• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MASAKRA E TIVARIT

May 18, 2021 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/ Gjatë kolonizimit të Kosovës në vitet ’30 të shekullit XX, pushteti i Mbretërisë Jugosllave, tokat e shqiptarëve të zonës së Gjakovës dhe të Pejës i zaptonte dhe ua ndante kolonëve malazezë. Në vitin 1941 Fuqitë e Boshtit e pushtuan Jugosllavinë. Një numër i malazezëve u kthyen apo u larguan për në Mal të Zi. Një pjesë e tyre ishin strehuar edhe në
Tivar. Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës, në fillim të janarit të vitit 1944, në Konferencën e Bujanit (31.12.1943 – 02.01.1944) mori vendim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Komunistët jugosllavë këtë vendim nuk e njohën. Kah fundi i dhjetorit të vitit 1944 shpërtheu kryengritja e shqiptarëve në Kosovë kundër pushtetit të Jugosllavisë së re.
Kryengritja udhëhiqej prej komiteteve nacionaliste dhe ballistëve që kishin ndikim të madh në popull.


Një prej aktorëve të kryengritejes shqiptare në Kosovë kundër pushtuesve serbë qe Shaban Polluzha (1871-1945). Ishte komandant i forcave popullore në Kosovë, mbrojës i vendosur i popullit shqiptar. Përkrahës i luftës së popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar. U angazhua për çlirimin e Kosovës nga gjermanët dhe ndihmoi në mobilizimin e të
rinjve në rreshtat partizane. Në fillim të vitit 1943, si komandant batalioni i forcave nacionaliste, kryente veprime vetëmbrojtëse në pjesën perëndimore të Kosovës kundër forcave terroriste serbo-çetnike. Në vitet 1944-1945, në krye të forcave popullore u angazhua
për zbatimin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit dhe për shmangien e dhunës dhe të gjenocidit ndaj popullsisë civile shqiptare, të ndërmarrë nga forcat ushtarake serbe, malazeze dhe sllavo-maqedonase, me pretekstin e çarmatimit masiv dhe të luftës kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit. Me krijimin e Brigadës VII kosovare, formacionet e komanduara nga Shaban Polluzha, që përbënin Brigadën e Drenicës u rreshtuan në këtë njësi
dhe ai u caktua zëvendëskomandant. Në janar të vitit 1945 pranoi që brigada të nisej për në frontin e Sremit, në veri të Jugosllavisë. Me largimin nga Kosova të njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të Brigadës VII filluan represaliet dhe masakrat. Për ta
mbrojtur popullsinë civile, Shaban Polluzha me grupin e forcave që komandonte u drejtua për në Drenicë. Ndonëse Komanda e Përgjithshme Jugosllave më 8 shkurt të vitit 1945 vendosi në Kosovë pushtetin ushtarak, Shaban Polluzha organizoi dhe vazhdoi luftën vetëmbrojtëse.
Pas luftimesh të përgjakshme, më 21 shkurt 1945 u vra nga forcat ushtarake serbo-malazeze.


Masakra e Tivarit ka ndodhur më 24-27 mars 1945 në Tivar (Mali i Zi). Në
shënjestër kanë qenë rekrutët e kombësisë shqiptare nga Kosova. Vrasja është kryer me armë zjarri. Sipas vlerësimeve zyrtare jugosllave në masakrën e Tivarit u vranë 400 deri 450 vetë, ndërsa sipas vlerësimit të historianëve shqiptarë, bëhet fjalë për 2000 deri 4000 të vrarë. Ka të
dhëna sipas të cilave numri i të vrarëve është mbi 4300. Vrasja është kryer me pushkatim masiv apo pogrom (sulm i organizuar ndaj popullsisë së paarmatosur). Krimi është kryer nga Armata Jugosllave, nga Brigada X malazeze, nga Divizioni i 46 serb dhe nga civilët serbë e
malazezë në Tivar. Numri i saktë i kryerësve të krimit nuk dihet saktë, por duhet të kenë qenë me qindra.


Masakër e Tivarit është quajtur vrasja masive e një numri të madh të shqiptarëve të Kosovës në Tivar, e kryer nga njësitë e Brigadës X malazeze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare
të Jugosllavisë (UNÇJ) në pranverë të viti 1945, në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët e Kosovës të cilit i kishte rekrutuar UNÇJ- ja, për t’i shfrytëzuar në luftën kundër forcave gjermane dhe forcave të tjera të boshtit të cilat në atë kohë kanë qenë duke u tërhequr nga Ballkani.

Prej Prizreni, shqiptarët janë shoqëruar për në Tivar, në tre grupe të ndryshme. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e grupit të dytë, të cilët nëpër Shqipëri kanë mbërritur në Tivar,
janë vrarë prej rojeve malazezë.


Mobilizimi – Për të vendosur rend në Kosovë apo për ta mbajtur Kosovën nën pushtim, pushtetet serbo-malazeze ndërmorën masa të caktuara. Një prej tyre ishte edhe mobilizimi i shqiptarëve në Armatën Jugosllave. Në këtë mënyrë, të rinjtë e mobilizuar do të tërhiqeshin nga vatra e kryengritjes. Njëherazi, ata do të shfrytëzoheshin edhe në operacionet
për çlirimin e Jugosllavisë. Në janar të vitit 1945, Komanda jugosllave lëshoi urdhër për mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës, prej moshës 16 deri në 65 vjeç. Ka burime që thonë se duhej të mobilizoheshin njerëz të moshës 18 deri 45 vjeç. Mirëpo, partizanët shqiptarë dëshironin të luftojnë në kuadër të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe jo të Jugosllavisë.
Për t’iu shmangur mobilizimit në ushtrinë jugosllave, në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë ishin strehuar nëpër male. Më 11 mars 1945, shpërthyen në Gjakovë demonstratat e grave kundër mobilizimeve të dhunshme të bijve, të vëllezërve dhe të burrave. Partizanët jugosllavë, në bashkëpunim me njësitë partizane shqiptare grumbulluan një numër të konsiderueshëm rekrutësh nga Mitrovica, Prizreni, Vuçitërni (Vushtria), Podujeva dhe
Prishtina. Sipas disa burimeve, bëhet fjalë për rreth 5.400 vetë.
Shqiptarët, prej qendrave komunale u tubuan në Prizren, me qëllim që të nisen për në veri të Jugosllavisë për të marrë pjesë në luftimet përfundimtare. I çarmatosën duke u thënë se armët do t’u jepen në Kroaci dhe në Slloveni. Pas kësaj, shqiptarët e çarmatosur i morën
rojtarët e armatosur serbë dhe malazezë, të cilët i ndanë në tre grupe apo në tre kolona të
ndryshme. I urdhëruan që të marshojnë për në Tivar. Pushtetet jugosllave synonin t’i shfrytëzonin si plotësim të Armatës IV , e cila luftonte në Trieste.
Një numër i konsiderueshëm i të mobilizuarve kishin marrë pjesë në kryengritjen në Kosovë kundër pushtetit serbo-malazez. Disa prej tyre kishin përhapur fjalë se pasi të hipnin nëpër anije do t’i mbytnin në det.


Deri në Tivar, shqiptarët e Kosovës janë shoqëruar në këmbë, nëpër kurorat malore të Kosovës, të Shqipërisë veriore dhe të Malit të Zi, në vijën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar, ku duhet t’i priste anija për në Dalmaci, për t’i dërguar në front. Pas disa ditë ecjeje në këmbë, kolona e parë prej rreth 2500 apo 3700 vetëve, mbërrin në Tivar. Që aty, është dërguar në
Istrie.
Kolona e dytë prej rreth 2472 apo 4700 vetëve ka marshuar nëpër rrugën Prizren- Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër. Njësitë partizane nga Vranja dhe nga Piroti i kanë shoqëruar shqiptarët deri në Shkodër. Përkundër lodhjes së madhe dhe rraskapitjes nga rruga e gjatë, marshi është sforcuar gjithnjë e më tepër. Gjatë marshit regrutët i kanë keqtrajtuar, ndërsa të
sëmurët i kanë lënë të vdesin. Sipas burimeve shqiptare, gjatë rrugës, shumë shqiptarë i kanë rrahur dhe i kanë vrarë. Ka pasur raste kur ndonjërin prej tyre e kanë rrahur apo edhe e kanë vrarë, vetëm se ka dashur apo ka tentuar të shuajë etjen.
Burimet malazeze thonë se për shkak të agjitacionit armiqësor, gjatë tërë rrugës kanë ndodhur “incidente të shumta”. Gjatë udhëtimit përtej Drinit, shqiptarët e mobilizuar kanë hedhur disa shoqërues në ujë. Sipas burimeve të njëjta, kjo qenkësh përsëritur edhe gjatë
kalimit përtej Bunës, por krejt kjo paskësh kaluar pa pasoja të rënda. Në Shkodër, shqiptarët i
janë dorëzuar Brigadës X malazeze, e cila ka pasur për detyrë t’i shoqërojë deri në Tivar.
Gjatë këtij takimi, shqiptarët që kanë qenë me plisa të bardhë, malazeztë i kanë cilësuar si ballistë. Është formuar një kolonë prej 12 grupeve. Pranë kolonës, në një distancë të caktuar, janë caktuar luftëtarë të Brigadës X. Sipas dëshmive të caktuara, më 31 mars, në afërsi të Ulqinit të sëmurët dhe të plagosurit i kanë ndarë, me arsyetimin se i çojnë për mjekim në
spitale në Mal të Zi. Pas kësaj, për fatin e tyre s’dihet asgjë.


Incidenti – Për të mbërritur në Tivar, shqiptarët e mobilizuar kanë ecur disa kilometra nëpër fushën e Tivarit. Kolona mbërrin në qytet më 1 prill 1945. Njerëzit kanë qenë tepër të lodhur dhe të rraskapitur. Sipas burimeve sllave, paskësh ndodhur një incident që paskësh qenë prelud i kasaphanës që ka pasuar. Sipas një versioni sllav, diku në fushë një i ri shqiptar
e paskësh vrarë një ushtar malazez i cili nuk e paska lënë të pijë ujë e të shuajë etjen. Pas kësaj, të riun, bashkë me dy të tjerë i kanë masakruar. Sipas një versioni tjetër sllav, një prej shqiptarëve e paskësh rrëmbyer pushkën e shoqëruesit malazez dhe e paskësh vrarë. Pas kësaj, shqiptari qenkësh larguar dhe qenkësh përzier me të tjerët. Më vonë është vrarë një i ri shqiptar i cili paskësh tentuar t’ia marrë pistoletën një oficeri. Incidenti paska shkaktuar zemërimin e malazezëve dhe gatishmërinë e tyre për hakmarrje. Ata kanë zënë pozicione përgjatë rrugës nëpër të cilën ka ecur kolona si dhe përreth ndërtesës në Tivar, ku është dashur të vendoseshin të rinjtë shqiptarë.


Masakra – Shqiptarët e mobilizuar u mbyllën në një ndërtesë të madhe që quhej “Monopoli i duhanit” me një sipërfaqe prej rreth 300 m 2 , me një oborr të rrethuar me mure të larta. Partizanët malazias kanë pasur ndaj të mobilizuarve shqiptarë qëndrim tejet armiqësor.
Një prej oficerëve i paska pritur me fjalët: “Jua qafsha nënën, ju do të luftoni kundër partizanëve”. Atëherë patrulla paskësh veçuar 16 të dyshuar për vrasjen e shoqëruesit malazez dhe i ka marrë me vete. Sipas versionit malazez, masa ka filluar të protestojë, ndërsa dikush paska hedhur në drejtim të rojtarëve një bombë të kontrabanduar. Pas kësaj qenkësh
dëgjuar thirrja: ”Rebelimi i shqiptarëve!” Rojet së pari paskan qitur në qiell, e kur turma është përfshirë nga paniku, kanë gjuajtur edhe mbi njerëz. Kur shqiptarët në kolonë i paskan dëgjuar krismat, paskan filluar të arratisen dhe të fshihen në pyje. Pas kësaj ka pasuar ndjekja e tyre dhe ekzekutimi i menjëhershëm.
“Në kodrën mu te hyrja e rrethit të Stacionit të duhanit ishte vendosur një mitraloz. Ai sakaq filloi të qëllojë drejt turmës së dendur, e cila në panik ka filluar të ikë kah sytë këmbët.
Me të dëgjuar thirrjen “Rebelim”, është vënë në veprim çeta e Komandës vendore si dhe të gjithë qytetarët që kanë pasur armë. Shqiptarët e mobilizuar, kush si ka mundur, kanë filluar të largohen kah veriu, nëpër kodra. Një batalion i Brigadës X ka qenë në Tivarin e Vjetër. E
njoftuar për rebelimin, batalioni ka dalë para masës, në rreshtin e pushkatimit. Kjo ishte një skenë e tmerrshme. Afro 400 vetë u vranë, ndërsa qindra të tjerë u plagosën”. (Boshko Gjuriçkoviq, komisar politik i Grupit operativ bregdetar).


Sipas versionit shqiptar, sapo janë sjellë regrutët në ndërtesën e Monopolit, malazeztë i kanë drejtuar mitralozat në drejtim të tyre dhe kanë hapur zjarr. rreth orës 14 janë sulmuar nga të katër anët me të gjitha llojet e armëve – me automatikë, me mitraloza, me bomba dore, me pistoleta etj. Njëherazi, është hapur zjarr edhe mbi të rinjtë shqiptarë që kanë ndodhur në oborrin e “Monopolit”. Një prej të mbijetuarve, Azem Hajdini, dëshmon se në ndërtesë ka pasur rreth 1000 vetë, brenda oborrit rreth 2200 deri në 2500 vetë, ndërsa disa të tjerë kanë qenë në rrugën para oborrit. Në hapësirën e oborrit është krijuar një lum gjaku, ndërsa ndërtesa është shkatërruar, me trupat e qindra të rinjve brenda saj. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, masakra ka qenë e përgatitur. Paraprakisht kanë qenë të hapura edhe gropat.
Një malazez që e ka parë skenën e përgjakshme, dëshmon: “Kaloja urën, gjaku arrinte deri te leqet e këmbëve”.
Në atë kohë në Tivar ndodheshin Brigada X malazeze, rreth 100 luftëtarë të
Komandës vendore, pjesë të Mbrojtjes popullore, një pjesë e odës së Brigadës së Bokelit dhe masa e madhe e të plagosurve të armatosur, e refugjatëve dhe e vendësve. Në masakrën e Tivarit kanë marrë pjesë edhe pjesë të Divizionit të 46 të partizanëve serbë, të përbërë prej qytetarëve të Vranjës dhe të Pirotit. Përpos partizanëve, ka pasur edhe vendës të cilët me të madhe kanë marrë pjesë në masakër. Në vrasje kanë marrë pjesë edhe kolonët serbë dhe malazezë të cilët, pas luftës së prillit 1941, qenkëshin larguar nga Kosova. Sipas disa burimeve, paskësh pasur vendës të cilët të rinjtë shqiptarë i paskëshin fshehur nëpër shtëpi apo në mullarë kashte. Trupat e shqiptarëve të vrarë janë hedhur nëpër gropa, në det, janë djegur apo janë varrosur në varre masive, pesë kilometra larg Tivarit të Vjetër. Shqiptarët e mbijetuar që kanë mundur t’i zënë, i paskan dërguar në front.


Numri i viktimave – Kurrë nuk është përcaktuar saktë sesa shqiptarë janë vrarë atë ditë. Numri i të vrarëve përcaktohet varësisht nga burimi i informatave. Sipas kronikëve zyrtarë të partizanëve, flitet për një numër prej 400 deri në 450 të vrarë, ndërsa sipas historianëve shqiptarë ka të vrarë 1500 deri 2000 vetë. Ka edhe vlerësime që thonë se në Tivar janë vrarë 4300 shqiptarë.


Një ditë pas masakrës është ndërruar dhe është degraduar i tërë shtabi komandues, me në krye Gasha Markoviqin, por askush nuk është dënuar. Madje komisari politik i Grupit operativ bregdetar, Boshko Gjuriçkoviqi, në njëfarë mënyre i ka arsyetuar njësitë e veta: “Ushtarët tanë kanë qenë të provokuar në mënyrën më mizore dhe më jonjerëzore, ndaj edhe
është shkaktuar kjo tragjedi….”
Sipas disa burimeve jugosllave, kjo ngjarje e paskësh njollosur lëvizjen partizane si dhe Tivarin, për arsye se paskësh mbetur në kujtesë si ekzekutimi më i madh në ato hapësira.
Në RSFJ kjo ka qenë temë e paprekshme për të cilën nuk është folur me dekada. Të dhënat serbo-malazeze për masakrën e Tivarit ose janë asgjësuar, ose janë shtrembëruar.
Dokumentet eventuale me të dhëna objektive Beogradi i ruan si dokumente konfidenciale, sisekret shtetëror apo tepër rezervat.


RIKAPITULIM – Masakra e Tivarit është një nga më të mëdhatë në fund të Luftës II Botërore. Viktimat ishin të moshave 18 deri në 45 vjeç. I mobilizuan në rajone të ndryshme të Kosovës dhe i nisën për në Tivar, me qëllim që t’i transportonin më pas me anije në territoret në veri të Jugosllavisë, nën pretekstin e ndjekjes së trupave gjermane. Qysh në janar 1945, me urdhër të Shtabit Suprem të UNÇ të Jugosllavisë, në drejtim të veriut të Jugosllavisë ishin dërguar Brigadat VI, VII dhe VIII kosovare dhe Brigada IV (VII) e shqiptarëve të mobilizuar në rajonet e Maqedonisë, me një efektiv prej 14.000 luftëtarësh. Më 20 mars 1945 Shtabi Suprem i UNÇJ urdhëroi Komandën Ushtarake dhe Shtabin Operativ tëKosovës për mobilizimin ushtarak të të rinjve nga ajo trevë, të cilët do të shërbenin për të plotësuar radhët e Armatës IV jugosllave. Të rinjtë e mobilizuar në Kosovë marshuan në drejtim të portit të Tivarit, në këmbë dhe të ndarë në kolona. Rruga që ata përshkuan filloi nga pikat e mobilizimit e deri në Prizren, që ishte dhe vendi i grumbullimit. Rruga vijoi në
drejtim të Kukësit, Pukës, Shkodrës dhe Tivarit. Ata i ndanë në tri kolona me rreth 2500 vetë secila. Për shoqërimin e tyre u ngarkuan repartet e Divizionit të 46 serb. Më 24 mars 1945, nga Prizreni u nis kolona e parë me 2394 vetë, e cila arriti në Tivar në fund të muajit, ku iu dorëzuan reparteve të Divizionit IX jugosllav. Kolona e dytë me 2382 vetë u nis nga Prizreni
më 26 mars dhe në Tivar iu dorëzua reparteve të Brigadës X malazeze. Më 27 mars u nis kolona e tretë me 2700 vetë dhe për shoqërimin e saj u ngarkuan reparte më të mëdha të
Brigadës XXVII të Divizionit të 46 serb. Nga Kosova, për të plotësuar radhët e Armatës IV jugosllave vetëm gjatë muajit mars të vitit 1945 u dërguan 7476 luftëtarë. Të rinjtë shqiptarë duhej të përballonin vështirësitë e rrugës së gjatë e të mundimshme, mungesën e ushqimeve dhe të kushteve higjienike më themelore. Mbi të gjitha, provokimet e vazhdueshme të rojeve të armatosura serbe. Ata, duke u trajtuar si armiq potencialë, sepse kishin dalë nga radhët e të ashtuquajturve të dyshimtë, ishin të detyruar të marshonin në këmbë dhe në kolonë për katër, të çarmatosur dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të patrullave ushtarake. Kushdo që dilte nga
kolona për nevoja personale, ekzekutohej. Banorët e Kukësit, të Pukës dhe të Shkodrës u bënë dëshmitarë të trajtimit mizor të të rinjve shqiptarë nga rojet ushtarake serbe. Jehonë të hidhur bënë vrasjet e ushtarëve shqiptarë të kryera në urën e Bunës. Në situatë tejet të rëndë u ndodh kolona e të rinjve kosovarë me rreth 2300 vetë, që arriti në Tivar më 1 prill 1945. Në
oborrin e ndërtesës së monopolit të duhanit të rinjtë shqiptarë u bënë pre e provokimeve të rojeve të armatosura serbe. Pas largimit të elementëve sllavë, kolona u gjend nën breshërinë e
llojeve të ndryshme të armëve të reparteve jugosllave, që qëllonin nga të katër anët. trupat e pajetë të vrarëve dhe të të plagosurve u hodhën në karroca dhe u varrosën në gropa të përbashkëta. Për numrin e të rinjve shqiptarë të masakruar në Tivar më 1 prill 1945 janë dhënë shifra të ndryshme. Sipas autoriteteve jugosllave, numri i të vrarëve ka qenë 300 vetë, por studiues që janë marrë me këtë ngjarje thonë se bëhet fjalë për 1670 të rinj shqiptarë.
Pavarësisht nga këto ngjarje, mobilizimi i të rinjve shqiptarë dhe largimi i tyre nga Kosova vazhdoi edhe më pas.


Varri masiv i viktimave të masakrës së Tivarit u zbulua pas më se gjysmë shekulli. E zbuloi më 17 shtator 1996 historiani Zekeria Cana (1934-2009).
Tragjedia e Tivarit zuri vend edhe në kulturën e popullarizuar. Në vitin 1996 regjisori Ekrem Kryeziu (1943-), në produksion të Radiotelevizioni të Shqipërisë xhiroi Tv-filmin “Viktimat e Tivarit” kushtuar masakrës.


Në prag të mbarimit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas përfundimit të sa, serbët, malazeztë dhe sllavo-maqedonasit kryen krime ndaj shqiptarëve.
Për arsye të caktuara, përmasat e krimeve nuk janë studiuar sa duhet nga studiuesit shqiptarë.

  • Në kohën e kryerjes së krimeve, shqiptarët nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm për t’i hulumtuar ato;
  • Kryerësit e krimeve ndaj shqiptarëve i kryenin krimet, pa lënë gjurmë;
  • Gjatë regjimit komunist, arkivat e Beogradit ishin të paarritshme për studiuesit shqiptarë.
    Krimet e asaj kohe ndaj shqiptarëve, janë mbartur si legjenda, brez pas brezit. Në kohën e regjimit komunist, për tragjedinë e Tivarit, s’ke mundur të flasësh publikisht dhe në nivel akademik. Si rrjedhojë, qytetaria shqiptare nuk ka qenë e njoftuar sa duhet. Me kalimin
    e moteve, tragjedia dita ditës është zbehur, për të mbetur si një legjendë, në kujtesën e njerëzve. Regjimi serbosllav nuk lejoi që masakra e Tivarit të shënohet në histori dhe të
    mësohet nga historia. Përkundër vështirësive me të cilat u ballafaquan, disa historianë dhe
    studiues shqiptarë, me kërkime të pareshtura arritën disi ta zbardhin këtë ferr.
    Kah fundi i vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 krime ndaj shqiptarëve janë kryer
    edhe në qytet shqiptare në Maqedoni. Kryerës të krimeve kanë qenë komunistët dhe
    partizanët sllavo-maqedonas, të mbështetur nga Beogradi. Krimet janë kryer sidomos në
    Kërçovë, në Gostivar, në Tetovë, në Kumanovë dhe gjetkë. Shqiptarët janë cilësuar si
    ballistë, bashkëpunëtorë të italianëve apo të gjermanëve, si ushtarë apo si mbështetës të
    ballistit Xhemë Hasës (Simnicë, Gostivar, 1908 – 06.05.1945), si antijugosllavë, si
    nacionalistë që kanë vepruar për bashkim me Shqipërinë. Në atë kohë, shumë shqiptarë janë
    mbyllur në Monopolin e duhanit në Tetovë. Gjurmët e krimeve ndaj shqiptarëve në
    Maqedoni, kryerësit e krimeve i kanë asgjësuar. Ndonjë dokument eventual me përmbajtje
    për krimet e kryera është klasifikuar si konfidencial. Kur strukturat shtetërore kryejnë krime
    mbi një popull, rëndom nuk lënë dëshmi të shkruara. Që atëherë e këndej, nga boshti
    antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë), mbi shqiptarët në Maqedoni është
    kryer gjenocid.

Tragjedia e Tivarit paraqet gjenocid ndaj shqiptarëve. Për krimet e asaj kohe ndaj
shqiptarëve hulumtimet nuk duhet të pushojnë. Për krimet e asaj kohe duhet të organizohen
konferenca shkencore. Për ta njohur historinë, krimi serbo-malazez duhet të zërë vend në
histori, në historinë e kombit shqiptar. Krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen kurrë. Midis
kryerësit të krimit dhe viktimës nuk mund të ketë pajtim derisa aktori i tmerreve të mos e
pranojë fajin dhe të mbajë përgjegjësi për mizoritë e kryera.
Në botën shqiptare tragjedia e Tivarit duhet të shënohet çdo vit. Çdo vit, 1 prilli duhet
të shënohet si ditë e kujtimit të masakrës së Tivarit. Për viktimat e masakrës së Tivarit duhet
të ngrihet një monument në Prizren apo gjetkë, në hapësirat shqiptare. Përvjetori i kasaphanës
së Tivarit duhet të shënohet me ceremoni shtetërore. Për gjakderdhjen e kryer, Serbia dhe
Mali i Zi duhet të paditen në gjykatën ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.


Gjatë tërë shekullit XX Serbia ka kryer masakra ndaj shqiptarëve. Sidomos në vitet
1998-1999. Masakra e Tivarit të kujton gjenocidin serb në Srebrenicë. Të pandëshkuar,
serbët vazhdimisht i përsërisin krimet kundër njerëzimit. Srebrenica ndodhej në zonën e
Bosnjës lindore të mbrojtur nga 300 trupa holandeze që vepronin në kuadër të OKB-s.
Largimi i trupave holandeze nga kjo “zonë e mbrojtur”, ua çeli rrugën trupave serbe, për të
hyrë në të. Në javën e parë të korrikut, përkatësisht më 11 korrik të vitit 1995 forcat serbe, të
komanduara nga gjenerali serb Ratko Mlladiq (1943-) dhe të orkestruara nga kryetari i
Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq (1945-), morën kontrollin e kësaj “zone të mbrojtur”
dhe masakruan rreth tetë mijë djem e burra myslimanë.
Gjenocidi në Srebrenicë është simbol i indiferencës dhe i qëndrimit injorues të
vendeve të Perëndimit. Gjenocidi në Bosnjë ndodhi paralelisht me gjenocidin në Ruandë, ku
u vranë rreth një milion njerëz, të cilin bashkësia ndërkombëtare po ashtu e injoroi.
Srebrenica shkaktoi dilema morale serioze në botë. Pas këtij krimi, Administrata amerikane e
përshpejtoi strategjinë përfundimtare e cila liderët e Ballkanit – Franjo Tugjmanin, Alija
Izetbegoviqin dhe Sllobodan Millosheviqin i çoi në Dejton* (Dayton).
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë, Bosnja dhe Hercegovina
paraqiti padi kundër Serbisë për agresion dhe gjenocid. Për shkak të marrëveshjes midis
kryeprokurores së OKB-së për krime lufte, juristes zvicerane Karla del Ponte (Carla del
Ponte, 1947-) dhe Beogradit, dokumentet më të rëndësishme që kishin të bënin me rolin e
Serbisë në gjakderdhjen e BH-së, nuk qenë në dispozicion të GJND-së. Për shkak “të
mungesës së provave”, me aktgjykimin që nxori GjND-ja, Serbia amnistohej nga përgjegjësia
e drejtpërdrejtë për gjenocidin, por u konsiderua përgjegjëse se nuk e kishte parandaluar
gjenocidin. Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, masakrën e
Srebrenicës e cilësoi si akt gjenocidi. Të gjithë e dinë se involvimi i Serbisë në gjakderdhjen
e BH-së ka qenë i padiskutueshëm. Ndërkohë, Parlamenti Evropian miratoi një Deklaratë
sipas të cilës detyroheshin të gjitha vendet e Evropës që 11 korrikun ta shënojnë si Ditë
kujtimi të krimeve në Srebrenicë.
Shënim: Marrëveshja e paqes e Dejtonit (Dayton Agreement) u arrit në bazën
ushtarake të forcave ajrore Rajt-Paterson, në afërsi të Dejtonit, në shtetin amerikan Ohajo.
Konferenca zgjati prej 1 deri më 21 nëntor 1995. Pjesëmarrës qenë kryetari i Kroacisë
Franjo Tugjman (1922-1999), kryetari i BH-së Alija Izetbegoviq (1925-2003) dhe kryetari
i Serbisë Sllobodan Millosheviq (1941-2006). Bisedimet i udhëhoqi sekretari amerikan i
shtetit Uoren M. Kristofer (Warren Minor Christopher (1925-2011). Negocues ishte
diplomati amerikan Riçard Holbruk (Richard Holbrooke, 1941-2010). I pranishëm qe edhe
gjenerali amerikan Uesli Klark (Wesley Clark, 1944-). Zyrtarisht marrëveshja u nënshkrua
në Paris më 14 dhjetor 1995. Përpos tre liderëve ballkanikë, të pranishëm ishin edhe
presidenti i ShBA-së Bill Klinton (Bill Clinton, 1946-), presidenti i Francës Zhak Shirak

(Jacques Chirac, 1932-2019), kancelari gjerman Helmut Kol (Helmut Hohl, 1930-2017),
kryeministri britanik Xhon Mejxhër (John Major, 1943-), kryeministri spanjoll Felipe
Gonzales (Felipe Gonzáles, 1942-) dhe kryeministri i Rusisë Viktor Çernomirdin (1938-
2010). Sipas kësaj marrëveshjeje, BH-ja u bë shtet me dy entitete: Federata Myslimano-
Kroate me 51 për qind të territorit dhe Republika Serbe me 49 për qind të territorit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Masakra e Tivarit, Xhelal Zenjeli

PERSE “VATRA” PROMOVOI LIBRAT E URAN BUTKËS” MASAKRA E TIVARIT” DHE “LUFTA CIVILE NË SHQIPËRI 1943-1945”

December 31, 2015 by dgreca

-Dirigjentët e Luftës Civile në Shqipëri dhe të Masakrës së Tivarit, ishin serbët, të cilët nën moton- maskë “internacionaliste do të jetë bota e re” ia thartuan trutë rinisë shqiptare për të luftuar për “bashkim vëllazërimin”…
– Problemi, qëndron në faktin se aktorët- përgjegjës të krimeve, si të Luftës Civile ashtu edhe të maskrës së Tivarit, ende nuk jane ballafaquar me një tribunë gjyqësore, të paktën për hir të historisë.

Ditën e përvjetorit të 103-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 2015, Federata Panshqiptare e Amerikës promovoi në sallën e saj dy librat e autorit Uran Butka, shkrimtar dhe historian i përkushtuar në rishkrimin e historisë Kombëtare. Masakra e Tivarit dhe Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945, janë pritë me interes të veçantë nga lexuesit, veçanërisht nga ajo kategori që kërkon me ngulm rishkrimin e historisë jashtë ndikimeve politike dhe me vërtetësi shkencore.Takimin promovues e ka çelë kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, i cili e ka përgëzuar autorin Uran Butka, i pranishëm në sallë, për vërtetësinë e përshkrimit të ngjarjeve, për burimet arkivore të shfrytëzuara, për këndvështrimin realist dhe analizat e thella. Sipas Kryetarit të Vatrës, merita e historianit Butka qëndron tek vërtetësia dokumentare e historisë që ai ka shkruar, qoftë për Masakrën e Tivarit, qoftë për luftën vëllavrasëse në Shqipëri.Promovimi i këtyre dy veprave që peshojnë në Historinë tonë Kombëtare, merr një rëndësi të veçantë sepse me këtë rast Federata Vatra përcjell mesazhin e rishkrimit të Historisë Kombëtare, jashtë ndikimeve ideologjike e partiake, si dhe zbardhjen e të vërtetave.
Më pas Kryetari Buçaj ka paraqitë moderatorin e veprimtarisë, pedagogun Mithat Gashi, anëtar i Kryesisë së Vatrës.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, z. Gashi tha:Sot mblidhemi për të promovuar dy libra të Z. Uran Butka: “Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945” dhe “Masakra e Tivarit”.Temat e të dy librave janë të ndërlidhura, sepse dirigjentët e Luftës Civile dhe të Masakrës së Tivarit, ishin serbët, të cilët nën maskën e “internacionaliste do të jetë bota e re” ua thartuen trutë rinisë shqiptare për të luftuar për “bashkvllaznim”.
Z. Gashi, në emër të Vatrës, i shprehu mirënjohjen dhe falenderime autorit Butka, i cili mori një rrugë të largët për të qenë në mesin e vatranëve për të kremtuar Shpalljen e Pavarësisë, promovimin e librave, dhe me këtë rast ai përcolli mesazhe të qarta kombëtare. Z. Butka, theksoi Gashi, është sot me ne në promovimin e dy librave të tij, të cilët jo vetëm që e avancojnë diskursin historik, por korrektojnë shtrembërimin e historisë.
Ndër shkrime të ndryshme, tha Gashi, Masakra e Tivarit është cilësuar si Nata e Bartolomeut në Tivar, Masakra e Tivarit, Vorri i shqiptar i Tivarit, Vorri më i madh në Ballkan, Tragjedia e Tivarit, një nga ngjarjet më të dhimbshme te historisë shqiptare, etj.
Problemi, qëndron në faktin se aktorët apo përgjegjësit e krimeve, si të Luftës Civile, dhe pas saj, ashtu edhe të maskrës së Tivarit, ende nuk jane ballafaquar me një tribunë gjyqësore, të paktën për hir të historisë, tha Gashi.
Domethënse është biseda e Uran Butkës me Haxhi Lleshin, ish-ministrin e brendshëm në kohën e masakrës së Tivarit, i cili i ka thënë: “Nuk jam penduar, po të kthehej e njëjta situatë, do të veproja po ashtu”. Afërsisht një vit para Masakrës së Tivarit, në shtator te vitit 1944, në Lumë, brigada e pestë me në krye Shefqet Peçin, në pabesi pushkatoi 21 burra të një fshati. I ftuan burrat e fshatit Buzmadhe në mbledhje, i rreshtuan dhe i pushkatuan.Askush nuk ka dhënë llogari për këtë masakër.Përkundrazi, Shefqet Peçi ka deklaruar: “Po unë, kurrë nuk jam bërë pishman dhe nuk jam futur vrimave nga frika. Pas çlirimit, më vunë deputet në Lumë. Katër vjet me radhë” (Intervistë ribotuar në Ballkan, 7 korrik 2004, f. 27).
Gashi, si shembull ilustrus solli shembullin e familjes së tij:”Me ardhjen e forcave partizane të brigades së pestë në Lumë, shtëpia e gjyshit tim, Haziz Fetah Gashit, u dogj; e gjithë pasunia u konfiskue.Gjyshi kishte marrë arratinë. Pjestarët e familjes u internuen në Berat, aty ku u dërguen familjarët e kundërshtarëve të komunizmit.Nuk ishte çlirim, por pushtim nga forcat partizane, që ishin në ndjekje të “reaksionareve” shqiptarë. Në Lumë nuk kishte forca gjermane, dhe shtoj,- se në Lumë nuk kemi raste kur pushtuesi italian apo gjerman të ketë masakrue popullin ashtu siç banë forcat partizane shqiptare.”
Për Gashin, Qeveritë e Tiranës kanë pasë kohë të mjaftuesheme, afër një çerekshekulli mbas demokracisë elektorale, por nuk e ndërmorën inisiativën për të hetuar krimet e komunizmit dhe masakrën e Tivarit.Tash, shteti i Kosovës ka përgjegjësinë morale që të ngrejë një Tribunë Gjyqësore për Masakrën e Tivarit, të kërkojë se ç’ndodhi me fatin e mijëra djemëve të rinj, që u rekrutuan me forcë dhe gjetën vdekjen, duke filluar nga rrugëtimi Prizren, Kukës, Shkodër, deri në destinacionin final të zhdukjes, në Tivar. Bijtë dhe bijat kosovarë kanë të drejtën morale që të pyesin dhe të gjejnë të vërtetën se pse u lejuan djemtë e tyre të kalonin nëpër tokat e “nënës” Shqipëri? Cila ishte marrveshja mes Tiranës dhe Beogradit? Pse ndodhi tragjedia? Kush janë përgjegjësit?
Më pas e ka marër fjalën Asllan Bushati, zv/kryetar i Vatrës.Ai u përqëndrua në analizën e librit të Uran Butkës“Lufta civile ne Shqipëri 1943-1945”.
Në fillim të diskutimit të tij z. Bushati tha se një nga polemikat më të ashpra të këtyre 25 viteve të pas regjimit totalitar në Shqipëri,( në fushën e historisë), ka qenë përgjigja e pyetjes se ka patur apo nuk ka patur luftë civile në vitet 1943-1945? Qëndrimi për këtë problem i ka ndarë historianët e studiuesit , madje dhe politikën, në dy kampe, me dy qëndrime krejt të kundërta.
Për Bushatin, ish deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe studiuesi e hulumtuesi Uran Butka, është një prej atyre personaliteteve që ka dhënë një ndihmesë të vyer në sqarimin e kësaj dileme . Ai me argumente i është përgjigjur kësaj pyetje të shtruar për zgjidhje, me një “ po “ të madhe, duke i çjerrur kështu maskën historiografisë komuniste që manipuloi e tjetërsoi të vërtetat e kësaj periudhe.
Merita e studiuesit Butka, në këndvështrimin e Bushatit, qëndron në faktin se ai, me një metodë të hollë katakiste,(ku autori, pyet dhe përgjigjet vetë), dhe me një skeme të mirëmenduar analitike, ka shtruar platformën ”Teza dhe kundër teza për luftën antifashiste”. Ai thekson si tezë të parë:”Lufta antifashiste e popullit shqiptar – Kundërteza: Lufta Nacionalçlirimtare”.Duke u nisur nga ky këndshikimi , autori për tezë thekson se:”Me pushtimin e Shqipërisë nga okupatorët italianë e më pas gjermanë, lindi qëndresa dhe lufta antifashiste e popullit shqiptar kundër tyre, në krah të aleatëve të mëdhenj Antifashistë. Në këtë luftë çlirimtare kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmuar gjithë faktorët antifashistë, ndaj dhe duhet të quhet saktësisht “Lufta antifashiste e popullit shqiptar”.
Si kundërtezë autori thotë se :”Enver Hoxha ky manipulator i madh i historisë, ngriti dhe lartësoi mitin e Luftës Nacionalçlirimtare si luftë e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë”. kur “Në fakt,lufta Nacionalçlirimtare është pjesë e Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, siç është edhe lufta antifashist e çetave të Ballit Kombëtar, Legalitetit, lëvizjeve Kryeziu e Muharrem Bajraktari dhe të aktorëve të tjerë, për aq sa kanë kontribuar”.
Më pas, z. Bushati, duke iu referuar autorit, e cituar librin,solli shembuj, bëri komente, solli teza dhe kundërteza për luftën.
Gazetari Andon Dede i vlerësoi maksimalisht librat e Uran Butkës, duke u ndalur tek Lufta Civile, libër që ai e kishte lexuar. Në këndvështrimin e Dedes, rishkrimi i Historisë, është emergjencë kombëtare, por jo nga ata që e shkruan dje. Ajo duhet shkruar nga historianët e pa ndikuar nga politika.
Editori i Diellit, Dalip Greca, ka analizuar masakrën e kryer nag Brigada e Parë Sulmuese me Mehmet Shehun në fshatin Matjan të Lushnjës. Kjo masakër, tha ai,e përshkruar me hollësi në librin e z. Butka, përbën një nga targjeditë e luftës vëllavrasëse dhe vërteton pse Lufta e ashtuquajtur Nacionalclirimtare ishte Luftë civile. Greca, tregoi me fakte se si ai dhe forcat demokratike në Lushnje, në drejtimin e shoqatës të përndjekurve politikë,kryetarit të athershëm Esat Coku, gjetën eshtrat e 68 burrave të masakruar dhe se si i varrosën ata në një ceremoni madhështore, pranë varrezave të dëshmorve të Lushnjës.
Muhamet Omari, që e mori fjalën më pas, vlerësoi të dy librat e autorit, duke i cilësuar ato si boshti i rishkrimit të historisë Kombëtare. Ai tha se lufta partizane është glorifikuar dhe numri i dëshmorëve është shumëfishuar duke iu larguar të vërtetës.Ishte fatkeqësi për nacionalizmin shqiptar, dirigjimi i jugosllavëve, të cilët ishin atashuar pranë shtabeve partizane, dhe ata diktuan luftën vëllavrasëse që u erdhi për shtat Enverit me shokë. Në këndvështrimin e Omarit, Partia Komuniste Jugosllave ishte Nacionaliste, ajo e Shqipërisë Internacionaliste.Lënia e Kosovës nën Jugosllavi është krim Kombëtar i komunsitëve shqiptar. Për Omarin, trashgimtarja e Partisë Komuniste Shqiptare, Partia Socialiste, duhet ta analizojë atë periudhë dhe të mbajë qëndrim, ndryshe ajo bëhet bartëse e atyre krimeve.
Studiuesi Idriz Lamaj, në analizën që u bëri librave të z. Butka, vlerësoi kontributin e tij, përkushtimin dhe saktësinë shkencore në përshkrimin e ngjarjeve. Për të vlerësuar Luftën e ashtuquajtur Nacional Çlirimtare, duhet gjykuar realisht dhe me gjakftohtësi se çfarë roli dikutues kanë luajtë Jugosllavët, Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha e të tjerë emisarë pranë Enver Hoxhës. Studiuesi Lamaj, që ka pasë fatin të ishte bashkëpunëtor me nacionalistë të dorës së parë, si Prof. Rexhep Krasniqi, Ing. Xhaferr Deva e të tjerë, solli për të pranishmit një fragment nga analiza që i bënte Rexhep Krasniqi kohës së Luftës civili, që kishte për ideatore PKSH. Prof. Rexhep Krasniqi shkruante:”Menjëherë pas prishjes së marrveshjes së Mukajt, Gusht 1943, partia komuniste e Shqipërisë, sigurisht me shtyrjen e organizatorëve të saj jugosllavë, fillon një fushatë të ashpër propagandistike dhe të vëllavrasjes, sidomos kundër anëtarëve të Ballit Kombëtar.Njëkohësisht komunistët organizojnë një fushatë të gjërë, përshpëritjesh të shtypit të tyre kundër Kosovës dhe kosovarëve me qëllim të kalkuluar për të diskretituar idenë e Shqipërisë etnike, me të cilën Balli Kombëtar kishte fituar një plus në popull. Fushata në fjalë arriti kreshcendo, pas formimit të qeverisë së re dhe humbjeve luftarake dhe propogandistike që pësoi Lëvizja bolshevike në Shqipëri, humbje në të cilat personalitetet politike intelektuale kosovare ashtu edhe regjimenti Kosova kishin luajt një rol me rëndësi të dukshme….” Analiza e Prof. Krasnqit për përmasat e luftës Civile, e publikuar në librin e Idriz Lamaj”Xhaferr Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të Mërgatës”, mbetet aktuale.
Gjatë promovimit ka ndërhyrë dhe ka sqaruar shumë momente historike autori Uran Butka.
Në fund ai iu përgjigj pyetjeve nga salla. Ndërhynë, pyetën dhe diskutuan: Lek Përlleshi, Ramadan Gashi, Hakik Mena, Ahmet Hoti, Darion Gjonmarkaj, Prend Qeta, Sajmira Ballabani-Dedja, Dardanesha Gashi, Haxhi Dauti, Hasan Kostreci, Sajmir Dashi, Nazo Veliu, Zef Përndocaj e të tjerë.
Z. Butka falenderoi Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra, kryetarin Buçaj dhe të gjithë ekipin, që i dhanë mundësi që të promovonte në Nju Jork librat “Masakra e Tivarit” dhe “Lufta Civile 1943-1945” si dhe të ndante mendimet me vatranët.
Ne pergjigje te titullit:Perse Vatra i promovoi keto dy libra te studiuesit Uran Butka? Per te percjelle dy mesazhe: Se pari:Ka ardhe koha qe Masakra e Tivarit te zbardhet nga historianet,pavaresisht implikimit te shtetit shqiptar ne aleance me ate Jugosllav. Nga ana e tij shteti i Kosoves te nderoje bijte e vet, te ndertoje nje Memorial ku te shkruhen emrat e viktimave dhe vendekzekutimi i te pafajshmeve te mund te tregoje kriemte komunizmit dhe nacionalizmit te shfrenuar.
Se Dyti, Per luften vetvrasese civile, ne Shqiperi,Historianet te clirohen nga vargojte e politizimit dhe te shkruajne nje Histori per te gjithe Kombin shqiptar.

Filed Under: Vatra Tagged With: librat e Uran Butkes, Lufta Civile, Masakra e Tivarit, pse i promovoi, Vatar

JA SI URDHEROI ENVER HOXHA:”VRISNI KOSOVARET”!

March 31, 2013 by dgreca

Masakra e Tivarit, Uran Butka: Enveri urdhëroi, “vrisni kosovarët”/

Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së vërtetës.
Shteti jugosllav, megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithsesi ka nxjerrë disa konkluzione dhe disa përgjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar, i implikuar në këtë kasaphanë, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysmë shekulli, duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë.
Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar.
Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.” Për Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, herzegovinas, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare. Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim konkret i PKJ dhe i Lëvizjes NÇJ ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë” (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1)
Ky gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaromadh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundërrevolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.
Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithi më këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të PKJ dhe të Ushtrisë NÇJ. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.
Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë, gjeneral-lejtnant Peko Dapçeviç.
Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V.Stoiniç, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç. (Arkivi i FA, F.Shtabi i Përgj.)
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Pasi vrau me mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (1943-1944), komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, më 12 shtator 1944, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. (Dokumente, Shtabi Përgj., vol.II)
Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH-së për Korpusin I:
“Lajmëro Pavlen ( Pavle Joviçeviç, shën. im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!” (AQSH, Fondi 14)
Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:
“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”( AQSH, F.14)
Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste, si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit, e më pas “Besa Kombtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij kombëtare.
Në këto kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.
E. Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.” (Arkivi i FA, dosja 45, v.1944)
Në muajin nëntor 1944, u angazhua në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI ( brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Komisari politik, Ramiz Alia thotë në një intervistë se ka qenë në Bosnjë kur ndodhi masakra. Nuk është e vërtetë. Në 3 mars 1945 ai dhe Divizioni V ndodheshin në Mitrovicë, mandej në gjithë Kosovën. (Dokumenti i datës 3.03.1945 i Shtabit të Përgjithshëm)
Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në urdhërveprimin e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:
“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet…” (AQSH, Fondi.181, d.45)
Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviç. (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411)
Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës VII kosovare që u nis për në Srem, ishin prologu i masakrës së Tivarit.
Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito, pushteti ushtarak.
Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe derisa u bënë zgjedhjet, ku fitoi Fronti NÇ i Jugosllavisë. E konfirmojmë këtë edhe me Radiogramin e Reiz Maliles, zv.komisarit të Divizionit V: “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë.”
Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e divizioneve e brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që u vunë nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivore, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonët) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar.
Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI, nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim, si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e Divizioneve V dhe VI te ushtria jugosllave.
Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës.
Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë.
Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar. (AQSH, F.14, d.206, v.1945)
Po kështu edhe lista të Divizionit VI dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin te ushtria jugosllave.
Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.(AQSH, F.206, v.1945)
Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, që besonin tek thirrjet e Komandës së Divizioneve V dhe VI të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht Oznës dhe komandës Ushtarake Jugosllave dhe përfundonin si mish për top në kolonat e vdekjes, që ushtria jugosllave i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar apo më tutje..
Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, tregonte se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhej të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit.
Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut 13.323 rekrutë shqiptarë. Nuk kishte asnjë rekrut serb, malazez apo maqedonas. Përse? Dihet, për të asgjësuar vetëm shqiptarë. Përse i kaluan nëpër territorin e Shqipërisë, kur kishin edhe rrugë të tjera për në Istria? Për t’i asgjësuar bashkërisht me ushtrinë shqiptare. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur ‘Golgota e madhe Shqiptare’”- konstatonte Zekeria Cana.
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945:
“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.( Arkivi i Luftës i Jugosllavisë, k.1411)
Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:
“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (Ark.Min.Jashtme, v.1949, D.191)
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu:
“Xhelatët e Rankoviçit-it, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo, një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin” ( B. Spahiu, Pretenca në gjyqin e K.Xoxes, 1949)
Autorizimin (lejen) për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e mëse 1000 kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë ia faturuan Koci Xoxes, si një kokë turku, për t’ia ngarkuar atij gjithë përgjegjësitë e kësaj masakre.
Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.
Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes. (Arkivi MB, D.1623)
Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare.
“Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini, – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë, dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”( A.Hajdini, Letër e hapur)
Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie, kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj.

“Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare, dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!” (A.Hajdini, Masakra e Tivarit)
Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër; gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish.
Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë.
Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur, për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë.
Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.
Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve, rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviç.

Edhe nga kolonat e tjera, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën.
Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 – 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por sipas dëshmive të të mbijetuarve, ky numër i kalon të 4.000-jët. Nga këta, sipas dokumenteve të Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër. Sipas Azem Hajdinit dhe dëshmitarëve të tjerë, nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën 1500 shqiptarë të Kosovës. Heshtja 50-vjeçare e shtetit komunist shqiptar dhe e udhëheqjes kriminale hoxhiste, por edhe e udhëheqësve të Kosovës, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha etj., ishte një përpjekje tjetër për të fshehur të vërtetën dhe bashkëfajësinë në këtë masakër ndaj bashkëkombësve të tyre.

Për shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjegjësi, nuk janë nxjerrë mësime, përkundrazi, janë vlerësuar e nderuar ekzekutorët e saj dhe krimi është fshehur.
Ndaj edhe është përsëritur në përmasa edhe më të mëdha, deri në ditët tona.
Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish.
Një komb nuk mund të jetë plotësisht i lirë nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët.

Krimet, me përmasa, implikime dhe pasoja tragjike kombëtare e ndërkombëtare, si Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar, drejtpeshuar e gjykuar drejtësisht, jo vetëm që të zbulohet e vërteta historike, por edhe që të dalin përgjegjësitë dhe të ndëshkohet krimi, në mënyrë që ai të mos mbetet si një kërcënim, si një njollë e pashlyer, si një plagë e hapur dhe si një urrejtje vepruese midis njerëzve dhe ndërmjet popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim dhe në një mirëkuptim në rrugën drejt paqes dhe integrimit europian.

Filed Under: Histori Tagged With: e kosovareve, Masakra e Tivarit, per vrasjen, Uran Butka, urdheri i Enver Hoxhes

ULQIN: Nga Konferenca Shkencore ,,Masakra e Tivarit 1945″

March 31, 2013 by dgreca

Në Ulqin te shtunen me 30 mars u mbajt Konferenca Shkencore ,,Masakra e Tivarit 1945″, të cilën e organizoi Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi. Konferenca i zhvilloi punimet në dy seanca, ku morën pjesë shumë studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. U lexuan 16 kumtesa interesante në lidhje me këtë ngjarje të rëndë tragjike për shqiptarët që ndodhi 68 vite më parë.

Konferenca do të vazhdojë me punimet e veta edhe te dielen, më 31 mars 2013. Pas përfundimit të Konferencës, do të shkohet edhe në Tivar, të Monopoli i duhanit, në Breg të Tivarit, aty ku ndodhi kjo masakër dhe do të vendoset një kurorë me lule. Ishte kjo Konferenca e parë që organizohet për këtë ngjarje të dhimbshme, për këtë masakër, për këtë gjenocid të paparë ndaj trimave kosovarë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Konference, Masakra e Tivarit, Ulqin

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT