• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbi nënvetdijen

August 2, 2015 by dgreca

Nga Arshi PIPA/
Arsyeja është ndërgjegja e fuqizuar në maksimum te vetëndërgjegja.
Unë jo vetëm që ndiej, por e di që ndiej, e di që jam unë që ndiej. Por, jo gjithçka që është e ndërgjegjshme, është edhe e vetëndërgjegjshme. Një bimë e ndien ngacmimin e jashtëm dhe kundërvepron në mënyrën e saj, por kufizohet me aq: nuk arrin të ndiejë edhe si një qendër referimi.
Kafshët më të përparuara vetëm sa e prekin rrëshqitazi vetëndërgjegjen në shkrepëtimat kalimtare të inteligjencës së tyre. Ndërgjegja e tyre, zakonisht, nuk i çon përtej gjendjes që i bën të ndihen organ i species së cilës i përkasin; por ndërgjegja e species është e pamjatueshme për të formuar vetëndergjegjen, e cila është ndërgjegje individuale.
Ndërgjegja lulëzon nga lart në shpirt; nga poshtë, ajo e thellon rrënjët e veta në jetën pa ndërgjegje, në nënvetëdijen dhe në pavetëdijen. Këto dy koncepte të fundit nuk kanë të njëjtën vlerë. Është pavetëdija e gurit që bie, dhe është pavetëdija e njeriut të cilit i bie të fikët. Është pavetëdija e të vdekurit dhe pavetëdija e kafshës në letargji. Ndryshimi bie në sy. Pavetëdija është absolute në njërin rast, por relative në tjetrin, ose, siç thotë Bergson-i, i cili e ka analizuar me shumë mprehtësi çështjen, është nul në rastin e parë, por vetëm e anuluar në rastin e dytë. Ndërgjegja e ndrydhur, sidoqoftë, ruhet, por në një gjendje latente; prandaj duhej të quhej nënvetëdije. Është e pamundur që ndërgjegjja të ruhet e plotë, e pranishme tek individi; nevoja e veprimit bën që ajo të dendësohet në një zonë më të ndriçuar, si te një lloj vatre e zonës së ndërgjegjshme, duke lënë pjesën që mbetet si në një gjysmë errësirë. Por errësira ndeshet vetëm, aty ku mbaron gjysmë-hija, që është kufiri i materies bruto, dhe as aty madje medoemos.
Pavetëdija, doemos, i përket vetëm kësaj të fundit; gjithçka që jeton, kur njeriu pushon së qeni i ndërgjegjshëm, gjendet e zhytur në oqeanin e nënvetëdijes.
Po të jetë e vërtetë se, çdo gjë që kalon, gjithashtu ruhet, njeriu, prodhimi i fundit i evolucionit, duhet ta ketë ruajtur në nënvetëdijen e tij gjithë përvojën e jetës që ka rrjedhur deri tek ai. Gjurmë të pashlyeshme instinkti shtazor dhe mpirje vegjetative gjenden të ngulitura në ndonjë pjesë të trupit të tij. Dhe manifestohen me intervale, rastësisht, gjatë atyre gjendjeve psikike që rrjedhin drejtpërdrejt nga nënvetëdija, siç janë ëndrrat apo gjendjet patologjike. Janë mesazhe të një bote të huaj që dikur ka qenë jona, mesazhe të çuditshme, që na habisin duke mos qenë aktualë dhe të përshtatshëm, por që hedhin dritë në thellësinë e errët ku kanë rrënjët, tendencat dhe afektet themelore.
Po të mendohet tashti se mosha e arsyes është vetëm disa mijëravjeçare, në krahasim me miliona vjet që kur njeriu u shfaq në tokë, nuk është për t’u habitur që arsyeja jonë të influencojë kaq pak te njerëzimi, i sunduar nga vala e pasioneve atavike.
Arsyeja është vetëm lëvozhga, po çfarë thellësie fshihet nën të! Si një bimë ujore, vetëm maja e së cilës lulëzon në sipërfaqe, por që kërcelli i saj laget në thellësi poshtë, gjithnjë e më poshtë, deri te trualli ku shpërndan rrënjët e veta, kështu është edhe për jetën tonë psikike. Mbretëria e nënvetëdijes është e stërmadhe në krahasim me shtresën e ndërgjegjshme dhe e kushtëzon këtë.
***
Nënvetëdija mund të konceptohet sipas një shkalle të dobësimit gradual të lajmërimit shqisor, nga kufijtë e ndërgjegjes te kufiri i pavetëdijes. Nga lart, ajo kufizohet me atë që është forma më e ulët e ndijimit, ndijimi i të prekurit. Një përvojë të kësaj e gjejmë në kontaktin seksual. Këtu, trupi është në kontakt të menjëhershëm me trupin, me trupin si tërësi; është vetëm një përqëndrim i pjesshëm i ndijimit në një pjesë të posaçame të tij, kurse pjesa tjetër është e shpërndarë në të gjithë lëkurën.
Këtu, trupi nuk sheh, nuk dëgjon, vetëm prek. Është jeta e verbër, e shurdhër, memece, që përpiqet të riprodhohet, jeta shtazore më e ulët, karakteristikë e materies organike në fazat e para të evolucionit të vet, që është në kufi me nënvetëdijen e jetës vegjetative. Kalimi, në fakt, nga kjo lloj ndërgjegjeje te mungesa e saj – gjë që ndodh ndonjëherë në kontaktin seksual- është shumë i lehtë.
Mbretëria e nënvetëdijes është karakteristikë e bimës. Instinkti e di atë që bën, madje e di shumë mirë; si mund të vepronte ndryshe ai me kaq përsosmëri?! Po vetë bima, çfarë di? Diçka do të dijë dhe ajo, sigurisht: të ndjekë drejtimin e dritës për hapur gjethet, ashtu si dhe të fusë rrënjët e veta në tokë për të nxjerrë ushqimin. Kështu, ajo e krijon jetën nga lënda organike. Dhe në kohën kur e krijon, duhet të ndiejë edhe ajo diçka, por është një ndjesi e përhapur në të gjithë trupin e saj dhe pa asnjë organ të veçantë ku të përmblidhet dhe të përqendrohet. Bima jeton si në një gjumë të vazhdueshëm, gjatë të cilit nëpërduket ndonjëherë një ëndërr që e shkund nga plogështia. Rrezen e parë të dritës, që vë në lëvizje aktivitetet e saj të fotosintezës, ajo sigurisht që duhet a ndiejë; dhe, a nuk është ndoshta një mënyrë e të ndjerit ajo fëshfërimë e lehtë e gjetheve të saj në përgjigje të puhisë? Edhe ajo i njeh, gjithashtu, në mënyrën e saj, pasionet: kur furtuna përplaset mbi të, ajo i lëviz gjymtyrët e saj. Dhe një ndjenjë jete të brendshme ajo duhet ta ketë, bashkë me reagimin ndaj së jashtmes. Pranvera e zgjon nga gjumi: bulëzimi dhe lulëzimi i degëzave të saj është si një himn gëzimi për jetën. Dikush do të mundë, një artist sigurisht, duke ia vënë veshin rilindjes së saj, të kompozojë një melodi duke dëgjuar tingujt e lehtë që lëshon lëkura e saj kur kriset për të mugulluar. Dhe era delikate, dhe aroma që lëshojnë lulet e frytet e pjekura, a nuk janë, ndoshta, një mënyrë për t’u folur ndijimeve të kafshës dhe të njeriut? Këtë dëshiron bima: përndryshe, përse aq shumë “corrispondenza d’amorosi sensi” (përputhje ndjenjash dashurie, Foscolo)?
Në ëndrrën e vet bima dëshiron zgjimin e ndërgjegjes, ashtu siç dëshiron kafsha inteligjencën, ashtu siç e dëshiron njeriu Zotin. Duke ngulur rrënjët e saj në lëndën bruto, duke ia hapur organet e veta perceptuese ajrit, bima, ky mekanizëm elastik i krijimit jetësor, ia transmeton jetën e vet kafshës dhe njeriut, duke sjellë me vete thelbin e lëndës dhe sekretin e vet të pavetëdijes, që vetëm ajo mund ta ketë në mënyrë të përshtatshme. Kështu, nëpërmjet eksperiencës së bimës, që njeriu e bën të vetën, këtij i jepet mundësia për të prekur kufirin e nënvetëdijes dhe për ta tejkaluar atë.

Filed Under: Editorial, ESSE Tagged With: Arshi Pipa, Mbi nënvetdijen

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT