
-Mesazh i Kryeministrit Hoti me rastin e 142-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit/

Prishtinë, 10 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e 142-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka adresuar një mesazh, në të cilin thuhet:
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit, siç thoshte Presidenti Rugova, ka qenë lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.
Kjo lidhje ishte uverturë e kryengritjeve të mëdha shqiptare gjatë viteve 1910-’12, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë, e cila u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha, që u sanksionua edhe pas dy luftërave botërore të shekullit XX.
Fryma e Lidhjes së Prizrenit, megjithatë, nuk u shua asnjëherë. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci janë vijimësi e ideologjisë nacionale të kësaj lidhjeje.
Në këtë frymë liridashëse e properëndimore do të vazhdojë jetësimi i aspiratave tona, të cilat do të përmbyllen me integrimin tonë të plotë në institucionet euroatlantike dhe në OKB, në familjen e madhe të kombeve të lira dhe demokratike”.