• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lufta e Ftohtë prej Berlinit zhvendoset në Mitrovicën e Kosovës (1999-2019)

February 20, 2019 by dgreca

1-Mehdi_Hyseni

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI/

 Siç kemi mësar nga historia e marrëdhënieve politike ndërkombëtare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Lufta e ftohtë pati filluar me krizën e Berlinit më 1948 ndërmjet aleatëve perëndimorë (Amerika, Britania e Madhe dhe Franca) dhe BRSS-së pas okupimit të Gjermanisë më 1945, duke qenë se aleatët perëndimorë  bashkuan tri zonat e tyre okupuese në një zonë të përbashkët, me qëllim që  të pengohej depërtimi i ideologjisë komuniste të Bashkimit Sovjetik në pjesën perëndimore të Gjermanisë.

Mirëpo, Stalini në shenjë revolte dhe pakënqësie pati bllokuar këtë zonë të njësuar nga aleatët perëndimorë, duke ua mbyllur të gjitha rrugët tokësore dhe vijat hekurudhore të transportimit të mallrave dhe të ushqimeve të ndryshme për furnizimin e  popullsisë gjermane. Megjithatë, aleatët perëndimorë Amerika, Britania e Madhe dhe Franca) ia arritën që  përmes vijës ajrore ta pajisnin popullin me artikuj dhe me mallra të nevojshëm jetësorë.

Një bllokadë e tillë e Berlinit perëndimor të Gjermanisë nga ana e BRSS-së, mëpastaj solli ndarjen e  Gjermnaisë në dy pjesë: Republika Federale Gjermane Perëndimore (1949) dhe Republika Gjermane Demokratike Lindore. Me këtë rast, për shkak të antagonizmave dhe të sferave ndikuese të interesit perëndimor dhe atij lindor, krijohen dy blloqe: Blloku Perëndimor me Amerikën në krye dhe Blloku Lindor me BRSS-në në krye. Kjo krizë disavjeçare  e luftës së ftohtë (1945-1949), së pari çoi në formimin e Aleancës së Atlantikut Verior (NATO) më 1949 dhe më pas si kundërpërgjigje aleancës perëndimore me Amerikën në krye, Bashkimi Sovjetik formoi Traktatin e Varshavës më 1955. Kjo luftë e ftohtë mdis dy superfuqive botërore (SHBA dhe BRSS) zgjati jo më pak se 41 vjet derisa  u nënshkrua Marrëveshja historike Ronald Regan –Mihail Gorbaçov në Rejkjavik të Islandës (12  tetor 1986), e cila garantoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, më 1989, kur edhe u shemb Muri famëkeq i Berlinit (1961), me ç’rast u bashkuan dy  gjermanitë. Ky ishte epilogu i luftës së ftohtë  të sistemit bipolar të marrëdhënieve ndërkombëtare, cili filloi  dhe përfundoi në Berlin të Gjermanisë.

Mirëpo, fatkeqësisht , kaptina e dytë e kësaj lufte të ftohtë filloi në Beograd më 1990, kur Serbia, duke mos njohur Rendin e Ri Botëror (1989) vazhdoi luftën e ftohtë me mjete të nxehta luftarake, duke kryer 3 agresione dhe 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999). Si rrjedhojë e kësaj lufte gjeopolitike të pushtimit të territoreve të këtyre 3 vendeve të theksuara, edhe pse me vonesë të madhe, bashkësia ndërkombëtare me SHBA-në krye e bombardoi të ashtuquajturën Jugosllavi Federale- Serbia+ Mali i Zi)  jo më pak se 78 ditë, duke përdorur forcat e NATO-s (24 mars – 10 qershor 1999). Kjo ndërhyrje e ligjshme e NATO-s e detyroi Serbinë e Slobodan Milosheviqit, që të tërhiqte forcat e saj pushtuese militare, paramilitare dhe policore nga Kosova shqiptare.

Mirëpo, pas vendosjes së forcave ndërkombëtare paqësore të OKB-së (UNMIK) dhe KFOR në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, Beogradi filloi me luftën e ftohtë, duke dërguar fshehurazi  në Kosovën veriore njësite të ndryshme paramilitare dhe të sigurisë policore e ushtarake të të pauniformuar, me qëllim që të formonte pushtetin paralel serb përballë institucioneve shtetërore të Kosovës. 

Edhe pas 3 luftërave gjenocidale, Serbia ngeli në “baltën e gjallë” të konfliktit kolonial me Kosovën

Në kohë paqeje, Serbia me “pushtimin paqësor” të territorit verior të Kosovës, tanimë qe 20 vite ka kthyer luftën e ftohtë në Ballkan (1999-2019). Në këtë lojë të rrezikshme ka futur Rusinë dhe Kinën, të cilat me votat e tyre ( njëra me  veto, e tjetra me abstenim) në KS të OKB-së kanë bllokuar mosndryshimin e Rezolutës 1244, e cila nuk e njeh Republikën e pavarur të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe ndërtimi i bazës ushtarake  dhe të sigurisë të Rusisë në Nish si kundërpeshë bazës ushtarake amerikane në Bondstil të Kosovës.

Për të tejkaluar këtë luftë të ftohtë 20-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë si rrjedhim i mosnjohjes së Kosovës nga ana e Beogradit, saktësisht më 15 shkurt 2019, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tump ia dërgoi një letër formale përshëndetëse dhe  miqësore presidentit Aleksandar Vuçiq me rastin e festës së shtetësisë së Serbisë, ku ndër të tjera   sugjeron edhe normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, duke e njohur njëra-tjetrën në mënyrë të ndërsjellë. Mirëpo, deri tani presidenti serb A. Vuçiq ende nuk i ka thyer përgjigjen homologut të tij amerikan, Donald Trump, edhe pse përmbajtja  e  kësaj letre ka karakter qëllimirë të shërbimit të vullnetit të mirë human, poltik, diplomatik dhe paqësor që përfill interesat e dyanshme të këtyre dy shteteve fqinje, që reciprokisht ta njohin njëra-tjetrën, me qëllim që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre si shtete të barabarta të pavarura dhe sovrane.

Ky është shansi historik që Serbia me ndihmën dhe  me kontributin direkt të Amerikës, të mbyllë konfliktin 100-vjeçar me  ish-koloninë e saj të dikurshme-KOSOVËN.

Ndryshe,   refuzimi eventual i propozimit të Trump-it nga ana e  Serbisë, do të konsiderohet si akt  provokues i  shpalljes së një lufte të re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ballkan, e cila do të involvonte edhe Amerikën së bashku me aleatët e saj evro-perëndimorë dhe Rusinë me aleancën e saj të re (Kina, Turqia dhe Irani etj.).

Mirëpo, një akt i tillë më së shumëti, do të   godasë dhe  shkretojë Serbinë,  e cila pas një lufte të tillë me përmasa botërore, do të ngelte vetëm brenda kufijve të principatës së dikurshme  vasale serbe  nën Turqi, sepse do të humbiste të gjitha territoret e grabitura dhe të aneksuara nga Shqipëria, Hungaria, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina.

Pra, nëse Serbia refuzon letrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trum, që ta njohë Republikën e Kosovës, në atë moment do të marrë fund edhe lufta e ftohtë 20-vjeçare midis Beogradit dhe Prishtinës rreth  statusit të veriut të Kosovës  (1999-2019). Me një fjalë, nuk do të ketë më negociata të mëtjeme ndërmjet palës serbe dhe asaj shqiptare në Bruksel (2011-2019), por do të fillojë një kapitull i ri i  sanksioneve politike, ekonomike dhe tregtare ndaj Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu sikurse në vitet e 90-ta të shekullit XX kundër Serbisë agresore dhe gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, të cilën e detyruan që të kapitullonte në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Lufta e Ftohte, ne Mitrovice, nga Berlini, Prof. Dr. Mehdi Hyseni

KRONOLOGJIA HISTORIKE E LUFTËS SË FTOHTË

July 11, 2015 by dgreca

Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA*/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Lufta e Ftohte është një nga ngjarjet më kardinale dhe me më ndikim për rendin ndërkombëtar të kohës, nga origjina e cila daton në fund të Luftës së II-të Botërore dhe deri në përfundimin e saj në vitin 1989. Roli i saj si tensionues për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare e bën tepër të rëndësishme studimin e detajeve, që të kuptojmë mesazhin që ajo solli dhe atë që trashigoi.
Origjina e Luftës së Ftohtë lidhet drejtëpërsëdrejti me vitet 1944 – 1949, sepse menjëherë pas muajve pasardhës së Luftës së II-të Botërore ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, kishte përplasje të fuqisë ideologjike, gjeografike dhe politike. Sovjetikët e bazonin vazhdimsinë e shtetit në arenën ndërkombëtare tek konflikti, ndërsa Amerikanët kishin ideale demokratike prandaj ishin të bindur për një qëndrim dhe koalicion perëndimor kundër BRSS.
Josif Stalini për dominimin territorial në Europën Lindore kërkonte nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja : 1.) Njohjen e pushtimeve territoriale të viteve 1939 – 1940. 2.) Krijimin e një rripi sigurie, me anë të kontrollit të qyteteve të Europës Lindore. 3.) Kontrollin e së ardhmes së Gjermanisë. Por pas ndarjes së Gjermanisë në zona okupimi u ra dakort për spostimin e kufijve Polakë, për prespektivën e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe për këtë arsye SHBA-ja aplikoi “Bretton Woods”, kjo do të konsolidonte regjimet demokratike dhe do ti jepte baza solide paqes. Ideologjia Amerikane nënkuptonte një gjëndje natyrale të paqes, ndërsa Ideologjia Sovjtike e quante konfliktin ndërkombëtar si normalitet, pra paqja këcënohej nga agresiviteti i diktaturave. Vizionet dypalëshe përplaseshin fort, përpara detyrës së ridizejnimit të të gjithë sistemit ndërkombëtar. Në vitet 1945 – 1947, të gjëndur përreth tavolinave të negocimit mosbesimi ndërmjet SHBA-së dhe BRSS-së u rrit jashtëzakonisht. Në fillim të vitit 1947, në Uashington përherë e më tepër po bindeshin për ndryshimin e frymës në Europë drejt pro-ameikanëve dhe kapitalizmit dhe sa më larg komunizmit dhe BRSS-së. Për këtë SHBA-ja, aplikoi “teorinë e rimëkëmbjes” dhe instrumentin e saj Planin Marshall, kjo do të sillte rënien graduale ose të menjëhershme të fuqisë Sovjetike, pengimin në Europë të përhapjes së “Stalinizmit Sovjeitk” dhe do të ndihmonte Europën Perëndimore. Ishte konfiguruar një situatë që nga njëra anë ushtrohej forcë brutale difensive dhe nga ana tjetër kapacitete dinamike për të ndërtuar konsensuse dhe kompromise.
Problemi qëndror i Luftës së Ftohtë ishte Gjermania, Berlini ishte nën okupimin e katër fituesve dhe e rrethuar totalisht nga zona e okupuar nga Sovjetikët nga e cila varej për furnizime dhe shërbime jetësore. Trupat sovjetike kishin bllokuar hyrjet tokësore dhe kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe për të mos shkaktur shpërthimin e luftës, SHBA-ja dhe Britania e Madhe i furnizuan ato nga ajri me ndihmat bazë jetësore. Zgjidhja e përkohëshme erdhi me lindjen në zonën perëndimore të Republikës Federale Gjermane nën kujdesin e tre aleatëve e cila ishte parimisht sovrane së brëndëshmi dhe e çarmatosur, ndërsa Republika Demokratike Gjermane ishte e kontrolluar nga Moska me një regjim komunist.
Më 4 prill 1949, u krijua Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), si një traktat mbrojtje kolektive në rast agresioni të njërit prej shteteve aleate dhe si kundërpërgjigje BRSS-ja krijoi më vonë “Paktin e Varshavës”.
Në vitin 1949, shpërthimi i bombës së parë bërthamore nga Sovjetikët dhe konkludimi i ofensivës finale të luftës civile të Partisë Komuniste Kineze kundër forcave kombëtare ishin ngjarje që alternonin terrenin e konfrontimit bipolare. Dy ngjarje të tjera që rritën tensionet ishin: 1.) Traktati i Aleancës ndërmjet Kinës dhe BRSS-së në vitin 1950. 2.) Autorizimi i operacionit ushtarak nga Stalini kur trupat Koreano Veriore pushtuan Korenë e Jugut. Si kundërpërgjigje globale kundër-komunizmit SHBA-ja në vitin 1953 me anë të CIA-se, organizoi një operacion të fshehtë në Iran për të rrëzuar qeverinë Mossadeq, më pas një tjetër operacion në Guatemala dhe disa të tjerë në përgjatë Luftë së Ftohtë.
Në vitin 1953, menjëherë pas vdekjes së Stalinit u hap një fazë e re në marrëdhëniet ndërkombëtare sepse Nikita Hurshovi pasardhësi i tij, solli një fushatë ndryshimesh dhe idenë e një “Bashkjetese Paqësore”. Deivid Eisenhowe presidenti i SHBA-së, u shpreh se nëse Sovjetikët dëshironin paqen duhet të lejonin ribashkimin e Koreve, zgjedhje të lira në Europën Lindore dhe ribashkimin e Gjermanisë, por BRSS-ja nuk ishta gati për këtë ajo nuk donte të humbiste dhe mbi të gjitha nuk donte të përfundonte Luftën e Ftohtë.
Hurshovi, vuri theksin tek Raketat Interkontinentale të armatosura me koka nukleare, kjo e bëri çdo bllok vunerabël, tashmë lufta ishte një opsion vetëvrasës. Tendenca për të përdorur “Diplomacinë Bërthamore” që të perfitonin fitore simbolike, pozicione më të avantazhuara dhe influencë në vendet e Botës së Tretë çoi në krizat më të rrezikshme të Luftës së Ftohtë.
Më 1 nëntor 1952, Amerikanët kishin shpërthyer bombën e parë termonukleare por edhe Sovjetikët po kryenin eksperimente të shumta në këtë drejtim. Pas prishjes Kino-Sovjetike, Hurshovi takoi Fidel Kastron që ishte drejt keqësimit të marrëdhënieve me SHBA-në. Duke qënë se SHBA-ja, kishte në Turqi dhe Itali rraketa me rreze të mesme për të goditur BRSS-në, Hurshovi vendosi si presion armë analoge në Kubë. Situata u bë shumë kritike por pas presioneve Amerikane, më pas Hurshovi pranoi të tërhiqte raketat por vetëm pasi president i SHBA-së Xhon Kenedi pranoi që nuk do ta sulmonte Kubën. Më 13 gusht 1961, u inicua ndërtimi i “Murit të Berlinit” që të ndalonte qytetarët e Republikës Demokratike Gjermane të largoheshin nga vendi. Pas revolucionit Kinez, Uashingtoni kishte parë tek Vietnami një front kruçial në Azi, por ishte kjo që e çoi SHBA-në drejt disfatës politike e psikologjike më shumë se ushtarake. Nga viti 1961, SHBA-ja mbështeti Vietnamin e Jugut me furnizime, ndihma, këshilltarë ushtarak por ishte President i SHBA-së Lyndon Johnson që e ktheu Vietnamin në një luftë Amerikane.
Në vitin 1967, Çekosllovakia kishte filluar një moto reformatorësh dhe lidhi një marrëdhënie tregëtare me Gjermaninë Perëndimore dhe SHBA-në, si kundërpërgjigje menjëherë Moska e pushtoi ushtarakisht Çekosllovakinë, por e njëjta dëshirë egzistonte në Romani, Poloni, dhe Hungari. Në vitin 1970, filluan edhe protestat e para të punëtorëve në bllokun komunist, kjo sinjalizonte një pakënaqësi popullore. Në këtë kohë pozita e SHBA-së po forcohej, duke parë konfliktet e brëndëshme të Kinës me “revolucionin kulturor” dhe prishjen e saj me BRSS-në. Mao Ce Duni, la menjëanë radikalizmin ideologjik dhe i dha sinjale interesi SHBA-së, kjo ishte një kartë diplomatike tepër e fuqishme për SHBA-në kundër BRSS-së. Nga fundi i viteve 1970, SHBA-ja dhe BRSS-ja ishin përfshirë në një spirale antagoniste të armatimit dhe akuzoheshin reciprokisht që të kultivonin strategji të rrezikshme zgjerimi, ekspansioniste.
Në vitin 1979, BRSS-ja pushtoi Afganistanin, ndërsa më 30 prill 1975 pavarësisht veprimeve të presidentit të SHBA-së Richard Nixon, Vietnami i Jugut kapitulloi dhe u ribashkua nën regjimin komunist. Në diplomacinë trekëndore SHBA, BRSS, Kinë ishte Amerika që luante në të dyja tavolinat. Interesante ishte edhe kriza e Lindjes së Mesme në vitin 1973, Izraeli ishte i lidhur me SHBA-në ndërsa Egjipti me BRSS-në.
Në vitin 1975, u nënshkrua “Akti i Helsinkit” nga 37 shtete Europiane së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë, akti obligonte respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Një marrëveshje historike ishte edhe ajo e paqes ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit në vitin 1978 e ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së Jimi Carter. Ndërsa nga viti 1981, presidenti i SHBA-së Ronald Regan kërkonte të detyronte Sovjetikët për të negociuar në një pozitë më inferiore sepse ideologjia komuniste ishte në rënie. Gjithsesei rreziku qëndronte tek arsenali bërthamor që zotëronin palët dhe që ishin të gatshme të lëshoheshin brënda disa minutave nga të dy shtetet. Viti 1983, shkoi drejt një tensionimi nga frika bërthamore dhe Ronald Regan mendoi të rihapte dialogun me Sovjetikët. Nga ana tjetër Mikail Gorbaçovi e njihte situatën dramatike dhe vështirësitë e sistemit sovjetik dhe ishte i hapur për zgjidhje të reja.
Në vitin 1986, Gurbaçovi publikisht propozoi një plan reduktimi gradual të armatimit bërthamorë, për herë të parë Moska dhe Uashingtoni dialogonin jo për stabilizimin e Luftës së Ftohtë por për të prapësuar mekanizmin e rivalitetit ushtarak që e ushqente. Më pas Gurbaçovi lejoi hapjen e kanaleve radio të huaja dhe të televizoineve. Në nëntor të vitit 1989, u mendua për një hapje të pjesëshme të kufijve Gjerman por në rastin e një regjimi në rënie një komunikim në media ndikoi që televizionet të shpallnin hapjen totale të kufijve. Miliona Berlinez shkuan përgjatë pikave të kufirit dhe përgjatë “Murit të Berlinit” dhe rojet pa urdhra ju dorëzuan presioneve dhe hapën kalimet. Perandoria Sovjetike e Stalinit nuk egzistonte më, kishte marrë fund ndarja e Europës në dy blloqe të kundërta ku “Muri i Berlinit” ka qënë simboli më solid dhe bashkë me të ra edhe ideologjia politike.
Lufta e Ftohtë i mori njerëzimit një gjysmë shekulli të mbushur me luftë ideologjike ndërmjet sistemit kapitalist dhe atij komunist dhe me një garë armatimi bërthamorë të ashpër por pa i përdorur ato. Zhvillimet dhe inovacionet tekonologjike, politike, ekonomike ishin në krahun e duhur përgjatë Luftës së Ftohtë. Kjo luftë mund të kishte shkuar në një përplasje të drejtëpërdrejtë, por fati dhe koha ishin përkrah koalicionit perëndimor dhe demokracisë, të cilat me anë të mjeteve diplomatike dhe presioneve ushtarake arritën të ruanin paqen, stabilitetin, sigurinë dhe krijuan Rendin e Ri Ndërkombëtar për mbarë globin.
*Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
E-mail: mecallaeraldo@yahoo.com
Tiranë, Shqipëri
Tiranë më 11 / 07 / 2015

Filed Under: Histori Tagged With: Eraldo Mecalla, Kronologji historike, Lufta e Ftohte

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT