-Përkujtohen vrasjet e dëbimi i shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000/
-Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani: Njëzetë e një vjet më parë, më 3 e 4 shkurt struktura paralele të dirigjuara nga shteti i Serbisë vranë në Mitrovicë 10 qytetarë shqiptarë, i plagosën 25, teksa i dëbuan nga shtëpitë e tyre 1564 familje/
MITROVICË, 3 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Në Mitrovicë – pjesën veriore të qytetit tani me shumicë serbe, para 21 vitesh, natën e masakrës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, janë vrarë 10 shqiptarë e plagosur 25 të tjerë, ndërsa u dëbuan nga shtëpitë e veta me dhunë vetëm brenda asaj nate rreth 100 familje shqiptare, e brenda muajit 1564 familje me gjithsej 11.394 anëtarë.
“Pasojat e sulmeve kriminale serbe të asaj nate në lagjet veriore të Mitrovicës ishin të tmerrshme. Dhunshëm u dëbuan nga pronat shqiptarët dhe në këtë mënyrë ajo pjesë u spastrua etnikisht dhe u ndryshua realiteti, duke u bërë serbët shumicë, që deri atëherë ishin pakicë”, është theksuar në veprimtaritë e përvitshme përkujtimore.
Në Mitrovicë masakra e para 21 viteve ndodhi pas luftës së përfunduar në qershorin e vitit 1999, dërsa gjatë luftës nga forcat serbe janë vrarë 455 shqiptarë, nga moshat 2 muaj e deri 89 vjet, janë zhdukur 279 dhe janë plagosur 450 shqiptarë. Janë rrënuar 9540 shtëpi shqiptare.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklaratë të dërguar sot nga Presidenca përkujton:
Njëzetë e një vjet më parë, më 3 e 4 shkurt struktura paralele të dirigjuara nga shteti i Serbisë vranë në Mitrovicë 10 qytetarë shqiptarë, i plagosën 25, teksa i dëbuan nga shtëpitë e tyre 1564 familje.
Dy dekada më pas, kujtimi për civilët jeton bashkë me brengën për ata që më nuk arritën të kthehen në vatrat e tyre.
Nuk mund të ketë as paqe të qëndrueshme e as stabilitet nëse njerëzit në çdo cep të Kosovës nuk ndihen të lirshëm për të jetuar e për të lëvizur.
Koha është që tërësia territoriale e Kosovës të mos jetë vetëm në letër, por edhe në praktikë. Për një Kosovë në të cilën krimet nuk mbeten statistika në raporte, por trajtohen në organet e drejtësisë!
Që historia e 3-4 shkurtit kurrë më të mos përsëritet, nevojitet vendosmëri dhe guxim shtetëror për ta garantuar sigurinë e secilit qytetar të Kosovës, në çdo cep të saj.Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët shqiptarë të varë me 3-4 shkurt!