineze, prandaj doli si nevojë e kohës krijimi i një organizate gjithëpërfshirëse, që çështjen e shqiptarëve (që ndodheshin nën Jugollsllavi) ta trajtonte me një zë të vetëm në organizmat ndërkombëtarë.
Mërgata shqiptare, veproi në vende të ndryshme demokratike. Më sëshumti ajo u dallua për aktivitete të ngjeshur politike në shtetin më të lirë dhe demoktatik në botë, sikurse janë ShBA-të. Atje zëri ynë gjeti mbështetjen më të madhe nga Administrata Amerikane, dhe konkretisht nga senatorë dhe kongresmenë amerikanë, dashamir të çështjes shqiptare, si mbrojtës të lirive dhe të drejtave të popujve të robëruar, ligje këto të hartuara dhe mbrojtura nga konventat ndërkombëtare.
Kjo vepër e Prof. Dr Riza Sadikut, i kushtohet veprimtarisë së “Lidhjes Kosovare”. Ajo na shërben, për tu njohur më mirë me fakte dhe argumente historike, mbi veprimtarinë e organizatës nga viti 1949-1999.
Për më shumë, në faqet e librit, shohim se organizata në fjalë, i shërbeu deri në vetmohim asaj pjese shqiptare, që mbeti jashtë kufijve të vitit 1913, e konkretisht Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë (Iliridës), e atyre në Mal të Zi, që u përfshinë nën Jugosllavinë titiste e më pas nën diktaturën e Millosheviqit.
Përmes veprës voluminoze historike me mbi 400 faqe, bëhet e njohur çdo inistiativë dhe hap i ndërmarrë nga organizata “Lidhja Kosovare”, me tipare të theksuara nacionaliste, e cila si bosht orientues është mbështetur gjithnjë në Dekalogun e atdhetarit largpamës Mit’hat Frashërit.
Në fletët e librit mësojmë, se më vonë me kërkesën e Shërbestarit të Kombit, pinjoll i familjes së Frashëllinjëve patriotit të shquar Mit’hat Frashërit, u vendosën themelet e organizatës në vitin 1949, ku, rreth saj u mblodhën atdhetarët më në zë, mbrojtësit më të zjarrtë të çështjes kombëtare.
Në analet e historisë së kohës, janë të shenuara me gërma të arta emrat e figurave të shquara të atdhetarizmit. Të tillë mund të përmendim Sekretarin e Organizatës Patriotike “Lidhja Kosovare”, Prof. Luan Gashi, i cili, më 1 gusht të vitit 2014, në Prekazin legjendar, u vlerësua nga Ministria e Diasporës, për kontributin e madh për çeshtjen e Kosovës.
Vepra e Prof. Sadikut, ofron edhe emra të tjerë si antarë më aktiv të Organizatës në fjalë, si: Rexhep Mitrovicën, Hafëz Isuf Azemin, Mustafa Henci, Ajet Rushiti, Ing. Nexhat Mitrovica, Ing. Adem Glavica, Prof. Ibrahim Kelmendi dhe shumë atdhedashës të tjerë nga Organizata “Balli Kombëtar”, si: Vasil Andoni, Zef Pali, Imam Vehbi Ismaili, Dr. Nihat Bakalli etj.
Gjithashtu, një mbështetje të madhe Organizata “Lidhja Kosovare”, gjeti edhe nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, që sapo ishte formuar, me mbështetjen dashamirse të anglo-amerikanëve.
Autori i mirënjohur në botën shqiptare, studiuesi i palodhur Prof. Riza Sadiku, nuk u kursye në hulumtimet e tij, udhëtimet e shpeshta nga një vend në tjetrin, për t’a bërë këtë vepër sa më të plotë, madje dhe udhëtimet e here pas hershme drejtë SHBA-ës, prandaj ky libër, është gjithëpërfshirëse me shumë fakte të panjohura, ku, qëllimin kryesor të tij, ka pasqyrimin e pasur të aktiviteteve të “Lidhja Kosovare”, duke u mbështetur në arkivat e veprimtarëve, që vepruan ndër dekada, si dhe periodikun e shtypit të kohës të mërgatës shqiptarë dhe shtypin e huaj.
Në këtë vepër shumë të rëndësishme, gjenden dokumente origjinale, korrespondenca, letra dërguar Fuqive të Medha, raporte e projektrezoluta të paraqitura, para organizatave ndërkombëtare dhe kongreseve tëBashkimit Federal të Grupeve Etnike të Evropës.
Vepra në fjalë, për nga struktura është e ndarë në gjashtë kapituj. Ajo fillon me rrethanat se si u formua organizata, programin dhe statutin, themelimin dhe njohjen e saj ndërkombëtare, e cila më vonë vijon me pjesëmarrjen e “Lidhjes Kosovare” në kongreset e përvitshme të BFGEE-së, ku, me fakte të pamohueshme e raporte i paraqiti të pranishmëve (nëpërmjet delegacionit të saj), mohimin e të drejtave të shqiptarëve nën Jugosllavinë, përsekutimet, vrasjet e burgosjet e njerzve të pafajshëm, ku, i vetmi krim i tyre ishte të qënurit shqiptarë.
Në çdo kongres që u zhvillua, në çdo përvjetor të Pavarsisë iu kujtua botës së lirë se shqiptarët po privoheshin nga liritë dhe të drejtat e tyre, gjë që nuk bëhej me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Në libër, lexuesi mëson, se nëpërmjet delegacionit të saj bëhej ndërgjegjsimi i opininoit ndërkombëtar. Kjo praktikë pune, sipas autorit të veprës historike Prof. Sadiku, ishte qëllimi kryesor. Në këtë mënyrë, u arrit që Fuqitë Perendimore t’i imponojnë Jugosllavisë “rregullat e lojës”.
Vlen të përmendet angazhimi i Lidhjes Kosovare në Kongresin XVII të BFGEE (Bashkimi Federal i Grupeve Etnike të Evropës), që u mbajt në maj të 1967 në Aberna të Danimarkës, ku, në mes të tjerave një nga delegatët përmendi dokumente të shtypit jugosllav dhe atij ndërkombëtar, për të argumentuar sa e fuqishme ishte shtypja, krimet, diskriminimet dhe përsekutimet e deri atëhershme të autoriteteve serbo-malazeze, që kishin bërë ndaj shqiptarëve në Jugosllavi.
Ndërsa, në Kongresin XIX të BFGEE (Maj, 1969), në Colmar të Alzas-it të Francës,që përkonte me faktin se 6 muaj më parë kishin shpërthyer demostratat e nëntorit 1968 në Prishtinë, Tetovë dhe Ulqin, ku, organet policore në bashkëpunim me ato gjyqësore të regjimit komunsit të Beogradit ndiqnin e burgosnin dhe denonin rininë e pafajshme shqiptare, që kërkonte të ishte e barabartë me popujt e tjerë. E gjithë pabarazia kombëtare, politike, shoqërore, sociale, ekonomike, kulturore si dhe represioni e robërimi i shqiptarëve, duke ushtruar mbi ata terror psikologjik deri në asgjesim të plotë apo dhe shpërngulje nga shtëpitë e tyre.
Në kongres, përveç raportit të hollësishëm për gjëndjen e shqiptarëve nën Jugosllavinë, u saktësua, se: “Gjëndja e vështirë në Kosovë para 2-3 vjetëve e pranuan Qeveria e Beogradit dhe mediumet serbe me rastin e shkarkimit të Minsitrit të Punëve të Brëndshme të Jugosllavisë A. Rankoviq, me të cilin rast dolën në shesh krimet dhe mizoritë e bëra ndaj shqiptarëve”.
Mes të tjerave, në raport thuhet në formë revolte: “Në zemër të Evropës, afër dy million kosovarë shqiptarë ndrydhen nëpër kampe, arrestohen, torturohen. Ma se 50.000 shqiptarë, janë vramë nga fundi i 1944-s deri me 1965, nga regjimi komunist i vendosur mbas luftës, edhe bota hesht, ndërsa Marshali Tito çon zanin për të drejtat e vendeve ma të vogla të Afrikës”.
Me këto fakte, justifikohen edhe demostratat e rinisë kosovare, pikërisht një ditë para përvjetorit të Pavarsisë. Këto revolta dëshmojnë për shpirtin kryengritës dhe janë thelbi i dëshirës, për të qënë të lirë e të pavarur, ku flamuri shqiptarë të valvitet pa frikë, e gjuha e embël shqipe të flitet anëkënd trojeve shqiptare.
Raporti, ilustrohet dhe me akt-akuzat konkrete të regjimit komunist, ku thuhet: “Në përiudhën prej 28 Nanduer deri me 1 dhjetor 1968, në Gostivar dhe në disa fshatra të kësaj komune, me qëllime të këqija, kanë valvitë flamujtë shqiptarë, kanë lëshuem parulla armiqësore, kanë shkaktuar urrejtjen nacionale në mes të popullsisë, kanë nxitë popullsinë e ndryshme anti-kushtetore, anti-shtetnore, dhe kundër Republikës të Maqedonisë”.
Këto sjellje të shqiptarëve për liri e barazi, konsiderohen si krime, ndonse më të madhe Jugosllavia propogandonte se “popujt e saj jetonin në harmoni, të lirë dhe të barabartë”. Kjo ishte një gënjeshtër e madhe, në rastin e shqiptarëve, të lodhur nga padrejtësitë në kurriz të tyre.
Menyrën sesi regjimi Beogradit trajtonte shqiptarët “Lidhja Kosovare”, në emër të afro 2 milion shqiptarëve, do çoj zërin deri në instancat më të larta siç ishin: zyrat e shtypit dhe diplomacisë, organizatat ndërkombëtare të paqes dhe mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, sindikatave etj. Mes të tjerave, informata saktësonte: “Nën regjimin e ri të ashtëquajtur socialist, politika e kombësive, që parashef Kushtetuta e shtetit federative jugosllav, nuk asht zbatue për kombësinë shqiptare. Ndërsa Mali i Zi me 450.000 banor nga të cilët pothuajse gjysma janë shqiptarë, dhe nji Maqedoni me 1.400.000 frymë, nga të cilët një pjesë e mire, përbëhet prej shiqptarësh, kanë republikat e tyre autonome, të një milioni e gjysmë shqiptarët ndodhen të ndamë në tri Republika, në at të Malit të Zi, Maqedonisë, dhe nji krahinëe ashtuquajtur autonome i asht ngjitun Serbisë. Qëllimi i kësaj ndamje administrative, asht fare i dukshëm: Jugosllavia don me shtyp çdo ndjenjë kombtare të shqiptarëve, çdo zhvillimi kulturor, për me i zhduk ma lehtë me anën e tmerrit dhe mizorive, të shpronsimit dhe kolonizimit”.
Dëshminë më të mire, mbi gjëndjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi e dha troç një nga shefat e policisë serbe, Millovan Jashoviç, kur desh të çfajësohej, për mizoritë e kryera kundrejt shqiptarëve: “Ishte më të vërtet gja e teprume dhe e neveritshme, – tha ai- por këtë mënyrë veprimi e kishim trashëgim”.
“Lidhja Kosovare”, në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëria e Lirë”, u dërguan telegram OKB-së dhe Shtëpisë së Bardhë, lidhur me dënimin e 36 shqiptarëve në gjyqet e Pirshtinës dhe Shkupit.
Në veprën e Prof. Dr. Riza Sadikut, trajtohen shumë çështje të rëndësishme, ku midis tyre ishte edhe reagimi protestues i “Lidhjes Kosovare”, kundër Konferencës së Beogradit, për Marrveshjen e Helsinkut.
Ajo organizoi edhe tubime të tjera. Në historinë e diasporës, përmendet edhe sot e kësaj dite protesta e madhe para Shtëpisë së Bardhe, pikërisht ditën e 16 qërshorit 1977, kur do të mbahej Konferenca në Beograd.
Në kongreset e mëvonshme të BFGEE-së (Prill, 1982) në Strasburg të Francës, delegatët kosovarë paraqiten raportin dhe Rezulutën, për dhunën gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981. Asokohe manifestimeve të studentëve shqiptarë gjatë periudhës mars-prill 1981, forcat policore iu kundërpërgjigjen, duke ushtruar dhunë.
Nga raportet e kohës, thuhej se ishin vrarë mbi 3000 burra, gra e fëmijë, pa përfshirë këtu shifren e lartë të arrestimeve dhe turturave në burgje.
Këto masa shtypëse dhe vrasese të Qeverisë Jugosllave, janë mohim flagrant i shpalljes së përbotshme të Drejtave të Njeriut e i Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuar, që Jugosllavia vetë i kishte nënshkruar.
“Lidhja Kosovare”, nuk e reshti aktivitetin dhe luftën e saj të ftohtë deri në realizimin e plotë të asaj që Jugosllavia e kishte trajtuar si “çështje të brëndshme” të saj. Organizata, arriti të bind opinionin ndërkombëtar, se Kosova s’ishte çështje e brëndshme e Jugosllavëve dhe me ardhjen e Millosheviqit në pushtet situate u bë më e rëndë, duke marrë tiparet e një gjenocidi dhe etnocidi të madh ndaj shqiptarëve.
Vëmendje të veçantë çështjes së Kosovës, po i kushtonin dhe revista e gazeta siç ishte javorja “Danas” e Zagrebit apo dhe prestigjozia “The New York Times” e datës 4 prill 1989 ku saktëson, se: “ Në Prishtinë e në Ferizaj për një ditë kshin vdekur 15 veta, se në Prizren kishte parë shumë të rinj të moshës 9-13 vjeçarë të plagosur rëndë nga plumbat shpërthyes dum-dum, të cilat armë me konventa ndërkombëtare dhe me marrëveshjen e Gjenevës janë të ndaluara”.
Ajo që theksohej në kongreset e BFGEE-së, ishte reale, se: “Pa një zgjidhje të drejtë të çështjes së Kosovës në Ballkan, nuk duhet pretenduar të ketë paqe dhe qetësi”. Lidhja Kosovare, tregoi gatishmërinë e saj në vitin 1993, duke mbështetur dhe “Lidhjen e Çamerisë”, në Kongresin e BFGEE-së, që u zhvillua në Flenesburg të Gjermansië, ku, përveç delegacionit të Organizatës së “Lidhjes Kosovare” të udhëhequr nga Prof. Luan Gashi Sekretar i Përgjithshëm dhe nga Hafëz Jusuf Azemi e Ajet Rushiti, anëtarë të Komitetit Qendror, punimet e kongresit, u ndoqën dhe nga Sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërsië në Bon, Bardhyl Kulla, gazetari kosovar Jusuf Buxhovi dhe pjesëmarrës për herë të parë ishte dhe Kryetari i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”.
“Lidhja e Çamerisë”, paraqiti një raport përgatitur nga Prof. Kolë Boçari, ku, me fakte dhe dokumente paraqitet dhuna e organizuar dhe sistematike të regjimit grek ndaj popullit shqiptarë çamë, gjatë gjithë periudhave historike. Aty u kërkua, që Kongresi të ushtronte trysni mbi Qeverinë Greke, që të lejoj kthimin e çamëve në trojet e tyre nga ishin shpërngulur, tu kthehej pasuria dhe të lejohej zhvillimi i kulturës kombëtare.
Lidhja Kosovare, veproi pareshtur, duke i dërguar dhe informuar dhe Shtëpinë e Bardhë, për çështjen e shqiptarëve nën Jugosllavinë.
Pas viteve 90’ Lidhja Kosovare, apelonte dhe kërkonte vazhdimisht, që ndërkombëtarët të mos lejonin që Kosova të kthehej në një Bosnje të Dytë.
Në vitet 1995-96’, burgjet ishin mbushur me elitën kosovare, të kryesuar nga Prof. Ukshin Hoti, dhe anëtarët e Kuvendit të Kosovës, si: Bajrush Xhemajli, Adem Salihaj, Xhelal Canziba etj. Po ashtu autoritetet serbe, përtej çdo limiti sulumuan dhe vendet e shenjta sikurse ishte rasti i Kishës Katolike të Bishtazhinit në Komunën e Gjakovës, si dhe torturuan barbarisht meshtarin e nderuar Don Viktor Sopi dhe motrën e nderit Roza Çerkini.
Gjëndja në Kosovë dita ditës po përkeqsohej. Këtë gjë e pasyqon edhe shtyp i huaj. Kështu revista analitike me famë botërore *The Economist” (Londra) e datës 29 mars 1997, i kushton një artikull, duke u shprehur se“Gjendja në ato vënde është si një kuti baruti, e gatshme për të shpërthyer në çdo moment”.
“Lidhja Kosovare”, në kongresin e radhës të BFGEE-së të mbajtur në Çeki, kërkoi me një rezozlutë të veçantë, që urgjentisht të vendoseshin trupat e NATO-s në Kosovë. Kjo inisiativë u pranua unanimisht nga Kongresi. Ndërhurja në Kosovë e NATO-s (të kryesuar nga SHBA) ishte e pashmangshme dhe zgjedhja e duhur, për të ndërprerë gjenocidin biblik serb ndaj shqiptarëve.
Siç vihet në dukje, në gjithë aktivitetin e Lidhjes Kosovare, qëllimi kryesorë ishte ndërkombtarizimi i çështjes Shqiptare nën Jugosllavi, në çdo përvjetor të Pavarsisë dhe në çdo aktivitet tjetër, kërkohej zgjidhja e çështjes shumë delikate. Mbështetja nga shumë senator e kongresistë amerikanë, nuk mungoi. Kjo reflektohet shumë bukur edhe nga studiuesi Prof. dr. Riza Sadiku në veprën voluminoze, duke përmendur konkretisht shumë emra, sipas kontributit të secilit prej tyre.
S’mund të lëmë anash ndërhyrjen e Organizatës Lidhja Kosovare, më 17 qershor 1982, pranë Ambasadorit të Kombeve të Bashkuara Z. Jane Kilpatrick për njohjen e Republikës së Kosovës, në kuadër të Jugosllavisë, si dhe të kërkohej amnisti për mijëra shqiptarë, që gjenden nëpër burgje jugosllave.
Cilësohet dhe lidhja e ngushtë e bashkëpunimi për zgjidhjen e çështjes Shqiptare, mes Komiteti “Shqipëria e Lire”, “Ballit Kombëtar” dhe “Lidhjes Kosovare”, ku dhe organet e shtypit të këtyre organizatave ishin mjetet informuese për diasporën si gazeta Flamuri, Besa, Përpjekja Kosovare. Lidhja Kosovare, do të mbahet mend si zëdhënëse të palodhura e çështjes shqiptare deri në vitin 1999, ku dhe NATO ndërhyn në Kosovë për t’i dhënë fund gjenocidit të politikës së Beogradit mbi shqiptarët.
Lidhja Kosovare, mbështeti fuqimisht luftën e Ushtrisë Çlirimtare të shqiptarve të Maqedonisë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Historiani Prof. Dr. Riza Sadiku, me seriozitet dhe fakte të pamohueshme, ka arritur që me anë të kësaj vepre të na paraqes veprimtarinë e emigracionit shqiptarë që e dëshiruan atdheun e tyre të lirë dhe për këto ideale u përpoqën fizikisht, mendërisht dhe financiarisht, duke bashkuar forcat pranë Lidhjes Kosovare, për t’i shërbyer atdheut, i besuan pjekurisë politike dhe vendosmërisë së organizatës në fjalë.
Për çmueshmërine e kësaj vepre, na tregojnë burimet e përdorura përveç arkivave të aktivistëve kosovar, që ishin pjese integrale e Lidhjes Kosovare, janë dhe shtypi emigracionit e i huaj si dhe veprat e studiuesve shqiptar, që kanë studiuar mërgatën shqiptare.
Rëndësia e veprës, nuk u shërben vetëm historianëve të sotëm, por edhe brezave të ardhshëm, që do t’a shkruajnë historinë me pa-anshmëri dhe të zhveshur nga dogmat.
Kjo vepër e mirëseardhur e historianit të mirënjohur Prof. Dr. Riza Sadikut, shërben si referencë për atë version zyrtar të historiografisë shqiptare.
“Lidhja Kosovare” në SHBA pas demonstratave të vitit 1981
Nga Qerim LITA/
Demonstratat shqiptare të vitit 1981 në Kosovë, nxorën në pah të gjitha të pavërtetat që i plasonte diplomacia e Federatës së atëhershme jugosllave në botën demokratike perëndimore, për “arritjet e shumta” politike, kombëtare, ekonomike, kulturore, arsimore, sociale etj., të shqiptarëve në atë federatë. Rol të rëndësishëm në zbardhjen e këtij realiteti, gjithsesi se pati emigracioni politik shqiptar, përkatësisht, organizatat dhe partitë politike që vepronin në atë kohë në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA. Përfaqësitë diplomatike jugosllave, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pandërprerë e informonin Beogradin zyrtar, për aktivitetet e shumta të mërgatës shqiptare, siç ishin tubime, demonstrata, peticione etj., nëpërmjet së cilave, mërgimtarët shqiptarë fuqishëm qëndronin pas kërkesave të drejta të studentëve shqiptarë në Prishtinë. Njëkohësisht, nëpërmjet këtyre manifestimeve, ata shprehnin mllefin e tyre për dhunën dhe terrorin e forcave policore e ushtarake jugosllave ndaj popullsisë civile e të pambrojtur shqiptare në Kosovë, duke kërkuar nga faktori demokratik perëndimor, që të merr masa urgjente për ta ndërprerë atë dhunë të paparë. Gjithnjë duke ju referuar burimeve sekrete të diplomacisë jugosllave, kuptojmë se bartëse e aktiviteteve të tilla në SHBA, ishte Organizata “Lidhja Kosovare” selia e së cilës gjendej në Çikago, e cila nëpërmjet degëve të veta shtrihej edhe në Nju Jork, Detroit, Boston, Toronto, si dhe në shumë qendra tjera të rëndësishme evropiane si: Paris, Bruksel, Kopenhagë, Munih, Romë etj. Në ballë të saj qëndronin atdhetarët dhe veprimtarët e shquar të kauzës shqiptare si: Hafëz Jusuf Azemi, Prof. Luan Gashi, Bardhyl Shatku, Vasil Andoni, Ekrem Bardha etj.
Për të parë se si diplomacia jugosllave e përshkruante aktivitetin e Lidhjes Kosovare gjatë periudhës kohore 1981-1990, nëpërmjet gazetës KOHA, në disa vazhdime do tw publikojmë një numër të konsiderueshëm të dokumenteve të hartuara nga përfaqësitë diplomatike jugosllave në Çikago, Nju Jork, Uashington, Detroit, Toronto etj. Në këtë numër, po i publikojmë pesë njoftimet e Shërbimit për Hulumtim e Dokumentim pranë Sekretariatit për Punë të Jashtme të RSFJ, dërguar shërbimeve përkatëse republikane e krahinore, ku këta të fundit informohen për aktivitetin, përkatësisht “manifestimet anti-jugosllave” të “Lidhjes Kosovare” në SHBA, gjatë periudhës kohore 21 mars- 13 prill 1981. Dokumentet po i paraqesim në tërësi dhe në mënyrë kronologjike:
BEOGRAD, 21 MARS 1981: “Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e Lidhjes Kosovare, mbajtur më 21 km në Aurorë në të cilën kanë marrw pjesë: Jusuf Azemi, Azem Aliu, Ismail Kashtanjeva, Olloman Rushiti, Ajet Rushiti, Naci Korati, Ilmi Hasani, Sadri Shariu, Ismail Osmani, Hysen Ismaili, Shefaki Ismaili, Halil Felbehari, Mulla Nimeti, Nafez Jusufi, nuk u bë fjalë për ndonjë ftesë apo pjesëmarrje eventuale në demonstrata të emigracionit nacionalist ustash, të caktuar për 10 prill. Përkundrazi, u shqyrtua mundësia e mbajtjes së demonstratave të veta për pjesën e parë të prillit (Uashington apo Nju Jork) me rastin e burgosjes së studentëve në Prishtinë dhe Prizren lidhur me çrregullimet kohë më parë në Universitet. Motoja bazë e demonstratave është – shkelja e “të drejtave njerëzore” në KASK dhe “ajka” komuniste ndaj inteligjencës së re shqiptare nga ana e policisë brutale jugosllave. Në to siç thuhet do të marrin pjesë degët nga Çikago, Nju Jorku e Uashingtoni. Paralelisht me organizimin e demonstratave, u bë fjalë edhe për zgjedhjen e një delegacioni të Lidhjes Kosovare, i cili me të njëjtin rast do ta vizitonte senatorin Persi, eventualisht kryetarin e SHBA ku do tu dorëzohej peticioni adekuat. Mbledhja mbaroi pa vendime konkrete”.
BEOGRAD, 27 MARS 1981: “Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e degës lokale të Lidhjes Kosovare në Detroit, Ekrem Bardhi, kryetar i LK (Lidhjes Kosovare – Q.L.) në Detroit, Jusuf Azemi nga Çikago, gjithashtu është shqyrtuar çështja e demonstratave, ku është theksuar nevoja e sigurimit të mjeteve për udhëtimin e pjesëmarrësve në Uashington përkatësisht Nju Jork. Është marrë konkluzioni që pjesëmarrësit vetë ti mbulojnë shpenzimet e udhëtimit me autobus nga Detroiti e Çikago, ndërsa ndërkohë do të vendosin për terminin më të përshtatshëm. Ka mbisunduar mendimi se e shtuna dhe e diela nuk janë ditët më të “mira” për shkak se gjatë këtyre ditëve nuk punon administrata, ndërsa pjesëmarrësit në ditë pune, nëse dëshirojnë të udhëtojnë për Uashington janë të detyruar të marrin ditë pa pagesë. Në fund është vendosur që për këtë çështje të bisedohet përsëri në mbledhjen e degës, i cili do të duhej të mbahet në afat prej dhjetë ditësh. Përndryshe Vasili (Andoni-Q.L) ngelë në SHBA edhe për 4 deri 5 muajsh me qëllim të vizitave degëve të LK.”
BEOGRAD, 6 PRILL 1981: “Punkti i SHHD pranë Sekretariatit Federativ për Punë të Jashtme nga Çikago, njofton se Jusuf Azemi dhe Ajet Rushiti në shoqërim me Luan Gashin nga Nju Jorku më 29 muajin e kaluar (mars 1981 –Q.L.) kanë udhëtuar për Uashington. Qëllimi i udhëtimit ka qenë të vendosen kontaktet me ndonjë përfaqësues të administratës si edhe të shqyrtohet mundësia për mbajtjen e ndonjë demonstrata më të zgjeruar në të cilën do të merrnin pjesë emigrantët nga më shumë qytete të SHBA. Lidhur me këtë “Lidhja Kosovare” ka caktuar mbledhje me 5 prill k.v. në të cilën do të informoheshin për rezultatet e vizitës në Uashington dhe marrjen e qëndrimit përfundimtar për demonstratat”.
BEOGRAD, 8 PRILL 1981: “Punkti ynë në Çikago njofton si vijon:
1. Në mbledhjen e degës së atjeshme të Lidhjes Kosovare, i cili është mbajtur më 5 prill (1981-Q.L.) nën udhëheqjen e Jusuf Azemit, është vendos që me 20 prill të organizohen demonstrata në Çikago, në shenjë përkrahje të elementeve irredentiste në KAS të Kosovës. Demonstratat do të mbahen para konsullatës së Përgjithshme në kohën prej orës 11 deri 12. Është vendosë që demonstratat të kenë karakter paqësor, pa dhunë, fyerje etj. Për këtë qëllim është zgjedhur ekipi prej dhjetë vetë i cili ka për qëllim që në vendtakim (Aurora) të bëj kontrollimin e secilit demonstrues dhe nëse gjen armë (revolver, thikë etj.) të njëjtën ta merr dhe ta ruaj në selinë e Lidhjes Kosovare, derisa të kthehen nga demonstratat. Janë paraparë parulla të cilat kërkojnë mbrojtjen e të “drejtave njerëzore të shqiptarëve” dhe përmbajnë insistime për lirimin nga burgu të “shqiptarëve liridashës” dhe njëkohësisht e dënojnë “tiraninë komuniste” nga dora e të cilëve kanë ra “njerëz të pafajshëm”. Leja për demonstrata është lëshuar më 6 prill. Udhëheqja e Lidhjes Kosovare, ka lëshuar urdhëresë deri te anëtarësia e saj, që të dalin në demonstrata, përkatësisht që “nuk guxon të ketë asnjë shqiptar i vërtetë” i cili mund të gjejë ndonjë arsye për abstenim. Përndryshe, udhëheqja maksimalisht është mobilizuar që demonstratat të jenë të suksesshme, për çka është planifikuar pjesëmarrja edhe e grave dhe fëmijëve.
2. Për demonstratat e grupimit të emigracionit nacionalist shqiptar, të cilat janë caktuar për 13 prill në Uashington, në mbledhjet e degëve lokale në Çikago e Detroit të datës 5 prill, është vendosur të organizojnë transport të veçantë (autobus) duke i shfrytëzuar edhe linjat e rregullta dhe veturat e veta, me qëllim të arritjes së suksesit të plotë. Kryhet presion ndaj anëtarësisë së Lidhjes Kosovare dhe ndaj mbarë pjesëtarëve të nacionalitetit shqiptar, pa marr parasysh ngjyrat ideologjike, që pjesëmarrja në Uashington të jetë sa ma masive, për çka është evidente përdorimi i mjeteve arrogante. Nga Çikago planifikohet shkuarja e rreth 200 pjesëmarrësve, ndërsa nga Detroiti rreth 150.
3. Në mbledhjen e sipërpërmendur në Çikago, është grumbulluar shuma prej 11.000 dollar për financimin e shpenzimeve rreth dërgimit të telegrameve protestuese, peticioneve etj., mbarë shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve perëndimore për shkak sjelljes “brutale” ndaj kombit shqiptar në “Jugosllavinë komuniste”. Këto letra duhet të dërgohen nga qendrat evropiane (Bruksel, Romë etj.).
4. Vasili (Andoni – Q.L.) ende qëndron në Detroit, nga ku organizon pjesëmarrjen në demonstratat e 13 dhe 20 prillit. Atij i është dhuruar shuma prej 11.000 dollarë që duhet ti dërgoj në Evropë. Do të ngel në SHBA deri në mbarim të demonstratave, e më pas do të kthehet në Romë.”
BEOGRAD, 16 PRILL 1981: “Më 13 prill 1981 në Uashington me fillim në ora 11,30 sipas kohës amerikane nën organizimin e të gjitha organizatave e grupeve të emigracionit në SHBA, u mbajtën demonstrata anti-jugosllave në të cilat morën pjesë rreth 1.400 demonstrues. Në këto demonstrata morën pjesë demonstrues – emigrant që jetojnë në Çikago, Nju Jork, Detroit, Millvoki, Kenopa dhe nga vende tjera, ndërsa nga Evropa morën pjesë vetëm Vasil Antoni me disa bashkëpunëtor, me të cilët erdhi nga Italia. Fillimi i demonstratave, në ballë të të cilave ishin disa hoxhallarë, ishte nga parku i madh para Shtëpisë së Bardhë, ndërsa kolona lëvizte në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, kah pallati i Kongresit, dhe nga aty kah ambasada jugosllave ku policia kryente sigurim të mirë dhe nuk lejoi që demonstruesit të afrohen deri te ajo. Këtu, më shumë se 15 demonstrues mbajtën fjalim ku në mënyrë të hapur e të ashpër e sulmuan vendin tonë (Jugosllavinë – Q.L.). Është me interes të vihet në dukje se drejtuesit e demonstratave nuk folën, ndërsa nxitën emigrant më të ri të jenë më ekstrem dhe ta shijojnë rolin e barabartë me udhëheqjen. Demonstruesit nga aty u kthyen para pallatit të kongresit ku hynë brenda Jusuf Azemi dhe Ekrem Bardhi (profesor i pensionuar nga Detroiti) ku i pranoi senatori Persi dhe u premtoi se pushteti amerikan sa i përket demonstratave në Kosovë do të intervenojnë deri te qeveria jugosllave. Demonstruesit mbanin pankarte dhe brohoritnin parulla me përmbajtje armiqësore në gjuhën shqipe dhe kroate, edhe atë: “Poshtë Jugosllavia!”, “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë kriminelët jugosllav!”, “Rroftë kombi shqiptar”, “Rroftë kombi kroat” etj.
Nga territori ynë (Maqedonisë –Q.L.) si pjesëmarrës të demonstratave i identifikova personat si vijon: vëllezërit Servet e Sami Xhaferi, Jusuf Azemi, me bashkëshorten e fëmijët, Daut Azemi (vëllai i Jusufit), Llokman Lutfiu me tërë familjen, Aliriza …, nga fshati Dobrosht, Alil Zylbeari me tërë familjen, Bardhyl Shatku nga Gostivari me tërë familjen, Alirami Dauti me bashkëshorten, Haki Idrizi nga fshati Sedllarcë e Epërme, Shukri Memeti nga Tetova emigrant në Toronto, Sinan Abdiu, nga fshati Reçicë e Madhe me bashkëshorten, emigrant në Çikago, Remzie …. nga fshati Odër me djalin. Shumica e demonstruesve ishin nga rrethi i Kërçovës, ndërsa Ajet Rushiti, i cili është organizator sa i përket pjesëmarrjes masive të emigrantëve nga Kërçova, ka agjituar duke u kërcënuar për pjesëmarrje të domosdoshme në demonstrata. Për 20 prill 1981 në ora 10,00 janë caktuar demonstratat para konsullatës tonë (jugosllav –Q.L.)”. (Në numrin e ardhshëm shpalosim disa burime diplomatike jugosllave që flasin për aktivitetin e Lidhjes Kosovare, korrik-tetor 1981)
*(Ky cikel shkrimesh botohet me kerkesen e Jusuf Azemit ne Chikago.)