• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DHIMITËR BERATI – BASHKËPUNËTOR I NGUSHTË I AT GJERGJ FISHTËS DHE ERNEST KOLIQIT

September 8, 2020 by dgreca

-Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes-

Nga Frank Shkreli- Ishte fillimi i shtatorit të vitit 1970. Po bëhesha gati që brenda një ose dy muajsh të udhëtoja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me statusin e refugjatit politik.  Në përgatitje e sipër, fillova tu them lamtumirën e fundit miqëve dhe të njohurve të komunitetit shqiptar në Romë dhe në kampet e refugjatëve.  Fillova takimet me Ernest Koliqin, i cili më sugjeroi që para se të nisesha për Amerikë të takohesha me Dhimtër Beratin. Unë nuk e njihja, por Koliqi mori përsipër që të më takonte me të.  Fatkeqësisht, nuk kaluan as 2-3 ditë dhe u hap lajmi i zi në komunitetin shqiptar të Romës se Dhimtër Berati kishte vdekur në një aksident kur një makinë e kishte përplasur nga shpejtësia duke e lënë të vdekur në vend, ditën e martë të 8 Shtatorit, 1970.   Fatëkeqësisht, ashtu mbeta pa u takuar me njëriun e fundit të nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndihmësin e vyer të delegacionit shqiptar në Konferencën  Paqës në Paris me 1919 dhe njërin prej personaliteteve më të njohura të diasporës shqiptare, të arratisur nga regjimi komunist. 

Megjithë meritat e mëdha kombëtare, Dhimitër Berati mbetet ndër ata të harruarit ose ndër ata të dëbuarit, siç janë At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e tjerë. Miku i tij Ernest Koliqi fliste me admirimin më të madh për Beratin dhe për veprimtarinë e tij patriotike, si në fushën politike ashtu edhe në publistikë.  Dhimitër Berati dallohej qyshë në moshë të re për veprimtarinë e tij patriotike, që në fillim të shekullit të kaluar.  Ai ishte njëri prej atyre fatbardhëve që nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë.  Si përfaqësues i kolonisë shqiptare në Rumani, ai veproi me çka kishte dhe me çka dinte për rilindjen e Shqipërisë dhe si përfaqësues i komunitetit shqiptar me influencë në atë kohë në Rumani, ai udhëtoi për në Vlorë nga Bukureshti së bashku me Ismail Qemalin due me Luigj Gurakuqin.  Nënshkrimi i Dhimitër Beratit dallohet qartë ndër nënshkrimet e 40-patriotëve të asaj kohe që e shpallën Shqipërinë të pavarur. Veprimtaria e tij ishte e shumëllojshme dhe në fushë të ndryshme.  

Në faqën e tij të fesjbukut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kujtoi dje Dhimitër Beratin me rastin e 50-vjetorit të vdekjes me disa të dhëna nga jeta e tij që mu dukën tepër të seleksionuara.  Kryeqeveritari shqiptar  Beratin e cilëson si njërin prej bashkëpunëtorëve “të ngushtë” të Ismail Qemalit, ndonëse sikur duket se ankohet për rolin politik  të tij në në vitet e fashizmit, duke thenë se “Berati u josh nga vegimet e viteve ‘39-43, por pa rënë pre e dogmave totalitare”.  Në të vërtetë, ai ishte më shumë se joshës, se Berati ka shërbyer si Ministër Sekretar i shtetit i Kulturës Popullore, 1941-1943. Duhet të vlerësohet fakti se këto tre vjet që ka shërbyer në qeverinë fashiste, të pakën duket se në sytë e Ramës, nuk ia mohon Dhimitër Beratit  të gjithë kontributin patriotik e publicistik ashtu siç po ndodhë me bashkpuntorët e tij të ngushtë, si Fisha e Koliqi.  Megjith vleërismete positive të Kryeministrit shqiptar për Dhimitë Beratin është gjithmonë e rrezikshme kur një politikan bën vlerësime historike të ngjarjeve dhe personaliteteve sepse do e s’do, është natyra e politikës që disa i trajton si të nenës e të tjerët si të njerkës,  në këtë rast, bazuar në trashëgiminë e ish-regjimit komunist. Ndërsa Fishta, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ende cilësohen si poli-agjentë dhe bashkpuntorë të fashizmit, Dhimitër Berati, megjithëse ka shërbyer në detyra të larta qeveritare në vitet 1941-1943, (lexo ndryshe nga të tjerët) vetëm “u josh nga vegimet e viteve ‘39-43, por pa rënë pre e dogmave totalitare”, shkruan Kryeministri Rama. S’ka dyshim se Dhimitër Berati duhet të kujtohet në ketë 50-vjetor të vdekjes, qoftë edhe nga Kryeministri, por politikanët duhet të jenë të balancuar dhe objektiv në vlerësimet e tyre, ose më mirë mos të falsin fare.  Nuk ka asnjë dyshim për merita të mëdha kombëtare të Dhimitër Beratit, ashtu siç kanë edhe At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e të tjerë — por të cilët mbeten ende të përjashtuar dhe zyrtarisht ende cilësohen si kollaboracionistë dhe të “Dëbuem” nga Atdheu, do të thoshte Fishta – por me të cilët Dhimitër Berati ka bashkpunuar ngushtë, për ideale të përbashkëta, gjithmonë në mbështetje të interesave të larta kombëtare.   

Në vitin 1919, kur Shqipërisë i kërcënohej pavarësia dhe kufijtë e saj, ku tjetër të gjëndej Dhimitër Berati përveçse si anëtar i delegacionit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e kombit në Konferencën e Paqës në Paris, së bashku me patriotë të tjerë të dalluar të kombit, përfshir At Gjergj Fishtën dhe Imzot Luigj Bumçin. Ishin këta lisa të mëdhej të kombit me rrënjë të thella dhe të pamohueshme në historinë e Kombit shqiptar, që përveç trajtimit të tyre çnjerëzor dhe anti-kombëtar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ai bëri ç’mos që rrënjët dhe kontributet e çmuara të këtyre burrave të historisë kombëtare, të shlyheshin përgjithmonë. Enver Hoxha nuka ia doli të zhdukte krejtësisht nga historia, megjithëse kjo fushatë kundër tyre vazhdon edhe sot, ndonëse në heshtje. Fatbardhësisht, Enver Hoxha dhe apologjetët e tij sot, nuk ia dolën këtij qëllimi, pasi veprat dhe kontributet e këtyre burrave flasin vet. Historia e vërtetë, që do të shkruhet një ditë pa pasione ideologjike dhe interesa partiake, do t’i njohë të gjithë këta vigana të Kombit shqiptar, përfshir Dhimitër Beratin dhe bashkpuntoërt e tij të ngushtë, At Gjergj Fishtën dhe Ernest Koliqin, ndër të tjerë, për meritat e tyre të veçanta dhe për kontributin e tyre të përbashkët në mbrojtje të interesave të Kombit të tyre. 

Dhimtër Berati ka dhenë një kontribut të shquar si pjesëmarrës në ngjarjet më me rëndësi të historisë së shqiptarëve, përfshirë Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Konferencën e Paqës në Paris, së bashku me At Gjergj Fishtën, aty ku kundërshtoheshin dhe sulmoheshin të drejtat e shqiptarëve nga armiqët dhe aleatët e tyre historikë aty gjëndej mbrojtësi i këtyre të drejtave, Dhimitër Berati.  
Në shtator të vitit 1970 para se të ndërronte jetë, Dhimtër Berati ishte i vetmi dëshmitar ende i gjallë ndër ata që kishin shpallur dhe nënshkruar Pavarësinë e Shqipërisë, por megjith rolin e tij historik, ishte detyruar të largohej nga Atdheu nën kërcënimin e diktaturës komuniste, vetëm e vetëm, se para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai kishte pasur detyra të ndryshme në disa dikastere të qeverive të mëparshme, përfshir atë fashiste.

 Në mërgim, ai ishte bashkpuntor i ngushtë i Profesor Ernest Koliqit dhe kontribues me shkrimet e tija në revistën Shëjzat.  Në një shkrim të Dhimitër Beratit në revistën Shëjzat të vitit 1961, siç shënon Karl Gurakuqi — edhe ky njëri prej të harruarve të Kombit — në librin, “Nepër Vullajt e Shëjzave”, Dhimitër Berati botoi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, artikullin, “Pater Gjergj Fishta – Kujtime e shënime”.  Gurakuqi ka shkruar se miqësia midis Fishtës due Beratit, këtyre dy gjigantëve të Kombit, kishte filluar që në vitin 1908 në Kongresin e Bashkimit të Alfabeteve në Manastir dhe ka zgjatë, sipas Beratit, deri sa Fishtën e “Ndieu Perëndia në vjetin 1940”.  Karl Gurakuqi nënvijon se Fishta dhe Berati kishin një miqësi të fortë ndërsa shton në shkrimin e tij kushtuar mikut të tij të madh Gjergj Fishtës, se Berati kujton ngjarje të bashkjetuara, fjalë e fraza të paharrueshme, vizitat që kishin bërë bashkarisht, por edhe talljet që e karakterizonin Poetin, ka shënuar Karl Gurakuqi.   Prandaj nuk është për tu habitur që Berati vlerëson mikun e tij të ngushtë me këto fjalë: “Për ne të gjithë”, shkruan Dhimitër Berati, “Gjergj Fishta është poeti — në kuptimin që kishte kjo fjalë për Grekët — kur kujtonin Omirin. Oliadha dhe Odisea ishte Bibla, ishte Ungjilli i tyre; ata dy poema ishin për ta udhëheqsa si për doktrinë fetare, si për njoftime historike ashtu edhe për çmuarjen vetiake e shoqënore të njeriut…Po ashtu duhet të jenë për kombin shqiptar, veprat, “Historija e Skëndërbeut” e Naimit dhe “Lahuta e Malëcisë” e Fishtës. T’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre më duket si një prirje e natyrshëme ndaj “Atdheut, si një shënjë dashurie ndaj popullit t’onë”, ka shkruar Dhimitët Berati për Fishtën dhe për Naimin.
Siç dihet me ardhjen e pushtetit komunist në Shqipëri, Dhimtër Berati nuk këthehet më në Shqipëri, por vendoset në Romë të Italisë ku siç thashë më lartë bashkpunon ngushtë me Profesor Ernest Koliqin dhe rëvistën Shëjzat. Ndonëse, në moshë të shkuar Berati merrte pjesë në çdo aktivitet të shqiptarëve, në raste përkujtimesh kombëtare dhe kulturore. Madje, ai kishte ardhur edhe në Nju Jork dhe Boston të Shteteve të Bashkuara në vitin 1969 për të marrë pjesë në kremtimet e organizatës Vatra.  kMe atë rast pat mbajtur një fjalim për komunitetin anti-komunist shqiptaro-amerikan, të pas luftës së dytë botërore – një manifestim ky, ndër më të shkëlqyeshmit që ka njohur komuniteti shqiptaro-amerikan, sot e kësaj dite – ku ishin të mbledhur arbëreshë dhe shqiptarë të Amerikës pa dallim besimesh, krahinash as rrymash politike a ideologjike.  Ah, sikur të kishim takime të tilla edhe sot! 
Miku dhe bashkëpuntori i tij i ngusht, Ernest Koliqi ka shkruar për këtë burrë të madh të historisë së Shqipërisë se Berati, “Ishte dekani i gjallë i Rilindasve… dhe simboli i gjallë i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen Kombëtare dhe kunorëzimin e saj me 1912, mbas sa mundit e gjakut të derdhun”.
Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet as të anashkalohen meritat e tija patriotike – siç nuk duhet të harrohen as kontributet e bashkpuntorëve ti tij të ngushtë — At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi — por të kujtohen dhe të nderohen, pa paragjykime ideologjike dhe brez pa brezi, për kontributin e tyre të gjatë dhe për meritat e veçanta të tyre në shërbim dhe në interes të Kombit shqiptar, ashtu siç i ka hije një populli që jeton në shekullin 21. 

Frank Shkreli

                   Fotot nga Revista Shëjzat e Ernest Koliqit (XIV, 1970 – 7-9)

Dhimtër Berati në Konferencën e paqës në Paris (1919) me Imzot Luigj Bumçin dhe At Gjergj Fishtën  

Dhimitër Berati duke folur në darkën e Vatrës në Hotel Americana në Nju Jork, Nëntor, 1969, 50-vjet pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e paqës në Paris, 1919.

Filed Under: Politike Tagged With: bashkepunetor, Dhimiter berati, Ernest Koliqi, Frank shkreli

Shpërthen Kastriot Islami: Meta-Ti bashkëpunëtor në vrasjen e pluralizmit

April 29, 2017 by dgreca

Nga Kastriot Islami/

Marrëveshja Meta-Rama për të detyruar/pranuar Metën të bëhet president është njëkohësisht një marrëveshje që detyron LSI të futet së bashku me Ramën në zgjedhje pa opozitën. Marrëveshja për Metën-president nuk do të kishte asnjë rëndësi për opozitën nëse ajo nuk do pasohej me pjesëmarrjen e LSI në zgjedhjet pa opozitën, përderisa Rama e Meta i zotëronin votat e mjaftueshme për të arritur një marrëveshje për të zgjedhur kreun e shtetit. Ndërkohë që gjatë të gjithëve kohëve të fundit, Meta kishte deklaruar se “nuk do të futej në zgjedhje pa opozitën”, marrëveshja për Metën-president, e çiftuar me marrëveshjen mes PS e LSI për tu futur në zgjedhje të vetëm, pa opozitën, është një marrëveshje e mbarsur me shumë rreziqe për shkak të trazirave eventuale që do të mund të shkaktonte përballja e qytetarëve me shtetin policor, kriminal e të korruptuar për të penguar vrasjen e pluralizimit dhe rivendosjen e monizmit.

Marrëveshja për të zgjedhur Metën president, në një sallë gjysmë-bosh, pa opozitën dhe me synimin për të shkuar më tej në zgjedhjet e përgjithshme, farsë dhe pa opozitën, e krijuar pastaj së bashku me Ramën opozitën fasadë, është një ogur i keq për demokracinë shqiptare dhe racionalisht nuk do të mund të pranohet asnjëherë nga opozita. Kjo marrëveshja dhe produktet e saj do të konsiderohen gjithnjë ilegjitime dhe do të jenë të papranueshme. Kjo do të konsiderohet vazhdimisht një marrëveshje e bashkëpunimit të fshehtë për vrasjen e pluralizmit dhe rivendosjen e monizmit. Ndër të tjera, Meta do të mbajë mbi shpinë vulën e bashkëpunëtorit që tradhtoi vetveten përderisa më parë kishte deklaruar se “nuk do të pranonte në asnjë rast zgjedhje pa opozitën”, aq më tepër që kjo marrëveshje nxjerr sheshit pazare të tjera në kurriz të pluralizmit.

Marrëveshja i jep fundit çdo iluzioni “dashamirës”/të sforcuar për ti konsideruar parimore përpjekjet e “king makerit”, gjatë katër vjetëve, me synim shmangien e marrëzive e prapësive të Ramës, duke vërtetuar nga ana tjetër apo ndërkohë plotësisht tezën e bashkautorësisë për gjithçka kundër interesit publik. E thënë më thjesht, futja në zgjedhje e Metës, së bashku me Ramën pa opozitën, apo ndryshe lëvizja e tyre për vrasjen eventuale të pluralizimit e rivendosjen e monizmit, duken pasojë e një aleance, në dukje kontroverse, por në thelb konsekuente në veprimet e saj me pasoja të rrezikshme jo vetëm për demokracinë por edhe për stabilitetin e sigurinë e vendit.

Marrëveshja e ka të vështirë të sqarojë publikut nëse Meta ka qenë i detyruar apo e ka dëshiruar këtë lëvizje, duke demonstruar më shumë dobësi e frikë sesa forcë, racionalitet e largpamësi. Për më tepër që kjo lëvizje s’do të mund të jetë një marrëveshje uin-uin, edhe nëse Rama ja ka premtuar si të tillë, sepse Meta duket i detyruar më shumë për të pranuar marrëveshjen për shkak të dobësisë që ndjen së brendshmi, dobësi që vetëm do të shtohet në të ardhmen. Ose e thënë ndryshe, kjo marrëveshje do të jetë së paku për LSI humbëse e deri shkatërrimtare në periudhën afatmesme. Gjasat janë që pas zgjedhjeve LSI të asborbohet nga Rama në kuadër të “bashkimit të së majtës”.

Marrëveshja që e “detyron” Metën të shkojë në zgjedhje së bashku me Ramën por pa opozitën s’do të mund ta shpëtojë LSI nga rrudhja, nga humbja e rolit “king e maker” e me shumë gjasa edhe nga absorbimi i saj nga Rama. Ky është një synim i vjetër i Ramës të cilin po e bën realitet përmes kësaj marrëveshjeje. Nëse herën e parë në vitin 2003, Rama e mashtroi Metën duke e “bindur” të largohej nga PS por me synimin e qartë për ta hequr atë nga PS si një nga pengesat drejt postit të kryetarit të PS. Nëse herën e dytë, Rama e joshi Metën në zgjedhjet e 2005 të futej në luftë me PS për të “hequr qafe” pengesën e dytë, Nanon, drejt kreut të PSSH. Nëse herën e tretë Rama në vitin 2007 e mashtroi Metën për ti marrë mbështetjen për të qëndruar kryetar bashkie sepse vetëm kështu do të kishte mundësi të forconte pozitat në krye të PS për eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të brendshëm. Nëse herën e katërt në zgjedhjet e vitit 2009 Rama do të tentonte ta rrudhte LSI deri në eliminim përmes krijimit dhe mbështetjes së G99. Nëse herën e pestë në 21 janar 2011, Rama do të tentonte të eliminonte politikisht Metën. Nëse herën e gjashtë, në zgjedhjet e vitit 2013 e bindi Metën të krijonin “aleancën e qelbësirave” që do ti mundësonte Ramës kapjen e postit të kryeministrit. Herën e shtatë Rama do ta çonte Metën në karrigen e presidentit, me kërcënimin e vjetër të burgut apo me joshjen e shkëmbimit më vonë të pozicioneve, praktikisht e ka anihiluar LSI dhe për rrjedhojë edhe karrierën politike të Metës.

Marrëveshja e arritur do t’i hiqte përfundimisht Metës rolin e “king makerit” por edhe të moderatorit politik qe “flet me të gjithë”, përfshi edhe opozitën, sepse përmes kësaj marrëveshje Meta jo vetëm vendoset tërësisht e pa asnjë ekuivok në anën e Ramës, por ai radhitet si bashkëpunëtor në vrasjen e pluralizmit pra më konkretisht të opozitës. Vrasja eventuale e pluralizmit do të mund të ndodhë nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa opozitën që do të pasohen nga kalimi i LSI në opozitë fasadë të një parlamenti monist, duke e shndërruar atë shumë shpejt në një “parti presidenciale” inekzistente.

Marrëveshja e nxitur edhe nga ndonjë “ambasador” mercenar i “hashash-diplomacisë” dhe e pagëzuar in esktremis si “legjitime” nga ndonjë tjetër, një marrëveshje “vrasëse e pluralizmit”, pas deklarimeve të papërgjegjshme e kërcënuese të Ramës ndaj BE e SHBA për shtete etnikisht të pastra në Ballkan dhe njëkohësisht me ngjarjet me pasoja të (pa)parashikueshme në Maqedoni duket si një sinjal jo fort optimist për stabilitetin e sigurinë e vendit e të rajonit, një mesazh shqetësues për të gjithë qytetarët e rajonit.

Marrëveshja që do të klasifikohet minimalisht e “turpshme” në historinë e demokracisë së Shqipërisë do të mund të ndalohej të zbatohej vecse nga qyetarët në protestë. Përndryshe vendi do të futej në errësirën e vjetër ose në trazira me pasoja të parashkueshme. Koha nuk pret. Përgjegjësia do të ishte e rëndë edhe për Metën-President që pranoi të shkonte në zgjedhje pa opozitën në vend që të kontribuonte, qoftë edhe përmes sakrificave, për zgjedhjet e lira e të ndershme, me një “qeveri besimi” apo “qeveri teknike” pa Ramën kryeministër. Kështu Meta zgjodhi të keqen më të vogël për interesat e tij personale dhe të keqen e madhe për pluralizimin në Shqipëri, e mbi të gjithë për stabilitetin e sigurinë e vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: bashkepunetor, Kastriot Islami, Meta, ne vrasjen e pluralizmit

Nipi i Gjyshit, bashkepunetor me nazistet, vizite ne Shqiperi per varrezat Greke

May 31, 2016 by dgreca

Gjyshi i Nikos Kotzias miqësi me nazistët Hitlerian/

Arben LLALLA/

Nga 6-7 qershori do të qëndrojnë në Tiranë Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Panajotis Kotzias (Koxhas) për të kërkuar zgjidhjen e menjëhershme për zgjerimin e varrezave të ushtarëve grek të vrarë në luftën italo-greke më 1940-1941 dhe zgjidhjen e kufirit detar ose siç quhen Zonat e Interesave Strategjike. Që të dy këto probleme Greqia kërkon ti zgjidhë në favorin e saj duke dëmtuar rënd Shqipërinë. Por Nikos Kotzias nuk dëshiron aspak të dëgjoj për çështjen çame dhe emrin Çamëri. Ky ministër ashtu si shumë presidentë dhe kryeministra të Greqisë rrjedhë nga një familje që kanë qenë bashkëpunëtor të nazizmit gjerman. Gjyshi i Nikos Kotzas quhej Kostandin Kotzias dhe nga viti 1934-1936, ka qenë kryetar i bashkisë së Athinës, më 1936 ministër në qeverinë Metaksas, në vitin 1950 deputet dhe më 1951 kryetar i bashkisë së Athinës.

Kostandinos Kotzas ishte pro Gjermanisë naziste, ai kishte marrëdhënie të ngushta familjare me ministrin e propagandës Joseph Goebbels. Që nga viti 1934 e deri 1940 Konstandin Kotzias ka vizituar disa herë Gjermaninë naziste ku është takuar me krerët e lartë të saj. Ai gëzonte mbështetjen e qeverisë së Hitlerit për rrëzimin e kryeministrit Joani Metaksas dhe zgjedhjen e tij si kryeministër. Ky plan u zbuluan nga Joani Metaksa, me fillimin e luftës italo-greke, Kotzias iku për në Turqi i shoqëruar nga diplomatët nazist. (Siç dihet Turqia në atë periudhë ishte një vend asnjanës, por që kishte marrëdhënie të mira me Gjermanin). Pas mbarimit të luftës Kostas Kotzias rikthehet nga jashtë vendit dhe zgjidhet më 1950 deputet, më 1951 kryetar i bashkisë së Athinës. Vdes pak muaj pasi ishte zgjedhur në këtë postë. Një nga sheshet kryesore në Athinë mban emrin Konstandin Kotzias.

Në biografinë e tij ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Panajotis Kotzias e fsheh faktin se ka gjysh Kostandin Kotzias i cili ishte pronazizmit gjerman. Familja Kotzias është arvanitase me rrënjë të vjetra nga Athina. Nikos Kotzias ka kushëri kryetarin e partisë Demokracia e Re Qiriako Micotaqin dhe Dora Bakojanin.

Është mirë që Nikos Kotzias ta thotë të vërtetën dhe mos të fshihet pas gishtit se është nipi i Konstandinos Kotzias. Prandaj ne nuk duhet të pranojmë leksione nga Kotzias, por t’na thotë se çfarë mendon ai për zgjidhen paqësore të çështjes çame. Pa zgjidhjen e çështjes çame, asnjëherë s’do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve. Gjithashtu, Nikos Kotzias duhet të prononcohet qartë zyrtarisht se kur ka vendosur Greqia ta heqë juridikisht Ligjin e Luftës me Shqipërinë? Një ligj që mban të konservuara prej 75 vitesh pasuritë e patundshme të shqiptarëve në Greqi. Prandaj vizita dy ditore e Nikos Kotzias nuk do të sjellë asnjë risi në marrëdhëniet diplomatike të dy vendeve, por do tregoj se Greqia dhe grekët kanë mbetur të njëjtët si në fillim të shek.20.

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, bashkepunetor, me Nazistët, nipi i gjyshit, Varrezat greke

A është Kryepeshkopi Anastas mik i bashkëpunëtorëve të italianëve dhe gjermanëve nazistë?

January 15, 2016 by dgreca

*Ju z.Miron Çakos jeni shqiptar, dhe kuptohet që nuk largoheni nga tradita që ne shqiptarët fenë e kemi për qejf dhe e ndërrojmë sipas interesin me përfitime ekonomike. Kur nuk jeni historian përse futni hundët në tunelin e saj? Thoni se jeni teolog, atëherë bëni mirë të predikoni paqen dhe dashurinë tek besimtarët dhe jo përçarjen e urrejtjen./
*Vërej: Nuk do t’ja fal as unë e as Zoti, kryepeshkop Anastasit mos mbajtjen e një meshe në gjuhën shqipe për genocidin grek të kryer mbi popullsinë shqiptare në Çamëri më 1944-1945./
Opinion nga Arben LLALLA/
Në këtë foto është Kryepeshkop Anastasi me mikun e tij të vjetër Nikolao Joani Merco me origjinë nga Nimfea – Neveska e Follorinës. Nikolao Merco është djali i bashkëpunëtorit të italianëve dhe gjermanëve nazistë të viteve 1941-1944, Joani Merco i cili ka spiunuar me qindra hebrenj dhe grek gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas lufte Joani Merco u dënua me 11 vite burg, por nuk u përzu nga Greqia dhe nuk ju sekuestrua pasuria ashtu siç veproj Greqia me akuzat fallco të pa vërtetuara për bashkëpunim të popullsisë shqiptare në Çamëri me gjermanët të cilët u masakruan me genocid, ju sekuestrua pasuria dhe u përzunë pa të drejtë nga Greqia pa rikthim.
Joani Nikolao Merco, ishte nënshkrues i Manifestit për shpalljen e Autonomisë të Principatës së Vllehëve të Pindit për shkëputje nga Greqia. Joani Merco ishte njëri nga drejtuesit kryesorë të Legjioneve Ushtarake të Vllehëve për pavarësinë nga Greqia më 1941. Pas bashkëpunimit me fashistët italianët në Larisë, ai në vitin 1942, u transferua në Selanik me familjen dhe filloj të bashkëpunonte me gjermanët. Djali i tij, Nikolao Joani Mercos i lindur më 1936, në Nimfeo-Neveska të Follorinës, është avokat dhe shkrimtar. Në vitin 1990-1993, Nikolao Merco, ishte këshilltar i kryeministrit Konstandin Miçotaqit për temat kombëtare të Greqisë. Ka bashkëpunuar ngushtë me ish-kryetarin dhe ish-kryeministrin e Greqisë, Konstandin Karamanlisin. Nikolao Mercos është figurë e nderuar e shtetit grek dhe mik i kryepeshkopit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Anastasit. Por çfarë i lidh këta të dy? Në shkrimet e mëparshme kemi thënë se Anastas Janullatosi babain, Gerasimo Janullatosi e ka me origjinë shqiptare-arvanitase nga ishulli Qefalonia të cilët kishin zbritur më tej në Lefkadha. Ndërsa nëna e tij, Roksani Malltezi ishte nga Preveza e Çamërisë. Por që të jesh nga Çamëria nuk do të thotë se je shqiptar sepse në Çamëri dikur kanë banuar shqiptarët, vllehët, hebrenjtë, romët, turqit, etj. Pra, kryepeshkop Anastasi nga mëma është vlleh. Shqiptarët dhe vllehët kanë jetuar ndër shekuj në miqësi, vëllamëri duke bërë dhe krushqi me njeri tjetrin, por ka patur raste edhe kur janë përplasur keq. Vllehët dhe shqiptarët nuk mund të ndahen nga njeri-tjetri, ata kanë luftuar dikur bashkë për një shtet të tyre. Ishin vllehët e Pindit ata që vranë në tetor, 1911, Mitropolitin grek të Grevenas, Emiliano Lazaridhin sepse ai propagandonte asimilimin e tyre.
Duke patur origjinë vllehe nga mëma, kryepeshkop Anastasi krijoj lidhje të ngushta me lobin e tyre në Greqi edhe më tej në Shqipëri. Nuk është rastësi takimi i Janullatosit me akademikun Ylli Popa i cili me rrënjë është vlleh, në qershor 1991 për ti dhënë lajmin se ai ishte caktuar kryepeshkop afatshkurtër i Kishës Autoqefale të Shqipërisë. Në qershor 1991, ish-kryetari i Akademisë së Shqipërisë, Ylli Popa i bënë një vizitë në shtëpi Anastas Janullatosit në Athinë. Kjo vizitë ngre shumë pikëpyetje sepse askush nuk e fton dikë në shtëpi pa patur njohje të thella, duke patur parasysh se Janullatosi është grek, ndërsa Popa, komunistë, ateist dhe shqiptar. Një lobim të fuqishëm për të ardhur në Shqipëri si kryepeshkop Anastas Janullatos ka bërë drejtuesi i lobit të vllehëve ballkanas, Nikolao Merco, që në vitet 1990-1993 siç e thamë më lartë ishte këshilltar për temat kombëtare i kryeministrit grek Konstandin Miçotaqit.
Ashtu siç nuk është rastësi lidhja e ngushtë e Anastas Janullatosit me Vangjel Dule që ka rrënjë vllehe nga Gumenica. Me origjinë vllehe është edhe kryetari i sotëm i OMONIA-s Leonidha Papa. Duhet thënë se një pjesë e vllehëve kanë dhënë kontribut të çmuar në themelin e shtetit shqiptar, grek, sllavë, etj. Pra, vllehët u kanë shërbyer kombeve të tjera duke harruar vetveten sepse nuk kanë patur të fuqishëm ndërgjegjien e tyre kombëtare. Minoriteti grek në Shqipëri është një përzierje shqiptaro-vllehe, duke mos përjashtuar edhe ortodoksit e ardhur nga Azia e Vogël gjatë sundimit osman dhe luftës qytetare greke 1946-1949.
Në përfundim për replikat e Miron Çakos dua ti them se do të ishte mirë dhe e ndershme që hirësi z.Anastas të përgjigjej personalisht si dëshmitar i afërt i këtyre klerikëve grek dhe jo zëdhënësi i KOASH-it. Kjo tregon se nuk ka kapacitete për të kundërshtuar faktet historike që kam botuar në lidhje me rolin e klerikëve të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë dhe biografinë e pa autorizuar të Kryepeshkop Anastas Gerasimo Janullatosit.
Ju z.Miron Çakos jeni shqiptar, dhe kuptohet që nuk largoheni nga tradita që ne shqiptarët fenë e kemi për qejf dhe e ndërrojmë sipas interesin me përfitime ekonomike. Kur nuk jeni historian përse futni hundët në tunelin e saj? Thoni se jeni teologë, atëherë bëni mirë të predikoni paqen dhe dashurinë tek besimtarët dhe jo përçarjen e urrejtjen.
Vërej: Nuk do t’ja fal as unë e as Zoti, kryepeshkop Anastasit mos mbajtjen e një meshe në gjuhën shqipe për genocidin grek të kryer mbi popullsinë shqiptare në Çamëri më 1944-1945.

Filed Under: Opinion Tagged With: A eshet Kryepeshkopi Janullatos, arben llalla, bashkepunetor, i nazifashisteve

Artikujt e fundit

  • Havzi Nela, 34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë
  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT