NYT thekson se kjo pengesë nuk është asgjë krahasuar me shkallën e masakrave të Ballkanit në vitet e ’90-ta, por përfaqëson një dështim të vazhdueshëm për ta lënë pas të kaluarën e trazuar dhe për të vazhduar drejt integrimit me pjesën tjetër të Evropës./
Pas disa muajsh bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje muajin e kaluar për të zgjidhur mosmarrëveshjet që datojnë nga vitet ’90, kur Kosova, një ish-krahinë e ish-Jugosllavisë, në mënyrë efektive fitoi pavarësinë pas një ndërhyrjeje ushtarake të udhëhequr nga Perëndimi, shkruan David L. Phillips, në një artikull të botuar në të përditshmen “New York Times”.
Por, gazeta thekson se marrëveshja nuk do t’i pajtojë dy kombet ballkanike, e as nuk do t’iu ndihmojë atyre që të fitojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Për t’i bërë gjërat edhe më keq, të dy shtetet thanë në këtë javë se nuk mund të pajtohen për një afat kohor për zbatimin e marrëveshjes”, shkruan David L. Phillips, drejtor i Programeve në Institutin për Studimin e të drejtave të Njeriut, në Universitetin Columbia, është edhe autor i “Çlirimi i Kosovës: Diplomacia Detyruese dhe Intervenimi i SHBA-së”.
NYT thekson se kjo pengesë nuk është asgjë krahasuar me shkallën e masakrave të Ballkanit në vitet e ’90-ta, por përfaqëson një dështim të vazhdueshëm për ta lënë pas të kaluarën e trazuar dhe për të vazhduar drejt integrimit me pjesën tjetër të Evropës.
Shumica e 1.7 milionë banorëve të Kosovës janë shqiptarë të përkatësisë myslimane, por një pjesë e konsiderueshme e serbëve dhe të pakicave ortodokse në veri kanë mbrojtjen e NATO-s dhe janë autonomë nga qeveria kombëtare.
Marrëveshja, e nënshkruar më 19 prill, pranon se Serbia – e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 – ka një rol të vazhdueshëm në mbrojtjen e interesave të serbëve në veri të Kosovës. Në fakt, ajo ndan Kosovën në zonë qendrore me shqiptarët dhe me një shtojcë serbe.
NYT thekson se larg nga kapërcimi i ndasive etnike dhe sektare, marrëveshja vleftëson agjendën e dhunshme nacionaliste të “Serbisë së Madhe” të promovuar nga Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg në vitin 2006, ndërsa përballej me akuzat për krime lufte.
Kjo gjithashtu, thuhet në artikull, inkurajon aspiratat për një “Shqipëri të madhe” në mesin e shqiptarëve etnikë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Ankesat datojnë që nga epoka e sundimit osman. Ato janë shtypur nën komunizëm, për të ngre kokën pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991-2. Ndërsa ndërhyrja ushtarake perëndimore ka ndihmuar për të ndalur vrasjen e boshnjakëve myslimanë në vitin 1995 dhe të kosovarëve në vitin 1999, ajo nuk ka zgjidhur mosmarrëveshjet politike të Ballkanit.
Joshja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ishte menduar të kapërcejë armiqësitë. Nga ish republikat jugosllave, Sllovenia iu bashkua e para BE-së, në vitin 2004. Kroacia do të anëtarësohet më 1 korrik. Por, të tjerët nuk janë afër përmbushjes së kushteve të anëtarësimit, edhe pse Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia zyrtarisht janë “kandidatë”, ndërsa Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë “kandidate potenciale”, siç është edhe Shqipëria.
Por, NYT thekson, se siç e ka provuar mirë Turqia, disa shtete evropiane thjesht nuk dëshirojnë një shtet me shumicë myslimane në klubin e tyre.
Disa gjithashtu denigrojnë Ballkanin si bastion i paqëndrueshmërisë fiskale dhe si strehë për trafikantët e drogës dhe bandat kriminale.
Dhe tashmë janë përtërirë pretendimet e padëshmuara, që datojnë nga vitet e ’90-ta, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke përfshirë edhe disa liderë të tanishëm të Kosovës, janë të përfshirë në trafikimin e organeve të qenieve njerëzore, vë në pah gazeta.
Javën e kaluar në Prishtinë, një panel gjyqtarësh të Bashkimit Evropian dhe Kosovës ka dënuar një urolog dhe katër persona të tjerë se janë përfshirë së fundi në trafikimin e organeve.
“Prandaj, derisa qëllimi i një “Evrope të bashkuar dhe në paqe” vazhdon, serbët dhe kosovarët janë bërë cinikë në lidhje me shanset e tyre të pranimit. Prandaj edhe u organizuan protesta në rrugë që ngulfatën Beogradin dhe Prishtinën, pas arritjes së marrëveshjes”, theksohet në artikull.
Perëndimi ka nevojë për një qasje të re për Ballkanin, një aranzhim diku midis ndarjes në shtet mono-etnik dhe një super-shteti të gjerë kontinental.
Kjo mënyrë e mesme – ta quajmë “solidaritet interesi” – do të ruajë sovranitetin kombëtar dhe kufijtë, duke mundësuar anëtarët e grupeve të tjera etnike të bashkëpunojnë me homologët e tyre në rajon, në fushat si tregti, transport, arsim, media dhe art.
NYT përmend planin e Ahtisaarit të vitit 207, ku siç thuhet u përfshinë të drejta të avancuara për pakicat – duke përfshirë autonominë vendore në fushat ekonomike, kulturore, mjedisore dhe të tjera. Serbia e ka refuzuar këtë plan, por, parimet e tij ende paraqesin standard për zgjidhje të qëndrueshme.
Ndërtimi i lidhjeve të interesit të përbashkët përtej kufijve ka ndihmuar në stabilizimin e Irlandës së Veriut që nga viti 1998. NYT shkruan se me model të ngjashëm mund të përmirësohen marrëdhëniet midis sunitëve dhe myslimanëve shiitë në Lindjen e Mesme, dhe të ofrohen hapësira për ëndrrat e kurdëve të “pa shtet” në Turqi, Irak dhe Iran.
Kjo do të funksionojë vetëm nën qeveritë që promovojnë të drejtat e pakicave, dhe në mesin e partive që kanë udhëheqës të gatshëm për paqe.
Një shumicë dërmuese e shqiptarëve mbështet demokracinë, të drejtat e njeriut dhe tregun e lirë. Ata janë pro-perëndimorë dhe pro-NATO-s.
Por, është e kundërta me serbët, që kanë pasur një histori të jotolerancës kundër jo-serbëve dhe ndaj myslimanëve si dhe të agresionit dhe dëbimit të detyruar për të krijuar një atdhe serb në territoret ku ata kanë pretendime historike – veçanërisht në Kosovë, por edhe në Bosnjë.
Është e sigurt, se ky plan për një “fqinjësi shqiptare” paqësore- ose një “fqinjësi serbe”, – do të mund të manipulohet nga ekstremistët. Iu përket liderëve përgjegjës lokalë dhe komunitetit ndërkombëtar që ta parandalojnë këtë.
Por, “Solidariteti i interesit” ofron shpresë reale të reduktimit të tensioneve sektare, thekson NYT.
Përgatiti: Albana Isufi
ELIOT ENGEL: Marrëveshja është një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur!
Engel :” Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Ulja e serbëve për të negociuar me Kosovën, është njohje de fakto e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi zyrtar. Engel ka shtuar se në të ardhmen e afërt, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të shtojë njohjet për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
NEW YORK : Në një intervistë për gazetën kombëtare Bota Sot, Kongresmeni Eliot Engel, flet për pritshmëritë e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, sjelljen e opozitës lidhur me KQZ-në, por edhe për marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit, lidhjet e forta dhe shumë të mira mes Shqipërisë, Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ligjvënësi amerikan demokrat Eliot Engel në këtë intervistë, i tha gazetarit tonë në SHBA, Beqir SINA, se reputacioni i Shqipërisë do të varet nga organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike të 23 qershorit.
Engel, demokrati më i lartë në Komisionin e Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
theksonë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të punojë që zgjedhjet të arrijnë standardet ndërkombëtare dhe demokratike. ”Nuk më intereson shumë se kush është në Komisionin, por se komisioni është duke bërë punën në pajtim me ligjet në fuqi që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike”, deklaroi ligjvënësi amerikan.
Miku i dëshmuar i shqiptarëve në Kongres zoti Eliot Engel, ka komentuar gjithashtu edhe marrëveshje e fundit për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbinë. duke thënë “Unë mendoj se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Ulja e serbëve për të negociuar me Kosovën, është njohje de fakto e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi zyrtar. Engel ka shtuar se në të ardhmen e afërt, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, do të shtojë njohjet për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Pyetje: Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur ndryshe si Komisioni amerikan i Helsinkit, ka për të zhvilluar një Seancë të hënën e ardhshme për zgjedhjet në Shqiperi, si i komentoni ju zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri?
Engel : Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira, dhe, shumë e rëndësishëme, dhe mendojë se është mirë që të mos ketë ndonjë mashtrim dhe që zgjedhjet të jenë të pastëra. Unë kam qenë në Shqipëri, edhe herë të tjera, kur atje ka pasur zgjedhje dhe unë kam qenë shumë i kënaqur me zgjedhjet që janë mbajtur, mabsi kam parë shumë njerëz që kan dëshirë të marrin pjesë në demokraci. Javën e ardhshme në Kongres do të ketë një seancë për Zgjedhjet në Shqipëri, në të cilën unë do të marr pjesë duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit . Mendojë, se gjithkush, është i interesuar duke monitoruar me shumë kujdes nga afër zgjedhjet, që do të mbahen muajin tjetër në Shqipëri. Mbasi ajo që dihet, është se Shqipëria tani është anëtare e NATO-s, dhe unë mendoj se këto zgjedhje do të krijonin përsëri një arsye për Shqipërinë për anëtarësim e saj në BE, në qoftë se nuk ka për të pasur parregullsi në zgjedhje. Kështu që unë mendoj se është shumë e rëndësishme, dhe po e përsërisë që këto zgjedhje të jenë të drejta dhe të pastëra, pasi e gjithë bota është me të vërtetë duke vështruar nga këto zgjedhje.
Pyetje : Si e dini edhe ju zgjedhjet në Shqipëri filluan me një ngjarje të “pazakontë” , opozita i tërhoqi anëtarët e saj nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve, duke kryer një veprim politik, për mendimin tim , në një kohë që Komisioni i Zgjedhjeve duhet të jetë apolitk. Si e shihni ju këtë veprim të opozitës në Shqipëri ?
Engel : Ajo që më intereson mua nuk është aq shumë se kush është në Komision Zgjedhor, apo kush nuk është!?, por se Komisioni Zgjedhor, është duke bërë punën e saj – të mirë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Ajo që është me të vërtetë shumë e rëndësishme, është ajo që pritet tani nga Shqipëria, sepse Shqipëria, tani nuk është më një vend i rangut të tretë botërore, ajo është një anëtare e NATO-s, dhe kështu që ne duam të sigurohemi se nuk mund të ketë asnjë lloj mosmarrëveshje, kushdo që fiton zgjedhjet atje. Zgjedhjet duhet bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria, ka përpara reputacionin e tërë e Shqipërisë, për të treguar se është me të vërtetë në linjë, duke u përpjekur për të siguruar se këto zgjedhje do të jenë nga më të mirat.
Pyetje: Si një mik i madh i Shqiptarëve si i shihni ju marrdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, vështruar në kuadrin e zhvillimeve të ndryshme politike në Shqipëri. A kan ndikuar këto në këto marrdhënie zhvillimet e ndryshme atje ?
Engel : Dua të përsërisë se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë të forta dhe të shumë të mira! Unë si mik luftojë çdo ditë për t’i mbajtur këto lidhje të mira dhe të forta, por edhe shqiptarët duhet të bëjnë pjesën e tyre. Nëse ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, në Shqipëri, ajo forcon rolin e shqiptarëve dhe e bën Shqipërinë një kandidat të fortë për BE-në, dhe i kontribon këtyre marrëdhënieve të mira. Unë kam qenë dhe jam për Shqipërinë në BE, dhe kam qenë që Shqipëria, të ishte pjesë e NATO-s, dhe unë jam gjithmonë në kërkim për shqiptarët të kenë një mirëqenie të mirë dhe unë vazhdojë të kontribojë që të ketë lidhje të forta të rriten midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë,e shqiptarëve kudo që janë.
Pyetje: Meqënse jemi tek lidhjet e tua me Shqiptarët – ju lutem a mundet të më jepni një koment mbi marrëveshejen e Prishtinës dhe Beogradit ?
Engel : “Unë mendoj se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Ulja e serbëve për të negociuar me Kosovën, është njohje de fakto e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi zyrtar. BE u tha serbëve se në qoftë se ata duan të bëhen pjesë e BE-së, ata duhet ti normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën. Marrëveshja, thotë se qeveria është Prishtina, është qeveri e krejt Kosovës, jo e disa pjesëve të saj dhe ajo refuzon çdo lloj ndarje të Kosovës. Unë mendojë se në çdo marrëveshje asnjëra palë nuk e merr 100 për qindëshin të asaj që synon. Por kur unë e shoh dhe e analizoj këtë marrëveshje, mendoj se Kosova ka bërë shumë mirë që e ka pranuar dhe firmosur. Unë mendoj se kjo marrëveshje do të kontribuoj për stabilitetin e Ballkanit dhe stabilitetin e së ardhmes së shqiptarëve në Ballkan. Unë mendojë se në të ardhmen e afërt, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të shtojë njohjet për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Pyetje : Zoti Engel ashtu si gjithnjë të drejtohem si një mik i madh i shqiptarëve që asnjëherë nuk i je ndarë shqiptarëve, të paktën dy dekadat e fundit, a mund t’ju drejtoheni me një mesazh shqiptarëve nëpërmjet gazetës Pyetje ?
Engel : Sigurisht! Mesazhi im është se Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë dhe Kosovën. Shtetet e Bashkuara e kuptojnë mirë se miqtë më të mirë për amerikanët që kanë kudo në botë, janë shqiptarët. Kur ne shkojmë në Kosovë e Shqipëri, ne jemi pritur shumë mirë, dhe në Kosovë ne jemi përshëndetur sikur të ishim shokë, vëllezër dhe motra, dhe kjo është shumë, shumë e rëndësishme, për ne amerikanët. Lidhja midis kombit Shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara, gjithmonë do të jetë i fortë si në mes të Kosovës e Shqipërisë, dhe gjithë shqiptarëve. Për sa kohë që unë jam në Kongres unë jam duke punuar çdo ditë, për të siguruar që këto obligacione të jenë të përforcuara dhe unë e disa kolegët e mi në Kongres, po punojmë çdo ditë për të siguruar vendet e tjera të njohin pavarësinë e Kosovës. Tani Kosova ka 98 vende që e kanë njohur atë, por ne me të drejtë duam që ajo të ketë mbi 100 e ca njohje që një ditë Kosova të marrë atë vendin që i takon në Kombet e Bashkuara.
Shume të faleminderit !
Intervistoi Beqir SINA – New York
Marrëveshja Kosovë-Serbi e Brukselit si model unik në mbrojtjen e pakicave
Nga Dr. Enver Bytyçi-Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Europës Juglindore – Tiranë/
Ka kaluar më shumë se një vit, kur udhëheqësi i koalicionit serb “Ndryshimi”, shkrimtari Vuk Drashkoviç, kërkonte me ngulm që Serbia të çlirohej prej Kosovës. Në një intervistë të tij për radion Europa e Lirë të datës 25 mars 2012, ai thoshte se “koalicioni parazgjedhor “Ndryshimi,” kërkon të ndalohet vrasja e Serbisë për hir të ruajtjes së asaj që është vetëm mirazh”, duke shtuar gjithashtu të vërtetën tjetër se “nuk mund të ndërtohet një Serbi evropiane mbi themelet e Serbisë së Millosheviçit”. E thoshte këtë të vërtetë të pamohueshme një prej ish-anëtarëve të kabinetit të diktatorit Milosheviç.
Vetëm dy muaj më vonë, shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, në një intervistë për revistën beogradase “NIN” thoshte në substancë të njëjtën gjë: “Më parë në një pjesë të Ballkanit përdorej shprehja çlirimi i Kosovës nga Serbia. S’është ndonjë çudi që tani të thuhet çlirimi i Serbisë prej Kosovës”. Dhe deri në në këto momente mendjet ballkanike qenë kapur fort pas idesë fikse se “E mira e jote është e keqja ime” e për pasojë palët qenë të ndara në qëndrimet e tyre për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë konfliktin shqiptro-serb.
Një vit më parë Beogradi organizoi zgjedhjet e veta edhe në veri të Kosovës, ndërsa serbët lokalë vijonin që prej 13 vitesh të refuzonin me dhunë integrimin në shtetin e Kosovës. Aq e tensionuar ishte situata në komunat me shumicë serbe, sa më 1 qershor të vitit 2012 ato demonstruan me dhunë kundër trupave të KFOR-it, duke plagosur dy prej tyre. Barrikadat ishin aty mbi urën e Ibrit e në afërsi të pikave kufitare, kontrabanda lulëzonte dhe serbët lokalë bënë përpjekje të panumërta që të sfidonin jo vetëm qeverinë dhe institutcionet e Kosovës, por edhe praninë ndërkombëtare në zonë. Madje u desh që një kontigjent prej 700 ushtarësh nga Gjermania dhe Austria të vinte në ndihmë të forcave aktuale të vendosura në veri të Mitrovicës.
Kjo situatë e trishtë u duk se do të përkeqësohej, kur në Beograd u kurorëzuan në krye të pushtetit radikalët e ish-Partisë së Sheshelit dhe idhtarët e anëtarët e Partisë së Milosheviçit. Dy figurat kryesore, Tomislav Nikoliç, si president i vendit dhe Ivica Daçiç, ish-zëdhënës i Milosheviçit, si kryeministër dhe ministër i Brendshëm, u panë me skepticizëm të madh e mosbesim. Pakush besonte në atë se ata do të sillnin ndonjë situatë ndryshe në marrëdhëniet rajonale dhe në raportet midis Prishtinës dhe Beogradit. Ishte krejt e arsyeshme të mendohej se Europa Juglindore me këto “hije” të së kaluarës së hidhur e kriminale do të përjetonte përsëri kriza të pamenduara. Frika se gjakderdhja do të rikthehej në Ballkan e shoqëroi pjesën e parë të qeverisjes së radikalëve serbë të ardhur në pushtet.
Por të premten e kaluar, më 19 prill 2013, në raundin e dhjetë tnë bisedimeve, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, nënshkruan në Bruksel atë që unë do ta quaja “Marrëveshja e Pajtimit për Veriun e Kosovës”. Marrëveshja e datës 19 prill është dhe do të mbetet e tillë, sepse i jep fund një situate dhune e konflikti të pandërprerë midis shqiptarëve dhe serbëve në këtë pjesë të territorit të vendit. Jo në kuptimin që e përmend kryeministri Thaçi, sipas të cilit marrëveshja e Brukselit vjen për herë të parë pas një shekulli konflikt midis të dy popujve tanë. Konfliktin shqiptaro-serb e ka zgjidhur përfundimisht ndërhyrja e NATO-s më 24 mars të vitit 1999, në të cilin ka ndihëmuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës. Prandaj dhe mund të thuhet se konfliktin shqiptaro-serb nuk e zgjidhi as Thaçi e as Daçiç. Ata thjesht formalizuan vullnetin e ndërkombëtarëve dhe i dhanë zgjidhje teorike krizës në veri të Kosovës. Çdo interpretim tjetër është i pasaktë, jashtëkohor, jashtë kontekstit historik të zhvillimit të ngjarjeve, së paku prej fundit të viteve 1980 e këtej.
Por le të kthehemi te përmbajtja e marrëveshjes së Brukselit. Ideja e bisedimeve në nivel politik përfaqësuar nga të dy kryeministrat erdhi mediatikisht nga drejtorja për Europën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Frizer, në radion Europa e Lirë. Ajo u shpreh në maj të vitit të kaluar se rekomandonte që “dialogu (i deritashëm) të zgjerohet dhe të shndërrohet në dialog vërtet politik ku Beogradi, Kosova dhe serbët e veriut, do të bisedonin për mënyrat se si mund të sigurohet që veriu të integrohet më me efikasitet në Kosovë dhe eventualisht të bisedohet edhe për rrugën e njohjes së Kosovës nga Serbia.
Më pas erdhën një e nga një dhjetë raunde bisedimesh midis Kosovës dhe Serbisë. Këto bisedime i udhëhoqi e ndërmjetësoi Bashkimi Europian, përmes shefes së Diplomacisë e të Sigurisë, baroneshës britanike Katrine Ashton. Të dy palët patën vështirësi në bisedime e sidomos në arritjen e marrëveshjeve. Serbia për shkak të mentalitetit të ngrirë rreth mitit për Kosovën, ndërsa Kosova për shkak të papërgjegjshmërisë së udhëheqësve shtetërorë, të cilët pa nevojë u kishin premtuar shqiptarëve se “kurrë nuk do të bisedonin me Serbinë për çeshtje politike”. Kështu në Prishtinë ishte krijuar edhe një pengesë tjetër, artificiale, veç pengesave objektive, të cilat ndanin të dy vendet në konflikt. U bënë nëntë raunde bisedimesh. Në raundet e para u nënshkruan disa marrëveshje të ndërmjetme, siç ishte ajo për implementimin e marrëveshjes së kufijve e të doganave. Nënshkruesit, përkatësisht krzeministrat Thaçi dhe Daçiç, u përballën me kritika të shumta në vendet që përfaqësuan.
Më pas i erdhi radha bisedimeve për normalizimin e gjendjes në Veri, shkurt, për integrimin e kësaj pjese të vendit në institucionet e Kosovës. Kjo përpjekje filloi në raundin e shtatë dhe përfundoi me një marrëveshje në raundin e dhjetë, gati në zgrip, kur bisedimet do të deklaroheshin si të dështuara.
Pa u zgjatur në histori të tilla, ne shohim tashmë të jetë arritur dhe nënshkruar një marrëveshje, të cilën e kanë miratuar me shumicë votash të dy parlamentet. Sipas kësaj marrëveshjeje është krijuar Asosacioni/Bashkësia me shumicë serbe në Kosovë, në të cilën bëjnë pjesë katër komunat e Veriut të Mitrovicës, përkatësisht vetë komuna e re e Mitrovicës së Veriut si dhe komunat e Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut. Eshtë lënë hapësirë juridike që në këtë bashkësi të bashkohen gjithashtu komunat e tjera me shumicë serbe në jug të Ibrit. Sipas Marrëveshjes, strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të ndërtohen në bazën që e parasheh statuti aktual i Asociacionit të Komunave Serbe. Presidenti, zv/presidenti, Kuvendi dhe Këshilli do të kenë në mbikëqyrje zhvillimin ekonomik, të arsimit, të shëndetësisë dhe të planifikimit urban e rural. Këto janë kompetencat eksplicite të kësaj Bashkësie. Por duhet shtuar se edhe po mos krijohej ky asosacion, komunat vetë do t´i mbartnin kompetenca të tilla, çka do të thotë se marrëveshja në fjalë është refleksion i vetë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës. Thjesht të tilla atribute kalojnë nga komuna te bashkësia.
Megjithatë parashihet që Bashkësia e Komunave të Serbëve në Veri të ketë njëkohësisht kompetenca të caktuara në fushën e rendit e të ligjit. Pika gjashtë e marrëveshjes shprehet se “Duhet të ketë një forcë policore të quajtur Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës duhet të integrohen në strukturën e Policisë së Kosovës. Pagat do t’i marrin vetëm nga Policia e Kosovës”. Në pikën tetë shtohet se “Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe” dhe se “Komandanti i këtij rajoni duhet të jetë serb shtetas i Kosovës i nominuar nga Ministria e Brendshme nga një listë e dhënë nga 4 kryetarët e këtyre komunave në emër të Asociacionit”. Në pikën nëntë thuhet se “Përbërja e Policisë në veri duhet të reflektojë përbërjen etnike të popullatës në 4 komunat”. Nëse lexojmë me vëmendje edhe këto dy pika të marrëveshjes, atëherë kuptojmë se asgjë përtej Planit të Ahtisaarit nuk është dhënë për serbët në veri të Mitrovicës. Projekti i Pavarësisë së Kosovës, i cili ka marrë emrin e hartuesit të tij, presidentit Ahtisaari, parashikon të njëjtat kompetenca sa i përket policisë dhe strukturave të saj në komunat me shumicë serbe. Policia në veri, ashtu si në të gjithë territorin e Kosovës, do të veprojë në respektim të kushtetutës e ligjeve të Kosovës si dhe të hierarkisë shtetërore.
Ndërkaq pika dhjetë dhe njëmbëdhjetë i kushtohet sistemit të drejtësisë në komunat e veriut me shumicë serbe. Edhe në këtë rast garantohet një sistem drejtësie i integruar në kornizën ligjore të shtetit të Kosovës, ndërkohë që kërkohet nga Gjykata e Apelit e Prishtinës që ajo të ngrejë nën drejtimin e kontrollin e saj një panel me shumicë të gjyqtarëve serbë për t´u marrë me çeshtjet juridike të veriut. Ky panel do të ketë një staf administrativ si dhe gjyqtarë, të cilët do të vendosen në Mitrovicën Veriore.
Në Marrëveshje nuk flitet për forcat e sigurisë, gjë për të cilën janë shprehur garantë forcat e KFOR-it përmes një deklarate të Sektetarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen. Në pikën shtatë përcaktohet thjesht përbërja etnike e strukturave të sigurisë së vendit, duke rekomanduar ruajtjen e këtyre raporteve. Por pas tërheqjes së KFOR-it është e sigurt se përgjegjës për sigurinë e të gjithë territorit të Kosovës do të jenë Forcat e Sigurisë të këtij vendi.
Pra marrëveshja e Brukselit është një hap i madh në drejtimin e duhur, zgjidh shumicën dërmuese të problemeve dhe çeshtjeve shtetërore, duke konfirmuar sovranitetin dhe integritetin shtetëror të Prishtinës dhe institucioneve të saj në të gjithë territorin. Veriu i Mitrovicës i ka të gjitha shanset, nëse marrëveshja zbatohet mirë, që të integrohet në sistemin politik e juridik të shtetit të Kosovës. Marrëveshja e19 prillit në Bruksel duket se është orientuar drejt zgjidhjes së konfliktit të brendshëm, duke përcaktuar rregullat e lojës në politikat e brendshme, me qëllim integrimin e serbëve të veriut në strukturat shtetërore të vendit. Ajo nuk flet për ndonjë lidhje të veçantë me Beogradin, edhe pse në dokumentin e Ahtisaarit kjo është e parashikuar. Në Marrëveshjen e Brukselit nuk jepen të drejta si ato që ka Republika Srpska, e cila ndikon dhe bllokon vendimmarrjen e qeverisë federale të Bosnjë-Hercegovinës. Por serbët e veriut kanë protestuar një ditë më pas, duke kundërshtuar kategorikisht autoritetin e Prishtinës në këtë pjesë të vendit. Kanë protestuar gjithashtu një grup të rinjsh në Beograd si dhe nuk janë pajtuar më firmat e dy kryeministrave disa udhëheqës të opozitës në Beograd e në Prishtinë. Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ka kritikuar ashpër këtë marrëveshje, e po ashtu lideri i Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti, e ka quajtur Marrëveshjen si shërbim të pushtetit të Thaçit e në kundërshtim me interesat e shqiptarëve në Kosovë e në Luginën e Preshevës. Sipas Kurtit “Dialogu politik i Thaçit i sakrifikoi edhe shqiptarët në veri të Ibrit edhe ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për hir të pushtetit të këtij në Prishtinë”. Por lideri i VV nuk ndalet vfetëm në këtë konstatim. Ai thotë se “Marrëdhënia ndërmjet shtetit të Kosovës dhe këtij Asociacioni serb që u formua nga Thaçi e Daçiç është e ngjashme me marrëdhënien ndërmjet shtetit të Bosnjës dhe Republika Srpska-s atje”.
Në të vërtetë Marrëveshja e Brukselit eviton krijimin e një autonomie të tillë, e cila të mund të bllokojë Kosovën në vendimmarrjen e saj. Pikërisht kjo e bën atë të shihet si një sukses, së pari të Bashkësisë Ndërkombëtare, para së gjithash të SHBA-së e Gjermanisë, si promotorë të saj, por edhe të qeverisë dhe institucioneve të Prishinës. Megjithatë duhet thënë se marrëveshja le hapur mundësinë e intepretimeve e keqinterpretimeve dhe kjo do ta vështirsojë ndoshta zbatimin e saj në terrenin konkret.
Pala e Kosovës kishte rastin të bënte më shumë presion për të përfituar atë që quhet “vendin e saj në OKB”. Unë besoj se është e pmjaftueshme ajo që parashihet në pikën 14 të Marrëveshjes, ku thuhet se “që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë palën tjetër në rrugën drejtë BE-së”. Kjo do të thotë se Serbia nuk ka obligime që t’i hapë rrugë peanimit të shtetit të Kosovës në OKB. Kjo do të thotë se Beogradi e ka një mundësi më shumë për ta penguar Prishtinën në arritjen e plotë të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Sido që të jetë, klauzola e pikës 14 i rrit shanset për shtimin e njohjeve. Më së pari do të duhet të reflektojnë pesë vendet e Bashkimit Europian. Tri prej tyre, përkatësisht Sllovakia, Rumania dhe Greqia kanë dhënë sinjale të qarta se ato mund ta rikonsiderojnë njohjen e shtetit të Kosovës pas marrëveshjes pajtuese midis Prishtinës dhe Beogradit. Por asnjë sinjal nuk kanë dhënë Qipro dhe Spanja. Njohja prej këtyre vendeve është kusht i domozdoshëm për të ndërtuar marrëdhënie subjektiviteti ndërkombëtar midis BE-së dhe Kosovës. Nëse këto vende e njohin Kosovën, atëhere asaj i hapet rruga për t’u pranuar gjithashtu në NATO, pasi katër prej tyre, përjashtuar Qipros, janë njëkohësisht anëtare të Aleancës së Atlantikut. Pranimi në NATO i jep fund presionit të Beogradit, sipas të cilit forcat e sigurisë së Kosovës nuk do të duhej të vepronin në veri të Mitrovicës. Ndërkaq efekti i njohjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës u rrit kur Parlamenti Europian vendosi që prej këtij momenti të mos përdorej më fussnota referuese për Rezolutën 1244 dhe GND.
Sa i përket disa pikave të tjera të marrëveshjes, ato kanë të bëjnë me detyrime të ndërsjellta, të cilat vijnë si obligim i ndryshimeve politike, ekonomike e sociale në favor të integrimit në shtetin e Kosovës. Eshtë për t’u parë sesi do të shkojë procesi i zgjedhjeve lokale, i parashikuar këtë vit. Ndërkaq do të duhet provuar nëse Beogradi do të përpiqet në të ardhmen të organizojë zgjedhje parlamentare e presidenciale në Kosovë. Evitimi i këtyre proceseve është i domozdoshëm për realizimin e plotë të objektivave të Marrëveshjes së Brukselit. Kurse tërheqja e forcave serbe të sigurisë është një çeshtje tjetër, e cila kërkon një monitorim të plotë, sepse Beogradi ende nuk është civilizuar aq shumë politikisht, sa të përpiqet të ndërtojë marrëdhënie korrekte me fqinjët e tij. Ka shumë mundësi që edhe më tej këto forca të jenë prezent në një mënyrë tjetër në territorin e Kosovës dhe të përpiqen të destabilizojnë vendin. Nëse ndodh kjo, atëherë forcat radikale serbe do të motivohen më shumë për një qëndrim destruktiv në këtë vend e në rajon. Për këtë arësye është e domozdoshme që presioni ndërkombëtar dhe monitorimi të arrijnë që asnjë individ i pjestarëve të ministrisë serbe të Punëve të Brendshme dhe të segmenteve të tjera të Serbisë të mos jetë më i pranishëm në territorin e Kosovës.
Sa i përket banorëve në veri, të cilët kanë udhëhequr institucionet paralele, kanë ndërmarrë akte dhune ose kanë shkelur ligjet e shtetit, është obligim i EULEX-it të hetojë veprimtarinë e tyre dhe të bëjnë që ligji të zbatohet me korrektësi, për të dhënë kështu sinjalin e qartë se kjo do të duhet të ndodhë me domozdo dhe në Prishtinë e në qytetet e tjera në Jug të Ibrit. Ndërtimi i një Kosove demokratike, ku sundon ligji nuk mund të ketë sukses pa ndëshkimin e krimit në veri e në jug të vendit. Të painkriminuarit do të integrohen në pushtetin e ri, i cili do të dalë përmes zgjedhjeve të reja lokale. Kjo do të duhet konsideruar si një proces normal, pa paragjykime dhe pa nxitur pakënaqësi e urrejtje.
Megjithatë duhet marrë në konsideratë fakti se serbët e veriut të Mitrovicës do të vijojnë ta kundërshtojnë për një kohë Marrëveshjen e Brukselit. Por zgjidhja tashmë është më e lehtë, nëse Beogradi i bashkohet përpjekjeve të Prishtinës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare për integrimin e tyre në shtetin e Kosovës. Aq serbë sa jetojnë në veri të vendit e kanë vështirë të kundërshtojnë për një kohë të gjatë, nëse atyre u ndërpritet çdo ndihmë nga qeveria e Serbisë. Ndërkohë nuk mund të besohet se një pjesë e udhëheqësve lokalë, sidomos të atyre që janë mësuar të jetojnë përmes kontrabandës dhe shpërblimeve të majme, mund ta ketë mbështetjen e opozitës radikale të Vojisllav Koshtunicës e për pasojë edhe të rtezistojnë në përpjekjet për ta kundërshtuar sovranitetin e Prishtinës në këtë pjesë të vendit.
Kështu që nuk bëhet fjalë për një pajtim final midis shqiptarëve në Kosovë dhe serbëve. Problematikat do të jenë të natyrave të ndryshme. Pajtimi në fund të fundit nuk është e nuk mund të jetë një akt, ai është një process relativisht i gjatë. Më së fundi pajtimi do të arrihet kur qeveria e Serbisë të hedhë hapa të tjerë në këtë drejtim. Para së gjithash ajo duhet të kërkojë ndjesë për krimet dhe masakrat që janë bërë në Kosovë dhe duhet të angazhohet për të ndihmuar ndriçimin e të vërtetës, sado e hidhur të jetë ajo për palën serbe. Vetëm dënimi publik i këtyre krimeve mund të rikthejë frymën e besimit midis të dy palëve. Ndërkohë riformulimi i Kushtetutës së Serbisë dhe heqja nga preambula e saj e definicionit se “Kosova është Serbi” do të ishte hapi i parë praktik për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Njohja reciproke është dhe mbetet akti final i normalizimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve në konflikt.
Shumë personalitete ndërkombëtare, ”, midis tyre edhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Ëesterëelle si dhe Presidenti i Komisionit Europian, Barrosso, e kanë konsideruar nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar nga kryeministrat, Thaçi dhe Daçiç, si një “ngjarje historike”. Ndoshta kjo është e tillë sa i përket kthesës që do të marrë qëndrimi politik dhe orientimi europian i Serbisë. Përfundimisht ajo do të kyçet në integrimet europiane e më pas edhe ato atlantike. Por veç këtij efekti tejet pozitiv për Europën, asgjë nuk mund të konsiderohet si historike. Me mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve kryesore të BE-së Kosova kishte mundësi të shumta që ta rivendoste sovranitetin e saj në veri të Mitrovicës. Dhe Serbia nuk do të kishte asnjë mundësi të reagonte. Por kostoja do të ishte e lartë për të dy palët, ndoshta më e lartë për Beogradin sesa Prishtinën. Kështu që Marrëveshja thjesht e ka lehtësuar këtë proces jo vetëm në dobi të shqiptaëve, por edhe në dobi të serbëve, të cilët marrëveshja i bën autonomë në ndërtimin dhe zgjidhjen e problemeve të përditshme. Autonomia e serbëve në veri të Mitrovicës është e një modeli të ri, specific dhe unik, sepse bëhet fjalë për një numër shumë të vogël të minoritetit serb në Kosovë.
Prandaj Prishtina dhe Tirana do të duhet tani të fillojnë të bëjnë presion mbi qeverinë e Beogradit e në Bashkësinë Ndërkombëtare, që të drejtat, të cilat i kanë fituar 40 mijë serbët e veriut të Kosovës, të mbarten te 70 mijë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve kudo në rajon u lind e drejta që të këmbngulin të realizojnë pa kushte së paku aq të drejta sa kanë serbët në veri të. Para së gjithash të gjitha komunat shqiptare në Maqedoni ka nevojë të rivlerësojnë dhe ridimensionojnë marrëdhëniet me shtetin maqedon dhe të kërkojnë kompetenca lokale të nivelit të Marrëveshjes së Brukselit. Ndërkaq këto klauzola shkojnë edhe në favor të muslimanëve të sanxhakut, të hungarezëve të Vojvodinës dhe pakicave të tjera në Serbi e në Ballkan.
Në këtë kuptim, Marrëveshja e Brukselit mund dhe duhet konsideruar si një marrëveshje historike, sepse krijon modelin dhe precedentin e parë të ndërtimit të marrëdhënieve të shteteve ballkanike e më gjerë me minoritetet, sado pak të jenë ato në numër. Përtej Serbisë, këtë Marrëveshje mund ta përdorin shqiptarët e Malit të Zi, ata të Çamërisë, si dhe minoriteti maqedon e turk në vendin më jugor të rajonit, anëtaren e BE-së, Greqinë.