• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova rrezikohet nga stanjacioni afatgjatë

August 8, 2017 by dgreca

Për ambasadoren gjermane në Prishtinë, Angelika Viets kriza politike në Kosovë është pasojë edhe e armiqësive të vjetra e egoizmave partiakë. Megjithatë në fund të mandatit në Kosovë ajo merr një kujtim të bukur me vete/1 Angelika Viets

Deutsche Welle: Zonja ambasadore Viets, ngërçi aktual politik në Kosovë, ku seancat parlamentare radhazi dështojnë nuk të bën optimist. E kuptoni ju këtë varavingo politike?

Angelika Viets: Po, mund ta kuptojmë shumë mirë, nga njëra anë kjo situatë të kujton shumë atë të verës 2014, edhe atëherë kishim zgjedhje të parakohshme, por në thelb konflikti është më i vjetër. Ai të kthen pas në vitin 1999, ndoshta edhe më parë, përballë njëra-tjetrës qëndrojnë parti të armiqësuara, individë të armiqësuar me njëri-tjetrin, kjo e bën shumë të vështirë dhënien e recetave për një zgjidhje. Kriza në zgjedhjet e fundit në 2014-n nuk u kapërcye.

Duket se asnjëra nga partitë nuk po lëshon pe, çfarë strategjie fshihet pas kësaj?

Partitë janë të interesuara kryesisht për ruajtjen e pushtetit, dhe persona të caktuar që veprojnë, janë jo pak të interesuar edhe për atë se çfarë do të ndodhë me ta. Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale, nëse nuk janë në pushtet. Kemi një situatë patt-i tani, dhe madje rrezikon një stanjacion i gjatë. Partitë deri më tani nuk ia kanë dalë të bien dakord për një axhendë kombëtare me konsensus. Janë egoizmat ato, që i pengojnë politikanët për të menduar në radhë të parë për fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është një luftë për pushtet e përcaktuar nga egoizmat.

Nga ana tjetër zgjedhjet ishin të lira e të ndershme, siç edhe u vlerësuan nga vëzhguesit. Qytetarët për herë të parë nuk votuan mbi bazë oportuniteti, si në të shkuarën, por sipas ndërgjegjes e arsyes. Njerëzit në Kosovë kanë ecur më përpara se politika. Ne jemi përpjekur po ashtu të çojmë përpara transformimin e shoqërisë me projekte nga Europa, BE Gjermania e partnerë të tjerë.

A prisni daljen nga kriza të enjten, (10.08) kur do të zhvillohet seanca e re parlemantare?

Jo, nuk pres. Edhe nëse në ditët e javët e ardhshme do të arrihej shumica qeverisëse, pra 61 deputetët që janë të nevojshëm, – 61 ose 61 nga 120 deputetë – kjo do të ishte një qeveri jo e stabilizuar, saqë shpesh edhe kuorumi në parlament nuk do të arrihej, pra do të jetë e vështirë edhe miratimi i një ligji normal që kërkon vetëm shumicë të thjeshtë.

Por si mund të dilej nga ky udhëkryq, një qeveri gjithëpërfshirëse është përmendur po ashtu…

Nuk shoh për momentin se partitë që janë bashkuar në një koalicion, mund të krijojnë një qeveri të qëndrueshme në plan afatgjatë. Mendoj dhe për fat të keq, se skenari më i mundshëm është një fazë e gjatë të mungesës së stabilitetit deri në zgjedhje të reja. Kjo nuk është mirë për axhendën tonë. Kosova ndryshe nga vendet e tjera ka pak përvojë qeverisëse, tani po ndërtohet një Kosovë moderne, ky është një proces i dhimbshëm, kjo kërkon kohën e saj, e me sa duket këtë kohë ne duhet t’ua japim.

Përmendët se skenari i mungesës së stabilitetit nuk është i mirë për axhendën…çfarë pasojash konkrete kanë këto vonesa për Kosovën?

Do të shtyhen edhe më tej në kohë implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, axhenda europiane, projekte konkrete ekonomike të BE-së me Kosovën-kjo nuk është gjë e mirë. Edhe për shkak të statusit ende të kontestuar për Kosovën, Kosova është një rast i veçantë mes vendeve të Ballkanit. Politikanët në vend e dinë, se edhe për shkak se ka vende në BE që nuk e njohin Kosovën, rruga në BE do jetë të shumë e gjatë, prandaj është shumë e vështirë të ruhet vullneti për reforma. Detyra jonë është që ky vullnet të forcohet, për këtë kemi krijuar edhe iniciativa të rëndësishme si Procesi i Berlinit për të përshpejtuar këtë fazë tranzicioni e për të dhënë impulse për bashkëpunimin rajonal.

Situatë kritike për Kosovën, ku ka shumë çështje të hapura – dialogu me Serbinë ka ngecur, çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk është zgjidhur, të mos harrohen problemet ekonomike e papunësia në vend…

Politikanët duhet të bashkohen për axhendën e Kosovës, të lenë pas interesat personale. Lidhur me dialogun që përmendët ai është prioritet politik për ne, por ka gati një vit e ky dialog ka ngecur. Ka mjaft ujdi që janë arritur dhe nuk janë implementuar, si për shembull asociacioni nga pala kosovare dhe ujditë për energjinë nga pala serbe. Veç këtyre ujdive kemi një asimetri të madhe. Nga njëra anë Vuçiç që doli i fortë nga zgjedhjet e ka një parti të fortë pas vetes, nga ana tjetër kemi këtu një situatë, ku pushteti është ndarë mes tre kampeve dhe nuk ka konsensus kombëtar për asnjë temë. Dialogu, siç është zhvilluar deri më tani, pa përfshirë edhe parlamentin e Kosovës për të arritur konsensusin e nevojshëm, nuk mund të mendohet më.

Zonja Viets ju e mbaroni për pak ditë mandatin tuaj në Kosovë. Cili është bilanci juaj për këtë kohë?

Bilanci politik është mjaft i përzier. Krahas disa sukseseve, si nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit apo efektet e Procesit të Berlinit, ka pasur tema që kanë dështuar. UNESCO ishte dështim i madh për Kosovën. Largohem me përshtypjen se kanë qenë tre vite me intensitet të madh, me mjaft kriza të vogla e të mesme që na bënin të mbanim frymën. Por ishte edhe kënaqësi, sepse konsultimi ndërkombëtar, nga SHBA, por edhe nga Gjermania kërkohet gati përditë. Nuk më kujtohet ndonjë post tjetër, ku mund të bësh kaq shumë, si në Kosovë. Por ngaqë kosovarët kanë tendencën të të bëjnë komplet për vete, duhet ruajtur edhe distanca kritike. Megjithatë përulësia rritet, kur shikon se çfarë problemesh e sfidash duhet të kapërcejë një vend kaq i vogël si Kosova.

Çfarë kujtimi do merrni me vete kur të largoheni…

Ka pasur shumë takime personale me njerëz mjaft impresionues, por ajo që më ka prekur gjithmonë është se edhe kur shkon në një fshat të vogël, njerëz të panjohur vijnë, kur e dallojnë që vjen nga Gjermania të përqafojnë pa të pyetur e të thonë “Faleminderit Gjermani!” Këtë nuk do ta harroj!

 

 

 

Intervistën e zhvilloi Lindita Arapi

Filed Under: Interviste Tagged With: Angelika Viets, Lindita Arapi, stanjacioni ne Kosove

Lindita Arapi-“Çaste” nga bota urbane

April 14, 2017 by dgreca

Ekziston një ushtri e tërë shkrimtarësh në botë që bëjnë një luftë të vazhdueshme për vëmendje, për lexues. Lindita Arapi mendon se këtë lloj shkrimtari që nuk e arrin suksesin e njeh më mirë. Në librin e ri “Çaste”, ajo ndjek dy fate paralele të panjohurish, dy botë të copëzura gjermano-shqiptare në një atmosferë qyteti.

Arapi: Gjithmonë më ka bërë përshtypje anonanimiteti, vetmia, këto momentet kaq fluide dhe të rrëshqitshme të metropolit. Duket sikur ka një lloj perfomrace urbane shumë të rrëshqitshme.

Ky mozaik tregimesh ka gjurmë të Arapit poete, autore e librave “Kufomë lulesh”, “Ndodhi në shpirt”, “Melodi e heshtjes” të shkruar midis viteve 1993-’99.

Zhvendosja e saj në botën gjermane vetëm sa i krijon distancën e nevojshme për ta parë të kaluarën në Shqipëri me sytë e mendjes, si në romanin “Vajzat me çelës në qafë”.

Arapi: Kur shkruaj shqip, futem brenda atij ishullit të vogël që është dhoma e punës, që është kompjuteri, letra dhe që aty për mua është Shqipëria. Ndonjëherë më duket sikur qëndroj mbi urë.Nga pozicioni i gazetares në Dojçe Vele, qëndrimi i saj për debatet mbi të kaluarën në komunizëm është ky:

Arapi: Në qoftë se kufomat e tua janë në podrum është e pandershme që të dalësh para publikut dhe të pretendosh dhe të luash rolin e atij që do t’i drejtojë gjërat. Prej disa ditesh “Çaste. kolazhe metropoli” është hedhur në qarkullim në libraritë e Tiranës.

Filed Under: LETERSI Tagged With: -“Çaste”, Lindita Arapi, nga bota urbane

Po myslimanët në Shqipëri e Kosovë, mos janë myslimanë të këqinj?

January 6, 2017 by dgreca

Bredhi i Vitit të Ri dhe myslimanët shqiptarë/

1-lindita-arapi

NGA LINDITA ARAPI/*

*Jo më festime, bredh e drita? Pas atentatit të Stambollit pati zëra që i bënë viktimat fajtore, pasi myslimanët nuk e festojnë Vitin e Ri. Po myslimanët që festojnë në Shqipëri e Kosovë mos janë myslimanë të këqinj?/

*Unë nuk e praktikoj besimin fetar siç bën një mysliman i devotshëm, por kam respekt për përkushtimin e tij ndaj Zotit. E një Zot të mirë e mbaj në shpirt gjithmonë me vete edhe unë, një Zot që nuk më ndëshkon, pse më pëlqen një bredh i zbukuruar për Vitin e Ri…/

Bredhi i Vitit të Ri! Sot ai vezullon nga dritat e zbukurimet, por ajo pemë e zbukuruar dikur, me ato pak mundësi që na ofroheshin në vitet e varfra të komunizmit shqiptar ende zgjon tek unë një kujtim të ngrohtë fëmijërie. Ai ishte një gëzim i vogël brenda një pafundësie ditësh të mërzitshme, të gjitha të rrafshuara nga izolimi, një ҫast i bukur, e gjërat e bukura ishin aq të pakta në fëmijërinë e asaj kohe. Ato llamba që i jepnin atëherë dritë pemës së Vitit të Ri, ku ne fëmijët e Pallatit të Pionerëve i vinim përreth duke kënduar e kërcyer, pikërisht ato pak llamba sillnin pak dritë edhe në jetët tona.

Diktatura i mbylli të gjitha dyert, bota e jashtme mbërrinte vetëm me ca impulse të mekura tek ne, por nuk dihet pse mbeti bredhi i vitit të ri, në fakt me gjelbërimin e pandryshuar, simbol i jetës, e nga shekulli 16-të një zakon i ri gjerman u bë shoqërues i festimit të Krishtlindjeve në të gjithë botën – ndërsa për ne një nga absurditetet e radhës të regjimit komunist që e ndaloi fenë me ligj.

Për mua atëherë, vajzë e një familjeje myslimane, bredhi nuk ishte një pemë me simbol fetar. As për mua e as për prindërit e mi të ҫmësuar me fenë, që fjalën Zot e kishin zëvendësuar me fjalën parti. Përpara meje ishte thjesht një pemë e zbukuruar, për përmasat fëmijërore, – gjigande, së cilës unë nuk ia shqisja dot sytë, teksa prisja gjithë emocion momentin e ndërrimit të viteve.

Por le ta kapërcejmë epokën e ateizmit, kohë, kur shqiptarët pak e njihnin jo vetëm kuptimin e bredhit, por edhe të riteve të tjera fetare, sepse “feja ishte opium për popullin” – jemi në kohët, kur gjithsekush ka lirinë të ndjekë e praktikojë besimin fetar që dëshiron.

Shpëtimi i bredhit

Me zgjimin e besimit fetar bredhi nuk ndryshoi gjelbërimin, por ndërroi kah, ai nuk ishte më thjesht bredh i fëmijërisë sime, kuptova se nuk duhet të më përkiste më mua, një vajze me origjinë myslimane, por pjesës tjetër, asaj të krishterë, si shoqërues i festimeve të Krishtlindjeve e Vitit të Ri. Mua më mbetej të fshija një kujtim, ose ta „përvetësoja” bredhin, t’i hiqja petkun fetar, e ta mbaja edhe në të ardhmen thjesht si bredh feste. Nuk doja t’i humbisja ato ҫaste me drita në dimrin e ftohtë, dhe e mbajta bredhin si zilen e një momenti final, ndërrimin e viteve.

Por bredhin e festës nuk e kam mbajtur vetëm unë, bashkë me mua edhe shumë e shumë të tjerë që mendojnë se të festosh Vitin e Ri është krahas një momenti reflektimi, edhe një moment gëzimi për trokitjen e një viti të ri të jetës. Se si festohet ky gëzim, kjo është në dorën e gjithsecilit

Edhe në Turqi shumë vetë festuan Vitin e Ri, disa shkuan të festonin në një klub nate, „Reina”, por nuk do kthehen më kurrë në shtëpi pas terrorit. Shumë nga ata që nuk do ta gëzojnë më vitin e ri ishin myslimanë, e po myslimanë ishin edhe ata që kanë shkruar në mediat sociale, se ata që festojnë Vitin e Ri, festojnë një traditë të huaj, që bie ndesh me islamin. . Për myslimanët – ky është një zakon pagan dhe i krishterë që nuk duhet të prishë kanonin e zakoneve të tyre. Madje edhe Ministria e Fesë në qeverinë turke ka pasur paralajmërime për festimet e Vitit të Ri, si një traditë e huaj…

Myslimanët shqiptarë të ndarë

Po unë që festoj, po shumë shqiptarë myslimanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo në ndonjë vend tjetër që festojnë Vitin e Ri, mos nuk duhet të festojmë më? Kush feston, jeton i rrezikuar? Festimet e Vitit të Ri nuk i ndajnë vetëm turqit, por edhe myslimanët shqiptarë: në një kategori, ajo më liberalja në raport me fenë, me traditë si në Shqipëri e Kosovë, që e ka vetëdijen e myslimanit, por në një darkë me miq nuk ia heq vetes lezetin e mezesë dhe rakisë, ajo nuk e sheh si mëkat të urojë katolikët për Krishtlindje e Pashkë, e përballon pa tragjedi minifundin e vajzës, tek ajo nuk përbën përjashtim që të shkojnë edhe në Mekë, për të plotësuar një nga detyrimet e myslimanit, por kjo nuk e pengon që ta shijojë jetën si një tavolinë të mbushur me të mirat e Vitit të Ri. Tek ata e gjen edhe bredhin e zbukuruar, thjesht si diçka të bukur, pa dashur të lëndojnë ndjenjat fetare.

Nuk duhet harruar edhe një kategori tjetër besimtare e devotshme, që nuk e sheh besimin si verbërim, por ndriҫim të shpirtit, ajo e toleron tjetrin që beson ndryshe apo ndjek tradita të tjera që Islami nuk i ka të tijat. Është kjo pjesë që i ndjek ritet e faljes, nuk pi alkool, falet disa herë në ditë, të premteve e gjen në xhami, pra ajo bën një jetë në bazë të rregullave të Islamit, e nuk do të fuste pemë të Vitit të Ri në shtëpi, por me dëshirë do të dilte në natën e ndërrimit të viteve për të parë hedhjen e fishekzjarreve, do ulej me familjen për të ngrënë gjelin tradicional me përshesh, do të ngrinte edhe gotën me lëng për të uruar, por “Gëzuar”, nuk do të thoshte, sepse kjo festë shpirtërisht mbetet e huaj për të. Deri këtu jemi brenda lirisë fetare e ekuilibri që kërkon toleranca ende reziston – unë toleroj zakonet e tua, por edhe ti do durosh zakonet e mia fetare.

„Ata janë përjashtues”

Por në mesin e shqiptarëve myslimanë kemi edhe një pjesë tjetër – atë të besimtarëve më fanatikë, që e ndjekin besimin e tyre me besnikëri të devotshme, por dallojnë nga kategoria tjetër në një pikë – ata janë përjashtues. Kam takuar njerëz të tillë, në Shqipëri e Kosovë, ata janë të përzemërt, megjithëse mua si femër nuk ma kanë dhënë dorën, janë të përshpirtshëm, për sa kohë që tolerohen rregullat e tyre. Për tragjedinë në Turqi, ata nuk shprehin dhimbjen për viktimat, por i bëjnë ato fajtore, viktimat e klubit “Reina” janë mëkatarë që festuan një festë të krishterë, e që nuk meritonin gjë tjetër. Bredhi i Vitit të Ri, fishekzjarrët, festimet e ndërrimit të viteve, rakia, minifundi, feja tjetër – të gjitha nuk janë islame, rrjedhimisht mëkate.

Ata janë të bindur se kanë ekskluzivitetin e besimit të vërtetë, besimtarët e tjerë i përçmojnë hapur si të pafetë, tolerimin e bëjnë dhëmbëskërmitur ose izolohen. Nga radhët e kësaj kategorie vijnë edhe ekstremistët, nga radhët e tyre lindin edhe ata që vrasin në emër të Allahut. E po të sjellim ndërmend se në identitetin tonë kulturor spikat ekzistenca si një komb me tri fe, kupton se sa rëndësi jetike ka për ne harmonia e toleranca mes feve. E nuk duhet ta harrojmë, siç thotë shkrimtari Ismail Kadare, se “ekstremizmi fetar bie ndesh me moralin historik shqiptar”.

Edhe Sulejman Bugari, një imam boshnjak në Sarajevë ka një porosi për ekstremistët. „Atë që nuk kanë për ta kuptuar dot këta ekstremistë, është që myslimanët nuk kanë të drejtën ekskluzive për besimin e vërtetë. Islami nuk është besimi i turqve, arabëve, amerikanëve apo gjermanëve. Të vetmit, të cilit i adresohet besimi është vetë krijuesi.”

Unë nuk e praktikoj besimin fetar siç bën një mysliman i devotshëm, por kam respekt për përkushtimin e tij ndaj Zotit. E një Zot të mirë e mbaj në shpirt gjithmonë me vete edhe unë, një Zot që nuk më ndëshkon, pse më pëlqen një bredh i zbukuruar për Vitin e Ri…

*Kortezi: DW, titulli i Diellit

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Kosova, Lindita Arapi, myslimanet e Shqiperise

Hapja e dosjeve në Shqipëri – gënjeshtër 26 vjeҫare

December 23, 2016 by dgreca

-Shqipëria e zgjidhi biologjikisht përballjen me diktaturën/

-Hapja e dosjeve në Shqipëri – gënjeshtër 26 vjeҫare: Vërtet parlamenti miratoi emrat e anëtarëve të autoritetit për hapjen e dosjeve, por vullneti për të parë në sy të vërtetën mungon në Shqipëri, mendon Lindita Arapi./

2-arapi-lindita

NGA LINDITA ARAPI/

Ishte dhjetori i vitit 1990, ditë demonstratash të studentëve, ditë të lindjes së pluralizmit politik, ajri vibronte nga thirrjet e shpresës të një populli të rraskapitur nga diktatura asfiksuese. Unë, studente e vitit të parë, e vonuar për shkak të refuzimit të së drejtës të studimit për probleme biografie duhej të brohorisja, të mirëprisja kohët e reja, barrierat e biografisë po rrëzoheshin. Por veҫ ca shkëndijave gëzimi që ndizeshin e shuheshin ditë për ditë, asnjë brohorimë nuk më dilte.Përpiqesha të rrokja më thellë kuptimin e fjalëve të reja që brohoriteshin pa pushim: „Liri, Demokraci!”

Deri më atëherë ua dinim kuptimin, vetëm sipas fjalorit të gjuhës shqipe, ku fjala demokraci p.sh. shpjegohej si:

„Demokraci socialiste, tipi më i lartë i demokracisë, formë e diktaturës së proletariatit, ku pushtetin e ka në dorë populli punonjës me klasën punëtore në krye dhe udhëheq partia e saj, (me që ra fjala ende në vitin 2016 fjalori i gjuhës shqipe – online ka këtë shpjegim për demokracinë).

Kthesa

Pyesja veten, nëse ishte kaq shpejt e uzurpueshme demokracia, nëse u shndërroke në demokrat brenda natës, mjafton të ngrije dy gishtat lart e të brohorisje „liri”, „demokraci”, siҫ bënin ata që vetëm pak javë më parë i kishin shërbyer me besnikëri diktaturës, nëse me mantelin e demokracisë e mbuloke të vërtetën e së shkuarës tënde, – atëherë ose unë jam një nihiliste e padurueshme me këto dyshimet e mia, ose në gjithë këtë transformim kolosal të vendit tim diҫka nuk shkon…Vite më vonë e kuptova pse nuk më entuziazmoi dot aq sa e kisha shpresuar viti i kthesës, 1990. Që kjo kthesë duhej të merrej, ishte kuptuar nga nomenklatura komuniste, nuk mbetej rrugë tjetër, por ajo me sa dukej duhej të bëhej pa dëmtuar ose shkatërruar privilegjet e atyre lart. Pavarësisht nëse ka ekzistuar apo jo fjalimi  i shumë përfolur në media i Ramiz Alisë për strategjinë e Katovicës, e ndryshimin e pushtetit me „njerëz të zgjedhur nga ne”, në realitet ndërrimi i sistemit në Shqipëri u bë nga elitat e vjetra komuniste, të rinjtë me energji e koncept të ri kishin vetëm rol episodik. Shqipëria nuk pati ndërrim elitash, por vetëm ndërrim të pllakës së elitave në politikë, në gjyqësor, në administratë, në jetën shkencore, të cilat amnistuan vetveten, me justifikimin, se në diktaturë „kishin bërë vetëm detyrën”.

Drejtësia dhe shteti i së drejtës

Fjalia lapidare e aktivistes gjermano-lindore për të drejtat e njeriut, Bärbel Bohley se „Ne kërkonim drejtësi, por morëm shtetin e së drejtës”, është mjaft domethënëse në kontekstin shqiptar:  Vërtet drejtësia duhej të vihej në vend brenda shtetit të së drejtës, ajo nuk duhej të ishte një drejtësi hakmarrëse. Por kur mijëra të burgosur politikë në proceset gjyqësore nuk e thërritën dot për ndihmë shtetin e së drejtës, e për ata u përdor „shpata e diktaturës së proletariatit që qëndronte gjithmonë e mprehur”, gruaja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, kur u arrestua, kërkoi me arrogancë menjëherë në dhomën e hetimit avokatin mbrojtës. Shtetin e së drejtës e moshkeljen e të drejtave të personalitetit  e zbuluan shpejt dhe e përdorën si mburojë elitat e diktaturës. Viktimat e diktaturës jo.Kush fliste për të shkuarën komuniste, ishte një i djeshëm i pandreqshëm, sepse fryma e kohës nuk ishte katarsisi, por fshehja. Një imperativ tjetër i preokuponte elitat e dikurshme: ruajtja e favoreve të pushtetit, të stërviturut dinin të nuhasnin burimin nga rridhnin favoret e një pushteti të ri. Në diskursin shkencor për studimin e diktaturës në ish-vendet komuniste ka një koncept që njihet si „avantazhi i startimit”. Ata që ishin brenda korridoreve të pushtetit e kishin avantazhin jo vetëm për t’i bërë vend vetes në epokën e re, e nuk ishte fjala për të gjetur për fëmijët e tyre bursa jashtë shtetit, por për të qenë dora drejtuese që do të formësonte ndërrimin e sistemit në Shqipëri. Ishin ato që bënë edhe disa ligje lustracioni, me gjysmëzemre, të lëna në mes të rrugës në dy dekada, më shumë për t’u renditur në „detyrat e kryera të shtëpisë” që kërkonte Europa, por hapi final – hapja e dosjeve gjithmonë shtyhej.

Loja politike

26 vjet rresht ishte më e lehtë të hidheshin rregullisht shashka tymuese për hapjen e tyre, derisa opinioni të lodhej, në rast nevoje mund të akuzoje kundërshtarët politikë për dështimin e mos-hapjes së tyre, se sa të mbaje përgjegjësi. Pasoja: Teatri absurd i parlamentit shqiptar, ku deputetët thërrisnin njëri-tjetrin me nofkën e spiunit dhe një lojë e pashembullt politike, e pakrahasueshme me asnjë nga vendet ish-komuniste të Lindjes.Shqipëria nuk pati aktivistë të pjekur të lëvizjes qytetare si në RDGJ, të cilët bllokuan zyrat e Stasit në janar 1990, e qëndruan aty, derisa u mor një vendim i posaҫëm. Shqipëria e viteve 90-të të këpuste shpirtin nga varfëria, ajo ishte në ethe për të blerë një makinë, për të blerë televizor me ngjyra, për të ndërtuar një shtëpi, për të pasur rroba të jashtme, për të paguar një vizë jashtë shtetit.

Shqipëria që thërriste për  hapjen e dosjeve, që kërkonte drejtësi për ata qindra mijëra viktima të diktaturës kishte zë të dobët, të papërfaqësuar me ndershmëri nga politika.

Në fillimet e demokracisë presidenti i atëherëshm, Sali Berisha i thotë revistës gjermane „Der Spiegel” se hapja e dosjeve do të thoshte prishje e familjeve shqiptare, sepse ka pasur raste që gruaja ka spiunuar burrin, vëllai vëllanë. U qanin hallin divorceve pushtetarët e rinj apo divorcit me veten? Ndërsa vite më vonë politikanë apo ish-drejtues të institucioneve të ndryshme e zhvlerësonin hapjen e tyre duke deklaruar, se shumica e dosjeve janë shkatërruar, ato ose gjenden të mykura nëpër thasë të arkivave, ose mund të jenë manipuluar.

Konkluzioni: Epo mirë, meqënëse qenkan prishur, ta lëmë, nuk ia vlen t’i hapim, tani duhet të shohim përpara.„Mos gërmo në të shkuarën se do të humbasësh një sy, harroje të shkuarën e do t’i humbasësh të dy sytë”, shkroi Alexander Solzenizyn në „Arkipelagun Gulag”.

Politika shqiptare i humbi  26 vjet rresht, me dëshirë të dy sytë për këtë ҫështje, vetëm për të shpëtuar nga përballja me të vërtetën. Dosjet janë dështimi më i hidhur i tranzicionit shqiptar, këtë e ka regjistruar që sot historia.26 vite pas diktaturës më në fund ka një autoritet për hapjen e dosjeve, edhe emrat e anëtarëve u miratuan nga parlamenti. I bëri kujt përshtypje ky lajm? Unë vetë, njësoj si në vitin 1990 nuk ndjeva ndonjë gëzim, as edhe një buzëqeshje të hidhur nuk ta nxjerr dot një lajm i tillë. Krijimi i autoritetit sigurisht nuk do të thotë se ato do të hapen shpejt, loja politike vazhdon. Me shpresën e disave, se deri sa të hapen ato, kanë ndërruar jetë shumë nga ata „të bezdisurit” që duan të dinë patjetër të vërtetën.

Llogaria e elitave të vjetra për ta zgjidhur biologjikisht përballjen e Shqipërisë me të shkuarën komuniste ka dalë. Mos duan t’i urojmë tani edhe për suksesin?

 

Filed Under: Histori Tagged With: Lindita Arapi, me diktaturën, përballjen, Shqipëria e zgjidhi biologjikisht

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT