Korrespondenti i gazetës Dielli në Kosovë Behlul Jashari njofton se të hënën në Pejë do të mbahet mbledhja e radhës së dy qeverive shqiptare, qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë. Aktiviteti i parë në fakt nisi që sot, të Dielën me 25 Nëntor me zbulimin e shtatoreve të patriotëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ishin pjesëmarrës drejtuesit e dy shteteve, përfshi Presidentin Meta, Kryeparlamentarin Veseli dhe dy kryeministrat Haradinaj dhe Rama.
Ky është takimi i pestë mes dy qeverive që nga fillimi i këtij bashkëpunimi zyrtar. Ndër marrëveshjet kryesore që pritet të arrihen në këtë takim të pestë, është ajo e lehtësirave doganore mes dy vendeve, si dhe heqja e tarifës së romingut. Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës në Pejë më 26 Nëntor, do të jetë e pesta e kësaj tradite që ka nisur nga Prizreni, më 11 Janar 2014.Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur në mbledhjen e qeverisë së Kosovës se ka kërkuar nga shteti shqiptar uljen e tarifës në Rrugën e Kombit, që Kosova e konsideron të lartë. Gjithëesi le të presim ditën e nesërme për të mësuar më shumë rreth këtij takimi që ka mbi vete shumë vëmendje, vecanërisht edhe për shkak të Vendimit të qeverisë së Kosovës për taksimin e mallrave serbe dhe boshnjake, c’ka hap më shumë hapsirë për bashkëpunim ekonomik mes dy shteteve shqiptare.