Shpërthen Kastriot Islami: Meta-Ti bashkëpunëtor në vrasjen e pluralizmit
Nga Kastriot Islami/
Marrëveshja Meta-Rama për të detyruar/pranuar Metën të bëhet president është njëkohësisht një marrëveshje që detyron LSI të futet së bashku me Ramën në zgjedhje pa opozitën. Marrëveshja për Metën-president nuk do të kishte asnjë rëndësi për opozitën nëse ajo nuk do pasohej me pjesëmarrjen e LSI në zgjedhjet pa opozitën, përderisa Rama e Meta i zotëronin votat e mjaftueshme për të arritur një marrëveshje për të zgjedhur kreun e shtetit. Ndërkohë që gjatë të gjithëve kohëve të fundit, Meta kishte deklaruar se “nuk do të futej në zgjedhje pa opozitën”, marrëveshja për Metën-president, e çiftuar me marrëveshjen mes PS e LSI për tu futur në zgjedhje të vetëm, pa opozitën, është një marrëveshje e mbarsur me shumë rreziqe për shkak të trazirave eventuale që do të mund të shkaktonte përballja e qytetarëve me shtetin policor, kriminal e të korruptuar për të penguar vrasjen e pluralizimit dhe rivendosjen e monizmit.
Marrëveshja për të zgjedhur Metën president, në një sallë gjysmë-bosh, pa opozitën dhe me synimin për të shkuar më tej në zgjedhjet e përgjithshme, farsë dhe pa opozitën, e krijuar pastaj së bashku me Ramën opozitën fasadë, është një ogur i keq për demokracinë shqiptare dhe racionalisht nuk do të mund të pranohet asnjëherë nga opozita. Kjo marrëveshja dhe produktet e saj do të konsiderohen gjithnjë ilegjitime dhe do të jenë të papranueshme. Kjo do të konsiderohet vazhdimisht një marrëveshje e bashkëpunimit të fshehtë për vrasjen e pluralizmit dhe rivendosjen e monizmit. Ndër të tjera, Meta do të mbajë mbi shpinë vulën e bashkëpunëtorit që tradhtoi vetveten përderisa më parë kishte deklaruar se “nuk do të pranonte në asnjë rast zgjedhje pa opozitën”, aq më tepër që kjo marrëveshje nxjerr sheshit pazare të tjera në kurriz të pluralizmit.
Marrëveshja i jep fundit çdo iluzioni “dashamirës”/të sforcuar për ti konsideruar parimore përpjekjet e “king makerit”, gjatë katër vjetëve, me synim shmangien e marrëzive e prapësive të Ramës, duke vërtetuar nga ana tjetër apo ndërkohë plotësisht tezën e bashkautorësisë për gjithçka kundër interesit publik. E thënë më thjesht, futja në zgjedhje e Metës, së bashku me Ramën pa opozitën, apo ndryshe lëvizja e tyre për vrasjen eventuale të pluralizimit e rivendosjen e monizmit, duken pasojë e një aleance, në dukje kontroverse, por në thelb konsekuente në veprimet e saj me pasoja të rrezikshme jo vetëm për demokracinë por edhe për stabilitetin e sigurinë e vendit.
Marrëveshja e ka të vështirë të sqarojë publikut nëse Meta ka qenë i detyruar apo e ka dëshiruar këtë lëvizje, duke demonstruar më shumë dobësi e frikë sesa forcë, racionalitet e largpamësi. Për më tepër që kjo lëvizje s’do të mund të jetë një marrëveshje uin-uin, edhe nëse Rama ja ka premtuar si të tillë, sepse Meta duket i detyruar më shumë për të pranuar marrëveshjen për shkak të dobësisë që ndjen së brendshmi, dobësi që vetëm do të shtohet në të ardhmen. Ose e thënë ndryshe, kjo marrëveshje do të jetë së paku për LSI humbëse e deri shkatërrimtare në periudhën afatmesme. Gjasat janë që pas zgjedhjeve LSI të asborbohet nga Rama në kuadër të “bashkimit të së majtës”.
Marrëveshja që e “detyron” Metën të shkojë në zgjedhje së bashku me Ramën por pa opozitën s’do të mund ta shpëtojë LSI nga rrudhja, nga humbja e rolit “king e maker” e me shumë gjasa edhe nga absorbimi i saj nga Rama. Ky është një synim i vjetër i Ramës të cilin po e bën realitet përmes kësaj marrëveshjeje. Nëse herën e parë në vitin 2003, Rama e mashtroi Metën duke e “bindur” të largohej nga PS por me synimin e qartë për ta hequr atë nga PS si një nga pengesat drejt postit të kryetarit të PS. Nëse herën e dytë, Rama e joshi Metën në zgjedhjet e 2005 të futej në luftë me PS për të “hequr qafe” pengesën e dytë, Nanon, drejt kreut të PSSH. Nëse herën e tretë Rama në vitin 2007 e mashtroi Metën për ti marrë mbështetjen për të qëndruar kryetar bashkie sepse vetëm kështu do të kishte mundësi të forconte pozitat në krye të PS për eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të brendshëm. Nëse herën e katërt në zgjedhjet e vitit 2009 Rama do të tentonte ta rrudhte LSI deri në eliminim përmes krijimit dhe mbështetjes së G99. Nëse herën e pestë në 21 janar 2011, Rama do të tentonte të eliminonte politikisht Metën. Nëse herën e gjashtë, në zgjedhjet e vitit 2013 e bindi Metën të krijonin “aleancën e qelbësirave” që do ti mundësonte Ramës kapjen e postit të kryeministrit. Herën e shtatë Rama do ta çonte Metën në karrigen e presidentit, me kërcënimin e vjetër të burgut apo me joshjen e shkëmbimit më vonë të pozicioneve, praktikisht e ka anihiluar LSI dhe për rrjedhojë edhe karrierën politike të Metës.
Marrëveshja e arritur do t’i hiqte përfundimisht Metës rolin e “king makerit” por edhe të moderatorit politik qe “flet me të gjithë”, përfshi edhe opozitën, sepse përmes kësaj marrëveshje Meta jo vetëm vendoset tërësisht e pa asnjë ekuivok në anën e Ramës, por ai radhitet si bashkëpunëtor në vrasjen e pluralizmit pra më konkretisht të opozitës. Vrasja eventuale e pluralizmit do të mund të ndodhë nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa opozitën që do të pasohen nga kalimi i LSI në opozitë fasadë të një parlamenti monist, duke e shndërruar atë shumë shpejt në një “parti presidenciale” inekzistente.
Marrëveshja e nxitur edhe nga ndonjë “ambasador” mercenar i “hashash-diplomacisë” dhe e pagëzuar in esktremis si “legjitime” nga ndonjë tjetër, një marrëveshje “vrasëse e pluralizmit”, pas deklarimeve të papërgjegjshme e kërcënuese të Ramës ndaj BE e SHBA për shtete etnikisht të pastra në Ballkan dhe njëkohësisht me ngjarjet me pasoja të (pa)parashikueshme në Maqedoni duket si një sinjal jo fort optimist për stabilitetin e sigurinë e vendit e të rajonit, një mesazh shqetësues për të gjithë qytetarët e rajonit.
Marrëveshja që do të klasifikohet minimalisht e “turpshme” në historinë e demokracisë së Shqipërisë do të mund të ndalohej të zbatohej vecse nga qyetarët në protestë. Përndryshe vendi do të futej në errësirën e vjetër ose në trazira me pasoja të parashkueshme. Koha nuk pret. Përgjegjësia do të ishte e rëndë edhe për Metën-President që pranoi të shkonte në zgjedhje pa opozitën në vend që të kontribuonte, qoftë edhe përmes sakrificave, për zgjedhjet e lira e të ndershme, me një “qeveri besimi” apo “qeveri teknike” pa Ramën kryeministër. Kështu Meta zgjodhi të keqen më të vogël për interesat e tij personale dhe të keqen e madhe për pluralizimin në Shqipëri, e mbi të gjithë për stabilitetin e sigurinë e vendit.
Mogherini: Shqipëria është Europë
*BASHA-MOGHERINI:30 MINUTA NE “ROGNER”/
Mogherini- Nishani, diskutim për reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin/Presidenti Bujar Nishani u takua sot me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zv. Presidente e Komisonit Evropian, Federica Mogherini.
Presidenti Nishani i përcolli Mogherinit vlerësimin për mbajtjen lart në agjendën e BE të Shqipërisë dhe rajonit, dhe falënderoi për angazhimin e madh të të gjitha institucioneve të BE për ecurinë e reformave në Shqipëri.Kreu i Shtetit evidentoi se pas propozimit të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe konkluzioneve të Këshillit, janë të qarta fushat prioritare në të cilat vendi duhet të bëjë përparim sa më parë.
Presidenti Nishani vuri në dukje se ndërkohë që reforma në drejtësi ka patur një zhvillim pozitiv në dy vitet e fundit, tashmë ka mbërritur në një etapë të rëndësishme që kërkon krijimin e mekanizmave legjitimë, të besueshëm dhe të shëndetshëm për zbatimin efikas të saj. Në këtë kontekst ai theksoi se është tejet e rëndësishme që ky proces të ecë vetëm mbi baza kushtetuese dhe ligjore, të shmanget politizimi i tij, dhe të inkurajohet gjithëpërfshirja, si garancitë e besueshmërisë tek qytetarët shqiptarë.
Kreu i Shtetit shtoi se reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe administratës publike, pasi të tria këto dimensione lidhen me perspektivën e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.
Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, Presidenti Nishani garantoi se Shqipëria nuk ndërhyn në punët e brendshme të asnjë vendi tjetër, dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai shprehu shqetësimin e përdorimit të një gjuhe armiqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoni për qëllime që lidhen me garën politike në vend.
Presidenti theksoi se Platforma e partive shqiptare në Maqedoni është produkt i vetë këtyre partive, të cilin Shqipëria e mbështet duke e parë në frymën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke mbështetur bashkëjetesën si qytetarë të barabartë ndërmjet të gjitha etnive atje, ashtu sikurse ndjekim parimin marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Mogherini: Shqipëria është Europë. BE gati për negociatat
Shqipëria është Europë! Ka qenë ky mesazhi që shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka dhënë në një takim me studentët e Universitetit të Tiranës.“Është absolutisht e qartë se Shqipëria është Europa dhe duhet të largohemi nga retorika se ju keni rrugë europiane. Ju jeni rrugës drejt BE-së”, ka deklaruar Mogherini.
Shefja e diplomacisë sw BE ka thënë se Bashkimi Europian nuk ka për të qenë i plotë derisa Shqipëria të jetë pjesë e tij, por i takon vendit tonë që të çojë përpara proceset integruese.
“Zgjerimi është një zgjedhje e përbashkët që ne po e bëjmë së bashku dhe ka të bëjë me vendime të përbashkëta që ne i ndajmë me njëri-tjetrin. Tani e ka Shqipëria në dorë të marrë hapin përpara”, ka thënë Mogherini.
Dhe në këtë drejtim, përfaqësuesja e Lartë ka nënvizuar se implementimi i reformës në drejtësi është diçka që i duhet Shqipërisë dhe jo Brukselit.
“Janë qytetarët që duan një reformë në drejtësi që shteti të funksionojë më mirë dhe jo Brukseli. Ndaj është përgjegjësi e institucioneve që ta përmbushin këtë reformë. Një sistem i pavarur i drejtësisë lufton krimin e organizuar, korrupsionin, do të tërheqë të rinjtë e interesuar për biznes dhe investitorët. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë hapat e duhura, ne nga ana jonë jemi gati të hapim negociatat”, ka thënë Mogherini.
Nuk ka mbetur jashtë fjalimit të saj edhe kriza politike në Shqipëri, për të cilën Përfaqësuesja e Lartë ka nënvizuar se problemet dhe kontestet duhen zgjidhur brenda dyerve të institucioneve.
BASHA-MOGHERINI:30 MINUTA NE “ROGNER”/
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim rreth 30 minuta me shefen për politikën e jashtme të BE, Federica Mogherini, të cilën e njohu me kushtet e protestës së opozitës dhe me situatën politike në vend.
Pas përfundimit të takimit mes tyre që u zhvillua në “Rogner”, Basha theksoi se diplomates së lartë të BE i bëri me dije se krijimi i qeverisë teknike është zgjidhja e vetme për organizimin e zgjedhje të lira dhe demokratike.
“E njoha konkretisht me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për krizën e rëndë politike që vendi po kalon, i dështimit për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zonja Mogherini do të shprehet vet, nuk jam këtu të bëj zëdhënësin apo zëdhënësen e saj. Por, kauza jonë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata që i duan të mirën Shqipërisë”, deklaroi kreu i demokratëve.
Lulzim Basha e konsideron kritike situatën aktuale politike, për të cilën bëri fajtor Kryeministrin Edi Rama, dhe u bëri thirrje forcave politike që t’i bashkohen kauzës opozitare.
“Shqipëria është një pacient me kancer që ka nevojë për një operacion të thellë. Qeveria teknike, që do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e vetmja zgjidhje për t’i dhënë vendit rrugëdalje”, tha kryetari i PD Lulzim Basha.
Prenoncimi i plotë i Lulzim Bashës:
“Sapo përfundova një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, znj.Federica Mogherini. Pata rastin ta njoh konkretisht me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për krizën e rëndë politike që vendi po kalon; i krimit të gjithëpushtetshëm të lidhur me pushtetin politik, i drogës dhe parave të drogës, i moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, i nxjerrjes së bandave dhe kriminelëve nga burgu me ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike të niveleve të larta, i dështimit për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2014 në Korçë, në 2015 anembanë vendit, në 2016 në Dibër, i dështimit për t’i dhënë vendit reformë zgjedhore si plotësimi i të gjitha kushteve për të hapur rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, vetëm përmes një qeverie teknike. Një qeverie të vullnetit të mirë që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke zbatuar deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke ndërmarrë një aksion energjik dhe efektiv kundër narkokultivimit, narkotrafikimit dhe parave të pista të drogës që sipas tashmë gjithë mediave botërore kërcënojnë zgjedhjet në Shqipëri, dhe duke krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pa dyshim duke i hapur kështu rrugë edhe zbatimit të reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut për të cilën Partia Demokratike dhe opozita kanë dhënë kontribut dhe janë krenar për kwtw.
Pyetje: Çfarë ju tha znj.Mogherini?
Basha: Zonja Mogherini do të shprehet vetë. Unë nuk jam këtu të bëj zëdhënësin e saj, por mund t’ju them se kauza jonë, kauza e qytetarëve shqiptarë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata të cilët i kanë dashur dhe i duan të mirën Shqipërisë. Ata që na kanë shoqëruar në 26 vite tranzicion të vështirë e kuptojnë se Shqipëria me krimin e organizuar në pushtet dhe me problemin e jashtëzakonshëm të drogës nuk është një pacient me kollë që mund të shërohet me shurup, por është një pacient me kancer që ka nevojë për një operacion të thellë.
Ftesa ime është që faktorët e përgjegjshëm politikë të bashkohen në një pakt kombëtar për të kryer këtë operacion përmes një qeverie teknike e cila do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është në të njëjtën kohë edhe e vetmja rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë, në sundimin e krimit të organizuar për një kohë të gjatë, duke dëmtuar nw palcë interesin kombëtar dhe jetët e të gjithë shqiptarëve në vendin tonë.
Pyetje: Z.Basha do të shkoni të hënën në Parlament në seancën për ngritjen e komisioneve të Vetingut?
Basha: Nuk ka dhe nuk për të pasur Parlament tjetër përveç Sheshit të Lirisë, deri në arritjen e një pakti kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Meta- Mogerini:Reforma në drejtësi të zbatohet sipas Kushtetutës, rrit besimin
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në avancimin e Shqipërisë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim dhe në veçanti për asistencën e dhënë në kuadër të reformave kyçe.
Në këtë drejtim u theksua rëndësia e avancimit pa vonesa me zbatimin e reformimit të sistemit të drejtësisë në frymën e bashkëpunimit politik e institucional dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së miratuar me konsensus.
Kreu i Kuvendit theksoi se “një reformë e bazuar në kushtetutë e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj” me qëllim që Shqipëria të ketë mundësi t’a luftojë më mirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe për të krijuar një klime më të favorshme për investimet e huaja.
Gjatë takimit, Meta dhe Mogherini diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen e përbashkët se një Shqipëri e stabilizuar dhe konstruktive i shërben më mirë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
REFORMA NE DREJTESI, TAKIM TRESH: RAMA, BASHA, META
Bisedimet trepalëshe, Basha: “është rënë dakort për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Rama: Konsensus janë dhe dy të tretat e votave në parlament/
Në Shqipëri palët politike duket se po bëjnë një përpjekje të fundit në kërkim të një marrëveshjeje për Reformën në Drejtësi. Në përfundim të takimit të sotëm mes kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, i cili zgjati pak më shumë se 100 minuta, palët kanë vendosur të rinisin bisedimet. Zoti Basha njoftoi se është rënë dakort që “secili të angazhojë nga një përfaqësues për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Sipas kryetarit të opozitës Basha kjo është “një mundësi për të përmbyllur me sukses reformën”.
Pak më vonë, duke folur për Reformën në Drejtësi, kryeministri Edi Rama nuk shfaqi ndonjë shenjë optimizmi mbi takimin e sotëm. “Edhe një herë sot kam bërë të qartë që ne pranojmë çdo propozim dhe cdo zgjidhje që ofron PD, me kusht që zgjidhja në fjalë të konsiderohet zgjidhje dhe jo zgjedhë mbi sistemin e drejtësisë, nga partnerët tanë”, deklaroi zoti Rama. Ai shtoi se “ne nuk mund t’i lejojmë vetes për asnjë arsye, për asnjë interes të natyrshëm legjitim, politik, partiak apo numerik që të pranojmë në heshtje pengmarrjen e vendit tonë dhe që në heshtje të shohim se si Shqipëria në vend që të çelë dyert e BE jo vetëm ta humb këtë mundësi por të damkoset si vendi që nuk pati kurajon për shkak të përfaqësuesve në parlament të kalojë Reformën në Drejtësi dhe refuzoi përfshirjen e partnerëve tanë në procesin e pastrimit të sistemit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”.
Pavarësisht se uroi që më 21 korrik Reforma të kalojë me konsensus, zoti Rama nuk duket se ka shumë shpresë për këtë, por se Reforma do të mund të votohet “me konsensus apo pa konsensus. Kushtetuta ka një konsensus, me dy të tretat”, theksoi ai si një përgjigje që tingëllon t’i drejtohet edhe aleatit të vet LSI-së, drejtuesi i së cilës, Ilir Meta deklaroi një ditë më parë se “miratimi i Reformës në mënyrë të diskutueshme, jo plotësisht legjitime dhe me integritet, mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe të shtetit ligjor”.
Në pamje të parë duket se opozita ka bërë një hap të lehtë pas, duke pranuar që bisedimet të mbështeten te propozimi i bërë nga Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, më 10 korrik në Tiranë, ndonëse zoti Basha përsëriti se “ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid tërësisht brenda paramatrave të Komisionit të Venecias është dëshmia e përkushtimit dhe sinqeritetit të PD”. Praktikisht zoti Basha nënvizon se sipas tij propozimi hibrid nuk është në përputhje me rekomandimet e Venecias, ndërkohë që si ambasadori amerikan Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin, por edhe vetë zonja Nuland, mbështesin të kundërtën.
Gjatë paradites, në përgjigje të ftesës së djeshme të zotit Meta për takimin e sotëm, zoti Basha kishte deklaruar se “PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zgjidhja është e mundshme dhe duhet të arrihet patjetër, me kontributin e të gjithëve, me forcën imponuese të argumenteve dhe largpamësisë, siç i ka hije përgjegjesisë politike, bashkëpunimit dhe parneritetit strategjik”, saktësonte zoti Basha, në deklaratën e cila niste me përkrahjen e idesë tjetër të zotit Meta për një qeveri teknike pas miratimit të Reformës në Drejtësi.
Por kjo përgjigje e tij nuk është mirëpritur nga ambasadori amerikan Lu dhe kreu i Delegacionit të BE-së Vlahutin të cilët dje kishin deklaruar se ishin të gatshëm të përfshiheshin në bisedimet të cilat duhet të kishin si bazë propozimin hibrid të zonjës Nuland. Në një deklaratë të përbashkët, ambasadorët Lu dhe Vlahutin shpjeguan se kishin informuar kryetarin e Parlamentit Meta se “pas deklaratës së zotit Basha, nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik. Zoti Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik”, nënvizohej në deklaratë, duke shtuar se “nëse zoti Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”.(VOA)
Meta: Ftoj Bashën në takim
Ilir Meta ka thene se Reforma nuk është në kalendarin e Kuvendit./
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi sot se paketa e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi nuk është pjesë e kalendarit të punimeve të Kuvendit. Në një konferencë për mediat Meta u shpreh se procesi është i vonuar për shkak të mungesës së konsensusit.
Kreu i Kuvendit bëri dhe një ftesë për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai tha se i ka kërkuar kreut të PD-së, Lulzim Basha që të zhvillojnë një takim për të diskutuar mbi procesin. “I kam kërkuar takim kreut të PD-së, në vendin dhe në formatin që ai do. Natyrisht deri ditën e hënë”,- tha Meta.
Sipas Metës, arsyeja për një kufizim në kohë deri ditën e hënë, është për shkak të kohës së humbur për të miratuar këtë reformë.
Kreu i Kuvendit tha se si drejtues i institucionit ligjvënës ai ka përgjegjësi kushtetuese për reformën. “Takimi mes meje dhe Z. Basha është kërkuar nga unë si takim zyrtar. Nuk është takim informal. Jam shumë fleksibël për çdo gjë që ka të bëjë me vendin e takimit, formatin e takimin. Por nuk jam fleksibël te koha. Jam gati që tani, në mesnatë, pa u gdhirë mirë, por para së hënës. Sepse koha kompliko procedurat parlamentare, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese”,- tha kreu i Kuvendit.
Ai u shpreh se procesi i reformës duhet të ecë me ritme të shpejt, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për votim, por edhe për zbatim të saj.