“Mëshira e Zoti dëshmohet përmes veprave tona, siç ka dëshmuar jeta e së Lumes Nënë Terezë, të cilën e kujtuam dje në përvjetorin e vdekjes”. Kështu tha Papa Françesku sot gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në mesditë, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke kujtuar dramën e refugjatëve e të emigrantëve dhe drejtuar thirrjen për solidaritet njerëzor, sipas shembullit të jetës dhe veprës të së lumes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu.
“T’u japim emigrantëve një shpresë konkrete”. Ja pse atëherë “para tragjedisë së dhjetëra mijëra refugjatëve që janë në ikje nga vdekja për shkak të luftës e të urisë dhe janë në udhëtim drejt një shprese për jetën, Ungjilli na thërret e na kërkon t’u jemi ‘afër’ më të vegjëlve e të braktisurve. T’u japim atyre një shpresë konkrete. Mos t’u themi vetëm ‘guxim, durim!’, lypen vepra autentike të solidaritetit. Shpresa është luftarake, ecën me qëndresën e atij që shkon drejt një caku të sigurt”.
“Edhe dy famullitë kishtare të Vatikanit do t’i pranojnë këtyre ditëve dy familje të refugjatëve”. Kështu bëri të ditur Papa Françesku, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ati i Shenjtë Bergoglio i bëri thirrje “çdo famullie kishtare, çdo komuniteti rregulltarë, çdo manastiri, çdo shenjtëroreje të Evropës, duke u nisur nga dioqeza ime e Romës” të strehojnë e presin një familje” refugjatësh.