• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MONOGRAFI MË PASION PËR VENDLINDJEN

May 1, 2021 by dgreca

Shaqir Ismaili, BOJKU NË ANË TË MALIT, Botoi: ART CLUB, Ulqin, 2011/

Në sajë të ndryshimit të rrethanave shoqërore në këto dy dekadat e fundit janë botuar libra më vlerë nga autorë të ndryshëm shqiptarë të cilët kanë trajtuar tema nga fahu i tyre profesional. Botimet e tilla nuk ka dilemë se kanë pasuruar fondin e botimit të librit në shqip, duke ofruar të dhëna të cilat deri më tash kanë qenë të panjohura nga opinioni i gjerë. 

Shkruan: DR. Nail  Draga

Një e dhënë e tillë nuk është e panjohur sepse deri më tash për shqiptarët në Mal të Zi kanë shkruar autorë të ndryshëm joshqiptarë kryesisht sllavë duke i trajtuar çështjet në mënyrë subjektive, sipas interesit të tyre dhe te politikës së kohës. Por, gjatë  dy dekadave të fundit janë pikërisht autorët shqiptarë ata të cilët me pasion opinionit i kanë dhuruar botime më vlerë, në sajë të punës hulumtuese disa vjeçare. Dhe janë pikërisht këto botime që kanë shpalosur tema të cilat kanë qenë jo të panjohura për opinionin  e gjerë por të ndaluara, sepse pasojat kanë qenë evidente nga pushteti i kohës Madje ishte pikërisht ky motivi kryesor për t’u ballafaquar më temat e tilla për të shpalosur çështjet përkatëse që opinioni i gjerë i ka  pritur më padurim.

Në gamën e gjerë të tyre botimeve, bën pjesë edhe libri Bojku në Anë të Malit i autorit Shaqir Ismaili, i cili kohë më parë në botim të Art Club-it ka dalë  në qarkullim.

Pas parathënies së autorit libri përbëhet nga nëntë njësi duke filluar me trajtimin e Anës së Malit si krahinë të veçantë etnografike, duke vazhduar me rrethanat shoqërore-historike, sipas periudhave kohore, duke ardhur deri në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj  çështjet e traditës etj. Në fund është publikuar gjenealogjia familjare e fiseve dhe vllazërive familjare të Bojkut, duke përfshi një periudhë kohore prej tre shekujsh. Pjesë e librit janë edhe   hartat, skicat dhe sidomos fotografitë e botuara që  paraqesin vlera të veçanta për një koleksion sepse një numër i konsideruar  i tyre publikohen për herë të parë dhe si të tilla e pasurojnë këtë botim.

Duke lexuar ketë libër  del qartë pozita e vështirë sociale e popullsisë përkatëse që ishte identike për popullsinë shqiptare në përgjithësi në Mal të Zi. Por, aspak më e lehtë nuk ishte as ajo politike, sepse pushtetit të kohës iu ka penguar edhe shkollimi fetar i të rinjëve, që është dëshmuar me mos mundësinë e punësimit të tyre qoftë në vendlindje apo në komunën e Ulqinit, por duke i drejtuar në mjedise të largëta, me popullsi sllavofone. Një veprim i tillë perfid dëshmon në mënyrë transparente se edhe edukimi fetar ka qenë i padeshirueshëm,kur janë në pyetje shqiptarët ku autori në libër na ofron shembuj përkatës. Me këto veprime pushteti i kohës u demaskua, sepse ishte veprimi përfid për pengimin e shkollimit të te rinjëve tanë edhe ne profilin teologjik, nga del se iu kanë penguar edhe takimet dhe tubimet e rastit të kësaj natyre, që ishte kundër   të drejtave  dhe lirive të qytetarëve  të cilat  ishin  të garantuara edhe  me konventat ndërkombëtare.

Lexuesi në ketë libër ka rastin të informohet me përmbajtje të ndryshme sikurse është edhe migrimi i popullsisë nga Bojku, por edhe e kundërta të ardhurit nga vendbanimet tjera në Bojk, në kohën e kaluar.Të dhënat e tilla  nuk janë të imagjinuara por të argumentuara madje  me emër dhe mbiemër të familjarëve në një tabelë përkatëse. Po ashtu prezantimi i toponimeve të fshatit paraqet një vlerë të veçantë onomastike sidomos për fushën e gjuhësisë.

Nëse ndonjë fshat, zonë apo krahinë e veçantë dallohet me ndonjë veti dalluese me vlera nuk ka dilemë se  bojkanjorët nga ky moment kanë se me çka të krenohen. Ata pa dyshim se janë të parët qe kanë një monografi të shkruar për vendin-fshatin  e tyre. Jo vetëm kaq por me sa jam i informuar kjo është monografia e parë për një fshat në viset shqiptare në Mal të Zi. Andaj, të gjithë ata që në të ardhmën do të marrin guximin për të shkruar një monografi të tillë për ndonjë vendbanim tjetër, patjetër duhet ta konsultojnë monografinë e Bojkut të shkruar nga Shaqir Ismaili.

Nuk ka dilemë se me ketë botim autori ka nderuar vendlindjen e tij Bojkun por edhe të tjerët  si në Anë të Malit, Ulqin dhe më gjerë. Sepse ka shkruar një libër më plot pasion dhe dashuri. Materiali i mbledhur për një periudhë të gjatë  kohore prej  gati prej pesë dekadash ai sot është publik dhe do ta vlerësojë  opinioni i gjerë. Por, në lidhje me këtë botim me duhet të them një konstatim që  është dëshmuar shumë her deri më tash. E ajo ka të bëj me faktin se askush nuk e do më shumë vendlindjen se sa ai i cili është larg saj. 

Pikërisht, duke qenë larg saj, i larguar nga mosha 15 vjeçare autori  gjithmonë ishte me vendlindjen në zemër dhe në ndërgjegjën e tij. Sepse kudo që ka shkuar dhe qendruar vendlindja e tij ishte dhe mbeti përjetësisht Bojku. Dhe vetëm një individ i tillë ka mundur të na dhuroj një botim me ketë përmbajte, ku ka shënuar dhe evidentuar çdo gjë nga vendlindja, në kuptimin e ngushtë por edhe për Anën e Malit në kuptim më të gjerë. Ndërsa literatura e konsultuar ia rrit vlerën botimit, duke ofruar argumente për çështjet e trajtuara.

Madje, nuk gabojmë nëse themi, se disa çështje të trajtuara në libër, duhet të jenë edhe motiv dhe nxitje për hulumtime në të ardhmën. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do të dëshmonte në praktikë se kjo monografi ia ka arritë qellimit, sepse asgjë nuk është ideale dhe e përkryer, sepse vazhdimisht mund të ofrohen të dhëna të reja  që janë në favor të çështjeve përkatëse.

Libri iu dedikohet kryesisht  banorëve të Bojkut, por ai është i mirëseardhur edhe për opinionin e gjerë të cilët dëshirojnë të informohen për këtë vendbanim në veçanti dhe Anën e Malit në përgjithësi. Nuk ka dilemë se ky libër do të zgjojë kureshtjen edhe të ata të cilët janë me origjinë nga Bojku, ndërsa tash jetojnë në vende të ndryshme.Në këtë aspekt mendoj  se ka të bëj në veçanti me ata qytetarë të cilët tash janë në diasporë. Për këtë  kategori, ky botim do të jetë një lloj letër njoftimi, dhe dëshmi e origjinës dhe identitetit të tyre, sepse ofron të dhëna me interes për të kaluarën dhe të tashmën e Bojkut.

Autori ka qenë i vetdijshëm se vetëm ajo çka është e shkruar do të mbesë, bëri ate që është dashur të bëhët me bindje  të plotë, se ate qe mund ta bëjmë sot duhet bërë sa më parë sepse brezat që do të vijnë nuk do të na falin dot. Sepse sa ngjarje kanë ndodhur më parë, por nuk janë shënuar, çka paraqet një humbje të madhe për të gjithë ne, sepse  ka ndodhur vetëm ajo që është shkruar.

Përfundimisht, autori i librit ka kryer një mision të rëndësishëm sa personal poaq edhe moral, duke i dhuruar vendlindjes dhe bashëvandasve të tij një botim i cili pasqyron të kaluarën dhe të tashmën, por do të përdorët në të ardhmën si referencë e domosdoshme për Anën e Malit e Ulqinin në përgjithësi.

In memoriam

Shaqir Ismajli(1937-2021)

Me 13 prill në Sarajevë në moshën 84 vjeçare  vdiq Shaqir Ismajli, klerik islam dhe autor i disa artikujve, përkthimeve dhe  botimeve të veçanta. Ka lindur në Bojk të Anës së Malit(Ulqin) më 27 prill 1937. Shkollën fillore tetëvjeçare e ka kryer në Katërkollë, medresën e ulët “Alaudin” në Prishtinë në vitin 1959.Në mungesë të punësimit në Anë të Malit, si imam filloi të punoj në Bukovicë, komuna e Plevlës(1960-67). Duke ushtruar profesionin e imamit u regjistrua në medresën “Gazi Husrevbeg” në Sarajevë, të cilën e kreu në vitin 1968. Nga viti 1967-1980, punoj si referent fetar në Bijello Pole. Nga ai qytet u regjistrua me korrespondencë në SHLP”Bajram Curri” në Gjakovë, dega Histori-Gjeografi, ku diplomoj në vitin 1978. Prej vitit 1980-2004, ka ushtru detyrën e kryeimamit në Podgoricë, ndërsa nga viti 2006, është vendosur me banim në Sarajevë, ku edhe ka vdekur me 13 prill 2021.

Shaqir Ismajli, përveç angazhimit profesional si klerik islam,  në gazeta e revista të ndryshme është paraqitur me shkrime, artikuj, përkthime e botime, duke dëshmuar pasionin për librin dhe trashëgimin kulturore.

Duke jetuar e punuar jashtë vendlindjës ai nuk ka qenë statik por ka mbledhur material më vlerë  për vendlindjen e tij Bojkun dhe Anën e Malit  duke qenë model për të tjerët. Kam qenë i nderuar   në redaktimin, botimin dhe organizimin e  përurimit të   librit “Bojku në Anë të Malit”, Art Club, Ulqin, 2011, në “Lamiga” me 17 mars 2012. Ishte ky një përurim i veçantë emocional për autorin e librit dhe të gjithë të pranishmit. Me rastin e vdekjës së autorit, në nderim të tij, po botoj recensionin e lexuar me rastin e përurimit të librit(17.3.2012).

Filed Under: Analiza Tagged With: Monografi, Nail Draga, Shaqir Ismaili

Nëpër gjurmët e trashëgimisë patriotike

August 31, 2016 by dgreca

NGA IBRAHIM VASIARI/*

Monografia ‘’Arshi Selfo Dalani – një vatër kombëtare në Kaninë’’, përveç kureshtjes së zakonshme, të tërheq vëmendjen edhe për faktin se objekti i trajtesës jo rastësisht ka hyrë në fokusin hulumtues të Prof dr Bardhosh Gaçes, autor me përvojë për studime në këtë fushë.

Duke qëmtuar nëpër kohëra episode ngjarjesh, figura dhe kontribute patriotike, në dukje anësore e me pak ‘’peshë’’, historia e kombit bëhet më e plotë, më e gjallë dhe e larmishme. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, autorit i jepet mundësia të hyjë më thellë në mikrohapësira periudhash duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etno-kulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte ‘’topografia rurale’’, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.

Prof Bardhosh Gaçe është një personalitet shumëplanësh, kontributi i të cilit shtrihet në shumë fusha të dijes dhe kulturës, të studimeve historike, pedagogjike, etnografike, folklorike, estetike si dhe në krijimtari të mirëfilltë letrare, i njohur nga opinioni shkencor e më gjerë për vepra dinjitoze.

I mirëpritur në mbarë trevat shqiptare jo vetëm si autor, por edhe si veprimtar e misionar i trashëgimisë kulturore kombëtare, ai ka vite që është nisur me një çantë librash në krah, ‘’udhëton’’ pa u lodhur në hapësirë dhe kohë, shtegton nëpër troje dhe epoka. Hera-herës qëndron e çlodhet pranë ndonjë burimi, i mrekulluar nga bukuria e viseve dhe bujaria e njerëzve që takon, shpalos me kujdes një ‘’hartë udhërrëfyese’’ paksa të çuditshme dhe nis sërish ‘’udhëtimin’’ për diku më tej, diku më larg e më thellë… hyn qetë-qetë me hap të përkorë në botën e magjishme të përrallave, në misteret e riteve e gojëdhënave, duke thithur e mjaltëzuar nektarin e pyjeve të fjetur, gjurmon çerdhe bilbilash të polifonisë labe, ndien nëpër fëshfërima gjethesh valëzimin e fustanellës arbërore. Dhe gjithçka e mbedh me një dashuri të veçantë, me përpikmëri e seriozitet shkencor, duke u përcjellë brezave ‘’sekretin’’ e mbijetesës dhe ngrohtësinë e vatrës stërghyshore.

Si gjithnjë i suksesshëm, i nderuar me tituj e çmime, prof Gaçe vijon pa ndërprerë punën e tij kërkimore me një klas të lartë profesionalizmi: i thellë në mendime, i mprehtë në gjykim e i ftohtë në analizë, skrupuloz ndaj vërtetësisë arkivore, përzgjedhës inteligjent i tematikave të veçanta, më pak të rrahura, por që meritojnë të dalin në dritë për vlerat që mbartin.

Në studimet dhe monografitë e tij gjejmë një varg figurash të respektuara kryesisht të trevës së Vlorës e Labërisë, si: Osman Haxhiu, Ibrahim Shyti, Ibrahim Abdullai, Beqir Velo Kanina, Spiro Koleka, xha Selimi i Brate etj. I zhytur deri në thellësi të turbullta kohësh ku, si në guaska koralesh, flenë perla vlerash historiko-kulturore, prof Gaçe, falë këmbënguljes dhe pasionit kërkimor shkencor, ka arritur t’i nxjerrë ato në dritë duke e bërë çdo ditë e më të plotë diademën rrëzëllitëse të thesarit tonë kombëtar.

Objekti i studimit të tij këtë herë është një tjetër figurë e respektuar e parisë tradicionale kaninjote: Arshi Selfo Dalani dhe vatra e ndezur e Dalanajve, e këtij fisi rrënjëthellë, të njohur në histori e të përjetësuar në këngë që, ashtu siç del qartë nga dokumente autentike arkivore, nga kujtime e dëshmi luftëtarësh bashkëkohës mbetet një buronjë ujëkthjellët patriotizmi me rrjedhë të pandërprerë nga brezi në brez, plot mund, gjak e sakrifica në shërbim të çështjes shqiptare.

Dalanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Dhe historikisht Kanina shquhet për elita të tilla. Ata që janë marrë me studime shqiptare, vendas ose të huaj, duke gërmuar dokumente jo vetëm në arkivat tona të varfra, por kryesisht në to të Romës, Bizantit, Stambollit, Vjenës e gjetkë, nuk e fshehin respektin që të imponon Kanina, ky kryefshat impresionues me emër ‘’të rëndë’’, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare.

Në këtë kuadër të përgjithshëm dhe brenda kohështrirjes së vet, merr dimensionin real personaliteti i spikatur i Arshi Selfo Dalanit, objekt i kësaj monografie të prof Gaçes.

Duke e hedhur vështrimin disa breza më parë në zbulim të rrënjëve të tij patriotike, autori shkon deri tek Seit Dalan Kanina, lindur rreth vitit 1776, i cili përmendet për ‘’marrëdhënie të ngushta me Ismail bej Vlorën, gjyshin e Ismail Qemalit, pranë të cilit kishte shërbyer disa vite në Bursë të Turqisë. Por edhe me Brahim Pashë Begollin nga Kosova, i cili ishte vënë në shërbim të mbretit të Egjiptit’’. Në vazhdim autori përmend se ‘’në vjeshtën e vitit 1821, në ndihmë të suliotëve në betejat kundër hordhive otomane shkuan edhe 2000 lebër, të komanduar nga Tahir Abazi e Ago Vasjari, ku midis krerëve ishin edhe Dudë Sinani (Gumenicë), Seit Dalani (Kaninë), Selim Zeneli (Shkozë) dhe Spiro Leka (Dhërmi)… në këto luftime të përgjakshme u plagosën Dudë Sinani, Seit Kanina, Selam Hasan Velça, Hamza Delvina, Kiço Qeparoi si dhe u vranë 42 luftëtarë’’. Po kështu, Seit Dalani: ‘’në vitin 1828 ishte ndër ndërlidhësit kryesorë të Ismail Pashë Vlorës me parësinë e krahinave të Skraparit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Vlorës, Delvinës dhe Himarës për realizimin e një varg kërkesash kundër Mehmet Reshid Pashës si sanxhakbej i Janinës, për t’u rikthyer përsëri krerët vendas në administratën e kësaj treve’’

Dhe tradita patriotike kalon nga brezi në brez, nga babai tek i biri: ‘’Në luftërat e shqiptarëve për të shkëputur vargonjtë e robërisë otomane në shek XIX del në skenë i biri i Seit Dalanit, Dalan Seiti, i cili mori pjesë në disa takime e kuvende me kapedanët e tjerë të Jugut për organizimin e qëndresës antiturke’’.

Dalan Seiti shquhet për trimëri në kryengritjet e viteve 1833-1834 si dhe në vitin 1846 kundër reformave të Tanzimatit, në luftimet e përgjakshme për marrjen e kalasë së Beratit. Për të flasin mjaft dokumente arkivore, po edhe më bukur vargjet e disa këngëve popullore të kohës së tij. Disa vite më vonë, ‘’gjatë kohës që punoi në administratën e Janinës, Dalan Seiti pati një miqësi të ngushtë edhe me rilindësin e madh Abdyl Frashëri, i cili aso kohe punonte edhe ai në administratën e atij vilajetti dhe më pas u zgjodh deputet i Janinës në parlamentin otoman’’.

Traditën patriotike të fisit e vazhdoi i biri i Dalan Seitit, Selfo Dalani dhe më tej djali i Selfos, objekti i kësaj monografie, Arshi Selfo Dalani. Të duket sikur ke të bësh me një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë brezash.

Për jetën dhe aktivitetin e ngjeshur patriotik të Arshi Selfo Dalanit flasin shumë faqe të këtij libri. Ai jetoi dhe punoi në periudhën e përpjekjeve heroike për shpalljen dhe mbrojtjen me gjak të shtetit të parë shqiptar pas një robërie të gjatë otomane. E nisi qysh  herët në rini, qysh nga kontaktet e para me idetë e Rilindjes deri tek përhapja në ilegalitet e librave shqip dhe propagandimi i çështjes kombëtare; e vazhdoi më tej me klubet patriotike, me përkrahjen e çetave të para të lirisë e deri tek mbështetja e plotë e aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë.

Hapat e parë të shtetit të ri ishin të vështirë, kohët të turbullta dhe armiqtë kombëtarë të shumtë. Po këto më mirë se kushdo i trajton në mënyrë shkencore autori i librit. Këto kohë dhe situata kritike që kaloi atdheu, ashtu si të gjithë, e ndoqën Arshi Selfon deri në pleqëri. Gjithsesi, ai dhe djemtë e tij qëndruan gjithnjë pranë atdheut, gjithnjë në krahun progresist. I përkiste atij brezi të papërsëritshëm idealistësh rilindas që mbi gjithçka vinin atdheun, ishin bashkëkohës, miq besnikë e idhtarë të palëkundur të Ismail bej Vlorës. Fati e deshte që djali i tij i vogël, Dadan Dalani, dëshmor i Brigadës V S të ishte kurbani i fundit që i dha atdheut, para se të mbyllej në një pleqëri të rëndë e me halle të reja.

Duke hedhur dritë mbi figurën e Arshi Selfo Dalanit qysh prej rrënjëve të thella e deri tek filizat e rinj gjelbërues, prof Gaçe rigjen e vendos në vendin e duhur edhe një pemë tjetër në kopshtin e bukur të patriotizmit vlonjat.E përgëzoj autorin për këtë monografi të arrirë në të gjitha pikëpamjet dhe i uroj suksese të mëtejshme në punime të tilla dinjitoze.

 

*Shënime për librin e Prof B. Gaçes ‘’Arshi Selfo Dajlani – një vatër kombëtare në Kaninë’’ 

Filed Under: Histori Tagged With: Bardhosh Gace, Ibrahim Vasiari, Monografi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT