• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për një nacionalizëm modern shqiptar

July 6, 2020 by dgreca

Nga Marjana Bulku/Nacionalizmi modern, një shkencë e munguar por gjithmonë prezente në jetën tonë ku dominimi i politikës i ka eklipsuar ngjyrat e nacionalizmit kaq të nevojshëm për ruajtjen e autenticitetit në kushtet e globalizimit kulturor.

Ndërkohë që valët e emigrimit bënë që pjesa më e madhe e shqiptarëve të jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike nacionalizmi mbetet një bazë e fuqishme për edukimin e vlerave identitare.

Po a i ka pasur Shqipëria kushtet për ta forcuar dhe pasur prezent nacionalizmin etnik, romantik, gjuhësor, fetar apo kulturor?!

Edhe pse shumë prej tyre interferojnë njëri-tjetrin edukimi me këto ndjesi nacionaliste në trojet tona ka munguar edhe pse pa frikë duhet pohuar që territorit shqiptar nuk i kanë munguar kalatë shekullore, kullat e lashta, veshjet tradicionale plot kolorite lokale, histori të pa shkruara, folklor i pasur, objekte kulti, artistë, nobelistë madje edhe shenjtorë. Pra Shqipëria e ka pasur plotësisht terrenin e duhur për ta ngritur nacionalizmin në nivelet e modernes.

Specifikisht nacionalizmi romantik që pikturohet nga vargjet e Bajronit, i cili i bëri përmendore natyrës, cilësive, heroit, duke tipizuar vendin tonë si: “Shqipëri, vendi ku lindi Iskanderi, o nënë e rreptë burrash të ashpër e fisnikë”, një natyralizëm kaq organik i cili e ka të shtruar terrenin folklorik, historik dhe kulturor”.

Kur ndjek komunitetin irlandez në USA  duket sikur prek me dorë kulturën e tyre, veshjet e tyre, stilin e tyre të jetesës deri në ngjyra e arredim. Edukimi me vlerat kombëtare bëhet përmes nxitjes së ndjesive nacionaliste, pa zhurmë e bujë, bëhet përmes njohjes së historisë dhe folklorit pse jo edhe fesë si rruga më e mirë e zhvillimit të virtyteve. Shembulli i përkryer i nacionalizmit diasporik është komuniteti jezuit në USA por kudo ato janë nëpër botë, një nacionalizëm fetar që edukon të gjitha elementet (etnik, gjuhësor, ideologjik, kulturor), njē model i pa të dytë por nga ku kupton se emigrimi masiv, shpërndarja e shqiptarëve kudo në botë e bën të domosdoshëm një sjellje të re në jetesën e re, në tokën e re, eksportimin e nacionalizmit që mbase mund të quhet nacionalizëm diasporik.

Eksportimi i tipareve rrënjësore, ruajtja e tyre, transmetimi i tyre në mjedisin e ri jo vetëm që identifikon kombësi por edukon vlera historike e kulturore. Tetorin e kaluar një komunitet italo-arbëresh në Nju Jork e shfrytëzoi Kolumbus Day  Parade, traditën 73 -vjeçare nju jorkeze, për të shpalosur kulturën arbëreshe, ku veshjet, këngët, flamuj edhe shqiptarë, bënë paradë avenjuve më të famshme të metropolit amerikan ku performonin 100 grupe dhe mbi 35 mijë artistë të cilët nderonin identitetin e tyre, e ku arbëreshët tanë parakaluan me dy flamuj atë shqiptar dhe italjan por me gjuhën e gjallë arbëreshe që i bën ende krenarë ata por edhe ne. Nacionalizmi diasporik dhe edukimi i brezave me të duket si një mundësi e re të ardhmes si një qasje ndaj kulturës tonë ku jo vetëm simbolet dhe flamuri janë identitet përbashkues, por edhe folklori, historia dhe mbi të gjitha kultura jonë e cila ka në themele vlera , emra, vepra me të cilat mund të nxitet një e ardhme më e mirë.

Filed Under: Mergata Tagged With: Marjana Bulku, Nacionalizmi shqiptar

Teatri tragjik i politikës dhe drama përtej teatrit

May 25, 2020 by dgreca

Shkruan: Marjana Bulku */

Akuza, sharje, rrënimi i godinës historike, lotë teatralë, lot të vêrtetë , aksione politike , politikanë të dështuar , të tradhëtuar , lider të pazbuluar, të mohuar. 

Kjo është shfaqja që i serviret një populli që jeton me dilemën 80 -vjeçare të drejtësisë së munguar dhe me mungesat e shumfishta që derivojnë prej dhunimit të gjatë të lirive.

E ke të vështirë të dallosh fillin e hollë që e ndan dramën nga tragjedia , realitetin nga komedia, imoralitetin nga normat të cilat recitohen edhe nga aktorët e politikës por edhe nga politikanët që aktrimi nuk i bëri dot kurrë as politikanë , as aktorë, por vetëm skenaristë e regjizorë të cilëve edhe emri  do t’ju harrohet pas shfaqjeve të dështuara.

Skena tensioni që të rrëmbejnë edhe përtej ekranit . I ngjajnë tragjikes antike ku e drejta nuk mundet të triumfojë kurrë sepse aktorë të pavërtetë kanë pushtuar institucionet nga ku lind besimi. Fundja ata nuk janë aty për tu dhënë jetë të drejtave, ata janë aty për ti dhënë jetë edhe pak, vetëm një mandat më shumë protagonizmit të tyre politik.Dhe populli është fatkeq, po aq fatkeq sa në 50 vitet kur duartrokiste me verbëri, kur gënjehej me dinakëri , kur spiunonte me uri, kur i vritej nderi, krenaria , dinjiteti , kur shpresat i lindte dhe i abortonte në tentativat për arratisje. Sa pak zgjedhje kishte dhe ka ky popull …

E në fakt drama e vërtetë ajo që çdo ditë luan akte pa skenar ndodh përtej ekranit, diku pranë gërmadhave të politikës teatrale e cila luan keq e nuk duartrokitet aspak edhe pse shikime të lashta shprese e ndjekin. Drama reale êshtë ajo në sytë e përlotur të një prindi të cilit iu prenë ëndrrat e tij dhe ato të fëmijëve të tij, është  në zhgënjimet e një të sapodiplomuari, në pamundësitë e një të moshuari, drama e vërtetë është nëpër ato mijëra e mijëra hapa që hidhen kuturu rrugëve të atdheut tonë anemik lënë  në duar të drejtuesve që trashëguan vetëm një vullnet prej liderit të fyre historik; atë për të qenë të përjetshëm . Si dikur me entuziazmin fiktiv të votës  100 për qind  po ashtu edhe sot ”mbrojtja me sistemin dëzhurn” ( dëzhurn …kisha vitë që nuk e dëgjoja këtë fjalë ),,drama luhet mbi fatet e një populli fisnik që thirret të protestojë e të bëhet “protagonist” në skenën  e dirigjuar nga rojtarë e oborrtarë dëzhurn të cilët ka 80 vjet që ruajnë vetëm një pushtet ;pushtetin e tyre . Ndaj teatri shembet, thërrmohet porsi ëndrrat dhe shpresat  tona qindra vjeçare . Ndërsa drama , ajo e vërteta merr udhët e atdheut, shtegton nëpër shpirtrat që i shpreh fytyra e pashpresë e ku në gjoks godet revolta e heshtur për të padrejtën që lind nga e drejta që nuk jetëzohet dot . Shtëpitë e braktisura , janë teatri që do të shembet nesër, prindërit e vetmuar janë tragjedia që do na përlotë  gjithë jetën, fushat e lëna djerr, diejt pranverorë që u japin ngjyra e jetë atyre hapêsirave boshe ku luhet drama e një populli që ikjen e ka lindje/abort shpresash sepse politika i ka harruar , ajo po bën dëzhurnin e rradhës duke ruajtur pushtetin e vet të përjetshëm.

  • Autorja eshte anetare e Kryesise se Vatres

Filed Under: Analiza Tagged With: Marjana Bulku, Teatri tragjik

77 vjet Zëri i Amerikës në shqip

May 16, 2020 by dgreca

Me 13 maj të vitit 1943 Zëri i Amerikës foli për herë të parë shqip./

Nga Marjana Bulku/

Kjo ngjarje do të mbante në vetvete zërin e një vendi shumëkombësh ku jetonin edhe mjaft shqiptarë të cilëve për shumë vite do t’ju mohohej Atdheu, prandaj shqiptarët këtej dhe përtej oqeanit e dëshironin atë zë qysh në vigjilje.

Zëri i Amerikës vinte nga një vend ku liria ishte fondamentale dhe një e drejtë nga ku buronin dhjetra liri. Dhe si e tillë ky komunikim përmes valëve të radios dhe më vonë edhe televizionit pati dhe ka aq shumë admirues. Gazetarët e Zërit të Amerikës mbeten po aq aktiv, të vërtetë, vëzhgues dhe analistë të saktë të realitetit shqiptar dhe jo vetëm shqiptar, është më tepër se kaq.

Kronikat e tyre bazohen në arkiva të pasura, kërkime e burime të cilat e bëjnë të besueshëm informacionin dhe kështu ndër vite reputacioni i këtij institucioni rritet e rritet. Me rënien e Murit të Berlinit dhe efektet e tij në Ballkan dhe Shqipëri ky transmetim nisi të ndiqej në liri. Zëri i Elez Biberajt vazhdon të jetë binom i këtij kanali komunikimi dhe simbol lirie.

Ilir Konomi mbetet një prej kronikanëve më të arritur gjë të cilën e shohim edhe në veprat dhe studimet e tij me karakter historik.

Por unë dua të kujtoj tri ish-gazetarë të Zërit të Amerikës të cilët janë aktiv në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork.

Frank Shkreli, analist, studiues, historian i cili vjen nga ky institucion gjigand 77-vjeçar dhe e dëshmon atë vërtetësi, saktësi dhe forcë reflektimi në të gjitha shkrimet e tij sistematike në shtypin e Tiranës por për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen si dhe politikanët e tyre.

Gjek Gjonlekaj, gjithashtu ish-gazetar i Zërit të Amerikës, tek i cili ka mbetur po aq i gjallë komunikimi në publik me një oratori dhe elokuencë për tu pasur zili dhe kujtesën e freskët. Në përvojën e tij si ish-gazetar i VOA-s regjistrimet e zërit të Nënë Terezës janë pasuria dhe trashëgimia e tij më e madhe.

Idriz Lamaj, një studiues i hollë i historisë autor veprash dhe dokumentues rigoroz i fakteve të cilat janë matematika e historisë, pikërisht kështu mendoj sa herë që kam pasur rastin të ndjek referencat e tij.

Nuk guxoj të marr në analizë çdo gazetar të VOA-s, janë shumë dhe tek të gjithë ka një cilësi të përbashkët; Vërtetësia. Kjo shkollë e së vërtetës është edhe institucioni i fjalës së lirë që u bë edhe mbrojtëse lirish, të drejtash, problematikash duke ndikuar në vendet respektive këndej dhe andej Oqeanit, duke u shndërruar në faktor në ngjarjet më të rëndësishme, në Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi dhe Maqedoni, duke i faktorizuar shqiptarët në Ballkan, duke kritikuar, a vënë në pah problematikat e shumta të politikës dhe duke nxitur reflektimin qytetar sakaq.

Ky 77-vjetor i VOA-s është një moment jo vetëm kujtese historike por edhe thirrje për shumë zëra dhe arsyeje në gazetari, politikë, e histori në mënyrë që shoqëria të progresojë duke u udhëhequr nga arsyeja dhe e vërteta.

Shoqëritë njerëzore sot më shumë se kurrë kanë nevojë për lajmin që lind nga ngjarja, për të vërtetën që lind nga ndershmëria dhe për historinë që jetëzohet nga faktet. Dhe për këto na duhet një model, një shkollë e mendimit, analizës dhe reflektimit që për fat, botës shqiptare nuk i mungon ka 77 vjet.

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku

“Children of the Eagle” dhe mësimi online i gjuhës shqipe

May 12, 2020 by dgreca

Nga Marjana Bulku/ *

Fëmijët e shkollës  shqipe ”Children of the eagle” po e përjetojnë  ndryshe këtë  vit shkollor. Sikurse shumë privime të tjera edhe të mësuarit e gjuhës shqipe po ndodh në kushte të tjera, e megjithatë po ndodh duke plotësuar kështu një nevojë të fëmijëve shqiptarë në Amerikë  për të mos e harruar gjuhën e të parëve. Ishte deshira e tyre e mbeshtetur nga  vullneti i stafit të kesaj shkolle që mësimi i gjuhës shqipe ti pershtatet këtij ritmi tjetër mjaft specifik  me privacione e mungese raportesh sociale por me mjete e menyra që bota femijnore i deshiron më shumë se çdo kush tjeter.

Ky është  një realitet i cili po vë  në provë  dashurinë për  atë  udhetim drejt mesimit shqip të cilin këta  nxenes e kanë kaq të dashur. Atyre u mungojnë ato organizime të perjavshme , veprimtaritë e kanceluara, takimet me miqtë dhe mësuesit por varianti online po funksionon normalisht. 

E teksa komunikojme me Drita Gjongecaj informohemi se nxenesve jo vetem që u mungon shkolla shqipe por ata e duan atë  dhe pikerisht kjo i ka nxitur mesuese Dritën dhe koleget e saj te ndjekin metoda alternative të cilat po japin rezultat duke e bërë mësimin e gjuhës shqipe pjesë të punës sistematike të fëmijëve të “Children of the eagle”.

Dhe është  bukur kur vullnetet e femijeve nxiten dhe plotesohen për  të permbushur sadopak boten e tyre të bukur edhe pse ne kohe pandemie .

Le te ndjekim informacionin që Drita Gjongecaj dhe shkolla” Children of the eagle” ndanë me ne këto ditë maji.

 “Mësimi online filloi me takimet në Zoom për të gjithë fëmijët e Children of the Eagle në të dy qendrat e saj, Bronx dhe Westchester.

    Duke përdorur platformën Google Classroom, u krijuan klasa më vete në bazë të grup moshave dhe deri diku, të nivelit gjuhësor.

    Mësueset Arjana Kurti, Holta Ahmataj dhe Ornela Hasandocaj  zhvillojnë mësimet drejtpërdrejt, në mënyrë interaktive. Duke qenë profesioniste të arsimit,  ato përdorin platforma plotësuese dhe applikacione të ndryshme për të mundësuar që fëmijët të aktivizohen dhe shprehin  njohuritë e fituara  në formën e detyrave të cilat ata i postojnë online.  Çdo nxënës ka një kod që është përcaktuar nga mësueset dhe u siguron jo vetëm qasje në mësimet online por edhe mundësinë për t’i postuar privatisht përgjigjet e tyre, paqartësitë, etj.Pra në një farë mënyre jemi përpjekur të ruajmë një lloj sistemi vlerësimi të njohurive .

    Bashkëbisedimi, pyetje-përgjigjët dhe të shprehurit e ndjenjave në këto kohë të pazakonta janë pjesë e rëndësishme e orës së mësimit. Kjo bëhet me përdorimin e Flipgrid, Jamboard, Google Meet, e ndonjë tjetër.

    Pjesa e fundit e orës i kushtohet anës letrare dhe muzikës; fëmijët recitojnë dhe mësojnë këngë të reja. 

Edhe kjo metodologji do të mbahet mend për kohën në të cilën u aplikua si dhe për efektet e saj në këtë proçes të pandalshëm të të mësuarit , pavarësisht vështirësive”.

Marjana Bulku & Drita Gjongecaj – ”Children of the Eagle”

  • Fotot shihi ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj, Marjana Bulku

Kronikë prilli- Për të mos u harruar

May 6, 2020 by dgreca

Marjana Bulku/ Jeta njerëzore është gjunjezuar përpara virusit që po terrorizon globin. Ekonomia është në pauzë. Vetëm pak shërbime janë aktive, ndërkohë që shumë të tjera janë mbyllur dhe presin sinjalet e politikës , me shpresë ,pa shpresë në pritje të një vendimi për rizgjim.

Rrugët i ka pushtuar heshtja, shkollat po ashtu. Qyteti që nuk flen kurrë po jeton ndoshta ditët e veta më të vështira.

Të vetmet vende ku jeta dylufton me vdekjen,me jetën , me sfidat e pafundme janë spitalet .

Prej 5 vitesh punoj në Coney Island Hospital , një prej korporatave më të mëdha të shërbimit shëndetsor e lokalizuar në jug të Brooklynit . Një prej instiucioneve ku punojnë shumë shqiptarë , nën dijen time 35 punojnës shqiptarë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi)nga ku kemi infermjerë ,ndihmës infermjerë , teknikë , ndihmës mjekë.

Nëse njerëzimi sot ndjehet i dëshpëruar nga ngujimi në shtëpi thirrja e gjithkujt është :”qëndro në shtëpi!” Nëse shtëpija dhe izolimi në të ju duket dramatik po përshkruaj vetëm një ditë pune në spital. Pastaj gjykoni vete …

Spitalet tashmë si shumcka perreth kanë marrë pamje tjetër, zbrazëtia duket që në hyrje. Gjithkush ndërron rrugë kur sheh një tjetër jo vetëm për të respektuar distancën , por edhe se veshjet protektive (PPE) nënkuptojnë ekspozim në zona të kontaminuara. Tashmë spitalet janë të kontaminuara, shumë pjesëtarë të stafit rezultojnë me Covid pozitiv, pavionet janë vënë në dispozicion të të sëmurëve shumica e të cilëve janë pre e pandemisë. Mjaft prej departamenteve nuk funksionojnë si më parë. Vizitat , televizitat, i kanë lënë vendin një beteje tjetër ; asaj me pacientët që i drejtohen spitalit për emergjenca jetësore .Brenda në dhoma beteja me jetën është e heshtur, hektike, tragjike, e dhimbshme, lehtësuese. Aty mundet ti gjesh të gjitha nuancat e dhimbjes ; kur mosha është e re, kur vuajtja është e madhe, kur mosha është e vjetër apo kur abuzimi me jetën ka qenë ekstrem. Aty mund te takosh ne vetem pak minuta te gjitha segmentet e jetes; lindjen, semundjen, shpresat, dhimbjen, vdekjen, ngadhnjimin mbi te.

Pak më tutje ndodhen mjekët ; ata janë të lodhur deri në ekstrem, fluksi i madh i pacientëve, tërësia e sëmundjeve shoqëruese,befasia covid, enigma e trajtimit të tij,proçedurat e pafundme burokratike , pa folur pastaj për aspektin njerëzor të gjithsejcilit ku familja, meraku se ky infenksion e prek aq lehtë njeriun dhe transmetohet permes aq shumë formave të tejnjohura tashmë. 

Janë gjendje të cilat u reflektohen në sytë e lodhur dhe fytyrat e zbehta.Askush nuk e ka recetën e vërtetë anticovid, gjithkush ka një terësi teorish ku mungon formula përfundimtare që do t’ju jepte buzëqeshje fytyrave të mjekëve dhe shpresë e jetë pacientëve ndërsa qyteteve jetë dhe gëzim.

Duket ende e largët kjo ditë edhe pse ne që punojmë nën këtë trysni ia duam më shumë se kushdo ngjyrat jetês .

Por drama nuk mbaron këtu, në fakt ajo këtu vetëm sa fillon. Beteja e heshtur me jetën brenda spitaleve ka edhe aktin tjetër, atë më dramatikun ku fëmija nuk sheh dot prindin e sëmurë,kur bija nuk mundet të njomë buzët e thara të nënës që rënkon në vetmi, ku njeriu mbyll sytë i vetëm pa thënë amanetin, pa puthur, a e puthur të shtrenjtët e vet.Njeriu ikën i vetmuar nga kjo botë edhe kur bota e tij është plot. 

Dhe kjo dramë ndodh disa herë në ditë , qindra herë në javë , mijëra e mijëra herë në muaj. Ka pesë muaj që kjo dramë nuk resht së luajturi ca akte që as imagjinata nuk i koncepton dot e në fakt kjo real dramë mu përpara syve tanë prodhon emra , viktima, heronj , lot përmes akteve që nuk dihet se kur do të marrin fund.

Sot një mik i shtrenjtë më dergoi disa vargje motivuese, inspiruese, edukuese me të cilat e nisa ditën , i vendosa mbi tryezat e gjithsejcilit dhe lexova buzëqeshje në sytë e tyre ndërsa i lexonin. Ata nuk janë heronj ndoshta por kurrsesi nuk duhet të jenë as viktima të kësaj fatkeqsije globale. Ca spote tingujsh të shkurtër jehojnë herë pas here në gjithë korpusin spitalor. Janë të mbushura me ritme që thërrasin për besim dhe shpresë dhe duan të falin besim dhe shpresë ndër ne sakaq.

Ditët me covid 19 në spital mbartin shekujt brenda. Aty ndodhen e djeshmja shumvjeçare që shuhet, teknologjia e re që pulson, është jeta, është vdekja, është lutja është edhe lehtësimi e falenderimi. 

Duart e mjekut janë si ato të zotit, pa kujdesin e tyre jeta është viktimë , ajo dorëzohet, gjunjëzohet, shuhet. Prandaj ata i quajme heronj , nuk janë heronj , por njerëz të brishtë ,i duam heronj sepse na duhen të tillë që jeta të triumfojë , si më parë…

Marjana Bulku 

Prill 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: Kronike Prilli, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT