• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELGA…!

February 23, 2016 by dgreca

Nga  Mimoza Dajçi/

Ndodhesha në Spitalin Psikiatrik Nr. 5 në Tiranë, së bashku me vajzën time të vogël Elgën. Kisha shtruar nënën për t’u kuruar aty nga një sëmundje reumatizmale. Përpara  nesh në korridorin  e gjatë po ecte ngadalë një grua e re dhe mjaft e dobët. Me zor i hidhte këmbët, pasi pandoflat e spitalit ishin të shkatërruara më keq se “Këpucët e Lulit të vocërr”. Nga pas i varrej rrypi i fustanit fanellat. Flokët e saj ngjyrë gështenjë, të rëna mbi supet ishin mjaft të shpupurisur. Kush e di sa ditë kishte pa vënë krehër në kokë. Ecte e fliste me vete.

-Mami Elga, mami Elga – u dëgjua një zë fëmije mbrapa nesh.

Gruaja ktheu kokën e saj të lodhur që me zor i a mbanin ato supe të rënë, e u përkul për të pritur dikë. Unë ktheva kokën pas. Një vajzë e vogël topolake me syçka të kaltër e dy gërsheta të verdhë, u shkëput nga dora e të atit dhe vrapoi drejt saj. I u hodh mbi krahë, por e ëma nuk e mbajti dot dhe u rrëzua në dysheme.

Unë vrapova drejt saj për ta ndihmuar. E kapa nga krahët, nga mesi (peshonte sa një pendë) dhe e ngrita. Ishte Elga…mu duk sikur edhe ajo më njohu. U mundua të buzëqeshë pak, vura re gjak në buzën e saj të poshtme, i cili i doli pasi u rrëzua.

-Ilir- mundi të belbëzoje emrin tim, duke më ngulur sytë e saj të kaltër, të cilët mu dukën shumë te zmadhuar në ato çaste. Dikush ma tërhoqi nga vetja. Ishte i shoqi, një djalosh trup madh e me mustaqe deri  tek veshët, i cili më pa gjithë inat e kureshtje. Vinte erë alkol.

-Babi o babi, ajo teta quhej Elga – po më thoshte ime bijë duke më tërhequr nga dora.

-Po, po Elga, Elga…quhej – ia ktheva unë, e pa dashur hyra në kujtimet e mia të rinisë.

* * *

Pasi hipën të gjithë njerëzit që ishin në stacion, autobusi mori kthesën për në Uzinen e auto – traktorëve “enver hoxha”. Ishte kjo një rrugë e gjatë për udhëtarët e zakonshëm, ndoshta edhe e mërzitshme, ndërsa për mua jo. Nuk e di pse, por sa herë që hipja në autobus më pëlqente që rruga prej andej nga isha nisur të mos mbaronte kurrë. Kjo më kishte mbetur që nga fëmijëria, kur me kalamajtë e pallatit bënim xhiro nëpër “Unazë”. Makina private nuk kishte askush në ato vite, për afro gjysëm shekulli, përjashto udhëheqësit e lartë komunist që ishin në pushtet.

– Ha, ha, ha – nga fundi i autobusit u dëgjuan të qeshurat e forta e të gëzuara të disa vajzave. Të gjithë udhëtarët pranë meje kthyen vështrimin mbrapa. Edhe unë veprova si të tjerët.

– Janë gjimnazistet, që bëjnë praktiken një mujore në uzinë – tha fatorino.

– Eh! Çupa të reja janë, edhe do qeshin – ofshani një grua veshur pis në të zeza.

– Fluturojnë thuaj, u prish rinia – u hodh e tha një tjetër.

Asnjë nuk foli më, ndërsa mua sytë m’u përqëndruan pa pritur tek vajza sy kaltër që më kishte tërhequr vëmendjen edhe disa ditë më parë me çapkënllëqet e saj prej lozonjare. Flokët e saj të gjatë ngjyrë gështenjë ndrisnin nga rrezet e diellit pas xhamit të autobusit. Unë vazhdova ta shikoja, por edhe ajo më pa aq gjatë, sa shoqet e saj lanë të qeshurën e po na shikonin të dyve.

Kur zbritëm tek stacioni i Uzinës e ndalova, e pyeta për emrin, pasi u prezantova edhe vetë më parë. Ajo nuk u largua, bisedoi pak me mua, pak e ndrojtur, por ndoshta e priste këtë çast.

Ishte fund shkurti, fillim pranvere, lulet sapo kishin filluar të mbushnin lëndinën përreth uzinës, ku ne bënim praktikën një mujore, por vetëm me një ndryshim. Elga ishte maturante në gjimnazin “Ismail Qemali” ndërsa  unë vazhdoja vitin e tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Një ditë rrugën nga uzina për në shtëpi e bëmë të dy me këmbë, nuk hipëm ne autobus. Elga mblodhi rrugës disa lule shumë të bukura, të cilat i thurri kurorë, e më pas unë i’a vendosa mbi flokë.

Dukej si një shtojzavallë. Ashtu e gëzuar, e me kurorë mbi flokë shkoi në shtëpi atë ditë, e ëma kur e kishte parë ishte habitur….

Ditët kalonin pa u kuptuar, ndërkohë Elga për mua ishte bërë më shumë se shoqe. Fillova ta doja. Mbaruam praktikat e filluam studimet që të dy. Bashkë kaluam çaste mjaft të bukura, të cilat do të mbeten të paharruara në jetën time.

-Po, po nuk kam për t’i shlyer kurrë nga kujtesa ime, sepse ishte Elga, vajza çapkëne e lozonjare që ngjalli tek unë ndjenjën e parë të dashurisë.

-Edhe ajo më donte…!

Kur të mbaronte maturën kishte dëshirë të vazhdonte studimet universitare për gjuhë – letërsi. I pëlqente të shkruante, në atë kohe i kisha lexuar edhe disa shkrime tek gazeta “Zëri i Rinisë”, të cilat më patën pëlqyer shumë. Kishte shije të hollë edhe në krijimet e saj, ashtu siç ishte elegante edhe vetë. Unë shpesh e ngacmoja duke e krahasuar me gjilpërën me kokë.

-Kur të shtosh edhe nja dy kilogram në peshë – i thoja – do të shpallim edhe fejesën tonë. Dhe ajo në atë kohë filloi të hante shumë brumra që të shëndoshej.

Por njohja e dashuria jonë nuk vajti gjatë. Ajo u nda nga unë, ashtu siç u ndanë petalet nga lulet e tyre, se më pas ato do të jepnin frytin e tyre. Kishte ardhur stina e verës. Kisha dy mbasdite që e prisja Elgën për të shkuar në Teatër, por ajo nuk erdhi. Pas disa ditësh më dërgoi shoqen e saj të ngushtë Valin, që tashmë ishte bërë e pranishme në disa nga takimet tona.

-Ilir, Elga nuk do të takojë më – më tha ajo me gjysëm zëri, kokën të kthyer pak anash, e pa më vëshruar.

-Pse çfarë ka ngjarë?? – e pyeta unë i çuditur.

Ajo nuk po fliste.

-Mos i ka pëlqyer ai sportisti që i vinte rrotull kohëve të fundit. Ah po ai është, basketbollisti e kampioni i kombëtares, kurse unë një inxhinier hekurash.

– Jo Ilir, mos fol kështu. Elga vazhdon të të dojë ty e vetëm ty. Por asaj …

Valit i ngeci fjala në grykë. Unë  e kapa nga krahët dhe e shkunda aq fort sa ajo u tremb.

-I kanë arrestuar të atin për agjitacion e propagandë  – më tha, e u shkëput nxitimthi nga unë.

Çdo gjë ndryshoi tek unë dhe tek Elga. Ne u ndamë. Më mirë të them e ndava unë nga jeta ime. Por nuk kisha se si të veproja ndryshe. I ati i u dënua me burg politik për agjitacion – propagandë kundër pushtetit popullor. Çfarë të bëja unë, të më përjashtonin nga universiteti? Lufta e klasave ishte prezente kudo, e  shumë e ashpër në çdo fushë të jetës. Nëse unë do të martohesha me Elgën do më degdisnin në zonat më të thella të vendit.

-Po ku të kishte gabuar vallë i ati i saj!?

Ai kishte qenë arsimtar, mësues matematike, e gjithë jetën në shkollë të mesme. Ishte njeri i mirë, e me kulturë të gjerë, të paktën për  të tillë e njihte edhe dajua im, pasi kishin qenë shokë klase në Shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz” në Tiranë. Dhe tani…

Prindët i kisha të dy komunistë, kur i tregova se si qëndronte raporti im me Elgën më ndaluan rreptësisht takimet me atë. Më rekomanduan Mirandën, vajzën e shokut filan …Drejtor Drejtorie në Ministrine e…Tiranën e kisha të siguruar. U fejava u martova me atë, tani kemi dy fëmijë, djalë e vajzë. Vajzën ma quajnë Elga. Kam bërë edhe disa rrugë të mira jashtë vendit, sigurisht dhëndri i shokut filan…

-Po Elga?

Ajo pas ndarjes tonë e arrestimit të të atit u tret e u dobësua shumë. Shkolla e lartë nuk i doli, as shkrime të saj nuk lexoja më në gazetë. Më treguan se nuk i a botonin për shkakun e të atit, që u dënua si armik i partisë e popullit. Më vinte keq, e doja akoma, por nuk mund të shkatërroja jetën time.

Pasi kishte punuar tre vite me punë të detyruar në Fermën e Tapizës, e disa vite pastruese në Spitalin e Fëmijëve në Tiranë, filloi të punonte në Uzinën e Auto – traktorëve “enver hoxha” në Tiranë. Po pse aty dreqi e mori, apo pse e lidhin kujtimet me mua.

-O në fabrikën e pasurimit të qymyr gurit në Valias, ose në uzinen e auto – traktorëve. Punë tjetër nuk ka për ju të deklasuarit e pushtetit – ia kishte prerë nënpunësja e kuadrit të lagjes.

Edhe ajo kishte “zgjedhur” uzinën traktori.

Nuk kishin kaluar as dy vjet, dhe Elga ishte martuar me një djalë që sapo kishte dalë nga burgu për vjedhje të pasurisë socialiste. Ai e keqtrajtonte, ishte edhe alkolist. Ç’katastrofë!

Për  Elgën nuk kishte më pranverë. Punonte tornitore me tre turne në uzinë. Ajo nuk qeshi më si dikur në fund të autobusit, kur dielli i shëndriste flokët e gjatë pas xhamave të qelqtë. Mbas lindjes së vajzës, fëmijës së saj të parë ajo sëmuret rëndë, e nuk e mori më veten. Kishte kaluar në depresion nervor.

Tiranë 1978

Filed Under: LETERSI Tagged With: ELGA...!, Mimoza Dajci

Festa e Pavarësisë së Kosovës në Bronx

February 22, 2016 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/Assamblyman Z. Mark Gjonaj, si gjithmonë në krye të shumë organizatave jo qeveritare në New York e më gjerë organizoi 8 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në “Maestros’s” Restorant në Bronx. Të ftuar nderi ishin Konsulli i Kosovës Z. Ylber Kryeziu,  Kongresmeni Eliot Engel, Senatori Jeff Klein, Kontrollori i New York-ut Scott Stringer, Miss New York-u Zonjusha Serena Buçaj, etj.

Në krye të sallës pranë flamujve të Shqipërisë, Kosovës dhe flamurit Amerikan ndodhej edhe një pankartë e bardhë ku shkruhej me gërma të mëdha: “Kur ti bashkojmë kokat, do ti bashkojmë edhe tokat”. Shprehje shumë domethënëse kjo, që tërheq vëmendjen e kujtdo që mendon për të mirën e vendit, paqes e demokracisë.
Përshëndetja kryesore u mbajt nga Assamblyman Z. Mark Gjonaj, më pas e mori fjalën Konsulli i Republikës së Kosovës Z. Ylber Kryeziu, gjithashtu në shenjë respekti e konsiderate për Pavarësinë e Kosovës e për shqiptarët folën Kongresmeni Eliot Engel, Senatori Jeff Klein, Z. Scott Stringer etj.
Z. Mark Gjonaj ndau edhe disa Medalje Mirënjohje për disa organizata jo qeveritare që veprojnë në New York e më gjerë për çështjen shqiptare dhe në mbështetje të jetës sociale në SHBA, si dhe falenderoi pjesëmarrësit e të gjithe ata individë që u angazhuan në mbarëvajtjen e kësaj feste mbarëshqiptare.

Duke qenë ulur në këtë festë pranë poetes e humanistes së njohur Znj. Rita Saliu, e cila kishte ardhur nga Roud Island së bashku me bashkëshortin e saj inxhinierin nuklear Z. Adem Saliu, të cilët janë kurdoherë të kudo ndodhur nëpër veprimtaritë shqiptaro – amerikane, patëm rast ti mernin një prononcim të shkurtër me rastin e kësaj feste madhështore mbarë shqiptare: “Ndihem shumë e lumtur dhe e emocinuar sot – tha ajo – që ndodhem mes bashkatdhetarëve të mi për të festuar 8 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Eshtë një sukses e një fitore për të cilën populli ynë vuajti shumë gjatë, u derdh shumë gjak e u deshën shumë sakrifica që të arrinim deri këtu. Por më në fund fituam, shpresoj që edhe përkrahja që na dhanë bota veçanerisht SHBA dhe Anglia mos të ja shpërblejmë më me kësi ngjarjesh të hidhura e të shëmtuara që po ndodhin këto ditë në Kosovë, ngjarje që po ma trondisin shumë shpirtin e zemrën për atë popull të vrarë e të coptuar. Mjaft më me vrasje, sherre dhe intriga, mendoj se s’ka vend më për gjakderdhje, por vetëm për paqe dhe harmoni, sepse vetëm në këtë mënyrë ecën vendi përpara dhe botës i tregojmë se sa tolerantë e mirënjohës jemi për të gjithë ju”.
Astrit Tota, Piktor – Skenograf New York: “Ndër vite andërruam të ishte e bashkuar me trojet e Ilirisë, Dardania – Iliriane. Sot, shqiptar i madh e i vogël brohoret në trojet shqiptare e kudo nëpër botë, me këngë valle në përvjetorin e 8 të lirisë së vëllezërve tanë në Kosovën Shtet më vete. Kosova është pjellore me vajza e djem plot energji si rubin të shëndritshëm! Me trima e trimëresha që vuajtën fort por s’ja ktyhen kurrë shpinën armikut shekullor. Kosova s’ka për t’ju nënshtuar asnjëherë kriminelëve të serbisë së shkurmoqur. Do të lulëzojë ndër shekuj gjithmonë e më bukur si askush mbi dhe! Nga gjaku i derdhun dhe që nuk u kursye kurrë që nga trima si Shote e Azem Galica, dijetarë dhe të paçarmatosur si Isa Boletini trim e me shokë, Hasan Prishtina e gjer te ushtarët e rinj të UÇK. Së shpejti do të bashkohemi në Europën e Bashkuar dhe gjithë shqiptarët së bashku me trojet e veta do të gëzojnë jetën e tyre të lirë e të begatshme. Gëzuar Kosovë Lirinë!”
Këngëtarët e njohur Gëzim Nikaj, Hajro Cekaj dhe Albërie Hadërgjonaj pasuruan në mënyrë fantastike mbrëmjen festive, e gjithë salla në këmbë duke hedhur valle nën repertorin e tyre të zgjedhur, e nën zërat e tyre të mrekullueshëm. Gëzim, hare, kërcime e muzikë nga të gjtha trevat shqiptare. Krenarë për vendin tonë, për festën e Pavarësisë së Kosovës, për bijtë e shqipes që dhanë jetën për paqen që gëzojme sot. Respekt për gjakun e bijve e bijave që dhanë jetën për liri i pavarësi, shumë mund, sakrifica e gjak duhej të derdhte padrejtësisht populli ynë, por më në fund fituam. Fituam lirinë e pavarësinë e ëndërruar në trojet e arbërit. Për Kosovën Dardane që e duam e na do aq shumë.
Mbrëmja kaloi gëzueshëm deri në orët e vona të mbasdites, ushqimi ishte i shijshëm shoqëruar me pije e frutat e stinës. Të gjithë  të pranishmit u larguan me përshtypjet më të mira nga kjo festë e bukur që bashkoi shqiptarët e të gjtha trevave tona si dhe amerikanë e të huaj të tjerë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bronx, festa e Pavaresise, Mimoza Dajci

Isa Boletini dhe “Sheshi i Plisave”në Shkup

January 22, 2016 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi-New York/
Më datë 23 Janar 2016 do të përurohet në Shkup shtatorja e Heroit tonë kombëtar Isa Boletini, iniciator i kësaj veprimtarie është Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore Shqiptare në Shkup Dr. Skënder Asani. Sipas nipit të Heroit Gazmend Boletini: – “Komuna e Mitrovicës është angazhuar të transportojë qytetarët e fshatit Boletin për në Saraj të Shkupit për të marë pjesë në këtë ceremoni të rëndësishme”. Ndër të tjera ai tha: “Unë besoj se ardhja e Isa Boletinit e përhershme në Saraj do të reflektojë pozitivisht tek shqiptarët, për shkak se ai ka dhënë jetën për bashkimin kombëtar. Kjo përmendore tha ai ngrihet pikërisht me rastin e 100 vjetorit, në ditën kur edhe është vrarë Isa Boletini”.
Juristja Fatbardha Boletini nga Mitrovica, po mbesë e Heroit tonë kombëtar Isa Boletini, gjatë një bisede telefonike na tregon se busti i Heroit do të vendoset në Komunën Saraj pranë shkollës “Dituria”, ku përveç familjarëve do të marin pjesë edhe liderë e patriotë nga Kosova, Shqipëria e treva të tjera shqiptare, njerëz të politikës, artit e historisë.
“Mendoj – thotë Fatbardha – se ky eveniment do të shërbejë si një mesazh paqeje dhe bashkimi për shqiptarët dhe një simbol që personifikon heroizmin e popullit tonë, çfarë trasmeton tek brezat trimërinë, guximin e dashurinë për atdheun e kombin tonë”.
Ndërsa Kryetari i Komunës në Mitrovicë Agim Bahtiri tha për median se vendosja e bustit të Heroit tonë kombëtar në Shkup do të ndikojë në bashkimin e faktorit shqiptar në Maqedoni dhe do të jetë një moment kyç që shqiptarët të ecin përpara drejt realizimit të aspiratave mbarëkombëtare.
Busti i Heroit Isa Boletini që do të vendoset në Saraj të Shkupit është i lartë 3.69 m dhe ka për autor skulptorin e njohur durrsak Idriz Balani. Po në Shkup më datë 22 Janar do të mbahet një simposium shkencor ku do të promovohet edhe libri me titull “Isa Boletini në lëvizjen kombëtare shqiptare” bashkëpunim i parë ky mes tre institucioneve historike të Shqipërisë, Kosovës e Shkupit.
Cermonia në Saraj do të mbahet nën drejtimin e Ali Mehmetit dhe do të shoqërohet me një koncert të pasur artistik, që do të fillojë në orën 12.00, ndërsa përurimi bustit do të bëhet në ora 13.00. Tek Sheshi në Saraj do të ketë edhe një improvizim të Kullës së Boletinëve përballë Bustit të Heroit dhe sheshi do të marë emrin “Sheshi i Plisave”.
Nga politikanët shqiptarë deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarjen e tyre Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha.
* Autorja e këtij shkrimi eshte mbesë nga Famija e Boletinëve

Filed Under: Histori Tagged With: Busti i Isa Boletinit, Mimoza Dajci, sheshi i lisave, Shkup

Me Misionin e Paqes në Hagë

December 17, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/
Hagë, Dhjetor 2015/
Angazhimet e përpjekjet e vazhdueshme të organizatës së gruas shqiptare – amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” për të ecur përpara krijuan mundësi për pjesëmarje në shumë takime e konferenca të rëndësishme kundër dhunës, për të drejtat e gruas e çështjeve humane në tërësi. Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e paqes e të drejtave të njeriut, përfaqësuese të kësaj organizate vizituan Tribunalin Internacional të Hagës për Krimet në ish Jugosllavi.
Asistuam si dëgjuese në gjyqin që po zhvillohej ndaj kriminelit Ratko Mladiç, arrestuar më 26 maj 2011 në fshatin Lazarevo të Vojvodinës, ku qëndroi 16 vite “në arrrati”. Sipas medias dihej që mbrohej nga autoritetet serbe, më pas më 31 maj 2011 ekstradohet drejt Hagës. Akuzohet për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë. Aktualisht mbi të rëndojnë 11 akuza për genocid dhe krime ndaj njerëzimit. Qëndruam 20 min. aty, seanca u mbyll pasi dëshmimtari rradhës kishte njoftuar vonesën. Përpara dëshmimtarit të vonuar po merej në pyetje presidenti i republikës së Srpksas Milarod Dodiç, i cili në çdo fjalë të tij, mohonte çdo ngjarje që rëndonte të pandehurin duke thënë: “Nuk më kujtohet kjo, nuk më kujtohet ajo, nuk më kujtohet kjo datë, nuk më kujtohet ajo ditë”. Si dhe ju drejtua trupit gjykues duke i thënë se, jeni duke më keqtrajtuar, pasi po më drejtoni përsëri të njëjtat pyetje.
Habi nga të gjithë. Presidenti i një vendi me një memorie “kaq të ulët”!!!
Për sa pamë e dëgjuam, e për sa kemi dijeni për krimet e tij, shpresojmë që kjo gjykate ti japë dënimin që meriton!
Nga rojet mësuam se në anën e majtë të sallës ndodheshin djemtë e Ratko Mladiç. Ulur matanë xhamit të madh e hermetik që ndante sallën e gjyqit me dëgjuesit përballë, Mladiç buzëqeshte e shkëmbente shenja me sy me ata, i pyeti me kokë se kush ishim ne, të sapo ardhurit, i pyeste për grupin tonë vizitues. Edhe ata – familjarët herë pas here hidhnin vështrimin kureshtar ndaj nesh. Donin të dinin kush ishim dhe pse kishim shkuar aty.
Pas përgjigjeve “nën harresë” që presidenti i republikës së Srepskas i jepte trupit gjykues, Mladiç e suita e tij qeshnin e fërkonin duart. Këto veprime të tij, e tyre na lanë një shije të hidhur. Nuk e di, por të shpresojmë që ai të marë dënimin e duhur. Përgjigjen se kush ishim ne, e çfarë kërkonim aty, besoj e kanë marë nga punonjësit serb punësuar aty, që; Ne ishim aty thjeshtë si vizitorë e si misionarë të paqes.
Meqe krimet kishin ndodhur edhe mbi popullsinë shqiptare, në këtë godinë përveç serbëve e të huajve të tjerë punonin edhe specialistë shqiptarë. Ky vendim ishte marë aty vitet e fundit nga një gjykatës i ri, i cili kishte thënë: “Përderisa këtu gjykohen çështje që i përkasin edhe shqiptarëve, duhet pa tjetër që të punësohen edhe shqiptarë, në mënyrë që të mësohet e vërteta direkt prej tyre”.
Mladiç akuzohet për vrasjen e 7000 boshnjakëve në Srebrenicë, pastrim etnik – dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga territoret nën kontrollin serb, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës me bombardime e snajper, ndërmarjen antinjerëzore duke eliminuar qindra myslimanë të Bosnjes e duke shpërngulur gra e fëmijë, marrjen peng gjatë konfliktit ushtarëve ndërkombëtarë në vitin 1995. Gjyqi i kriminelit Ratko Mladiç do të përfundojë punimet në muajin shkurt të vitit 2016.
Në takimin paraprak me një nga asistentet e informacionit në sallën e konferencave të këtij Tribunali, mësuam se aty ishin mbajtur të ndaluar 161 persona për genocid, 80 prej tyre ishin dënuar, disa kishin dalë të pafajshëm përfshi edhe Liderin e Kosovës Ramush Haradinaj. Me burgim të përjetshëm ishin dënuar pesë persona, dënimin kapital me vdekje nuk e njihte Tribunali i Hagës. Sipas saj përveç grave e vajzave në luftë ishin përdhunuar edhe burra, e për këtë kishin fakte të pamohueshme. Po sipas asistenes informative dëshmimtarët dilnin aty në mënyra të ndryshme, direkt me fytyrën e zërin e tyre, ose për siguri jete dilnin me zë tjetër e jo me fytyrë. Në një video na u paraqit një kriminel i penduar, përballë tij një nënë boshnjake – komshie e tij. Krimineli kërkonte të falur për krimet e kryera, ndërsa ajo me lot në sy e zërin që i dridhej kërkonte eshtrat e djemve të vrarë prej tij. Momente të prekshme, tepër tragjike, mjerë kush i ka provuar e hequr mbi kurriz. Lavdi e drejtësi të rënëve nga dora e pamëshirshme e katilëve që tronditën e trondisin botën.
Mekanizmi i funksionimit të Gjykatës Internacionale të Hagës ka për President Gjykatësin amerikan Theodor Meron, ndërsa vartës të tij janë gjykatësi nga Gambia Hassan B. Jallow dhe gjykatësi nga Australia John Hockingsaj. Kjo gjykatë mbyllet përfundimisht pas 22 vitesh, në fund të vitit 2017, ku çështjet e papërfunduara do ti kalojnë për gjykim – gjykatave speciale po në Hagë.
Gjatë qëndrimit tonë katër ditorë në Hagë patëm rast të vizitonim Pallatin e Paqes, brenda të cilit ndodheshin Gjykata Internacionale e Arbitrazhit dhe Gjykata Internacionale e Drejtësisë. Brenda oborit plot lule e bar të gjelbert të Pallatit valëvitej flamuri i kaltër i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjykata e Arbitrazhit ishte e pavarur nga OKB, ndërsa ajo e Drejtësisë varej dhe financohej po nga OKB-ja. Pranë kësaj godine në një punim të mermertë ndodhej akreditimi i shumë shteteve të botës përshirë edhe Shqipëria sigurisht edhe SHBA, u ndiem krenare për vendin tonë Shqipërinë dhe për SHBA ku jetojmë e punojmë sot. U ndalëm, u fotografuam aty. Përpara Pallatit të Paqes ishte ndërtuar një trotuar i madh mermeri, sipër bordurës shkruhej në të gjithë gjuhët e botës Fjala Paqe.
Sa mirë. Eshtë mirë të punosh për paqen, nuk është e vështirë. Bëj vetëm mirë dhe je brenda saj. Nëse nuk bën dot mirë, mos bëj keq, përsëri njeri i paqes quhesh. Për të lënë përshtypjet për Paqen në vend të “Librit të Përshtypjeve” kishin zgjedhur një mënyrë shumë të thjeshtë. Tek pema e mbjellur afër hyrjes kryesore, njerëzit linin shënimet e tyre në copa letrash, shkruanin e lidhnin me fjongo aty mesazhet për paqen, jetën apo familjen e tyre, e bënin një urim njerëzor pranë memorialit “Imagine Peace, Wish Tree”.
Pas mbritjes tonë në Hagë u takuam me disa misionerë të paqes nga vende të ndryshme të botës. Programi ishte shumë i ngjeshur, lëviznim me këmbë tramvai apo biçikleta. Organizatorët, kishin bërë një punë të mrekullueshme. Personalisht mbeta shumë e impresionuar nga kujdesi që kishin treguar për mbarëvajtjen e programit e të gjithë vizitave të rëndësishme që na afruan. Për një periudhë shumë të shkurtër kohe në Hagë morëm pjesë në disa konferenca, zhvilluam biseda që ishin rezervuar për ne. Vizituam e morëm kontakte me Euro – Pol-in, Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike, e cila kishte fituar Çmimin Nobel për Paqen, Bibliotekën dhe Muzeun kryesor të qytetit. Shëtitëm edhe me biçikletë, traditë e bukur dhe e njohur kjo, e hollandezëve. Për pak orë që u ndalëm në Amsterdam vizituam edhe shtëpinë Muze të Anne Frank.
Rrugët ishin të pastra (të paktën në zonën ku na ishte rezervuar hoteli) por paksa të çuditshme përsa i përket infrastrukturës, e njëjta rrugë përdorej nga trami elektrik dhe makinat, pranë tyre ishte vizuar kalimi i këmbësorëve dhe lëvizja e biçikletave. Të gjithë respektonin njëri tjetrin dhe sinjalistikën për të shmangur çdo aksident të mundshëm. Qyteti përbëhej nga 600 mijë banorë, për nga popullsia Haga renditej qyteti i tretë në Hollandë pas Amsterdamit dhe Rotterdamit. Hollanda si vend fushor njihet gjithashtu për mullinjtë e saj të famshëm me erë.
Ngjyra e preferuar e hollandezëve është portokallia, e përdorin kudo e në çdo gjë. Interesante por edhe disa lule aty kishin frutin e tyre të vogël në ngjyrë portokalli, përveç tulipanëve që janë ngritur plantacione të mëdha për rritjen e kultivimin e tyre. Edhe tek pulëbardhat shquhej ky fenomen natyror, sqepi dhe këmbët e tyre ishin portokalli. Nëse ju bie rasti të shikoni në Amerikë apo diku tjetër pulëbardha me sqep e këmbë portokalli dijeni, janë mysafirë nga Hollanda. Përsa i përket anës sociale, nëpër rrugët e Hagës nuk pamë asnjë lypës apo të pastrehë.
Në një konference mbajtur kohë më parë në New York, lideri i një organizate që merej me të drejtat e të burgosurve në SHBA, ish i dënuar ordiner në SHBA, tha se në Hagë kriminaliteti ishte zero. Këtë gjë ai e kishte dëgjuar nga një grua gjatë një takimi mbajtur në Hagë vite më parë. Hollandezja ishte shokuar nga krimet e shumta që ndodhin në Amerikë. Si është e mundur kishte thënë ajo, se këtu në Hagë kriminaliteti është zero. Kjo histori e vogël kishte ndodhur pesë vite më parë, ndërsa sot kur pyetëm për kriminalitetin në Hagë, na thanë se ka, por në shifra tepër të ulta.
Vendi mbretëror kujdeset shumë për qytetarët dhe i kushton vëmendje të posaçme rendit e qetesisë publike. Në Hagë sa zbardh dita policia ecën nëpër bulevard me kuaj, bën “xhiron e mëngjesit”, për ti treguar banorëve se; Ne jemi këtu në mbrojtjen tuaj. Por edhe kafshë qen e mace pa zot nuk shikoje rrugëve, qesharake se çfarë po shkruaj, por këto janë mbresat e mija, që në Shqipëri përbëjnë problematikë të madhe.
Si kudo edhe në Hagë prag Krishtlindjesh, dukej sikur Santa Klaus kishte mbritur më parë se çdo vend tjetër të globit. Rrugët, dyqanet, institucionet, shtëpitë dhe hotelet zbukuruar nën atmosferën e festës. Njerëzit blenin dhuratat e rastit e të ndihmonin kur i pyesje për ndonjë adresë apo rrugë të panjohur. Kur vinte mbrëmja qyteti i vogël i Hagës binte në qetësi, por edhe në orët e vona të tij nuk të ngacmonte njeri, dyqanet mbylleshin në ora 6-të ose 8-të mbasdite, ndërsa disa restorante qëndronin hapur më gjatë. Dekorimi me ngjyrat e kuqe, bardhë e jeshile ndriçonte edhe nga ndezja e qirinjve të shumtë që shkriheshin nën flakën e zbehtë, rënia e Këmbanave i jepte hijeshi qytetit, shënonte një jetë të re, një shpresë për agimin e së nesërmes.
Nëse dikush tregon interes për një udhëtimin të tillë fantastik në Hagë, Hollandë, Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane me qendër në New York – The Women’s Organization “Hope & Peace” është gati t’ju ndihmojë.
Për më shumë informacion ju mund të na kontaktoni në numrat e telefonit: (917) 280-8146, (917) 214-9852, si dhe na shkruani në adresën e organizatës: hope.peace.org@gmail.com

Filed Under: Reportazh Tagged With: Me Misionin e Paqes, Mimoza Dajci, në Hagë

Madhështia e Festës së Pavarësisë

December 2, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Pas darkes solemne qe organizoi Federata Panshqiptare e Amerikes Vatra me 27 Nnetor 2015, ku moren pjese rreth 500 bashkatdhetare, ku krahas tri bashkesive fetare, Kishes Katolike Zoja e Shkodres, Kishes Orthodokse ne Queens dhe Qendres Islame, kishte pjesmarres nga deget e Vatres ne Nju Jork, Shoqata Cameria, Partia Levizja e Legalitetit per SHBA, Rrenjet Shqiptare, Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane, Keshilli Shqiptaro-Amerikan, Shoqata Rugova, Ansambli “Rozafat” i Qendres Kulturore Rozafat, Ansambli”Kenga dhe Vallja Shqiptare”, perfaqesuese nga Shoqata e Grave Shqiptaro-amerikane- Motrat Qiriazi, etj, nje tjeter organizim masiv ishte nje dite me pas, me 28 netor.  Mbrëmjen e 28 nëntorit anija “Majesty Yacht” mblodhi në bord për një udhëtim rreth Manhattan Isle 1000 pasagjerë. Shumica e tyre shqiptarë, festues të 103 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Anija u nis nga New Jersey për të mbritur në brigjet e portit Pier 81, në 41 St, ku do të priste mysafirët e rastit. Me flamujt shqiptarë e amerikane shpalosur kudo, tavolinat mbushur me ushqime tradicionale e pije të ndryshme filloi udhëtimin e saj drejt Statujës së Lirisë. Sa bukur, mrekulli e vërtetë. Një Shqipëri e vogël mes ujrave të Lumit Hudson New York.
Festën e përshëndeti Assamblyman Z. Mark Gjonaj. Më pas u kënduan Hymnet Shqiptare dhe Amerikane. Bekimi fetar u mbajt nga përfaqësuesi i Klerit mysliman. Nderuan me pjesëmarjen e tyre personalitete të politikës amerikane kongresmeni Eliot Engel dhe Senatori Jeff Klein, ambasadorja e Shqipërisë në SHBA Floreta Luli- Faber, Konsulli i Republikës së Kosovës në New York Z. Fatmir Zajmi,u aktorja e Hollivudit Eliza Dushku dhe fotografi famoz shqiptaro amerikan Fadil Berisha. Të ftuar nga Ulqini dhe Ana e Malit ishin grupet artistike SHA “Tradita” dhe “Buzuku”.
Mbi 30 organizata ishin pjesë e festimeve në 103 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Rrugë të largët për këto festime nga Rhode Island kishte marë edhe poetja e humanistja shqiptare Znj. Rita Saliu së bashku me bashkëshortin e saj inxhinierin nuklear Z. Adem Saliu. “Ndihem shumë e lumtur dhe e emocionuar tha ajo, që ndodhem sot këtu mes motrave e vëllezërve të mi shqiptarë për të festuar së bashku 103 Vjetorin e Pavarësisë, Ditën e Flamurit të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit”
Timonier e udhëheqës i punimve të kësaj feste të rëndësishme ishte Assamblyman Z. Mark Gjonaj. Nuk është hera e parë që kemi rast të marim pjesë në eventet që realizon Z. Gjonaj me familje apo me rrethe shoqërore, e sa kemi parë na kanë lënë mbresa dhe eksperienca shumë të veçanta. Kështu ndodhi edhe me udhëtimin e këndshëm festiv në anijen “Majesty Yacht” që shoqëroi mbi 1000 persona në bord. Muzikë, valle, hare shpalosi kjo mbrëmje në ujrat e lumenjve Hudson dhe East River që rrethojnë ishullin e shëndritshëm  -Manhattan. Kudo vezullime dritash. Simbolet e çdo organizate që u angazhuan në këtë festë së bashku me përshëndetjet përkatëse ishin përfshirë në librat e 103 Vjetorit të Pavarësisë vendosur nëpër tavolinat e ngrënies e pankartat e ndryshme varur edhe në koridoret e anijes.
Ngritja e flamurit shqiptar nga Batalioni Atlantiku, trimave shqiptare që çliruan Kosovën ishte një gjetje perfekte që ngjalli emocione tek të pranishmit. Të gjithë në këmbë përpara këtij çasti solemn, e për nder të heronjve të Kombit. Ndërsa organizatorët me përfaqësuesit e tyre ngritën flamurin amerikan. “Moj e bukura Morenë” e shumë këngë klasike të lehta apo popullore interpretuan këngëtarët e muzikës së lehtë e popullore, si dhe vallet e bukura me motive shqiptare i dhanë shumë jehonë festës. Daullja buçiste, të gjithë kërcenin e këndonin të gëzuar, ushqimet tradicionale ishin porosi e veçantë e Z. Mark Gjonaj, i cili çdo detaji i kishte kushtuar vemendjen e duhur e që bashkatdhetarët të kënaqeshin nën shijen e traditave tona.
Përsëri muzikë, valle e këngë nga treva të ndryshme të vendit. Anija bënte xhiron e planifikur, njerëzit lëviznin nëpër katet e shkallët e anijes duke përshëndetur njëri tjetrin e duke u fotografuar në grupe nën sfondin e Statujës së Lirisë. Moti ishte i bukur, oqeani i qetë e pa dallgë. Qielli i pastër e pa re. Çuditërisht edhe hëna ishte e plotë. Cruise turistik rrëshqiste ëmbël pa u ndier se ndodheshim brënda tij. Dritat e godinave përqark ishin bërë njësh me yjet në qiellin e kaltër, nuk dallohej fillimi e mbarimi i tyre. Një mrekulli e vërtetë, na dukej vetja si në përrallë. Dy të rinj veshur me kostume kombëtare kurorëzun fejesën e tyre me unazë në gisht. Moment fantastik për këdo që ishte pranë. Urime çiftit. Një piktore u vizatonte vogëlushëve në fytyrë dhe duar shqiponjën, ata ndiheshin krenarë që ishin bijtë e shqipes e lodronin gjithë hare nën kujdesin e prindërve të tyre. Ky manifestim bashkoi rreth flamurit të Skënderbeut e Pavarësisë shqiptarët e të gjitha trevave. Senatori Jeff Klein dhuroi për komunitetin tonë një Çek me shumën 2 miljon dollarë për ngritjen e Qendrës Kulturore Shqiptare në New York.

Udhëtimi madhështor i 103 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të mbetet i paharuar për të gjithë pjesëmarësit.

Filed Under: Komunitet Tagged With: e Festës së Pavarësisë, Madhështia, Mimoza Dajci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT