“Alem Agaj ish komandant i parë i xhandarmërisë të krijuar rishtazi dhe me gradën major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej”-Ago Agaj/
Nga Enver Lepenica /
Një nga më të pasurit, e sigurisht më i dukuri i parësisë së Vlorës, Alem Mehmet Tragjasi, u bë dhe një ndër më të parët e atdhetarisë së Shqipërisë, duke hyrë në lëvizjen kombëtare në çastet më dramatike të historisë sonë të dhimbshme.
Në maj të vitit 1907, çeta e Çerçiz Topullit me një anije zbriti në Gramë të Karaburunit dhe me kërkesë të tij u krijua “Komiteti Drejtonjës i Krahinës” në kryesinë e të cilit nga Tragjasi bënin pjesë Alem Mehmeti dhe Yzeir Muço. Ky Komitet kishte për qëllim që në bashkëpunim me klubin “Labëria”, të hapnin depot e armëve dhe të armatosnin popullin; për të çliruar vëndin nga pushtimi turk, për këtë arsye bënë edhe mbledhjen e parë në Fushë të Dukatit.
Në muajin shtator 1909, Sheme Sadiku (Kondi) nga Dukati është takuar në Ujë të Ftohtë të Vlorës me Çerçiz Topullin, dhe ranë dakort që të furnizojnë me armë krahinën e Dukatit. Nga fillimi i vitit 1910, Gaqo Kaporja e Alem Mehmeti u nisën për në Korfuz, blenë armë dhe i sollën në Himarë, Dhërmi dhe Bristan, Karaburun.
Më 26 korrik 1910, Ismail Qemali bëri në shtëpinë e Sharrajve në Vlorë një takim në të cilën kërkoi organizimin e fshatarëve në komitete. Tragjasi përfaqësohej nga Mustafa Selmani. Përfaqësuesit
e kësaj mbledhje bënë takime në çdo fshat dhe vendosën që shkëputjen nga Turqia ta kërkojnë me armë. Trimëria, zotësia, burrëria dhe besimi që populli kishte tek Alem Mehmeti i dhanë atij postin e Kryetarit të Krahinës së Dukatit. “Më 16 duke u gdhirë 17 korrik i vitit 1911, Kryetari i Malësisë së Dukatit Alem Mehmet Tragjasi, me rreth 4000 burra të armatosur, shkoi deri në periferi të qytetit të Vlorës ku ishte ngritur kampi i çadrave të redifëve nga Tepelena, të cilëve ju refuzua ndihma e shpresuar”.
Alem Mehmeti duhet të ketë marrë pjesë në Sinjë, në mbledhjen e protestës të Qishbardhës më 3 gusht 1912, ku është diskutuar memorandumi i Ismail Qemalit dhe Syrja Bej Vlorës, ku i kërkohej Sulltanit të pranoheshin 12 kërkesat e shqiptarve për pavarësi. Alem Mehmet Tragjasi, gjatë udhëheqjes së kryengritjeve antiturke, ishte bërë më i afruari tek Ismail Beu, i njohur me të gjatë emigrimit në Itali dhe kishte marrë pjesë në çdo lëvizje kombëtare kundër Turqisë. Në një nga këto përpjekje ushtria turke
u afrua shumë dhe Ismail Beu e pyeti:
-Po nashti Alem Aga nga do ja mbajmë?
-Ti peshk në det e unë si ujk në pyll – iu përgjigj qetësisht Alem Agai.
Dhe ashtu bënë. Ismail Beu u fut në gjemi, në det e shkoi në Europë dhe Alem Agaji shkoi në pyll e mbeti maleve, deri sa fituan lirinë dhe turqit mbenë me duar bosh. Përpjekjet shekullore të shqiptarëve dhe veçanërisht të heronjve legjendarë kosovarë, shpunë në Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe krijimin e Shtetit të parë Shqiptar pas 500 vjet robërie.
* * *
Pasi kishte përshkruar udhën e një luftëtarit të vërtetë për liri, dhe përgatitjen shpirtërore të popullit për pavarësi e vetëqeverisje, arrijmë në fund të vitit 1912, kur mbi krye të Alem Mehmetit, qeveria e parë shqiptare vë kurorën e lavdisë, duke e bërë komandantin e parë të xhandarmërisë shqiptare, kurorë që ai e meritoi, e mbajti dhe e ngriti lart deri sa dha shpirt.
Kështu pra, në qeverinë e parë shqiptare të Ismail Qemalit, Alem Agai u emërua komandant i xhandarmërisë dhe iu dha grada major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej.
Është rasti të ndalemi para këtij fakti kuptimplotë, para të cilit kanë se ç’mësojnë jo vetëm ushtarakët tanë por gjithë administrata shtetërore.
Është mësimi i parë për ne shqiptarët që të dimë se Shqipërinë e mbajtën dhe do ta shpëtojnë idealistët dhe nacionalistët, ata që “s’pranojnë të marrin rrogë nga shteti” edhe kur puna dhe detyra e tyre në çdo hap që hedhin është me rrezik për jetën e tyre dhe të Atdheut të tyre. Në detyrën e komandantit të xhandarmërisë, major Alem Mehmet Tragjasi, shpalosi edhe një herë virtytet si trim, besnik i vendit të tij dhe si polic me aftësi. Ai bashkë me major Ahmet Lepenicën dhe shumë burra të tjerë, treguan se trimat Shqipërisë s’i kanë munguar; ata së bashku me trimat kosovarë, ose 400 djemtë e mi, siç i quante Isa Boletini, mbrojtën qeverinë me forcën e armëve, vendosën qetësinë dhe rendin, dhe jo vetëm me armë po veçanërisht me fuqinë e shpirtit të tyre idealist.
Pa këtë mbrojtje kjo qeveri nuk mund të jetonte asnjë ditë, nën kërcënimin e çakejve të brendshëm dhe lakmisë grabitqare të grekëve nga jugu dhe të serbëve nga veriu. Është vendi të tërheqim vëmendjen e studiuesve dhe historianëve që akoma nuk u kanë dhënë vendin e merituar ushtarakëve tanë, që pa armët e tyre Shqipëria nuk mund të bëhej e nuk mund të mbetej Shqipëri, ishte koha kur vendoste pushka!
Janë të shumta përpjekjet që udhëhoqi dhe luftoi vetë Alem Agai. Luftime të rrepta janë bërë me forcat greke, nga fundi i muajit dhjetor 1912, veçanërisht në Kuç, në Bregdetin e Himarës dhe Delvinë. Në Bregdet forcat tona mund të thyheshin nga grekët dhe kështu rrezikohej edhe pavarësia, prandaj komandantët e çetave tona kërkuan ndihmë.
Krahina e Dukatit si gjithnjë e besës, nisi forca të reja nën komandën e trimit dhe atdhetarit Alem Mehmeti, që e kishte dërguar personalisht Ismail Qemali të cilin populli e përjetësoi në këngë:
Mua qeni më rrethoi (qeni = greku)
Dua ndihmë se më bloi
Në brigjet e Bregut të detit
Bën dyfek Alem Mehmeti
Katër ditë rrethuar mbeti
Kështu e thotë seneti.
Në këtë luftë ranë edhe dëshmorët Selim Gërneci nga Dukati dhe Mustafa Troqe nga Tragjasi etj. Pas katër ditë lufte Alem Mehmeti duke i mbajtur të rrethuar, si në darë, grekët, i shpartalloi duke lënë shumë të vrarë dhe plaçkë lufte. Kështu greku nuk mundi të kalonte asnjëherë Qafën e Llogorasë, sepse gjithmonë nga shpirti i popullit ka dalë thirrja: Të ngrihi burra e gra / Se greku sipër na ra.
Mid‘hat Frashëri shkruan për këtë betejë : “Edhe në Himarë janë 400 grekër, por shqiptarët kanë zënë Dukatin, Vranishtin dhe Kuçin dhe grekët nuk bëjnë dot asnjë çap.” 2)
Gjatë raprezaljeve të papara që bënë grekët gjatë viteve 1912- 1914, del në dukje fisnikëria e Alem Agait duke i strehuar e ndihmuar me ushqime e veshmbathje të shpërngulurit nga vatrat e tyre.
Në shtator 1913, Alem Mehmeti lirohet nga detyra e komandantit të xhandarmërisë të Shtetit të parë Shqiptar, por ai mbeti një ushtar besnik i Atdheut të tij, deri në frymën e fundit, një ushtar i mirë i lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Jeta e tij është ngjeshur plot vepra atdhetare. Heroike është qëndresa e tij në Qafë të Llogorasë, më 1914 kundër grekëve, në këtë luftë të udhëhequr nga Alem Mehmeti, morën pjesë edhe gratë e krahinës së Dukatit. E paharruar do të mbetet Sado Koshena, ajo heroina e 1920-tës.
Po më 1914 Alem Mehmeti është në krye të fshatarësisë së Vlorës, bashkë me Osmën Haxhinë, në bisedimet që bënë në Frakull, Fier më 23, 24 gusht 1914 me rebelët, mundën të shmangnin gjakderdhjen dhe të ruanin flamurin me shkabën dy krenare që rebelët nuk e donin.
Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, Vlora mbeti e pushtuar nga italianët, çka i bënte shqiptarët po veçanërisht vlonjatët të rënkonin.
Kështu filloi të gatitej Lufta e Vlorës. 28 nëntori 1919 u festua dhe u ngrit flamuri në Brataj, Dukat dhe veçanërisht në Vlorë, ku pati dhe përleshje me karabinerinë italiane. Ai që shquante në parinë e Vlorës në organizimin e një kryengritjeje kundër Italisë ishte Osmën Haxhiu, po ashtu Qazim Kokoshi, Ahmet Lepenica, Hazbi Canua, Ali Beqiri, Duro Shaska, Shero Emini, Ali Bej Këlcyra, Alem Mehmet Tragjasi, Hamit Selmani, Myqerem Hamzaraj, Halim Xhelo etj.
Kështu vijmë te “beja e Barçallasë” më 29 maj 1920. U quajt kështu se pjesëmarrësit nga gjithë Vlora u betuan për luftë kundër Italisë, për jetë ose vdekje.
Në organizimin e popullit për luftë shquan Alem Mehmeti. Ai bashkë me parinë e Vlorës, organizoi Barçallanë, dhe bashkë me pesë burra që përfaqësonin Vlorën, shkoi për bisedime me qeverinë e Tiranës. Me t’u kthyer nga Tirana ata lëshuan kushtrimin. Për organizimin dhe drejtimin e kryengritjes, u zgjodh Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i përbërë prej 12 burrave nga më të shquarit e Vlorës, që gjatë jetës së tyre kishin dhënë jo një herë prova të trimërisë dhe atdhedashurisë me në krye Osmën Haxhinë ose Osmën Nurin siç i thosh populli. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” caktoi komandant të përgjithshëm të trupave kombëtare major Ahmet Lepenica.
Siç shihet, në elitën e atdhetarëve që do të ngrinin Vlorën në luftë për jetë a vdekje, bënte pjesë dhe Alem Mehmeti. Pas detyrës si komandant i parë i xhandarmërisë shqiptare, i Shtetit të pare Shqiptar, kurora e dytë e lavdisë e Alem Mehmetit, është zgjedhja e tij në drejtimin e kësaj lufte, që bashkë me Kongresin e Lushnjës kanë për historinë tonë të re, rëndësinë e 28 nëntorit 1912 dhe të Qeverisë së Ismail Qemalit. Për luftën e Vlorës ai nuk dha vetëm mendjen, zotësinë dhe atdhedashurinë por edhe pasurinë e shumtë
të tij, njësoj si dhe Osmën Haxhiu.
Kongresi i Lushnjës dhe Llufta e Vlorës, “shpallën” para botës pavarësinë e harruar të Shqipërisë, dhe vulosën me gjak sovranitetin e pakufizuar të vendit tonë. Në lindjen e shtetit tone më 1912, dhe në rilindjen e tij më 1920, është edhe dora, mendja dhe vepra e Alem Mehmet Tragjasit.
“Ai vishej me poture peshlli, ngjyrë të kaltër të errët, të qëndisur me gajtanë të zes prej mëndafshi, tirq të bardhë si bora, tizga të kuqe mëndafshi me xhufka, mbi supe hedhur një gunë të shkurtër të kaltër të errët, me astar të kuq përbrënda si guna dha kaçupi i saj. Gjithnjë hipur në pelë a kalë revan. Burrë më të bukur dhe pamje më piktoreske rrallë të shohin sytë” thotë bashkëluftëtari i tij Ago Agaj.
Me pelën doreshë të racës arabe të Alem Agait, që për bukuri e shpejtësi nuk kishte shoqe mbase në tërë Shqipërinë, i shpuri ultimatumin gjeneralit italian Piaçentinit, Mehmet Selim Mallkeqi. Alem Mehmet Tragjasi ka lindur në Tragjas të Vlorës, ku kaloi një jetë plot bukuri e gjallëri, me shokë dhe miq të shumtë që si munguan asnjëherë, plot lavdi e famë që rrallë t’i rezervon fati në histori, dhe e dorëzoi shpirtin e tij të bukur, po atje, në vitin 1926. Më poshtë Ago Agaj vazhdon: “Një nga më të pasurit e sigurisht më i dukuri i Parisë së Vlorës, Alem Mehmeti, kur nuk ishte i zënë me punë politike, bënte jetën më të rehatëshme e me më salltanet nga të gjithë shokët e tij…
Ishte më i afruari te Ismail Beu dhe kish marrë pjesë në çdo lëvizje kombëtare kundër Turqisë… Në kohën e krijimit të Qeverisë Provizore të Ismail beut, Alem agai ish komandant i gjindarmërisë të krijuar rishtas dhe me gradën major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej… E dorëzoi shpirtin e tij të bukur në Tragjas… pas një jetë plot bukuri e gjallëri të përfunduar plotë famë.” 3)
* * *
Vdekja e Alem Mehmetit tronditi zëmrat e vlonjatëve dhe të gjithë shqiptarëve. Një djalë i ri që më vonë do të merrte famë për përkushtimin ndaj çështjes sonë kombëtare Tahir Hoxha nga Tragjasi, shkroi nekrologjinë në shtypin e kohë.
NJË LIBËR ME DRITË PËR PROFILIN PA NJOLLA TË NJË VIGANI TË HISTORISË SONË
Nga Albert HABAZAJ/ studiues*/
Lexuesi vlonjat, kurveleshas, tepelenas, mallakastriot, elbasanas, tiranas, dëshnicas, koplikas, dibran,çam, lab- himariot e lumas, shqiptarët e Malit të Zi e të Maqedonisë, edhe shqiptarët e Amerikës, edhe të gjithë ata njerëz që ndjejnë se në trupin e tyre ( kudo ku jetojnë nëpër botë) pulson gjak shqiptari, në nderim të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, kanë fatin të marrin e të gëzojnë një dhuratë me shumë vlerë kombëtare. Është një libër me dritë për profilin e një veterani kombëtar pa njollë. Është shpirti i pastër, zemra bujare dhe mendja e kthjellët e fisnikut të tejdukshëm, zotërisë Enver Memishaj- Lepenica që bën këtë dhurim vëllezërve shqiptarë dhe miqve dashamirës të Vlorës e Shqipërisë. Është libri “Major Ahmet Lepenica Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, në Luftën e Vlorës, 1920” monografi historiko-folklorike që autori na fal dhe ne krenohemi, se kemi një xhevahir në dorë për 100 vjetorin e krijimit të shtetit kombëtar shqiptar.
Në librin për Ahmet Lepenicën jepet rruga e jetës kombëtare e major Ahmet Lepenicës sipas kriterit kronologjik. Ahmet Labi shfaqet si bashkëkohës i reformatorit, “babait të turqve” Mustafa Qemal, Plakut të Urtë të Flamurit dhe Bacës Isë e trimave të tjerë të mendimit dhe të veprimit. Në të gjitha ngarjet e mëdha të kohës jetoi aktivisht: Më 1912-’13 shfaqet patrioti i arsimuar si mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare. Më 1920 shkëlqeu si Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare dhe, me Luftën e Vlorës, gremisën në det Perandorinë e Re Romake, që u vërsul si grabitqare nga Apeninet, por u tërhoq pa lavdi. Më 1921 Majori na shfaqet komandant i krahut të Vjosës. Më 1922 Qarkkomandant i xhandarmërisë, Gjirokastër dhe më 1924-ën, 52 vjeçari është i mbushur me idealet kombëtare, duke u evidentuar në udhëheqje të Revolucionit të Qeshorit me Fan Nolin, Bajram Currin, Elez Isufin e burra të tjerë të vlertë kombëtarisht. Rrojti dhe 17 vjet mbas të parës, të vetmes dhe të fundit humbje në fushën e betejës, deri sa 69 vjeç dha frymën e fundit në duart e Selvi Ali Mëhilles, gruas së tij besnike nga Dukati.
Për këtë material që po paraqes, kam tri pika referimi: 1- Luftën e Vlorës si ngjarje e ndodhur historike, 2- Ahmet Lepenicën si një figurë që peshoi në këtë luftë dhe 3-Enver Memishën si autor i monografisë për Epopenë e çlirimit të trojeve tona me komandantin e saj ushtarak Ahmet Canin, që populli në respekt të veprës së tij e thirri Ahmet Lepenica, kurse miqtë e lartë dhe Paria e vendit e folën Ahmet Labi.
1- Nga “Historia e Shqipërisë” vëllimi II; Tiranë: 1965, Lufta e Vlorës trajtohet në mënyrë të përgjithshme, sintetike dhe vlerësohet për fitoren dhe entuziazmin që ndezi ndër shqiptarët e Lirisë; përmenden edhe emrat e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Ahmet Lepenicës si dhe emri i Selam Musait. Përmenden, nuk mohohen, por tepër thatë, si të qe një nga ato njoftimet e zakonshme të ATSH, që ajo jep rëndom, për rutinë pune. Më tej heshje apo më keq degradim i vlerave të mirëfillta e të vërteta historike. Në Erën e Re Shqiptare (mbas vitit 1990 deri më sot), Lufta e Vlorës, ka gjetur mirëkuptimin e të gjithë palëve: të politikanëve, qytetarëve dhe historianëve dhe është trajtuar realisht, duke e vlerëuar si një ngjarje që vendosi fatet e Shqipërisë. Në këtë libër Lufta e Vlorës jepet e shtrirë në gjerësi dhe në thellësi, ashtu siç ka ndodhur dhe mbetet në kujtesën e Kombit: Rishpallje e Pavarësisë Kombëtare, Pavarësia konkrete e Shqipërisë. Komentet e tepërta janë ujëra që s’duhen.
2- Enver Lepenica, ky bir i Labërisë së Brendshme të Lumit të Vlorës, e ka ravijëzuar portretin e tij si studiues serioz qysh 15 vjet më parë e në vijimësi me 11 vepra të botuara të gjinisë publicistike dhe historike, duke qenë mik i së vërtetës, djalë Shqipërie dhe punëtor i vlerësuar për shërbimet që i bën kulturës sonë. Bashkë me nderimin e prof. Alqi Naqellarit dhe studiuesit e shkrimtarit Novruz Xh. Shehu, që më vitin 2010 me botimin e veprës “Enveri i Lepenicës”– një buqetë e freskët për 65 vjetorin e lindjes, Enver Imer Memishaj meriton sinqerisht edhe mirënjohjen dhe respektin tonë. Me figurën e Ahmet Lepenicës autori ka kohë të gjatë që është angazhuar. Qysh para 30 vjetësh ai ka botuar artikuj në gazeta të ndryshme lokale e kombëtare në Shqipëri kushtuar patriotit lepeniciot me arsim të lartë ushtarak, i cili udhëhoqi me zotësi beteja që konkluduan me çlirimin e Vlorës e krahinave të saj më 1920-ën e lavdishme. Edhe ky libër për komandatin ushtarak të Njëzetës është produkt i dashurisë për vendlindjen që ka autori, trashëguar edhe gjenetikisht, respekt konkret ndaj Lepenicës, Mesaplikut, Labërisë dhe gjithë Shqipërisë. Ky libër nxjerr në pah edhe një herë fuqishëm vlerat shkrimore e botuese të autorit dhe është, për mendimin tim, vula e përkushtimit të një studiuesi për çështjen e Atdheut dhe ndaj trimërisë e heroizmit të një ushtaraku, të cilat Ahmet Lepenica i kishte natyrshëm virtyte e cilësi të ushqyera në vatrën familjare të Esma e Islam Canit, qysh më 1872, kur leu. Nëpërmjet këtij punimi dëshiroj të evidentoj se janë botuar shumë libra për Luftën e Vlorës e trimat e saj nga Ago Agaj, Gani Iljazi (Habazaj), prof. Muin Çami, prof. Viron Koka e Sazan Xhelo, prof. Bardhosh Gaçe, apo edhe nga firma të tjera më minore në historiografi, sidomos për personazhe konkretë të kësaj epopeje.
Nga botimet e periudhës postkomuniste e këtej, parë në fokusin e hierarkisë së vlerave të figurave historike të asaj lufte të gjerë popullore, ku mori pjesë i gjithë komuniteti i udhëhequr nga Paria e vendit me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, ky libër është ndër tre librat më të vyer botuar deri më sot. Të parin vlerësoj librin “Emblema e një epopeje”, shkruar po nga Enver Memishaj- Lepenica; 2- monografinë e madhe “Osman Haxhiu” me autor buldozerin e kulturës dhe historisë së Vlorës prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe 3- “Major Ahmet Lepenica…”, ky libër për të cilin sot po diskutojmë me kënaqësi e nderim. Ndërsa për nga rëndësia e lëndës, dëndësia e besueshmëria e informacionit që jep, “Major Ahmeti” i autorit E. Memishaj qëndron shumë i vlerësuar e dinjitoz në krahë të librave më të plotë të historiografisë shqiptare.
Përse e vlerësoj këtë libër, që autori i dhuron 100 vjetorit të Pavarësisë? Së pari, është angazhim shumë dimensional që autori bën për herë të parë në kushtim të një vigani të Luftës së Vlorës dhe jo vetëm të kësaj ngjarjeje kombëtare.
Së dyti, është jetëshkrim i plotë i rrugës kombëtare të major Ahmet Lepenicës, i pari, siç thashë dhe i vetmi, që besoj se nuk mund të ketë një të dytë kaq të plotësuar.
Së treti, vërej një harmonizim të organizuar siç duhet të trashëgimisë historike me trashëgimin kulturor dhe me ato tufa lulesh folklorike, që autori përzgjodhi në këtë monografi me njësitë folklorike nga epika historike kushtuar Ahmet Lepenicës, këtij emri pa njolla në histori. Në këtë këndvështrim dalloj vëmendjen ndaj trashëgimisë historike, që autori njeh më mirë.
Në këtë libër, pas një leximi të kujdeshshëm dhe gjatë studimit të monografisë, vërej transparencën dhe turbullësirën si raport ndaj çështjes së Luftës së Vlorës, udhëheqësve dhe luftëtarëve të saj, që autori e ka trajtuar me koherencë e guxim intelektual, duke u matur edhe me “deshtë përçorë” të historiografisë shqiptare apo me figura të njohura, që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë, por që, sipas autorit, kanë qëndrime të pasakta, të njëanëshme dhe zbehin ndriçimin vigan të Luftës së Vlorës dhe trimave çlirimtarë.
Ky libër, më i riu e më i ploti i autorit na shëron edhe kombëtarisht, sepse kirurgu historiko-folklorik, miku ynë i mirë Enver Memishaj vlerëson kriteret shkencore të botimit, sidomos dy elementët e domosdoshëm për një botim biografik: 1-dokumentin historik dhe 2- dëshminë historike, duke i dhënë përparësi, normalisht, dokumentit historik.
Dihet historia, por Enver Memishaj ka meritën se ka plotësuar faqe të munguara jo vetëm në historinë lokale por edhe në përmasa më të gjera, se ka zbardhur portrete të harruara (nuk dihet çdo të ndodhte me Ahmet Lepenicën, po të rronte pas Luftës së Dytë Botërore, se ai vdiq sapo u fut 41- shi dhe në Shqipëri). Memishaj u ka hequr pluhurin e harresës, bëzhdilet ngarkuar padrejtësisht figurave të pluhurosura nga regjimi totalitar. Fatkeqësisht, tjetër gjë janë historishkruesit dhe tjetër gjë të mbajturit mend nga historibërësit, historijetuesit dhe kujtesa sociale e komunitetit ku kanë jetuar e vepruar për kombin personazhet historikë të këtij vendi. U realizoftë rezonanca e këtyre dy shtyllave, që lënë gjurmë përgjatë rrjedhave të kohës për t’u përcjellë brezave vërtetësinë jetësore!
Njihet historia, por Enver Memishaj, me metodologjinë e kulturën që është plotësuar gjatë jetës, përdor një gjuhë të pastër e të kuptueshme; kur duhet, përdor edhe të folurën dialektore, që fiksohet lehtë e qartë në memorie me tipologjinë e identitetit, që evidenton me tekstin e shkruar. Kam kuptuar qëndrimin e shëndetshëm kritik të autorit për vështrimin dhe shkrimin koherent të kësaj lufte të drejtë, e cila synonte shporrjen e kolonizatorëve nga trojet shqiptare të pushtuara; po ashtu edhe vlerësimin e tij që i bën luftës së luftëtarëve të trojeve autoktone. Lufta e Vlorës ka patur formacione të rregullta, të organizuara me çeta, me gjerësi e shkallëzim luftimi dhe me vertikalitet korrekt drejtimi. Nga ky truall studimor doli punimi i E. Memishajt për të portretizuar njërin nga personazhet kryesorë të Njëzetës, njërin nga komandantët ushtarakë të asaj epopeje, patriotin e ditur Ahmet Lepenica.
Siç e shpreha, në këtë libër shfaqet guximi atdhetar e intelektual i autorit, që ndez dhe ndjenjën e debatit, pa fyer diversitetin e kulturave të individëve e komuniteteve të ndryshme. Enver Memishaj jep kontribut konkret kombëtar për vlerësim real të figurave madhore të pavlerësuar gjer sot. Ai nuk i shërben glorifikimit të pamerituar, për hir të denigrimit monist. Autori i paraqet siç janë personazhet e luftës, apo, në rastin konkret, heroin e tij, me koloritin e qëndrimit në kohë e në hapësirë, parë nga konteksi i duhur për një studiues, që punon saktë edhe me institucionin verbal të aparatit bibliografik.
Ndihem mirë që jam mik i autorit, por sidomos që paraardhësit e mi Murat Miftar Tërbaçi e Gani Iljaz Abazi ishin edhe miq të Ahmet Lepenicës, Osmën Haxhiut, Qazim Koculit, Duro Shaskës, Qazim Kokoshit, Hamit Selmanit, Alem Mehmetit, Ali Beqirit, Hysni Shehut, Azbi Canos, Sali Bedinit, Myqerem Hamzarajt, Beqir Sulos, Meçan Selamit, Rexhep Sulejmanit, Halim Xhelos e tërë atyre luftëtarëve të kombit. Edhe unë do të përpiqem ta justifikoj, në kushtet që jetojmë, këtë fakt të nderuar e dinjitoz.
Të dritëroftë pena e shpirtit të pastër dhe e mendjes së kthjellët, o zotëri Enver Memishë Lepenicë Bujari! Faleminderit!
Vlorë; e shtunë, 10.11. 2012
*) Kumtesa është mbajtur në diskutimin e librit “Major Ahmet Lepenica…” të autorit Enver Memishaj- Lepenica