Një reflektim pas tragjedisë më të fundit shqiptare.
Nga Lindita KomaniTiranë/
Emocioni i zemërimit mund të shfrytëzohet në mënyrë virtuoze sikurse mëson Tomas Akuini dhe të përdoret për të vënë në vend padrejtësi. Por emocioni i zemërimit është njëkohësisht ai që shtyn edhe drejt vrasjes të një njeriu.
Tendenca për ta pasur këtë emocion është e trashëgueshme në masën rreth 50%. Masa tjetër prej 50% varet nga kushtet rrethuese: familja, edukimi në shkollë, shoqëria, kultura.
Zemërimi i pavënë nën kontroll nga personi vetë mund të shpërthejë në çaste të pamenduara, kur ka qenë i mbledhur në kohë, ose kur ka përsëritje të një situate të ngjashme të ndodhur në të shkuarën. Zemërimi mësohet të vihet nën kontroll që në periudhën e zhvillimit nga fëmijëria deri në moshë madhore, me ndihmën e edukimit nga prindërit, nga mësuesit dhe kultura që mbizotëron në një shoqëri. Fëmija kopjon prindërit në sjellje, kopjon të afërmit, kopjon mësuesit, kopjon shokët.
Çdo herë që ndodh një vrasje gruaje në Shqipëri bëhet e qartë që sistemi i edukimit të vetëkontrollit për atë burrë ka dështuar plotësisht. E kundërta ndodh shumë më rrallë, pra të rralla janë gratë që vrasin burra, ndoshta thjesht sepse nuk kanë fuqi fizike për ta përballuar një akt vrasjeje, por edhe sepse u është mësuar vetëkontrolli shumë më tepër se burrave.
Kultura shqiptare ka të stabilizuar modelin e pushtetit të burrit mbi gruan dhe ky model me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në këta tridhjetë vjet, përsëri mbetet mbizotërues. Kjo hedh benzinë mbi zjarrin e zemërimit dhe tërbimit burrëror. Këtë pushtet burri që ka probleme personaliteti synon ta vendosë që në çastin kur e di që e ka lidhur pas vetes gruan/partneren dhe mendon se ka të drejtën ta mbajë sa të dojë. Kultura do shumë kohë të ndryshojë dhe ndryshimi i saj nuk bëhet me dhunë por në mënyrë evolutive dalëngadalë.
Tani situata është më ndryshe sesa para 30 vitesh dhe pas 30 vitesh të tjerë mund të jetë ndryshe nga ç’është tani. Në raport me të shkuarën ndryshim ka ndodhur në raport me pushtetin e gruas në familje dhe shoqëri, por jo në mbrojtjen e saj fizike dhe mendore. Përkundrazi, në këtë drejtim ka një keqzhvillim të theksuar, i cili edhe më i keq do të bëhet sa më shumë do të liberalizohet shoqëria dhe gruaja të përparojë, dhe kjo jo sepse gruaja duhet të mbetet e prapambetur që të mos vritet, por sepse burri duhet të mësojë vetëpërmbajtjen me patjetër.
Sa i përket të ardhmes së dhunës, logjika bazuar në faktet që shoh, më bën të mendoj që ajo vetëm se do të shtohet për aq kohë sa çoroditja shoqërore do të vijojë. Kultura e dhunës po na mësohet dhe imponohet nga ekrani. Fëmijët që të vegjël janë të çoroditur. Po shohim skena dhune mes vajzash që rrihen mes njëra-tjetrës. Kemi parë për raste përdhunimi dhe abuzimi seksual mbi vajza që mbahen në presion me video intime. Fëmijë të vegjël sillen si të rritur të çoroditur nga sa shohin në ekrane televizive dhe kompjuterike, ushtrojnë seksualitetin që në moshë para adoleshence, krijojnë varësi nga dobësitë e tyre. Të dhënat për përdorimin e drogës nga të rinjtë janë të frikshme. Këta fëmijë e adoleshentë për 10-15 vjet do të jenë të rritur.
Mendoj që do të mund të kishte një qetësim të situatës nëse do të kishte një përqendrim tek e mira, tek familja dhe tek e përbashkëta. Jo tek vendosja e vetes në qendër të një bote të vockël egoiste ku ushtron instinktet duke harruar që je njeri dhe jo kafshë. Jo tek jeta e shfrenuar seksuale që promovohet përmes ekraneve televizive dhe kompjuterike. Jo tek shfrytëzimi i personit tjetër si vegël dhe mostrajtimi si njeri. Jo tek mosrepektimi i tjetrit. Jo tek mospranimi i të drejtës për mendim ndryshe. Gjithashtu mendoj që do të kishte një qetësim të gjendjes sikur situata ekonomike, politike dhe shoqërore të ishte më e qetë dhe e begatë. Dhe së fundmi, por ndoshta e para për nga rëndësia, nëse në familjet tona Zoti do të ishte udhëheqësi i jetës shpirtërore.