• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Rezolutë për dialogun me Serbinë

December 16, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës votoi rezolutë për dialogun me Serbinë: Procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në: njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO/
1 Behlul Kuvend.JPG
 
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 15 Dhjetor 2018/ Kuvendi i Kosovës mbrëmjen e sotme në një seancë të jashtëzakonshme votoi me 59 vota pro e 2 abstenime një rezolutë për procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel.

“Kërkesa e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ishte pika e vetme.Në emër të propozuesit Visar Ymeri, nga PSD-ja, e prezantoi Projektrezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Në këtë projekt-rezolutë thuhet se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në: njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO. Ky dokumentacion e përkufizon qartë se Kushtetuta, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar i Kosovës, janë të pacenueshme dhe të patjetërsueshme”, theksoi Ymeri.Deputeti Ymeri, prezantoi emrat e anëtarëve që do të përbëjnë delegacionin.

Sipas tij, Shpend Ahmeti nga PSD dhe Fatmir Limaj nga NISMA-s do ta kryesojnë dialogun, ndërsa, anëtarë tjerë do të jenë: Enver Hoxhaj PDK, Avni Arifi nga AAK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Ygcilar nga 6+, Dardan Gashi, zëvendëskryeministër, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy vendet do të jenë të lira për LDK-në dhe Vetëvendosjen. Deri në plotësimin e tyre, pjesë e delegacionit do të jenë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, të dy nga PSD.Seanca vijoi, me qëndrimet e grupeve parlamentare, të pranishëm në seancë. Memli Krasniqi në emër të PDK-së, Dukagjin Gorani në emër të PSD-së, Ahmet Isufi në emër të AAK-së, Bilall Sherifi në emër të Nismës dhe Albert Kinolli nga Grupi parlamentar 6+, i dhanë mbështetje rezolutës së propozuar.

Rezoluta u përkrah edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit.

 Më parë, po sot, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën.“Konform kërkesës së deputetëve dhe praktikave të deritashme, Kryesia vendosi që seanca të mbahet sot, në orën 14:00”, thekontr njoftimi i dërguar nga Kuvendi i Kosovës pas mbledhjes. Por, seanca nuk nisi në kohën e paralajmëruar në mungesë kuorumi dhe nisi pas orës 18:00, me 61 deputetë të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh.

Dy partitë më të mëdha opozitare, LDK e LVV nuk morën pjesë në seancë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Rezolutë, me Serbinë, për dialogun

NJË KËSHILL I PËRBASHKËT PËR BISEDIMET ME SERBINË

May 7, 2018 by dgreca

2 ok Harry

Nga  Harry Bajraktari*/

Kosovën në muajt e ardhshëm e presin ditë të vështira rreth vazhdimit të bisedimeve politike në mes Prishtinës dhe Beogradit. Këto bisedime me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane në Bruksel, pritet të zgjidhin kontestet kryesore që ekzistojnë në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Me Serbinë po negociohet më shumë se dy vjet, dhe për një mori çështjesh janë nënshkruar disa marrëveshje nga pala kosovare dhe ajo serbe. Problemi i këtyre marrëveshjeve të arritura, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane, konsiston në faktin se Beogradi nuk po e bën implementimin e tyre, përkundër zotimeve që ka dhënë në Bruksel. Në anën tjetër akuzon Prishtininën për ngecjen e tyre, gjë që nuk është e saktë as e vërtetë. Politika serbe kur është në pyetje çështjeje e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, gjithnjë nxjerrë pretekste të ndryshme, të pa qena për të gjetur diçka që të refuzojë implementimin e tyre, duke i kushtëzuar ato me probleme të tjera të inskenuara.

Nisur nga fakti se dialogu në mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë një  fund, e jo zvaritje të pakufishme, tani Bashkësia Evropiane, si duket, do të ndërmerrë hapa më serioz që këto negociata të përfundojnë në vitin 2019, ku do të nënshkruheshin marrëveshjet përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Një gjë është e qartë se vazhdimi i dialogut në muajt e ardhshëm do të jetë shumë i vështirë dhe i kompiluar, duke i marrë parasysh pretendimet e Serbisë që të mos e njoh Kosovën si shtet, e në anën tjetër të bëjë përpjekje të hyjë në Bashkësinë Evropiane.

Dukue pasur parasysh situatën aktuale politike rreth dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, unë, me këtë rast, dua të shpreh opinionin tim për domosdoshmërinë për formimin e një Këshill të përbashkët nga të gjitha partitë politike parlamentare, ku do të merrnin përgjegjësinë politike rreth dialogut dhe marrëveshjeve të nënshkruara. Një Këshill të kësaj natyre e pat krijuar edhe ish presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova gjatë bisedimeve në Vjenë që zgjatën nga 2005-2007 nën hudhëheqjen e presidentit Athisari.

Mendoj se në këtë Këshill të përbashkët do të duhej të merrnin pjesë Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare që janë sot në parlament. Vetëm me një pjesëmarrje të tillë do të jemi të fortë dhe të barabartë në bisedimet e zorshme me Serbinë në Bruksel, në të kundërtën, në çfardo mënyre që të nisemi për atje, do të jemi të dobësuar. Kur është çështja shtetëror e kombëtar, kapërcimi i interesave partiake, grupore dhe individuale, është i domosdoshëm. Me asgjë nuk mund të arsytohet refuzimi e ndonjë subjekti politik në këtë situatë.

Çështja e formimit të Bashkësisë së Komunave serbe, ku Bashkësia Europiane ka caktuar një afat, do të jetë ndër problemet e ndërlikuara të këtyre bisedimeve. Derisa Beogradi kërkon qe Asociacioni i Komunave serbe, të ketë kompetenca ekzekutive, Kosova duhet të jetë e prerë që kjo bashkësi komunash të krijohet sipas bazës kushtetuese të Republikës së Kosovës, e jo të lejohet që brenda saj të sajohet një Republikë sebe, si ajo në Bosnje, apo çfardo autonomije tjetër që pretendojnë serbët, veç asaj sipas ligjeve të Kosovës.

Pra ekipi i Kosovës, i formuar sipas kësaj skeme të përbashkët, garanton siguri dhe besushmëri para qytetarëve të Kosovës në këto bisedime me Serbinë, ku Beogradi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në fund të dialogut duhet ta njohë shtetein e Kosovës ndërkombëtarisht.

 

*Autori është veprimtar dhe bisnesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerken dhe themelues i gazetës Illyria.

 

New York, 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Bisedimet, harry bajraktari, me Serbinë, NJË KËSHILL I PËRBASHKËT PËR

Qëndrimi unik i Kosovës për dialogun me Serbinë

April 12, 2017 by dgreca

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës me mbështetjen e Institutit Demokratike të Kosovës kanë ndërmarrë një nismë për analizimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aty u kërkua unifikimi i qëndrimeve parlamentare në raport me këtë dialog, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

“Kuvendi duhet ta luaj rolin e vet të pakontestueshëm në këtë proces”, ka thënë kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, për këtë qëllim, ky Komision i ka ftuar kryetarët dhe përfaqësuesit e komisioneve tjera parlamentare që të krijohet një koordinim mes tyre rreth këtij procesi.

“Dialogu duhet të jetë çështje mbi partiake rreth të cilit duhet ndërtuar një konsensus partiak e shtetëror”, ka thënë ai.

Aktualisht, Kuvendi ka në fuqi Rezolutën për pezullimin e dialogut me Serbinë deri në lirimin dhe kthimin në Kosovë të Ramush Haradinajt, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht në Franca, mbi bazën e një procesi ndaj tij, që vjen si rezultat i një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri tha se dialogu duhet të ristrukturohet dhe riformatohet.

“Me Serbinë duhet të ketë dialog ndërshtetëror”, tha Mustafa.

Kurse bisedimet me serbët e Kosovës, sipas tij, duhet të përqendrohen në raportet e brendshme me këtë komunitet.

Ndërkaq kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk e mbështet formën aktuale të dialogut në Bruksel.

“Mendojmë që është koha e fundit që ne si Kuvend, deputetë apo parti politike, ta kemi qëndrimin e qartë rreth këtij dialogu, sepse është me rëndësi që i gjithë procesi të rishqyrtohet, përfshi edhe secilën marrëveshje të arritur në të”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, si rezultat i dialogut janë thelluar ndarjet dhe paralelizmat në Kosovë, çka e kanë bërë jofunksional shtetin e Kosovës, duke tërhequr vërejtjen se me krijimin eventual edhe të Asociacionit të komunave serbe, atëherë do të ndodhte edhe ‘bosnjëzimi i Kosovës’.

Si konkluzion, ajo tha se dialogu nuk i ka inkuadruar serbët në institucione, por vetëm sa e ka shtuar ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe e ka bllokuar Kosovën në procesin e shtetëndërtimit.

“Është koha e fundit që ne ta ndalojmë këtë dialog”, ka thënë Haxhiu.

Kohë më parë, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një Rezolutë me të cilën e ka pezulluar dialogun me Serbinë deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

Por, pas datës 27 prill, kur në Colmar do të zhvillohet seancë gjyqësore ndaj Ramush Haradinajt, deputeti Elmi Reçica tha se pritjet janë që lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj do të lirohet dhe më pas, Kuvendi duhet të marr vendim të ri në lidhje me vazhdimin e këtij procesi, i cili po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Haradinaj aktualisht po qëndron në Francë, nën masën e lirimit me kusht.

Ai po i nënshtrohet një procesi gjyqësor në Colmar të Francës, ku po shqyrtohet kërkesa e Beogradit për ekstradimin e tij në Serbi.

Prokuroria Speciale e Serbisë pretendon se Haradinaj ka kryer krime lufte, ndërkohë që Haradinaj dhe institucionet në Prishtinë kanë vlerësuar se ky është një proces i motivuar politikisht nga Beogradi.(RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: me Serbinë, për dialogun, Qëndrimi unik i Kosovës

Kosova raport BE-së për dialogun në Bruksel, me Serbinë

June 16, 2016 by dgreca

-E vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe rolin e saj lehtësues në këtë dialog, si dhe mbështetjen e plotë nga SHBA-ja, Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të BE, thuhet në përmbledhjen ekzekutive të nënshkruar nga Ministrja për Dialog Edita Tahiri/

 Prishtinë, 16 qershor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik, i cili ofron një vlerësim mbi gjendjen aktuale sa i përket dialogut të Brukselit, i cili mbulon periudhën nga1 janari deri më 14 qershor të vitit 2016. Ky raport vlerëson progresin e përgjithshëm dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit si dhe trajton secilën marrëveshje në aspekt të detyrimeve të palëve përkatëse të marra gjatë dialogut të Brukselit. Raporti është i nënshkruar nga Ministrja për dialog, Edita Tahiri, njëherësh Kryenegociatore në Dialogun e Brukselit.

 Në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti ndër të tjerash thuhet:Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton rëndësi të madhe dialogut të Brukselit  sepse ky dialog kontribuon në paqe dhe stabilitet në rajon, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, si dhe kontribuon në avancimin e qëllimeve tona drejt integrimit euroatlantik të Kosovës për të mirën e qytetarëve. 

Dialogu i Brukselit ka kontribuar në avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian. Kosova filloi rrugëtimin e saj zyrtar drejt integrimit në BE me rastin e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, marrëveshje kjo e cila ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti. BE-ja ka marrë vendim për rekomandimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke realizuar kështu ëndrrën e tyre për lirinë e lëvizjes, si evropianët më të rinj. Këto janë arritje të mëdha të cilat e vërtetojnë suksesin e Kosovës në përmbushjen e standardeve të kërkuara evropiane, njëkohësisht marrim përsipër më shumë përgjegjësi dhe motivim më të madh për t’i çuar përpara reformat evropiane në vend. 

 Në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, kjo periudhë raportuese nuk ka shënuar ndonjë përparim substancial. Kosova ka qenë efektive në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe ka bashkëpunuar ngushtë me BE-në për ta çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjeve. Megjithatë, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Serbinë e cila praktikisht ka bllokuar procesin e zbatimit, duke mos bërë ndonjë lëvizje të rëndësishme në përmbushjen e detyrimeve të saj. Kjo sidomos në lidhje me marrëveshjen  për kodin shtetëror për Kosovën dhe marrëveshjen për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT), të dyja këto marrëveshje janë bllokuar nga Serbia. Këto dy marrëveshje janë të një rëndësie të madhe për Kosovën dhe kanë qenë në tryezën e negociatave për më shumë se pesë vjet. Serbia ka vonuar edhe heqjen e barrikadës (“Parkut të paqes”) nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për shkak se BE-ja nuk ka qenë në gjendje të fillojë revitalizimin e urës, për të cilën është rënë dakord të përfundojë jo më vonë se në qershor të vitit 2016. Si përgjigje ndaj këtyre bllokadave, Kosova nuk ka ndërmarrë ndonjë hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin.  

Më 1 mars të këtij viti ishte rënë dakord që ITU-ja të ndaj kodin shtetëror telefonik për Kosovën (383). Austria ka aplikuar me kohë për kodin shtetëror telefonik të Kosovës në ITU (në janar të këtij vitit). Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj rreth zbatimit, por Serbia bllokoi procesin duke mos përmbushur pjesën e saj të obligimeve. 

Sa i përket energjisë, më 1 tetor të vitit 2015, Kosova/KOSTT nënshkroi marrëveshjen me ENTSO-E, një marrëveshje që përcakton që KOSTT të operojë si një sistem i pavarur i transmisionit, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për energjinë. KOSTT duhej të fillonte së operuari si një sistem i pavarur që në muajin shkurt, megjithatë, Serbia ka bllokuar këtë proces pasi që nuk ka arritur të regjistrojë një kompani të re për furnizim me energji elektrike në pajtim me ligjin e Kosovës, siç parashikohet nga marrëveshja për energjinë.

 Padyshim, Serbisë i mungon vullneti politik për ta respektuar marrëveshjet e Brukselit për telekomin dhe energjinë, gjë për të cilën dëshmon historia pesëvjeçare e negociatave për këto dy çështje. Pa rezultate ka qenë edhe përpjekja e fundit për rrugëdalje nga BE-ja, përmes marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015, marrëveshje të cilat kishin për qëllim përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve për telekom dhe energji, të nënshkruara në vitin 2013. Asnjë justifikim që Serbia mund të përpiqet ta paraqesë duke përdorur pretekstin e zgjedhjeve në Serbi të mbajtura më 24 prill të këtij viti nuk qëndron, sepse afatet zbatuese (në fakt, afatet e zgjatura) kanë qenë para periudhës së zgjedhjeve atje.

 Qeveria e Republikës së Kosovës e ka informuar rregullisht BE-në për bllokadat e lartpërmendura nga Serbia dhe, megjithëse kemi kërkuar nga BE-ja që të shtoj përpjekjet e saj për zhbllokimin e këtij procesi, për fat të keq nuk është arritur ndonjë progres deri më tani. Ana pozitive është se BE-ja ka njohur performancën e Kosovës në përmbushjen e obligimeve zbatuese. BE-ja ka bërë të gjitha përpjekjet për zhbllokimin e procesit dhe po vazhdon ta bëjë këtë. Për këtë qëllim, BE-ja ka organizuar disa takime teknike në Bruksel në përpjekje që të arrihet një përparim drejt zbatimit, por, këto takime vetëm sa treguan edhe një herë mungesën e vullnetit politik nga ana e Serbisë për t’i përmbushur detyrimet e saj. 

 Si përgjigje ndaj bllokadave të Serbisë, Kosova e ka bërë të qartë se nuk do të ndërmerr asnjë veprim për zbatimin e Marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se Serbia të heq bllokadën për kodin telefonik për Kosovën dhe funksionimin e pavarur të KOSTT-it, si dhe para se të largohet barrikada nga Ura e Ibrit në Mitrovicë. 

 Qeveria e Kosovës deklaron se sapo të largohen bllokadat e lartpërmendura, do të zbatojë detyrimet e saj lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin. Asociacioni nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive dhe nuk duhet të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë, për shkak se kjo nuk përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet përkatëse të Kosovës. Rrjedhimisht, statuti i Asociacionit do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me Vendimin e 26 dhjetorit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Pajtueshmëria e Marrëveshjes për Asociacionin me Kushtetutën e Kosovës parashikohet në pikën 2 të kësaj Marrëveshje. Qeveria e Kosovës e sheh Asociacionin si një strukturë ligjore që do t’i ndihmojë komunat për t’i koordinuar më mirë çështjet komunale dhe të ndihmojë në riintegrimin e komunitetit serb në sistemin e Kosovës.

 Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë se themelimi i Asociacionit është i kushtëzuar me shpërbërjen e plotë dhe të verifikuar të strukturave paralele të mbetura të Serbisë në Kosovë. Asociacioni nuk mund të themelohet në një situatë që vazhdon të jetë paradoksale ku në të njëjtën kohë veprojnë komunat legale si dhe ato ilegale, sidomos në veri të Kosovës. 

 Ne vërejmë me shqetësim se Serbia vazhdon të mbështesë aktivitetet e strukturave të saj paralele në komunat e Kosovës duke shkelur kështu Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Përveç kësaj, Serbia vazhdon të ndërhyjë në komunat legale në veri të Kosovës duke i penguar ato që të funksionojnë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës. Këto komuna nuk i kanë miratuar ende simbolet dhe vulat e përcaktuara me ligjet e Kosovës dhe madje as buxhetet e tyre nuk janë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës, në përpjekje për ta mbajtur sektorin e arsimit dhe shëndetësisë jashtë financimit nga buxheti i Kosovës.Në mënyrë të ngjashme, liria e lëvizjes në Urën e Mitrovicës nuk është vendosur ende. Largimi i barrikadës dhe rivitalizimi i Urës së Mitrovicës i paraparë që të përfundohet në fund të qershorit të vitit 2016 nuk ka shënuar ndonjë progres të dukshëm për shkak të pengesave nga Serbia. Zyra e BE-së në Kosovë, e cila është përgjegjëse për rivitalizimin e urës nuk ka filluar punën ende, siç parashihet në marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit të vitit 2015. Serbia është duke u përpjekur ta pengojë këtë çështje duke mos lejuar kryetarin e  Mitrovicës veriore që ta nënshkruajë një Memorandum të Mirëkuptimit me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që do të konfirmonte se vija administrative midis Mitrovicës jugore dhe veriore, është në përputhje me Ligjin e Kosovës. 

 Në tetor të vitit 2016 është planifikuar të mbahet regjistrimi i popullsisë në katër komunat veriore. Ne kërkojmë mbështetje nga BE-ja për të siguruar që Serbia nuk do ta pengojnë procesin. Në fillim të vitit 2014 ishte arritur marrëveshja për regjistrim në këto komuna, në mes të kryetarëve ligjor të këtyre komunave dhe Qeverisë së Kosovës, me praninë e Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së BE-së, në këmbim të lejimit që këto dy komunat ta rrisin numri i këshilltarëve komunal pasi u ankuan se numri aktual nuk reflekton proporcionalitetin e popullsisë së këtyre dy komunave (Zveçanit dhe Zubin Potokut). Megjithatë, kryetarët e këtyre katër komunave, të ndikuar negativisht nga Serbia, nuk janë duke bashkëpunuar në këtë çështje. Qeveria ka miratuar projektligjin për regjistrimin e popullsisë dhe Kuvendi i Kosovës është në proces të miratimit.

Për më tepër, duhet theksuar se Serbia po shkel parimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të përcaktuara në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 (Pika 14) duke përdorur një qasje destruktive dhe anti-evropiane kundër integrimit të Kosovës në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i UEFA, FIFA dhe më herët UNESCO. Megjithatë, Kosova fitoi mbështetjen e shumicës dhe u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA. Kosova u anëtarësua në Gjykatën e përhershme të arbitrazhit më 14 qershor 2016, përkundër përpjekjeve kundërshtuese të Serbisë, si dhe një numër të organizatave ndërkombëtare.

 

Zhvillime pozitive janë shënuar në procesin e finalizimit të zbatimit të marrëveshjeve për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe të ashtuquajturën “mbrojtja civile”, rreth ndërtimit të objekteve të përhershme të MIK (IBM), etj.

 Sa i përket “Mbrojtjes civile”, zbatimi pothuajse ka përfunduar, kjo strukturë ilegale është shuar më 11 janar 2016, ish personeli i saj është integruar në institucionet civile të Kosovës në nivelin qendror. Nga gjithsej 483 persona, 433 kanë nënshkruar kontratat e punës me Qeverinë e Kosovës dhe 50 tjerët janë në proces të nënshkrimit të kontratës. 

 Lidhur me drejtësinë, Kosova është duke e finalizuar procesin e konsolidimit të sistemit unitar të drejtësisë në komunat veriore të vendit, ku do të vendosen një gjykatë themelore dhe një zyre prokurorie për t’i shërbyer shtatë komunave, në përputhje me ligjet e Kosovës, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit. Strukturat paralele të drejtësisë janë mbyllur dhe ish personeli i tyre është duke u integruar në sistemin e drejtësisë në Kosovë (si gjyqtarë, prokurorë dhe staf administrativ).

 Në këtë periudhë është arritur një marrëveshje e re për njohjen reciproke të certifikatave të import-eksportit të mallrave të rrezikshme (certifikatave ADR), një marrëveshje e cila është duke u zbatuar në tërësi.

 Ende ka çështje të pazgjidhura për t’u zbatuar, sidomos në fushën e lirisë së qarkullimit, çështje e cila mbetet të trajtohet në periudhën e ardhshme.  

 Qeveria e Kosovës konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është kyç për suksesin e këtij dialogu. Kërkojmë nga BE si lehtësuese dhe garantuese e Marrëveshjes së Brukselit që të kërkojë qëndrueshmëri dhe efektivitet të palëve ndaj detyrimeve të tyre të zbatimit, si e vetmja rrugë që çon në arritjen e qëllimeve të dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Mendojmë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të përparojë duke siguruar mosndërhyrje në sovranitetin e njëri-tjetrit, pra duke detyruar Serbinë që të ndal ndërhyrjet në Kosovë përmes shpërbërjes së strukturave të saja paralele të mbetura në Kosovë. 

 E vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe rolin e saj lehtësues në këtë dialog, si dhe mbështetjen e plotë nga SHBA-ja, Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të BE, thuhet në fund të kësaj përmbledhje ekzekutive të nënshkruar nga Ministrja për Dialog Edita Tahiri./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova raport BE-së për dialogun në Bruksel, me Serbinë

Marrëveshja e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë

April 19, 2016 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar sot në ‘facebook’/

Tre vite më parë nisëm një kapitull të ri të komunikimit dhe bashkëpunimit në rajon. Pas një shekulli konflikt, arritëm marrëveshjen e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve, me udhëheqjen e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së.

Nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë për shtetin tonë dhe popujt e rajonit.

Por, ndonëse i kemi kthyer sytë nga e ardhmja më e mirë për popullin dhe shtetin, ne asnjëherë s’do të harrojmë sakrificën nëpër të cilën kemi kaluar. Për t’u siguruar që e ardhmja jonë nuk do të kërcënohet nga e kaluara, duhet që normalizimi dhe pajtimi të ndërtohen mbi drejtësi për të gjitha viktimat dhe të zbardhet fati i të pagjeturve.

Më e rëndësishmja është se jemi në rrugën e drejtë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për gjeneratat e ardhshme, çfarë të gjithë ne kemi ëndërruar.

Është koha që dialogu të bëhet më dinamik, të rritet efikasiteti në implementim dhe të kalojmë nga procesi i normalizimit të raporteve në pajtim mes shteteve dhe popujve.

Dialogu, normalizimi dhe pajtimi mes shteteve dhe popujve nuk ka alternativë. HTH

Filed Under: Komente Tagged With: 3 vjet nga marreveshja, e pare paqesore, Hashim Thaci, me Serbinë

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT