• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

72 vjet nga shpallja në Paris e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”

August 26, 2021 by s p

26 gusht 1949 – 26 gusht 2021: 72 vjet nga shpallja në Paris e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Disa ditë më pas, kryetari Mid’hat Frashëri iu drejtua shqiptarëve nga Radio BBC në Londër, dhe mes të tjerash tha: “Vija e jonë do të jetë kurdoherë e drejtë, programi ynë është të fitojë indipendencë dhe të sigurojë integritetin e vëndit tënë. Duam që shqiptari të ketë shpirtin dhe mëndjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë. Do të përpiqemi të themi kurdoherë fjalën e drejtë dhe të rrëfejmë udhën e mirë. Kjo është lutja e jonë ndaj Zotit të madh dhe lusim që gjithë shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë shërbëtorët e Shqipërisë.“MID’HAT FRASHËRI BBC, LONDËRShtator 1949Foto: Mid’hat Frashëri, Abas Kupi dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Kombëtar “Shqipnija e Lirë” pak minuta para fjalimit historik të Mid’hat Frashërit në Radion British Broadcasting Corporation (BBC).

Marrë nga faqja në FB e “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Filed Under: Opinion Tagged With: abaz kupi, Mid'hat Frasherin

MID’HAT FRASHËRI NË KONFERENCËN E PAQES NË PARIS

June 25, 2021 by dgreca

-(Replikë me historianin Paskal Milo)/

 NGA URAN BUTKA*/

Një nga kulmet e veprimtarisë atdhetare dhe diplomatike të Mid’hat Frasherit ishte pjesëmarrja dhe kontributi i  jashtëzakonshëm i tij në Konferencën e Paqes në Paris, Konferencën e Ambasadorëve dhe Lidhjen e kombeve si anëtar i delegacionit Shqiptar dhe më pas si kryetar i delegacionit shqiptar për njohjen e çështjes shqitare dhe  mbrojtjen e saj.  

    Mirëpo në reportazhin “Dritë-hije te Mid’hat Frashërit” të datës 20 qershor 2021, Paskal Milo, ndër të tjera tha: ”Midhat Frashëri nuk preferoi të shkojë në Paris dhe të rreshtohet bashkë me kolegët e tij për të mbrojtur interesat e Shqipërisë, por qëndroi në Lozanë, në Zvicër”. 

    Paskal Milo është i prirë shpesh të tjetërsojë apo të cënojë të vërtetën, kur është fjala për Mid’hat Frashërin dhe veprën e tij. Nuk është fare e vërtetë që Midhati nuk preferoi të shkonte në Paris. Ai ishte zgjedhur nga Kongresi si pjesë e Delegacionit Shqiptar në Konferencen e Paqes në Paris në vitin 1919,  që kryesohej nga  kryeministri Turhan Pasha  dhe kishte në përbërje atdhetarët dhe diplomatët e njohur Mehmet Konica, Imzot Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mid’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Dr.Turtulli, Mustafa Kruja, më vonë edhe të tjerë. Mid’hati  ishte mjaft entusiast dhe tejet i përgatitur për ta kryer më së miri këtë mision. E thonë vetë anëtarët e Delegacionit këtë gjë, e shpreh edhe vete Midhati në letrën drejtuar Kolë Tromarës më 8.3.1919. “Kam marrë shënime të Aktit Konstitues, bazuar në parimet e Wilson-it dhe vendimet e Konferencës së Londrës për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Do të jem i lumtur të vë veprimtaritë e mia në shërbim të vendit tim”.

    Por Turhani Pasha, në bashkëveprim me qeverinë Italiane në Romë, e ndaloi Mid’hatin të shkonte me shokët në Paris, meqënë se Midhati nuk e firmosi programin  e përgatitur për Konferencën e Paqes nga kryeministri Turhan Pasha, i cili mëtonte protektoratin italian mbi Shqipërinë dhe sovranitetin italian mbi Vlorën, duke rrezikuar kështu  pavarësinë, madje dhe ekzistencën e Shqipërisë. Midhati shkruante: “Jam i bindur se Turhani dhe qeveria italiane kanë vepruar në bashkëpunim, me qëllim të më pengojnë për të vajtur në Paris, megjithëse pasaporta ime ishte me vizë nga ambasada franceze. Kjo rrethanë ka shkaktuar lindjen e ndjenjave të mosbesimit nga ana e shqiptarëve, që e interpretojnë atë si një shenjë të synimeve të Italisë kundrejt Shqipërisë. Unë mendoj se, është pikërisht kjo çështja ime që e ka detyruar edhe z. Bumçi të mos shkojë në Paris” (Letra drejtuar Kolë Tromarës).

    Mirëpo Paskal Milo shton me keqdashje perfide: “Mid’hati nuk preferoi  të rreshtohej bashkë me shokët e tij për të mbrojtur interesat e Shqiperisë. Nuk e kam shumë të qartë arsyen, por ka patur polemika, ka patur qasje të ndryshme për mënyrën se si duhej menaxhuar situata në Konferencën e Paqes të Parisit”. 

    Historiani Paskal Milo, kur nuk e kishte të qartë arsyen e mosvajtjes se Midhatit në Paris, atëherë pse paragjykon apo pse trillon qëllimisht për ta njollosur sërish M.Frashërin edhe në këtë veprimtari te jashtëzakonshme diplomatike në favor të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar?

    Sic dokumentohet nga dokumentat e Arkivit të Shtetit dhe të Ministrisë së Jashtme, qëndrimi proitalian i i Turhan pashës ndaj çështjes shqiptare dhe kundër Midhat Frasherit, nuk u pëlqye në Paris nga anëtarët e tjerë të Delegacionit si Mehmet Konica, Dr Turtulli, Mihal Grameno, Sotir Kolea, Dr Ibrahim Temo, Fuad Dibra etj të cilët i kërkuan Midatit në Lozanë të kthehej në Paris, si një personalitet i domosdoshem në mes te delegacionit, për të përballur punën  pranë Konferences së Paqes, meqenëse kishte mjaft divergjenca mes misëve të Misionit.Mjafton tëpërmendim M.Gramenon që i shkruante: “Ndalimi yt dallon nga të gjithë, se nuk duan honxho-bonxhot të jesh këtu, duke ditur simpatinë që ushqen për gjithë shqiptarët.” Pandel Cale dhe Gabriel Jatrou telegrafonin të shqetësuar: “Ndërsa Midhat Frashëri e kishte marrë vizën franceze, por nisja u bë e pamundur për shkak të kundërshtimit nga qeveria italiane”. 

    Ndërkohë, Midhati në Lozanë dhe Gjenevë, nga njera anë ndihmonte delegacionin në Paris me këshilla, redaktime, promemorie, (sic ishte edhe letra drejtuar kolegëve ne Paris nga Lozana, apo mesazi për Presidentin Wilson në emër të shqiptarëve të Lozanës etj,  nga ana tjetër, bënte një punë të palodhur e shume të çmuar, duke botuar vepra të rendësishme në frengjisht, të cilat ua dergonte personaliteteve te politikes dhe kulturës Evropiane, per ta njohur Shqipërinë dhe për të mbrojtur identitetin dhe integritetin e saj historik , moral si edhe të drejtat qytetare e kombëtare. Veprat si “Rilindja Shqiptare”, “Shqiptarë e sllavë”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë atdheut”, “Rivendikimet Shqiptare, “Për Shqipërinë”, “Çështja e Epirit” etj i botoi përgjatë vitit 1919, kur ishte në Lozanë A nuk ishte kjo punë në interes të Shqipërisë , edhe pse nuk “preferoi” të shkonte  në Paris, Zoti Paskal?  

   Gjithashtu Midhat Frashëri  botoi edhe me qindra artikuj, letra, promemorie, polemika, studime  që u botuan dhe ngjallën shumë interes ne gazetat e revistat e rendesishme të Evropës “Le monde Noveau”, “Mercure de France”, “La paix par le droit”, “La revue de Geneve”, “Times”, “Franc-orient”, “L’europe Nouvella”, “East Europa”, “The Neë Stratesman”, “Foreign Affairs”, “The Near east”, “International revien”, “L’humanite”e tj., që e bënë Midhat Frashërin një nga figurat e shquara të politikës , diplomacise dhe publicistikës evropiane. 

    Midhati u kthye në Paris pas dorëheqjes si kryetar i delegacionit të Turhan Pashës, nën prësionin delegateve të dergatës sonë atje, në fillim të vitit 1920 si delegat i “Vatres” të SHBA dhe mandej i emëruar  kryetar i delegacionit shqiptar ne Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve, ku shkelqeu me ligjerimet, debatet, promemoriet,  si edhe me takimet dhe letërkëmbimin me peronalitetet më të shquara politike dhe kulturore të Evropës, që i bindi me argumente dhe fakte dhe i vuri në shërbim të çështjes shqiptare, si Presidentin Wilson,  kryeministrat  S.E. M.  Lloyd George, S.E.M. Aristide Briand, S.E.M. Conte Sforza, S.E.M. Baron Hayashi, kryetarin e  Konferences së Ambasadorëve J.Cambon, Sekretarin e Përgjithshëmshem të Ligës së Kombeve Eric Drummond, lordin Cecil, kryetarit e Komitetit Anglo-Shqiptar A.Herbert, Miss Durham, Pittard, Eden, Barnes, De Constand, C. Erikson e shumë të tjerë, miq të Shqipërisë. 

   Por le t’ia lemë fjalën vetë Midhat Frashërit, me lëtrën drejtuar Presidentit të “Vatrës” në SHBA, për të qartësuar Paskal Milon dhe të tjerët e keqinformuar prej tij:

Lausanne, Sëitzerland,                  

P.B. 17393

më  8.3.1919

Z. Kolë Tromara,

President i Vatrës, Boston, Mass. USA.  

Z. President, 

    Shpresoj të keni marrë në kohë letrën time të datës 25 janar, shkruar një ditë para nisjes sime për në Romë. Jam larguar nga Lausanne (Lozana) më datën 26 janar dhe arrita dy ditë më vonë në Romë, ku gjeta Turhanin dhe Mehmet Konicën. Pasaportat tona diplomatike u dorëzuan në ambasadën franceze ku, pasi Ministria në Paris ishte konsultuar me telegram, ato u pajisën me vizat e nevojshme për nisjen e të treve (Turhani, Mehmeti dhe unë) për në kryeqytetin francez. Ndërkohë, i kërkova Turhanit të më shoqëronte në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku i kërkova zyrtarëve t’i dërgonin një pasaportë italiane Dr. Turtullit në Lozanë, që ai të shkonte drejt nga atje në Paris, pa qenë i detyruar të udhëtonte për në Romë dhe anasjelltas; ata më premtuan se do të bënin gjithçka ishte e nevojshme. 

   Tri ditë para se t’i merrnim pasaportat, Turhani më tregoi një program të nënshkruar nga anëtarët e qeverisë së përkohshme në Durrës, por që ende nuk ishte firmosur nga Turhani dhe Mehmeti. Ky program përmbante disa çështje, mes tyre: Italia duhet të dërgojë trupa në kufijtë shqiptarë dhe gjithë organizuesit e degëve administrative duhet të vihen nga Italia. 

   I thashë Turhanit që nuk kisha kundërshtime ndaj këtij programi, por që nuk mund ta kuptoja nevojën për nënshkrimin e tij, në dritën e faktit që, sapo të ishim në Paris, ne duhej të silleshim në përputhje me rrethanat (me çka nënkuptoja- interesat e vërteta të vendit tonë). Gjithsesi, shmanga hyrjen në debat përsa i përket hollësive, ngaqë nuk doja që mendimet e mia të bëheshin të ditura, për sa kohë që ishim në tokën italiane, por Turhani nuk më besoi, pasi më kishte qortuar disa herë për pavarësinë time të veprimit dhe të mendimit dhe për mungesë të simpatisë për politikën italiane. Por, duke folur për këtë politikë, Turhani më kishte thënë po atë ditë që arrita në Romë, që ne duhej të mos bënim aluzion për Vlorën për të mos e bërë të pakënaqur Italinë. Një ditë tjetër ai më tha që ai do t’i kërkonte Sonnino-s, ti tregonte se si duhej të përgjigjej nëse Venizellos do të ngulte këmbë në pretendimet e tij për Epirin, duke parë që Italia ngulte këmbë në mbajtjen e Vlorës. Me një fjalë, siç u tha nga të gjithë shqiptarët në Romë, Turhani shkoi në Paris më fort në rolin e një zyrtari italian se sa të një shqiptari. Përveç kësaj, kam mësuar se ai ka kundërshtuar emërimin tim për në Konferencën e Paqes me arsyen se unë nuk e kënaqja Italinë. 

   Në fakt, një ditë para nisjes së tij për në Paris, më bëri të kuptoj se unë duhej të rrija në Romë dhe të prisja mbërritjen e Gurakuqit dhe Mustafa Krujës dhe të udhëtoja në Paris bashkë me ta, pasi të binim dakord mbi çështjen e programit. Turhani dhe Mehmeti u larguan nga Roma më 4 shkurt, Gurakuqi dhe Mustafa më 11; kështu që, atë ditë unë ndërmora hapa të merrja pasaportën me vizë me qëllim që të kthehesha në Lozanë, por m’u tha që ata nuk mund të më lejonin të largohesha, derisa të kishin marrë mendimin e Turhanit. Isha i irrituar dhe ndjeja neveri kur kuptova që Turhani po më padiste që të mbahesha si i burgosur në Romë. 

   I dorëzova Gurakuqit dhe Mustafait letrën e mëposhtme për Turhanin: 

“Shkëlqesi, për habinë time ende e kam të pamundur t’u bashkohem kolegëve të mi në Paris dhe nisja e zotërinjve Gurakuqi e Kruja nuk e ka ndihmuar nisjen time, siç më kishte dhënë Shkëlqesia Juaj arsye të besoja. Pa dyshim, Shkëlqesia Juaj, kishte arsye më të mëdha për pengimin e nisjes sime për në Francë si delegat shqiptar dhe ka harruar që unë kam mandatin nga i njëjti Kongres, të cilit ju i detyroheni për emërimin tuaj. Është e vërtetë që, para nisjes suaj, kishte disa çështje të një programi që unë kam refuzuar ta nënshkruaj, por sipas mendimit tim modest, ky pretekst mund të mos konsiderohet si një arsye serioze, në dritën e faktit që unë në disa raste kisha deklaruar që nuk kisha kundërshtime për të bërë ndaj programit në fjalë. Atëherë, a duhet që unë të detyrohem të dyshoj   dhe vullnetin e mirë të Shkëlqesisë Suaj?” 

Jam i bindur se Turhani dhe qeveria italiane kanë vepruar në bashkëpunim, me qëllim të më pengojnë për të vajtur në Paris, megjithëse pasaporta ime ishte me vizë nga Ambasada Franceze. Kjo rrethanë ka shkaktuar lindjen e ndjenjave të mosbesimit nga ana e shqiptarëve, që e interpretojnë atë si një shenjë të synimeve të Italisë kundrejt Shqipërisë. Unë mendoj se, është pikërisht kjo çështja ime, që e ka detyruar z. Bumçi të mos shkojë në Paris — delegacioni shqiptar në të vërtetë duhej të përbëhej nga shtatë anëtarë: Turhani, Mehmeti, Gurakuqi, Kruja, Turtulli, Bumçi dhe unë. Gjithashtu më duhet të shtoj se Hasan bej Prishtina, që kohët e fundit ka arritur nga Vjena në Romë, dëshironte të shkonte në Paris me shpenzimet e tij, thjeshtë si person privat me qëllim që të punonte për Kosovën, por nuk u lejua nga autoritetet italiane ta bënte këtë. 

Përfundimisht, unë munda ta marr lejen të largohem nga Italia, vetëm, duke kërcënuar të shkaktoj një skandal dhe kështu pata mundësi të largohesha nga Roma më datën 2 të këtij muaji. Ndërkohë që isha në Romë, u takova dy herë me z. Joseph Emerson Haven, Konsull Amerikan në Torino, që tani ka shkuar në një mision në Shqipëri, me qëllim që të kujdeset për gjërat nga afër dhe për t’i raportuar Ëashingtonit dhe delegacionit në Paris. Ai më siguroi që Amerika ishte përgatitur të kishte interesim të madh mbi Shqipërinë, nëse shqiptarët do t’i apelonin asaj. Gjithashtu, bisedova me Major Robert Denison, kreun e Misionit të Kryqit të Kuq Amerikan, të përbërë nga 50 vetë, që ka shkuar në Shqipëri për të çuar disa dhjetëra ton ilaçe, ushqime, këpucë, veshmbathje, etj. 

Përsa i përket sjelljes së italianëve në Shqipëri, konfirmoj atë çka Turtulli ju shkroi pas udhëtimeve të tij në Itali. Përveç kësaj, kam mësuar që Italia dëshironte formimin e një komisioni të thjeshtë në Durrës dhe që Qeveria e Përkohshme u themelua përkundër dëshirave të saj; Italia po bën ç’është e mundur të krijojë vështirësi për këtë qeveri dhe t’ia heqë gjithë autoritetin. 

Një çështje tjetër që e irritoi Italinë ishte temperamenti i keq i treguar nga delegatët shqiptarë, të mbledhur në Durrës, kur ata u ndërgjegjësuan për mungesën e delegatëve të Vlorës, të cilët autoritetet italiane i kishin penguar të merrnin pjesë në Asamble. Shqiptarët që kishin ardhur nga Korça dhe Shkodra nuk kishin fjalë për të thënë, asgjë të keqe, për autoritetet franceze që kanë pushtuar këto dy rajone. 

Bashkëngjitur do të gjeni një kopje të dy telegrameve dërguar Konferencës së Parisit dhe Turtullit. Gjithashtu, kam folur me Rasih Dinon, që më lexoi një përmbledhje të letrës që ju ka dërguar javën e kaluar. I bashkohem ideve të tij, telegramet e të cilit i kam bashkëngjitur këtu si provë e këtij bashkimi, si dhe bisedat e mia me Haven-in, ku kam theksuar se Amerikës i duhet bërë apel për ndihmë, mbështetje ushtarake në kufijtë e vendit, që të pengohet tradhtia greko-sllave; ky kontingjent i vogël Amerikan, duhet të përforcohet nga shqiptarët, që kanë marrë pjesë në luftë në Francë, në radhët e amerikanëve; riorganizuesit duhet të funksionojnë për të gjitha degët e administratës, në mënyrë që vendi ynë të hyjë në rrugën e përparimit, pa mëdyshje të mëtejshme. 

Janë marrë masa kudo për t’u mundësuar shqiptarëve të shprehin dëshirat e tyre lirisht përpara z. Haven dhe jam i sigurt që ai ka raportuar në përputhje me këtë. 

Përpara se ta mbyll, duhet të përmend edhe një hollësi; Turhani ndoshta edhe Mehmeti kanë një kauzë të mëtejme për armiqësinë e tyre kundrejt meje, d.m.th për mendimin tim – të cilin nuk kam bërë përpjekje ta fsheh: ishte absurde të formohej një Qeveri e Përkohshme që përbëhej nga 14 “ministra” dhe për më shumë, që është humbje e fondeve publike. Sepse unë e gjykoj bujari të gabuar të paguhen 1.800 dhe 3.600 franga në muaj për ministrat në Durrës dhe ata në Paris. S’ka nevojë ta them, unë nuk kam prekur asnjë kacidhe, por i kam mbuluar harxhimet e mia me paratë, që më keni dërguar ju. 

Më besoni, z. President, 

                                                                                                                 juaji,  

                                                                                                         Mit’hat Frashëri 

Shënim: – Ju lutem, punoni për të marrë për ne ndihmën dhe mbështetjen e Amerikës.

*

Telegram për Dr. Turtullin, Paris

Lozanë, 9 mars 1919.

“Ju lutemi të ndërmerrni hapa në mënyrë që vendi ynë, në këtë moment fatzi, të vendosë për qeverisje Republikane; të lejoni Dinon dhe Frashërin të shkojnë në Paris, si delegatë të Vatrës dhe të Qeverisë së Përkohshme. Frashëri e kishte marrë vizën franceze, por nisja u bë e pamundur për shkak të kundërshtimit nga qeveria italiane”. 

Pandeli Cale, Gabriel Jatrou 

*

Letër nga Mit’hat Frashëri, Geneve, më 01.01.1919, drejtuar znj. Edith Durham, 71 Belsize Park Gardens, London, N.W.3, UK 

Fragment: – “Ne (Dr.Turtulli dhe unë) nuk ia kemi dalë të marrim autorizimin për të shkuar në Paris që të jemi në gjendje ta mbrojmë kauzën tonë. Ashtu si thoni edhe ju, në letrën tuaj, gjendja është me të vërtetë kritike për sa i përket kufijve që do të fiksohen për shqiptarët në Konferencën e afërt dhe për shkak të pretendimeve italiane. Ne jemi të bindur se, edhe hija e një protektorati italian do të jetë fatale për të ardhmen e Shqipërisë dhe zotërimi i Vlorës është i barazvlefshëm me skllavërimin e vendit, sepse Italia do ta kthejë atë në pikënisje për planet e saj imperialiste në Ballkan. Mbi këtë çështje, ne nuk kemi dyshim që, opinioni i të gjithë shqiptarëve është me ne dhe tërheq vëmendjen tuaj në këtë pikë. Na duket gjithashtu e vështirë të besojmë se, Britania e Madhe dhe Aleatët e saj liberalë, të mund të lejojnë një padrejtësi të tillë në Konferencën që po afrohet.” 

*

Revista franceze “L’Europe Nouvelle” Paris, ka botuar më 24 janar 1920, letrën e Mid’hat Frashërit, delegat i Konfederatës “Vatra” në Konferencën e Paqes në Paris, me titullin L’indépendance de l’Albanie”.

“Qarkullojnë zëra se Konferenca e Paqes ka menduar t’i japeë Jugosllavisë pjesën veriore të Shqipërisë (deri në lumin Drin) në kompensim të zonës së Fiumes; thuhet se jugu i Shqipërisë (qarqet e Korçës dhe të Gjirokastrës) do t’i dhurohen si kurban Greqisë dhe se Italia – si luani në fabul, do të marrë pjesën tjetër (Vlorën dhe territore të tjera nën mandat).

Padyshim, Konferenca do të vulosë këtë vendim me fjalët: Fundi i Shqipërisë!

Në mes të shekullit XX, tri Fuqitë e Mëdha liberale të universit, Franca, Britania e Madhe dhe Italia, po shkaktojnë mbi Shqipërinë të njëjtin krim ashtu si Rusia, Prusia dhe Austria despotike kryen gjatë shekullit XVIII mbi Poloninë.

   Anglia, duke hyrë në Luftën e Madhe, deklaronte se ajo do të luftonte për mbrojtjen e kombësive të vogla. Zoti Clemenceau,  në fjalimin që mbajti në Strasburg më 4 nëntor 1919, tha: «Krerët e qeverive të kombeve të para të botës u mblodhën në Paris, për të ribërë hartën e Evropës në emër të së drejtës të popujve për vetvendosje».

Presidenti Ëilson, në marrëveshje me të gjithë aleatët, duke përfshirë Italinë, ka thënë se kjo luftë kolosale pati për qëllim çlirimin e popujve të shtypur, mbrojtjen e të dobëtve, triumfin e drejtësisë dhe ligjit mbi forcën brutale.

     Shqipëria u gjymtua për here të pare në1878; për të dytën herë, u copëtua në 1913, në Konferencën e Londrës; e megjithatë, kjo Konferencë, e cila u formua nga përfaqësuesit e kombeve të mëdha: Franca, Anglia, Italia, njohu një Shqipëri të vogël e të pavarur. Për shqiptarët është i rëndësishëm ky shirit (rrip) i vogël toke; ata dëshirojnë të jetojnë, të mos vdesin. Ata dëshirojnë pavarësinë e plotë dhe refuzojnë çdo mandat.

Pra, marrëveshja e 1913, qenka një copëz e thjeshtë letre?

   Në Evropë masakrojnë Shqipërinë, ndërsa në Azi krijohen shtete të pavarura. A është kjo ironi apo një komedi makabre? 

Morali?!”- Lumo Skëndo

  • Redaksia falenderon shkrimtarin Uran Butka qe e dergoi repliken per lexuesit e Gazetes”DIELLI”

Filed Under: Politike Tagged With: Konferenca e Paqes ne Paris, Mid'hat Frasherin, Replike me Paskal milon, Uran Butka

Ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit

November 11, 2018 by dgreca

1 arkiv flam poli1 a salle31 Kleriket

Në Hartsdale të Nju Jorkut u zhvillua ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, një figurë shumë dimensionale, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në disa periudha me rëndësi kritike të kombit shqiptar.

Mid’hat Frashëri, i njohur me emrin e penës Lumo Skëndo, u nda nga jeta papritur më 3 tetor 1949 në Nju Jork, ku kishte ardhur nga Evropa për të organizuar Komitetin Shqipëria e Lirë në Amerikë dhe trupi i tij deri tani prehej në varrezën Ferncliff të qarkut Weschester.

Verimtaria e përcjelljes së eshtrave u mbajt në Qendrën Nënë Tereza pranë Kishës Zoja e Shkodrës. Për të marrë pjesë kanë ardhur shumë personalitete shqiptaro-amerikane si dhe një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga qeveria dhe nga Instituti i Studimeve Historike në Tiranë, Lumo Skëndo.

Në komentet e pjesëmarrësve u theksua roli i Mid’hat Frashërit si kryetar i Komisionit të Alfabetit në vitin 1908, ku ai mbështeti abc-në shqipe me gërma latine; u fol për punën e tij prej dijetari me themelimin e revistës mjaft të njohur “Diturija” dhe për aktivitetin si njëri prej firmëtarëve të Pavarësisë në vitin 1912.

Mid’hat Frashëri ishte themelues dhe kryetar i organizatës Balli Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka qenë cilësuar si kolaboracionist nga regjimi komunist dhe kjo vazhdon të jetë ende një pikë ndarjeje mes mbështetësve të tij antikomunistë dhe një pjese të historianëve.

Por shumë prej atyre që folën e cilësuan Mid’hat Frashërin si një figurë të madhe bashkuese për shqiptarët. Ata thanë se ceremonia e riatdhesimit në Nju Jork flet më së miri për këtë.

Në ceremoninë e sotme munguan disa anëtarë të organizatës panshqiptare Vatra, drejtuesit e së cilës i thanë Zërit të Amerikës se Vatra zyrtarisht nuk do të merrte pjesë. Sipas tyre, qeveria shqiptare, vendimin për riatdhesimin e Mid’hat Frashërit e shikon thjesht të lidhur me rolin e tij në çështjen e alfabetit, duke lënë mënjanë kontributet e tij politike si luftëtar kundër komunizmit.

Mid’hat Frashëri do të rivarroset më 14 nëntor në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, aty ku prehet i ati, Abdyl Frashëri dhe xhaxhallarët Sami dhe Naim, që të tre rilindas të shquar.(kronike e gazetarit Ilir Ikonomi per Zerin e Amerikes-Foto: Gazeta Dielli. Per me shume shihni ne Facebook:dielli vatra)

 

Filed Under: Featured Tagged With: ceremonia, Ilir Ikonomi, Mid'hat Frasherin, Midhat Frasheri

ESHTRAT E MID’HAT FRASHËRIT E KANË VENDIN NË PANTEONIN E KOMBIT

October 4, 2014 by dgreca

Dega e Vatrës në Queens- NY, përkujtjoi me një veprimtari emocionuese, 65 vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit…/
Të Premten në mbrëmje, në Douglaston, Queens-NY, dega e Vatrës, me inisativën e kryetarit të saj, dr. Skënder Murtezani, organizoi, për të dytin vit, përkujtimin e emblemës së Nacionalizmit Shqiptar, Mid’hat Bej Frashëri, të birit të Rilindasit të madh, Abdyl Bej Frashërit. Mjedisi i sallës,( që u pagua nga dr. Murtezani), ishte hijeshuar me flamuj Kombëtar të Shqipërisë dhe Amerikës, si dhe me portretin e Atit të Shtetit Shqiptar, Ismail Bej Vlora, të Mid’hat Frashërit, si dhe themeluesëve të Vatrës, Faik Konica e Fan S. Noli. Po ashtu u përdorën vidio dhe u dëgjua nga BBC intervista që Mid’hat Frashëri dha më 1949, pak caste pas krijimit të Komitetit Shqipëria e Lirë .
Takimin e ka hapë dr. Skënder Murtezani, i cili vlersoi figurën madhore të Mid’hat Frashërit dhe solli rrethanat e mistershme të shuarjes së tij në Hotelin Lexinton me 3 tetor 1949.
Shkrimtari i nohur, ish sekretari i Vatrës, Naum Prifti, vlerësoi figurën e Mid’hat Frashërit në lëmin e Letërsisë, publicistikës, përkthimit. Ai foli me detaje edhe për Librarinë e Lumo Skëndos, si një cerdhe e edukimit kulturor të brezit të ri të kohës(Kjo kumtesë do të publikohet e plotë në Dielli).
“Mid’hat Frashëri dhe Vatra” si dhe”Vlerësimi i Mid’hat Frashërit nga Hasan Dosti” ishte kumtesa që paraqiti editori i Gazetës Dielli, Dalip Greca.
Sekretarja e Vatrës, zonja Nazo Veliu, solli përshëndetjet e kryetarit të Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i cili ka udhëtuar për në Michigan, dhe nuk kishte mundësi të merrte pjesë në këtë veprimtari. Sekretarja e Vatrës vlerësoi kontributin e Mid’hat Frashërit në cështjen Kombëtare dhe përgëzoi dr. Murtezanin për organizimin e kësaj veprimatrie.
Përshëndeti veprimtarinë edhe studiuesi shqiptar nag Maqedonia z. Kaim Murtishi, i cili u duartrokit gjatë në recitimin e poezisë kushtuar rilindasve.
Këngëtari i njohur i komunitetit shqiptar Haxhi Dauti ka përshëndetur organizatorët e kësaj veprimtarie dhe ka vlerësuar figurën madhore të Mid’hat Frashërit.
Përmes ekranit dr. Murtezani paraqiti në mënyrë vizive castet kryesore të jetës dhe veprës së Midhat Frashërit.
Në fund u dha një koktejl i pasur me pije dhe ushqime, shp[enzime të vetë dr. Murtezanit. Veprimtaria u ndoq nga Adem Belliu-Televizioni Kultura Shqiptare, gazetari i komunitetit Beqir Sina dhe Gazeta Dielli.
***
Editori i Diellit,Dalip Greca, në kumtesën e tij; tha se ish studenti i Universitetit të Sorbonës, ish Kryetari i Gjykatës së Diktimit në kohën e Zogut(edhe pse ishte dënuar si antizogist) ish Ministri i Drejtësisë, ish kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë, Hasan Dosti, na ka lënë një vlerësim brilant për jetën dhe veprën e Mid’hat Frashërit. Përmes një esseje shpirtërore, lexuar në një vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit, botuar në Gazetën”Shqipëria”organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, që dilte në Nju Jork(1950-56). Është fjalimi i Hasan Dostit tek varri i Mid’hat Frashërit në varrezat Ferneliff-it.
Përvjetori i parë i vdekjes së Mithat Frashërit u organizua jo me 3 tetor-në ditëvdekjen e tij, por me 15 tetor 1950. Ceremonia ishte e thjeshtë dhe kishte për organizator Komitetin Shqipëria e Lirë. Në varrezat Ferneliff-it, ku prehen sot e kësaj dite eshtrat e tij,u mbajt edhe fjala vlerësuese e Hasan Dostit, aso kohe kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë. Fjala e tij është më shumë një esse patetike-heroike me frymë kombëtare.
Shkëpusim nga fjala e Dostit një fragment”Mid’hat Frashëri është fytyrë e Madhe! Koha nuk e hedh në harrim!Përkundrazi, i lartëson emrin, i shton lavdinë.Është njeri i racës së zgjedhur, i gjakut të kulluar, i familjes së ndritur, i biri i Abdylit të Lidhjes së Prizrenit, dhe Dumes, nipi i Samiut dhe Naimit, viganëve të Rilindjes Kombëtare.”
Sipas Dosti, mendja e Mid’hatit ishte ndriçuar nga tre yj’ të madhërisë së parë dalë herët në qiellin e Shqipërisë.Janë yje të qëndrueshëm, jo meteorë të shkuar. Historia e familjes së Frashërllinjëve rilindas është saktësisht Historia e Rilindjes së Shqipërisë.
Mid’hati, i frymëzuar që në vogëli nga tradita e bukur, nga ideali i lartë i prindërve të tij, porsa arriti në pjekurinë e parë, hapi librin e artë të fateve të Shqipërisë. Këndoi punët Kombëtare të të atit, vjershat e Naimit dhe predikimet e Samiut, sidomos përthithi faqet e librit “Shqipëria Ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”- që mbetet ungjilli i shqiptarëve. Këto, në tërësinë e vet, përbëjnë testamentin shpirtëror të frashërllinjëve; frymëzuar nga epopeja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, nga ideali i Naum Veqilharxhit; nga dalin dy parime: Liria e Kombit dhe edukimi i popullit.
Mid’hat Frashërit i është dashur që të punojë nën dhe’, në Katakombe, si priftërinjtë e shekujve të parë, që përhapnin Kristianizmin në Perandorinë e Romës Pagane. Kështu, biri i Abdyl Frashërit, ka lënë emrin e pagëzimit Mid’hat, për të marrë atë të Lumo Skëndos nën urdhërin e shqiptarizmit. Duhet të zotërosh mjeshtërinë e penës së Dostit për të përshkruar zgjimin e madh të shqiptarëve të kohës së Mid’hat Frashërit. Të mos ikim larg, por në agim të shekullit XX, Më 1906, Mihal Grameno, biri i madh i Korçës Plakë, me Hymnin e tij- Marsejezën e Shqipërisë:”Për Mëmëdhenë-Për Mëmëdhenë”, rrok trimërisht pushkën dhe del në male për të ringjallur lirinë”përmbi shkëmbinj e gurë”. Flamurin e Kryengritjes e bekonte Papa Kristo Negovani. Ky prift Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut do ta lyente me gjakun e trupit të tij. Bëhet dëshmor i parë i shqiptarizmit të ri, si Shën Stefani promartir i Kristianizmit.
Lufta e shqiptarit për liri vazhdon: Në mars 1908 gjëmojnë armët e Mihal Gramenos dhe Çerçiz Topullit, te Rrapi në Mashkullorë. Burrat trima të Kosovës mblidhen dhe i japin Stambollit ultimatumin e famshëm që shtërngon Sulltanin dhespot të shpallë statutin e popujve të Perandorisë.
Në 1910-11 lufta shqiptare përhapet anë e mbanë trevave të saj; ngrihet Mirdita e dukagjinasit, Malësia e Madhe e Shkodrës së Teutës, digjen, prishen, vriten prej zjarrit dhe predhave të artilerisë t’ushtrisë turke të komanduara prej Muhedin Beut e Turgut Pashës. Shqiptarët valojnë Flamurin nën drejtimin e trimit Dedë Gjo Luli.
Historia arrin kulmin. Vjen viti 1912. Ngjarja e parë madhore për pjekurinë e Lëvizjes Kombëtare, 28 prill 1912 themelohet Vatra, që do të orientojë e mbrojë Kombin. Eshtë kohë lufte:Trevat shqiptare shkrumbojnë nga zjarri i luftës. Shqiptarët hyjnë në Shkup. Është Isa Buletini me trimat e racës së Dardanëve,që kanë çliruar Shkupin. Duket se ëndrra e Shqipërisë në katër vilajete, po realizohej.
Po ky ishet ideali i Fashërllinjëve! Dimri i 1912 shpërthen në zjarr të gjithë Ballkanin. Flaka përhapet prej detit të Zi në detin Adriatik.
Biri i Frashërllinjëve është atje ku e kërkon Testamenti i të parëve; në Shqipërinë e katër Vilajeteve. Ndodhej në Shkup. Atje ndjen se koha e volitshme po vinte. Ora e mbarë për Shqipërinë po trokiste. Flamuri i Indipendecës, idelait të Frashërllinjëve Rilindas kishte ardhë.
Mid’hati hyn në bashkëpunim me patriotë të vjetër e të rinj. Në stinën e pamëshirshme të atij viti, kapërcen malet e mbuluara me borë të Sharit, kalon përmes Fanit të Mirditës, dhe zbret në Tiranë. Pret të zbarkojë Ismail bej Qemali për të ngritur Flamurin e Skënderbeut në buzë-detin e Adriatikut, në Durrës, n’Epidamin e Vjetër të mbizotëruar prej fortesës gjigante të Krujës historike.
Rrethanat nuk janë të favorshme, por Lumo Skëndo nuk dëshprohet. Shkon prej moçaleve të Kavajës dhe të Myzeqesë, drejt Vlorës. Takohet me patriotë të ardhur prej viseve të Shqiptarisë. Dhe vjen dita e bekuar. 28 nëntor 1912, dorë për dorë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Pandeli Cale, e shumë atdhetare të tjerë, ngrenë Flamurin e Lirisë dhe nënshkruajnë dokumentin e Pvarësisë. Lumturohet tek sheh realizimin e aspiratës dhe idealeve të paraardhësve të vet. Vihet në shërbim të Qeverisë së Vlorës duke u bërë Ministër i saj. Është i pari në historinë e shtetit shqiptar,që jep dorëheqje për t’iu përkushtuar idealit kombëtar.
Po Shqipëria duket e pafat.Traktati i Londrës i 30 Majit 1913 e varros Pavarësinë e Shqipërisë. Këputet ëndrra e Samiut, Abdylit e Naimit për Shqipërinë me katër vilajete. Idealistit Mithat Frashëri i dhemb shpirti nga therja e Atdheut copash. Ngjarjet e vitit 1914, ku fqinji jugor, vret, ther, djeg, ia bëjnë zemrën plagë birit të frashërllinjëve. Veçse, atdhetari i madh, nuk është njeri që humb shpresën. Le Shqipërinë dhe merr rrugën e Mërgimit për t’i shërbyer Kombit. Shkon në Rumani, Francë dhe Zvicër, ku vihet në shërbim të Federatës Panshqiptare të Amerikës si diplomat, në mungesë të shtetit. Ai së bashku me Mehmet Konicën në Londër, dr. Mihal Turtulli në Lozanë, bëhen avokatë të kombit nën financimin e Vatrës.
Janë të paçmuara kontributet e Mid’hat Frashërit në kohën e Konferencës së Paqes në Paris. Së bashku me miqtë e tij, ai “gris” publikisht marrveshjete fshehta të fuqive të mëdha në dëm të Shqipërisë. Siç kishte bërë për denoncimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të njëjtën gjë bën edhe për memorandumin e 9 dhjetorit 1919,ku përfaqsëuesit e Anglisë, Francës, por dhe të ShBA-ve, i njihnin qeverisë Italiane sovranitet mbi Vlorën dhe krahinat përreth saj dhe mandatin mbi shtetin e cunguar shqiptar. Ky memorandum i njihte Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene daljen në bregdetin shqiptar. Mid’hat Frashëri me tagrin e delegatit të Vatrës i drejton një memorandum Konferencës së Paqes, ku proteston fuqishëm për padrejtësistë e reja ndaj një vendi sovran e neutral, siç ishte Shqipëria. Ai e vlerësonte memorandumin e të mëdhenjëve si krim ndaj popullit shqiptar. Delegati i Vatrës i shkruante Konferencës se” Qeveria shqiptare i ka vënë vetes detyrë të mbrojë integritetin e Shqipërisë, duke mos lejuar t’i shkelen të drejtat si shtet i pavarur dhe sovran”.
Është e njohur në këtë kohë edhe promemoria që delegati i Vatrës, Mid’hat Frashëri i dërgoi presidentit Uillson, ku i kërkon mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Amerikës për zgjidhjene drejtë të çështjes shqiptare.
Studiuesi i Mid’hat Frashërit, historiani dhe shkrimtari Uran Butka, e ka ndjekur përmes burimeve historike veprimtarinë e Mid’hat Frashërit dhe na ka sjellë të dhëna të mjaftueshme që vërtetojnë anbgazhimin e tij më Vatrën. Në fillim të shkurtit 1920 Mid’hat Frashëri la Lozanën për të shkuar në Paris, ku u bë një zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Ndërsa me 23 shkurt 1920, si përfaqësues i vatranëve të Amerikës, Mid’hati i drejtohet me një mesazh, një grupi deputetësh italianë: Mr. Filipo Turato, C. Lazari, Frole, Luigi Ferra, P. Vasullo, T, Menes, për të kundërshtuar planet pushtuese të tokave shqiptare prej Italisë.
Piktakimi i tretë i Mid’hat Frashërit me Vatrën, është Huaja Kombëtare, tha editori i Diellit.Mid’hat Frashëri erdhi në ShBA në shtator 1920. Ai ka mandatin e qeverisë shqiptare që të ndihmojë në fushatën e Vatrës për Huanë Kombëtare. Mid’hat Frashëri shëtiti nën shoqërimin e Kristo Kirkës e vatranëve të tjerë të gjitha kolonitë shjqiptare të Amerikës dhe Kanadasë, bëri thirrje për atdhetarizëm.
Ishte edhe kontributi frymëzues që dha Mithat Frashëri, që Vatra e realizoi Huanë prej 197 mijë dollarësh për Shtetin shqiptar.
Një mision të shenjtë kreu Mid’hat Frashri si mbrojtës i fuqishëm i popullsisë shqiptare të Çamërisë në kohë këmbimin e popullsisë sipas marrveshjes së Turqisë me Greqinë.
Mid’hat Frashëri endet nëpër shtete të ndryshme në shërbim të Kombit deri më 1925. Pikërisht këtë vit kthehet në Shqipëri, por hiqet mënjanë dhe nuk merret me politikë.Vendoset në Tiranë ku drejton Librarinë. Biblioteka e tij pasurohet gjithnjë e më shumë. Libraria e tij u kthye në një strehë-shkollë për edukim Kombëtar, ku mblidheshin studentë e intelektualë. Kishte vendosë që aty ta mbyllte pleqërinë e tij me një shërbim modest ndaj Kombit.Por fati i keq e deshi që ai të shihte Yllin e Shqipërisë të zënë prej mjegullave të kohës. Janë episode dramatike të atdheut të Skënderbeut. Në 7 prillin e 1939-ës, ditën e së premtes së zezë, martirizohet Shqipëria prej forcës brutale të fashizmit. Nuk mund të rrinte mënjanë pinjolli i Frashërllinjëve.Zemra e tij nisi të rrahë vrullshëm. Përpiqet që të japë kontributin e vet. Por mjerisht hyn në mes ideologjia komuniste, që e turbullon gjendjen. Ideologjia e përçarjes ia preu krahët Kombit, duke marrë në shenjë nacionalistët, njësoj si pushtuesit. Shqiptari kundër shqiptarit. Koha punoi për komunistët, apostulli duhet ta braktisë tempullin e adhetarizmit dhe të mërgojë në dhera të huaja. Kapërcen Adriatikun duke humbur meditushëm nën fjalët e këngës :”Moj Shqipni, e mjera Shqipni…, pa harruar vargjet finale”prej Tivari deri në Prevezë”…të Vaso Pashë Shkodranit, shok ideali i Abdyl dhe Sami Frashërit. Zbarkoi në brigjet italiane, ku gjenë strehë në kampet e shërbimeve filantropike të demokratëve perëndimorë. Vazhdon pa ndërprerje luftën kundër komunizmit, bashkëpunon me grupet e tjera politike mërgimtare dhe hyn në kontakt me grupet demokrate perëndimore. Formohet Komiteti Shqipëria e Lirë. Mid’hatit i besohet posti i kryetarit. I drejton Kombit mesazh të kthjellët përmes BBC-së. Vjen në Amerikë për të organizuar luftën e çlirimit të Shqipërisë në bashkëpunim me forcat e tjera të demokracisë Botërore. Por vdekja i thur kurth dhe shuhet apostulli idealist. U varros në tokën e Xhorxh Uashingtonit. Trupi i tij edhe sot kësaj dite dergjet larg Mëmëdheut, duke u prehur nën hijen e Monumentit të Lirisë së Amerikës, simbol i shpresës së gjithë Kombeve të Botës.
Mendoj që në fund të këtij aktiviteti përkujtimor, t’i bëjmë një apel qeverisë dhe politikës shqiptare, duke çuar në vend edhe dëshirën e bashkëluftëtarëve të tij të idealit,të kthehen në Kryeqytetin shqiptarë eshtrat e Mid’hat Frashërit…. Sjell në Kujtesë: Hasan Dosti 64 vite më parë, tek do të mbyllte fjalimin e vet tek koka e mëmëdhetarit, do të rënkonte dhimbshëm:Ah, ai s’mund të rrijë larg popullit të vet…Vendi i prehjes së përhershme të eshtrave të Mid’hat Frashërit, nuk është këtu, në varreza e Ferneliff-it. Vendi i tij është tek Altari i madh ideal i Kombit, tek Tempulli i shqiptarëve të Mëdhenj, në Pantheonin e Tiranës! Zoti do të dojë!
…Edhe unë shpresoj!
(Fotot shihi ne Facebook)

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, dega Queens, Dr. Skender Murtezani, Mid'hat Frasherin, Vatra perkujton

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT