• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Duke e kujtuar me përmallim Llesh Luket Grishajn

August 2, 2018 by dgreca

Duke e kujtuar me përmallim të njohurin tim të para 67 viteve “ Llesh Luket Grishajn “/

1 Mergim KorcaShkruar nga : Mërgim Korça /

1 Llesh Luket Grishaj

Me kalimin e viteve sa vjen edhe njeriu fillon e familjarizohet me faktin e quajtur “vdekje” e doemos kjo shfaqje natyrisht vjen e lidhet me ngjarjen me të cilën ballafaqohemi dëndur e më dëndur … me kalimin e viteve !  Mirëpo kësaj gjëndjeje pa as më të voglën mëdyshje që, kur na paraqitet, duhet të jemi edhe të përgatitur se si t’i përgjigjemi. Duke menduar se të shkruarët rreth personit që ma krijoi këtë gjëndje shpirtërore do të ma lehtësonte situatën në fjalë dhe se kishte me qenë një farë rrugëdalje, pa një e pa dy po ulem e të hedh në letër ç’ndjeva unë sot, kur dje e putha në ballë Lleshin (tashmë të ndjerë) dhe ai as që i hapi sytë … kurse sot, i biri i Tij Franzi më dhá lajmin mortór !

Nga që i ndjeri ishte “puro Gegë”, lexuesi i këtyre rradhëve, po qé Toskë, të më falë për përjashtimin që po i bëj me këtë rast gjuhës t’ime Atërore !

Jena kênë njoftë me Lleshin e ndjémë jo pak por plot 67 vjete të shkueme kur na mobilizuene ushtárë në Repartin e Mallkuem të Punës q’e ndërtoi te i quejtuni Rrapi Trish të gjith’atê zonë kazermash ushtarake !

Kje nji rast’i çuditshëm sepse në fillim kur porsa kishim ardhë ushtarë të rij te Komanda qi kishim në rrugën e Durrësit, dikund përkarshí me fundin e ish aeroportit të Tiranës, kjé nji ushtár’i vjetër me të cillin kisha shoqní qysh në Gjimnazin e Shkodrës, Kastriot Bajraktari, (i cilli ishte njêni prej bijsh të nënkolonelit Mul Delísë, Bajraktarit të Hotit si edhe Malcisë së Madhe), qi më njofti me të ndjémin Llesh Grishaj qi ishte mobilizue e kishte ardhë ushtarë bashkë me mue prej Shkodre. Kah Kastriotin e njifshem si djalë shum të mirë e ky ma rekomandoi Lleshin, nuk kishjem si mos t’i besojshem e qysh në muejin Dhetuer të vjetës 1951 e kena pasë lidhë miqësínë me tê !  E përpá u zgjatë rreth kësaj ndodhíje … qysh atëherë, (merreni me mênd lexues të nderuem), se sa të shtrêjt’e kena ruejtë miqësínë me Lleshin e ndjémë edhe përgjatë ktyne 27 vjeteve qi kena banue s’bashkut këtu në Michigan-in e Shteteve të Bashkueme të Amerikës !  E kuptoj mâ se mirfílli se për nji lexues moshe të ré âsht e vështirë me u kuptue ky pohim qi vijon, ndërsa për nji person i cilli e ka jetue thuejse gjysë shekullin e diktaturës kuqe, aj din m’e ndjekë hap mbas hapi se shka kam me diftue. Përgjatë asaj qi u quejt m’njênën ânë DIKTATURË E PROLETARIATIT  e në tjetrën ânë, po prej të njajtve drejtues komunistë të vêndit, DEMOKRACÍ POPULLORE, ku vêhet shêja e barazimit mjedis dy cillsorve diametralisht të kundërt njêni prej tjetrit edhe qindrimi i atyne q’e kishin në dorë Shqipnínë ishte i njajti :  masa extreme lufte kundrejt prindve t’onë ndên parullën LUFTË KLASASH  e, m’ânë tjetër po i njajti qindrim edhe kundra nesh 18-vjeçarve qi na mobilizojshin n’ushtrí por në vêndin e armëve edhe stërvitjes ushtarake na nepshin ka nji kazëm e lopatë e na bâjshin me u rraskapítë në punë krahu tue punue në gropa gëlqereje si edhe sheshe pregaditjeje betoni !

Nuk ishte rastësí por në Repartin tonë të Punës ishte me né, Lleshin edhe mue, edhe i ndjémi tashmâ Alfred Marashi, i biri i komandantit me êmën Llesh Marashit i cilli e kishte pasë bashkpuntuer të afërt në Janarin e vjetës 1945 në atê e cilla âsht quejtë kryengritja e parë kundrakomuniste në të gjithë kampin e ashtuquejtun KOMUNIST TË LINDJES, Lukét Grishajn prej mahallës Grishajve, e pra Babën e Lleshit ! Me pak fjalë Reparti i jonë i Punës ishte i mbushun me djelm familjesh sa Atdhetáre e gjithashtu edhe të ndérshme daç gjytetare e gjithashtu edhe fshatare !

Për pa dashtë m’e mërzítë lexuesin e nderuem të ktyne rreshtave due me i kujtue nji ndodhí të mbrâmjes organizueme te Kisha e Shën Palit me 30 Tetuer të vjetës 2004 prej Revistës Kuvendi. Un kisha marrë me vedi nji shok t’êmin ushtríje i cilli kishte pasë ardhë te e bija prej Tirane edhe i quejtun Nasi Hobdari. Në sallë kishte ardhë edhe Sami Zëmblaku, nji shok tjetër ushtrije.  E nisun prej faktit se në nji tavolinë tjetër kje ulë Llesh Grishaj i cilli kur na pa se po u afrojshim drejtë Tij u çue në kâmbë, na u afrue edhe na dha dorën por … pa e njoftë askënd veç meje.  I drejtohem dhe i thom Lleshit “… Si âsht kênë quejtë komandanti yt Llesh në ushtrí ? Mbas nji çasti hutimi Aj gjegjet … Hamit Deda.  E dha gjegjen Lleshi por i shikjon tashmâ me habí dy burrat e panjoftun. I kthehem Nasit  me po at pyetje edhe Aj më gjegjet … Hamit Deda.  Edhe Samiu të njajtin êmën pohoi me gjegjen e Tij. E kur edhe un shtova po at êmën si komandant në Repartin e Punës, asnjêni prej lexuesve të ktyne radhëve nuk ka se si m’e përfytyrue emocionin me t’cillin u përqafuene Lleshi me Nasin si edhe me Samiun !  Ishim njoftë kur ishim kênë 18-vjeçarë e kishim kalue s’bashkut  sa e sa episode prej t’cillve disa edhe tragjikë e mandej … jeta na kishte ndá !  Doemos mbasi u ulme tashmâ katër pleq, gjithsecilli mori me diftue ndonji ndodhí të kohës dikurshme kur ishim ushtarë.  Me kët rasë un jam kah ndalem edhe diftoj nji kujtim t’cillin na e rikujtoi Lleshi.  Nji ditë kishte ardhë m’e inspektue repartin tonë ushtarak n/koloneli Petrit Dumja. Të tân’e mbajshim mênd, Ishte e Dile e na kishim tri orë qi ishim rreshtue në pritje. U ul Petrit Dumja prej kalit e tue ecë para repartit u drejtonte pyetje ushtarve si I kishin êmnat. Në nji farë çasti u ndal para nji ushtari shum të gjat’e të pashëm e mbasi aj iu gjegj se quhej Dodë Miri, nenkoloneli i tha : … ee e dd di ti sss ss se tty  tt t ta kam vvv vrarë bb babanë ee edhe xh xh xhaxhanë ?  E Doda iu gjegj :  E si nuk e ditkam un ?  Po jo vetëm babë edhe axhë, po ti na ke vrá nândë mashkuj t’konakut shoku nënkolonel  e na kurr s’kem se si me të harrue ty !  E un jam kah shtoj se na i kujtueme shum episode mes nji mallëngjimi të thêllë e mâ e madhja âsht se kujtimet e përjetueme u tokojshin katër djelmve të rij … kurse përballë njênitjetrit ishim tashmâ katër pleq !

Tue dashtë mos me u zgjatë shum,  jam kah theksoj se në ksí rasash, si i ka ndodhë Familjes Nderueme Grishaj  mbrâmë mbas mjesnáte, cilli kishte me kênë qindrimi mâ i përshtatshëm ndaj atyne t’cillt i ka përfshîe ky mort?

Shyqyr Zotit, Lleshi jon’i dashtun ka nji rreth të gjânë bijsh’edhe nipash e mesash t’cillt, njêni me tjetrin në ksí ráse kanë m’e ndáe dhimjen e ktij morti q’i ka gjetë !  Kurse un, si trashëgimí të miqsísë t’ême me Lleshin kam detyrë jo t’kollájtë, tue kênë se vetë Lleshi më ka miqsue ka herë me t’birin Franzin, me t’cillin pavarsísht diferencës moshore e cilla na ndán … i jam shum i detyruem, por i lutem Zotit të Madh të më ndihmojnë qi i gjindun përballë humnérës t’cillën jeta e hapi papritun para tij, s’parit e kryesisht n’asnji mënyrë mos të mundohem qi t’ju përgjigjem pyetjeve të tija, kjo sepse vetë vdekja âsht nji mister të cillit gjithsecilli i gjegjet në mënyrë të ndryshme.  E rândësishme mêndoj se âsht me i qindrue afër, m’e ndigjue, me i kênë mâ shum se kurr MIK E ME IA DIFTUE KËT MIQËSÍ SEPSE PIKËRISHT KJO MIQËSÍ ASHT E VETMJA GJA E CILLA MBETET !   

Kam me u dhânë fund ktyne rreshtave me nji ftesë lexuesve t’cillt kanë me shkue e me ua paraqítë familjarve të Lleshit ndjémë ngushllimet në banesën e tyne familjare.  Dy hapa para shkallëve të hymjes të ndalen e t’a lexojnë nji pohim të gdhêndun në gur i cilli i drejtohet të ndjémes ish bashk-shortes Lleshit ku shprehet skâjshëm me shum ndjenja njerzore respekti për ish Zojën e asaj shpíje !  E s’bashkut me kët ftésë leximi, due m’e urue çiftin Grishaj t’u jenë bashkue shpirtat n’Amshimin e Bekuem !

****

NJOFTIM MORTOR

Familja Grishaj lajmeron se miqte, te afermit, Komunitetin se  Llesh Lukete Grishaj nderroi jete ne moshen 85 vjecare,me 1 Gusht 2018,ne Shelby Township,Michigan.Djali Franzi me familje dhe me djemte e axhave qesin hatrin te enjten me date 2 Gusht ne Wujek Calcaterra 25 Mile Van Dyke prej ores 2-9.Mesha e Drites do mbahet diten e Premte, me date 3 Gusht ne 10 am ne Kishen Katolike Shqiptare te Shen Palit.Ceremonia e varrimit do jete pas meshes ne Resurrection cemetery 17 Mile Garfield.

PS:Llesh Grishaj eshte babai i Vatranit Franz Grishaj dhe xhaxhai i Alfons Grishaj

*Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA dhe Gazeta “DIELLI” i percjellin ngushellimet me te thella Familjes Grishaj.

Filed Under: Featured Tagged With: duke kujtua, Llesh luket Grishajr, Mergim Korca

Kush i mbrojti hebrenjtë në Shqipëri ?

February 9, 2017 by dgreca

Sikur historia të shkruhej ashtu siç ka ndodhur/1 MergimKorca

Shkruar nga Mërgim Korça/

Porsa e lexova titullin me të cilin emërtohej dekorimi i familjeve si edhe individëve shqiptarë të cilëve u vlerësohej skajshëm lart nga ana e Presidentit Nishani sakrifica si edhe ndihma e lart’e tyre dhënë hebrenjëve të strehuar përgjatë Luftës II-të Botërore në Shqipëri, më përshkoi një drithmë rrënqethëse gëzimi e përforcuar edhe nga fakti se jo vetëm që njérin nga kryefamiljarët e këtyre familjeve e kam patur në rrethin më të ngushtë të miqve të mij, porsé nga ana tjetër, edhe për faktin se përgjatë së gjithë periudhës diktatoriale komuniste, veç faktit se miku im vlerësohej lart si specialist aftësishë të posaçme në fushën e Tij si inxhenier, prapseprap kjo familje shikohej shtrembër si e deklasuar.  Doemos pozicionimi i mbajtur nga Presidenti Nishani me këtë rast më dhá një farë shprese se Ai e kishte kuptuar më në fund qëndrimin e gabuar të ish historianëve tonë përgjatë periudhës thuajse gjysëm shekullore të diktaturës komuniste, që historín’e shkruar e kishin ndërtuar plot me heshtje si edhe shtrembërime rreth të vërtetave, vetëm e me vetëm t’i qëndronin besnikë vijës së partísë tyre ! 

Padyshim që në vijim, në qoftë se qëndrimi i Presidentit Nishani do të kishte qenë vërtet parimór, gjë që e përforconte edhe vetë motivacioni i shkruar se përse 35 familjeve të dekoruara me titullin NDERI I KOMBIT u jepej ky titull madhor :  “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri; për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe Besës si dhe për konsolidimin e harmo nisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tonë “ !  E doemos në vazhdim edhe vetë zënja në gojë e faktit se si Presidenti shfaqi edhe keqardhje shtetërore se si nuk mundën ta shpëtonin edhe albanologun e madh Norbert Jockl, në parím si edhe fillimisht … më gëzoi shumë. Mirëpo heshtja në vazhdim nga ana e Presidentit  Nishani rreth interesimit të vetë K/Ministrit Mustafa Kruja që i telefonoi Kontit Ciano, (ministër i Punëve të Jashtëme të Italisë si edhe dhëndër i Mussolinit), për problemin e profesorit Jockl ku me ç’rast ai i tha se do t’i lutej Mussolinit t’i telefononte Hitlerit lidhur me të, ndikoi jo për mirë tek unë dhe  enthuziazmi im ndaj Presidentit Nishani në vënd që të më rritej, erdhi duke u fashítur.  Me pak fjalë kthesa që mendova se po fillonte nga ana e Presidentit Nishani që historianët ta ndiqnin nga ana e tyre që të vërtetat historike të thuheshin ashtu siç kishin qénë duke i lënë më një anë shtrembërimet ideollogjike, nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një iluzion i imi !  Nisur tashti nga kjo shpresë imja, e ngjallur në një farë mënyre nga nisma e Presidentit Nishani për t’i dekoruar familjet shqiptare që kishin shpëtuar Izraelitët banues në Shqipëri, po ia jap lexuesit të ndershëm të plotë kuadrin se si u zhvilluan asokohe ngjarjet dhe ky i fundit t’i gjykojë daç rrethanat si edhe situatat e të arrijë në përfundime të papríra nga ideologjí shtrembëruese të fakteve historike !

Im Atë, Xhevat Korça, porsa qé kthyer nga një inspektim i shkollave në Kosovë.   Sapo erdhi i telefonoi mikut të families dhe kryeministrit të Shqipërisë, Mustafa Merlika Krujës duke e informuar se qé kthyer nga Kosova.  Nuk u mbush një orë dhe veç kur bije zilja dhe në derë u shfaq kryeministri i cili, porsa hyri, kërkoi nga im Atë ç’dinte t’i thosh për hebrénjtë në Kosovë si edhe rrezikimin e deportimit të tyre nga ana e gjermanëve.  (Dua të saktësoj se duhet të ketë qenë para mbarimit të vitit shkollor dhe nga veshja e t’im Eti si edhe e Mustafa Krujës, muaji prill ose maksimumi maj i vitit 1942).

Nga që im Atë nuk kish ndonjë informacion shkalle të gjerë veç rastit të një profesori hebré, mik i albanologut Norbert Jockl-it, të cilin im Atë kishte urdhëruar ta emëronin në arësim, atëbotë Mustafa Kruja i shpjegoi shkurtimisht se si një ditë më parë i kishte kërkuar audiencë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë i cili i kishte paraqitur një listë prej mbi 320 familjesh hebréje, banuese në Kosovë, me të gjitha adresat e tyre të banimit duke i kërkuar kryeministrit sqarime rreth tyre.  Mustafa Kruja e kishte marrë listën dhe i kishte thënë se do të merrte masa të menjëherëshme t’a sqaronte këtë informacion.  Në fakt në Kosovë nuk kishte asokohe këmbë ushtari gjerman dhe kjo rrethanë i a lehtësonte dukshëm punën kryeministrit për t’i shpëtuar ata hebrénj nga masakra eventuale e mundëshme. I telefonoi pa vonesë ministrit të Punëve të Brëndëshme Mark Gjomarkajt duke e porositur t’a lajmëronte menjëherë edhe Engjëll Çobën, aso kohe Sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, e të vinin menjëherë në zyrën e Kryeministrit, për ku u nis edhe vetë ai me gjithë t’im Atë.  Mbas disa ditëve mësova se Engjëll Çoba, në krye të një grupi prefektësh si edhe zv/prefektësh, ishte drejtuar për në Kosovë i ndjekur nga shumë autobuse të kompanisë S.A.T.A. dhe atje, në bazë listave emërore me gjithë adresat e sakta, i kishin paisur hebrénjtë me pasaporta shqiptare ku të quajturin David e kishin emërtuar në dokument Daut, kurse Mojsiun me emrin Mahmut e kështu me radhë duke i hipur në autobusa dhe nisur urgjentisht për në Shqipëri.  Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë ishte njoftuar se informatat e tija kishin qenë të pasakta e si duket të papërditësuara nga informatorët e tij.  Përgjatë këtij konteksti e kam të drejtën të ngul këmbë që studjuesit e historisë t’i a gjejnë fillin urdhërit të Kryeministrit Mustafa Kruja lidhur me ato veprime pro-hebréje, sepse në arkiva do të ketë, pa as më të voglën mëdyshje, edhe urdhëra në vazhdim lidhur me problemin në fjalë.  Cila arësyeja që un’e kam këtë bindje ?  Sepse lidhur me atë ngjarje, ish Mëkëmbësi i Mbretit në Shqipëri zoti Francesco Jacomoni, në faqet 288-289 të librit të tij titulluar :  La Politica dell’Italia in Albania, (Politika e Italisë në Shqipëri-M.K.), me botues Cappelli Editore botuar më 31 Maj 1965, pohon tekstualisht :  “Një demonstrim nga ana e Mustafa Krujës i asaj që ishte burrnía e tij, d.m.th. aftësia për t’i përballuar situatat me guxím si edhe zemërgjerësí, e pata pak kohë mbasi ai kishte marrë përsipër Kryesinë e Këshillit Ministrór.  Ishte paraqitur tek ai Konsulli i Përgjithshëm i  Gjermanisë dhe i kishte dorëzuar një notë verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e mbi treqind familjeve hebréje që, refugjatë nga Jugosllavia, kishin gjetur strehim në Shqipëri, (se Kosova njihej si territor Shqiptar – M.K.) … Në Shqipëri në fakt nuk kishte asnjë këmbë ushtari gjerman që të mund t’i identifikonin … ramë në ujdí … Ata do të paiseshin me pasaporta shqiptare me emër fallso … Roma nuk u njoftua zyrtarisht lidhur me këto zhvillime, por privatisht u informua drejtori i përgjithshëm i çeshtjeve rezervate, Ministri Fuqiplotë Vidau. Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe në saje të tij mundësuam nëpërmjet përfaqësíve tona jashtë shtetit, t’i paisnim hebrénjtë gjermanë, bohémë, polakë, ungarezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësía t’u shmangeshin persekutimeve raciale duke i u drejtuar Shqipërisë.”   Me kapitullimin e Italisë në Shtatorin e vitit 1943, edhe Shqipëria u shkel nga këmba e ushtrisë gjermane. Si formë kushtetuese drejtimi, vëndin tonë e drejtonte Këshilli i Lartë i Regjencës i përbërë nga katër Këshilltarë, e pastaj si aparat ekzekutiv qeverit’e ndërsjella. Në vazhdim, edhe Këshilli i Lartë i Regjencës i qëndroi vendosmërisht besnik pozicionímit të Qeverisë Mustafa Kruja ndaj hebrénjëve dhe kësisoji deri ditën që nga territori shqiptar u largua edhe këmba e ushtarit të fundit gjerman, hebrénjtë e strehuar në Shqipëri nuk i ngacmoi askush duke shpëtuar që të gjithë !  Edhe me kaq sa u paraqit deri këtu, besoj se asnjë njeri i drejtpeshuar dhe i ndershëm nuk e vé më në dyshim faktin se qé qëndrimi tejet njerëzor, i prerë dhe i guximshëm i qeverisë së kryesuar nga Mustafa Kruja, i ndjekur pastaj edhe nga qeveritë pasuese, përgjatë periudhës Regjencës, që dijtën të manovrojnë mes dallgëve të atyre rrethanave të caktuara historike dhe arritën të krijonin kushtet që mbas lufte të konsolidohej thënja :  Vetëm në Shqipëri hebréjtë e strehuar atje, dolën nga Lufta e II-të Botërore, në numur më të madh nga ç’hynë !  E doemos, me këtë rast unë, marr lejen të shtroj një pyetje thjeshtë retorike :  A mund të shpëtoheshin hebrénjtë në Shqipëri aq në mënyrë masive mos të kishte populli mbështetjen e qeverive respektive, fillo nga ajo e kryesuar nga Mustafa Merlika Kruja e pastaj edhe në vazhdim nga të gjitha qeverit’e tjera nën juridiksiónin e Regjencës ?  Është fillimisht pozicionimi njerëzor e pastaj edhe i guximshëm i të gjith’atyre qeverive, që e kushtëzuan radhitjen e Popullit Shqiptar,  aq të nderuar mes emrave të Murit Yad Vashemit ! 

E për t’i mbyllur edhe këto radhë që lexuesi eventual ta kuptojë plotësisht se jam krejtësisht i paanshëm tek i trajtoj problemet, por dua të vé në dukje edhe ta theksoj faktin se kur Qeverija e Mustafa Krujës mori masat që mori ndaj hebrenjëve banues në Kosovë, as në Kosovë e as në Shqipërinë Ëmë, nuk kishte këmbë ushtari Gjerman. Kurse në vazhdim, mbas kapitullimit të Italisë në muajin Shtator të vitit 1943, Gjermanía territorin Shqiptár pranoi ta quajë rrugë kalimi për tërheqjen e trupave të saja duke pranuar, nga ana tjetër, të mos ndërhynte në punët e brëndëshme të vëndit tonë. Pikërisht këta fakte nga njera anë u hedhin dritë zhvillimeve rreth hebrenjëve të strehuar në Shqipëri në vija të përgjithëshme por, nga ana tjetër, e shtrojnë gjithashtu për diskutim edhe pohimin e Presidentit Nishani, të përmëndur në fillimet e kësaj analize lidhur me motivacionin përse shpërndaheshin titujt NDERI I KOMBIT ku theksohet “:  “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri …”, ku unë nuk qëndroj dot pa i theksuar dy të vërteta që Presidenti Nishani nuk i përmënd, në një kohë që në faqet e historísë patjetër që duhen vënë në dukje !

Së pari, meritën e madhe që i takon Qeverisë kryesuar nga Mustafa Kruja lidhur me transferimin e gjith’atyre familjeve Izraelite nga Kosova në Shqipëri e duke i paisur edhe me letra njoftimi të kamufluara me këtë rast ku, doemos kjo meritë u takon pastaj në vazhdim edhe vetë Këshillit të Naltë të Regjencës si edhe qeverive nën juridiksiónin e Tij, që ato gjeneralitete i quajtën të mirëfilltë.

Së dyti, mos zënja në gojë e rrethanave lehtësuese që u krijuan në Shqipëri lidhur me shpëtimin e hebrenjëve ku Komanda Gjermane nuk ndërhynte në punët e brëndëshme të qeverive shqiptare, do apo nuk do Presidenti Nishani, ato janë të vërteta të cilave faqet e historisë nuk duhet t’u shmangen !

ARËSYEJA PSE U HARTUA KY SHKRIM :  Fillimisht unë, si shum’i entuziazmúar lidhur me dekretin Presidencial ku, me aq sa mund të dalloja unë dora-dorës, ishte ndjekur një kriter i drejtë lidhur me shpërndarjen e titujve dhe jo si zakonisht, i ndikuar kryekëput nga ideollogjia e kaluar e trashëguar nga historianët e indoktrinuar ku këndvështrim bazë ishte ai sipas luftës së kllasave !  Mirëpo nga që në vazhdim e pashë se Presidenti Nishani nuk i kishte vënë vetes detyrë që t’u jepte një leksjon historianëve lidhur me shkrimin e historísë, e ndjeva për detyrë … në mënyrë modeste dhe aq sa mundesha unë të kontribuoja me përvojën time, (për të cilën nuk kam asnjë meritë personale), t’ia bëja sa më të qarta lexuesit eventual të këtyre radhëve zhvi-llimet e mirëfillta historike të ngjarjeve përgjatë shtegut të peripecíve të familjeve Izraelite, ndonëse duke u munduar të shtoj qoft’edhe një grimcë sado të vogël ngjarjesh edhe faktesh por doemos duke i hedhur dritë së përgjithëshmes që historía duhet vetëm e me vetëm të përfaqësojë ngjarjet e ngjara ashtu siç kanë ngjarë !

E përgjatë kësaj vazhde nuk kam se si mos të ndaloj e t’i them dy fjalë edhe lidhur me familjen e dekoruar Nosi, të Elbasanit, ku prapseprap sipas meje, së vërtetës i anashkalohet.  Nuk kam asnjë vërejtje përkundrazi,  lidhur me emrat e Stiliano-s, motrës tij Adelina-s si edhe djalit të tij Vasilit, (për emrin e Kelkira-s nuk dij se ç’të them se lidhur me dekorimin e familjes Nosi nuk e njoh-M.K.).  Por ama nuk kam se si mos të ndalem e ta pohoj botërisht se në emërtimin e atyre që u akordohet titulli i lartë NDERI I KOMBIT lidhur me shpëtimin e hebrenjëve, nga ana e dekretuesit Presidentit Nishani, mungon emri i Lef Nosi-t. Ai si pjesëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ndonëse mbulonte atë post aq të lartë, e mori në shtëpinë e tij në Elbasan, e strehoi dhe e mbajti atje duke i a shpëtuar jetën hebréut prof.Mark Menahemit,(që në Maqedoní, tek e transportonin me tren drejt kampeve të vdekjes naziste, ish hedhur nga treni dhe kishte hyrë në Shqipëri) !   Kushdo mund t’a gjurmojë këtë fakt sepse prof. Mark Menahemi e ka bërë publike këtë ngjarje mbas vitit 1991, porse që ta mësojë saktë lexuesi, ai u dënua me katër vite burg nga diktatura komuniste me motivacionin se … kishte ndihmuar familjen Nosi !  E sa për informacion, duke pas qenë Lef Nosi atdhetár i shquar si edhe intelektual i mirëfilltë, nuk kish se ku përfundonte tjetër … veçse para skuadrës pushkatimit, mbas marrjes pushtetit nga diktatura komuniste.  Prandaj me gjithë zemër do ta kisha përgëzuar plotësisht Presidentin Nishani, në qoftë se Ai përgjatë këtij dekreti presidencial, do ta kishte pasë patur parasysh t’u mëkonte historianëve bashkëkohës të hiqnin dorë nga shtrembërimet e fakteve nisur nga shtysa ideollogjike dhe të kaluarat historike t’i paraqisin ashtu siç kanë ngjarë !  

Nuk kam se si mos të shtoj me këtë rast se edhe faktet që sjell unë, në asnjë mënyrë të mos konsiderohen të tilla nga historianët por, mbështetur në gjurmët e dokumentuara arkivale të sillen si edhe të komentohen siç e kërkon e vërteta !

Do t’i mbyll këto radhë me një pohim i cili nuk është se sjell shumë ujë në mullirin tim por … të thëna nga i madhi shkrimtar, poet si edhe mendimtár Oscar Wilde :

Gjithsecili mund të bëjë një faqe historíje por … vetëm njerëz të mëdhenj e kanë mundësínë ta shkruajnë historínë ! (E botoi:Gazeta Minerva)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kush i mbrojti hebrenjtë, Mergim Korca, ne Shqiperi

Më mire vonë se sa kurrë !

December 23, 2016 by dgreca

kabashi5

LAJMI I  AGJENCISË TELEGRAFIKE SHQIPTARE I CILI mbështet THËNJEN: Më mire vonë se sa kurrë !/

Shkruar nga : Mërgim Korça/

Një befasím i madh pozitiv dhe krejt’i papritur qé për mua leximi i lajmit të dhënë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare me datën 9 Dhjetor 2016 titulluar : Studiuesit shkencor të ALS, Edor Kabashit, i jepet   Çmimi Ndërkombëtar PG për Mjekësinë.E nga që e fillova me këtë përkufizim titullin e shkrimit rreth lajmit që përhapi ATSh-ja lidhur me dhënjen e këtij çmimi të lartë ndërkombëtar Dr.Edor Kabashi-t në Dublin, ku qé organizuar ceremonía në fjalë, me ç’rast shkencëtarit shqiptar iu dorëzua medalja e edicionit të VIII-të të këtij çmimi ndërkombëtar në kuadrin e  zhvillimit të punimeve të Simpoziumit të XXVI-të ndërkombëtár mbi sëmundjen e emërtuar “Skleroza Anësore Amiotrofike” (ALS) duhet edhe të shtoj se çmimi në fjalë iu dorëzua shkencëtarit shqiptar Dr.Edor Kabashit mbasi punimi i tij, si edhe frut i punës së ekipit shkencor që drejtohet nga po ai vetë pranë Institutit të Neuroshkencës q’e zhvillon veprimtarín’e tij në Paris, u përzgjodh ndërmjet 15 punimeve shkencore të kësaj fushe të caktuar ku, materiali i paraqitur prej këtij shkencëtari paraqit një zbulim të rëndësishëm sa u takon trajtimeve të reja lidhur me ALS-në.  Por gjthashtu nuk qëndrojmë dot pa ia theksuar lexuesit mirëdashës si edhe atdhetár shqiptár se, hapat e parë në këtë fushë skajshëm të koklavitur të gjenetikës nervore e kanë pikënisjen pikërisht tek zbulimi se keqformimi i tetë hallkave përbërëse të zinxhirit gjenetik nervor janë pikërisht shkaku i sëmundjes emërtuar Skleroza Anësore Amiotrofike (ALS) dhe ky zbulim i ka pasë qenë njohur pikërisht Dr.Edor Kabashit që në marsin e vitit 2008, (ku un’e kam pasë lexuar këtë informacion tek Revista Shkencore Neurologjike, natyre skajshëm autoritare, “Nature Genetics”).

Duhet theksuar se çmimi që iu dha shkencëtarit shqiptar në Dublin, nga Instituti Brazilian me emrin Gontijo Paulo, (P.G. Award), ësht’i njohur nga Komuniteti  Shkencor Ndërkombëtar si edhe nga partnerët e tij Aleanca Ndërkombëtar e ALS-së, Motor Neurone Desease Association, (MNDA) si edhe  nga Komuniteti Europian për Kërkime në fushën e ALS-së (ENCALS).         

                  Përgjatë kësaj vazhde dhe për hírin e së vërtetës, njoftime rreth vlerësimeve që i janë bërë Dr.Edor Kabashit në fushën shkencore botërore, janë përhapur herë pas here si pasoj’e ndonjë informacioni dhënë nga A.T.Sh.-ja ose edhe ndonjë shkrimi botuar nga individë të prekur thellë se si ky shkencëtar shqiptár vlerësohej ndërkombëtarisht, (në një kohë që vëndi i tij Shqipëría heshtëte).  Por e keqja e madhe qëndron në faktin se si institucioni i cili duhej që prej vitesh të shkuara të bëhej përçues i sukseseve të këtij shkencëtari me vlera botërore për të cilin dëndur e më dëndur kur shkruhet për të në shtypin shkencor cilësohet si “Shkencëtari Shqiptar, Dr. Edor Kabashi …”, pavarësisht në se vlerësimi i vinte fillimisht  nga institucione shkencore kanadeze e në vazhdim nga të Sh.B.A.-ve e doemos pastaj edhe nga Europa si edhe më gjerë si shtrirje, AKADEMIA E SHKENCAVE SHQIPTARE ka heshtur e  vazhdon e qëndron e heshtur ndaj informacionioneve rreth sukseseve të tij !  Këtë realitet, shumë të pakëndshëm sinqerisht që nuk di se si ta shpjegoj !  Dhe e keqja e madhe qëndron në faktin se Organizmat Shtetrore Ekzekutive Shqiptare, lidhur me fushën e shkencave në përgjithësí, burim zyrtár themelor informacioni nuk kanë se kë të kenë tjetër veç Akademisë së Shkencave Shqiptare !  Me që gjëndemi përpara kësaj gjëndjeje ku Akademia e Shkencave nuk pipëtin, detyrohemi të flasim né, thjeshtë simpatizantët e shkencëtarit shqiptar por ama, nga ana tjetër edhe të tejngopur përgjatë thuajse një gjysëm shekulli me … mendësínë skajshëm egoiste të sistemit diktatorial e cila vazhdon për plogëtí edhe sot të mos i vlerësojë  vlerat madhore kombëtare ! Natyrshëm lind pyetja :  PSE ? Sepse përgjatë periudhës diktatoriale vetëm diktatori si edhe partia e tij e kudogjëndur dhe e gjithëditur … kryesonin vlerat madhore kombëtare !    

Përgjatë kësaj vazhde nuk mund të kalohet në heshtje fakti se si  Institucionet Shkencore Ndërkombëtare nisur nga pikësynimi q’i kanë vënë vetes të shquajnë shkencëtarë deri 40-vjeçarë e që po arrijnë të kapin maja nga më të lartat arritjesh në kuadër botëror, ka vite që bashkatdhetarin tonë Dr.Edor Kabashin sa vjen e po e vlerësojnë lart e më lart !  Të shumtë në numur janë vlerësimet në fushën e ALS-së lidhur me gjetjet e ekipit shkencor hulumtues të kryesuar nga Dr.Edor Kabashi.  Sa për një shëmbull, porse shumë kuptimplotë, është fakti se si ky shkencëtar si udhëheqës shkencor në krye të një ekipi kompleks profesorësh si edhe hulumtuesish në fushën e Neuro – Gjenetikës të Universiteteve të Montrealit si edhe Sorbonës të Parisit, kanë zbuluar se malformacioni i tetë geneve të zinxhirit gjenetik, janë shkaktarët e sëmundjes ALS (Amyotrophic Lateral Sclerosis), e quajtur në vazhdim edhe sëmundja Lou Gehrig, (i cili ka qenë bejsballist-i  legjendar i Sh.B.A.-ve).  Me këtë rast nuk mundemi të mos e theksojmë se Lou Gehrig ndërroi jetë  pikërisht si pasoj’e sëmundjes ALS-së në moshën 38 vjeçare në vitin 1941 !  

Shkencëtarit shqiptar i është akorduar nga Instituti Kanadez i Kërkimeve  të  Shëndetit  në  vitin  2009  e gjithashtu edhe më  2011,  dy  herë  çmimi  i  lartë “ BRAIN STAR AWARD “, (titulli TRU YLL), sikurse Sh.B.A. i akorduan Dr. Edor Kabashi-t në vazhdim edhe  njerin nga  titujt  më  të  shquar  në  fushë  të  shkencave mjekësore të emërtuar    “ JERRY LEWIS AWARD “, (i cili për 40 vite radhazi ka qenë Kryetari i “Shoqatës Distrofísë Muskulare të Sh.B.A.-ve).

Nderim skajshëm i lartë si rezultat vlerësimi maksimal duhet të konsiderohet edhe fakti që me datën 24 Shtator të vitit 2010, kur në Paris u themelua Instituti Europian i Neuroshkencës, (të cilën ngjarje e nderoi vetë Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy me inaugurimin që i bëri këtij Instituti), ndërmjet 21 kandidatëve nga e gjithë bota, shkencëtari shqiptar Dr.Edor Kabashi u përzgjodh ta udhëheqë ekipin e shkencëtarëve që do t’i thellonte hulumtimet si edhe përkatësisht edhe zbulimet e ardhëshme eventuale rreth sëmundjes ALS e cila ka filluar e bëhet sa vjen edhe më problematike në shkallë botërore !  

Përgjatë kësaj rrjédhe, do t’ia tregoj lexuesit edhe një ngjarje të përjetuar nga unë në vetë të parë. Me që Presidenti i Shqipërisë kishte ardhur ato ditë për një vizitë në Michigan, un’i përgatita një letër të përbërë vetëm prej një faqeje, ku shkurtimisht i përshkruaja arritjet e Dr. Edor Kabashit në fushë botërore lidhur me ALS-në dhe se si Qeverítë shqiptare heshtnin, dhe ia dorëzova Ambasadorit tonë të asaj kohe pranë Sh.B.A.-ve i cili, nga an’e tij ia dhá dorazi Presidentit. Do që të pasnesërmen, nga që Presidenti deshi të bënte një takim me shqiptarë në njerën nga qëndrat fetare shqiptare, edhe unë u takova me të. Kur ma zgjati dorën dhe unë, për t’u paraqitur ia shqiptova mbiemrin tim, Presidenti nuk ma lëshoi dorën dhe iu drejtua Ambasadorit duke e pyetur, (që të sigurohej), në se unë isha personi që ia kisha drejtuar letrën e mbasi ai  ia pohoi, Presidenti më tha shprehimisht : Mos e kini fare merak Z. Korça, se mbasi e lexova dhe e mësova situatën, letrën tuaj në vënd që t’ia jepja sekretarit ia dhashë sime shoqeje ta fuste në çantën e saj e të ma japë sapo të arrijmë në Tiranë që ta kem parasysh !  Nga që nga ana shtetërore deri më sot kur kanë kaluar pak  por mbi gjashtë vite dhe  akoma nuk është marrë asnjë masë vlerësimi ndaj këtij shkencëtari i cili ka mbi dhjetë vite që po e nderon vëndin tonë në shkallë botërore, dy janë hipotezat që un’i konsideroj si më të mundëshmet :

  • Ose Presidentin e kanë pasë bindur se informacioni i dhënë Atij nga ana e ime nuk ishte i saktë por me ekzagjerime e pra i pavlerë.
  • Ose letra në fjalë  u arkivua nga që Presidenti kishte probleme shumë më të rëndësishëm të çastit për të ndjekur !  (Ndonëse jam disí i befasuar se si deri më sot nuk i është dhënë rasti Presidentit në fuqí ta ketë marrë atë informacion nga punonjësit e arkivit presidencial !)       

Mirëpo, sido që të jetë puna sa u takon personaliteteve zyrtare që nuk duhej ta kishin lënë në heshtje problemin e këtij TRURI YLL SHQIPTAR ky tru yll, nga ana e tij, nuk e ka lënë kohën t’i rrjedhë nëpër duar kot dhe krahas punës së tij si udhëheqës shkencor i ekipit të shkencëtarëve të Institutit Europian të Neuro – Shkencave të Paris-it, nga ana tjetër është shprehur :  “ … Unë do të kisha shumë dëshirë të bashkëpunonim si dhe të shkëmbenim përvojat tona me shkencëtarët në Shqipëri dhe shpresoj që kjo të ndodhë në të ardhmen … Uroj gjithashtu që edhe politika e rikthimit të trurit në Atdhé të jetë e suksesëshme sepse jam i sigurtë se të dyja palët do të përfitonin.” Në këtë mes unë nuk kam se çfarë të shtoj veçse ta nënvizoj faktin se si Dr.Edor Kabashi nuk ka asgjë se ç’të kërkojë nga Atdhéu i tij. Ndërsa Shqipëria, vëndi i tij, do të nderohej në nivel botëror kur ai, krenar për prejardhjen e tij, e deklaron botërisht këtë fakt !  

E doemos përgjatë kësaj vázhde kohore, ndërsa vëndi i tij hesht,  shkencëtari shqiptar ka çelur shtigje të rinj !  Është pasoj’e punës së tij fakti që në punën shkencore lidhur me ALS-në, ai ka hequr dorë nga përdorimi i “kavieve”, (miushërve laboratorikë), dhe për gjetjet e tija ka filluar e përdor “ peshqit zebra “ tek të cilët në mënyrë shumë të përshpejtuar si edhe të afërt me symptomat tek njeriu, ka shkaktuar artificialisht neuro-degjenerimin që i shkakton njeriut sëmundja ALS e doemos, mbështetur në këto zbulime Dr. Edor Kabashi po qëmton edhe udhët eventuale të shërimit nga kjo sëmundjeje e cila ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në rang botëror.  

Do t’i mbyll këto radhë që i fillova duke marrë shkas nga ceremonía e zhvilluar në Dublin ku Dr.Edor Kabashit iu dha çmimi i parë si edhe dekorata respektive lidhur me veprimtarínë si edhe rezultatet e tij të derisotëm si shkencëtar në fushën e studimit të degjenerimeve të karakterit gjenetik neuro – motor të muskujve që shpijen në vdekjen e pacientit brënda një periudhe kohore prej një deri në pesë vite … ku ka dhjetramijëra pacientë an’e kënd botës q’e presin shpëtimin si pasoj’e sukseseve eventuale të këtij shkencëtari shqiptar !  

Këto radhë do t’i mbyllim me nëntitullin :

SADO QË HULUMTUES’I SHQUAR, POR EDHE DR. EDOR KABASHI I KA NDJENJAT E TIJA … SI ÇDO NJERI NORMAL !

Kujt’i është drejtuar pyetja se si i kujtonte ai mësuesit e tij, në moshë tashmë të shtyrë, dhe personi i pyetur jo që i kujtonte mësuesit e tij më të shquar, (daç për mir’e gjithashtu edhe për keq), por … fluturimthi mundohej t’u bënte atyre edhe një përzgjedhje … dalluese.

Shtojmë tashti moshën akoma të ré të Dr. Edor Kabashit dhe, lidhur me të edhe nivelin e intensitetit të ndjenjave që do t’i ngjalleshin atij po t’i drejtohej në mënyrë hipotetike pyetja q’e shtruam më lart, e pra ta mësojë lexuesi i këtyre radhëve se si ky shkencëtar’i shquar shqiptar, u përfshí nga një vorbull ndjenjash niveli tejet të fuqishëm kur në Dublin hyri në sallën e mbushur me mbi 1000 shkencëtarë të fushës studimit ALS-së nga e gjithë bota e ku ai do të paraqiste studimin e tij si rezultat i punës së tij si udhëheqës  i ekipit shkencor të Institutit Kërkimor pranë Universitetit të Sorbonës në Paris të vlerësuar me çmimin e parë të atij simpoziumi dhe … vështrimi q’i hedh sallës dallon në mes shkencëtarëve të tjerë, në rrjeshtin e parë edhe Profesorët nga Montreali i Kanadasë dhe ndër më të shquarit ndërkombëtarisht në fushën e Neuroshkencës, Dr. Heather Durham si edhe Dr. Pierre Drapeau.  E para, ka qenë udhëheqësja shkencore e shkencëtarit Kabashi për gradën e “Doktoraturës” (2001-2006) pranë Universitetit McGill, kurse i dyti, udhëheqësi shkencor i tij gjatë studimeve “Post-Doktorature” pranë Universitetit të Montrealit, (2007-2011).         

Në përfundim të paraqitjes nga Dr. Edor Kabashi, si edhe dorëzimit të çmimit dhe medaljes së artë nga Prof. Dr. Brian Dickie*, i gjithë auditori u ngrit në këmbë duke e duartrokitur dhe përgëzuar fituesin. U ngritën, doemos edhe shumë të prekur në ndjenjat e tyre, që të dy Profesorët e nderuar te tij. Ishte një çast i bukur për të gjithë pjesëmarrësit kur Dr. Edor Kabashi duke zbritur nga podiumi, në shënjë respekti të thellë u drejtua tek ata duke u përqafuar gjatë me secilin syresh!

Pikërisht ky çast i cili e shprehte respektin e ndërsjellë si edhe bashkëpunimin e sinqertë ndërmjet brezave të ndryshëm të shkencëtarëve  moshash të ndryshëme, u përshëndet me duartrokitje si edhe ovacione të gjata nga të gjithë pjesëmarrësit e Simpoziumit Ndërkombëtar të Neuroshkencës !

Natyrshëm lind pyetja :  A kishte mundësí që Shkencëtari ynë të mos prekej deri në përlotje nga ato ovacione ?!  

*Në vazhdim po ia sjellim lexuesit përkthimin e fjalës mbajtur nga Prof.Dr. Brian Dickie me rastin kur ky ia dorëzoi Dr. Edor Kabashit çmimin vlerësues si edhe medaljen.

 Çmimi IPG e njeh duke e vlerësuar                                      

                          talentin e ri kërkimor  

                                    (Përkthyer nga anglishtja).

   Mbajtur nga : Dr. Brian Dickie          

Unë besoj se cilësía e hulumtimeve në fushë të shkencave është po aq e vyer sa janë vlerat e vetë shkencëtarit q’i kryen ato, kjo edhe arësyeja përse Bashkësíja e MND-së i jep shumë rëndësí faktit të krijojë kushte për të tërhequr, stërvisë si edhe t’i mbajë pranë vetes më të shkëlqyerit si edhe më të mirët e hulumtuesve në Britanín’e Madhe si edhe në Irlandë e t’i zhvillojnë karrierat e tyre në fushën e kërkimeve të MND-së. Kjo radhitje duke filluar që nga “niveli fillestar” i bursave të studentëve PhD e deri tek bashkësíja e suksesëshme e hulumtuesve klinicist, (të subvencionuar bashkërisht me MRC-në), si edhe programi ynë më i fundit i bashkësísë jo klinike, u hapin shtigje të pashkelur hulumtuesve posaçërisht të shquar në një llojshmërí të gjerë etapash karriere. Kjo edhe njëra nga arësyet pse              “ Çmimi ndërkombëtar për mjekësinë Paulo Gontijo “   u paraqit në Hapjen e Simpoziumit, gjë e cila sipas meje është për një shquarje me ndriçim të posaçëm. Unë e kam patur privilegjin të shërbej në gjirin e Komitetit Ndërkombëtar të Vlerësimeve lidhur me dhënjen e çmimeve qëkur ky çmim qé i lidhur me Simpoziumin e vitit 2011, me pikësynim njohjen e punimeve me vlera të posaçme nga ana e hulumtuesve nën moshën dyzetvjeçare. Është një punë skajshëm e vështirë të përzgjedhësh fituesin, sepse cilësía e hulumtimeve jo vetëm që ësht’e standarteve të larta, por edhe vetë CV-të, (biografítë shkencore), të konkurrentëve janë pabesueshmërisht mbresëlënëse, ku shumë syresh janë edhe figura të njohura në fushë ndërkombëtare në botën e kërkimeve rreth MND-së.

Këtë vit çmimi iu dorëzua Dr. Edor Kabashi-t të Institutit ICM të Trurit edhe Kurrizit, të Paris-it, për hulumtimet e tija me zhvillime të reja modelesh laboratorike të MND me pikësynim identifikimin e mekanizmave të degjenerimit. Të kuptuarit e proceseve të ndërsjellë të cilët ndikojnë për keq sa i takon degjenerimit të neuroneve motorike, pavarësisht shkaqeve origjinale të sëmundshmërísë, do të krijojë mundësí të zhvillohen trajtime të tillë të cilët mundet të jenë të efektëshëm në të gjitha format e sëmundjes.

Për çdo vit fituesi i çmimit ftohet të bëjë një paraqitje lidhur me hulumtimet e kryer.  Dr.Kabashi e ka përqëndruar punën e ekipit të tij sa i takon zhvillimit të kulturave qelizore si edhe modeleve të peshkut zebra të cilët përmbajnë gene njerëzore shkaktues të MND-së. Duke përdorur të tilla qásje, ai ka qenë në gjëndje të vërtetojë se si një prishje e unitetit të një procesi qelizor i njohur si autofagí, është një pasoj’e zakonëshme e sëmundshmërísë. Një rastësí të çuditëshme paraqit fakti se si çmimi i ndérit që iu dhá Dr.Kabashi-t përkoi në të njajtin vit sikurse Çmimi Nobél për mjekësínë që iu akordua Profesorit Yoshinori Ohsumi sa i takon punës së tij madhore lidhur me mekanizmin e autofagísë.

Dr.Kabashi dhe ekipi i tij gjithashtu kanë provuar se si arësye të ndryshëme si edhe faktorë risku lidhur me MND, mundet të bashkëveprojnë dhe të shkaktojnë një goditje të dyfishtë sa i takon procesit të autofagísë, duke u bërë shkak për dëmtime akoma më të theksuara.“ Është vërtet një ndér’i madh të të akordohet ky vlerësim “, tha Dr.Kabashi. “Këta modele përtëritës të peshqëve zebra që né po zhvillojmë në laborator, po ia japin mundësínë ekipit tim të shquajë mekanizmat pathogjenë ndër sëmundjet motore të neuroneve, me një potencial të madh shques terapeutik strategjive për t’i ndaluar proceset neurodegjenerative, me pikësynim trajtimin në mënyrë të drejtë të ALS/MND-ve.(Botoi se pari Minerva)

   

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Çmimi Ndërkombëtar PG, Edor Kabashi, Mergim Korca, për Mjekësinë

Ju puth duart me ndér si biri t’atit

October 23, 2016 by dgreca

1-eqerem-cabej

1-gjergj_fishta_1932Shkruar nga : Mërgim Korça*/

Kësisoji e mbyll letrën e tij tek i drejtohet  Atë Gjergj Fishtës profesor Eqrem Çabej, (dokument i cili gjëndet në Arkivin Qëndror të Shtetit, F17  D36 fl.12). E filluam këtë replikë ndaj shkrimit të profesor Nasho Jorgaqit me pozicionimin e profesor Çabeut ndaj Atë Gjergj Fishtës, pikërisht që ta mësojë profesor Nashua se që në fillim ai e nis shkrimin e tij me një insinuatë të gabuar !

Nisur nga fakti se dëshira e ime e sinqertë është t’u trashëgojmë brezave të rinj të dhëna historike si edhe sa më shumë të vërteta si edhe fakte bashkëkohore tonat që ata jo që nuk kanë se si t’i dijnë por as që i marrin dot me mënd, (nisur nga shtrëmbërimet që i janë bërë historisë nga historianët e periudhës diktaturës si edhe në vazhdim), prandaj edhe e fillova këtë replikë timen kësisoji, ndaj asaj të ashtuquajture analizë që i bën veprimtarísë së Atë Gjergj Fishtës profesori Nasho Jorgaqi i cili titullin e shkrimit të tij e ka përzgjedhur pikërisht të jetë :

A FLIRTOI GJERGJ FISHTA ME PUSHTUESIT FASHISTË ?

Pak informacion për lexuesin :  Në vitin e largët shkollor 1948 – 49, në shkollën e mesme Gjimnazi 29 Nëndori i Shkodrës, (qytet në të cilin na shpërngulën familjarisht duke na hequr nga Tirana në vijim të luftës së klasave), rastisi të kem shok klase paralele, (ai ishte nxënës i shkollës pedagogjike, nën të njajtën çatí si edhe drejtorí shkolle), autorin e shkrimit të lartpërmëndur, Nasho Jorgaqin. Ky i fundit bënte pjesë në kontingjentin e konviktorëve të asaj shkolle, të kërkuar urgjentisht nga kryetari i Degës Punëve të Brëndëshme Hilmi Seiti ministrit të Punëve të Brëndëshme Mehmet Shehut, për ta shtruar gjëndjen disidente të studentëve kundra-komunistë të asaj shkolle.

Për hír të së vërtetës si edhe objektivitetit që dua të ketë kjo analizë, nuk kam se si ta mohoj faktin që, me aq sa mundem, të pohoj simbas ngjarjeve për të cilat isha dëshmitár në vetë të parë, se Nasho Jorgaqi ecte asokohe për plogëtí, (duke mos qenë flamurtar egërsíje), mes radhës  konviktorëve të sjellë në Gjimnazin e Shkodrës me detyra të caktuara sa i takon ashpërsísë që e shquante masën e tyre të étur në drejtimin e zbatimit të luftës së klasave, si rezultat i punës së të cilëve pati përjashtime nga shkolla, arrestime, si edhe dënime me burgim bashkënxënësish tonë të asaj kohe !

Me kalimin e viteve doemos i humba lidhjet e drejtpërdrejta me Nashon i cili iu kushtua karrierës mësimdhënësit e në vazhdim të shkrimtárit si edhe analistit.

Ç’E SHKAKTOI FILLIMISHT ZHGËNJIMIN TIM PËR NASHON ?  Leximi i dy vëllimeve të tij, “MËRGATA E QYQEVE“ !  E përzgjodha jo rastësisht cakun gjuhësor fillimisht, sepse në vijim të viteve erdhën pastaj edhe intervistat e tija, (të N.Jorgaqit–shënim i M.K.), ku ai theksonte se si  ishte munduar, derisa edhe i bindi udhëheqësit komunistë të shtetit, ta miratonin shkrimin e në vazhdim doemos edhe botimin e një romani ku burim kryesor informacioni kishte qenë një i infiltruar i Sigurimit të Shtetit për thuajse dhjetë vite në radhët e emigracionit kundra-komunist, (Isuf Mullai), si edhe disa të infiltruar të tjerë jo të kësaj rëndësije !  Megjithatë, duke mos dashur  të bëj asnjë hamendësí, pa lé insinuatë sa i takon një ure eventuale mes konviktorit Nasho Jorgaqi si edhe shkrimtarit si edhe analistit bashkëkohës, nuk kam se si mos të ndalem e ta analizoj kritikën që ky i fundit i bën atdhetárit të shquar Atê Gjergj Fishtës !  Fillimisht pyes veten :  Cila kishte me qenë zanafílla e hullísë që vazhdon e ndjek profesor N.Jorgaqi me t’ashtuquajturën analizë të tij të botuar me 2 tetor të 2016-ës ?  Padyshim që janë direktivat që ka  pasë dhënë “KOMANDANTI” dhe botuar në gazetën Bashkimi të datës 22 gusht 1947, para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV-të të rinisë popullore që po e kopjojmë tekstualisht siç qé shprehur asokohe vetë Enver Hoxha në fjalimin e tij :
“ Miqësínë me popujt e Jugosllavisë nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmëndur … ! ”

Pikërisht mëkimi, fillimisht me mësimet e Enver Hoxhës dhe në vazhdim pastaj karriera e tij … bënë që profesor Nashua ta hartojë atë shkrimin e tij gjuha e të cilit në pamje sipërfaqësore e predispozuar pozitivisht ndaj Atë Gjergjit por në efekt e mbushur me insinuata negative ku herë figurën e Atë Gjergj Fishtës e quan me probleme e gjithashtu me hije q’e rrethojnë.  E doemos objektivi kryesor është që figura e Atë Gjergj Fishtës të mjegullohet me pohime ekuivoke !  Shëmbull madhor përbën ajo që Nasho Jorgaqi e quan “tundimi fashist”, e si pasojë pranimi nga ana e Atë Fishtës për t’u bërë  akademik i Italisë !  Kësisoji profesor Nasho Jorgaqi sjell një shëmbull, një të vetëm por sipas tij fakt  tejet kuptimplotë lidhur me figurën problematike të Atë Gjergj Fishtës, një letër që Atë Fishta ia paska drejtuar, (në gjuhën italiane), NJË OFICERI TË LARTË FASHIST. Mirëpo profesor Nashua nuk e mendoi fare se si lexuesit të zakonshëm, pun’e parë që do t’i shkojë në mëndje kishte me qenë të pyeste : Kujt i drejtohet kjo letër ?  Nga ana tjetër letra i paraqitet lexuesit e shkruar në një toskërishte dialektale ku përkthyesi, sa për një shëmbull, i ka vënë në gojë Atë Gjergjit edhe shprehjen “ … kam rrufitur, në Resto del Carlino, artikullin tuaj magjistral …”.  Kurse unë shtoj se së pari, letra e Atë Gjergjit, (sipas profesor Nasho Jorgaqit), nuk është përgjigje që i jepet letrës që Ai ka marrë nga një oficer i lartë fashist e për më tepër edhe i paemër.  Për hir të së vërtetës, Atë Gjergj Fishta me 7 qershor të vitit 1939 mori një letër urimi nga Presidenti i Akademisë Mbretërore Italiane Luigi Federzoni ku ai e përgëzonte ndër të tjera Atë Gjergjin si më poshtë vijon : “ … Emërimi i Juaj si Akademik i Italisë, nga njera anë flet për vetë konsideratën e lartë të DUCE-s por nga ana tjetër ësht’edhe një shpërblim i drejtë sa u takon vlerave t’Uaja si edhe një shquarje e posaçme që i bëhet poezísë shqipe, duke marrë nga ana tjetër edhe kuptimin e një njësími të përkryer shpirtëror të dy popujve tanë që deti Adriatik, me lavdítë e tija shekullore i bashkon përjetësisht …”.    

Kurse Atë Gjergji me telegramin e Tij të datës 12 qershor 1939 i përgigjet Presidentit të Akademísë, Luigi Federzoni-t si vijon :

“ … I mallëngjyem Ju falënderoj për urimet si edhe sa i tokon miratimit t’Uej si edhe të kolegëve t’Uej akademikë lidhun me dekretimin t’êm si pjestar i institucionit mâ të naltë të kulturës të regjimit fashist si rrjedhoj’e miratimit prej anës Duces si edhe vullnetit të Perandorit tonë i bindun se prej gjinit të Italisë ka me u rilindë Shqipníja ideale …”  Unë personalisht e ftoj gjithsecilin ta verë veten në pozitat e Atë Gjergjit dhe t’i lexojë me sy kritik si thënjet e Federzonit e gjithashtu edhe telegramin e përgjigjes.  Mendimi im është se që të dyja, si urimet e Federzonit e gjithashtu edhe telegrami i falënderimit përshkohen si një éndje e thurur me gjuhë të dyanëshme diplomatike dhe me respekt të ndërsjellë !

Përgjatë kësaj vázhde, do t’i sjell profesor Nashos dy fakte, (jo si letra që ai e quan fakt që e mvishka me hije figurën e Atë Gjergj Fishtës), por dy fakte që t’i drejtpeshojë lexuesi.

Fakti i parë : Duke hamendësuar në mënyrë spekulluese rreth ndjenjave kundra-komuniste si klerik françeskan i vendosur që Atë Gjergj Fishta ishte, të cilat përkonin me pozicionimin politik të Italisë fashiste, hapi i parë i qeverisë italiane ishte që për vlerat e Tija madhore si edhe ndikimin e madh në popull që Ai gëzonte, qeverija fashiste italiane t’i akordonte Atë Gjergj Fishtës dekoratën nga më të lartat që ajo dekretonte. Këtu edhe pika kyçe e spekullimit rreth figurës At Gjergjit :  Nuk zihet në gojë fare fakti se jo që Atë Gjergji nuk e pranoi dekoratën e lartë por edhe si e priti Ai këtë dekoratë duke u shprehur se “ KJO DEKORATË NUK ÂSHT PËR MUE ! “

Fakti i dytë : Në meshën e përmortëshme që e mbajti Ipeshkvi Imzot Thaçi, i tha morísë së pjesëmarrësve në atë takim mortór “ … para dy ditësh, kah shkova m’e tokue Patër Gjergjin në spital, ashtu me gjysë fryme muejti me më thânë – Dekën e kena borxh të tânë, por âsht kah më vjen keq se po dés tue e lânë Shqipninë të shkelun prej kâmbës huej …!  Këtë fakt unë personalisht e kam mësuar nga kujtimet e Atë Zef Pllumbit të cilët profesor Nashua parimisht i përmënd në shkrimin e tij por ama pa u ndalur tek ky pohim madhor i Atë Gjergjit ! Me pak fjalë, edhe sikur vetëm këtë fakt të kishte mësuar profesor Nasho Jorgaqi duke lexuar kujtimet e Atë Zef Pllumit, duhej të ishte lëkundur sa u takon insinuatave të tija … pa lé sikur ta ketë lexuar edhe letrën e Profesor Eqrem Çabej-t drejtuar Atë Gjergj Fishtës !

Vijmë tek dekretimi si akademik i Italisë që iu bë Atë Gjergjit.  Pikërisht nga që ky fakt është fryrë kaq shum’e me aq keqdashje sa s’ka më nga ana e historianëve të ideologjizuar me frymën e partisë komuniste e doemos edhe nga ana e shkrimtarëve të rrymës realizmit socialist, (të shtyrë këta të fundit nga egoizmi si edhe cmira e tyre e pakufí ndaj veprës së Tij madhore letrare), do të ndalemi e t’i hedhim dritë pikërisht këtij fakti.  Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane.      (Për ta biseduar me Atë Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qé ngarkuar Prof. Agostino Gemelli, klerik françeskan si edhe akademik. ).

Me këtë  veprim  Akademia  e shpërfilli  si  edhe  e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skaj-shmërisht prestigjin  jo  vetëm  Atë  Gjergjit por bashkë me të edhe Shqipërisë.  Akademia Italiane, nga ana  e  saj, záret i kishte  hedhur.  Pritej përgjigja  e  Fishtës. Hapin tjetër të priftit krenár vërtet’e priste me padurim Akademia e Italisë, por e priste me kureshtje dhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar.  Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi :  Patër Gjergji e kish për ndér propozimin  që  i  bëhej  dhe  falënderonte  të  gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin ! Këtu tashti edhe forca e karakterit të atdhetárit të madh e cila hedh poshtë të tëra insinuatat :
Në  konferencën  e  parë  solemne si akademik në Kinema Rozafat, për t’a pozicionuar veten e Tij botërisht, duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit të dikurshëm romak të Ilirisë me pushtimin e atëhershëm fashist të Shqipërisë Ai guxoi e tha :
“ … Rezistenca që romakët hasën ndër fiset dhe Mbretëritë Ilire të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vënd të lirisë …”

Sikur të përqëndroheshim vetëm rreth këtij pohimi të Atë Gjergj Fishtës, bërë nga ana e Tij publikisht si edhe zyrtarisht, nuk ka se si të mos na dal’e qartë se si akuza e ngritur kundra Tij si “shërbëtor i imperializmit si edhe i fashizmit italian”, (nga ana e udhëheqësit dhe diktatorit komunist të Shqipërisë Enver Hoxhës, cituar më lart), bíje poshtë me plot kuptimin e fjalës si një çpifje skajshëm keqdashëse, përçarëse si edhe e pavënd !

Nisur tashti nga të gjitha zhvillimet, të kundruara ato me përparësínë që na jep kqyrja në mënyrë  mbrapavështruese, si ta quajmë titullin e përzgjedhur nga profesor Nasho Jorgaqi ku pyetja e drejtuar lexuesit mbështetet në një “folje” (në paskajore – të flirtosh), e cila ka kuptimin të bësh dashuri por me kusht mos të jenë të përfshira aspak ndjenjat. Nuk mund ta mendoja se insinuata e autorit të shkrimit ndaj Atë Gjergj Fishtës, pa u zgjatur aspak se cila kategori femrash “flirtojnë”, do të formulohej kësisoji pikërisht 69 vite mbasi diktatori e quajti Atë Fishtën shovinist dhe shërbëtorin e fashizmit !  E të gjitha këto profesori Nasho Jorgaqi i mbështet në një letër eventuale gjuha e së cilës është skajshëm diplomatike dhe ai këtë letër e quan fakt kundra Atë Gjergj Fishtës !(?)

Dhe unë i mbyll këto radhë duke e riformuluar pyetjen :  Ishin duart e Atë Gjergj Fishtës për t’u puthur me respektin më të madh, siç qé shprehur profesori ai vet’i madh, Eqerem Çabej, apo ishte figura e klerikut, atdhetárit të madh si edhe poetit e shkrimtarit skajshëm të madh Atë Gjergj Fishtës, të qëmtohej në se kishte flirtuar ai me pushtuesin fashist,apo jo ?!

* Replikë e marrë nga Gazeta “Minerva”       

Filed Under: Opinion Tagged With: At Fishta, Eqrem Cabej, Ju puth duart me ndér si biri t’atit, Mergim Korca, Minerva

“Vetvrasja e një Kombi” dhe shtrembërimet historike të diktaturës

March 15, 2016 by dgreca

Nga  Mërgim Korça/

Nuk kam se si këto radhë mos t’i nis me pohimin madhor të autorit të librit i cili, në faqen e VIII-të të parathënjes q’i bën ai vetë librit, thotë shprehimisht e me gërma kubitale :
“… KISHA FILLUE PUNËN ARSIMTAR ME 1917 E FRYTET E KËNAQËSHME I KISHE PARASYSHË DITA E DITËS, FRYTE QË U RRITËSHIN VIT PËR VIT. KISHE PROVËN E PËRDITËSHME SE ISHE TUE SHARTUE SHPIRTIN TIM NË ZEMRAT E TYNE, SIÇ E KISHTE SHARTUE AT GJERGJ FISHTA, AT AMBROZ MARLASKAJ, MATI LOGORECI, NDUE PALUCA, GASPËR MIKELI E TË TJERË VETERANË T’ARSIMIT SHQIPTAR.
Porsa fillojshin të njohin historinë e Atdheut, entuziazmi i flakët, përzí me ankth, pushtonte zemrat e njoma të tyne e etja i shkrumonte me dijtë përherë e ma shumë. Të vegjël me moshë, të rritun në shpirtë, ishin gati me dhanë jetën për Atdhé, për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve nën hijen e flamurit të Skenderbeut, e ma vonë, besa, disa nder ata ranë në Ltérin e Atdheut, për zgjanimin e Shqipnisë e për mbrojtjen e saj nga komunizmi.”
. . . . . . . . . .
Kaq, vetëm sa për një hap të parë duke ia hyrë detyrës q’i kam vënë vetes ta ndjek edhe ta analizoj me sy kritik vëllimin e autorit Kol Bib Mirakaj. Por ksisoji, nuk qëndroj dot pa ia bërë të qart’edhe lexuesit se si autori në fjalë atë që ai e quan shumë bukur shartim të shpirtit mësuesit në zemrat e nxënësve, nuk kishte si mos të më ngjallte në nënvetëdijen time një shumllojshmërí ndjenjash si edhe të më prekte thellë ! Pyes veten : A i kanë më, ndërsjelltas të tilla ndjenja, si mësuesit edhe nxënësit e sotëm në Shqipëri ? Apo internacionalizmi proletar, i diktuar dhunshëm përgjatë thuajse gjysëm shekulli nga diktatura komuniste, ua vuri shqelmin këtyre ndjenjave duke ngjallur atë EGOIZMIN E SKAJSHËM që mendimtari i madh Baba Rexhebi e quante : “ E keqja madhore e cila i ka gllabëruar njerëzit dhe nuk i lejon ata ta shikojnë më … ZOTIN E MADH ! “
DY FJALË RRETH VËLLIMIT NË PËRGJITHËSÍ : Që në krye dua ta them se me autorin e librit nuk më lidh asgjë e posaçme pararendëse, qoftë e trashëguar pa lé personale. Kjo e përgjithëshmja. Nga ana tjetër, dua që lexuesi ta dijë se nuk kam patur asnjëherë rast tjetër si përgjatë leximit të faqeve të këtij vëllimi titulluar “Vetvrasja e një Kombi”, që të kemqenë i detyruar dhe, thuajse secilën fjalí të shkruar në të gjitha faqet e librit, ta nënvizoj me ngjyra për vetë sqarimet që ato japin si edhe pozicionimin skajshëm asnjanës që ato paraqesin sa i takon autorit të tyre ! Do të shtoja këtu edhe një këndvështrim tjetër timin sipas të cilit, duke e lexuar këtë vëllim gjatë vitit 2015, shtatëdhjet’e një vite mbas përfundimit të konfliktit të II-të botëror si edhe gjashtëdhjet’e katër vite mbasi u shkrua nga vetë autori, vetë paraqitja e fakteve të kohës, shkoqitja e tyre sipas këndvështrimit të vetë autorit të vëllimit dhe ç’ësht’edhe më e rëndësishmja, paanësíja e skajëshme se si i trajton Z.Kol Bib Mirakaj rrethanat si edhe qëndrimin ndaj tyre, “… për t’i lanë historishkruesit të së nesërmes nji dokument që t’a kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, tamam që më befasojnë ! Dhe me tëvërtetë që ky pohim i tij, me shikimin mbrapavështrues tonin, për aq sa i njohim zhvillimet e ngjarjeve në përgjithësí e deri në një farë mase edhe më gjerë, sa u takon saktësísë referencave, këndvështrimeve, thellësísë së vlerësimeve e doemos edhe rëndësísë që Z.Kol Bib Mirakaj u jep ngjarjeve vetë e gjithashtu edhe qëndrimeve për t’u mbajtur, të gjitha së bashku përbëjnë një mësimdhënje shëmbullore! Pikërisht kjo larmí paraqitje faktesh si edhe gjykimesh që jepen nga autori i vëllimit, na e bën tejet të vështirë analizën e kësaj vepre karakteri historik ! Neve në këtë mes na bíje barra, jo e papërfillëshme për nga pesha që duhet mbajtur, të dijmë t’ia paraqisim lexuesit të ndershëm, asnjanës si edhe gjykues të drejtë, aq pohime të Z.Kol Bib Mirakajt sa jo vetëm që mos ta mbingarkojmë lexuesin me thënje të autorit vëllimit por … t’ia forcojmë e aspak të mos ia zbehim shtysën që ai vetë ta lexojë këtë vëllim e përfundimet pastaj t’i nxjerrë në vetë të parë ! Nga ana tjetër nuk mundem t’i shmangem pohimit si edhe ftesës që u drejtoj historianëve bashkëkohës ta studjojnë këtë vepër shkencore karakteri historik ku autori, gërshetimine ndërsjellë të fakteve historike dhe vetëm fakteve, lidhur këta me gjykimin e tyre, ka patur në qëndër të vëmëndjes, gjithënjë kryekreje,INTERESAT KOMBËTAREdhe jo kurrë ato të grupit palé ato vetësore !
Pika kulmore tË cilave u hidhet dritË nga autori: Z.Kol Bib Mirakaj që në faqen me # 2 të vëllimit të tij thekson se si “ … Synimi i bolshevizmit është ZHDUKJA E PERSONALITETIT TË NJERIUT !“E bilé që ky pohim të mos mbetet i përgjithshëm edhe prai VAGËT, ai përcakton sakt’edhe dy faktorët e përdorur nga ai sistem për ta transformuar njeriun në një maqinë të pavullnetëshme :
1- Faktorin ekonomik
2- Faktorin moral
Dhe né, për ta bërë të prekëshme këtë idé që shtron autori i vëllimit, po sjellim një nga citatet e famëshme të Leninit që thotë : “E gjithë shoqëría do të kthehet në një zyrë si edhe një fabrikë të vetme, me punë të njajtë, si edhe pagë të njajtë.”
Nuk mundemi ta anashkalojmë këtë gur themeli që shtron Z.Kol Bib Mirakaj pa e mbështetur me thënjen e Tij madhore se si : “ … Kolkozet, (kupto kooperativat bujqësore – M.K.), fermat e fabrikat e çfardotjetër kompleks prodhimi që demagogjia komuniste me propagandë të paturpëshme, kërkon ti japin iluzionin masave të puntorëve, se gjoja janë pronë e tyre, për dobinë e përbashkët të puntorit e të punëdhanësit, (shtetit) … asht gënjeshtër e pathemel … Gënjeshtër e paturp, me që puntori asht i detyruem me punue përtej çdo kufini të ligjeve fizike me pagesë urije, pa të drejtë me kontrollue punëdhanësin …”. E nënvizuam këtë pohim të autorit, sepse deshëm që lexuesi ta shikojë se me ç’realizëm ai vetë, PA I PASË PËRJETUAR SITUATAT ASPAK NË VETË TË PARË, KA NJOHUR ME THEMEL LIDHUR ME SA E SI AI KA PËRSHKRUAR !
Sa i takon gjëndjes europiane pas përfundimit të konfliKtit të II-të Botëror, Z.Kol Bib Mirakaj shprehet sikur bën një parashikim karakteri jo vetëm largpamës por edhe thuajse VEGIMORtek pohon : “… Sa çmendí ka kenë m’e lanë Shqipninë nën sundimin e Rusisë, e me sigurí do të jenë kujtue tashma Anglia dhe Amerika, në se u ka dalë kllapía dhe euforía rusveltjane – çërçiljane … se qëllimi i vërtetë i drejtuesve të Kremlinit ishte dhe mbetet : IMPERIALIZMI PANSLLAV, i trashiguem nga Carët, me ndryshim se Carët synojshin me muejtë m’e shtrije Perandorinë deri përtej Dardaneleve e deri në grykë t’Otrantos kurse Carët e kuq synojnë të dominojnë drejtazi apo tërthorazi gjithë lamshin e Botës … Ultimatum duhet me u dhanë tiranëve të Kremlinit para se të jetë tepër vonë që të vihen në hullí t’arsyes … e vetëm tue pasë Bota e Lirë në krye Sh.B.A.- të … mund të shpëtohet njerëzimi nga shkatrrimi i nji Lufte të Tretë Botnore … Ky asht realiteti tragjik qi rrjedhë nga hapja e dyerve t’Europës dhe t’Azisë … imperializmitpansllav “. Mendoj se nuk ka asnjë arësye të shtoj unë komente ndaj këtyre thënjeve të Z.Kol Bib Mirakaj, por i cili ka pohuar edhe lënë me shkrim jo pak, por po e përsëris 64 vite të shkuara, dhe ka ndërtuar një shteg përgjatë të cilit jo vetëm që u shtjelluan ngjarjet gjatë këtyre dhjetvjeçarëve por … edhe sot si sot nuk ke se ç’i luan një presje pohimeve të Tij !
Me këtë rast nuk mundem të hesht e të mos e shtrij vëzhgimin disi më gjerë dhe, mbështetur në pohimet e Z.Kol Bib Mirakaj si edhe në zhvillimet e ngjarjeve në vazhdim, mos ta vé në dukje se sa kobzí ishte qëndrimi i Aleatëve Perëndimorë të cilët për interesat e tyre të çastit luajtën me fatet e miliona njerëzve kombesh të ndryshëm që dashur padashur u inkuadruan në shtetet që formuan t’ashtuquajturin Kampin Socialist t’Europës Lindore ! Konkretisht në vëndin tonë një pjes’e mirë atdhetarësh të mirëfilltë u përfshinë edhe ata fillimisht në radhët e asaj që u emërtua Lufta Nacional Çlirimtare ! Kurse atdhetarët e tjerë, të cilëve shikimi u përfshinte një lak më të gjerë kohor, gjeografik e gjithashtu edhe njohurishë karakteri të mirëfilltë historik e që kryesisht ishin intelektualë si edhe atdhetárë të mirëfilltë që për interesa kombëtare i kishin rrezikuar në mënyrë të përsëritur edhe jetët e tyre, nuk u bashkuan me L.N.Çl., por ama formuan atë kategori e cila me anën e atentateve nga ana e t’ashtuquajturve Njësite Guerrile, ranë që në fillim nën plumbat e atyre që pikërisht u përdorën nga drejtuesitpansllavësi masha kriminale gjaksore kundra elitës së kombit tonë ! Në vazhdim, pjesa tjetër e mbetur gjallë e kësaj kategoríe atdhetarësh, u kositën nga skuadrat e pushkatimeve që vepronin, e ndjej të nevojëshme ta theksoj edhe një herë, nën urdhërat e të lidhurve këmb’e kokë për interesa thjeshtë personale, me drejtuesit sllavë të asaj që qé emërtuar Partia Komuniste Shqiptare !
Me këtë rast më duket sikur e dëgjoj nga përtej gropës ku iu kalbën eshtrat Patër Giovanni Faustit, meshtarit të pushkatuar me 4 Mars të vitit 1947, (si m’i ka pasë rrëfyer Ernest Dema i burgosur që 16-vjeçar dhe i dënuar nga i njejti trup gjykues si edhe në të njajtin grup me Patër Faustin), i cilinë fjalën e Tij të fundit qé shprehur : “… Fillimisht mjérintelektualët si edhe klerikët ! Në vazhdim mjér të kámunit !Mbas tynemjérklasa katundare seç’kanë me hjekë ! Në vijím, shtegu juej ka me ju çue drejt asaj qi për klasën puntore t’cillën keni m’e krijue, të thuhet mjér ajo!Përgjatë ksí shtegu mandej mjér e gjithë kategoríja drejtuese e cilla e mbështeti krijimin si edhe forcimin e shtetit të diktaturës proletare e mandej si e verbët ecte mbas gjurmëve të diktatorit ! E s’fundit mjér i gjithë populli !“
Me pak fjalë, autori i veprës që po trajtojmë, sikur t’i kishte pasë dëgjuar fjalët profetike të Patër Faustit shprehur në fjalën e Tij të fundit para trupit gjykues, e lidhur kjo me aq përvojë sa mund të kishte parë qartë se si kur Gjermania hitleriane – naziste të mos kishte më se si të përbënte një rrezik për anglo – amerikanët, e kur diktatori i kuq Stalini i kishte shfaqur hapur synimet e tij që ishin bërë të qartë, Z.Kol Bib Mirakaj ua heq vrejtjen aleatëve perëndimorë që nuk e lejuan Gjermaninë hitleriane të merrej vetëm për vetëm me Rusinë Bolshevike e t’i a dërmonin brinjët ndërsjelltas njera tjetrës ! E pikërisht ndër ato rrethana kur tashmë ishte lëshuar kushtrimi lidhur me gjëndjen e përgjithëshme se MBAROI SHQIPËRIA, Kol Bib Mirakaj bën pohimin madhor “ENVER HOXHËN ME SHOKË I SOLLI NË FUQÍ SLLAVIZMI ME AMERIKANËT DHE JO AFTËSÍJA E TYRE ! T’I A SHTRIJMË DORËN VLLAZNISHT KUJTDO QË FATI OSE GJYKIMI I SHËNDOSHË E KA SHTYE TË PËRQAFOJË KAUZËN ANTIBOLSHEVIKE …”!
Në vazhdim Z.Kol Bib Mirakaj na jep edhe një mësim tjetër madhor tek pohon se “ … Raportet në mes popujve rregullohen në bazë interesash e forcash dhe jo simpatíshë, demagogjishë e iluzionesh … e pra nëse nuk do të jemi në gjëndje ti paraqitemi Botës së Lirë si trup kombëtar që mund t’apim kontributin që na përket në kauzën e madhe të mbrojtjes kundra bolshevizmit pansllav, ne do të vazhdojmë të ngelim siç jemi sot, grupthe grindavecësh, element shkatrrimtar e jo ndërtues, askush nuk ka për t’na vue veshin … Né në vend që të përpiqemi për shpëtimin e Atdheut, përpiqemi ti nxjerrim sytë shoqi-shoqit !”
Pikërisht kjo hedhje vështrimi mbrapavështrues ndaj si i shpjegon autori i librit në fjalë situatat qoftë gjatë zhvillimit të ngjarjeve të L.II-të Botërore si edhe në vazhdim, na detyrojnë të pranojmë se si Nacionalizma Shqiptare në përgjithësí rá në kurthin e ngritur nga komunistët jugosllavë që ishin organizatorët e asaj q’u emërtua L.N.Çl. ! Kjo e fundit, e kurdisur prej tyre me qëllimin e caktuar që të luftohej pikërisht ajo kategorí e mirëfilltë e cila e krijoi dhe vazhdoi ta mbështeste forcimin e Shtetit Shqiptar,duke dashur të dërguarit e Jugosllavisë t’i pengoninsi edhe paralizonin brezat e intelektualëve si edhe dashuruesve të Atdheut Shqiptar në lidhjet e tyre me brezat pasues e në vazhdim edhe taasgjësoninatë vijueshmërí !
Lidhur me këtë pozicionim sa për një shëmbull të prekshëm ku historianët bashkëkohorë, ish dishepujt e atyre pseudohistorianëve pjella të diktaturës komuniste, q’e shtrembëruan si deshën historínë si edhe të vërtetat e saja dhe në një kohë që edhe sot njeri syresh, e pikërisht ai i cili mundohet objektivisht të duket sa më i paanshëm, profesor Pëllumb Xhufi shprehet e thotë : “ … Mustafa Kruja u bë kryeministër i një prej qeverive kuislinge më të urryera të historisë Shqipërisë …”, për hir të së vërtetës nuk rrijmë dot pa ia kundërvënë dy anë të së njajtës medalje, atë të personalitetit të shquar atdhetár dhe nënshkrues të Dokumentit Pavarësísë e gjithashtu të kryesuesit të qeverisë, por edhe gjuhëtarit më se të shquar Mustafa Krujës, e cila qeveri jo pak por pikërisht 30 (tridhjetë) vite para Kongresit të Drejtshkrimit, e zyrtarizoi si qeverí vendimin e marrë nga Instituti i Studimeve Shqiptare q’e caktoi të folmen e qytetit të Elbasanit si Gjuhë Zyrtare të Njësuar Shqipe, (Vendimi Nr.61 dt.21 shkurt 1942), gjë të cilën asnjeri nga tekstet e historisë e as edhe asnjeri historian i ish diktaturës komuniste kurrë nuk e kanë pohuar !
Gjithashtu lexuesi i vemendshëm po iu referua Ditarit Politik të ish ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë Fashiste të asaj kohe si edhe dhëndërrit të Mussolinit, Contit Galeazzo Ciano, do të gjejë se ai, në Ditarin Politik të tij, (botim i Rizzol-it i vitit 1990 në faqen 556), lidhur me emërimin në Shqipëri të Mustafa Krujës si Kryeministër ka shkruar : “ … ky një lëshim i mëtejshëm ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare !
Ndalemi pikërisht këtu tashti dhe sjellim njërin nga pohimet madhore me të cilët shprehet autori i vëllimit kuptimplotë ” Vetvrasja e një Kombi “, Z. Kol Bib Mirakaj,tek thotë se ç’ka shkruar “ … asht e vërteta e çveshun lakuriq e ngjarjeve.” Ja pra si e cilëson qëndrimin si edhe veprimet e Mustafa Krujës autori i vëllimit të sipërpërmendur në faqen 68 ku ai ndër të tjera pohon edhe thotë :
“ Përsa kam pasë rasë ti njoh burrat e Shqipnisë, (në rasa e kohë të mjaftueshme për të mujtë me dhanë nji gjykim), mund të them se, në se ndokush ndër ta e meriton cilësinë që të quhet Burrë shteti e patriot, këto cilësí i ka Mustafa Kruja, me të vërtetë; nder’e vlerë kombtare, kur atyne cilësive u shtohet edhe kultura e gjanë e Tij. Prandej asht dam i madh që nji vlerë e tillë të struket anash … Megjithse, edhe unë jam i akuzuem nga “ata” që patriotizmin e kanë në maje të gjuhës, dhe “theorinat” i bajnë në tavolinat e kafeve, e ndjej për detyrë të baj edhe nji tjetër dëshmi ndaj këtij Burri :
Prej Majit 1942, e deri në dorëheqjen e kabinetit, kam kenë edhe unë Ministër – Sekretar i P.F.SH., në qeverin e Tij, dhe kam pasë rasë ti ndjek e njoh imtësisht ndjenjat e Tija, përpjekjet e zotsinë e shqueme, dhe dishmoj para Zotit e Kombit, se : Gjithë veprën e Tij, Ai e ka zhvillue me ndjenjën ma të kullueme për të mirën e Atdheut, për aqsa e kanë lejue rrethanat e kohës. Ndershmëninë e Tij ia dëshmon gjendja e Tij në këte mërgim: Ai kje pa bukë në bark e pa strehë ku me shtij kryet mbrendë, po të mos kishin kenë thonjtë e së motrës e bujaria e Mbretit Zog.
Asht Ky, e jo “ai”, që disa të pandërgjegjshëm donë ta paraqesin, kush asht Mustafa Kruja. E për tashti, po e la me kaq këtë atdhetar e Burrë të shquem dhe shumë të vuejtun, për të shpjegue prap tjera gja në rradhën e veprimeve tona.“ E doemos nuk kam se si mos ta vé në dukje faktin se si me cilësorin disa të pandërgjegjshëm, autori i vëllimit që diskutojmë, ka cilësuar shtrembëruesit e historisë së vëndit tonë të cilët, që nga 7 prilli i zí e në vazhdimin e saj të kobshëm mbas asaj q’e quajnë “dita e çlirimit”, nuk kanë shkruar histori të mbështetur në fakte por vetëm histori t’indoktrinuar!
Gjatë kësaj vazhde, pa ndërhyrë unë fare me mendimet si edhe me pikëpamjet e mia, ia rekomandoj lexuesit t’i ndjekë me vëmëndje të përqëndruar shkëmbimet e mendimeve përballë njeritjetrit të autorit vëllimit, Z.Kol Bib Mirakaj drejtuar Mussolinit në takimin me të më 23 Prill të vitit 1943 si edhe anasjelltas replikat e Duçes. Mbasi t’i keni lexuar unë vetëm një pyetje shtroj : A ka se si të quhen pikëpamje si edhe logjikë e një kolaboracionisti egoist e tradhëtar problemet që shtron Z.Kol Bib Mirakaj, apo pohime të një atdhetari të palëkundshëm ndaj interesave të Atdheut të Tij dhe vetëm Atdheut tek i drejtohet dhe i thotë : “ Duçe ! Po ta veni Popullin Shqiptar në gjendje m’e mbrojtë egzistencën e tij, do t’i jepni edhe provën konkrete se vërtetë e doni me zemër ashtu siç e keni deklarue. Kësisoji do t’i zhdukni çdo dyshim që ka sot ndaj Italisë … ! “ Dhe më poshtë pastaj vazhdon edhe se si i ka propozuar “ Pushimin e funksjonit të Partisë Fashiste Shqiptare dhe zëvëndësimin e saj me Lëvizjen e Bijve të Shqipes … sepse Ju vetë e dini se një Lëvizje Kombëtare për të kenë i sigurtë suksesi i saj, duhet të ketë zanë fill nga ndjesitë e tradicjoni i Popullit … “
Në vazhdim ndonjë nga pohimet e Duçes në përgjigje zotit K.B.Mirakaj, (pohime të cilët gjënden në arkiva tek dosja – Protokolle Takimesh -) : “ Jam thellësisht i prekun nga sinqeriteti me të cilin më foli kaq kjartë e me zemër haptë kamerata Mirakaj. Më keni folë burrnishtedhe tjeraherë si Ju shkëlqesë, ashtu dhe të tjerë përgjegjësa e patriotë Shqiptarë… Ju jap autorizimin ta shkëmbeni Partinë Fashiste Shqiptare në “Lëvizjen e Bijve të Shqipes” e t’i jepni ato karakteristika e atë frymë që ma mirë e ma me dobi u përshtaten ndjenjave, nevojave e dishirave të popullit tuej … Çdo therorí duhet të bajë nji popull për të dalë me nder ! “
Përgjatë këtij shtegu po sjellim tashti një dokument nga Arkivi i Londrës rreth takimit që kanë patur dy kolaboracionistët me damkë, (sipas historianëve të partisë komuniste), Gjon Markagjoni si edhe Kol Bib Mirakajme Majorin P.A.B.Neel me 3Prill 1943. Dokumentin ia sjell jo aq lexuesit të paanshëm i cili nuk ka pse ta marrë mundimin e të hulumtojë aq thellë; kurse e sjell pikërisht për vazhduesit e veprës së historianëve të indoktrinuar të cilëve jo vetëm që ua rekomandoj ta gjejn’e ta lexojnë dhe, pa patur ata asnjë detyrim të më besojnë mua, t’i gjurmojnë vetë zhvillimet e veprimeve të atyre atdhetarëve të shquar që ata vazhdojn’edhe sot e i quajnë kolaboracionist’edhe tradhëtarë të Atdheut vetëm se të ndikuar nga ideologjía e tyre e mbrapshtë komuniste. Nga ana tjetër e sjellim këtë dokument që të krahasohet me sa e si i hedh dritë takimit me Majorin Neel autori i librit, zoti Kol Bib Mirakaj, krahasuar ato me dokumentin zyrtar anglez :
ARCHIVES – N. 1328 HS5/132
S.O.E. ALBANIA – B.L.O. Report “J”
Volume (Formerly 41/490/19) 116
SUBJECT
ALBANIA B.L.O. Report “J”
W/Cdr. P.A.B. Neel
Capt. J.C. Hiberdine
F.H. Brandt
Ja edhe përkthimi i përmbledhjes sintetike lexuesit të nderuar, (siç e kanë artikuluar në dokumentin arkivor vetë anglezët takimin) :

-“ Kam pasë qenë vënë në dijení nga K. sapo arrita në Verí se atje gjëndeshin dy bashkëpunëtorë të njohur, Gjon MARKAGJONI si edhe Kol Bib MIRAKAJ, dhe përgjatë gjithë dimrit kishte raporte të vazhdueshme se të dy personat pranonin armë si edhe të holla nga GJERMANËTqë të luftoheshin vetë partizanët. Takimi u zhvillua në shtëpin’e Kol Bibës në IBALLE (B.53)duke qen’i pranishëm edhe Hilmi LEKA. Ata vetë pohuan se, që nga kapitullimi i Italisë që të dy ata kanë patur raste të pranonin poste zyrtare me GJERMANËTpor ata i refuzuan sepse nuk ishin mbështetës të pushtimit GJERMAN. Që të dy ishin pro-ITALIANË … sepse vetë pozicioni gjeografik i saj, ësht’e ditur se ia jep mundësitë si shtet t’ia japë SHQIPËRISËdorën udhëzuese ndaj së cilës ajo ësht’edhe aq nevojtare.
Ata që të dy pohuan se e admironin lart ANGLINË, jo në atë livel AMERIKËN, por duke mos ngjarë kjo aspak me RUSINË.
Kol Biba pohoi se po të mos ia garantonin ALEATËT SHQIPËRISËmbas lufte kufijtë si edhe fati i KOSOVËStë mos vendosej nga një plebishit i drejtë, i cili t’i siguronte popullit një ideal për të cilin të luftonin, kishte me qen’e pamundur për cilindo të organizonte në shkallë të gjerë një kryengritje kundra GJERMANËVE.-“
Nuk kam se si mos të shtoj përgjatë këtij shtegu, se si lexuesi do të gjejë përgjatë leximit të librit shkruar nga Z. Kol Bib Mirakaj, edhe dokumenta autentike se si e trajtonte “ÇËSHTJEN SHQIPTARE”Komandanti i Shtatmadhorísë së nacionalistëve sllavë Drag.M.Mihajloviqi ku mes gjashtë dokumentashshihet fryma skajshëm sllave dhe kundrashqiptare e tyre, në një kohë që pala besnike e Kremlinit, ësht’e tepërt ta diskutojmë se tashmë ësht’e ditur, e donte inkuadrimin e plotë të Shqipërisë në Federatën Jugosllave gjë që e mbështeti fort edhe Enver Hoxha në atë famëkeqe mbledhje të Byrosë Politike të Partisë mepohimin e tij më 15 Dhjetor të vitit1947, në pranín’e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç-it, ku Enver Hoxha deklaron, (proçes-verbali i asaj mbledhje ruhet në dokumenta Arkivi – shënim M.K.) :” … Tani që e likuiduam këtë pengesë, (Nako Spirun – shënim M.K.), duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin,PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…”
I citova të gjitha sa sipër për të vetmen arësye që lexuesi të më ndjekë duke kuptuar se si e vërteta rrethtë gjithë varguttë zhvillimeve përgjatë dhjetravjeçarëve, bije dukshëm ndésh me pohimet në vazhdimësí si edhe qëndrimet e asaj kategoríe e cila jo vetëm që pretendon se i trajton zhvillimet historike por edhe është ngarkuar, e kjo edhe e keqja më e madhe,t’i rihartojë tekstet e HISTORISË SË SHQIPËRISË !
Në këtë drejtim, pa as më të voglin dyshim, vëllimi me kujtime si edhe konsiderata karakteri historik i titulluar nga vetë autori “VETVRASJA E NJË KOMBI” i shkruar nga Z.Kol Bib Mirakaj, jep një dëshmí jo vetëm të saktë por edhe të mirëfilltë lidhur me heshtjen rreth së vërtetash si edhe shtrembërimeve sa u takon fakteve historike që gjatë kohës së diktaturës si edhe sot e kësaj dite, vazhdojn’e trajtohen me të njajtin fanatizëm nga historianët e ideollogjizuar të dikurshëm.(Kortezi:Gazeta Minerva)

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe shtremberimet e Diktatures, Mergim Korca, Vetvrasja e nje Kombi

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT