• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIKA’E MADHE” E LSI-së:JO QEVERI TEKNIKE, POR QEVERI BESIMI!

April 3, 2017 by dgreca

  • META: JO QEVERI TEKNIKE, POR QEVERI E BESIMIT TE GJERE/
  • Kreu i LSI: Vendi ka nevojë për një qeveri të besimit që garanton zgjedhjet, por … edhe Rama mund ta fitojë besimin… !/
  • Partia e Metës hipotekon për Opozitën mandatet politike dhe shtetërore!…Mos valle Meta mendon se ne karriget qe mbajne minsitrat e tij te ulen ministrat e PD dhe ata te dirigjohen nga Rama?/

Kryetari i LSI, Ilir Meta tha në daljen e tij të pare pas darkës së pazareve, se vendi ka nevojë për një qeveri të besimit për të garantuar zgjedhjet e ardhshme. Në një dalje për mediat pas mbledhjes së kryesisë së LSI, Meta tha se forca e tij politike është gati të vërë në dispozicion të gjitha mandatet, por nga ana tjetër pranoi se aleanca PS-LSI do të vazhdojë. Ai u bashkua me opoziten ne alarmin e Cadres se Qeveria nuk gezon besimin e qytetareve. Politika”e madhe” e LSI tregon se kjo parti është edhe me qeverinë edhe me cadrën! Kryetari i kuvendit tha se ishte i gatshëm që ta dorëzojë mandatin e Kryetarllëkut të Kuvendit, edhe ate Minsitrit të Drejtësisë, dhe mandatet e tjerë. Realisht Meta dukej se notonte ende në mjegull, por duke besuar se Misioni Arvizu-Lu nuk ka përfunduar, pritet dhe takimi me Kryetarin e  Qeverisë.

Meta tha se LSI deklaron se vendi në këto momente ka nevojë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithëpranuara, e cila do të garantojë mos përfshirjen e administratës në zgjedhje dhe në veçanti policisë së shtetit.

Nga ana tjetër Meta, e la topin në fushën e Ramvs dhe Bashës. Konkretisht Meta tha para gazetarëve: “Rama dhe kreu i opozitës Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese. ?

Meta i shkeli syrin dhe aleatit të vogel, i treti -majtas,. Ai u shpreh:”Vlerësojmë iniciativën e kreut të PDIU Shpëtim Idrizit për nxitjen e zgjidhjes së krizës.”

Media shqiptare dhe studiot e Tiranës(dhe jo vetem ato” do të vazhdojnë të përtypin cimcakezin e Metes: “LSI vendos të vërë në dispozicion mandatet e ministrave si dhe të gjithë postet politike të përfaqësimit të saj, duke I hipotekuar ato për opozitën.”, por qe edhe Rama mund te japi garanci e besim se zgjedhjet do të jenë të lira!

Mos valle Meta mendon se ne karriget qe mbajne ministrat e tij(LSI) te ulen ministrat e PD dhe ata te dirigjohen nga Rama?

Ilir Meta dhe cerekqeveria e tij mund te luajne rol nese lene vendet bosh dhe Qeveria humbet besueshmerine dhe nuk merr votbesimin e Parlamentit.

Le të presim derisa kriza te gjeje zgjidhjen e plote!

***

TEKSTI I PLOTE I KREUT TE LSI DHE PYETJET E GAZETAREVE

Konferenca për shtyp e Kryetarit të LSI-së,Ilir Meta, pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së.

Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi analizoi me përgjegjësi të lartë situatën aktual politike që po kalon vendi, vlerëson për krizën politike dhe çështjen e zgjedhjeve se situata në politikë është tejet e tensionuar. Reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi janë të bllokuara. Ndërkohë që konstatojmë një rënie të dukshme të besimit të qytetarëve tek politika dhe institucionet.

Retorika politike, agresive, provokative dhe konfliktuale po dominon zhvillimet dhe sjelljen politike. Në këto kushte, është imperative dialogu urgjent dhe zgjidhja politike.

Çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura, të pa kontrolluara dhe me pasoja të paparashikueshme.

Vlerësojmë se Kryeministri Rama dhe Kryetari i Opozitës z. Basha, duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale.

Vlerësojmë iniciativën e z. Shpëtim Idrizi ditët e fundit si një përpjekje konkrete për fillimin e dialogut dhe si një nxitje për zgjidhjen e krizës.

LSI deklaron se vendi në këto momente ka nevojë në mënyrë të veçantë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithë-pranuara nga të gjithë, e cila do të garantojë mos-përfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe në veçanti të Policisë së Shtetit.

Garantimin e një lufte të ashpër dhe pa asnjë kompromis ndaj fenomenit të drogës.Dhe çdo përpjekje për financime kriminale dhe të paligjshme të zgjedhjeve.

Si edhe garantimin dhe realizimin e plotë, të thellë dhe transparent të procesit të dekriminalizimit.

Realizimi i reformës zgjedhore është po kështu një kusht i domosdoshëm dhe një detyrim ende i pa përmbushur dhe i pakapërcyeshëm si një garanci e pa tjetërsueshme për realizimin e zgjedhjeve me standarde më të larta, për realizimin e një gare zgjedhore me kushte të barabarta për të gjitha partitë.

Duke vlerësuar sa më lart, LSI, për këtë qëllim, vendos të vër në dispozicion të zgjidhjes politike në vend të gjitha mandatet e saj politike që nga mandati i Kryetarit të Kuvendit, mandatet e ministrave të saj, si edhe të gjithë postet politike të përfaqësimit të saj.

Lidhur me çështjen e koalicionit, LSI është e hapur ta afirmojë përzgjedhjet e ardhshme politike koalicionin me Partinë Socialiste bazuar në arritjet e deritanishme të koalicionit aktual, por edhe të reflektimit serioz për mënyrën e funksionimit të këtij koalicioni, si edhe analizës së objektivave të parealizuara ende.

Por nëse lidershipi i Partisë Socialiste, nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale dhe vullnet politik për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën, që ajo të jetë pjesë e procesit zgjedhor, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë, por as edhe një farse elektorale të mundshme.

LSI është e qartë dhe ka qenë gjithmonë e qartë që midis të majtës dhe të djathtës, zgjedh të majtën.

Midis zgjedhjeve demokratike dhe farsës elektorale pa asnjë diskutim zgjedh vetëm zgjedhjet demokratike.

Ashtu sikurse midis demokracisë dhe diktaturës, zgjedh vetëm demokracinë.

Midis kaosit dhe stabilitetit, zgjedh vetëm stabilitetin e vendit.

Ndaj çdo vazhdim e zhvillim i këtij konflikti që përshkallëzon krizën, jo vetëm që bllokon edhe reformën në drejtësi dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, por krijon edhe boshllëk të rrezikshëm institucional, pasi shumë prej institucioneve të drejtësisë, të cilat do të duhet të zëvendësohet nga institucionet e reja, po u vjen mbarimi i mandatit të tyre. Gjë që krijon jo vetëm një vakum dhe një boshllëk të jashtëzakonshëm institucional, por që krijon edhe rrezikun e deligjitimimit të gjithë institucioneve në vend dhe të gjithë sistemit demokratik të vendit tonë.

Ndaj, besojmë dhe shpresojmë në angazhimin e të gjithë faktorëve dhe aktorëve të tjerë, në veçanti të Kryeministri Rama dhe të Kryetarit të opozitës z. Basha për të gjetur sa më shpejt një zgjidhje që vendi të shkojë në mënyrë më të denjë drejt zgjedhjeve të qeta, të ndershme dhe demokratike si edhe të hedhë një hap të rëndësishëm përpara në forcimin e institucioneve, të besimit tek institucionet dhe t’i japë një hov cilësor të gjithë reformave, që presin qytetarët tanë, por që pret edhe momenti i çeljes së negociatave për në BE. Ky ishte qëndrimi i LSI-së.

Pyetje nga gazetarët:

 Z. Meta, çfarë nënkuptoni me qeveri të besimit. A është një formë e qeverisë teknike kjo?

Qeveri e besimit për ne nuk duhet parë si çështje forme, por duhet parë si çështje përmbajtjeje. Pra edhe kjo qeveri kështu siç është mund të jetë qeveri e besimit nëse jep garancitë e duhura dhe merr angazhimet e duhura për të realizuar ato objektiva që unë përmenda pak më parë.

Pra, të garantojë që administrata publike të mos jetë në presion për të bërë vota dhe as të mbledhë vota në mënyrë jodemokratike dhe të parregullt. Do të thotë që Policia e Shtetit, jo vetëm të jetë asnjanëse përsa i takon anës politike, por nuk mjafton kaq. Duhet të jetë tepër aktive në luftën kundër fenomenit të drogës dhe krimit të organizuar dhe rrezikut të financimit kriminal të zgjedhjeve, të blerjes së votave, e kështu me radhë.

Sigurisht edhe të gjitha garancitë e tjera që duhen në një vend demokratik. Ne si LSI vëmë në dispozicion të gjitha mandatet tona, mandatet e ministrave tanë, mandatin e Kryetarit të Kuvendit për një zgjidhje politike dhe kjo nuk do të thotë se kemi një formulë të caktuar apo të paragjykuar. Thjesht ne kemi dëshirë, kemi vullnet që t’u themi të gjithëve që duhet të reflektojmë sa më shpejt përpara se të kalojnë edhe disa afate të tjera, të cilat mund të fusin në një krizë akoma më të thellë dhe më të pamenaxhueshme se sa tani.

Meqë folët për afate z. Meta, a mendoni se ka kohë kjo qeveri, nëse mund të jetë edhe kjo qeveri, që deri më 18 qershor t’i japë të gjitha këto garanci që ju flisni që këto zgjedhjet të jenë me standarde, të lira dhe të gjithëpranuara?

Garancia e parë është ndryshimi i retorikës nga ana e qeverisë dhe drejtuesve të qeverisë mendoj unë. Nëse nuk mund të kritikoj – edhe mund ta kritikoj opozitën, por mund t’ia pranojmë apo tolerojmë retorikën e saj shpesh të papërgjegjshme – përsa i takon qeverisë dhe përfaqësuesve të saj, çdo retorikë konfliktuale në këtë drejtim përsa i takon raportit me zgjedhjet është e papranueshme, sepse dihet që përgjegjësitë kryesore në vend i ka mazhoranca, e ka qeveria.

Dhe nuk duhet vendosur opozita në ato kushte kur nuk ka se çfarë të humbasë dhe në kushtet të tilla mund të shkojë drejt veprimeve që nuk ndihmojnë as opozitën, as demokracinë dhe as vendin për të hedhur një hap përpara në forcimin e institucioneve dhe në besimin te zgjedhjet e lira.

Kemi parasysh që zgjedhjet nuk janë pronë as e pozitës, as e opozitës, zgjedhjet janë dhe duhet të jenë pronë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Është detyrimi ynë që t’u japim mundësi atyre të shkojnë të qetë dhe larg çdo presioni dhe imponimi jo demokratik. Në këtë mënyrë t’i japim legjitimitet qeverisë së ardhshme, t’i japim legjitimitet opozitës së ardhshme dhe të forcojmë të gjithë institucionet e vendit.

A mund të na e shpjegoni më qartë se çfarë kuptimi ka dorëzimi i mandateve?

Ne vëmë në dispozicion mandatet tona, që do të thotë më konkretisht: në rast se PD mendon se këto mandate janë të mjaftueshme që ajo të ketë një rol më ndikues në procesin e menaxhimi të zgjedhjeve për aq sa mund të ketë një rol qeveria apo një rol le të themi kontrollues apo balancues, ne këto mandate do t’i japim me shumë kënaqësi PD-së.

Do t’i bashkoni me opozitën?

Jo nuk do i bashkojmë me opozitën por në kushtet e mosbesimit të thellë që ka opozita ndaj kësaj qeveria ndoshta kjo do të ishte një mënyrë për t’i dhënë një lloj qetësie, sigurie dhe besimi se ajo mund të ketë një rol në këtë proces, duke filluar nga Ministria e Drejtësisë dhe ministritë e tjera, sipas vlerësimit tonë.

Qeveria e Besimit në zgjedhje e parashikon z. Rama si Kryeministër apo e përjashton atë?

Padyshim që e presupozon z. Rama por për këtë ai duhet të punojë që t’i japë besim opozitës për zgjedhje.

A jeni në komunikim me ndërkombëtarët për këtë lëvizje, pra për Qeverinë e Besimit?

Ky është një qëndrim ekskluziv i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për sa i takon rolit të ndërkombëtarëve, duke pasur respektin më të madh për ta, unë mendoj që asnjë qytetar i Shqipërisë nuk duhet të ketë iluzion se ndërkombëtarët do të mund të angazhohen këtu pa dalë tymi lart. Dhe tymi lart del kur fillon flaka poshtë. Kështu që mos prisni Vranickin pa ndodhur një konflikt serioz dhe tronditës për ne dhe për të tjerët.

Ju e dini që komuniteti ndërkombëtar ka halle shumë më të mëdha, edhe në vendet fqinje me ne por edhe në vende të tjera jo larg nga edhe kudo tjetër. Kjo është një çështje dhe një përgjegjësi e jona. Ky është vendi ynë, këta janë qytetarët tanë. Ata duet të kenë mundësi të shkojnë të votojnë në një mënyrë mjaft demokratike sepse u bënë 27 vite dhe ne vazhdojmë historinë e zgjedhjeve që do të vidhen, që do të blihen, që do të manipulohen. Dhe ky është një turp i madh për një vend që pretendon të hapë negociatat me Bashkimin Evropian, për një vend që prej vitesh është anëtar i NATO-s. Kështu që është detyra jonë të gjejmë zgjidhje, të japim zgjidhje.

A ia dhatë këto qëndrime z. Rama në darkën e mbrëmshme?

Darka ka qenë informale. Ne shkëmbejmë mendime vazhdimisht për çështje të ndryshme. Këto janë qëndrime ekskluzive të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Keni kaq kohë që na çmendet me pyetjet tuaja se çfarë mendojmë ne për zgjedhje apo se çfarë mendojmë ne për koalicionet apo jo?

Këto janë qëndrime ekskluzive që vendosin fatin e Qeverisë Rama apo jo?

Këto nuk kanë të bëjnë me fatin e Qeverisë Rama apo Qeverisë Rama-Meta. Këto kanë të bëjnë me fatet e vendit.

A keni përcaktuar afate z. Meta për qëndrimet që do të mbajë opozita dhe z. Rama? Deri kur do t’i prisni këto qëndrime?

Ne shpresojmë dhe jemi në kohë. Sepse afatet e skadencave për regjistrimin e partive dhe të koalicioneve kanë ende kohë. Ne kemi këtë qëndrim sot dhe e bëjmë publik sot sepse nuk duam që të shtyhet çdo lloj zgjidhje në afatet ekstreme sepse ato janë gjithmonë zgjidhje të deformuara, të cilat në vend që të sjellin standarde më të larta thjesht reduktojnë pasojat e krizave që përshkallëzohen. Dhe ne besojmë se duhet të nxjerrim të gjithë mësime nga ato që kanë ndodhur më përpara në vendin tonë. Dhe në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë demokratike, në mënyrë racionale të japim një zgjidhje që t’i japim mundësinë shqiptarëve të votojnë të lirë e të qetë, dhe t’u japim qetësi biznesit, sipërmarrjes vendase, investitorëve të huaj, partnerëve ndërkombëtarë, fqinjëve që Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend edhe më demokratik, edhe me i stabilizuar dhe padyshim me institucione edhe më legjitime.

Dhe nëse z. Rama dhe z. Basha nuk tërhiqen brenda këtyre afateve që ju thoni, çfarë do bëjë LSI-a?

Unë nuk dua të paragjykoj. Besoj se deklarata jonë i thotë të gjitha. Unë besoj se të gjithë e duan këtë vend, besoj se të gjithë e duan demokracinë pavarësisht nga vendimet dhe interesat ndonjëherë të ndryshme, por çështja e zgjedhjeve është një çështje që u takon të gjithë shqiptarëve, nuk është një çështje që i takon as vetëm mazhorancës dhe as vetëm opozitës dhe në këtë drejtim ne duhet të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të shkojnë të qetë në një klimë konstruktive dhe ne të hedhim një hap të madh përpara.

A bëjnë shumicë mandatet tuaja me opozitën, meqenëse ia latë në dispozicion?

Ilir Meta: Z. Luan Rama mund të japë një përgjigje…

Luan Rama:Nuk bëhet fjala për mandatet e përfaqësimit në Parlament. Kryetari i LSI-së e bëri të qartë: Ne vëmë në dispozicion të zgjidhjes politike mandatin e kryetarit të Kuvendit, mandatet e ministrave të LSI-së dhe të përfaqësuesve të tjerë politikë në ekzekutiv.

Që do të thotë se nëse përfaqësuesit e opozitës mendojnë se me këtë ofertë tonën, kanë një mundësi rikthimin në institucione për të kontribuar për zgjedhjet, ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë në emër të interesave të vendit.

Kjo është në thelbin e qëndrimit për mandatet që vë në dispozicion LSI për të zgjidhur këtë situatë politike absurde për shkak të një konflikti politik që vazhdon gjithashtu në mënyrë absurde.

Nëse Kryeministri Rama nuk do ta pranojë ofertën e LSI-së, z. Meta, çfarë do të ndodhë, sepse ai dhe z. Tahiri dhe z. Ruçi kanë qenë të vendosur që më 18 qershor do të ketë zgjedhje, me apo pa koalicion me LSI-në?

Sikurse e tha z. Luan Rama, ne i vëmë këto mandate në dispozicion dhe ky është një akt shumë i sinqertë për të dhënë mesazhin që secili duhet të lërë diçka për këtë zgjidhje politike në mënyrë që shqiptarët të fitojnë qetësinë që u duhet, normalitetin që u duhet, që demokracia të mos hyjë në një qorrsokak pa kthim, por të hedh një hap madhor përpara, historik që ta mbyllim njëherë e mirë këtë çështjen e zgjedhjeve të kontestuara, të diskutueshme, sepse është absurde të flasim për reforma të tjera kur ne nuk garantojmë dot dhe nuk kemi vullnetin dhe nuk bëjmë sakrificën më të vogël për zgjedhje normale dhe demokratike në vendin tonë. Pra, ky është mesazhi besoj.

Ka ndonjë plan qëndrimi juaj për shtyrjen e zgjedhjeve?

Unë besoj se ky qëndrim dhe kjo deklaratë është e mjaftueshme për të sqaruar qëndrimin e LSI-së, përgjegjshmërinë e LSI dhe ne shpresojmë që të gjithë ta lexojnë këtë në mënyrë realiste dhe të përgjegjshme dhe secili të reflektojë që të arrijmë qëllimin e përbashkët që vendi ynë të tregojë që është një vend që meriton të çelë negociatat me Bashkimin Evropian dhe këtë nuk mund ta meritojë kurrsesi në rast se nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje normale, zgjedhje të barabarta, zgjedhje demokratike. Dhe kjo është një përgjegjësi e maxhorancës, është një përgjegjësi edhe e opozitës. Duhet të gjithë të përgatiten për të bërë lëshimet e duhura për këtë interes madhor për gjithë vendin.

Duke qenë se ju i bëtë ftesë të gjitha palëve, duket sikur roli juaj është si ai i një Presidenti të Republikës. A e synoni ju këtë dhe a është diskutuar me kryeministrin Rama për këtë çështje?

Absolutisht, ne jemi këtu në emër të LSI-së. Keni kaq kohë që ta prisni dhe na kërkoni t’ju japim përgjigje. Besoj se përgjigjet tona janë shumë të qarta edhe për krizën edhe për çështjen e koalicioneve. Faleminderit.

Filed Under: Politike Tagged With: LSI, Politika e madhe, Qeveri e besimit

Kupolat nepotike të LSI – Rasti Balili dhe rasti Xhixho

February 6, 2017 by dgreca

 Nga Elida Buçpapaj/

Në administratën shqiptare nuk mund të punojë asnjë shqiptar nëse nuk punësohet nga partitë kryesore të Shqipërisë që janë PS, PD dhe LSI.Po kështu edhe në media.Në mediat shqiptare nuk mund të kontribuojë asnjë gazetar nëse nuk i shërben në mënyrë klienteliste një partie apo një politikani të fuqishëm.

Politika shqiptare promovon nepotizmin dhe klinetelizmin duke e minuar sistemin. Prandaj sistemi është kalbur.

Nepotizmi është favorizimi i familjarëve që dominojnë politikën dhe pushtetin duke e kapur atë për gryke për ta mbytur.Nepotizmin dhe klientelizimin në mënyrën më të përkryer midis partive shqiptare e ka ngritur në sistem LSI, por natyrisht që nepotizmin e promovojnë masivisht edhe PS e PD.

Rasti Balili

Disa ditë përpara se të jepte dorëheqjen, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani lëshoi deklaratën rreth klanit të Klement Balili, që sot njihet me nofkën si “Escobari i Ballkanit”.

Ylli Manjani tek Opinioni i Blendi Fevziut tha shprehimisht se: 1.”Vëllai i Klement Balilit ka punuar për LSI në fushatën e vitit 2013.

2.”Nipi i Klement Balilit është kryetari i Bashkisë së Delvinës, i propozuar nga LSI”. Por kjo s’ka të bëj fare, secili e ka kokën në shpatulla të veta” tha Manjani.

3.Manjani shtoi se Escobari i Ballkanit, “Klement Balili nuk ka qenë sponsor i LSI”!

Ndërkohë  Klement Balili ishte pronar dhe biznesmen i fuqishëm me prona dhe pasuri:

1. Klement Balili e kishte pronën e tij kompleksin turistik “Santa Quaranta”, për të cilin Manjani tha se ministrat e PS vinin këtu me dashnoret e tyre. Kush ia kishte treguar Manjanit këtë fakt ?

2. Klement Balili ishte pronar i hotel Olivias në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës.

3.Klement Balili, së bashku me vëllezërit e tij ishte pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në qarkun e Vlorës.

Sipas pohimit të vetë Manjanit, i nipi dhe i vëllai i Balilit kanë dhënë kontribute tek LSI.

Po përse të mos ketë dhënë kontribute edhe Klement Balili, i cili del se pas zgjedhjeve të 2013 emërohet Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës.

A nuk duket sikur emërimi  të jetë direkt shpërblim i LSI për kontributet e tij!

Si Escobar i Ballkanit a nuk i interesonte Klement Balilit, të emërohej Drejtor i Transporteve në qytetin e Sarandës, një post i tillë, si detyrë strategjike dhe logjistike për punët e tij të pista ?

E përse e përjashton Manjani mundësinë që Klement Balili të ketë kontribuar për arkën e LSI, kur ai ishte edhe biznesmen edhe boss i drogës dhe pare të pista kishte me miliona ?

Po si është e mundur që LSI e emëron Klement Balilin Drejtor të Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës, kur ky person ka qenë me precedent penal dhe sipas skedës personale të tij të botuar në shtypin shqiptar, rezulton që në vitin 2006 Klement Balili të jetë arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë që u finalizua me prangosjen e disa personave mes të cilëve edhe zyrtarë shtetëror.

 

Rasti i Ambasadores Filloreta Kodra

Ka të paktën dy vjet që në shtypin shqiptar Ambasadorja e Misionit Shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë Filloreta Kodra denoncohet  për shkelje ligjore dhe për trajtim të privilegjuar ndaj një diplomate me emrin Dorina Xhixho, që është Sekretare e Dytë në Mision.

Nuk ka patur asnjë reagim nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përkundrazi kjo ministri me heshtjen e saj është bërë pjesë e këtyre shkeljeve.

Filloreta Kodra ka qenë nënkryetare e LSI, nënministre etj, pra një nga figurat më përfaqësuese të kësaj partie.

Filloreta Kodra është emëruar në postin e Ambasadores të Misionit Shqiptar pranë OKB-së nga LSI që prej kohës kur LSI ishte në aleancë me PD.

Zonjës Filloreta Kodra i ka mbaruar mandati me kohë, por ajo vijon detyrën e saj.

Për një kohë të gjatë ajo kishte punësuar si sekretar/financier edhe bashkëshortin e saj, çka përbënte konflikt të hapur interesi.

A nuk i di organikat e ambasadave Ministria jonë e Jashtëme. Natyrisht që i di!

Sa për shkeljen e mandateve është një shfaqje rutinë e tre partive kryesore, PS, LSI dhe PD.

Diplomatë të emëruar nga politika pa asnjë meritë dhe pa asnjë vlerë qendrojnë për disa mandate, duke e mjeruar dhe degraduar përfundimisht diplomacinë shqiptare.

 

Rasti Xhixho

Dorina Xhixho, Sekretarja e Dytë e Misionit Shqiptar pranë OKB, që paçka se ka një rang jodomethënës, trajtohet nga ambasadorja Kodra sikur të jetë zvAmbasadore e këtij Misioni, kjo sipas dëshmisë të disa diplomatëve nga ky mision.

Dorina Xhixho, është 33 vjeçare. Ajo është e emëruar nga LSI, përpara 8 vitesh. Pra, nëse mandatet në Misionin shqiptar janë 3 vjeçare, ajo është në mandatin e saj të tretë.

Nuk ka patur asnjë kontribut. Është emëruar në detyrën e diplomates kur ishte 24 vjeçare dhe tani 33 vjeçare vijon të jetë Sekretare e dytë e këtij misioni.

Trajtimi special nga ana e Ambasadores Filloreta Kodra, që tek Dorina Xhixho gjen militanten e LSI ka shkaktuar revolta tek diplomatët e këtij misioni. Por rezultati ka qenë skandaloz, sepse diplomatët që kanë ngritur krye janë dërguar pako postale në Tiranë, ndërsa Dorina Xhixho vijon të ndihet si Nr.2 i  Misionit shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë.

Por kush është Dorina Xhixho?

Një simpatizante, militante apo anëtare e thjeshtë e LSI ?

Natyrisht që jo!

Ajo është pjesë e kupolës nepotike që ka ngritur politika shqiptare.

E motra e Dorina Xhixhos është Erisa Xhixho.

Erisa Xhixho ka qenë Kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe prej vitit 2012 është Kryetare e Komitetit Drejtues të LSI, pra eksponente e LSI. Prej shtatorit të vitit 2014 Erisa Xhixho është emëruar Zv. Ministre e Integrimit Europian.

Por nuk mbaron këtu.

I jati i Dorina Xhixhos dhe Erisa Xhixhos është Pirro Xhixho.

Pirro Xhixho është zyrtar i lartë në shtetin shqiptar.

Ai është kreu i AKEP, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare i emëruar nga LSI.

Ky post votohet në parlament dhe ka kaluar me 79 vota pro, pra me votot e PS dhe LSI. Pirro Xhixho e ka mbajtur këtë post të lartë prej kohës kur LSI ishte në mandat qeverisës me PD. Me largimin nga koalicioni, PD e shkarkoi Pirro Xhixhon, por me kalimin e LSI në koalicion me PS, Pirro Xhixho e rimerr sikur ta ketë me tapi përsëri këtë post të lartë shtetëror.

A duhet të funksionojë kështu shteti, që bijtë, nipat dhe etërit të marrin në dorë frenat e shtetit ?

Partitë shqiptare, së bashku me në krye LSI, PS dhe PD e kanë ngritur nepotizmin në sistem dhe prandaj e kanë kthyer sistemin në kalbësirë.

A është nepotizmi dhe shërbimi klientelist shprehje e korrupsionit?

Po përse Prokurori i Përgjithshëm i kërkon të korruptuarit dhe nuk i gjen, kur i ka të gjithë përpara sysh.

Apo se edhe ai vetë është pjellë e këtij sistemi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, KUPOLA -, LSI

Çështje grupimesh

October 3, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

Në emër të egos, të më shkojë e imja. Ne sot nuk e besojmë me njëri­tjetrin. Nuk njohim dialogun dhe ndaj kudo ka dhunë. Lajme të natyrës bujë. Për rrjedhojë grupime. Gjysma e socialistëve janë tërësisht të heshtur. Të pa punë. Të qartë tashmë se sa të kapur janë nga LSI. Gjysma tjetër kujdeset për shëndetin e LSI­s, për dietën e Metës. Dhe luten në heshtje të mos u iki Ilir Meta.

Pasi milioni i votave, nuk është, nuk paska qënë aset i tyre tërësisht. Pavarsisht idealit, gangrena e interesit bluan si mola. Kështu ata ndihen të përdoruar. Të pushtuar. Kështu në qëndër të vëmendjes kanë përkujdesjen të mos i prishin qejfin Ilir Metës, se sa të ndreqin popullin. Pra sfidën që u ka caktuar koha. Ose një pjesë e tyre e kalojnë ditën të zbulojnë nëse ua ka futur apo jo LSI e qytetit ku jetojnë, emrin në të kuq? Dhe tregohen delikatisht të kujdesshëm. Nuk duan t’u prishin qejfin. Nëse ua prishin qejfin, ata nuk e kanë të vështirë të bëjnë aleancë me pëdëistët. Sapo e bën një të tillë në një provincë me emrin Përrenjas.

Nga ana tjetër edhe demokratët ndodhen të dyzuar dhe të pashpresë. Madje të ndarë. Njëri grup rend pas statuve të Berishës si opozitar i fortë. Dhe jetojnë me emocionet e së kaluarës. Duke u shprehur vazhdimisht me atë mendësinë, që, ai që më bëri mirë mua, është njësh. Ndërkohë mallkojnë veten pse Berisha i besoi partinë Bashës.

Ndërsa tjetri grup pas Bashës që po përpiqet të luaj me versionin që i irriton shqiptarët demokratë, apo dhe shqiptarët socialistë, një aleancë të mundshme PS dhe PD. Si fundi i botës. Kaktaklizëm e egos të më shkojë e imja. Me atë që çuditërisht po riciklon në postet drejtuese, humbësit. Dhe aludon me aleanca. Por as kjo nuk ka për të ndodhur.

Dhe grupimet vazhdojnë me LSI­n. Ata që më mire se kushdo tjetër, e dine që i bëjnë kot shantazhet me video seksi. Destabilizim kombëtar etj. Janë shashka. Por është strategji e tyre.

Kështu i forcojnë imazhin e dobësuar liderit të tyre. LSI i ka kapur në vend të keq të dya partitë. Sistemi zgjedhor shqiptar. Dhe ata prapë bëjnë shantazhe, me aleanca të Berishës apo çamët etj. Edhe pse e dine mire që në 2017, Meta do të jetë kryeministër i Shqipërisë.

Por thjesht, vesi i njerëzve që duan t’u shkojë e tyrja. Qoftë kjo edhe me dhunë. Madje nuk kursejnë as moçalorin e tyre. Atë që u hapi rrugën aleancave të pa konceptueshme në realitetin politik shqiptar, Dritan Priftin. Atë që u mësoi se si të votoheshin në masë me metodat e shpërblimit. Ndaj sot ata numërojnë jo pak por njëqind e shtadhjetëmijë vota. Vetëm strategjia e moçalorit. Strategjia që quhet zotësi shqiptare.

Dhe me që ra fjala tek moçali. Frymëzimin LSI e merr andej. Nga begatia e hapësirës së moçalit. Simulon me të madhe zhurme fermerët, fasonët. Madje shkojnë e bëjnë foto mes specave dhe shalqinjëve, domateve në sera, trangujve me shumicë. Buzë lagunës asaj breroreje të artë që deri dje e kishim gulagun e krenarisë të shfrytëzimit të njëriut prej njeriut. Dhe hambarin e Shqipërisë njekohësisht.

Dhe me që ra fjala tek moçali, moçalorët e mire. U kanë bërë vend malorëve të fasonistit. Jetojnë atje akoma dhe prej maleve mbajnë vetëm atë kënaqësinë e traditës. Punojnë me moçalorët, kanë krushqi, nipër e mbesa. Dhe i çmojnë. Mirëpo fasonistit i pëlqen akoma vesi i kohës se denigrimit krahinor.

Megjithatë Meta ka akoma video. Kanë 90% e lësëistave për njëri­tjetrin. Por e tillë është koha shqiptare. Koha e grupime që nuk kanë asgjë mangut nga ato të Sirisë së Bashar al Assad­it.

Ndaj dhe shqiptarët e tjerë vetëm ikin.Po i referohen së fundi edhe fatit në Llotarinë Amerikane. Eshtë muaji tetor, ditët për të fituar. Grupimi tjetër është shtypi, që mezi pret ndonjë statut fb. Të ndonjë personi publik. A ku di unë se çfarë tjetër… Të kënaqi lexuesit duke masakruar qoftë dhe një të pakët zë. Nga ato që përpiqet paksa…, butësisht, me delikatesë. Shumë femërore, prej diçkaje intelektuale, duke pranuar realitetin, atë që edhe të dështosh është po aq njerëzore sa të fitosh. Si është rasti konkret i një mjeke në Tiranë me emrin Anika Dokle. Shtypi kënaqet kur grupimet nxjerrin nga gjirizet e salcës së barkut, shfrymën me hudhra e raki, xaxiq, apo turshi…, të thesareve nga miniera e sharjeve. Nga ndjekësit e sojit një grupim më vete. Thjesht për inat. Pse të shkojë e saja dhe jo e imja, e jona e tyrja etj.

Dhe grupimi tjetër…,ai që i ka mbaruar të gjitha hallet…, ai më patrioti…, ai që po pret të shqyej Serbinë e shqyer më 8 tetor 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çështje grupimesh, Ilir Levonja, Ilir Meta, LSI, socialistet

Hapja e dosjeve-LSI mbështet nismën e Avokatit të Popullit

March 1, 2014 by dgreca

TIRANE, 1 Mars- Levizja Socialiste për Integrim shprehet në mbështetje të nismës për hapjen e dosjeve, e inicuar së fundi nga Avokati i Popullit.Në një prononcim për mediat, deputeti i LSI-së, Luan Rama, thekson se nisma, e bazuar edhe në modelin gjerman, do të ketë përkrahjen e kësaj force politike në sallën e parlamentit.

“Kjo është një çështje që për fat të keq ka ardhur dhe riardhur disa herë në axhendat politike dhe në axhendat e Kuvendit. Por, fakti që ende vazhdon të jetë ky problem do të thotë që nuk ka patur një trajtim shterues edhe të çeshtjes që ka të bëjë me lustracionin. Kjo jo thjesht dhe vetëm me ata që kanë qenë bashkëpunetorë të ish-Sigurimit të Shtetit, por unë do ta zgjeroja gamën e përfshirjes në fokusin e këtij ligji për të gjithë ata që kanë probleme me institucionet e ligjit”, shprehet deputeti Rama.
Ai pohon se ende nuk e njeh në detaje iniciativën më të fundit per kete ceshtje, por thote Rama, parimisht kam insistuar dhe jam shprehur për një trajtim ligjor dhe për penalitete për të gjithë ata që kanë mëkate nga e shkuara e largët apo nga e shkuara e afërt. Kjo në funksion të krijimit të një standardi dhe modeli jo vetëm për politikebërësit, por për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, të denjë për një administratë europiane”, shprehet   deputeti i LSI-se, Luan Rama.
Pak ditë më parë Avokati i Popullit, Igli Totozani depozitoi një nismë në Kuvend, ku propozon  miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve.(Sipas ATSH-se)

 

Filed Under: Politike Tagged With: hapja e dosjeve, LSI, Luan Rama, po LSI

QEVERIA “RAMA 1” ME 19 MINISTRA,LSI ME PESE MINISTRA- BERISHA IRONIZON KABINETIN E ÇIMIT

July 31, 2013 by dgreca

LSI me pesë ministra, demokristianët , pa post ministri, Ngjela nuk pranon postin e propozuar…donte ministër Drejtësie/

 TIRANE- Ashtu sic njoftoi qe paraditen e sotme e perditshmja “Gazeta Shqiptare”, kryeministri i zgjedhur Edi Rama shpalli sot emrat e kabinetit qeverisës që do punojnë bashkë me të për të qeverisur vendin në mandatin 4-vjecar. Risitë e kësaj qeverie, sipas Ramës është perberja e kabinetit me gra dhe 90% emra të rinj, të padëgjuar më parë në qeveri, si dhe një përfaqësim nga shoqëria civile.
Kështu 5 poste ministrash i ka marrë LSI, një post ministri i përket Shoqërisë Sivile dhe pjesa tjetër janë pjesë e PS-së, shumica deputetë të rinj në moshë dhe në poste ministrore.
Jashte marrjes se posteve ministrore kane mbetur PBDNJ, partia e avokat Ngjeles, e Mark Frrokut qe ka nje mandat deputeti ne Shkoder, aleate me PS. Perfshirja apo mosperfshirja e aleateve ne poste ministrore e pati nje shpjegim sot nga Rama ne daljen e nje konference per shtyp ku shpalli me emra perberjen e qeverise se re.

STRUKTURA E QEVERISE “RAMA” (2013 – 2017)
Kryeministri Edi Rama
Zv/Kryeministri Niko Peleshi

MINISTRITE:
1. Ministria e Financave Shkëlqim Cani
2. Ministria e Brendshme Saimir Tahiri
3. Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli
4. Ministria e Jashtme Ditmir Bushati
5. Ministria e Integrimit Europian Klajda Gjosha
6. Ministria e Drejtësisë Nasip Naço
7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj
8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri
9. Ministria e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni
10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto
11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti
12. Ministria e Shëndetësisë Ilir Beqja
13. Ministria e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolli
14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj
15. Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro
16. Ministria e Mjedisit Lefter Koka
MINISTRAT E SHTETIT:
17. Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito
18. Ministër për Çështjet Vendore Blend Cuci
19. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi

Ne daljen e tij ne konferencen per shtyp sot ne oren 11:00, Rama tha se cdo ministër i kësaj qeverie, do punojë me nder dhe duar të pastra.
“Qeveria e re do jetë mishërim i pushtetit strategjik të aleancës sonë ASHE, vizionit tonë të përbashkët politik për t’i dhënë më shumë hapësirë grave dhe të rinjve, përfshirje shoqërise civile, për të ecur më shpejt në rrugën e Rilindjes Kombëtare”, tha Rama në nisje te konferences.
Ndarja e posteve ministrore dhe strukturimit të qeverisë së re, sipas Ramës është fryt i një bashkëpunimi me aleatin e tij strategjik, Ilir Meta. Qeveria e re, sic tha më tej Rama, do jetë një tryezë pune me njerëz të palodhur.
“Qeveria do jetë mishërim i përgjegjësisë për ndarjen sa më të mirë të detyrave brenda shumicës qeverisëse, është fryt i një dialogu strategjik me partnerin e LSI Ilir Meta. Do punojmë bashkë, me durim si një skuadër.
Ajo që bie në sy është se postet ministrore që do të mbajë PS janë me njerëz të rinj në moshë dhe që marrin për herë të parë detyrë ministrore. Ndërkaq mungojnë emra të deputetëve socialistë që kanë mbajtur para 8 vitesh emra të posteve ministrore.
“Skuader me 90% te njerezve qe ulen per here te pare dhe me shume gra se ckane pasur qeverite e vendit ne 20 vjet. Keto jane shprehja kuptimplote e diktatit te revolucionit te votes ne 23 qershor. Do te shihni gra ne vende qe ne nje shekull shtet kane qene me tapi vetem per burra. Gjithcka eshte e menduar me kujdesin me te madh per te pasur ministra qe t’i sherbejne popullit dhe do te punojne dite nate me axhenden e qeverise se re per te ecuar me shpejt ne rrugen e rilindjes shqiptare”- shpjegoi Rama perberjen e qeverise se re.
Qeverisja do të mishërojë vlerat e punës në skuadër, tha më tej Rama. “Nga dita e parë nuk na votuan për të ndërruar një kryeministër dhe një qeveri me një tjetër, na votuan për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë”, tha ai.
Sic sqaroi Rama, nje pjese e kabinetit perbehet nga ministra qe kane lene mandatin e deputetit kurse nje pjese do e gezojne dhe postin ministror dhe mandatin e deputetit.
“Qeveria e re do te kete vetem nje pjese pa mandat deputeti, ndersa pjesen tjeter me mandatin e 23 qershorit ne Kuvend. Ajo eshte fryt i nje dialogu intensiv me partnerin strategjik, kreun e LSI qe dua ta falenderoj per frymen konstruktive per formimin e kabinetit te ri qeveritar”- tha Rama gjate nje konference per shtyp.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama më pas u pyet nga gazetarët mbi cështje të ndryshme që kishin të bënin me qeverisjen e ardhshme.
Cfarë niveli përgjegjësie do ketë avokat Spartak Ngjela?
Avokati Ngjela e ka marrë përgjegjësinë kohë më përpara dhe ajo është një përgjegjësi e patjetërsueshme dhe pse me keqardhje them se nuk kemi rënë dakort për pozicionin.
Ju keni deklaruar se keni një marrëveshje me të.
Kemi pasur marrëveshje, dhe ne ia kemi propozuar dhe ai e ka refuzuar me lartësinë që e karakterizon.
A mund ta dimë se cfarë posti i keni propozuar?
Të mos kalojmë në kuadër të thashethemeve kalojmë tek pyetja tjetër.
Po ju nuk e krijuat një ministri Emigracioni ashtu sic e premtuat?
Nuk kam bërë premtim për ministri Emigracioni mbase e ngatërroni me partinë came.
Cili do jetë kriteri themelor i qeverisjes suaj? Mos keni shpërfillur aleatët?
Kriteri themelor do të jetë ai që thashë me nder e duar të pastra në nder të popullit shqiptar. Dua t’ju siguroj se me Vangjel Dulen kemi në sintoni për të vazhduar bashkëpunimin dhe PBDNJ do jetë partner në mirëqeverisje.
Kemi çmuar se barra e mandatit të 23 qershorit është një barrë që ia ka dhënë PS dhe LSI për ta cuar së bashku dhe për ta cuar së bashku në drejtim të BE. Nuk është shpërfillje ndaj aleateve por dhe përgjegjësi e imja si kryetar i kësaj mazhorance.
Kreu i ri i PD ka kërkuar transparencë për zgjedhjet. Si i përgjigjeni?
Ne kur ishim në opozitë kemi bërë një luftë madhore ti sigurojmë opozitës sot atë që opozita e djeshme nuk e pati dje. Hap kutitë ka qene deviza e luftës sonë dhe u hapën përmes atij institucioni të KQZ-së që ne na e privoi. Por ne nuk do ia privojmë asnjë të drejtë opozitës.
Kryeministri ende në detyrë poston shpesh në Facebook, ku dhe mund ta lexoni, dhe kohët e fundit publikoi një listë me premtime tuaja të pambajtura
Unë nuk e lexoj kryeministrin në detyrë që të jem i sinqertë me ju, por dëgjoj se ka një listë me premtime të pambajtura nga qeveria që nuk ka marrë ende detyrën.
Kjo e ka një shpjegim. Ata nuk kanë marrë ende veten nga humbja ndërsa ne ende nuk kemi marrë detyrën. Nuk tërhiqemi nga premtimet që kemi dhënë.

 BERISHA IRONIZON KABINETIN

 Kryeministri ende në detyrë Sali Berisha ironizoi përbërjen e kabinetit të ri qeveritar që u prezantua sot nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama.
Teksa Rama bënte prezantimin gjatë një konference për mediat, Berisha foli nga mbledhja e qeverisë.
“Në vendin tënd ulet famozi Ilir Beqja. Beqja, për të çuar përpara mashtrimet antiglobaliste”- i eshte drejtuar Berisha ministrit aktual të Shëndetësisë, Halim Kosova.
“Nuk më takon mua të komentoj kabinetin e ri, ai flet vetë”- ka thene Berisha, duke shtuar se ‘në vend të Bodes ulet Cimi’. Duke pasur parasysh ketu, Shkëlqim Canin.
Berisha ka përgëzuar vetëm praninë e pjesëmarrjes së grave në qeverisje.
“Të themi atë që është, asgjë të re nga fronti i 1 prillit. Prania e zonjave në qeveri, hap pozitiv. Të tjerat, shif e shkruaj”.(kortezi Balkanweb)

Filed Under: Kronike Tagged With: 19 ministri, 5 ministra, LSI, Qeveria Rama

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT