Nga Reshat KRIPA/
Në median elektronike lexoj njoftimin e mëposhtëm:
“Kreu i Shtetit shqiptar në vlerësim të shembullit të tyre frymëzues në organizimin, drejtimin e luftës si dhe në mbrojtjen të lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, vlerësoi institucionalisht me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës së Vlorës 1920, anëtarë të së cilit ishin: Osman Haxhiu, Duro Shaska, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Kokoshi, Beqir Sulo Agalliu, Hamit Selmani, Hysni Shehu, Myqerem Hamzarai, Murat Miftari, Sali Bedini, Hazbi Cano.
Në këtë ceremoni solemne Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), edhe Osman Haxhiun, Selam Musain, Zigur Lelon, Sali Muratin, Sado Koshenën, Kanan Mazen dhe Ahmet Cane (Lepenicën) me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, si dhe trimërinë e vetëmohimin në organizimin e luftës epope të Vlorës të vitit 1920”.
Ky dekorim u krye ne bazë të propozimit të dy shoqatave patriotike “Labëria” dhe “Ismail Qemali”. Të them të vërtetën një njoftim i tillë, mua si vlonjat, më gëzoi pa masë pasi, megjithëse me shume vonesë, u arrit vlerësimi i duhur për shumë figura të shquara që historia komuniste i kishte lënë në heshtje, madje i kishte vlerësuar me atribute fyese si gjoja “tradhëtarë”, “Kolaboracionistë” e të tjera.
Por shpejt ky entusiazëm m’u shua pasi konstatova se drejtuesit të Luftës së Vlorës, të paharruarit Osman Haxhiu, ia kishin prerë njerin krah. Nuk ka në Vlorë qytetar që nuk e di se Osman Haxhiu kishte dy krahë të fuqishëm në këtë luftë të madhe, dy Qazimët, Qazim Kokoshin dhe Qazim Koculin. Ndërsa i pari ekzistonte në listën e të dekoruarve, i dyti ishte fshirë krejt. Përse? e tij në fletet e medias elektronike lexoj:
Kush ishte Qazim Koculi? Nuk jam historian por duke shfletuar Wikipedian e tij lexoj:
Lindi më 22 gusht 1887 në fshatin Kocul të Vlorës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje ndërsa atë të mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i përfundoi në Akademinë e Lartë Ushtarake të Stambollit pas të cilës fitoi gradën/Nëntoger. U emërua më pas në Marinën Ushtarake të Perandorisë Osmane, ku fitoi gradën e Togerit. Më 1909 nuk i bindet një urdhri ushtarak të një eprori të tij gjatë një beteje detare në Prevezë, për t`iu dorëzuar flotës italiane, ku luftoi heroikisht me torpendierën e tij të vjetër.
Pas nxjerrjes së urdhër-arrestit nga komanda perandorake, Koculi arratiset për në Argjentinë, ku qëndron deri në vitin 1912. Kthehet këtë vit në Vlorë, pasi iu përgjigj një thirrjeje të Ismail Qemalit. Ky i fundit e cakton drejtor të portit të Vlorës, detyrë të cilën e kreu deri në çastin që porti u mor në administrim nga italianët në tetor të vitit 1914. Deri në vitin 1917 ishte kryekatundar në Brataj të Vlorës. Nga ky vit e deri më 1919 ishte nënprefekt i Tepelenës. Më 21-31 janar 1920 merr pjesë si delegat i Vlorës në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, nga i cili u emërua edhe senator.
Është aktiv në Luftën e Vlorës të vitit 1920 dhe njihet si një ndër organizatorët e Kuvendit të Barçallasë. Meqë Gjenerali Piacentini i cili i komandonte ato nuk denjoi t’i përgjigjej ultimatumit të drejtuar atij nga komisioni i dalë nga Kuvendi i Barçallasë që brënda 48 orëve të largoheshin trupat italiane nga Vlora, më 29 maj 1920 në Beun u zgjodh Komiteti i Luftës së Vlorës me Komandant të Përgjithshëm Qazim Koculin. Hyri në Vlorë në krye të trupave shqiptare, pas një beteje të zhvilluar më parë, më 3 shtator 1920. Pas kësaj lufte kreu detyrën e prefektit të Vlorës.
Zgjidhet deputet i Vlorës në zgjedhjet e para të 5 prillit 1921. Ishte mbikqyrës i qeverisë së Pandeli Evangjelit së bashku me Bajram Currin dhe Avni Rustemin në periudhën tetor-nëntor 1921. Kriza e dhjetorit 1921 e gjeti në krahun e forcave që ishin për rrëzimin e qeverisë së Evangjelit. Nga kjo krizë ai u bë protagonist jo me ndonjë dëshirë të madhe, duke hyrë në histori edhe si kryeministri njëditor i Shqipërisë. Ai më 6 dhjetor u ngarkua nga Këshilli i Naltë për një kabinet prej 8 anëtarësh. Paraqiti dorëheqjen me argumentimin se nuk ia thoshte administrimit si i ndershëm që ishte. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, Qazim Koculi u zgjodh sërish deputet i Vlorës në Kuvendin Kushtetues. Gjatë kësaj kohe vazhdoi të përkrahte po atë linjë politike që ishte për rrëzimin e qeverisë.
Koculi ishte ndër pjesëmarrësit dhe përkrahësit e Lëvizjes së Qershorit 1924. Në qeverinë e dalë nga kjo kryengritje, Koculi ishte ministër i Punëve Botore. Me dështimin e kësaj qeverie dhe me Triumfin e Legalitetit, Qazim Koculi emigroi jashtë Shqipërisë bashkë me politikanët e tjerë.
Emigracionin politik Koculi e kaloi në Vienë dhe Paris. Gjatë kësaj kohe ai pajtohet me Mbretin Zog dhe pranoi që të ishte kryetar i Komitetit të Kosovës në mërgim. Ishte për kthimin në atdhe para 7 prillit 1939, por një gjë e tillë u kundërshtua nga shokët e tij. Pas pushtimit fashist, Koculi u kthye në Shqipëri, dhe në dhjetor 1939 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit. Në qeverinë e Mustafa Krujës ishte Ministër Shteti dhe në çastet e fundit të kësaj qeverie u emërua Komisar i Lartë në Vlorë, në kohën kur qe rritur lëvizja komuniste atje. Më 2 janar 1943 Qazim Koculi vritet në Vlorë nga batalioni mercenar dibran i Halil Alisë si hakmarrje për 1920-ën. Mustafa Kruja në shënjë proteste si edhe indinjate ndaj italianëve si edhe personalisht ndaj Mëkëmbësit të Mbretit Jacomoni që nuk pranoi që të arrestoheshin e të çoheshin në gjyq vrasësit e Qazim Koculit, paraqiti menjëherë dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Përshkrimi ishte i plotë. Një jetë e tërë e vënë në shërbim të atdheut. Por nuk u mjaftova me kaq. Vazhdova shfletimin e fleteve te medias. U ndala në një studim kushtuar kësaj ngjarje historike nga studiuesi i njohur vlonjat Profesor Albert Habazaj:
Teksti i Historisë së Shqipërisë, vëll. 2; 1965 na informon me gjuhën e kohës, se disa rrethe politike të vendit të bindura se bisedimet shqiptaro – italiane nuk po jepnin ndonjë rezultat, kërkonin të organizohej një veprim energjik, që mund të arrinte deri në luftë të armatosur kundër ushrive italiane në Shqipëri. Zëdhënësit më aktiv të kësaj rryme ishin Qazim Koculi dhe Spiro G. Koleka, deputet të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Sipas tyre, një veprim i tillë jo vetëm do t’i tregonte opinionit publik botëror vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të atdheut të tyre, por, po të realizohej me sukses, do t’u jepte shqiptarëve një armë më të fortë për të kundërshtuar pretendimet tokësore jugosllave e greke në kurriz të Shqipërisë.
Emrat e tyre janë “emblema e Luftës së Vlorës” dhe përderisa Lufta e Vlorës është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e Luftës së Vlorës major Ahmet Lepenica që dha dorëheqjen pas gjashtë ditëve e kapiten Qazim Koculi që e kreu këtë detyrë deri në fund të luftës, si dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historisë së Popullit Shqiptar, sepse qenë pikërisht ata që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Nuk i përmend Historia e Shqipërisë, 2 – këta emra që i ngritën Shqipërisë Pavarësinë e ulur, që ia grisën “esnafët e mëdhenj të mëmës plakë”. Duheshin përmendur, të paktën emrat dhe gjykojmë kështu se historia është histori, nuk është ideologji, sepse na kujton një shprehje të prof. Luan Malltezit: “Politikanët kanë të drejtë të japin mendime, por jo të ndikojnë mbi historianët”.
Lerxoj këto shkrime dhe, me të drejtë pyes:
– Përse e sakatosët Osman Haxhiun? Përse ia pret njërin krah? Përse duhej të
mungonte Qazik Koculi në këtë ceremoni?
Dhe mua më dukej sikur Osman Haxhiu ngrihej nga varri dhe ua kthente dekoratën inspiruesve të saj, pasi ai nuk mund të jetonte me një krah të prerë. Kishte lindur i lirë dhe duhej të jetonte i tillë. Deri kur do të vazhdonte mentaliteti komunist në gjykimin e ngjarjeve historike? Harrojeni, o nostalgjikë të sistemit të përmbysur, të grumbulluar në lloj lloj “shoqatash patriotike”, harrojeni kohën e perënduar përgjithmonë. Qytetarët i njohin bijtë e tyre të vërtetë dhe ata nuk mund t’i shuani dot nga kujtesa e tyre. Këtë mos e harroni.
Çuditërisht para syve më dalin vargjet e bashkëluftëtarit të Qazim Koculit, të pavdekshmit Fan Noli që shkruante:
Allallah, o rezil e katil Allallah,
Shtroni udhën me hithër e shtok turfanda,
Gumëzhit o zinxhir e kamzhik batërma
Lehni, laro kaba:
Hosana Baraba!
KUJTESA SOCIALE DHE KULTURA E SHKRIMIT…
…për Luftën e Vlorës, 1920 në optikën bashkëkohore/
Pamje e përgjithshme shqiptare e periudhës së 1920- ës nga syri i shkrimit europian/
Shkruan: MSC. Albert HABAZAJ/ studiues/
Janë mbi 45 studiues që janë marrë instensivisht qysh atëherë, që e vrojtonin dhe e shkruanin Shqipërinë me lentet e tyre kulturore. Mund të përmendim (sipas rendit alfabetik) studiues të tillë si: Baldacci, Bouè, Brailaford, Callan, Chumckv, Cozem – Hardv, Cozzi, Cvijic, Degradd, Dumont, Edlinger, Eliot e deri tek Nvoni, Windish,Wirthi etj, të cilët i japin edhe virtytet, edhe veset e shqiptarëve. Mis Durham thotë se të gjithë shqiptarët në realitet nuk janë muhamedanë, as të krishterë: feja për ta është një formë e jashtëzakonshme, diçka fare formale. Kanë rregull të madh për mbledhjet. Shqiptarët e shkolluar janë tregtarë të shkathët (të zotë) dhe të gjithë kanë individualitet të theksuar. Ndodh, thotë, që pas vrasjes iu vjen keq për plumbin…Njw tjetwr studiues, Woods, bën këtë portret: “Shqiptari është i egër, luftarak, tolerant në çështje fetare, i pabindur por besnik dhe i ndershëm”.
Etnografi, gjeologu dhe paleontologu hungarez Franc Nopça (Franz Nopcsa: 1877 – 1933) ka ardhur disa herë në Shqipëri gjatë v. 1903 – 1922 dhe për herë të parë përdori metodën krahasuese me vendet e tjera të pellgut të Mesdheut dhe të Azisë së Afërme dhe ndër të parët që në studimet etnografike për Shqipërinë futi për krahasim edhe të dhënat e arkeologjisë. Duke folur për karakterin e shqiptarëve Baroni Nopça, qysh në fillim të studimit kërkimor shkencor në Shqipëri, thekson se, për të asgjë nuk është më e zorshme se sa të njohë një i huaj thelbin e karakterit të një populli dhe “asgjë nuk kërkon më tepër qetësi dhe sundim të vetvetes se sa ta përshkruajë atë pastaj në mënyrë objektive dhe siç ndodh realiteti” .
Nga natyra shqiptarët e asaj kohe janë cilësuar si krenarë, luftarakë, gjaknxehtë, sensibël, me moral shoqëror, sidomos në lidhje me femrat qëndron shumë lart, që bëjnë shumë shpenzime për mikpritje dhe festa. Por Jastrebovi thotë sikur mikpritjen shqiptarët e kanë dogmë, sikur kanë prirje për t’i zmadhuar gjërat, sikur janë dinakë, gënjeshtarë dhe hipokritë, sikur janë armiq të këshillave të mira, idololatër të një nderi të gabuar, nuk durojnë cënimin botërisht të gjërave të shenjta. Ippen bën një prerje horizontale ndër shaljanë dhe quan kapadainj, që tëdobëtin e përdorin keq, pse nuk merren me grabitje, po kështu banorët e Nikaj – Mërturit. Seksualitetin as që e njohin. Jarav gjen që shqiptarët janë luftëdashës, të prapambetur, kanë inisiativë, janë të guximshëm dhe kundër çdo lloj autoriteti. I quan partikularistë, të cilët fillojnë të dyshojnë sa herë kërcënohen të drejtat e tyre. Studimi i punimeve që ata kanë lënë për vendin tonë është ndoshta një mozaik kompleks për ne, ku shfaqen metaforikishtbanorët e tokës dhe qiellit shqiptar me të gjitha ngyrat e ylberit. Me shumë prej mendimeve të tyre nuk mund të jemi dakort, por ato janë “rekorde” të regjistruara në Kujtesën e Shkrimit të Botës dhe janë, ndërkohë, për studimet tona e të tjerëve, të huaj apo vendas, referenca se si na shikojnë ne të tjerët, ngaqë mungon ajo edhe ajo ndarja e famshme që na ka pëlqyer, që si historinë, si këngën ta reduktojmë në një ndarje kaq binare (bardhë e zi). Shumë nga udhëtarët, studimet e të cilëve kemi lexuar, janë objektivë në shënimet e vlerësimet e tyre, pavarësisht se diku, ku ata na mburrin, ne krenarohemi e na ngrihen veshët dhe diku, siç dhe perifrazuam grimca, ku ata na shajnë (më saktë, jo na shajnë, por na nxijnë portretin, ndoshta ashtu paska qenë) ne mërzitemi, ulim kokën, ulim veshët dhe fillon të pllenohet urrejtja për ta në psikën dhe shpirtin tonë. Për informacionet e të huajve, që sipërpërmendëm, i shikojmë me lente kulturore për të parë më mirë, për çka na shërbejnë në funksion të Njëzetës. Hecquard nënvizon se, në rast lufte, në Shqipërinë e Veriut, çdo shtëpi pajiste një burrë, pavarësisht nga numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të shtëpisë.
Ndërkohë historiografia dhe kujtesa sociale e LV njofton se në Beun, më 1920 u mblodhën nga çdo fshat shtëpi e burrë e burrë e pushkë. Merr dimensione të reja informacioni historik dhe folklorik që na vjen për atë ngjarje, se në LV ndihmuan, biles morën pjesë edhe gratë. Kur flet për sjellje e zakone të shqiptarëve, kur shkruan për Shqipërinë, sakrifikuar për interesat e Europës, Ismail Qemali thekson: “Tre objektet kryesore të përkushtimit të shqiptarëve janë: nderi i tij, familja e tij dhe atdheu. Ai preferon vdekjen përpara një çnderimi që nuk është larë”. Nga të pashkruarat dhe të pathënat për Njëzetën, edhe sot e kësaj dite, në Vlorë, nga më moshatarët që rrojnë akoma dhe që kanë një kujtesë të admirueshme, mund ta shprehim mendimin sipas tyre se “Njëzeta qe një luftë që çeli e shpërtheu nga rubineti i çesmës morale. E vërteta është se italianët bënë punë e ndërtuan goxha në qytet. Çuan rrugë deri në mal të Çikës. Për interesa të tyre, patjetër, por edhe nevej mirë na bënej. Kishim interesin tonë, se po zhvillonej vëndi. Këtë e dinin dhe e shihnin të gjithë. Këtë e shohni dhe ju sot. Se, ja, fjala vjen, godinën ku është Bashkia e Vlorës dhe Qarku e ka bërë italiani. Po ku qëndron problemi? Këtu ndryshon puna, se ata e shkelën në kallo shqiptarin, vlonjatin, labin. Ulën krenarinë e shqiptarit, e prekën atje ku s’mba më, e cenuan në moral, (mos qesh), i prekën nderin, gjënë më të shenjtë. Të futemi në kohë, more bir, e të flasim. Në atë kohë kishte tradita të mira që ishin ligj i pashkruar për njerëzinë. Ajo psikologji e kulturë zotëronte mënyrën e jetesës, zakonet tona, sjelljet, fejesat, martesat, vdekjet, këngët që keshëm, të gjitha çar’ bënim. Kështu duhen parë gjërat e gjykojmë kollaj pastaj. Kur flasim për dje, do gjykojmë me atë mendje; kur flasim për sot, kemi të tjera kondita e raporte, tjetër psikologji dhe edukatë më të avancuar. Sipas vëndit, kuvëndi, e more vesh djalo?! . Logjika e bisedës, nga e cila shkëputëm këtë paragraf, që mendojmë se përfaqëson jo vetëm mendësinë e tyre, por mentalitetin e kohës të komunitetit vlonjat, na dikton të gjykojmë se, jo gjithmonë diversiteti kulturor prodhon gjëra të mira, të bukura dhe të dobishme. Në atë kohë shqiptarët ishin konservatorë, italianët me frymë liberale. Ai sfond psikologjik nxorri në pah, me një reliev dhe efekt të mahnitshëm, ngjarjet e asaj vere të vitit 1920. Fjala e vjetër “shqiptari për një nder rron” ndezi sedrën e banorëve, të kryefamiljarëve, të burrave të shtëpisë, të mëhallës, të fisit, të lagjes, të fshatit, të krahinëzës, krahinës, parësisë, burrave të kazasë, se kështu klasifikoheshin në atë kohë burrat, sipas hierarkisë trimërore – morale e atdhetare. Për cenimin në nder, krisi pushka. Vendasit nuk u treguan miqësorë me ata që nuk erdhën si të tillë. Kjo është logjika e funksionimit të gjërave, që prishi “kavalierllëkun” e atyre që e quanin se s’kishte ndonjë problem të kullosje në kopsht të tjetrit, në “baçe” të botës… Kjo është logjika e funksionimit të gjërave, nga e cila shpërtheu ndjenja e kolektivitetit për t’u bashkuar si një trup i vetëm, deri sa të vihej nderi në vend. Kjo logjikë dhe praktikë e drejtë luftarake bëri që të lindte dhe të forcohej edhe ndjenja e solidaritetit me LV. Ndërsa optikën e ndriçimit të historisë së LV e kemi nga profesori ynë i nderuar Muin Çami, gjykojmë të paraqesim dhe të interpretojmë, për herë të parë, edhe një autor tjetër të huaj, vepra e të cilit (ku përfshihen dhe shënimet e tij për LV) nuk ka qenë e njohur për ne më parë, sepse vonë është botuar në gjuhën shqipe.
Në vitet ’20 sistemi arsimor në Shqipëri ishte shumë i kufizuar. S’kishte program ndërkombëtar ndihmash, vetëm lakmi e interes shfrytëzimi.
Miranda Vickers është një analiste e ngjarjeve bashkëkohore, e cila, ndër botimet e tjera, ka botuar edhe librin “Shqiptarët – një histori moderne” (“THE ALBANIANS A Modern History”). Ç’ka e bën më interesant këtë monografi, është edhe detajimi i qartë i sjelljes së qeverive perëndimore me fatet e Shqipërisë, me një informacion të jashtëzakonshëm e koherent edhe për mënyrën se si u copëtua territori shqiptar (fushë e pa eksploruar apo e papublikuar deri në fund, asnjëherë deri më sot nga studiuesit e nivelit akademik, shqiptarë apo të huaj.
Autorja na sjell një histori marramendëse të Shqipërisë, edhe për atë periudhë kohore, (që kemi në fokusim të kësaj kumtese), pa lënë mënjanë edhe përçarjet e mëdha të vetë Shqiptarëve brenda për brenda . Tekstin e lexojmë në këtë formë: Në vitet ’20 sistemi arsimor në vend ishte tejet i kufizuar. Gjithashtu, nuk kishtendonjë program program ndërkombëtar ndihmash me asistencë ekonomike dhe teknike për Shqipërinë, për të vcilat ajo kishte nevojë të modernizohej e zhvillohej.“Prandaj edhe vendi ishte detyruar të mbështetej në ndihmën që jepnin në forma të ndryshme agjenci dhe individë filantropë”.
Ka gjasa që, pa mohuar kurrë fajet dhe përgjegjësitë e fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha, që dominuan 20 vjeçarin e parë të shek. XX, kemi vërejtur se ne, shqiptarët e kemi më kollaj t’ja lëmë tjetrit dopio gjashtën, t’ja ngarkojmë gjithë barrën e përgjegjësive të huajve e për vete dalim të larë, s’kemi asnjë faj, por vihemi në radhë për t’u shpallur njëri më hero se tjetri. Dhe kemi këtë interpretim: Ndoshta është ravijëzuar, fatkeqësisht në skenën e asaj kohe edhe një element negativ, siç ishte mercenarizmi i kollajshëm i disave, siç thonë banorët. Po seç m’u kujtua një fjalë e vjetër, që aplikohet edhe sot e kësaj dite në viset jugore të vendit, që thotë: “O balo të hëngërt tënja/ se e ke të keqen brenda”, te vetvetja pra, te bashkësia jonë. Ky fakt dhe libri i Vickersit na nxjerrin në evidencë një problem lokal (lokaliteti shtrihet nga Preveza e Janina, nga Sazani e Gjirokastra, nga Vlora e Prishtina, nga Labëria e Drenica, nga Skrapari e Berati, nga Tirana e Dibra, nga Shkodra e Hasi, nga Tuzi e Plava, nga Peja e Gjilani, nga Ulqini e Mitrovica…). Shqetësimin na e shkakton një virus i rrezikshëm i tërbimit kulturor që quhet “INDUSTRIA E DEKORATAVE”.
KONTRIBUTI I OSMAN HAXHIUT NË ORGANIZIMIN DHE NË DREJTIMIN E LUFTËS SË VLORËS
nga Albert HABAZAJ / studiues/
Jo vetëm në Vlorë e Labëri, apo në Shqipëri, por edhe në rajon, pothuaj ndër të gjithë popujt e botës, kënga bën histori. Historia jo gjithmonë bëhet këngë. Me Osman Haxhiun, për të cilin kam nderin dhe përgjegjësinë të shpreh dy fjalë nderimi sot, përpara këtij auditori të respektuar, ka ndodhur, fatmirësisht, një rezonim i harmonishëm i koherencës historike me emocionalitetin e këngës burimore, të gurrës popullore, kushtuar atij, e cila është një nga perlat e gjerdanit të praruar, që zbukuron fondin e pasur të Epikës Historike të Luftës së Vlorës. Kjo dukuri ndodh, sepse, është pikërisht kontributi i Osman Haxhiut, përveç të tjerash, sidomos në organizimin dhe në drejtimin e Luftës së Vlorës, që i përmbush parametrat, kriteret shkencore të historiografisë dhe “ligjet” e pashkruara apo parimet specifike të folkorit, sepse ndërkohë Osman Nuri, jo vetëm në Vlorë, me rreëthinat e krahinat e saj, vlerësohej, edhe si një njeri me nam të lartë, ndërkohë që njihet nga historia dhe folkloristika si emblema e Luftës së Vlorës. Ai qe figura qendrore e Luftës së Vlorës, ai qe udhëheqësi i urtë e vizionar i Zjarrit Kombëtar, që shpërtheu e buisi nga Ashti i Nderit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Atij i thonë edhe Leonidha e Epopesë Termopiliane të Njëzetës, sepse Ai, 12 anëtarët e Komitetit të Mbrojtes Kombëtare të Luftës së Vlorës, me 4 mijë trima të armatosur dhe me 800 mijë shqiptarë të tjerë, që edhe pse s’ishin fizikisht, shpirtërisht dhe materialisht ishin të pranishëm në Vlorë, duke i zbardhur faqen Atdheut para botës, mbas 500 vjetësh robëri e pa liri. Osman Haxhiu me të tijtë (kupto, gjithë shqiptarët: pjesëmarës fizikë, materialë dhe shpirtërorë) u ngrit trimërisht në këtë Termopile Shqiptare të Kohës së Re, për t’u vënë kufirin te thana (në kontekstualitet, aq sa qe e mundur) kërcënimeve të tërësisë tokësore dhe ekzistencës tonë kombëtare.
Për jetën dhe veprën e Osman Haxhiut ka histori të shkruar dhe këngë të kënduara, që qarkullojnë, të cilat janë nga të paktat që kanë ende jetë folklorike jo vetëm në Armen apo në Dukat. Monumentin e përjetshëm në lëvizje, Osman Haxhiut, ia ka gdhendur, si ai, me monografinë voluminoze, të nivelit akademik në 310 faqe, qysh në vitin 2001, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh. Dëshiroj të ravijëzoj telegrafisht çmueshmërinë kombëtare të Osman Haxhiut për Luftën e Vlorës, 1920.
Për të parë një raport më të drejtë, më të vërtetë të vlerësimit popullor dhe historisë së shkruar, nga i cili krahasimi kontributiv për këtë epope bëhet natyrshëm shkuam në Armen, në vendlindjen e Osman Haxhiut. Duke vlerësuar rëndësinë e lëndës, burimet ku mbështetemi për realizimin e qëllimit historiko – folkloristik që kemi, dokumentacionin, literaturën referuese, dëndësinë dhe besueshmërinë e informacionit, me objektiv të qartë e kryem një ekspeditë vetiake në fshatin ku u lind emblema e luftës së Vlorës. Një figurë e pastër atdhetare, interesante, me kapital, me shpirt, e respektuar, nga të paktët e Parisë së Vlorës që u fut në gjirin e këngës, në fondin e artë të folklorit. Ali Asllani e quante Mojsiu i Vlorës, Patriarku i Lirisë. Njerëzit e cilësonin Div i Vlorës. Ndërsa krijuesi popullor ia gdhendi portretin me tre vargje monumentale “Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri”. Osman Haxhiu, të vetmin ideal kishte Atdheun dhe për Atdheun punoi e luftoi me një fanatizëm fetar. Kur, buzëmbrëmjen e 12 marsit 1937, vigani i shqiptarizmës 52 – vjeçar, u shua, se iku nga jeta, u mbyllën dyqanet dhe u ulën flamurët në gjysmështizë. Revista “Përpjekja Shqiptare” do të shkruante: “Pas atij të Ismail Qemalit, Vlora s’ mban mend një varrim kaq madhështor”. Ali Asllani, i cili qe kryetar Katundarisë së Vlorës (sot Bashkia) ka përmendur gjithmonë mençurinë, vetëmohimin e trimërinë e Osman Haxhiut dhe burrave të tjerë të gjykimit dhe përfaqësimit të duhur popullor. Kemi dëgjuar nëpër festa, festivale dhe patjetër atje, te burimi, në Armen të këndohet për Osman Haxhiun, i cili ishte bir i Armenit dhe njëkohësisht kyetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili udhëhoqi Luftën e Vlorës. Edhe kjo këngë këndohet sipas melodisë që këndojnë banorët e Armenit dhe jo të tjerë. Do të evidentoj një miniretrospektivë tepër e ngushtë kohore, jo më tutje se një vit nga Ngjarja e Madhe.
Ëndrra shekullore që kishte përvëluar shpirtrat e zhuritur të shqiptarëve u bë realitet më 1912 – ën, por e mbrapshta Luftë e Parë Botërore e bëri të pamundur festimin popullor të përvitshëm çdo 28 Nëntor. Burrat e pasur e me mend, elita atdhetare, populli i Vlorës, qyteti dhe krahinat menduan që më 28 Nëntor 1919 të rinisnin festën e madhe të Flamurit. Ndërkohë situata ishte vërtet shqetësuese, sepse pushtuesit italianë kishin hedhur në treg spiunët për të vënë në udhë e për të piketuar veprimtarët atdhetarë, qofshin këta klerikë, mësues a nëpunës të tjerë të dalluar. Zjarri atdhetar thellohej tek urrejtja kundër pushtuesve italianë, saqë fëmijët të mos mësonin gjuhën italiane në shkollat shqipe. Festa e Flamurit do të bëhet madhështore me çfarëdo çmimi që të kërkohet më datën 28. Ky qe vendimi i 11 Apostujve të Vlorës, me Osmën Nurin në krye. Gjeneral Ferraro, komandanti i pushtimit, nuk e pranoi ngritjen e Flamurit Shqiptar. Dihet e vlerësohet, jo vetëm në Vlorë e krahinat e saj, thënia lapidare që Osman Haxhiu i ktheu plot krenari gjeneralit të pushtimit: “Ky flamur na thërret në këtë ditë të shenjtë për bashkimin e trojeve shqiptare, siç e ka lënë amanet Ismail Beu. Vlora është shqiptare. Jashtë pushtuesit!”
Duke vijuar kronologjikisht, konturohen për historinë vendimet historike të Kongresit të Lushnjes, që hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Për të drejtuar lëvizjen kombëtare, në prill 1920, u krijua përsëri, brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, në të cilin hyri dhe Q. Koculi. Deputeti tjetër S. Koleka u ngarkua të kryente funksionet e përfaqësuesit të fshehtë të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri e aprovoi programin e komitetit.
Pasi u bënë përpjekjet e duhura për fillimin e kryengritjes, KMK thirri me urgjencë parinë e qytetit e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës në një kuvend që do të mbahej ilegalisht në Barçalla, një shpat mali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Të gjithë pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes.
Emrat e tyre janë “emblema e LV” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historisë së popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin. Kryetar i komitetit u zgjodh Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh, nën kryesinë e Qazim Koculit, ish oficer i marinës. Komisioni ngarkoi kapitenin Ahmet Lepenica të organizonte formacionet ushtarake. Kuvendi mori vendim t’u bënte thirrje për të rrëmbyer armët gjithë qytetarëve dhe fshatarëve të krahinave të pushtuara dhe sidomos të Labërisë. Më 2 qershor 1920 disa mijra vullnetarë, me armë e pa armë, u paraqitën në Beun dhe në pikat e tjera të caktuara, të organizuara në çeta, secila nën komandën e një fshatari trim, të zgjedhur nga vetë vullnetarët. Thirrjes iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej gati 300 vetash, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish prej afro 4 mijë vullnetarësh patriotë.
Më 3 Qershor dërguan ultimatumin e famshëm historik italianëve, firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: “Ne e dimë se një popull i vogël, siç është populli shqiptar, s’mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s’mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij…”. Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe, të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë:
“O Qemal për këtë ditë,
Të ishe ndodhur i gjallë,
Ç’do të kishin parë sytë,
Osmani 20 vjeç djalë,
Bridhte malit pa opinga
Bashkë me Sali Muranë…”
Edhe në këngë të tjera bëhet portreti i Osman Haxhiut në mënyrë të mrekullueshme, me vargjet e luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtarit të madh të Labërishtes, Mato Hasani i Bratit:
” Ç’të them për Osman Picarë,
agai që mbahet rëndë,
kur shkon kaluar në kalë
flet pak e flet me mënd.
Ështe ilaç për fukaranë
për krahinë, mall e gjënë
miqtë e tij i ka të rrallë
një flori, tjatri argjëndë…
Lufta e Vlorës qe, si hapësirë vërtetë lokale, si kohë zgjati 2 – 3 muaj, e lartësisht fisnikërisht fitoi profilin e një luftë mbarëkombëtare, statusin e së cilës ia jep historia vetë. Lufta e Njëzetës mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku shqiptarët treguan vitalitetin e tyre të rrallë, se i thanë botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës, se ç’është në gjëndje të bëjë një popull i vogël, fukara, por patriot edhe kur lufton me të drejtë kundër një fuqie të madhe jo vetëm hiperbolikisht 40 miljonëshe. Ajo luftë mbarë shqiptare, ku vetëm treva labe dha rreth 100 dëshmorë e u plagosën mbi 130 vetë.
Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës.
Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:
Ulu, o mali me borë
që të shoh përtej në Vlorë
Osman Haxhiun me forrë
që ngrihet Baba Tomorrë…
Fytyra e këtij “vigani” është gdhendur në këto vargje monumentale:
…Osmani ç’i hipi kalit
bëri poshtë buzës së malit
seç i foli gjeneralit
dil sterës e jo limanit
breshkamadh i breshkamadhit
të shoç të zotë e vatanit….
Këtu figura e tij del epike, madhështore, si një gjeneral popullor, i paharruar. Për këtë figurë të shquar mund mund të shkruajmë faqe të tëra pa fund. Por duhet të theksojmë se, emri i tij është përmendur shkarazi në monizëm, po ashtu edhe sot.
Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çiflikun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit.
Në 50 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë u dekoruan me më të thjeshtën medalje “Për veprimtari patriotike” që është shumë pak. Atë medalje e meriton çdo luftëtar i Luftës së Vlorës.
Në kohën e demokracisë s’është kujtuar Lufta heroike e Vlorës ashtu siç duhej, edhe në raste përvjetorësh.
Bashkia e qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin”Qytetar Nderi”, i ka vëne një lagjeje e një rruge emrin e tij, kurse presidenti Alfred Moisiui akordoi medaljen.
Atdhetari i madh, Osman Haxhiu, veprimtaria e të cilit meriton t’u bëhet e njohur lexuesve shqiptarë të kohës sonë dhe të ardhmes.
Atdhetarë të tillësi Osman Haxhiu meritojnë të nderohene të përkujtohen jo vetëm nga populli, që i ka përjetësuar nëpërmjet këngëve të tij të bukura, por edhe nga qeveritarët tanë në shkallë krahinore e kombëtare. Ata bënë aq shumë për ne e për pasardhësit tanë. Ne duhet të përpiqemi të shkundim pluhurin e harresës që ka rrezik ti mbulojë emrat e tyre.
Për të ndriçuar figurën e Heroit kryesor të Luftës së Vlorës të vitit 1920 anëtarit të guximshëm e të mënçur të parlamentit të parë shqiptar, përkrahësisht të qeverisë së parë demokratike Fan Nolit e të gjithë përparimtarëve të kohës për të cilën Vlora (dhe jo vetem Vlora) duhet të bëjë edhe diçka më shumë për të përkujtuar kujtimin e tij.
Me këto rrezëllime mendimesh mbërrijmë atje ku i bëri koka “dënk” këtij patrioti të kulluar. Aty takuam, ndër të tjerë moshatarë edhe një më të ri se “lisat e moçëm të fshatit” mësuesin veteran Shpresim Kasaj, i cili, për fat të mirë, ua kishte vjelur kujtimet e vyera më pleqve që e kishin parë me sy LV, dhe kishin luftuar për ta shporrur “Talanin” më Njëzetën. Shpresimi është 70 vjeç, me arsim të lartë, lindur dhe banues për gati një jetë të tërë në Armen, i cili për një kohë të gjatë ka qenë dhe drejtor i shkollës së mesme. Informacioni i tij na plotëson panoramën për kontributin e patriotëve të Armenit në pavarësinë konkrete të atdheut dhe ne po e japim të plotë:
Fshati Armen është një fshat me peshë e me një zë të veçantë në historinë e luftërave për liri të krahinës së Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Gjatë gjithë etapave të historisë, ky fshat ka nxjerrë nga gjiri i tij djem e burra të shquar, si për penë e mendje, ashtu edhe për dyfekë e trimëri, që janë radhitur me burra të shquar të Vlorës dhe i kanë dalë zot vatanit në stuhitë dhe rrebeshet e kohërave. Në ndonjë periudhë të historisë, ata kanë dalë edhe në udhëheqje e drejtim, si në Luftën e Vlorës më 1920, ku Osmën Haxhiu e Sali Bedini ishin: njëri kryetar e tjetri anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi këtë luftë.
1. Osman Haxhiu – ish njohur me Ismail Qemalin në Stamboll kur vazhdonte “Robert Kolexhe”. I ati i tij, Haxhi Muhameti, ish mik i familjes Vlora, i Syrja e Xhemil bej Vlorës. Ai kish marrë pjesë si delegat në Kongresin e Dibrës në vitin 1909 bashkë me Mehmet Seit Mavrovën, Hasan Sharrën, Abaz Nurin e Ali Asllanin. Haxhi Muhameti bekoi flamurin më 20 nëntor 1912 bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin dhe at Marko Moçkën. I biri i tij, Osmani ish anëtar i Klubit “Bashkimi” të Janinës dhe më pas i Klubit “Labëria” të Vlorës. Ai mori pjesë në shumë takime me patriotë të ndryshëm ku flitej për autonominë dhe pavarësinë endnit. Ai mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës së Korrikut më 1911 dhe mbështeti Memorandumin e Gërçes dhe hodhi idenë e luftës së armatosur kundër pushtuesit osman. Ai bëri fushatë për kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk. Qe sekretar i prefekturës së parë të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit e më pas prefekt i Vlorës. Është i njohur aktiviteti i tij si organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës.[1] Dua të bëj me dije këtë auditor të nderuar, se QSA, IH, këtë verë që shkoi, botoi një libër të munguar dhe të duhur për historiografinë shqiptare me titullin “Kujtime – nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës” dhe vetë Instituti i Historisë ka promovuar së fundmi botimin me kujtimet e Syrja bej Vlorës. Përgatitur nën kujdesin e historianit Marenglen Verli këto kujtime shfaqen interesante për lexuesin. Babai i Eqerem Bej Vlorës, kushëri i parë dhe rival politik i Ismail Qemalit, kunat i Esat Pashë Toptanit, ambasador në Vjenë apo drejtor i doganave osmane, Syrja Vlora është padiskutim një personazh i rëndësishëm i epokës. Historiani Verli, që është kujdesur për botimin pohon se kujtimet janë shkruar nga Syrja bej Vlora rreth viteve ’20. Çuditërisht ato ndodheshin që pas Luftës së Dytë Botërore në Arkiv, por nuk u publikuan deri më sot. Këto kujtime kanë rëndësi, sepse sipas historianëve Syrja bej Vlora e nis rrëfimin e tij me pushtimin osman të Shqipërisë e deri tek Lufta e Vlorës. Përse e përmenda këtë fakt? Jo vetëm fakte, por edhe përshkrime mjaft të veçanta nga jeta politike tek ajo personale mbi emra si Esat Toptani, Preng Doda, Ahmet Zogu e mbi të gjitha Ismail Qemali, për të cilin ai shkruan ndër të tjera se “fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte një të metë, aftësinë e të mashtruarit me fjalë”. Syrja bej Vlora konfirmon atë që ka ndodhur dhe atë që mban mend kujtesa sociale, duke e transmentuar brezash, se ushtria italiane pushtimit, e thyer dhe e trembur nga zemrat trimëroshe shqiptare, “për hakmarrje dhe për të frikësuar popullin, u vunë zjarrin konakut të Osman Efendi Haxhiut në Vlorë, shtëpisë së Qazim Efendi Kokoshit me vëllezërit dhe shtëpisë së Koleka Efendiut në Ujë të ftohtë…[2]” . Kanë kaluar më shumë se 93 vjet nga Lufta e Madhe e Vlorës e, jo thjeshtë për të bërë një nderim të meritura nda asaj ngjarje dhe heronjve viganë të saj, por sidomos për vështrim krahasimtar, për perspektivën shqiptare në familjen qytetare europiane,natyrshëm më vjen në kujtesën vetake kënga tradicionale, e tabanit, e burimit, apo quajeni si ta ndjeni, por me vargjet e gdhendura me shpirtin fisnik të dinjitetit shqiptar:
“Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri”.
Vlorë, e diel, 24. 11. 2013, ora 10. 00
[1] ) Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit, Habazaj, Albert, Lufta e Vlorës – historia në epikën historike, Tiranë, 2013, f. 85 – 86.
[2] )Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Syrja Vlora, Kujtime , nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, Tiranë, “ICEBERG” Publishing House, 2013, f. 195.
KALENDARI HISTORIK PËR LUFTËN E VLORËS, 1920 NË FOKUSIN E FUQIVE TË MËDHA EUROPIANE
Nga Albert HABAZAJ/ studiues/*
Ky lloj kalendari është, në vetvete, një minisistem, jo thjesht i ndarjes së kohës, për vite, muaj dhe ditë, (pse jo dhe orë, apo kushte meteorologjike) për ngjarje e personazhe, që, në një trajtë apo tjetër formë, bënë epokë identiteti, me vizion integrimi, atje ku ndiheshin mirë e në troje të tyre, të parët tanë, gjyshërit tanë, në kontinentin europian; se s’kishin ku të ndiheshin më mirë e më natyrshëm, në origjinalitetin e tyre antik. Ky mikrokalendar merr për bazë ecurinë dhe rrjedhimet, jo më periodike të natyrës, por faktike, kushtëzuar nga optika globale e pesë deri gjashtë të mëdhenjve të këtij planeti, populluar me njerëz, dhe, patjetër ka në fokus udhëtimin prometejano – sizifik të frymëtarëve tanë me ndriçim, për krijimin e portretit të komunitetit shqiptar si komb, si shtet. Ja piketat datësore të Epopesë së Njëzetës:
1912, 28 Nëntor Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
29 nëntor Ismail Qemal Vlora u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme
Shqiptare
29 nëntor Trupat serbe pushtuan Elbasanin dhe Durrësin.
20 dhjetor Ushtritë greke pushtuan Korçën.
1913, 22 mars Konferenca e Ambasadorëve caktoi në vija të përgjithshme kufijtë veriorë dhe lindorë të Shqipërisë.
22 prill Esat Toptani i dorëzoi Malit të Zi Shkodrën.
8 maj Marrëveshja e fshehtë midis Austro – Hungarisë dhe Italisë që
parashikonte mundësinë e pushtimit të Shqipërisë prej tyre duke e ndarë më dysh.
29 korrik Konferenca e Ambasadorëve e Londrës njohu pavarësinë e
Shqipërisë nën kontrollin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha.
11 gusht Konferenca e Ambasadorëve caktoi në vija të përgjithshme kufirin jugor të Shqipërisë.
1914, 22 janar Qeveria e I. Qemalit u detyrau të jepte dorëheqjen.
20 – 27 shkurt Serbia e Mali i Zi nxorrën ligje për kolonizimin e Kosovës.
2 mars U shpall me nxitjen e Athinës “autonomia e Vorio – Epirit”.
7 mars Princ V. VID mbërriti në Durrës.
4 gusht Filloi Lufta e parë Botërore.
3 shtator V. Vidi u largua nga Shqipëria.
27 tetor Qeveria greke shpalli zyrtarisht pushtimin e Shqipërisë së Jugut.
30 tetor Italia pushtoi Sazanin.
25 dhjetor Italia pushtoi Vlorën.
1915, 26 prill U nënshkrua Traktati i Fshehtë i Londrës.
2 qershor Ushtria serbe filloi agresionin në Shqipërinë e Mesme.
27 qershor Ushtria malazeze pushtoi Shkodrën.
1916, janar Ushtritë austro – hungareze hynë në Shqipërinë e Veriut.
shtator – tetor Ushtritë italiane pushtuan Gjirokastrën, Sarandën dhe Përmetin.
tetor Ushtritë franceze pushtuan Korçën.
1917, 3 gusht Ushtria italiane pushtoi Çamërinë.
1918, janar U. Uillson shpalli 14 pikate tij, të cilat, përveç të tjerave, denoncuan
edhe Traktatin e Fshehtë të Londrës.
1 maj U themelua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
tetor Hynë në Kosovë trupat franceze dhe serbe.
tetor Në Kosovë u rivendos pushteti i Serbisë.
11 nëntor Përfundoi Lufta e Parë Botërore.
28 nëntor U zhvillua në Vlorë një protestë antiimperialiste.
1919, 18 janar U hap Konferenca e Paqes në Paris.
29 korrik Marrëveshja Tittoni – Venizelos.
20 gusht Marrëveshja kapitulluese midis qeverisë së Durrësit dhe qeverisë
italiane.
28 nëntor U zhvilluan manifetime intiimperialiste në mbarë vendin, veçanërisht në Vlorë.
9 dhjetor Memorandumi i SHBA – së, Anglisë dhe Francës që cenonte
tërësinë tokësore të Shqipërisë.
1920, janar U shpërndanë ftesat për thirrjene Kongresit të Lushnjës.
13 janar U bë kompromisi i Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes për
copëtimin e Shqipërisë.
21 janar U hap Kongresi i Lushnjës. Punimet nisën më 28 janar.
11 shkurt U vendos në Tiranë qeveria që doli nga Kongresi i Lushnjës. Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë.
11 mars Shkodra u bashkua me qeverinë e Tiranës.
prill U formua në Vlorë Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”.
26 maj Korça u bashkua me qeverinë e Tiranës.
28 maj U nënshkrua protokolli shqiptaro – grek i Kapshticës.
29 maj U mbajt Kuvendi i Barçallasë (Dukat, Vlorë)
3 qershor Ultimatumi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, drejtuar komandës së ushtrive italiane në Vlorë.
5 qershor Filloi Lufta e Vlorës.
6 qershor U asgjësuan disa përqëndrime trupash italiane në Vlorë
11 qershor Filluan luftimet për çlirimin e qytetit të Vlorës.
12 qershor U zhvilluan në qytetete eItalisë manifestime kundër luftës imperialiste në Vlorë.
13 qershor Avni Rustemi vrau në Paris Esat pashë Toptanin.
21 qershor U dorëzua garnizoni italian i Tepelenës.
korrik Filluan luftimet kundër ndërhyrjes së armatosur jugosllave në Koplik.
2 gusht U nënshkrua Protokolli shqiptaro italian, me të cilin Italia njohu
pavarësinë dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar.
14 gusht Filloi lufta kundër pushtuesve jugosllavë në Peshkopi.
17 gusht Forcat Shqiptare hyjnë në qytetin e çliruar të Vlorës.
3 shtator U festua fitorja e Luftës së Vlorës dhe largimi i pushtuesve italainë nga Shqipëria.
17 dhjetor Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve.
*ALBERT HABAZAJ
Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
KËNDVËSHTRIMI I SOTËM SI REFLEKSION PËR NGJARJEN HISTORIKE TË LUFTËS SË VLORËS, 1920
Në rrafshin historik flasin faktet/
Nga Albert HABAZAJ/ Studiues*/
Lufta e Vlorës shpërtheu e mbushur edhe me flakën e zemërimit popullor të kryengritjes së Kurbinit (shtator 1906 – maj 1907) kryengritjeve të kundërosmane të v. 1909 (maj – tetor), të valës tjetër kundërosmane të v.1910, të furisë kundërosmane me kryengritjen e Malësisë së Madhe që filloi më 23 mars 1911, të ortekut të kryengritjes së përgjithshme kumdërosmane të v. 1912, sikurse edhe me valën e zemërimit të ligjshëm popullor nga Lufta tremujore për Janinën nga vjeshta e v. 1912 deri më 6 mars 1913, kur Janina shqiptare ra në duart e ushtrisë greke, kryendritjes kundërserbe të shtatorit 1913, kryengritjeve të v. 1914 – 1915 në Kosovë, të kryengritjes së dibrës (nëntor 1917 – shkurt 1918, kryengritjes legjendare të Rrafshit të Dukagjinit (1919). Në këto kryengritje shkëlqeu mjeshtëria e të luftuarit shqiptarisht për Atdhe e strategëve popullorë Isë Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Elez Isufi, Ded Gjon Luli, Mehmet Shpendi, Çerçiz Topulli, Idriz Seferi, Themistokli Gërmenji, Sali Butka, Muharrem Rushiti, Azem Galica, trimëresha si Tringë Smajlja (e Grudës) Norë Luli (e Hotit), Shota (Qerime Galica) dhe udhëheqës të tjerë të të qëndresës së armatosur të popullsisë shqiptare të Veriut e të Jugut kundër ekspeditave të rënda ndëshkuese ushtarake osmane, bullgare, greke, serbe, malazeze, austrohungareze, italiane. Këto kryengritje përgatitën truallin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 nga burrat e kombit kryesuar nga Ismail Qemal bej Vlora. Dhe kur i humbën betejat shqiptarët nuk e ulën kokën, nuk u nënshtruan, se luftonin në të drejtë të tyre dhe u ngritën përsësi në këmbë, si dikur Araniti e Gjergj Kastriot Skënderbeu i Motit të Madh Arbëror. Kurorëzimi i dufit dhe dëshirave të larta liridashëse të shqiptarëve erdhi si Dafinë Lavdie, në Vlorën e asaj vere të Njëzetës, kur kastërnipërit e Pirro Mollosit dhe stërnipërit e Skënderbeut “e balosën bajlozin e zi të detit…”. LV shpërtheu kur 20 vjeçari i parë i shek. XX po i linte stafetën një periudhe më të thukët shqiptare, siç është fakti i pranimit të Shqipërisë anëtare në Lidhjen e Kombeve, më 17 dhjetor 1920; kur po ravijëzoheshin përpjekjet për demokratizimin dhe stabilizimin e shtetit shqiptar; ndërkohë që situata në rajon ishte e turbullt. Qielli ballkanik ishte i ngarkuar me re e suferinë dhe fuçisë ballkanike akoma nuk i kishte ikur era e barutit nga Lpb e Lidhjes Ballkanike (tetor 1912 – maj 1913), kundër Perandorisë Osmane, nga Ldb (29 qershor 1913 – 31 korrik 1913), ku Bullgaria sulmoi Greqinë dhe Serbinë, por humbi. LV ishte pararendëse frymëzuese për shqiptarët që në korrik të v. 1920 filluan luftimet dy mujore kundër ndërhyrje së armatosur jugosllave në Koplik dhe në 14 gusht të po atij viti filluan luftën kundër pushtuesve jugosllavë në Peshkopi. LV shpërtheu se, edhe pse gjatë LPB Shqipëria nuk kishte qenë shtet ndërluftues (por asnjanës), Italia imperialiste, duke abuzuar me statusit e të madhit dhe më tej duke shpërdoruar ekstremisht të qenit një nga pesë FM fituese të LPB, i theu rregullat e lojës dhe kishte pretendime aneksioniste, gjë që u duk qysh me zbarkimet militare, me armatimet më të sofistikuara të kohës, për ta bërë Vlorën e rrethinat plasdarmë të sajën në Adriatik, Jon, në Mesdhe. Nga historia marrim një tabelë kronologjike, nga e cila telegrafisht nxjerrim këtë hartë kronologjike të ngjarjeve që fokusuan Vlorën: Më 25 dhjetor 1914 Italia pushtoi Vlorën, ndërsa qeveria greke qysh më 27 tetor të atij viti shpalli zyrtarisht pushtimin e Shqipërisë së Jugut e tre ditë më vonë, më 30 tetor Italia pushtoi Sazanin. Më shtator – tetor 1916 ushtritë italiane pushtuan Gjirokastrën, Sarandën dhe Përmetin. Ndizet një fitil në tetor të atij viti: Ushtritë franceze pushtuan Korçën, por më 10 dhjetor formohet Krahina autonome shqiptare e Korçës. Fillojnë pazaret me lojërat e fëlliqura më 23 janar 1917, kur pushtuesit austro – hungarezë shpallën “autonominë” e Shqipërisë nën protektoratin e tyre. Hidhet topi tek pushtuesit italianë që më 3 qershor të atij viti shpallën “autonominë” e Shqipërisë nën “mbrojtjen” italiane, duke pushtuar dy muaj më vonë, në gusht dhe Çamërinë. Më 28. 11. 1918 në Vlorë u zhvillua një protestë antiimperialiste, ndërkohë që LPB përfundoi, siç dihet, më 11 nëntor, vetëm dy javë më parë (kishte filluar që më 4 gusht 1914). Më 29 korrik 1919 kemi marrëveshjen famëkeqe Tittoni- Venizellos për ndarjen e Shqipërisë dhe përkrahjen e pretendimeve të njëri – tjetrit para Konferencës së Paqes, për të dalë atje me një gjuhë të përbashkët[1]. Traktati i zi i ministrit italian të Punëve të Jashtme Tomasso Tittoni me kryeministrin grek Eleftherios Venizelos u pasua me marrëveshjen kapitulluese të 20 gushtit midis qeverisë së Durrësit dhe qeverisë italiane, që sillnin rreziqe për të ardhmen e vendit. Për diplomacinë e Romës dhe vetë kryeministrin F. Niti, kishte rëndësi kryesisht zotërimi i Vlorës nga Italia dhe nuk u bënte përshtypje që po loznin ortakërinë me fqinjët grabitqarë ballkanikë që donin ta bënin Shqipërinë “copa- copa, sikur s’ka njeri”. Në Shqipëri përmbajtja e marrëveshjes, që Roma dhe Athina, verbuar nga lakmitë pushuese, e cilësuan “triumf”, bëri përshtypje të thellë dhe tronditi qarqet atdhetare. Rrebeshi i zemëratës popullore u shfaq në manifestimet antiimperialiste, të zhvilluara në mbarë vendin, veçanërisht në Vlorë, ditën simbolike të Pavarësisë, më 28. 11. 1919. Memorandumi i SHBA-së, Anglisë dhe Francës që cenonte tërësinë tokësore të Shqipërisë mban datën 9 dhjetor 1919 nuk mund të paraqitej pa gatishmërinë e përfaqësuesit të Uashingtonit për t’i njohur Italisë “të drejtën për zotërimin e portit të Vlorës” që në prill të ‘19 – ës dhe më “ dorëlëshuar” akoma në kurriz të Shqipërisë më shtator të atij viti, kur amerikanët “ pranuan që sovraniteti Italian të shtrihej mbi të gjithë krahinën e Vlorës”[2]!!! Viti 1920 agoi tronditshëm e më i zi për shqiptarët. Më 13 janar 1920 u bë kompromisi i FM në KP për copëtimin e Shqipërisë. Kompromisi anglo – franko – italian i 13 – 14 janarit për copëtimin e Shqipërisë midis tre shteteve fqinje ngriti peshë shtresat e ndryshme të popullit dhe qarqet atdhetare radikale. “Flet një komb mijra vjeçarësh/ moj, Evropë, që na preve!” – regjistron EH me këngën që ndezte zemrat për zjarr shqiptarie, duke kujtuar dhe mesazhin me thuprat në porosinë skënderbejane për bashkim. President amerikan U. Uillson e hodhi poshtë këtë pazar matrapazësh, duke deklaruar prerazi se “nuk do të pranonte asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompesim tokësor në pjesën veriore të Shqipërisë për atë që kësaj do t’i merrej gjetiu”[3].. Por “kishin pjellë ato nëna/ kishin pjellë e bërë drëra”- thotë kënga. Trimëria kur ka në krahë dijen e kulturën- shpirtin e Mëmëdheut, e ngre përsëri në këmbë Atdheun e rrëzuar. Çelet një dritare atdhetarie, nga ku shqiptarët gjejnë busullën e udhëtimit kombëtar. U hap Kongresi Kombëtar i Lushnjës më 21 janar, punimet nisëm më dt. 28 dhe vijuan deri më 31 janar. Më 11 shkurt u vendos në Tiranë qeveria që doli nga KKL dhe Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë. Më 11 mars Shkodra bashkohet me qeverinë e Tiranës, më 26 maj Korça, ndërkohë që gjatë prillit 1920 formohet KMK, i cili, edhe me mbështetjen e qeverisë së Tiranës, do të drejtonte denjësisht LV, e cila, kushtëzuar edhe nga rrethanat e jashtme, ndikuar edhe nga faktori i brendshëm, do të shpërthente pashmangshmërisht. Më 28 maj u nënshkrua protokolli shqiptaro – grek i Kapshticës, ku, edhe pse kryeministri grek iu përgjigj negativisht kërkesës për ndihmë në “aksionin e Shqipërisë kundër pranisë së italianëve në Vlorë”, nga nënshkruesit Josif Koçi i qeverisë së Tiranës dhe guvernatori i përgjithshëm i Epirit Kalevras u kuptua se Athina nuk do ta shfrytëzonte luftën e armatosur me italianët, për t’u rënë shqiptarëve prapa krahëve e për të ndërmarrë ndonjë sulm mbi Gjirokastrën, gjë që i shqetësonte shumë shqiptarët.
Dështuan dhe bisedimet diplomatike të imzot Luigj Bumçit, ish – kryetar i delegacionit shqiptar në KP dhe tani anëtar i këshillit të Lartë me ministrin e Jashtëm Italian, Karlo Sforcën në takimin që patën për Çështjen e Vlorës. Përgjigja mohuese se Vlora përbënte “një pikëmbështeteje të politikës italiane”, s’kishte rrugë tjetër për palën mbrojtëse veç zgjidhjes me armë të së drejtës tokësore, pronësore e kombëtare. Deri këtu EHLV nuk na jep informacion, ndoshta shkalla dhe mundësia e njohjes, apo niveli arsimor i krijuesve të folklorit nuk mund t’i kapte këto probleme, se ata nuk dinin, nuk kishin njohuri për këto zhvillime diplomatioke e politike të FM apo dhe të qeverisë së Tiranës apo pak u interesonte atyre, shumica e të cilëve ishin banorë të pashkolluar e me mentalitet rural. Më 29 maj 1920 u mbajt kuvendi i Barçallasë (Vlorë).
Këtu kthen faqja e historisë. Këtu hapet sipari i lavdisë për bijtë e vendit të shqipeve. Gurgullima e EHLV, si rrallë herë më parë shpërthen me gjithë shkëlqimin e kulluar të gurrës popullore. Më 3 qershor KMK, i dorëzon komandës së ushtrive italiane në Vlorë Ultimatumin. Më 5 qershor filloi lufta e Vlorës. Më 6 u asgjësua disa përqëndrime trupash italiane në Vlorë. Më 11 filluan luftimet për çlirimin e qytetit të Vlorës. Më 12 qershor u zhvilluan në qytetet e Italisë manifestime kundër luftës imperialiste në Vlorë, ndërsa të nesërmen, më 13 qershor Avni Rustemi vrau në Paris Esat pashë Toptanin, kurse më 21 qershor u dorëzua garnizoni italian i Tepelenës. Më 2 gusht u nënshkrua Protokolli shqiptaro – italian, me të cilin Italia njohu pavarësinë dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar, ndërsa më 17 gusht forcat shqiptare hyjnë në qytetin e çliruar të Vlorës. Më 3 shtator u festua fitorja e LV dhe largimi i pushtuesve italianë nga Shqipëria. Kënga “Nuk e bëjmë kabull na,/ Të jemi për nën – ë botë,/ Ne kala përmbi kala,/ Historia ashtu thotë” është thurur e kënduar nga Mato Hasani më 3 shtator 1920, ditën e fitores, në shesh të Flamurit. Xha Matua, i lindur në Brataj, më 12 dhjetor 1866, është dhe vëllai i madh i xha Selimit të Brate, siç e quan Dritëroi. Ai ka marrë pjesë në kryengritjet antiosmane të viteve 1911-’12; në mbrojtje të qeverisë së Vlorës me armë dhe këngë; në epopenë e Njëzetës, në krah të Osmën Haxhiut e Halim Xhelos me shokë; ndihmoi djemtë e vashat kundër pushtimit fashist të ’39-ës, se ishte i moshuar; mbas Çlirimit mbajti qëndrim burrëror, përparimtar e vizionar. Ka thurur mbi 200 këngë dhe 40 valle. Nga kontributi i tij njihet në Labëri “kënga dhe vallja Mato Hasançe”, e cila bën akoma jetë folkorike. Luftëtari dhe këngëtori Mato Hasani respektohet për kontribut të shquar në zhvillimin e traditave krijuese, kulturore e zakonore, si një vjershëtor i spikatur i krijimtarisë popullore e humorit në trevën e Labërisë e më gjerë. Tablo të gjalla, tablo të pasura na sjell EHLV me saktësi deri në imtësira e detaje, që asaj i pëlqejnë t’i rrok në gjirin e saj brilant. Tablo të tilla nuk janë të stisura, ato janë dëshmi jetësore, vlera madhore të një kombi dhe të një populli të tërë që për busull kemi fjalët e Naimit tonë: “Tek është vëllazërija/ atje është është Perëndija”.
L V tregoi se edhe Perandoria e re Romake, sikurse Perandoria e vjetër Osmane, nuk ishte e paprekshme, e pacenueshme, e pamundur për t’u shporrur, për t’u turpëruar me turp mbuluar. Në vijimësi kemi paraqitur se si forcat vullnetare, trupat kombëtare po përparonin nga Tepelena, Gjormi, Kota, Llogoraja, Kanina, Vreshtat e Mëdha, Babica, qafat e Ullijve, qafa e Koçiut, Vlora, Skela, ku forcat e LV po bluanin ç’ kishte mbetur nga ushtria kapitullante, e pakësuar numerikisht dhe e demoralizuar. Forcat e LV ishin inferiore në numër, por shumë më superiore në njohjen e terrenit. Në librin “Historia e Artit Ushtarak Botëror” është dhe ky ky paragraf i shkruar për ushtrinë italiane, e cila “kishte përgatitje të dobët për luftë në kushtet e terrenit malor, si rrjedhim në këtë teatër veprimet luftarake morën mjenjëherë karakter pozicional”[4]. Gjithashtu, marrim informacion se që në mbrojtjen e Sevastopolit, para se të binte, (tetor 1854 – shtator 1855) gjatë Luftës së Krimesë, (1853 – 1856) është përdorur me sukses fortifikimi xhenjer fushor dhe organizimi i mbrojtjes së thellë, ku filloi aplikimi i metodave pozicionale të zhvillimit të luftës. Për të lehtësuar manovrën dhe komunikimin këmbësorët shfrytëzonin strehimet, krijonin për vete grumbuj dheu (ledhe për t’u mbrojtur) e çerdhe pushkatare. Këto çerdhe u lidhën me njëra – tjetrën, duke formuar kështu ndërtimin e ri xhenier, llogoren pushkatare. Përveç kundërsulme të herpashershme, u përdorën në shkallë të gjerë edhe sulmet e befasishme, sidomos natën me reparte të vogla në pozicionete e armikut, të cilat në disa raste patën shumë sukses, duke e detyruar armikun t’i linte pozicionet e zëna çetave të organizuara luftarake. Po kështu përvoja e Garibaldit, nëmesin e shek. XIX, sidomos me lavdinë që fitoi në Palermo, me mësymjen e guximshme, me sulme të guximshme, energjike e manovrime të shpejta, me ndërthurjen mjeshtërore të veprimeve luftarake mbrojtëse me ato mësymëse, me bashkëveprimin e trupave vullnetare me popullatën brenda në qytet, na njeh me përvoja të luftrave të drejta në botë, të cilat lehtësojnë dhe shpejtojnë fitoren. Metoda e analogjisë na ndihmon të heqim paralele ngjashmërie të këtyre superluftrave titanike e shumë të tjerave me luftën heroike të popullit tonë të vogël. Nuk jemi vetëm ne që kemi luftuar, nuk jemi vetëm ne që jemi pushtuar, nuk jemi vetëm ne që kemi heronj, nuk jemi vetëm ne që u këndojmë trimave. Edhe vendet e tjerë të botës kanë luftuar e janë pushtuar, u kanë kënduar trimave të tyre dhe e kanë të shenjtë kujtimin e të rënëve. Pra, shqiparët janë banorë të vendit të tyre në rajon, në siujdhesë, në continent e në botë si gjithë banorët e tjerë përqark nesh, si gjithë popujt e tjerë, me dritat tona historike dhe patjetër me hijet tona historike. Sipas HAUB, vetëm në LPB morëm pjesë 36 shtete, numri i përgjithshëm i forcave të armatosura arriti 70 milionë vetë, 12 % e të gjithë popullsisë së shteteve më të mëdha kapitaliste në luftë dhe zgjati 4 vjet e 3 muaj e 3 muaj e gjysmë. Humbjet e përgjithshme gjatë luftës arritën 10 milionë të vrarë dhe 20 milionë të plagosur. Historia na mëson se LPB pati shumë pasoja edhe për shtetin shqiptar që sapo kishte fituar pavarësinë, por që ende s’ishte konsoliduar politikisht. Nga njëra anë të dy blloqet ndërluftuese u përpoqën ta përdorninShqipërinë me pozitën e saj të favorshme gjeostrategjike, si object të planeve të tyre luftarake e politike, nga ana tjetër, shtetet fqinjë që lakmonin tokat tona, u munduan të shfrytëzonin kushtet q ëu kijoi lufta. Që në prag të luftës Greqia pushtoi Korçën dhe Gjirokastrën, në dhjetor 1914 Italia pushtoi Vlorë, gjatë v. 1915 trupat serbe dhe malazeze hynë në Shqiërinë Veriore dhe në atë Qendrore. Në fillim të v. 1916, si rezultat i disfatës serbe në frontin ballkanik, ushtritë austro – hungareze, në ndjekje të tyre, hynë në Shqipëri, ndërsa më vonë ushtritë franceze dhe italiane pushtuan Shqipërinë e Jugut. Në këtë mënyrë Shqipëria u shndërrua në një shesh lufte imperialiste, duke i sjellë vendit shkatërrime të mëdha. Në fillim të v. 1917 e deri nga mbarimi i LPB fronti ndërmjet dy blloqeev për territorin tonë kalonte përafërsisht në vijën: Vlorë – Berat – Pogradec. Lëvizja kombëtare shqiptare, duke kuptuar mirë qëllimet grabitqare të të dy blloqeve imperialiste ndaj vendit tonë, mbajti qëndrim asnjanës. U bënë përpjekje të mëdha për anullimin e TFL, sidomos pas denoncimit që i bëri Lenini më 1917 me botimin public të përmbajtjes së tij dhe mbështetje së fuqishme të Uillsonit ndaj zgjidhjes së çështjes shqiptare në tërësi. Lufta për sigurimin e lirisë, të pavarësisë dhe të tërësisë tokësore të vendit mori përpjestime të gjera nga Vlora, Shkodra, Dibra e gjithandej. Në LV u përdorën nga forcat pushtuese për herë të parë lloje të reja armësh dhe mjetesh luftarake për kohën si aviacioni, tanket etj.
Disfata kritike e Kotës ishte turpërim për ata, që vinin të blinduar dhe të armatosur gjer në dhëmbë. Nga rrëfimet e bashkëkohësve dhe më moshatarëve të mundshëm që kemi marrë informacionet e nevojshme për plotësimin e strukturës historike dhe folklorike të kësaj ngjarjeje, sidomos nga libri “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia” i Gani Iljaz Abazit, (që është nga më autentikët, sepse autori ka luftuar dhe ka shkruar drejtpërdrejtë nga fronti i Luftës, si korespodent i gazetës “Drita” që botohej në atë periudhë në Gjirokastër nga Veli Harshova, sepse qe edhe mësues dhe shoqërues i Kryqit të Kuq Amerikan dhe gazetarët), kujtesa regjistron fakte të panjohura më parë, ose të njohura pjesërisht. Edhe nga ai botim mësojmë se peshën kryesore të luftës e mbajtën fshatarët e lumit të Vlorës e Labërisë, sepse ishin pikërisht hapësirat, trojet, vatrat e tyre që pushtoi armiku. Mësojmë gjithashtu se jo më pak kontribuan krahinat e tjera jo labe; se vullnetarët që vinin edhe nga treva të tjera shqiptare si Berati e Skrapari, Korça e Kolonja, Elbasani e Kavaja, Tirana e Durrësi, krahas gjirokastritëve e sarandiotëve, luftonin për Vlorën, Himarën e Tepelenën si për shtëpitë e tyre, si për vatrat e tyre, sepse i thirri zëri i Atdheut në luftë për liri. Harta e pjesëmarrjes së forcave vullnetare në Luftën e Vlorës pasurohet edhe trimat shqiptarë të Çamërisë. Vijnë trupa vullnetarë dhe nga larg: 120 shqiptarë të Amerikës nën drejtimin e Aqif Përmetit, vatranët e zjarrtë kompozitorin patriot Thoma Nassi. Sipas studiuesit B. Gaçe poezia e Ali Asllanit “Vlora – Vlora”, kompozuar prej Thoma Nashit dhe e kzekutuar prej bandës muzikore “Vatra” u bë një ndër këngët më popullore, jo vetëm në çaste të vështira kushtrimi e lufte, por edhe në festa e gëzime, si ditën e Bajramit më 18 qershor. Sikurse kënga “Eja mblidhuni këtu, këtu” e patriotit korçar M. Grameno, edhe “Vlora – Vlora” ka qenë himn i përpjekjeve shqiptare për lirinë e vendit dhe Ali Asllani mbetet poeti i kësaj lufte epope. Thirrja e vullkanit popullor: “O do bëhet Vlora Jona,/ o do bëhet shkrumb e hi…! U bë simbol i një kuptimi të thellë të nëndheshëm, të uturimave të brendshme të tokës shqiptare. Jepen në këtë këngë dhe disa nga karakteristikat luftarake e liridashëse të vlonjatit, por e dhe të shqiptarit në përgjithësi: “s’duron burri zgjedhë kurrë”, “rreth flamurit di e des”, “domosdo do rroj i lirë” etj. Në përfytyrimin poetik të autorit të këngës së LV ngrihet ndërgjegja kombëtare, përforcohet besimi në fuqinë e kombit, në të ardhmen e tij. Tetërrokshi luftarak, me ritme marshi, derdh shpirtin e poetit të frymëzuar dhe krenar për populin e tij, për qytetin heroik të lindjes. LV zhvillohej vetëm 8 vjet pas shpalljes së pavarësisë Kombëtare, kështu që dhe kjo këngë është pjellë e ngjarjeve të mëdha kur periudhës së pavarësisë dhe nismave për krijimin e shtetit të ri shqiptar. Luftëtari, kryetari i bashkisë, poeti atdhetar A. Asllani frymëzimin e mori në popull, i dha dimensione të reja, ia ktheu me bujari estetike, me zjarr të dlirtë patriotik, me ritme kumbuese luftarake, sa që shumë krijues popullorë e të kultivuar gjetën frymëzimin në ato vargje të mbushura me idealizëm romantik dhe krijuan e kënduan duke u hedhur si rrufe vetë e luftëtarët e tjerë në llogoret e luftës kundër armikut. Sipas Mitrush Kutelit tre kulmet e historisë shqiptare janë “Epopeja Skënderbejane, Lidhja e Prizrenit dhe Lufta e Vlorës[5]. Ndihmojnë edhe vllehët, çobanët e Selenicës, që sipas paleontologut Luan Hasanaj, janë shqiptarë të latinizuar e, pa ndihmën e të cilëve, arteria e luftës nuk do të funksiononte. Vërejmë se, po bëjmë një klasifikim të përgjithshëm, mund të themi që në LV pati përfaqësim me pjesëmarrje aktive nga të dy krahinat kryesore etnografike shqiptare. Në këtë epope, nuk u përfshi vetëm Shqipëria e Jugut, apo TOSKËRIA, si i thonë në gjuhën e trashëguar popullore, kësaj krahine të madhe etnografike, me Toskëri (Shqipëri Juglindore), me Myzeqe (krahinë e papërcaktuar në mënyrë të qartë në pjesën verioro – qendrore të Shqipërisë së Jugut), me Çamëri (krahinë e papërcaktuar në mënyrë të qartë në pjesën më jugore të Shqipërisë dhe me Labëri (Shqipëri Jugperëndimore), por pati prurje të dukshme kombëtare me pjesëmarrje edhe nga GEGËRIA ose Shqipëria e Veriut. Vërtet nuk pati përfaqësim nga Leknia ose Dukagjini (në jug të lumit Drin), nga Fushat Lindore (Rrafshi i Dukagjinit së bashku me Fushën e Kosovës), nga Fushat Bregdetare të Shqipërisë së Veriut (që nga Bregu i majtë i liqenit të Hotit në veri, deri në të djathtë të lumit Shkumbin në jug, por pati pjesëmarrje efektive nga nënndarja Gegëri (në veri të lumit Shkumbin). Për të hedhur dritë mbi këtë që themi, përveç memories kolektive, na ndihmojnë edhe dokumentet, si dëshmi e gjallë informacioni. Janë të regjistruar realitetet folkoriko – historikë që vërtetojnë këtë fakt. Janë të mjafta dokumentet zyrtare, të cilat kanë vlerën si dëshmi historike, që na informojnë për këtë solidaritet për të çliruar krahinat e pushtuara të Vlorës, Himarës e Tepelenës me rrethinat.
Shtrohet pyetja: Përse morën pjesë në LV me armë në dorë krahinat e tjera më të largëta me “skelën e parë në Evropë”? Përveç vlonjatëve apo edhe tepelenasve, që ishin zotërit e vatrave të pushtuara, apo dhe mallakatriotëve, sarandiotëve e gjirokastritëve, që si fqinjë natyrorë motivoheshin, sipas të drejtës juridike të pashkruar (kanunet trashëguar e transmentuar nga brezi në brez) për ta mbështetur njëri – tjetrin në rast rreziku nga hasmi, të tjerët përse erdhën, kush i thirri? Ngjizja e realitetit të ndjenjës kombëtare fillon e ravijëzohet me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (10.06.1878) Ka dhe një cikël këngësh për LSHP, ku gëlon lufta për autonomi ndaj pushtimit turk. Po të bëjmë një retrospektivë kronologjike të EH në tërësi, qysh nga këngët e Pushtimit Osman (me Shqiptarë në pesë shtete) e te Pashallëqet që kanë cikle këngësh, apo te cikli vijues i Tanzimatit, me reformat osmane, ku jepen përplasjet e shqiptarëve kundër sunduesve të huaj turq (1830 – 1847), vërejmë se nuk u ngjiz dot ndjenja e lartë kombëtare. Cikli I LSHP është shumë i madh, i pasur, i gjerë, sepse LSHP qe mbarëkombëtare dhe, në kryerje të misionit të saj kjo ngjarje kombëtare, na vjen edhe nëpërmjet këngës, sepse kënga historike është kronikë e ngjarjeve ngapopulli. Cikli i këngëve për mbrojtjen e trojeve shënoi një shkallë më e lartë zhvillimi, sepse përvoja e hidhur me Berlin, Bismark e soj e sorollop, “pa din e pa iman” si ata, e shndërruan Shqipërinë plaçkë tregu, sepse trojet shqipare u janë falur të tjerëve padrejtësisht. Një dukuri e re u lind në këto troje: ndërgjegjësimi atdhetar – kombëtar, njohja e kombit nga ajo bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqej në bashkësinë e kulturës të përbërë nga shqiptarë. Mashkulli i aftë për luftë, burri shqiptar, na tregon kënga, nga Kavaja shkon në Ulqin. Është një batalion me kavajas që lufton për Ulqinin. Pra, një dukuri e re lind ndër shqiptarë: Shtëpia e madhe kombëtare është e barabartë me shtëpinë e vogël të familjes. Kjo traditë përcillet brezash tashmë e tutje si stafetë lirise. Kështu ndodh edhe me LV. Vërtet lufta u zhvillua në Vlorë, por pjesëmarrësit ishin gati nga të gjitha trevat shqiptare. Edhe cikli i EHVL është shumë i pasur e interesant, sepse nxjerr në pah shpirtin luftarak e liridashës të shqiptarit, që u ngrit kundër perandosisë. E thotë qartë kënga: “ Breshkaman i breshkamanit,/ dil steresë, jo limanit!” Është logjika kombëtare, është referenca morale, që i bashkoi shqiptarët në luftë kundër të huajit që kishte zaptuar vatrën. Është një sistem vlerash morale i kodifikuar nga burra gjykimi e me peshë në hapësirat e mundshme, relativisht të gjera të një grupimi banorësh me doke, mënyrë jetese, tradita, dialekt e folklore të përafërt, që vinte brezash, i pa shkruar, i transmentuar gojë më gojë, por i detyruar për t’u zbatuar rreptësisht. Vatra ishte për ta metafora e Atdheut. Vatra dhe pragu i shtëpisë janë të shenjta, jo vetëm ndër shqiptarë, por kudo në botë. Ndaj kanë thënë banorët e vjetër në Shqipëri, në Ballkan, në trevat mesdhetare, ndër popujt e Europës dhe të kontinenteve të tjerë të botës; “ mos e nga x gjë se ndodh gjëma, hataja, të pret vdekja (sepse x apo y gjë (fjala vjen, vatra, zjarri, tymi, oxhaku, nderi, morali) është e shenjtë, e paprekshme, tabu.
Për luftën kanë ndihmuar shumë edhe gratë. Kjo nuk përbën ndonjë risi, sepse është aplikuar si praktikë e nevojshme, e domosdoshme edhe në luftërat e mëparshme, që nga Nora e Kelmendit (Nora e Bukur), Maro Kondi, Miro Tërbaçja, Nora Luli (gruaja e Ded Gjo Lulit), ashtu sikurse dhe më Njëzetën, heroina Sado Koshena nga Dukati, Rubì Hosi nga Matohasanaj, (gruaja e heroit Toto Hosit), Hanko Metja e shumë e shumë të tjera, se dushmani po u shkelte vatrën. Vatra është metafora e Atdheut për shqiptarin dhe atdhe shqiptari ka vetëm një. Ndihma e grave për luftën është një traditë e trashëguar nga të parët, kur atdheu lëshon Kushtrimin. Edhe në LV gratë kontribuan duke siguruar ushqim për trupat kombëtare, furnizim me municion për ta, shtresa e mbulesa për të plagosurit në front dhe haje për kafshët e luftës. Jeta sociale e malësorëve të Labërisë ishte komplekse. Sipas traditës, “Mikun do ta prisnin siç pritej miku, me të gjitha nderet, ta dinte se nesër hante hi”, siç na ka treguar edhe Xhebro Gjika, luftëtar dhe këngëtar i LV, të cilin kemi patur fatin ta takojmë e të marrin informacion të hollësishëm për atë epope gjëmimtare në Europë. Xha Xhebrua na ka thënë se banorët që u ngritën me “sëpata me hanxharë, me dyfekët lidhur me gjalmë” artin e pritës e përdorën edhe gjatë dy – tre muajve të verës që bënë LV dhe aplikimi i pritave qe efikas, sidomos në terenin malor e të panjohur për zaptuesit e urryer. LV pati këto avantazhe për fitorene arritur: Luftëtarët aplikuan suksesshëm luftimin natën dhe të rrufeshëm, falë mundësisë që s’e kishte kundërshtari, se tanët ishin mjeshtër në njohjen e terrenit.
Për LV pati ndikim faktori i jashtëm, por qe koherenca e brendshme motori që ndezi lëvizjen çlirimtare në krahinat e pushtuara, për shpëtimin e mëmëdheut. Ishte identiteti absolut i cilësive të larta dhe karakterit shqiptar në momente madhore, që pruri dhe shpejtoi fitoren. Identitetin shqiptar e përcaktoi dhe më Njëzetën gjuha, feja, tradita, kultura, territori (uniteti territorial), se ditët e mira paskëtaj vinë dhe për shqiptarët dhe shqipërinë, se ndërkomunikimet janë përbashkime, se bashkimi bën fuqinë, se fuqia korr fitoren. Na vlen paraqitja identitare në familjen europiane, që të mos jemi letargjikë, por të krijojmë vetëdijen mbi vetveten, të reflektojmë, që të mos përsëriten gabimet. Logjika na këshillon të mos i shikojmë vrëngër fqinjët matanë Adriatikut për shumë arsye me ndikim pozitiv ndaj shqiptarëve, por edhe për faktin se italianët e sotëm nuk kanë faj për ç’ka ndodhur më 1920 – n.
[1]Shënim: Lidhur me Shqipërinë Roma angazhohej të mbështeste në Konferencë kërkesat greke për aneksimin e Korçës e të Gjirokastërs, ndërsa Greqia do të përkrahte mandatin italian mbi Shqipërinë, e cunguar territorialisht, si dhe aneksimin italian të Vlorës. Kjo marrëveshje do të ishte e vlefshme edhe nëse SHBA do të vazhdonin të kërkonin që Korça të mbetej brenda kufijve të shtetit shqiptar dhe për pasojë Greqia do të mund të merrte vetëm trevën e Gjirokastërës. Në çdo rast Greqia pranonte t’i lëshohej Italisë për 50 vjet një pjesë e portit të Sarandës, duke u zotuar të ruante gjithashtu asnjanësinë e kanalit të Korfuzit.
Bibliografia
2 Histori e Popullit Shqiptar, 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Toena, Tiranë, f. 134.
3 Po aty, f. 149.
4 HISTORIA e Artit Ushtarak Botëror, bot. i Akademisë Ushtarake. Tiranë, 1987, f. 163.
5 ASLLANI, Ali: Vidi, vidi pëllumbeshë, Tiranë, Toena, 1999, f. 265.
*) drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA