LUIGJ GURAKUQI (19 Shkurt 1879 – 2 Mars 1925) Foto Marubbi Shkoder/
Bazate bashkpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedanë e të Krishtenë./
Nga Fritz RADOVANI/
Arësyet ma të para e ma të forta që armiqtë e një Shqipnie të lirë e më vete kanë përdorë ma shpesh për me kundërshtue që nga fillimi Lëvizjen tonë Kombëtare, kanë kenë këto: “Shqiptarët nuk mund të lirohën, Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë një Shtet që të kenë jetë të gjatë, që të organizohët e të përparojë, mbasi nuk kanë ndjesi kombëtare, tue kenë se janë të ndamë në tre besime të ndryshme.”
Këto fjalë përsëriteshin, kjo propagandë ngatrrestare lejohej si mbrenda, si jashtë Shqipnisë. Por, Prisat tonë, – ata që, nga ma të parët, rrokën Flamurin Kombëtar në dorë dhe nisën luftat për liri, – nuk u dobësuan as nuk u trembën fare prej kësaj profetije ogurzezë, tue kenë se njihnin thellë shpirtin e butë të vëllazënve të vet, e dinin mirë sësa janë të lidhun për gjuhën e, sësa kryenaltë janë Shqiptarët për vend e kombësi të vet. E, nuk u gënjyen; provat i kemi në shesh.
Idea e gjuhës dhe e kombësisë triumfoi mbi të gjitha pengesat.
E, me të vërtetë, lidhja e besimit me Shtetin që na sundonte, nuk i rudhi aspak Muhamedanët Atdhetarë me kërkue ndarjën e Shqipnisë nga Turqia. Edhe të Krishtenët, ndonse e dinin mirë se Shqipnia Etnografike, që ata andërronin të lirë do të kishte një shumicë tepër të madhe Muhamedane, nuk e morën fare parasyshë këte punë e, as nuk i dhanë rendësi konseguencave të saja.
Vazhduen, pra, së bashku, si vëllazën që ishin, e me zellë ditë përditë ma të ngrohtë e me guxim herëpërherë ma të madh, vëprimin dhe luftën për gjuhë, për kombësi, për liri; e disa prej tyne patën edhe fatin e bardhë me e pa të realizuem idealin e vet e me gëzue edhe frutët e teorive të veta.
Në kohët e para të Pavarësisë sonë ndodhën me të vërtetë disa ngjarje të këqija, të cilat u dukën përnjëherë se po u epëshin të drejtë profetëve ogurzezë. Kundërshtarët e Shqipnisë së lirë, të mbrendshëm e të jashtëm, u tërbuen prej gëzimit e besuen për një minut, në fitorën e mendimëve e qellimëve të veta; por veteranët tonë me gjithë mjerimin qe ju ndjeu zemra, nuk e humbën besimin as shpresën në fatin e Atdheut. E patën të drejtë. Mù në mes të trazimëve shpirti i butë i Popullit Shqiptar u shque ma shumë se kurrë; e, lidhjet e gjuhës, të gjakut dhe të kombësisë nuk vonuen me dalë ngallnjyese mbi lëvizjet e ngatërresat jetëshkurta.
Po të marrim parasyshë konditat e vështira e rrëthanat anormale ndërmjet të cilave lindi Shqipnia, nuk duhët të çuditemi aspak për këto ngatërresa e trazime, as t’ ia ngarkojmë të gjitha influencës së besimëve.
Kur ta mëndojmë Shqipninë, të cungueme nga pjesët e saja ma të mira, me kufinjë të përcaktuem e të çthurun, me tokët e pushtueme nga ushtritë e huaja e me një Komision kontrolli Ndërkombëtar mbi kokë, duhët të mbrekullohemi sësi Populli i sajë, ka mundë ta mblidhte vetën e, sësi nuk ka vdekë përpara se të fillonte me rrojtë!
Përsa i përket, tashti, çeshtjës fetare e kundërshtimëve që mund të ngjajnë ndërmjet besimëve të ndryshme, mund ta thomi me krye nalt se edhe në këte pikë nuk kemi arësye të kjajmë, pikërisht, ma shumë të gëzohemi e të shpresojmë në të mirën. Që mos të duket se kënaqem vetëm me shpresa e se, në mungesë argumentësh ma të sigurt jam tue u mundue me rreshtue vetëm fjalë të bukra për ti ba qejfin njenit apo tjetrit, kësaj herë do të sjelli një shembull tue e marrë prej Irlandës.
Po të krahasojmë gjendjën shoqnore t’Irlandës me ate të Shqipnisë, e po të masim shkallën kulturore të Popullit të sajë me ate të Popullit tonë; e po të kujtojmë mandej, se banorët e Ulster-it nuk duen të ndahën nga Ingilterra e të lidhën me shumicën e vëllazënve të vet Katolikë, për me kërkue sëbashku lirinë e plotë t’Atdheut, vetëm nga shkaku se janë Protestant, duhët të përfundojmë tue pohue pa frikë kundërshtimi, se ndryshimi i besimit sjellë pengesa shumë ma të mëdha në Irlandën e qytetnueme e të përparueme, sësa në vëndin tonë të mjerë.
Në këte pikëpamje, Kombi Shqiptar ep me të vërtetë një shëmbull të shkëlqyeshëm vëllaznimi e butësije shpirti, sa që rallë se gjindët tjetërkund!
Përpara se të përfundojmë, po ju, pyes: Si do të sillën, si do të rregullohën Shqiptarët që të mundën me bashpunue lirisht për të mirën e Atdheut, që të largojnë çdo shkak konflikti e të mos ndeshën në asnjë pengesë sado të vogël që mund të rrjedhë nga ndryshimi i besimëve?
Unë s’jam aspak me ata që mendojnë se në një mënyrë a në një tjetër, me të butë a me të fortë, duhet të shuhën besimet për me largue konfliktët që mund të shkaktojnë. Përveç, çeshtjes që feja i përket ndërgjegjës së njeriut, feja asht një gja e mirë se asht një ndihmë e madhe për jetën e kësaj bote.
Parimet e fesë të ndjekuna mirë i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që ti shërbejnë Atdheut, që t’ju shtrohën ligjëve të Shtetit. Unë besoj, se qellimi i dëshruem, domethanë, nëse në mes besimëve largojmë konfliktët, mund të arrihët lehtë e vetëm e vetëm, tue sigurue me ligjë të drejta e të barabarta lirinë e nderimin e besimëve, e tue ndalue që Shteti të përzihët në punët e tyne.
Ndëhymja e Shtetit në çeshtjet fetare jo vetëm që asht e padrejtë por, sidomos, në Shqipni, mund të dalë edhe fort e rrezikëshme. Po të fillojë e të përzihet Shteti në punët e njenit apo të tjetrit besim, për të mirë a për të keq, sidoqë të jetë, do të prishet menjëherë ekujlibri ndërmjet tyne, do të shkaktohën hidhërime e pakënaqësi, do të sjellin si rrjedhim vështirësi e ngatërresa. Tue kenë kështu punët, arrijmë vetvetiu në këte përfundim, që bazat e bashpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedan e të Krishtenë duhët të mbetën gjithënjë ato të parat e, duhët të jenë këto: Njësia e Atdheut, bashkimi i kombësisë, lidhja e gjakut dhe e gjuhës; ide këto, që janë përshkue nëpër provën e zjarrit dhe kanë dhanë frute të mira. Përsa i përket mandej, çeshtjes Fetare, parimet që do të ndiqën janë këto: Besime të lira në Shtet të lirë, mosndërhymje e Shtetit në çeshtjet e besimëve, nderim i njenitjetrit për besimin e shoqi-shoqit.
Tue ushqye këto ide, tue ndjekë këto parime, tue vëprue mbi këto baza, mund të jemi të sigurtë se Shqipnia do të rrojë, se Shteti do të forcohët, se Populli i ynë do të vrapojë me hapa të shpejtë drejtë udhës së qytetnimit dhe të përparimit.
1923. Luigj Gurakuqi.
Dikur… ishte edhe Shtëpia e Luigj Gurakuqit..! Tashti a e kuptoni pse as kjo shtëpi nuk asht ma!
Melbourne, 18 Shkurt 2015.
* Ne vijim te rubrikes:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Luigj Gurakuqi, zadhanësi i idealeve kombtare, shembëlltyra e virtytit politik, frymëzues i kultures e i qytetnimit europian
Nëno moj, ç’është perpjekur/
Gojë-mjaltë e zemer-hekur/
Noli/
Nga Kolec Çefa/
Nuk mund të ketë njeri të plotsuem e pa mungesa, nuk mund të ketë njeri të perkryem e pa gabime, nuk mund të ketë njeri krejtësisht të paster e pa mëkate, sado të vogla, por, po të kishte një njeri të tillë, ndër politikanë sidomos, i pari do të thojshe âsht Gurakuqi. Në fytyrë: një flakë energjie entuziazte i jepte nur, fytyrë burrnore, e hijshme, ku vezullonte vizioni patriotik. Ata sy të qetë e të urtë, ato fjalë të meçme e frymëzuese, atë trimni të matur e patriotike, i pelqente gjithkush. Të bajshin per vete sytë e tij të bukur, ku mençuria lexohej në shkëndijat e tyne, ku zemërbardhësia lexohej në gazin e tyne, ku ekuilibri shpirtnor pasqyrohej në qetësinë e tyne. Kishte një mendim të mirë per të gjithë: afrues, inkurajues, tolerues; një zemer të hapët per të gjithë: të tejdukshme, të bardhë, të ngrohtë; një buzëqeshje të kandshme për të gjithë: të sinqertë, të përzemërt, joshëse. Shpesh shpërthente në gaz, por dinte të bahej serioz. Dhe i kishte hije edhe gazi, edhe serioziteti. Se nuk e tepronte as njenin, as tjetrin. Kishte aftësinë me ndejë me të gjithë. E, me të gjithë, krijonte marrëdhanie të përzemërta, se udhëhiqej nga parimi fisnik: Të kuptohemi, të merremi vesh me të mirë, të duhemi se jemi shqiptarë, jemi njerëz! Mishnonte parimin njerzor: “Po gaboj, qortoje; po u pendue, fale”.
Studjoi në burime të pasuna, të shëndetshme, të kullueta, me mësues të ditun, të talentuem, patriotë. Mësimet gjimnaziare i mori në Kolegjin Saverian, mësimet liceore ndër arbreshët. Perfundoi në Napoli.
E filloi me flakë ideali e guxim rinie, e vazhdoi me trimni idealisti, e e mbylli me burrni martiri.
I urti nder fjalë, i matuni në sjellje, energjiku në veprime të mbara. Politikani i urtë që dinte të dialogonte ma mirë se të tjerët: ma shumë ndigjonte se flitte. Dinte të ndigjonte me vemendje e duresë. Edhe kundërshtarin e ndigjonte deri në fund. Dhe në bisedat e tij kishte zgjuarsi, arsye, logjikë, shpesh humor, gjithmonë dashamirësi. Flitte fjalë me hapësinë mirëkuptimi, frymëzue nga bukuria e virtytit, forca e karakterit, fjalë plot mendime e ndjenja që çlodhshin mendjet e ngrohshin zemrat. Gjatë bisedës kuptonte dhe vlerësonte bashkëbiseduesin, por kishte nuhatje të hollë e të thellë prej specialisti të diktonte edhe çka fshihte fjala e sheqerosun. Fjalën nuk e përdorte me krijue hendekun “na” e “ju” e aq ma pak, nuk hidhte në biseda e kritika a nuanca ufulluese. Ishte gjithmonë i gatshëm për të gjetë rrugën e marrëveshjes e të mirëkuptimit. Ideues konsensusi, i pelqente fjala e urtë: “Ku âsht bashkimi, aty âsht ngadhënjimi”. Fjalët e tij kishin një ndriçim hyjnor. Mbante ekuilibër, një ekuilibër po, por mbi themele të shëndoshta, një ekuilibër mirëkuptues, të qëndrueshëm e afatgjatë. Mjeshtërisht, ashtu urtë e butë, ia thente vezët gjarpijve, ia hiqte helmin akrepit, ia zbulonte thimthin gjuhës së ligë. Ai luftoi prirjen tinzare arbitrare për të pengue çdo formë vullneti për diktaturë.
Por i miri e ka anmikun mbas dere. Edhe atë e ndoqi një opinion anmik, formue nga thashetheme llapazanësh, dinakësh, ta paaftish, maliciozësh, smirëzezësh. E perlyen thashethemet e gojëve të ndyta, e sulmuen gazetat proqeveritare e kundershtare, e fitimet e jetës së tij politike qenë “rrezik jete, vuejtje”. Lexoni për jetën e tij mohimin e veprimtarisë së tij, sa qe gjallë, kercnimet, nëpërkëmbjet, në ato kohë kur trathtia paguhej, shpifja perkrahej, akuza nxitej. “Na e vranë e na e shanë, na i thanë tradhëtor”!
Pranonte kompromisin që sjell dobi për të gjithë, nuk pranonte kompromisin që sjell përfitim vetjak, se ku fillon kompromisi, fillon e ligshtohet e drejta, se ku fillon interesi, dobsohet e vërteta. Koncesionet i mbante imorale; privilegjet, favoret kërkonte të ndaloheshin me statut, ndihmat, dhuratat duhet të pranohen me kujdes e rezervë.
Heshtjen për frikë e mbante ligshti, heshtjen për pajtim e mbante urti, heshtjen për të fshehë të vërtetën e mbante mashtrim. Kurr shfrim dhune, kurr shfrim mllefi, kurr shfrim përbuzjeje. Dinte të rrezikonte shpesh, por kurr të humbiste kurajon. Edhe kur pengohej, gjente forca për një vrull të ri. Në ato kohë të zymta, ushqente shpresa të bardha.
Po, Gurakuqi ishte i drejtë, ishte i sinqertë, ishte i butë, ishte i dashun. Edhe pse e dinte se drejtsia, sinqeriteti, butsia, dashunia, nuk janë këshilltarë të mirë për politikanin. Por ai u dinte kufinin. Nuk njihte kreni, por nuk e tepronte në përvujtni; s’mbante inat, por as nuk harronte të keqen; nuk njihte intrigën, por as nuk binte pre e saj; e njihte egon, por nuk humbte dinjitetin, nuk njihte trathtinë, çmonte besën. Mbështetej në traditën, por nuk mbyllej në të, se ideja kombtare i hapte horizonte të reja. Rrallë kush kishte atë harmoni të perkryeme mes mendimit e ndjenjes, mes fjalës e veprës, mes zellit e vullnetit.
Fjala âsht arma e të meçmit, pushka âsht arma e trimit, falja âsht arma e burrit. Gurakuqi i kishte të tria: edhe i meçëm, pse e shkroi fjalën e urtë, edhe trim se e shprazi mbi armiq, edhe burrë se diti me falë. Qe fryt i pjekun i burrnisë shqiptare! Fryti i ambel i intelektit politik shqiptar! Dëshironte një mendim të vetëm, frymëzohej për një mendim të përafërt, por luftoi për një mendim të përbashkët. Ai kishte besim te ky popull i vogël, me shpirt të madh; te ky popull vital, me rrajë të vjetra, të shëndoshta; te ky popull i vorfen, i vuejtun, i shkelun, por me virtyte race.
Vetëpërmbajtje nervore të admirueshme e vetkontroll energjish mendore e fizike; dinte të qëndronte në durim, e në qëndresë dinte të shpresonte. Dinte t’u bante ballë situatave nga ma të ndryshmet, nga ma urgjentet, nga ma të papritunat.
Gurakuqi nuk kishte hovin zemrak të Fishtës, as kambënguljen idhnake të Mjedës, as fluiditetin qiellor të Poradecit, as andrrimin terheqës të Naimit, as ekuivokun e Konicës, as fantazinë ngjyra-ngjyra të Shantojës, por kishte largpamsinë e politikanit, matuninë e diplomatit, forcë Anteu, pa eufori. Jetonte në gjendjen reale të botës shqiptare. Luftën politike e bante brenda të gjitha rregullave morale-etike, prandaj emri i tij, si lulet, si virtytet, përhap profum të mirë! Edhe sot kanë çka mësojnë politikanët, sidomos, deputetët tanë!
Ai ishte shejti i politikës shqiptare! Ndërgjegjja e politikës kombtare! Ma i pastri, ma i afti, ma veprimtari!
Ndër patriotët, ma i flakti; ndër politikanët, ma largpamsi; ndër udhëheqësit, ma i drejti; nder shtetarët, ma i ndershmi; ndër luftarët, ma paqedashësi, ndër shqiptarët, ma i njohuni e ma popullori. Gurakuqi qe i aftë me dhanë direktivë, qe prijës me fillue i pari, qe vullnet i palodhun me vu në jetë çdo të mirë.
Ishte shembulli ma i mirë i patriotizmit shqiptar: Ma i miri!
Iu afrue parja e pozita mashtruese, por s’u gënjye; e joshi politika e huej, por nuk e pranoi; iu treguen kërcnimet e dhambëve kundërshtarë, por s’u thye.
Im vëlla, Matish Çefa më tregoi: A. Dibra, një intim i Zogut, më thotë një ditë në burg: “ Një herë i thashë Zogut: “ Kanë fillue me të sha (fye)”. Ai m’u përgjegj: “ E dij, s’ka gja. Çka t’i baj Gurakuqit ?! Ia hjedh kocin e nuk ma lëpinë!”
Gurakuqi të bante për vete me peshën e autoritetit të tij, ai të bante ta ndjekësh me peshën e veprimtarisë së tij; ai të bindte me peshën e fjalës së meçme e emocionuese. Qe krijues vlerash intelektuale e patriotike. Ishte benjamini i luftarëve e i patriotëve të vjetër: B. Currit, Abat Doçit, D. Nikollë Kaçorrit e në veçanti i Ismail Qemalit. Ishte udhëheqës i politikanëve të rij demokratë: A. Rustemit, M. Krujës, S. Vinjaut, A.Kelcyrës…
I riu që rreshtohet ndër etent e atdheut!
Shkroi: “Pak ndër prijësa e udhëheqës janë ata që mundohen ta zgjojnë e t’i ndrisin mendjen popullit, që i thonë kjartësisht të vërtetën e që përpiqen ta drejtojnë në udhë të mbarë”. Në kohën tande, ti ishe i pari ndër të paktët: punove e nuk urdhnove; këshillove e nuk denigrove; drejtove e nuk sundove. Vune në jetë parimin kristian: “ Me sundue, do të thotë me sherbye”.
Me guxim gjithmonë të ri, me entuziazëm gjithmonë të ndezët, me hov gjithmonë optimist, mbrojte idetë tueja fisnike, ndiesinë tonë kombtare, interesat e përbashkëta të atdheut. Edhe si përfaqesues ndër shumë forume ndërkombtare, përsëri e mbrojte popullin tonë me mençuri, me energji, me dinjitet.
U bane udhëheqës që përfaqëson tribunin jetëshkurtë të popullit, që drejton në vijë të parë, që sakrifikohet i pari e jo diplomati jetëgjatë që drejton nga prapavija, i mbrojtur, nën tutelë.
Gurakuqi e mbushi hapsinën shqiptare me përkushtim kombtar. Fjala e tij e pasunoi ndjenjen kombtare, veprimtaria e tij e gjallnoi, ndërgjegjja e tij e fisnikoi atë. “Tharmi i nacionalizmit shqiptar qe Gurakuqi, Gurakuqi e Gurakuqi”. (Pader Bernardin Palaj). Ndërsa Vinjau: “… E gjeta patriot sa s’janë shumë, të kthjelltë sa pak veta dhe të butë e të ëmbël sa asnjë tjetër”.
Modeli i një patrioti, shembulli i një veprimtari praktik, tipi i një politikani, madje: diagnostikuesi ma i mirë i politikës shqiptare. Qe kundra politikës orientale nga brenda, kundra politikës kolonizuese nga jashtë. Shqipninë e andrronte Zvicër në Ballkan. Jeta e tij âsht pjesë e historisë së Shqipnisë: aty ku ajo kulmon, ndriçon emri i tij; aty ku ajo çalon, vuejti ma shumë zemra e tij.
“Barometri i politikës shqiptare”, si shkruente Shantoja.
Dhe jemi të detyruem të përsërisim fjalët e Nolit: “ Sa më mirë e kam njohur, aq më tepër kam qenë i shtërnguar ta respektoj”.
Ai nuk mund të jetë personazh i perkohshem në historinë tonë!
E kaluemja e atdheut nuk mund të kujtohet pa portretin e tij.
A thue, do të jetojë në kohë prania e tij? Dëshirojmë!
A thue, do të formojë politika shqiptare figura të tilla? Shpresojmë!
A thue, do të ketë rinia shqiptare edukatorë të tillë? Besojmë!
HISTORIA E CA NDRYSHIMEVE
Nga Faik Konica/
“Kur vajta me 1913 ne Shqiperi per te shikuar per s’afermi punet, zbulova me hidherim se shumica e madhe e popullit jo vetem qe nuk i shihte me sy te mire idealet t’ona te nje Shteti te perparuar, po s’pelqente as ndihmen qe po na jipej nga rastet dhe nga bamiresit e fuqive te’Evropes. Eshte per cudi dhe gje fare e vertete, se shumica e madhe e popullit te Shqiperise e priti dhuraten e dhene me moskenaqesi, me thartesira dhe me sy te zgurdulluara nga prapamejtime: qe u duk pak me vone nga kryengritjet qe u bene njera-pas tjatres. Duke qene punet ashtu, u kuptua shpejt se qe te mbetej Shqiperia si nje Shtet me vete dhe populli te mbahej me zor i bashkuar qe te hynte ne udhen e disiplines, te punes dhe perparimit, e vetmja fuqi e duhur ish dora e hekurt po shpetimtare e nje diktaturi. Kujtuam nje kohe se diktatorin e gjetem ne personin e Esad Pashe Toptanit. Dhe Esadi kishte me te vertete disa zotesira per te qeverisur, po mosha e tij e shkuar nuk i premtonte ta ndryshoja mendjen e tij pas ndryshimeve te reja qe u bene ne Shqiperi, dhe ashtu fundi ish qe u larguan te gjithe dhe e lane te vetem. Me 1913, u poqa per heren e pare ne Tirane me Ahmet Bej Zogun (qe te perdorim titujt sic perdoreshin dhe zyrtarisht asi kohe). Vura re menjehere fisnikerine te bashkuar me force karakteri qe cfaqej nga sjellja edhe nga fjalet e djalit. U interesova dhe pyeta. Dhe nga sa degjova s’me mbeti asnje dyshim se fati e kish shenuar per te lojtur nje rol me rendesi ne Shqiperin e re. Ne pjekjet qe pata me vone me Mbretin Karol te Rumanise, me Kryeministrin rumun Tito Majersko, me Princin Wilhelm te Wied-it, dhe diplomatet austriake dhe italiane, u permenda emrin dhe posibilitetet e ketij te riu. Mbaj mend nje bisedim qe pata me Turhan Pashane ne Durres pasi plasi kryengritja e Shijakut dhe u rrezua Esadi. I tregoja Turhanit nevojen qe te perdoret Zogu per te zgjidhur krizen. -“Ahmed Beu eshte teper i ri “, m’u pergjigj Turhan Pashai”. -“Vertet” thash’une “Po William Pitt-i u be kryeminister i Inglise kur qe njezet e tre vjetsh, dhe ka qene nje nga me te mbedhenjte kryeministra t’atij vendi”. -“Si fjaloseni keshtu”, me thote Turhan Pashai, – “Mund te barabitim me Pitt-in nje te ri te panjohur?” -“Nuk bej barabitje” u pergjigja une, – desha vetem, me kete shembell, ku ju permend se atje ku ndodhet zotesia, versa s’munt te jete dhe s’duhet te jete pengim”. Me kete menyre, vazhdova se perhapuri mendimin se do t’ish mire, ne dojim te kishim nje Shqiperi te bashkuar dhe te lire, ta perkrahnjim Zogun te merrte nje dite fuqine, se ay kish pervec zotesise dhe kater te mira qe i mungojin Esadit: kuptimin e ndodhjes se re ne Shqiperi pas ndarjes nga Turqia, ndjenjen e kombesise, te mos beret ndryshime ne mes Toskesh e Gegesh, dhe me ne funt deshiren per ta pare Shqiperine ne shkalle Shteti t’organizuar. Noli u bashkua ploterisht me mua ne besimin qe Shqiperia s’munt te qendroje me kembe pa nje diktatori, dhe qe Zogu duket njeriu i duhur per kete rol. Gjurmat e ketyre mendimeve munt t’i gjeni ne shtyllat e “Diellit” ne kohen e luftes dhe pastaj, ku Zogu lavdohet si nje hero, si nje idealist, si nje udheheqes qe munt te barabitet me Anglo-Saksonet, e tjera. Disa nga keto lavdata jane te shenuara nga Fan Noli vete. Kjo politike vazhdoj gjer me 1921 dhe pertej. Me 1922, Fan Noli zuri te lidhet me grupin e Gurakuqit, dhe menjehere mendja e tij e ceket hyri ne nje udhe te ndryshme. Fan Noli filloj te na jape lajme jo te pelqyera per Zogun: qe ky ish bashkuar me reaksionaret, qe ish armik i nje Shqiperie sic e duam ne, qe ka humbur tere influencen, qe s’ka asnje zotesi, qe ushtria anon me “liberalet”, qe duhet ta ftohim popullin ca me teper nga Zogu, e tjera. Une me shoket e Vatres, sic e desh logjika, sic e desh disiplina e grupit t’one, pasqyruam te “Dielli” politiken e re te perfaqesonjesit t’one ne Shqiperi, perfaqesonjes i cili kohet e fundit nuk ish tjater gje, vec se fonografi i Gurakuqit, gjer sa me ne funt dolli sheshit dhe komitaxhi duke shkelur tere programin t’one dhe gjithe idealet tona. Fundi qe nje ckaterrim dhe nje maskarallek pa emer. C’munt te bejim? Dy udhe qene te hapura per ne: vazhdimi i perkrahjes se maskarallekut gjer sa te behej gjak dhe te prishej Shqiperia, – ose te kthyerit ne politiken e pare te Vatres, e cila ka qene te venet perpara te Zogut si kryetar i duhur i Shqiperise. Zume udhen e dyte. Le ta shkurtojme tani ne tre fjale ato qe thame: 1) Fan Noli, une, me Vatren dhe me shoket, qe me 1914 gjer me 1922, kush me shume dhe kush me pake kemi mprojtur mendimin se Shqipera, qe te shtrohet, qe te stabilizohe, e te hyje ne udhen e reformave te qyteterimit, ka nevoje per nje dore te hekurt dhe si ajo dore eshte Ahmed Zogu. 2) Fan Noli, nen influencen e Gurakuqit, dhe me vone nen influencen e frymes bolshevike, u bint dhe na bindi se Shqiperia munt te qendroj ne kembe pa Zogun dhe kunder Zogut. Ngjarjet i dhane pergenjeshtrimin me te plote, dhe Shqiperia u shpu nje qime afer varrit. 3) Une me shumicen e shokeve u kthyhem ahere (ndonese me cape te ngadaleshme se na vinte keq te ckeputeshim fare nga Fan Noli) te programi i vjeter i permbledhur me siper nene numrin 1, kurse Fan Noli u fut thelle e me thelle ne rebelione kundra Shtetit e n’intriga revolucionare. Munt ta vazhdojme bisedimin ne nje numer t’aferm. Po i kemi hedhur ketu mjaft ushqim per mejtim djemurise se kthjellet (se sa per mejhanexhite, maqedhonasit dhe te tjere vagabonde qe tallen fshehtazi me Shqiperine, s’bejme kabull as t’i degjojme) s’di ose harron, por duhet se ketej e tutje ta marre ner sy se Presidenti Zogu nuk eshte heroi i ri i Vatres, por ka qene hero i vjeter i kesaj organizate, i neveritur me 1922-24 nga intrigat e Gurakuqit dhe nen influencen e bolshevismes. Dhe ne qofte se esht e zonja te mejtoje duke thelluar, djemuria e kthjellt le ta gjykoje kush u kthye nga udha-Fan Noli apo une?
(Arkiv- Gazeta “Dielli”, 6 maj 1926)
LUIGJ GURAKUQI – NE THEMELET E SHTETIT TE SHQIPTAREVE
Me rastin e dites se lindjes te Lugj Gurakuqi, figura më emblematike e patriotizmës shqiptare dhe studimi i veprës së tij ndrit pjesë të historisë sonë/
Nga Bardhyl Ukcamaj/
Studimi i veprimtarisë së Luigj Gurakuqit është i nevojshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë sadopak dijeni për historinë e shtetit të shqiptarëve. Luigj Gurakuqi është njëri prej themeluesve më të rëndësishëm të këtij shteti. Luigj Gurakuqi (në vetëdijen e autorit) është figura më emblematike e patriotizmës shqiptare dhe studimi i veprës së tij ndrit pjesë të historisë sonë. Kjo është arsyeja që në këtë libër është lënë një vend më vete për këtë liberator atdhetar.
Kujtimi i figurave të rëndësishme të kujtesës sonë historike është i rëndësishëm në shumë aspekte, siç shprehej edhe vetë Gurakuqi: “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet”.
Luigj Gurakuqi ishte politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, njeri i kulturës dhe i shkencës. Ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve dhe i kulturës klasike romake e latine. Ai ishte patriot i madh, bashkëthemelues i shtetit shqiptar të epokës moderne. Përveçse themelues i alfabetit të shqipes, zotëronte në mënyrë të shkëlqyer latinishten, italishten, turqishten, frëngjishten, greqishten e gjermanishten. Fan Noli e cilësonte Gurakuqin pionier të qytetërimit perëndimor në Shqipëri, si një nga shqiptarët e flakët që thithi me themele kulturën e Perëndimit dhe si njeriun që punoi më gjatë e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellë farën e saj në Shqipëri.
Luigj Gurakuqi u lind me 19 shkurt 1879 në gjirin e një familjeje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi.
Shkollën fillore e disa klasa te mesme i ndoqi në Kolegjin Saverian në Shkodër, pas ai ka qenë nxënësi i parë shqiptar i kolegjit arbëresh të Shen Adrianos të Shen Dhimitër Koronës. Ku edukua nga atdhetarë e intelektualë të shquar si Anton Xanoni, Gasper Mërturi dhe themeluesi i Rilindjes Kombëtare te shqiptarëve Jeronim de Rada. Studimet universitare do t’i kryente në Napoli (Itali) në vitet 1901-1906.
Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar pas vitit 1906. Në verën e vitit 1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes në Veri. Ish i dënuari me burgim të përjetshëm për veprimtarinë e tij kombëtare rikthehet në qytetin e lashtë të Shkodrës në vitin 1908 në moshën 29-vjeçare për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën historike të kombit të vet për shekuj të shekujve. Ndërsa i afrohej qytetit, kishin dalë për ta pritur shumë bashkëqytetarë të tij, të krishterë e muhamedanë, të cilët në shenjë nderimi të thellë, në Parrucë çmprehën kuajt dhe e tërhoqën të gjithë bashkë deri në qendër të qytetit.
Jemi në fillimet e shekullit XX kur shqiptarët po riorganizoheshin pas një periudhe të kobshme te pushtimit mizor te anadollakëve, të cilët shkatërruan sa mundën, plaçkitën sa mundën e vranë sa mundën, por nuk arritën synimin kryesor- zhdukjen përfundimtare nga harta gjeopolitike te kombit shqiptar. Anadollakët do të riktheheshin në Anadoll, ndërsa shqiptarët do të mbeteshin ne trojet e veta. Pasi Zoti “Për shqiptarët, Shqipninë e kish krijue”.
Më 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve te Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj. Ai harton Memorandumin e Greces të njohur si “Libri i kuq”. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në shpalljen e pavarësisë (nëntor) ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I. Qemalit. Gurakuqi shkroi vendimin historik të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, nëpërmjet të cilit shpallej se “Shqipënia me sot do të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”. Gjatë Luftës I Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë. Gjatë pushtimit austro-hungarez, emërohet drejtor i përgjithshëm i arsimit dhe punoi për hapjen e shumë shkollave shqipe. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918, ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921-24 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar.
Disa herë ministër në kabinetet qeveritare, i Arsimit, Financave, madje edhe ministër i Brendshëm në kabinetin disaditor të Hasan Prishtinës. Shtetarë të tillë do t’i mungojnë Shqipërisë jo vetëm në shekullin e 20-të, por edhe në shekullin e 21-të. Si politikan e burrë shteti Gurakuqi ishte liberaldemokrat. Kur në parlament Ali Këlcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet se “z. Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I faleminderit dhe mund të jetë i sigurt zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale”. Luigj Gurakuqi na ka lënë një përvojë të pasur për jetën parlamentare, ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor. Ai kishte vlerësim e besim të madh te parlamenti, ligji e vota e lirë e popullit.
Sipas dokumenteve të kohës, Luigj Gurakuqi, në kundërshtim me historinë e pasluftës nuk ka qenë ndër frymëzuesit e Revolucionit të Qershorit. Megjithatë, ai iu bashkua këtij revolucioni dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua ministër i Financave. “Gurakuqi, – shkruante S. Vinjau, – u tërhoq (në revolucion – V.H.) pas një kundërshtimi të fortë”. Patër Anton Harapi kujton se kur ka filluar Revolucioni i Qershorit bashkë me Luigjin po punonin për nxjerrjen e numrit te gazetës “Ora e Maleve” dhe një telegram nga Vlora e njoftonte për fillimin e revolucionit. Sidoqoftë, përfshirja e tij në këtë revolucion është një nga ato momente kur L. Gurakuqi iu shmanget parimeve të tij liberaldemokrate.
Personaliteti i Gurakuqit spikat në fushën e diplomacisë. Ai qe përfaqësues i Shqipërisë kur vendoseshin fatet e saj në ballafaqimet diplomatike në qendrat më të mëdha të politikës evropiane: në Londër, në Romë e në Vjenë, në Paris dhe në Gjenevë. Kështu, në Londër, më 1913 me Ismail Qemalin dhe Isa Buletinin; në Konferencën e Paqes në Paris, me 1919, me delegacionin e Qeverisë së Durrësit apo në Gjenevë me 1924, në Lidhjen e Kombeve me Fan Nolin.
“Diplomacia e vërtetë, – shkruante Gurakuqi, – mbështetet mbi udhën e mesme, të cilën e gjejnë vetëm ata që, tue mbajtun të patundun parimet, dijnë me pajtue të drejtat e nevojat e atdheut të vet, në kushtet e politikës së përgjithshme”.
Gjergj Fishta, në një përshkrim të delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, shkruan: “Asht e kotë të gënjehemi. Nëse përjashtohet Gurakuqi që vetëm ai ka një kulturë të përshtatshme, ka një atdhetari të shëndoshë dhe një njohuri të gjerë për njerëzit dhe për sendet e Shqipërisë, asnjë nga anëtarët e qeverisë, qoftë të asaj të mëparshmes, qoftë te së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqipërinë dhe të mbrojë siç duhet interesat e saj”. Luigj Gurakuqi e kishte të qartë rolin e diplomacisë ndërkombëtare rreth fatit të Shqipërisë. Dhe, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se mbështetja evropiane, sidomos ajo austro-hungareze, italiane dhe e shtetit te Vatikanit për krijimin e shtetit shqiptar ka qenë më përcaktuese se sa lëvizjet kaotike dhe të paorganizuara si duhet të shqiptarëve në këtë drejtim.
Luigj Gurakuqi është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të lëvizjes sonë kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Gurakuqi luftoi për njësimin e alfabetit i udhëhequr nga teza një komb, një gjuhë, një alfabet. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Më 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare.
Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Si ministër i parë i arsimit shqiptar, ai punoi që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare.
Luigj Gurakuqi ishte i vetëdijshëm më shumë se kushdo për dobinë e alfabetit dhe të shkruarit të gjuhës amtare, kjo shihet edhe në botimet e tij. Më 1905 do të botonte në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me shënime n’dy dialektet”. Botoi në Napoli “Fjalorth shqip-frëngjisht e frëngjisht-shqip” i fjalëve të reja dhe më 1906 “Vargëzimi n’Gjuhën Shqipe”. Ndërsa si publicist ka botuar dhe shumë artikuj në gazetat “Albania”, “Kalendari-kombëtar”, “Drita”, “Liria e Shqipërisë”, “La nazione Albanese”, etj. Edhe si poet Gurakuqi potencon idealin për të cilin ”ia vlen për me jetue”:
Q E N D R E S A
Oh, jeta përnjimend me rrena e vajplot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,si zjarri i bamë me kashtë.
Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue e zemrën të forcon;
ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
mjerë ai qi nuk duron!
Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. Si krijues Gurakuqi pati relacione të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta L. Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Preng Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime. Ashtu si Filip Shiroka, Hilë Mosi vazhdon ta quajë bylbyl në tingëllimin që i kushton, “S’këndon bylbyli”.
Po ashtu patër Anton Harapi veprën e tij kryesore “Andrra e Pertashit” (Urti e burrni ndër banorët e Cemit), duke ia kushtuar Gurakuqit shkruan: “Burrit t’vërtetë burrë, L. Gurakuqit, i cili me kulturën e naltë shpirtërore, mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, tue mbetë përherë shembull shqiptari me kulturë, simbol i bashkimit kombëtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni”.
Luigj Gurakuqi i ka kushtuar shumë kujdes problemit të fesë dhe të marrëdhënieve në mes shqiptarëve me besime të ndryshme fetare, vendosjes së unitetit në mes tyre dhe të sigurimit te mirëkuptimit e të tolerancës ndërfetare. Ky mirëkuptim ishte dhe do të jetë i kushtëzuar për hir të specifikave tona si popull në shërbim të unitetit kombëtar si dje, ashtu edhe sot, nëse shqiptarët do të dëshirojnë të kenë shtet të tyre në hapësirat ballkanike.
Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1919, L. Gurakuqi kërkonte që çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipëri duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”. Gurakuqi ishte besimtar. Sipas tij, Zoti është qenie që s’ka as fillim e as mbarim, se asgjë nuk mund të krahasohet me të, se “…qielli e toka, fushat e gjana, malet e nalta, detrat e mëdhana, T’gjitha prej Zotit patën krijim, Qi s’di mase me vedi, fill as mbarim”. Zoti i madh dhe i vërtetë, shkruante L. Gurakuqi, ka në dorë fatin e njerëzimit e te popujve, ai di gjithçka, bën gjithçka dhe sheh gjithçka. Eshtë ky Zot i plotfuqishëm tek i cili L. Gurakuqi ka shpresë dhe besim se do të marrë në dorë fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve, se do të bekojë punët e tyre e do t’u plotësojë dëshirën për liri e pavarësi. Gurakuqi gjatë gjithë jetës së tij pati relacione të shkëlqyera me të gjithë ata drejtues të komuniteteve fetare që luftonin për një Shqipëri të lirë.
Më 26. 9. 1913, abati i Mirditës i dërgon këtë telegram në Vlorë, Gurakuqit, ministër i Arsimit të Qeverisë së Përkohshme: ” Te lutem, epi zemër Komisionit te metingut të Vlonës e shtrëngoi dorën Kryetarit të Qeverisë së përshtatshme për bashkim e të lidhun bese që kemi me ta në të gjitha punët e mbara për ngadhnimin e lulëzimin te Shqypnies. Sot ashtë dita me këqyrun edhe shqyptarët kundërshtarë, si vëllazën e me mënyra vëllazenore me i avitun nga mprojtja e Atdheut nën hije t’Ismail Qemal Begut e t’atyne burrave qi njohin e nderojnë flamurin e Shqypnies. Uroj shëndet e jetë e faqe të bardhë të gjithë atyne Shqyptarëve qi me vepra urtie, bese e dashunie diftohen te bajnë per kujdes t’Europes e cila mundohet me e mkmbun e me e burrnue Atdheun tënë”.
“Parimet e fesë, – shkruante ai, – të ndjekuna mirë, i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që t’i shërbejnë atdheut, që t’u nënshtrohen ligjeve të shtetit”
Sipas F. Nolit, Gurakuqi “qëndronte aq larg fanatizmës fetare të ngushtë, sa muhamedanët e Veriut kishin një besim të pakufishëm”, aq sa në Gegeni, “s’ka pasur një tjetër udhëheqës, i cili…bashkonte rreth vetes së tij katolikët e muhamedanët gegë”…” Ai ka qenë aq pak regjionalist sa që kur lindi çështja kombëtare s’ka pasur një gegë patriot, aq të dashur midis toskëve sa Gurakuqi”.
Pak a shumë, në të njëjtën parullë si Kenedi i drejtohej kombit amerikan, “Mos mendoni se çfarë bën atdheu për ju, por çfarë bëni ju për atdheun”, Gurakuqi që në fillimet e shekullit të 20-të porosiste – dita e 28 Nëntorit nuk duhet të jetë vetëm një ditë festimi, ku secili duhet të bëjë analizën e jetës së vet dhe, me dorë në zemër, të pyesë vetveten nëse ka bërë gjithkund e gjithmonë detyrën që kishte para atdheut. Ai ishte politikan me një vizion kombëtar. Ndër fjalimet më të forta të Gurakuqit në parlament janë ato mbi mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave, në një telegram e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim do të merrte fjalën e do të thoshte: “Si mundte me thanë një qeveri (jugosllave), e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e brendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e brendshme, kur shohim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu për Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë”. Ai ishte një prej miqve më të mëdhenj të patriotëve të Kosovës, sa Hasan Prishtina mbi varrin e tij do të shprehej : “Fli i qetë Gurakuq , shpagën tande do ta marrim me përparimin e Shqipnisë”.
Si vdes Luigj Gurakuqi?
Vritet tinëzisht mbas dere të një hoteli, prej djalit të tezes, një kriminel i rëndomtë- Baltjon Stambolla. Për këtë vrasje u akuzua Ceno beg Kryeziu, kunat i Ahmet Zogut, që vetë do të vdiste pak më vonë në një atentat në Pragë. Ndër të akuzuarit e kohës ishte edhe Ahmet Zogu, megjithëse nuk ka dokumente që e mbështesin një akuzë të këtillë, përveç disa deklarimeve të ish-konsullit shqiptar të asaj kohe në Bari. Pas rënies së qeverisë 6-mujore të Fan Nolit, Gurakuqi ishte emigrant në Itali, ku vite më parë kishte emigruar edhe ai që ngriti flamurin në Vlorë, Ismail Qemali.
Sidoqoftë, megjithëse saktësisht nuk dihet emri i sponsorizuesit të këtij atentati dihet se antishqiptarizmi kreu një goditje të rëndë ndaj kauzës kombëtare me datën 2 mars të vitit 1925 në derë të hotel “Cavour”, në Bari të Italisë. Dihet se u sponsorizua që krimineli të lihej i lirë nga shteti italian, që asokohe sundohej nga Benito Musolini.
Fan Noli do të shkruante në elegjinë e tij
SYRGJYN -VDEKUR
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zemër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.
Eshtrat e tij do të preheshin në Bari për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1957. Shtëpia e Gurakuqve ne lagjen Gjuhadol u kthye në muze, sot fatkeqesisht eshte shkaterruar. Luigj Gurakuqi shpallet “Hero i Popullit”, ndërsa Universiteti i Shkodrës përjetëson emrin e tij.
Ne shqiptarët e tashëm kemi nevojë për një histori selektive në mënyrë që t’u tregojmë brezave se si arritëm të ekzistojmë si komb dhe të kemi shtet, cilat ishin parimet e larta mbi të cilat u ngjiz identiteti ynë kombëtar dhe cilët ishin themeltarët. Në historinë tonë të vjetër dhe të re janë pak burra apo gra që mund të vendosen në panteonin e ndritur, ku ky vigan liberator e vendosi veten me shërbesat që kreu karshi popullit të vet.
Kortezi- Bardhyl Ukcamaj- nga libri ” Shqiptaret ne Qyteterimin Perendimor”
KUSH E SHKATRROI SHKODREN, KOMUNIZMI A FANATIZMI ?
Nga Fritz RADOVANI/
NE FOTO: ISH SHTEPIA MUZE E LUIGJ GURAKUQIT/
Isha tue ecë në bulevardin e Tiranës krejt vetem e tue mendue…mbeta i vogel pa e njoh as Baben nga lufta…mbetem pa shtëpi e shkollë…nën tehun e mprehtë të “Luftës së kllasave!” Kur nga larg më thirri një mik, B.S., me të cilin ishim njohë në 1965…Ai asht me origjinë nga Gjinokastra dhe mik i mirë i imi Musliman, jeton në Tiranë.
I tregova se ku po fluturonte e shkreta mendje! Më shikoi me keqardhje dhe gati tri orë kemi bisedue se kush e shkatrroi Shkodren, komunizmi, apo fanatizmi anadollak?!
Kur u themelue PKSh u eleminue grupi komunist i Shkodres dhe me ta edhe shumë komunistë Ortodoksë, se nuk pajtoheshin me qellimet shoveniste sllave. Ata që u pajtuen me politiken e Enver Hoxhës, si katolikë e muslimanë, pa kalue as tre – kater vjet, u zhdukën nga faqja e dheut e ngordhën ndër burgje e interrnime. Edhe ndonjë që mujti me shpetue shihej tue ecë e tue sjellë koken mbrapa se i dukej se po e ndiqte hija e vet.
Të vetmit që mbijetuen ishin ata që ishin të lidhun me sigurimin e shtetit. Ndersa pjesa tjeter vazhdonte ndër vende pune të rendomta e krejt pa vlerë. Mbizotnonte klasa puntore dhe ushtrija e arsimtarëve, që u shkoi jeta ndër biçikleta e fshatra…Vorfnia ishte e pranishme dhe e tejskajshme kudo në qytete e fshatra…Radhat e bukës nuk zhdukeshin, vazhdonin!..
Shkodra nuk u mjaftue vetem me 26 burgje e hetuesi…por edhe një farë dyndje oficerash sigurimi, policije, ushtrije nga Jugu dhe krahinat e Kukësit e të Peshkopisë, që u ishin krijue të gjitha kushtet e jetesës ndër shtëpijat e “anmiqëve të popullit”, tregtarëve, që ishin tue hanger dajak me dorzue arin, shtëpijat e kishës, po edhe nder banesa që atyne u pelqenin dhe ishin komode për atë kohë. Pronari lajmohej që mbrenda dite duhej lirue shtëpija ose dhomat ku do të banonin oficerët dhe të nesermen aty ishte “pronari i ri”. Ka edhe sot shtëpija në Shkoder, që njihen me emnat e atyne që erdhën me punë në sigurim, apo kuadro partije, si bie fjala “shtëpia e Hilmi Seitit”…etj. Pronari i vertetë u harrue pergjithmonë!
Mbas vitit 1946 – 48 elementi katolik pothuej u fshi nga të gjitha institucionet e sigurimit dhe të pushtetit lokal. As nuk bahej fjalë për sekretarët e parë të PPSh apo nder komitete ekzekutive me pasë në pozitat e randesishme shkodranë katolikë. Ndersa sigurimi i shtetit mbas viteve 1950 nuk kishte asnjë oficer katolik, ndersa në polici mund të kishte ndonjë fshatar që ishte sjellë nga ndonjë zonë e thellë malore ku kishte dhanë prova “besnikërije” tue spijunue ndonjë rrezikzi, që në tentativë arratisje prej tij, kishte perfundue në kampet e shfarosjes…
Nga elementi anadollak kishte edhe oficera hetues apo shefa seksionesh e ndonjë kishte mbërrijtë edhe nder podrumet e ministrisë së mbrendshme për kontributin e tij që kishte dhanë kur asht kenë hetues, torturues apo shef seksioni në sigurimin e Shkodres. Këta hora e vagabonda nuk i perkitshin familjeve shkodrane. Shumica ishin t’ardhun apo që me lidhje martesore i kishin futë në sherbim të sigurimit edhe miqtë e tyne.
Komiteti ekzekutiv, i rinisë, bashkimet profesionale etj. ishin pothuej të gjithë në duertë e turkoshakëve, që shtriheshin deri tek drejtorët e ndermarrjeve, sekretarët e partisë punës, shefat e kuadrit, pergjegjsat e reparteve dhe operativat e sigurimit të ndermarrjeve, që kur kishin rasen të bajshin gjamen e të fshinin nga faqja e dheut me 10 apo 20 vjet burg…
Në degen e mbrendshme të Shkodres kishte edhe një “Seksion Katolik”, që e pata mësue se ka kenë nga z. Gjon Ljarja aty nga viti 1993. Të gjithë shefat e atij Seksioni nga 1946 janë kenë oficera anadollakë, antishkodranë të betuem. Asnjë qytet tjeter, tue perfshi edhe kryeqytetin Tirana, nuk kanë pasë një Seksion të tillë, e per çudi nuk dihet se ka ekzistue një Seksion i tillë as per muslimanë e as per ortodoksë as nder qytete të tjera.
“Seksioni Katolik” i sigurimit të shtetit në Shkoder asht kenë i vetmi në Shqipni, ashtu si “Muzeu Ateist” i Shkodres, që ishte i vetmi në Botë…As “Seksion Katolik” nuk e besoj se ka kenë në ndonjë shtet tjeter komunist të Europës…Nuk shpjegohet prej ndokujt se kush e “krijoi”, por dihet se aty mendohej, trillohej, shpifej, krijohej, flitej, diskutohej, projektohej, aprovohej, planifikohej, vendosej dhe zbatohej çdo ide që mund t’i shkonte nder mend Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij kundër Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës Katolike, qytetarëve të thjeshtë apo fshatarëve të varfen, të cilet porsa hynin në projektin e zhdukjes nga “Lufta e kllasave”, ishin në programin e GJENOCIDIT që do t’i ndiqte për 47 vjet pa asnjë nderpremje nga dita që kishte fillue hapjen e “dosjeve” të para me të Ndjerin Dedë Coku… me 29 nandor 1944.
Me zhdukjen e inteligjencës Katolike ajo menjëherë u zevendsue nga një grup i njohun servilash anadollakë, që u ba aq i neveritshem, sa edhe sot në familjet tradicionale shkodrane të besimit Musliman, Ortodoks dhe Katolik të Shkodres, ata konsiderohen agjenta të sigurimit, të cilëve për kontributin e dhanun në këte institucion “partia” u dha tituj “dr.prof… e deri shefa të katedrave e docenta” të universiteteve apo mejtepeve të Enver Hoxhës. Këta u pajtuen edhe me vendimet e Kongresit të drejtshkrimit në 1972, ku bashkë me “vllaznit” kosovarë, eleminuen perfundimisht Gjuhën Gegënishte, vetem e vetem me zhdukë 70% të letersisë Gege. Shkollat e kuadrot e pergatituna në Perëndim u zhduken tue marrë me vete jo vetem Katolikët, por edhe Muslimanët e kryesisht ata studentë që shkollat e mesme i kishin krye në gjimnazet e Shkodres, kjoftë edhe até shtetnor. Ka pasë familje muslimane shkodrane që miqsinë apo lidhjet tradicionale të qytetit i kanë pague aq shtrejtë, sa familjet katolike. Ka qytetarë Muslimanë që janë pushkatue vetem se kanë perfundue shkollat në shtetet Europjane Perëndimore. I Ndjeri Osman Kazazi, bani 42 vjet burg e interrnim pse kje dy vjet nxanës tek Gjimnazi i Fretenëve.
Perballë Gjenocidit komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar, ku gjeten vdekjen mizore mbi 61 Klerikë dhe 70 tjerë u arrestuen e vuejten deri në 20, 25, 38 dhe 39 vjet burg, asht shumë domethanës fakti që perballë këtij rrebeshi antikatolik, nuk u pushkatue asnjë nga Kleri Musliman i Shkodres dhe as nuk dihet se ka vdekë ndonjeni nder kampe shfarosje.
Si shpjegohet ky fakt sot nga historianët apo studjuesit e Gjenocidit antikatolik?
Nëse komunistët luftonin të gjitha Besimet njëlloj, si nuk u pushkatue të pakten një Hoxhë nga Besimi Musliman, në qytetin e Shkodres?
Nëse Kleri Katolik ishte “agjent” i Vatikanit a i ndonjë shteti Perëndimorë, Italisë, Francës etj., si shpjegohet që në 47 vjet diktaturë komuniste, asnjë hoxhallar nuk u akuzue agjent i Turqisë, Egjiptit, Iranit apo Afganistanit? Kush ishte që e mbështeti dhe nuk e preku me dorë Klerin Musliman në Shkoder, PPSh apo sigurimi i shtetit, që i sherbenin edhe shteteve fqinjë?..
Kjoftë PPSh apo sigurimi i shtetit, të dy institucionet që kanë ushtrue Gjenocidin kunder Katoliçizmit në Shkoder, ishin organe të diktaturës komuniste vetem në duert e elementave fanatikë anadollakë, që nuk kishin në trupin e tyne asnjë pikë gjak shqiptari.
Unë do të tregoj një ngjarje në burgun e Kishës së Fretenëve në Gjuhadol në vitin 1947. Mbasi hetuesi Pjerin Kçira torturon për vdekje Hafiz Dergutin, del nga biruca e tij dhe takohet në korridor me Dulaç Lekiqin, të cilit i thotë: “Merre Hafizin e hidhi një kovë ujë se asht pa ndjenja!…” Dulaçi i pergjegjet: Këte që ke ba sot mos e persërit ma, Pjerin, po deshte me torturue, shko e rrah ata Priftit tuej. Hoxhallarët mos i prek me dorë, se me ta merremi né e nuk asht nevoja me i torturue ti…A more vesht?” Këte dëshmi e dij nga një bashkvuejtës i asaj kohë, që asht torturue si pak kush, i Ndjeri Ragip Meta. Emnat e këtyne katilave mund t’i gjeni në rregjistrat e “të dekoruemëve hero i popullit ose nderi i kombit…” për veprat e tyne në sherbim të Gjenocidit antikatolik, që edhe sot prap vazhdohet vepra e tyne nga trashigimtarët… Ishte një llom i tanë që kishte invadue Shkodren. Disa nga fanatikët anadollakë shkodranë u ndihmuen dhe shprazen vnerin e tyne kunder elementit katolik të perkrahun dhe të siguruem nga një mori horash e terroristësh toskë, të sjellun në Shkoder nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Kadri Hazbiu, grupi vëlleh i gjykatësëve etj. Vandalizmi në qendrat kulturore, muzeumet dhe bibliotekat e institucioneve fetare e private, shpronsimet dhe vjedhjet e rezervave të arit, pasunisë private, shtetizimet, zhdukjet misterioze të tyne apo djegëjet e tyne bashkë me Pazarin e Vjeter, që ishte ndër tre ma të vjetrit në Ballkan, janë flaka zhdukëse e traditës kulturore e qytetare. Shkatrrimet e institucioneve fetare katolike nder ma të vjetrat dhe të pasunat në Europë e deri tek shembja e shtëpisë së Atdhetarit Demokrat Luigj Gurakuqi, të pashoq në Historinë e Popullit Shqiptar…në këta vitet e fundit të “Demokracisë” (u mbajshin mend)…Janë deshmija e pakundershtueshme se: Fanatiku Enver Hoxha me pasuesit e vet, të vjeter e të rijë…jo vetem ka krye Gjenocid kundër Katolikëve dhe inteligjencës Atdhetare, por edhe ndaj të Gjithë Shqiptarëve që kanë mendue dhe punue per një Shqipni Europjane.
Dhe në mbyllje me 14 korrik 1990 Ramiz Alia porositë “pasuesit e vet”: “Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.” Kjo porosi perforcon até dëshmi rrenqethëse që ka thanë komunisti Sh.S., një burrë i sinqertë nga Shkodra, një mikut të vet: “Ai më tha, duke me pyetur se sipas meje: në cilen zonë, në cilin qytet, komunizmi ka qenë ma i ashpër? Unë, i thashë, mendoj se Vlona. Jo, më tha, aspak, Vlona ka furnizue me komunista Shqipninë, por komunizmi asht zhvillue ma egersisht në Shkoder, tamam tamam në lagjet tuaja, më tha e më shikoi drejtë e në sy dhe mandej m’ u kthye: Nuk e kena marrë teseren e partisë se e deshtem komunizmin, që nuk e kuptueme kurrë, por e morem se na erdhi rasti me nxjerrë shpaten e me ju shkatërrue ju. Kjo ishte andrra e gjyshave e baballarëve tanë. Partia e punës na e dha këte mundësi.”
Melbourne, Nandor 2012.