Është e vështirë të vdesësh, por në një farë momenti e vë re se gjërat e jetës përfundojnë./
Nga Arjan Th. Kallço/
Të shkruash sot për femrën gjendesh para disa dilemave të mëdha të kohës. Përhapja e dhunës ndaj grave në familje këto ditët e fundit tek ne po nxjerr qartë sesa nevojë ka shoqëria e sotme shqiptare që të civilizohet në marrëdhëniet burrë-grua. Duket se ndërrimi sistemeve e përkeqësoi figurën dhe pozicionin e gruas. Jeta sot po tregon se vështirësitë e ekonomike po e ashpërsojnë raportin mes tyre jo vetëm në familje, por edhe më gjerë. Një shoqëri duke mos patur asnjë kriter vlerësimi në selektimin e njeriut, detyrimisht që do të shkiste në këtë tragjedi që çdo ditë flet për dhunën e pashembullt ndaj saj. Nuk ka dyshim se pozicioni dhe roli i saj në jetën e përditëshme ka ndryshuar, sidomos në shekullin e fundit. Shekulli i ri ka një fizionomi tjetër kur flitet për femrën. Në shumë vende të botës, sidomos vendet arabe, gratë po përpiqen që të fitojnë më shumë të drejta në jetë, duke kërkuar edhe barazinë me burrin. Në vende të tjera qytetërimi po u krijon kushte marramendëse grave të cilat duket se po kërkojnë më shumë të drejta sesa u duhen në realitet. Kjo ka sjellë si pasojë një mbivlerësim të tyre në jetën shoqërore, duke krijuar idenë se sot bota mund të ecë para vetëm me rolin e tyre udhëheqës. Nëse të gjitha gratë, nuk ka asnjë mundësi që të jenë të barabarta edhe brenda llojit, do të tregonin një supremaci totale, siç pretendohet nga shoqatat e pafund të grave, atëherë gjeniu i sotëm do të mbante emrin femër. Por nëse i referohemi fakteve, nga e gjithë moria e grave që përpiqen të kenë karrierën e tyre në jetë, jo të gjitha i përmbushin standartet, pasi janë të pakta, shumë të pakta ato që vërtet e mëritojnë respektin e shoqërisë kur bëhet fjalë për pozicionin në hierarkinë e saj. Nuk e kam fjalën për kulturën dhe shkencën, se ndoshta janë më të shumta se në politikë apo në drejtime të tjera. Sa janë ato gra që bëjnë dhe duan të bëjnë sakrifica të pafund për shoqërinë? Sa janë ato gra që sot përballen me regjimet për të drejtat e tyre? Dukë qënë firmëtar i disa apelimeve të Amnisty Internacional në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ju siguroj se numëri i tyre është shumë i papërfillshëm në krahasim me atë të burrave. Nuk dua të ndalem dhe të bëj apologjinë e burrit apo e rrethanave historike të ecurisë së dominimeve. Ka shumë mendime dhe ide, saqë nuk mund të gjesh kurrë dy mendje bashkë. Ditë më parë po lexoja një artikull për një shkrimtare franceze që vërtet ta mbush mendjen për femrën që e meriton të gjithë vëmendjen. Jo sepse është shkrimtare, por po të lexosh për jetën e saj, duke ju kujtuar se jetoi në shekullin e kaluar, do të shohësh dhe vlerësosh karakterin, forcë, guximin, kurajon në përballjen me jetën dhe me problemet shoqërore. Një shekull më parë duhet të jemi të vetëdijshëm, problemet shoqërore kanë qënë edhe më të rënda se sot, të paktën në Europën tonë. Flitet për një Shovinizëm të francezëve që çuan në gabime të bujshme që me Margarita Dyrasin dhe zgjatën 25 vjet. Po sjell nëj profil të saj, duke u bazuar tek intervistat që ajo ka dhënë.
Margarita Dyras lindi në vitin 1914 dhe u nda prej saj në Paris në vitin 1996. Shkrimtare dhe regjizore franceze e shumë tregimeve të shkurtëra, të filmave dhe kryesisht romaneve. Famën e vet duhet t’ia dedikojë një gazetareje italiane që me shumë zell dhe këmbëngulje bëri atë që nuk e kishin bërë dot francezët për një bashkëkombase të tyren. E quan shkrimtare tekanjoze dhe të ashpër, të shkurtër, të himët dhe autoritare. Në fillim mosbesimi e shtyu shkrimtaren që ta kontrollonte intervistuesen se mos shkruante për bisedat, ndërsa ajo fliste në telefon. Por më pas bisedat e tyre, edhe pse Dyrasi i kishte thënë se nuk kishte shumë kohë, i kaluan caqet e një konfidence diplomatike, duke kaluar në rrëfime të gjata.
Familja, fëmijëria në Vietnam, i dashuri kinez, Franca, komunizmi, martesa, letërsia, kinemaja, teatri, alkolizmi. Dyrasi fliste lirshëm, ndoshta duke menduar se rrëfimet nuk do të mbërrinin kurrë tek lexuesit francezë. Dhe vërtet libri “Pasioni pezull” në fillim nuk u duk në atdheun e saj, por shpejt u bë tepër i kërkuar. Me gazetaren Della Torre foli për shumë gjëra, për dashurinë, poltikën, shijet seksuale. Shkrimtare dhe grua e pamëshirshme me veten dhe të tjerët. Lindi në Indokinë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë, deri në moshën 18 vjeçare e kaloi aty dhe për atë kohë ka kujtime plot vuajtje. “E gjithë letërsia ime lindi aty, tek orizoret, në pyjet, tek vetmia. Isha një fëmijë e emancipuar dhe përhumbur, një Borebardhë e vogël, me fytyrën e djegur nga dielli, zbathur, pa orar dhe e paedukuar. Më bren ndërgjegjia për pjesën më të madhe të asaj jete. Por papritur me dhunë, gjërat e jetuara me pavetëdije, kur isha 12 vjeçe, më bënë sërisht një vizitë tek mua. E gjeta të paprekur varfërinë, frikën, hijen e pyllit, tigrat, lebrozët që më terrorizonin. Diçka e egër mbetet brenda meje edhe sot. Një lloj ngjitje kafshore me jetën”. Më pas kujtimet marrin tjetër rrugë dhe shkojnë në tjetër vend. “Në Kamboxha nëna prej kohësh bleu një koncesion për një orizore që nuk mundi ta kultivonte nga përmbytjet detare. Punoi 20 vjet dhe i dha fund jetës së varfër, e vetme në brigjet e Loiras”. Udhëtimet dhe vendet ku jetoi kanë brenda tyre edhe ndjenja dhe emocione që ndryshojnë nga një vend tek tjetri. Në vitin 1930 Dyrasi u transferua në Saigon, ku dashurohet me një të ri kinez, që do të jetë protagonist i librit të saj që në Itali doli me titullin “I dashuri”. Libri I dha famë ndërkombëtare dhe mori çmimin Goncourt. “Deri atëherë isha një klandestine, jetoja me të drejtat gjermane dhe angleze të autorit. I dashuri është një libër i egër që doli nga errësira ku e kasha mërguar fëmijërinë time. Pastaj në një farë pike thashë: përse tani që nënë ime nuk jeton më të mos i tregoj këto gjëra? Për atë njeri kujtoj trupin kinez që nuk më pëlqente, por që e shijonte timin. Forca e dëshirës ishte totale, e papërcaktuar, e verbër, përtej ndjenjave. Dashuroja dashurinë e tij për mua dhe atë erotizëm të ndezuar shpesh herë nga keqkuptimet tona”. Pas dy vjetësh u tranferua në Paris, ku u martua me Robert Antelmin dhe filloi të shkruajë. “Kisha nevojë ta bëja të fliste heshtjen nën të cilën më kishin ndrydhur”. Pushtimi nazist nuk mund të mos ndikonte edhe tek Dyrasi e cila bashkë me burrin mori pjesë në Rezistencë dhe më pas hyri në Partinë Komuniste. “E bëra, sepse desha të dilja nga vetmia, të hyja në një grup me ndërgjegje kolektive. Isha në djeni të Gulagut, të Pogromit, por të hyja, do të thoshte ta gjeja veten tek fati i Partisë dhe të çlirohesha nga i imi. Kështu vuajtjet e mia, dhimbjet e mia bëheshin dhimbje klasore. Tash jam një komuniste që nuk e gjen veten tek komunizmi”. Romani i saj i parë Të pacipët , ia hapi derën tek botuesi i Gallimard-it që në fillim e refuzoi, edhe pse e quajti “madamë, ju jeni një shkrimtare”, por një vit më vonë ia botoi librin “Jetë e qetë”. “Shkruaj që të kem njohje, që të masakrohem dhe në vazhdim të tërhiqem që vepra ta zërë vendin tim dhe unë të dukesha më pak. Arrij të çlirohem prej vetes me idenë e vetvrasjes dhe shkrimit”. Përsa i përket shijeve letrare, i pëlqente shkrimtarja italiane Elsa Morante dhe Colette, por është e ashpër me të gjithë shenjtorët e letërsisë franceze. Margarita Jurcenar me librin Kujtimet e Adrianos është për të një libër i madh, pjesa tjetër, duke filluar me Arkivi i veriut e të tjerë, duken të palezueshëm. E lashë në mes. Sartri? Besoj se është përgjegjësi i vonesës së vajtueshme kulturore dhe poltike franceze. Kamyja? Si të gjithë bashkëkohorët është i mërzitshëm”. Pati problem të shumta me alkolin, gati 40 vjet, dhe vetëm shtrimi në një spital amerikan, ia ndryshoi jetën. Por të bën përshtypje forca e saj e padiskutueshme kur flet për dashurinë, një urtësi me të cilën po e mbyll këtë shkrim: Gjëja më e keqë që mund të të ndodhë në jetë është të mos dashurosh.