• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë- Mali i Zi, nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim policor

March 26, 2014 by dgreca

PRISHTINË/ Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Rasko Konjevic, nënshkruan sot në Prishtinë një marrëveshje për bashkëpunim policor.
Duke falenderuar ministrin malazias, Konjeviç, për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dyja vendeve, ministri Rexhepi theksoi se ky bashkëpunim është i një niveli të lartë.
“Me marrëveshjen për bashkëpunim policor do të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të ndryshme”, theksoi Rexhepi.
Kjo marrëveshje përfshinë edhe çështjen për patrullime të përbashkëta mes dy policive, bën të ditur Ministria e Brendshme e Kosovës në njoftimin zyrtar të dërguar.
“Sot diskutuam që gjatë sezonit veror të ketë patrullime të përbashkëta në disa pika turistike të Malit të Zi, të cilat frekuentohen nga një numër i madh i qytetarëve nga Kosova”, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Konjeviç, tha se vizita e tij në Republikën e Kosovës ishte shumë produktive. Ai theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim policor, do të përparojë marrëdhëniet mes të Malit të Zi dhe Kosovës.
Të dy ministrat pohuan se biseduan edhe për procesin e demarkacionit të kufirit, mes Kosovës dhe Malit të Zi, ku u tha se në një të ardhme të afërt, në bazë të procedurave të rregullta, të nënshkruhet edhe Marrëveshja e demarkacionit të kufirit.
Gjithashtu u bisedua edhe për promovimin e komunitetit malazez në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, ministrat e të dyja vendeve nënshkruan edhe marrëveshjen për rregullimin e regjimit të trafikut kufitar, marrëveshjen për hapjen e pikë-kalimit kufitar Kotllovë-Kuqishtë, për trafikun rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve, marrëveshjen për përcaktimin e pikë-kalimit kufitar rrugor ndërkombëtar Kullë-Savino Vodë, Protokollin për mbajtjen e takimeve të rregullta të policisë kufitare në të gjitha nivelet e menaxhimit, Protokollin për zbatimin e kontrollit kufitar të përbashkët dhe pagesën e shpenzimeve të krijuara në punë në kalimin kufitar të përbashkët Kotllovë-Kuqishtë si dhe Protokollin për formimin e patrullave të përbashkëta përgjatë kufirit të përbashkët shtetëror.
Të gjitha këto marrëveshje kontribuojnë në avancimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian për të dy shtetet.

Filed Under: Rajon Tagged With: Bajram Rexhepi, Kosove, Mali i Zi

PSE NË POLITIKAT ZYRTARE TË MALIT TË ZI SHQIPTARËT E PARTITË POLITIKE SHQIPTARE JANË TË “DORËS SË TRETË”?!

January 29, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
    1.
            Partitë politike shqiptare aktuale nën Malin e Zi janë “dora e tretë” në Koalicionin e sotëm “Mali i Zi Europian”, një koalicion me devizë e sigel të pandryshuar qyshse nga elektoriada parlamentare 2006. Ky koalicion fitimtar në mbi dy dekada u riformatua para tetë vitesh sipas modelit të aleancës zgjedhore të vitit 2002 “Lista e Malit të Zi Europian”, asokohe, e thirrun edhe ndryshe: “Lista Milo”, prej liderit të saj Milo Gjukanoviç.
“Dora e parë” e këtij koalicioni në Elektoriadën e fundme të 14 tetorit 2012 ishte aleanca parazgjedhore trinjake e të majtës malazeze: Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviçit, e cila fitoi 32 vende në Parlament; Partia Social-Demokrate (SPD) e kryeparlamentarit në katër mandate, Ranko Krivokapicit, e cila siguroi 6 vende; Partia Liberale e qëndres së majtë (PL) e Andrija Popoviçit, që kapi vetëm një vend në Parlamentin e Malit të Zi.
Në kit’ koalicion, nga rradhët e DPS, doli edhe një deputet shqiptar, Luigj Shkrela, disi një moderator politik i problematikave aktuale shqiptare, që mund të bajnë mjaft edhe për ndarjen e pushtetit komunal paszgjedhor në Ulqin, ku partitë shqiptare të marrin kryekomunarin e partia e Gjukanoviçit kryetarin e këshillit komunal.
Koalicioni Mali i Zi Europian nuk mujti me tejkalue 50 përqindshin elektoral, pasi kishte vetëm 165.380 vota (45.6 për qind) e, të tria sëbashku,siguruan vetëm  39 deputetë nga 81 vende në Parlament. Me kaq vota e vende kryesocialisti Gjukanoviç nuk mund të rikthehej kryeministër pas dorëheqjes se 29 dhjetorit 2010 nga trusnia e kushtëzuar euro-atlantike, nuk mund të miratonte qeverinë e tij të re, nuk mund të (ri)zgjidhej kryeparlamentari Krivokapic (SPD) nga rradhët e koalicionit parazgjedhor, etj.
2.
“Dora e dytë” e partive aleate (jo)pralamentare u thirr me nguti në aleancë paszgjedhore me Koalicionin tashma qeverisës “Mali i Zi Europian” ende pa shpall “de facto” KQZ rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 14 tetorit 2012. Sapo iu muar fjala verbale për hyrjen në koalicion dy partive parlamentare të pakicave, atyne boshnjake e kroate, Gjukanoviçi e deklaroi menjëherë zyrtarisht e publikisht veten si shumicë fituese dhe, pastaj, udhanisën mandatimi, negociata e marrëveshje për pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv të Malit të Zi.
Ma e para parti, si “dorë e dytë” në Koalicionin e zgjeruar paszgjedhor, u thirr  partia ma e vjetër në Malin e Zi, Partia Popullore (NS) e Predag Popoviçit, mjaft e preferuar për interesat politike të Gjukanoviçit. Kjo parti u themelua qyshse në vitin 1906 si parti me frymën e imazhin e Krajl Nikollës së Parë dhe e mban ende hymnin krajlnikollian antishqiptar “Përpara”(!) edhe pas ringritjes së saj më 1990 e më 1997. Pas kësaj force politike, u thirrën edhe Partia Qytetare e Malit të Zi (GP) e themeluar në vitin 2002, e cila prej vitesh drejtohet me rrotacion nga një ekip katërsh; Partia e Unitetit Kombëtar të Malit të Zi (NS CG) e themeluar në vitin 2000 me kryetar Novak Kilibarda; Partia Liberal-Demokrate (LDP).
Këto katër parti politike malazaze  preferenciale vërtëtë hynë në “dorën e dytë” (atë paszgjedhore) sepse asnjana prej tyne nuk fitoi vende ulës në Parlament, por nga pushteti politik e shtetëror i Gjukanoviçit prej kohësh trajtohen si të rendit të parë në mazhorancën politike në Malin e Zi. Trajtohen edhe ma shumë e ma mirë se dy partitë politike parlamentare të pakicave, si ajo boshnjake e Husoviçit e ajo kroate e Vuçonoviçit. Trajtohen krejt ndryshe nga dy koalicionet (partitë) politike kombëtare shqiptare parlamentare, të cilat si gjithmnonë e si gjithnji mbeten në rendin e fundit politik në këtë shtet të vogël ballkanik, pasi shqiptarët etnik i shovinojnë si “tepricë nacionale”(!), shpesh herë edhe ma keq se komunitetet kulturore ardhacake të romëve (mbi 6.000) e të egjyptianëve (mbi 2.000 vetë).
Këto katër parti politike malazeze jo parlamentare në Koalicionin “Mali i Zi Europian” kanë në historikun e tyre disa përveçime lidhtore historike, politike, nacionale e morale me Gjukanoviçin, me partinë e tij në pushtet, me qeverisjen e tij prej tre dekadash. Këto parti, veçmas në Referendumin e 21 Majit 2006 dhe në tre palë zgjedhje parlamentare në Malin e Zi shtet i pavarur e sovran, kanë dëshmue besnikëri ndaj politikave (ndër)kombëtare të Gjukanoviçit. Këto janë ma afër etnisë malazeze dhe ma larg opozitës së sotme. Këto luftojnë me patriotizëm deri në ekstremitete për konsolidime të shtetit malazez (sipas tyre) pa ribashkime e ndikime (inter)nacionale, politike, fetare, ekonomike e ushtarake nga shtete të ish-Jugosllavisë të Dytë e të Tretë (sidomos nga Serbia). Këto kërkojnë rikthimin si trashëgimi e shumanshme kombëtare malazeze të Derës princore të Petroviç-Njegos, të Krajl Nikollës së Parë e epokës së tij princore e mbretnore. Këto flasin e veprojnë për lidhje me kushtëzime diplomatike, politike, ekonomike e kulturore të Malit të Zi me dy shtetet shqiptare fqinjë. Këto katër parti politike malazeze mbeten prej themelisë së tyne politike për trajtime politike të diferencuara me disa kushtëzime e përjashtime jo veç politike të partive të etnive të tjera, sidomos ndaj partive politike kombëtare shqiptare, ndaj pothuaj gjithë liderëve politikë shqiptarë, etj.
Pas dhe njëherash me këto katër partive politike jo parlamentare, siç e theksova edhe ma nelt, u thirën në koalicionin qeverisës “Mali i Zi Europian” edhe dy parti parlamentare të etnive boshnjake e kroate, sepse Gjukanoviçi për herë të parë qyshse nga viti 2001 nuk mundi të siguronte shumicën në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012. Partia parlamentare Boshnjake, e themeluar më 24 mars 2006, me qendër në Rrozhajë, me kryetar Rafet Husoviç, ndryshe nga elektoriada e maparshme, kësaj here  siguroi 3 vende në Parlament. Partia parlamentare Inisiativa Qytetare Kroate (HGI), e themeluar në vitin 2002 me qendër në Tivat e me kryetar Marija Vuçonoviç mori vetëm 1 vend në Parlament.
Këto dy parti parlamentare të pakicave, të dyja sëbashku, hynë si “dorë e dytë” preferenciale sidomos për nga afati procedurial e kohor në koalicionin e zgjeruar Qeverisës të Gjukanoviçit, si nevojë jetike politike aleancore tue i garantue shumicën parlamentare e fuqinë qeverisëse me 4 deputetë ma shumë, me 43 deputetë gjithsej.
Gjukanoviçi, për të kap disa parametra demokratik të kohës, i thirri në koalicion qeverisës boshnjakët e Husoviçit, pasi malazezët  (rreth 280.000 apo mbi 45 për qind) sëbashku me boshnjakët (mbi 54.000 apo rreth 9 për qind) e tejkalojnë mbi gjysmën e popullsisë të krejt Malit të Zi. Njejtësisht edhe kroatët e Vuçonoviçit i thirri në këtë koalicion, jo veç për një deputet, po edhe për faktin tjetër: e plotësonte ma fort konfiguracionin fetar: me malazezët ortodoksë, me boshnjakët muslimanë dhe me kroatët katolikë e protestanë.
Kësokohe, edhe partitë e koalicionet politike kombëtare shqiptare kishin fillue bisedat e negociatat “e brendshme” në zyra e në kafe dhe ato “të jashtme” në mediume lokale e kombëtare e në masmedia (ndër)kombëtare, po shqiptarëve e liderëve të tyne disa parti politike të koalicionit të sotëm qeverisës nuk iu dolën besëmbajtës në fjalë-angazhimet apo ua ndryshuan fjalë-premtimet.
3.
Koalicioni i zgjeruar qeverisës “Mali i Zi Europian” nga zgjedhjet e 14 tetorit 2012 deri me betimin e Gjukanoviçit si kryeministër më 4 dhjetor 2012, i la realisht në opozitë përkohore katërvjeçare disa parti e koalicione politike rivale. Opozita e ka dhanë goditje si “tërmet politik” ma shumë se tre herë mazhorancës së sotme, pushtetit politik të Gjukanoviçit. Në vitin 2001 nuk e lanë Koalicionin gjukanoviçian “Fitore, Mali i Zi” të merrte shumicën parlamentare pa koalicon të zgjeruar. Kjo histori politike u përserit edhe në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012. Ndërsa më 7 prill 2013 gati ia rrezikuan fitoren edhe kandidatit presidencial Filip Vujanoviç i partisë (DPS) të Gjukanoviçit. Veçanarisht këto dy “tërmetet” politike të fundit më 2012 e 2013 provojnë se pushteti politik i Gjukanoviçit ka fillue “rënien e lirë” nga piramidat e pushtetit e të shtetit malazez prej konsumimit të tepërt politik të tij e të kastës së tij politike në mbi tre dekada. Asnjë lider politik si Gjukanoviçi, asnjë parti politike si DPS e Gjukanoviçit,  asnjë koalicion partiak si i Gjukanoviçit, nuk ka qëndrue kaq gjatë në pushtet, në asnjë shtet tjetër ballkanik dhe në asnjë shtet euro-atlantik.
Në opozitë mbeti edhe Koalicioni “Fronti Demokratik” me dy partitë e tij  aleancore: Lëvizja për Ndryshim” (PzP) e themeluar më 2002 e ristrukturuar më 2006, me qendër në Podgoricë, me kryetare Nebojsha Medojeviq si dhe Partia Demokracia e re Serbe (NOVA), e themeluar më 2009 me qendër në Podgoricë e me kryetar Andrija Madiq, të cilat sëbashku morën  plot 20 vende në Parlamentin e Malit të Zi.
Edhe Partia Popullore Socialiste, e themeluar në vitin 1997/1998, me qendër në Podgoricë, me kryetar Srdjan Milic, mbeti në opozitë pasi fitoi vetëm 9 deputetë. Kjo parti parlamentare, dikur, ishte krahu i djathtë politik i Millosheviçit në Malin e Zi.
Partia ma e re në shtetin e vogël malazez, Partia “Mali i Zi Pozitiv” (PCG), e krijuar rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve, me seli në Podgoricë, me kryetar veprimtarin ekologjist Darko Pajoviç, mori 7 deputetë, po mbeti në opozitë. Një prej deputetëve të saj është edhe  shqiptari Dritan Abazoviq, i cili duket ma aktiv për problematikat shqiptare në Malin e Zi se deputetët e partive politike shqiptare në Parlamentin e pasvitit 2012, aqsa t’ia ngrejë temperaturat politike Gjukanoviçit deri në çartani psikike me fyerje të ulta.
Pjesë e opozitës mbetën edhe dy kualicione të tjera të etnisë serbe në Malin e Zi si “Aleanca Kombëtare Serbe” (Partia Radikale Serbe, Partia Demokratike Serbe, Këshilli Nacional Serb) dhe, tjetri, “Serbët e Bashkuar”, përndryshe: “Uniteti Serb” (Partia Popullore Serbe, Lista Serbe, Partia Serbe “Atdheu”, Qëndra Demokratike “Boka”, etj.), si edhe Grupimi “Sëbashku” (Partia e Pensionistëve, Invalidëve dhe për Drejtësi Sociale, Partia Komuniste Jugosllave e Malit të Zi). Asnjani nga këto tri blloqe politike elektorale nuk mundi të sigurojnë të paktën një deputet të vetëm.
Këto 14 parti politike (jo)parlamentare në opozitë, pothuaj të gjitha e shpeshtas, kanë ndaj partive politike nacionale shqiptare, ndaj veprimtarëve të tyne cilësorë e ardhmnor, ma tepër se kundërshti bio-politike aktive e të egra, veçmas partitë (pro)serbe si ato radikale, etj.
4.
“Dora e tretë” e thirrun në Koalicionin paszgjedhor “Mali i Zi Europian” me 6 nëntor 2012, gati një muaj mbas zgjedhjeve, ishin partitë e koalicionet politike kombëtare shqiptare, të cilat i besuan vetëvetes dhe Gjukanoviçit vetëm kur Marrëveshja u akt-krye zyrtarisht e publikisht.
Shumësia e partive politike shqiptare në Malin e Zi lidhën aleanca në dy koalicione partiake zgjedhore: në atë “Për Bashkim” (tri parti: Forca e Re Demokratike, e themeluar në vitin 2005 në Ulqin e me kryetar nazif Cungun; Partia Iniciativa Qytetare – Tuz  me kryetar Gjeto Sinishtaj; Lëvizja Perspektiva) si dhe “Koalicioni Shqiptar” (me tri parti: Lidhja Demokratike, e ngritur qyshse më 1990 në Ulqin me kryetar Mehmet Bardhin; Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën; Alternativa Shqiptare, krijue më 2006 në Tuz me kryetar Gjergj Camaj). Konkuronte edhe UDSH-PPD me kryetarin e sapozgjedhur, Mehmet Zenka. Aleanca Rinore Shqiptare, e Anton Lulgjuraj, doli nga zgjedhjet me 531 vota, ma keq se të gjitha forcat partiake politike në Elektoriadën e Tetorit 2012.
Dy koalicionet shqiptare me gjashtë parti shqiptare morën vetëm nga një deputet shqiptar secili: Fatmir Gjeka për “Koalicionin Shqiptar” dhe Genci Nimanbegu i koalicionit tjetër: “Për Bashkim”. Kjo ishte një humbje politike kombëtare e madhe, një ndëshkim politiko-elektoral i pamerituar: partitë politike kombëtare shqiptare patën dy deputetë shqiptarë ma pak se sa kishin në zgjedhjet parlamentare të vitit  2009.
Kryetari i Koalicionit “Mali i Zi Europian”, kryesocialisti Milo Gjukanoviç, kur nënshkroi më 6 nëntor 2012 Marrëveshje me aleatët (pas elektoral) ishte përfaqësues kryetari i Partisë Boshnjake, Rifat Husoviçi, i cili firmosi edhe për partitë (koalicionet partiake) shqiptare(!) Kjo vaki fyese ngjau keqas pavarësisht faktit se aty ishin të pranishëm edhe Nazif Cungu (kryetar i Partisë Forca e kryekomunar i Ulqinit shqiptar) përfaqësues për Koalicionin “Për Bashkim” dhe deputeti Fatmir Gjeka (kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare) përfaqësues i “Koalicionit Shqiptar”.
Për shumë arsye të (pa)thëna kryelideri malazez, Milo Gjukanoviçi, koalicioni i tij qeverisës, të nesërmen e Akt-Marrëveshjes firmëtare në Podgoricë, i dha Sulo Mustafiqit – njërit nga zyrtarët e lartë të Partisë Boshnjake të Rrozhajës, një nga tre vendet e nënkryetarit të Parlamentit të Malit të Zi me seli në Çetinë.
Më 4 dhjetor 2012 Milo Gjukanoviçi, edhe me vota të deputetëve shqiptarë, u zgjodh për herë të shtatë kryeministër i Malit të Zi me 44 vota pro, 26 kundër, 1 abstenim, ndërsa 10 deputetë nuk morën pjesë në votim. Mirëpo, ndodhi e (pa)pritura  politike denigruese: nuk u (për)zgjodh asnjë shqiptar për postin e Ministrit të Drejtave të Njeriut e të Pakicave, siç ishte, fjala vjen, politikani Ferhat Dinosha, në mandatin e kaluar qeverisës, i cili tani ka statusin e ambasadorit të Malit të Zi në Shqipërinë Londineze.
Dikushi mund të dvetin: Pse partitë (koalicionet) politike kombëtare shqiptare nën Malin e Zi janë të “dorës së tretë” në politikat e ndryshme presidenciale, legjislative e ekzekutive të këtij shteti të vogël ballkanik me urrejtje e luftë bio-politike shovene ndaj shqiptarëve etnikë, ndërkohë që po ecën drejt integrimeve euro-atlantike në BE e NATO? Faktet flasin vet: Marrëveshja e 6 nëntorit 2012 për koalicion pas zgjedhor; mosdhania e asnjë posti të lartë për shqiptarët në “kryesinë e vogël” të Kuvendit 81 vendësh të Çetinës; heqja e një posti ministror shqiptar në qeverinë e re të Podgoricës; mos ligjësimi në shtator 2013 (sipas Marrëveshjes) i statusit komunë e plotë e më vete i Tuzit urban; marrja përtej akteve politiko-mafioze më 26 janar 2014 e të vetmes komunë shqiptare të Ulqinit nga partia udhëhjekëse e Gjukanoviçit; procesi final shoven në shkurt 2014 i ndamjes së Plavë-Gucisë etno-historike shqiptare në dy komuna për haraç e llogari malazeze-serbe-boshnjake në brigjet e Limit e të Moraçës, etj., etj.
Çështja shtrohet edhe ndryshe: Atëherë, pse i mori Gjukanoviçi partitë (koalicionet) politike kombëtare shqiptare në Koalicionin “Mali i Zi Europian”?! E para: në koalicion kanë hyrë parti politike të etnive apo pakicave, që janë kufi me Malin e Zi, si partia parlamentare”Inisiativa Qytetare Kroate” në qytetin Tivat (Kroacia), Partia parlamentare Boshnjake në Rrozhajë (Bosnje-Hercegovina e Sanxhaku-Tregu i Ri në kufi me Serbinë), prandaj u futen edhe këto dy koalicionet (partitë) politike kombëtare shqiptare (Shqipëria, Kosova). E dyta, shqiptarët etnik mbartin elementin tre/fetar me mjaft peshë dhe i japin “kolorit fetar” qeverisjes gjukanoviçiane në sytë e botës euro-atlantike, pasi shqiptarët nën Malin e Zi zenë realisht vendin e dytë për nga besimi musliman (pas boshnjakëve) dhe vendin e parë për nga besimi katolik (37 për qind e kryesisht në Tuz, Ulqin, Plavë, etj.) e të ndjekun nga kroatët. Dihet lufta e përjetshme e Derës Princore të Petroviç-Njegos e deri tek e Milo Gjukanoviçit për ta kthye Malin e Zi në shtet ortodoks sllav tue e sulmue kataloçizmin me shpërngulje ose asimilim në ortodoksë, e njëjtësisht e njësoj edhe fenë muslimane e mbartësit e saj, veçanarisht shqiptarët muslimanë, etj. E treta, aktualisht në Malin e Zi nuk janë popullsi mbisunduese, as malazezët (45 për qind), as serbët ( 28. 7 për qind), ndërsa në vend të tretë vijnë boshnjakët (shumica e tyre shqiptarë muslimanë të asimiluar) e në të katërin shqiptarët etnikë. Kjo i obligon së tepërmi (ndër)kombëtarisht qeverisjen politiko-shtetërore të Gjukanoviçit që të përfshijnë në koalicion qeverisës edhe shqiptarët etnikë, sikurse malazezët, serbët e boshnjakët dhe aq ma shumë kur hyjnë edhe kroatët që nuk i kapin as 1 për qind të popullsisë të këtij shteti multietnik. Ky është edhe një tregues tjetër që i duhet Malit të Zi gjukanoviçian për ecurinë e integrimeve euro-atlantike. E katërta: Gjukanoviçi i merr partitë politike kombëtare shqiptare në pushtet dhe i lenë “pa pushtet”(!), sepse i duhen edhe si “kartë politike”, edhe si “peng politik” (kushtëzime), edhe si “urë pa harqe”, në marrëdhëniet diplomatike, politike, kulturore, ekonomike, fetare, etj. me dy shtetet shqiptare kufitare: me Shqipërinë Londineze e Kosovën dardane Euro-atlantike. Kjo shfaqet në kërkesën malazeze ndaj Shqipërisë- vend antar në NATO  për lobim shqiptar për ta antarësue edhe Malin e Zi në NATO; duket në kushtet diplomatike për “minoritetin malazez” në Kosovë; shihet në hapjen e pikave kufitare e doganore me Shqipërinë e Kosovën; ndihet në lobimin për sjelljen e gazsjellësit TAP nga Shqipëria në Mal të Zi; provohet në projektin madhor të Rrugës Adriatik-Jon dhe të rrugëve që e lidhin Shqipërinë e Kosovën me Podgoricën, Ulqinin, Plavë-Gucinë, etj. etj. E katërta: nëse Gjukanoviçi nuk i merrte partitë politike kombëtare shqiptare në koalicionin qeverisës katërvjeçar, atëherë këto do të kalonin me opozitën e përbame ma së shumti me forca politike serbe. Kjo do ta fuqizonte edhe ma tepër opozitën e sotme në zgjedhjet lokale të pritshme e ato qëndrore të ardhshme, biles do t’ia merrnin pushtetin e sotëm me votë Gjukanoviçit e koalicionit të tij qeverisës. Një fakt disi i “fshehtë”: për mosdhanjen e statusit komunë e plotë komunës urbane të Tuzit nuk janë thjesht arsyet ekonomike, po kryesisht  edhe ato politike, pasi Gjukanoviçi ka frikë se komuniteti ardhacak serbë do ia marrin pushtetin vendor në Podgoricë, në komunën ku ndodhen selitë e Qeverisë e të ministrive të saj. E pesta: Gjukanoviçi duke i pasë partitë politike shqiptare në koalicionin e tij edhe i kontrollon, edhe i dëmton ma lehtë e ma fort ato dhe liderët e tyne jo vetëm me (mos)dhanien e investimeve në komunat me popullsi etnike shqiptare, etj. Aq kohë sa partitë politike shqiptare nën Malin e Zi merren  kot e hopa me njani-tjetrin  po kaq kohë Gjukanoviçi me strukturat e tij mbi e nëntokë, haptas e fshehtas, lufton me na e marrë të ardhmen e përbashkët në trojet etnike shqiptare në Mal të Zi. Nëse Krajl Nikolla me Milicën e tij na i morën me pushtime të përgjakshme e aneksime të padrejta tokat etnike shqiptare, Gjukanoviçi po lufton përditë me na i marrë njerëzit tanë, shqiptarët trojenik…
Liderët e strukturat e partive e koalicioneve politike kombëtare shqiptare nën Malin e Zi duhen mirëkuptue ma qartë edhe në një pikë të vetme që nuk e dinë as Toka e as Qielli, as varret e shumta të shqiptarëve trojenik e as lapidaret e paktë të shqiptarëve heroik, faktin nëse është ma mirë në opozitë apo opozitë, nëse je ma mirë me malazezët apo me serbët, etj. Fakti që politikanët shqiptarë nën Malin e Zi bien pa u ngrit mirë si figura politike publike është përgjegjësi edhe e faktorit politik shqiptar në Ballkan sidomos Tirana e Prishtina zyrtare që nuk iu rrijnë afër e drejtësisht për t’i promovuar mirësisht në hapësira etnike shqiptare, në diasporat shqiptare e në institucione (ndër)kombëtare. Po fatkeqësisht politika kombëtare zyrtare shqiptare as në Tiranë apo në Prishtinë nuk mundet seriozisht e plotësisht me “iu dhanë dorë” liderëve politikë shqiptarë nën Malin e Zi, pasi i kanë lanë disi “jashtë dore” prej hejcekurit çështjet etnike e problematikat shqiptare në Malin e Zi dhe nuk janë marrë të paktën si me luftën e armët kimike të Sirisë (!)
Politik(ç)bërës shqiptarë, ju shoqëri civile, shqiptarë etnik atdhetarë në trevat etnike shqiptare nën Malin e Zi, në Shqipërinë Londineze, në Kosovën dardane Euro-atlantike, etj. e deri në Bruksel e në Amerikë: Malësia shqiptare nga Ulqini në Rrozhajë është një “Mitrovicë e heshtur” që po kthehet haptas e shpejt në një “Çamëri të Dytë”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mali i Zi, partite politike shqiptare, Ramiz Lushaj

Mali i Zi e do Plavë-Gucinë pa shqiptarë

May 14, 2013 by dgreca

Nga Ramiz Lushaj/
1. Në tokën arbnore të krahinës komunare të Plavë-Gucisë shqiptarët etnikë (të vetëdeklaruar si të tillë) renditen të dytët për nga popullsia dhe janë ma të përqëndruar në Vuthaj, Martinaj, Hot i Vendit (Hoti mbi Plavë), Kukaj-Krushevë-Vishnjevë-Hakaj, në qytetet Guci e Plavë, etj. Shqiptarët etnikë rradhavijnë pas boshnjakëve (ma së shumtit shqiptarë të asimiluar) dhe dalin para serbëve dhe malazezëve, që janë komunitete kulturore-etnike të ardhun si kolonë e ma së forti të rritun numerikisht me asimilime të shqiptarëve katolik e muslimanë në kohëna të trinjakërisë krajloviçe kundërshqiptare: Nikolla I, Tito e Gjukanoviçi.
Nistue nga numri i përgjithshëm i popullsisë etnike shqiptare përcaktohet edhe përqindja shqiptare e përfaqësimit dhe e punësimit në shtetin e pavarur të Malit të Zi të pas 2006-tës, si në institucione shtetërore e lokale që varen zyrtarisht nga Podgorica apo komuna e Plavë-Gucisë, sipas kërkesave e praktikave të përbotshme demokratike, sipas kushteve e kritereve për antarësim euro-atlantik në BE e në NATO. Politika shtetërore kundërshqiptare e Malit të Zi gjukanoviçian mbetet tejet diskriminuese ndaj shqiptarëve etnik në Plavë-Guci (realisht – mbi 20 për qind e popullsisë së saj) pasi niveli i përfaqësimit e i punësimit në këtë komunë është mbi katër herë ma i vogël se sa përqindja e duhur zyrtarisht.
2. Shifrat flasin vetë për këtë komunë alpine me 486 km2 e 14.000 banorë, me tri qendra lokale (Plavë, Guci, Murinë) dhe shtatë bashkësi lokale. Në territorin e Plavë-Gucisë janë gjithsej 959 vende pune republikane apo komunare, të cilat plotësohen nga Podgorica ose Plava sipas kritereve të tyne publike e ajzberige. Shqiptarët etnikë, sipas rregullave demokratike shtetërore dhe arsyes njerëzore, iu takon të kenë mbi 200 vende pune gjithsej në të gjitha nivelet zyrtare të atyshme. Deri kohët e fundit, sipas të dhanave nga burime të ndryshme zyrtare, partiake e qytetare, del se në krejt Plavë-Gucinë janë të punësuar mbi 50 shqiptarë. Rritja e përfaqësimit e punësimit të shqiptarëve në Plavë-Guci është tepër e ngadaltë, gjithsesi e pakët, në nivel të ulët, pavarësisht se së fundit po ndihet një erë e lehtë ndryshimi. Mjafton veç ky fakt që të shqetësoj me reflektime Bashkimin Europian e Amerikën, po veçmas edhe dy shtetet kufitare të Shqipërisë e Kosovës, që ta kushtëzojnë Malin e Zi në marrëdhaniet e integrimit e të fqinjësisë me zgjidhjen e këtij problemi përditsor të shqiptarëve plavë-gucias. Askush nuk po i kërkon askujt që të veprojnë açik, veçse siç po ban Mali i Zi që e ka njoft shtetin e ri të Kosovës, po nuk janë vendos në Prishtinë e në Podgoricë misionet diplomatike, pasi e kushtëzon me zgjiedhjen e disa çështjeve të (pa)arsyeshme malazeze.
3. Njihet (ndër)kombëtarisht kontributi politik e plebishitar i shqiptarëve në shpalljen e Pavarësisë së Malit të Zi, ku ka peshën e vet të randësishme edhe krahina e Plavë-Gucisë, e treta komunë për nga popullsia shqiptare, pas asaj të Ulqinit e të Tuzit. Shteti malazez ka mos mirënjohje të pafalshme ndaj shqiptarëve, nuk i vlerëson denjësisht si qytetarë të tij dhe në sjelljet e tij kolonizatore i sheh dhe i trajton shqiptarët si “popull i rendit të dytë apo të tretë”(!) Kjo duket qartë tek ky fakt skandaloz: policia kufitare në Plavë-Guci i ka 157 vende pune, po dekteri vonë nuk ka shqiptarë të punësuar në radhët e saj, ndërkohë që vijëkufini me dy shtetet shqiptare fqinjë, Shqipërinë Londineze dhe Kosovën dardane, shtrihet në rreth 80 km gjatësi. Një tjetër qëndrim tepër racist e mosbesues ndaj shqiptarëve: shteti malazez i merr tre qytetarë të komunitetit boshnjakë në Plavë-Guci dhe i çon në kurse kualifikime për të mësue shqipen, pasi iu duhen për me komunikue me shqiptarët në anën tjetër të kufinit, ndërkohë që shqiptarët etnikë plavë-gucias mbeten pa punë dhe kalojnë si muhaxhir nëpër këto pika kontrolli kufitar tue marrë rrugët e mërgimit të prejkohshëm, ma së shumti në Amerikën përtej Adriatikut e Atlantikut.
Sjelljet koloniale mesjetare të shtetit malazez keqshfaqen edhe në mos përfaqësimin e shqiptarëve etnikë në Plavë-Guci në organet e drejtësisë. Është vetëm një prokuror dhe asnjë gjyqtar. Në zyra të shërbimit informativ malazez të atyshëm nuk ka asnjë shqiptar. Në këto raste kemi përjashtim ekstrem të faktorit e përqindjes shqiptare në këto organe, duke mos pasë në përbërje të tyre të paktën një shqiptar-përkthyes, etj. Ndërkohë që ndihet e domosdoshme pasi numri i hetimeve e i gjykimeve ndaj shqiptarëve është disi i lartë në krahasim me boshnjakët, serbët apo malazezët, edhe për arsyen e thjeshtë se përndiqen shpesh e diferencohen gjithkund për shkak të etnisë shqiptare.
Në policinë e shërbimeve publike nga 83 punonjës (policë e punëtorë administrativ) shqiptarët punësohen vetëm rreth 4 për qind, pavarësisht faktit që shqiptarët janë të dytët në popullsinë e përgjithshme të komunës dhe ka bashkësi lokale si në Vuthaj, Martinaj, etj. me mbi 90 për qind mono-etnike shqiptare. Edhe aty ku jepen dokumente personale edhe për shqiptarët ka 15 të punësuar të komuniteteve të tjera etno-kulturore, ndërsa shqiptarët nuk përfillen në përqindje zyrtare! Një dukuri e tillë negative raciste kaq ekstremiste nuk ndodh as në disa shtete nga ma diktatorialet në botë, si në Afrikë apo në Azi. Këto dëshmojnë se shteti malazez sillet si pushtues, është neo-kolonizator mesjetar.
Absurditete që nuk kanë astenjë shfajësim politik, moral apo zyrtar: në Entin e Punësimit në Plavë nuk ka shqiptar dhe atëherë si mund të thonë se ka interes shtetëror, partiak e komunar për punësimin e shqiptarëve?! Në Drejtorinë e Pyjeve ka 37 vetë të punësuar, kurse shqiptarët zënë vetëm mbi 6 për qind dhe ende ka vende të lira për punësimin e tyre. Paradoksale: në Organin për Kundërvajtje, në Qendren Sociale, në Postë, etj. nuk ka shqiptarë, në Qendrën Parashkollore vetëm 1 shqiptar, etj. Në institucionet e larta presidenciale, parlamentare e qeveritare në Podgoricën e Çetinë dhe në selitë e partive politike shqiptare në Ulqin e Podgoricë, e mirëdijnë këtë gjendje të randë në Plavë-Guci, po nuk ndërmarrin hapa të plotë me vullnet politik e njerëzor që ta ndryshojnë realitetin katastrofal të kësaj komune nga ma të varfrat e Europës.
4. Çështja shtrohet edhe kështu: nëse në organet e drejtësisë, të sigurisë shtetërore e të policisë kufitare e të shërbimeve, të tatimeve, etj. Emnimet i ka në dorë edhe Podgorica, kryeqëndra zyrtare e shtetit malazez, po komuna e Plavë-Gucisë me mbi 100 punonjës pse ka vetëm mbi 10 për qind shqiptarë në zyrat e saj?! Në ente e organizma në varësi të kësaj komune përfaqësimi e punësimi i shqiptarëve kap rreth 8 për qind, një shifër ende e ulët, pasi flitet zyrtarisht për rreth 60 vende pune të mundshme. Përndryshe: nga 73 vende pune në organizatat komunale të Plavë-Gucisë mund të punësohen rreth 20 shqiptarë, po janë në punë të ndryshme veç nja 5 për qind e tyne. Tjetra: nga 24 vende pune në shërbimin zjarrfikës nuk ka astenji shqiptar, ndërkohë që përqindja i kërkon 6 vende pune. Në dhomat e kulturës në këtë komunë ka 27 vende në organikë dhe në to duhet të punësohen deri në 7 shqiptarë etnikë. Komuna, pavarësisht nga vështirësitë e (pa)dituna, i ka mundësitë edhe për shtimin e vendeve të reja të punës në shtrirjen gjeo-administrative të Plavë-Gucisë, si në mirëmbajtjen e liqenit të Plavës, në Parkun Nacional, në sektorin e pastrimit e deponimit të mbeturinave (që po i hedhin keqas gjithandej, paturpësisht edhe mbi varret e luftëtarëve të legjendares “Luftë e Nokshiqit”).
5. Mos përfaqësimi e mos punësimi i rreth 200 shqiptarëve etnikë të Plavë-Gucisë në vendet e tyre të ligjshme brenda përqindjeve të kuotave zyrtare të kushtëzuara nga numri i popullsisë së saj ka problematikat e veta politike, etnike, fetare, etj. Një prej tyne është zania e vendeve të punës të planifikuara për shqiptarët etnikë me të tjerë të etnisë boshnjake, serbe e malazeze. Gjithashtu ka ndikue edhe fakti se ndërvite as Podgorica dhe as Plava nuk kanë pasë vullnet politik e njerëzor për përgatitje perspektive të shqiptarëve etnikë të atyshëm nëpërmjet shkollimit e kualifikimeve të ndryshme për disa vende pune si në shëndetësi, arsim, polici, etj. Mbi të gjitha theksojmë se mos përfaqësimi e mos punësimi i shqiptarëve etnikë plavë-gucias dhe mos zhvillimi i kësaj krahine komunare të prapambetur ka të bajnë me vetë politikën shtetërore shovene raciste të Malit të Zi që don t’i shpërngulin shqiptarët për në botën e jashtme, që këta ta lëshojnë tokën e vet etnike shqiptare, etj. Realisht Mali i Zi me demagogji e vello “demokratike” kërkon ta kryejnë përfundimisht proçesin e kolonizimit në Plavë-Guci nëpërmjet shpërnguljeve e spastrimit etnik të shqiptarëve trojenik. Shifrat flasin vetë: në vitin e pushtimit malazez të Plavë-Gucisë në tetor 1912 popullsia shqiptare ishte mbi 77 për qind dhe pas një shekulli shohim se shqiptarët etnikë janë 4 herë ma pak, ndërkohë që janë mbi trefishue etnitë e tjera si boshnjakët (mbi 44 për qind), serbët (rreth 20 për qind) e malazezët (mbi 14 për qind). Gjithçka tashma po dihet dhe shihet: Mali i Zi po lufton ta kthejnë Plavë-Gucinë në një në një vend pa shqiptarë dhe bota shqiptare e ajo euro-atlantike nuk duhet të heshtin ndaj këtij kolonizimi mesjetar në Europën moderne.

Filed Under: Komente Tagged With: Mali i Zi, Plave e Guci, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT