• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ligji i llustra – cionit

June 28, 2013 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Edhe pse pak ditë na ndajnë nga proçesi zgjedhor në Shqipëri mendja të shkon se kush do të na përfaqësojë si deputetet në parlamentit e ardhshëm. Shumë është folur nëpër media të ndryshme për x apo y, që ka patur këtë apo atë pseudonim në të shkuarën e hidhur, por kurrë nuk kemi parë apo dëgjuar që ai/ajo të deklarojnë vetëveten si të tillë, dmth që të ketë pas bashkëpunuar me sigurimin e shtetit në kohën e komunizmit apo jo?

Por edhe pse jemi njohur tashmë me listat e tyre, përsëri pyesim, a e ndjejnë vërtetë veten të denjë këta njerëz për të përfaqësuar vendin tonë politikisht në arenën kombëtare e ndërkombëtare nëse nuk kanë kaluar nëpër filtrimin e figurës së tyre.

Enigma e madhe mbetet edhe sot për këta individë pjesa parazitare e shoqërisë, që janë ose duan të jenë përsëri në parlament e në qeverisjen e re për të na drejtuar ne, vendin e popullin mbarë. Por a e kanë parë mirë veten në pasqyrë se ku po shkojnë. Ku ka zë nuk është pa gjë thotë populli, ndërkohë që dihet se vetëm një rrugë jashtë shtetit po të bënte dikush në periudhën e komunizmit duhet të firmoste në organet e sigurimit shqiptar të asaj kohe. Po sa të tillë kemi ne edhe sot e do të kemi në parlamentit e ardhshëm që kanë pas dalë jashtë vendit, për studime, specializime apo veprimtari të llojeve të ndryshme?

Të gjithë këta individë e dinë dhe e njohin shumë mirë vetëveten, edhe lagja e shoqëria i njeh mirë, por nuk u pëlqen t’ja u kujtojnë të tjerët, e ti lëshojnë rradhë të tjerëve. Ligji i lustracionit as që po përmendet fare. Se kush hypën e se kush zbret në pushtet është bërë si në pazarin e vjetër. Hiq këtë e vendos atë, dhe ata – ish të dalurit jashtë shtetit në kohën e komunizmit kërkojnë përsëri të jenë në pushtet. Hëngrën dje, hëngrën sot e duan përsëri të hanë në kurriz të të tjerëve.

Kaq të bapzitur paskan qenë e kaq i ëmbël i vjen ai kolltuk i parlamentit, saqë kuqaloshët e djeshëm duan të kakarisin përjetësisht nga çatia e parlamentit shqiptar, ku më shumë zihen e shahen me njëri tjetrin se sa bëjnë politikë. Gaz i të huajve janë bërë. Me një fjalë parazitarët në një farë mënyre vrasin kohën në atë parlament, e miratojnë ligjet sipas periudhës që ata po “shkëlqejnë” përsëri e sipas interesave të tyre.

Çfarë u bë me ligjin e lustracionit që askush nuk po ndihet, apo vetëm pas vitit 2025 do të hapen dosjet e diktaturës komuniste, kohë kur asnjë nuk do të ketë më interes për ato. Krimi akoma fle me viktimën, për më shumë i bën edhe karshillëk atij. Mburet me bëmat e përfitimet e së shkuarës, ndërsa ish të burgosurit e të internuarit politik të atij rregjimi ruajnë si relike letrat me vlerë nëpër sirtare.

I hapa e i pashë ketë herë që vajta në Shqipëri letrat me vlerë të tim eti, i shkunda nga pluhuri që kishin zënë, sepse ishin zverdhur e mykur, ishin bërë edhe ato për muze, e pa asnjë vlerë, ashtu si ligji i lustracionit të figurës ose më mirë i llustra – cionit, sepse vetëm llustra po i bëhen akoma ish dosjexhive e kriminelëve të djeshëm përderisa i kandidojnë e kandidohen për deputet.

Është lajm i mirë që nga shtresa ish e persekutuar politike paraqiten edhe këtë vit kandidatura për 23 qershorin, por një e dy nuk mjaftojnë për të përfaqësuar këtë shtresë që vuajti tmerret e diktaturës komuniste, kuadro të lartë vendi ka që nga 92’ e këtej. Ata e dinë më mirë se çfarë  është dhimbja, skamja, liria e demokracia. Ata dinë të vlerësojnë më shumë paqen se sa llustra – xhinjtë e djeshëm e të sotëm. Me këto figura të pastra përfaqësohet edhe më denjësisht vendi ynë në parlament e arenën ndërkombëtare.

Qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: i llustracionit, Ligji, Mimoza Dajci

Ju, që shkatërruat PD!

June 28, 2013 by dgreca

Nuk e ka fajin vetem Dr. Berisha/

Nga Mimoza Dajçi/

Kur kemi dy minuta kohë shpesh na bie të mendojmë se nga vimë e ku shkojmë? Vendin se ku kemi lindur e rritur e dimë, por se ku jemi akoma nuk e dimë. Na detyruat të “braktisim” e të “harojmë” atdheun. Kush? Vrasjet papunësia, varfëria, pasiguria e jetës. Nuk janë të pakta vrasjet që ndodhën në Shqipëri edhe në periudhën e tranzicionit, qofshin kohë fushate apo jo. Pas 23 vitesh, pas përmbysjes së rregjimit diktatorial në Shqipëri u gëzuam të gjithë që e hodhëm poshtë qelbësirën – Nexhmijen, përmbysëm bustin e diktatorit Hoxha. Vendi pas asaj periudhe duhej patjetër të udhëhiqej nga ata që vuajtën, nga ato personalitete që u burgosën politikisht e fëmijët e tyre. Po kush ti linte të ishin në drejtimin e vendit, kush i la ata të ngrinin zërin?

Kush e ngrinte zërin nëpër takimet e ndryshme politike të PD të nesërmen do të hidhej baltë mbi ata, do të shikoheshin si armiq e me urrejtje nga udhëqësit e saj, ose do të fshiheshin nga lista e kësaj partie.

Kam qenë antare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, gjithmonë flisja e vija në dukje ato të meta e gabime që nuk më dukeshin në rregull, shikoja e kritikoja për ato raste që duheshin riparuar në kohë. Flisja për të drejtat e mohuara të gruas ish të burgosur e të persekutuar politike, por të nesërmen isha e përjashtuar edhe nga Lidhja e gruas. Kush më largoi, Berisha? Jo, larot e servilët e PD, frikacakët, sahan lëpirësit e sahan lëpirëset, ish bashkëpunëtorët e punëtoret e sigurimit të shtetit, që nuk lanë vend pa shëtitur në kohën e komunizmit. Emrat nuk kam nevojë tja u shkruaj këtu se janë shumë, pastaj çkuptim do të kishte, ju i dini vetë se kush jeni e kush janë.

Mos fol nëpër kongrese e takime të PD më tha një herë Miranda ish pedagoge e Institutit të lartë Bujqësor, sepse nuk bën dot karierë në politikë. Nuk isha për karierë në PD, e ndjeja se sa kishte vuajtur populli ynë nën atë shtypje të madhe 50 vjeçare, e dija se çfarë ishte uria, burgu politik apo pushkatimi pa gjygj nga pjestar të familjes, e dija se çfarë ishte lufta e klasave, diskriminimi për mos dhënie të lartë studimi, punësimi, sport e art. Etj, etj. Vërtetë nuk kam qenë e internuar, por kam jetuar si “delja e zezë mes të bardhëve”.

Pas viteve 90, kam bashkëpunuar nga afër me shtresën ish të persekutuar politike, kam parë nga afër burgjet politike, kampet e internimit, kam marë pjesë në rivarrimin e eshtrave të të pushkatuarve politik me apo pa gjygje. E pa haruar do më mbetet në kujtesë rivarrimi i djemve të familjes Mena, të cilët komunizmi i goditi pa mëshirë në palcë si familje.  I kam dëgjuar e parë nga afër hallet e vuajtet e kësaj shtrese, kam shkruajtur në Shqipëri dhe në SHBA për ato gra ish të burgosura politike, dhe ish të burgosur politik. E si mos të ndjeja dhimbje për këtë shtresë e persekucionin e saj  të rëndë që kishte përjetuar padrejtësisht në jetë. Prandaj edhe e ngrija zërin në forumet e PD, po kush më dëgjonte!!! ???

PD u kthye në parti të punës. Edhe në PD sunduan ish të privilegjuarit e rregjimit komunist, ish dosjexhinjtë e sigurimit të shtetit, dhe kur flisje për diçka të padrejtë të shikonin shtrembër, e bënin çmos, për të gjetur anën për të flakur nga PD. Nuk ishte vetëm Sali Berisha që i ka të gjitha fajet në PD. Të parët i kanë ata që ishin poshtë tij, pasi varej se si i a servirnin problemin, dmth si i interesonte atyre, dmth të jagove, që prej tyre u dogj sot PD. Ata që i lëpiheshin për një post e një kolltuk në parlament. Të gjithë duhen të largohen, se të gjithë na turpëruan. Por më parë të kërkojnë të falur, e të japin llogari për atë “masakër” që i bënë PD duke larguar njerëzit më të mirë të saj, qofshin ish të persekuatuar politik apo njerëz me figur të pastër. Ndërkohë që populli liridashës e paqedashës i kishte sytë e shpresën vetëm tek Partia Demokratike.

E kam thënë edhe më parë nëpër shkrime të tjera, pse askush nga ata individë që u lakohet shpesh herë emri si ish bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit nuk jep përgjigje publike nëse ka qenë apo jo pjesë e atyre dyerve të ndyra. Pse heshtin, apo duan të fshihen e të përfitojnë akoma. Më fal Znj. Topalli ju humbët si parti në mënyrën më të ulët në Shkodër, gati për 30 vota u dogjët edhe vetë në lagjen ku u lindët e u rritët, dikush nëpër shkrime aludon me figurën tuaj se keni qenë bashkëpuntore e sigurimit me pseudonimin “dizinjatorja”. A është e vërtetë që keni qenë e tillë apo ja fut kot mileti. Po ose jo, si do që të jetë ju duhet te jepni një përgjegje.

 

Ju dhe larot tuaj detyruat që një pjesë të mirë të demokratëve të mernin rrugët e kurbetit, pasi nuk kishin punë, u kërcënohej jeta nga x apo y e këto janë fakte, janë të vërteta. Tregoni të vërtetën keni qenë apo nuk ke qenë bashkëpuntore e sigurimit, sepse për gruan ish të burgosur e të persekutuar politike nuk keni bërë asnjë gjë, të paktën deri në nëndor të vitit 2000, kur isha pjesë e Shoqatës së Gruas ish të Burgosur e të Persekutuar Politike. Pse nuk i afroje ato gra, mes tyre shumë intelektuale që u dergjën burgjeve padrejtësisht nga një spiunim i  asaj spiune apo atij spiuni që sot janë akoma ndoshta deputet të parlamentit shqiptar.

Nuk e ka fajin vetëm Berisha për të gjitha, por edhe ju këshilltarët e tij që nuk ditët ta ndalonit e ta këshillonit nëse ai po gabonte. Seicili nga ju që qeverisi  për 8 vjet vendin gaboi e bëri faje, nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, përderisa ndodhi gjithë ajo shkërmoqje e PD në këtë mënyrë. Përgjegjësi e keqardhje ndjej edhe unë si ish antare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e jo më një qytetar i thjeshtë që sakrifikonte nga jeta e tij për PD. Harxhonte shumë kohë nga koha e tij nëpër protestat e përditshme të PD, nëpër rrugët e Tiranës apo rrethe. Mitingje pa fund. Larg familjes, sepse do të shkonte tek PD në miting të PD, një investim i humbur për të gjithë ata simpatizantë e dashamirës të PD. E rezultati u pa në zgjedhjet e 23 qershorit, ju i zhgënjyet i përlotët, i mashtruat. Po, po ju, e të gjithë ata që mund të jenë me dosje në atë PD.

Dhe të larguarit nga PD nuk janë një e dy, por me qindra, të gjithë jashtë vendit apo në heshtjen e tyre. Kush i largoi, ata e dinë se nga vinë por i vjen keq pse shkuan aq larg, dhe e dinë pse shkuan. Edhe ai ose ajo që e detyroi apo i kanosi jetën e di shumë mirë sepse u larguan të gjithë ata ish themelues të PD apo edhe në vitet më pas. Shkaku është akoma aty brenda. PD ka akoma vend për pastrim.

Shumë të rinj e rrethun Berishën në ditën e largimit të tij nga funksionet e PD, afroini ata të rinj, jepini poste në PD, dorëzojani mandatet e stafetën atyre. Ata janë e ardhmja dhe fëmijët e ish të persekutuarve politikë, e jo ju që humbët zgjedhjet me turp. E për këtë nuk e ka fajin vetëm Berisha, siç vetë ai deklaroi pas humbjes, por edhe ju të gjithë si pjesë e asaj partie, qeverie e pjesë abuzive e saj. Nëse Berisha po gabonte, nëse ai po bënte një apo dy faje, po ju njëqind të tjerët ku ishit, pse e lejuat që ai të gabonte. Mirë ai gaboi apo bëri faj, por mos haroni se pasojat ranë në kurriz të popullit. Sigurisht unë nuk mohoj arritjet e sukseset e qeverisë Berisha, të cilat nuk janë të pakta, përkundrazi shumë të rëndësishme e me vlera të mëdha për kombin. Por dua të them se edhe ju jeni bashkëgabues e bashkëfajtor. Të gjithë duhet të kërkoni falje në popull e të tregoheni transparent se ku gabuat dhe pse. Megjithëse gabimeve e fajeve të PD i kishte dalë era me kohë, por reflektimi juaj duhet të bëhet o sot o kurrë.

Mos tju duket çudi por edhe mua më vjen keq për humbjen e PD, kam investuar kohën time për arritjet e sukseset e saj këtu e 23 vite të shkuara së bashku me tim atë e time bijë që kur ishte ende fëmijë. Po sa të tillë ka, që kanë sakrifikuar shumë për demokracinë në Shqipëri apo që kanë mbetur heronj të saj, kush e do tja lehtësojë dhimbjen atyre?

Fëmijët e vegjël në plazh zakonisht ndërtojnë gjithë pasion e dashuri një kala me rërë në breg të detit, por kur vjen vala e ia rëmben ata mërziten, qajnë. Shkatërrimi i asaj kalaje me rërë është një fenomen natyror i baticës e zbaticës së ujit, por në rastin konkret ky shkatërrim që i ndodhi PD është fatal e duhet të jepen shpjegimet e përgjegjësitë e veta.

27 qershor, 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Mimoza Dajci, nuk e ka fajin, vetem Berisha

Pacientja serbe

June 1, 2013 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikan apo nacionalitet të huaj. Sapo kisha filluar turnin e natës, ku pacintja që do të merja nga salla e urgjencës për ti bërë x-ray (radioskopi) ishte serbe. Infermieri, një afrikan – amerikan më thotë, po ta le ty këtë paciente, mu duk si shqiptare, por qenka serbe.

Në fillim u turbullova pak, por shpejt e përmblodha veten…

Punoj si ndihmës teknike në spital, në departamentin e radiologjisë pranë urgjencës. Ndihem mirë që kam punë, e që kam mundësi të jap ndihmesën time modeste për njeriun e sëmurë. Sigurisht nuk bëj dallime raciale apo etnike, për të gjithë kujdesem njësoj, por nuk e di sepse u bllokova për një çast nga një lëmsh që më shtrëngoi fytin.

I afrohem pacientes. Ishte vajzë e re, nën konvulcione të forta. Kishte edhe temperaturë të lartë e nga çasti në çast mund të kalonte në koma. Në urgjencë sipër krevatit i kishin hedhur një çarçaf të hollë, që nuk i jepte mundësi të përballonte gjithë atë të ftoht që ndjente brenda vetes, për shkak të sëmundjes që e kishte mbërthyer.

E pyes për emrin, por jo vendin se nga vinte. E para për privatësinë e pacientit, e dyta kolegu sapo më kishte treguar që ishte serbe. Pacientja shoqërohej nga  një vajzë e re. Ishte e motra, me një tualet të rëndë në flokë e në fytyrë, që në përgjithësi femrat shqiptare nuk e aplikojnë në make-up e tyre. Ndërkohë ato mësuan për mua që isha shqiptare. E sëmura qante e vazhdonte të dridhej nga ethet e forta e temperatura e lartë.

Mos u mërzit i them, këtu je në duar të sigurta e do të bëhesh mirë. Mora tri batanie të bardha të ngrohta nga një makineri – mikrovale që mban të ngrohta bataniet e spitalit e i mbulova trupin. Filloi të ngrohej, e të vinte në vehte. U çuditën të dyja, e më thanë njëzëri faleminderit. .

“Montefiore” Hospital në Bronx renditet në një ndër spitalet më të suksesshme tashmë në SHBA dhe numri i të shtruarve është gjithnjë në rritje, e në atë mori pune e fluksi pacientësh gjeta mjekun e saj të rojes, dhe e informova mbi situatën e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhej. Mjeku erdhi e pa përsëri e më falenderoi që e vura menjëherë në dijeni, edhe e sëmura me të motrën më falenderuan njëherazi e më vështronin me kërshëri gjatë gjithë kohës që qëndruan në sallën e emergjencës…

Ndërkohë që kujdesesha për të sëmurën, brenda vetes sillja në mendje krimet e masakrat monstruoze serbe ndaj vajzave, motrave e  nënave tona të pa mbrojtuara gjatë luftës në Kosovë. Pjesa dërmuese e të cilave akoma vuajnë nën ato plagë. Apo që po humbin jetën dita ditës, duke lenë fëmijët jetim e duke u braktisur nga familjarët e tyre. Gjithashtu nëpërmjet medias sapo isha njohur, se në Tribunalin e Hagës ish ndihmësi i Punëve të Brendshme të Serbisë Vlastimir Gjorgjeviq kërkonte falje për krimet e kryera në Kosovë, duke deklaruar se, gjatë vitit 1999 janë bërë krime ndaj shqiptarëve. Ai gjithashtu kishte pranuar se ka marë pjesë në fshehjen e zhvendosjen e eshtrave të 724 trupave civile shqiptare në Batajonicë, Petrovo Selo të Klladovës dhe në liqenin Peruçaç.

Mbase edhe vajzat serbe të njëjtën histori – lufte po mendonin, e ndjenin keqardhje, përderisia më shikonin ashtu të habitura… Ndonëse jo…

Maj 2013

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, Mimoza Dajci, Pacientja sebe

Në shërbim të Paqes

January 30, 2013 by dgreca

            Nga Mimoza Dajçi/

Federata Universale për Paqen me qendër në SHBA ishte sponsor një projekti për të rinjtë e botës kryesisht shqiptarë dhe anglezë me temë “Shërbimi i të rinjve besimtarë”, ideatore projektit ishte Drejtoresha e kësaj federate Znj. Tomiko Duggan.

Pas disa vizitash të saj në Shqipëri ajo u konsultua me degën e federatës e u ra dakort që të realizohej ky projekt me të rinjtë e besimeve të ndryshme fetare nga Shqipëria dhe Anglia.

Gjithsej u angazhuan 30 të rinj, të cilët në zbatim të projektit mbollën 30 pemë si dhe lyen  e pikturuan muret e shkollës fillore “Siri Kodra” në Tiranë, që kur të vinin nxënësit në shtator të gëzonin kur të shikonin shkollën të pastër, të lyer e të zbukuruar me simbolet e paqes. Ata gjithashtu bënë vizitë tek qendra që meret me kujdesin e fëmijëve me autizëm, që drejtohet nga Znj. Liri Berisha, si dhe ngjitje në mal e eskursion në guvën Pëllumbas. Projekti zgjati gjashtë ditë.

Gjatë këtyre ditëve të rinjtë çdo mëngjes bënin gjimnastikë mëngjesi si dhe meditime e joga. Brenda kësaj periudhe ata gjithashtu patën kontakte e dëgjuan lektura e biseda nga liderë të besimeve të ndryshme fetare e deputetë të partive të ndryshme politike në vend.

Projekti u mbajt në Qendrën e Federatës Universale për Paqen në Mullet, ku Sekretar i Përgjithshëm i saj është Z. Sokol Rexhepi, ndërsa Konsulle Znj. Saemira Pino. Folës në këto takime me të rinjtë që vijuan nga data 20 – 26 gusht të vitit që lamë pas, ishin Znj. Liri Berisha, deputetët Englantina Gjermeni, Arben Malaj, Gaqo Apostoli, Imam Qazim Selimaj, Robert Setfanc, historiani Ali Lacej dhe shkrimtari Skënder Sherifi.

Pas përfundimit të këtij projekti të rinjtë u vlerësuan me Çertifikata Mirënjohje si Ambasadorë të Paqes, si  dhe kënduan këngë në gjuhën shqipe dhe angleze. Për ata kjo ishte një experiencë e bukur, mbresëlënëse dhe e paharuar, që i shërbeu jo vetëm atyre,  por edhe mbarë të rinjve shqiptarë që të duan e të respektojnë njëri tjetrin e të shpërndajnë mesazhe paqe kudo në botë.  

Tomiko Duggan është një mike e mirë e shqiptarëve, ajo ka marë pjesë shpesh herë në takimet me shqiptarët, një ndër këto do të veçoja përkujtimin e Nënë Terezës vitin e kaluar në Ludig – Bronx që mban emrin  rruga “Mother Teresa”. Tomiko është një lajmëtare e paqes, një misionere e afrimit e bashkimit të kombeve pa dallim feje, race, ideje e partie. Fakti që në këtë projekt ajo ka bashkëpunuar me klerin katolik, mysliman e të krishterë, me përfshirjen e të gjitha forcave politike, si dhe me të rinj edhe nga Anglia dëshmon qartë për bashkimin e universit në një të vetëm. Siç shprehet për paqen edhe Rev. Dr. Sun Myung Moon në librin e tij “Si qytetar global paqedashës”, i cili ndërroi jetë ditën e hënë të javës së kaluar në moshën 92 vjeçare, ku sipas tij “Paqe do të thotë të lidhesh në një tërësi njerëz që mendojnë në mënyra të ndryshme, nga raca të ndryshme dhe me gjuhë të ndryshme, si dhe duhet ti mendojmë të gjitha problemet e botës si tonat, e të kemi shpirtin nismëtar për ti zgjidhur ato”.

Me këtë rast Oragnizata e Gruas “Shpresë dhe Paqe” në New York i dërgon familjes së tij ngushëllimet më të sinqerta dhe u shpirti i tij u preftë në Paqe.

Në verën e ardhshme Federata Universale e Paqes do të angazhohet me një projekt të tillë mes të rinjve shqiptarë e të huaj edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

New York, Janar 2013

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Mimoza Dajci, ne Sherbim, te Paqes

Nipat e Isa Boletinit nuk janë hakmarrës

January 8, 2013 by dgreca

Shkrim me rastin e lindjes së Heroit tonë kombëtar Isa Boletini 16 Janar 1864/

Nga Mimoza Dajçi*/

Pas afro dy vitesh në hetuesi, në burgun e ftohtë e të errët 313 në Tiranë, i shtruar disa herë në spitalin psikiatrik, tim atë nuk e lejuan as të komunikonte, e as të na shkruante edhe ndonjë letër. Ashtu si mijra e mijra ish të dënuar politikë të Shqipërisë gjatë periudhës së rregjimit komunist, kaloi dimrat e ftohtë nën një izolim të plotë, pa shtresë e mbulesë. Nën tortura e sipër humbi edhe një sy. Im atë ishte intelektual i formuar, por si për qindra akademistë të dënuar të asaj kohe, ky term nuk përbënte asnjë sukses për kohën e atij regjimi të egër.

E dënuan nën nenin agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, si armik i popullit. Një periudhë të këtij dënimi e kreu në “kampin e punës” Ballsh. Aty ku po ndërtohej rafinieria e naftës, frytet e së cilës akoma edhe sot ish të burgosurit politikë të asaj periudhe nuk po i prekin e as po i shikojnë me sy. Tjetër kush i ka privatizuar ato vuajtje e mundime, vdekje e tortura që u ngrit ajo industri nafte në Shqipëri. Nejse, nuk dua të ndalem sot në këtë pikë, pasi privatizimet më mirë se unë i dinë ata  që meren me ato punë, por diku tjetër e kisha llafin.

Kur tim atë sapo e dërgojnë me kamionin e burgut, lidhur me hekura e të shoqëruar me katër policë në burgun e Ballshit, si njeri i rrezikshëm, kosovar i pathyeshëm, e që ishte  për Shqipërinë etnike, e përplasin në dyshemenë e këtij burgu afër ish të dënuarve të tjerë. Dikush nga të burgosurit e njeh tim atë, e i tregon në mes të tjerëve edhe nipit të gjeneralit malazez Veshoviq, se në këtë burg kishin sjellë për dënim edhe nipin e Isa Boletinit.

Gjenerali malazez – Veshoviq, kishte pas qenë gjenerali që dha urdhër të pushkatohej Isa Boletini me luftëtarët e tij, në janar të vitit 1916  në Podgoricë. Svetko, quhej nipi i gjeneral Veshkoviqit, që edhe ky po vuante dënimin në burgun e Ballshit. Dikur e kishim patur edhe komshi, afër pallatit ku jetonim në Tiranë. Atje jetonte me gjithë të shoqen greke Kristinën e vajzën Svetllana, nja dy blloqe larg  nesh. Kristina ishte rrobaqepëse shumë e zonja, arnonte rrobat e lagjes, e i bënte njëlloj si të reja. Njihej nga të gjithë  për duart e saj të arta, por sigurisht këtë profesion e ushtronte fshehurazi e në njerëz të besuar. Por nuk e lanë me kaq, sigurimi i shtetit, i a gjeti anën duke arrestuar të shoqin Svetkon, të cilin edhe atë rregjimi i asaj kohe e dënoi për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Kur Svetko mëson nga ish i burgosuri tjetër që, në burgun e Ballshit sjellin për të vuajtur dënimin edhe nipin e Isa Boletinit – Enver Dajçin bën protestë. Menjëherë shkon në drejtorinë e burgut e kërkon mbështetje ligjore, duke thënë se këtu nuk e kam jetën të sigurt, pasi këtu është sjellë për të vuajtur dënimin edhe nipi i Isa Boletinit, Enver Dajçi, të cilin xhaxhai im e vrau në vitin 1916 në Podgoricë.

Im atë kur u njoh me këtë situatë me gjakftohtësinë më të madhe shprehet: “Unë nuk jam hakmarrës. Por do të vijë ajo ditë kur Shqipëria do të jetë e bashkuar me trojet e saj, e ato krime do ti dënojë historia, e jo unë”. E më pas shtoi: “Svetkon nuk e pyeti xhaxhai i tij gjeneral Veshoviqi, a ta vras apo mos ta vras Isa Boletinin me trimat e tij, sepse ai ishte akoma fëmijë. Ky nuk ka faj, e unë nuk jam gjykatës ta dënoj për atë krim. Për mua Svetko të rrojë edhe njëqind vite të tjera, e mos të ketë aspak frikë nga unë”. Pas këtyre fjalëve në komandën e  “kampit” Ballsh tim atë e ridënojnë.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërsa Svetko pasi kryen dënimin e del nga burgu, vdes pas disa vitesh në shtëpinë e tij pranë gruas Kristinë e vajzës Svetllana në Tiranë.

Ky është vërtetë një episod i vogël midis tim eti e një malazezi me duar të lidhura, por që tregon qartë se kosovarët, nuk ishin e nuk e janë hakmarrës, por njerëz që mbrojnë jetën, e kërkojnë drejtësi e paqe.

Isa Boletini lindi më 16 janar të vitit 1864, e po në atë muaj të lindjes së tij u vra pabesisht nga shovinistët malazezë më 23 janar të vitit 1916 në Podgoricë së bashku me të dy djemtë, nipat e tre bashkëluftëtarë që nuk i u ndanë për asnjë çast deri në momentin e fundit të jetës së tij. Por ai la pas nipër e mbesa plot. Luftëtarë të lirisë. Djem e vajza të reja pjesë e Ushtrisë Çlirimtare – UÇK të Kosovës, të cilët morën armët e luftuan për liri e pavarësi. Edhe sot ata nuk janë hakmarrës për krimet mostruoze serbe në Kosovë, por kërkojnë drejtësi e vetëm drejtësi. Janë pasardhësit e Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e heronjve të tjerë shqiptarë, bijtë e bijat e tij më të mirë të këtij vendi që sakrifikuan jetën për liri e bashkim kombëtar, e jo për shtypje e vrasje, por për paqe e drejtësi.

New York, Janar 2012

*(Një nga pasardhëset e familjes së Boletinëve)

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Isa Boletini, me rastin e pervjetorit, Mimoza Dajci, te lindjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT