• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike

February 1, 2021 by dgreca

Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Nga Nadie Ahmeti & Mimoza Sadiku*/

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Ministri izraelit, Ashkenazi tha se të dyja shtetet po bëjnë histori.

“Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, një moment që është pritur nga shumëkush. Kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen përmes Zoom-it. Sot ne kemi mundësi që të rrisim bashkëpunimin me popullin e Kosovës, me të cilin kemi marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore”, tha ai.

Ministri izraelit tha se dëshiron që me Kosovën të bashkëpunojë në shumë fusha, përfshirë fushën e ekonomisë, të shëndetësisë e inovacionit.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Uashingtonit, për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të së cilës ishte edhe njohja nga Izraeli, dhe shtoi se Jerusalemi zyrtar do që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon stabil.

“Izraeli dëshiron një Ballkan stabil. Marrëveshja e nënshkruar në Uashington për përparim ekonomik në mes të dy miqve tanë, Serbisë dhe Kosovës ne na inkurajon. Izraeli e konsideron Serbinë një partner po aq të afërt dhe të rëndësishëm në Ballkan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të thelluar dialogun tonë në Serbi”, tha Ashkenazi.

Ndërkaq, minstrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, tha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur.

“Vendosja e këtyre marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur pa bekimin dhe përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara”, tha Haradinaj-Stublla.

Kryediplomatja kosovare shtoi se Kosova ka pritur një kohë të gjatë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe sipas saj, të dy shtetet “ne hapim një etapë të re historike mes dy shteteve tona, që kanë qenë dëshmitarë të një kaluare të gjatë dhe sfiduese për të ekzistuar si njerëz dhe për t’u bërë shtete”.

“Sot, Izraeli bëhet shteti i 117 që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, shtoi Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin forcon subjektivitetin ndërkombëtar dhe hap horizonte të reja për Kosovën.

Çfarë thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Kosova dhe Izraeli? 

Në dokumentin e nënshkruar të dyja shtetet zotohen që të bashkëpunojnë në shumë sfera.

“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në dokumentin të cilin e nënshkruan kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.

Dokumenti i nënshkruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ishte i shkruar në katër kopje: në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Matthew Palmer.

Në dokument po ashtu thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve respektivë “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.

Ambasadorja e Kosovës në Izrael do të jetë Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.

Gjatë ceremonisë, në mënyrë simbolike u zbulua edhe pllaka që do të vendoset pranë amabasadës së Kosovës në Jerusalem.

Dy ministritë po ashtu nënshkruan memorandum për konsultime politike dhe memorandum për bashkëpunim zhvillimor. Që të dy këto memorandume ishin të shkruara në gjuhën angleze.

Osmani dhe Hoti mirëpresin vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin 

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka mirëpritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, tha Osmani përmes një deklarate për media.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media, tha se vendosja e marrëdhënieve me Izraelin, thyen “bllokadën e njohjeve”.

Hoti po ashtu tha se ceremonia e sotme, flet për efektin dhe rëndësinë e marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator, 2020.

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit dhe i nxjerr gabim kritikët që vazhdimisht e kanë kritikuar këtë marrëveshje, edhe duke e kritikuar dhe mos e pranuar njohjen nga Izraeli e cila ka ndodhë në Shtëpinë e Bardhë dhe sot është konkretizuar”, tha Hoti.

Etapë e rëndësishme për Kosovën

Njohësit e çështjeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Donika Emini, thonë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit do të ndikojë në konsolidimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ata po ashtu shtojnë se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mund të prodhojë reagime.

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po ashtu është zotuar se do të hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Muhaxhiri: Marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, rikthejnë Kosovën në fokus 

Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se krijimi i raporteve institucionale në mes këtyre dy shteteve, do ta rikthejë në fokus Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

”Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në rifillimin e një angazhimi të Kosovës dhe për Kosovën në sferën ndërkombëtare, pasi tashmë është e qartë se ekziston një stagnim sa i përket avancimit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar. Prandaj, edhe ndërtimi i marrëdhënieve me Kosovën do ta rikthejë në fokus Kosovën dhe do krijojë një potencial të ri, i cili gjithsesi duhet të shfrytëzohet në mënyrë maksimale nga institucionet e Kosovës”, tha Muhaxhiri.

Emini: Njohja nga Izraeli, sinjal për njohje të reja

Edhe Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, mund të jetë edhe sinjal për shtete që nuk e kanë njohur Kosovë, të marrin një vendim të tillë, pavarësisht problemeve të brendshme që kanë.

“Krijimi i marrëdhënieve më Izraelin është shumë me rëndësi, për shkak se Izraeli ka tejkaluar problemet e brendshme me Palestinën për ta njohur Kosovën. Kjo normalisht për Kosovën është shumë sepse ky element mund të përdoret edhe nga vendet jonjohëse të Bashkimit Evropian. Ka disa shtete të cilat nuk e njohin Kosovën, me arsyetimin se kanë problem të ngjashme në territorin e tyre, siç është Spanja. Tashmë ky element mund të përdoret nga Kosova, përderisa Izraeli ka tejkaluar Palestinën, Spanja mund të tejkalojë problemin e Katalonisë që nuk krahasohet me Kosovën, për të vendosur marrëdhënie diplomatike apo komunikim diplomatik”, tha Emini.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu pati thënë përmes një letre se këto zhvillimet në mes të Izraelit dhe Kosovën mund të çojnë drejt një epoke të re, në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, “mund të nxisë reagime”

Megjithatë, Donika Emini shprehet se hapja e ambasadës së Kosovë në Jerusalem mund të shkaktojë reagime nga shtetet tjera të botës, por që nuk do mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Tash, vendosja e ambasadës në Jerusalem, Kosovës mund t’i kushtojë në marrëdhëniet diplomatike të cilat deri më tani i ka pasur solide me Turqinë, por edhe njohjet që Kosova i ka synuar nga bota arabe, e të cilat nuk i ka pasur. Tashmë është një diplomaci shumë e re e Kosovës, pa traditë, por duhet të dinë shumë mirë se si duhet të navigojnë në situata të tilla. Duke marrë parasysh se jo vetëm stagnimi i njohjeve apo marrëdhëniet me Turqinë, por edhe me Bashkimin Evropian mund të ketë problem, pasi menjëherë ka pasur reagime nga BE- ja për zhvendosjen e ambasadës së Serbisë në Jerusalem dhe ndërtimit të ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thekson Emini.

Zhvendosja e ambasadës, “vendim i rëndë për Serbinë”

Përveç Kosovës, sipas marrëveshjes së Uashingtonit edhe Serbia do të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, të cilin Izraeli e konsideron si kryeqytet të shtetit. Megjithatë, deri më tani Serbia nuk ka marrë asnjë veprim për të përmbushur këtë pikë të marrëveshjes.

Ky vendim është jashtëzakonisht i vështirë për shtetin e Serbisë, konsideron Artan Muhaxhiri.

“Ky do të jetë një vendim i vështirë për Serbinë sepse Serbia ka marrëdhënie tradicionalisht shumë të mira me vendet arabe dhe ky vendim do ta dëmtojë raportin e Serbisë me këto vende, duke ditur raportet që ato kanë ndaj shtetit të Izraelit. Pra, edhe ky është një fakt që duhet të shfrytëzohet nga shteti i Kosovës për të dëshmuar hipokrizinë politike të Serbisë, e cila dëshiron që të përfitojë nga të gjitha palët, që shpeshherë duke u shfaqur kontradiktore”, thekson Muhaxhiri.

Administrat e ish-presidentit Donald Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit më 2017 dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën amerikane në këtë qytet.

Ky vendim nxiti kritika në mesin e palestinezëve, vendeve me shumicë myslimane dhe shumë shteteve në Evropë, të cilët shprehën shqetësimin se një vendim i tillë do të mund të minonte prospektet për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Ai po ashtu bëri të ditur se mëngjesin e 1 shkurtit ka miratuar kërkesën e Haradinaj-Stubllës që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Po ashtu, Izraeli ka falënderuar Kosovën për rolin që ka marrë në luftën kundër antisemitizmit.

*Kortezi: Radio Evropa e Lire

Filed Under: Featured Tagged With: Izraeli, kosova, marrdhenie diplomatike

Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Barbadosin

March 9, 2018 by dgreca

1 Marrveshja1 Teuta Barbadosa-Ceremonia e nënshkrimit u bë sot në New York nga Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Teuta Sahatçiu, dhe e Ngarkuara me Punë të Përkohshme e Misionit të Përhershëm të Barbadosit pranë Kombeve të Bashkuara, Juliette Babb-Riley/

NEW YORK, 9 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Barbadosin. Ceremonia e nënshkrimit u bë sot në New York nga Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Teuta Sahatçiu, dhe e Ngarkuara me Punë të Përkohshme e Misionit të Përhershëm të Barbadosit pranë Kombeve të Bashkuara, Juliette Babb-Riley.

“Dokumenti shpreh dëshirën e të dyja vendeve respektive që të promovojnë lidhjet e miqësisë, zgjerimin e horizonteve të bashkëpunimit dypalësh dhe të mbështesin kauzën për paqe dhe siguri ndërkombëtare”, thekson  njoftimi i dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Më tej, dokumenti riafirmon angazhimin e dy qeverive për parimet e Kombeve të Bashkuara dhe së Drejtës Ndërkombëtare, duke përfshirë respektin e përbashkët për sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe mosndërhyrjen në çështjet e brendshme të ndonjë shteti tjetër.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Barbadosit është një lajm shumë i rëndësishëm për fuqizimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës në marrëdhëniet me jashtë dhe dëshmia më e mirë se sukseset e Kosovës në diplomaci janë të pandalshme dhe të pakthyeshme.

“Ne do të vazhdojmë këtë praktikë të njohjes së ndërsjellë diplomatike me të gjitha shtetet që i kontribuojnë promovimit të paqes dhe ruajtjes së sigurisë dhe rendit ndërkombëtar”, theksoi kryediplomati Kosovar.

Barbadosi është shteti i 116-të që ka nohur pavarësinë e Kosovës në 15 shkurt  2018, të shpallur para 10 viteve në 17 shkurtin historik 2008.

Gjatë 10 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Barbadosin, kosova, marrdhenie diplomatike, Teuta Sahatcija

100 vjet – marrëdhënie diplomatike midis Rumanisë dhe Shqipërisë

December 22, 2013 by dgreca

Në dhjetor të këtij viti u mbushën 100-vjet që nga dita kur qeveria rumune dërgoi një përfaqësues diplomatik pranë autoriteteve shtetërore të Qeverisë së Durrësit në Shqipërinë  e pavarur, duke pranuar, pa mëdyshje, ekzistencën e shtetit të ri shqiptar. Më konkretisht, Qeveria e Bukureshtit ishte e para qeveri europiane që i shtriu dorën miqësore autoriteteve të reja shqiptare, duke u konfirmuar marrëdhëniet e mira që kishin rumunët dhe shqiptarët përgjatë historisë. Kësisoj, duke filluar nga 15 dhjetori i vitit 1913, mbretëria e Rumanisë dërgoi Ministrin Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm, N. Burghele, pranë Qeverisë Shqiptare. Qysh nga ajo kohë e deri më sot, shteti rumun ka akredituar në Tiranë 21 përfaqësues të lartë diplomatikë, ashtu si dhe Tirana ka dërguar një numër të barabartë ambasadorësh në Bukuresht.

Për të shënuar këtë ngjarje, Ministria e Jashtme në Bukuresht, në bashkëpunim me Lidhjen e Shqiptarëve të Rumanisë, organizoi një tryezë të rrumbullakët, që kishte si temë njëqind-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Nga ana e Ministrisë së Jashtme të Rumanisë morën pjesë Sekretari i Shtetit pranë kësaj ministrie, z. Radu Podgorean, z. Viorel Stanila, ambasadori aktual i Rumanisë në Tiranë (i cili edhe inicioi dhe përkrahu këtë projekt) si dhe George Micu, ish ambasador i Rumanisë në Shqipëri. Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë përfaqësohej, nga ana tjetër, nga znj.Oana Manolescu, përfaqësuese e pakicës shqiptare në Parlamentin rumun, Marius Dobrescu gazetar dhe shkrimtar, kryeredaktor i revistës “ Miku i Shqiptarit”. Në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Bukuresht, historianë dhe studiues në fushën e shqipes, gazetarë e përfaqësues të masmedias rumune. Ishte i pranishëm edhe akademiku i njohur rumun, Grigore Brënkush, personalitet shkencor me kontribute të mëdha në fushën e gjuhësisë krahasimtare, sidomos në atë të marrëdhënieve midis shqipes e rumanishtes. Në këtë veprimtari mori pjesë, gjithashtu, Luan Topçiu, diplomat dhe studiues, autor i shumë librave me studime kushtuar edhe marrëdhënieve kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë. I ardhur nga Tirana, i ftuar posaçërisht për këtë eveniment, shkrimtari shqiptar dhe botuesi Fahri Balliu ishte i pranishëm në këtë aktivitet se bashku me artistin e mirënjohur, piktorin Ali Oseku.

Të gjithë pjesëmarrësit që morën fjalën nënvizuan faktin se, duke u nisur nga faktet historike të evokuara në këtë eveniment, marrëdhëniet midis dy shteteve mund dhe duhet të njohin një zhvillim në nivelin e ndjenjave reciproke të dy popujve, shqiptar dhe rumun. Përfaqësuesi i qeverisë rumune, z. Radu Podgorean, riafirmoi mbështetjen që Rumania i jep Shqipërisë për integrimin e saj në BE. Në fund të këtij takimi jubilar shkrimtarit Fahri Balliu iu akordua „Diploma e Shkëlqesisë” nga ana e Ministrit te Jashtëm rumun, kurse Shoqata e Shqiptarëve të Rumanisë i dha “Diplomën” e Nderit me motivacionin „për kontribut të veçantë në kultivimin e marrëdhënieve kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Z Balliu u çmua për atë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë për njohjen në Shqipëri të disa veprave themelore nga letërsia, historiografia dhe filologjia rumune, përmes botimit të tyre në shqip. Gjithashtu, ai është i njohur në Rumani përmes librave të tij të përkthyera dhe botuara nga Shtëpitë Botuese Humanitas dhe Vremea, libra të pritura me interes nga publiku rumun.

Fatkeqësisht, duke përsëritur, edhe kësaj here, ndërhyrjet e tij të dështuara në mjediset diplomatike, ambasadori Sami Shiba, me shumë vështirësi, mezi arriti të artikulojë, në një anglishte të prishur, disa fraza te thata mbi marrëdhëniet dypalëshe. Ky fjalim, i lexuar keq, me ndërprerje dhe belbëzime te gjata, nuk u arrit të kuptohej nga pjesëmarrësit për shkak edhe të diksionit të papërshtatshëm në këtë gjuhë të komunikimit diplomatik. Nëse nuk do të ishte prezantuar nga moderatorja e takimit, prezenca e këtij „ambasadori” në sallën „Gafencu” të Ministrisë së Jashtme të Rumanisë, asqë do të ishte vënë re nga askush. Por, në analizë të fundit, evenimenti shënoi një sukses dhe riafirmoi në një kuadër zyrtar ndjenjat e miqësisë në të shkuarën dhe në të tashmen që kanë ushqyer dy popujt tanë, shqiptar dhe rumun.

Kushtrim Kastrioti, Bukuresht, dhjetor 2013

Filed Under: Rajon Tagged With: 100 vjet, marrdhenie diplomatike, Rumani-shqiperi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT