• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË “FJONGO” E MIQËSISË SHQIPTARE-SUEDEZE

April 28, 2013 by dgreca

Nga: Bahtir Latifi/

1.

Në qytetin e Boråsit, në Suedi, jetojnë afër 2.500 bashkatdhetarë, nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe vende tjera të banuara me shqiptarë. Ardhja e tyre filloi qysh herët, para 20-30 vjetësh dhe vijon deri në ditët e sotme. Që nga ajo kohë, bashkatdhetarët tanë nuk u ndalen asnjëherë për t’i sherbyer Atdheut të vet, në mënyra të ndryshme. Ata  dëshmuan shumë herë, që nga ardhja e tyre e deri tani, se si ata punojnë për vendlindjen e tyre dhe ndihmojnë në çështjen kombëtare shqiptare. Kjo tregon, se sa janë të dashur për vendin, ku lindën dhe u rritën ata vetë, që nga ajo kohë dhe më pas, për t`u larguar drejt mërgimit, por pa dashjen e tyre.  Mërgimtarët nuk e harruan vendin e tyre dhe nuk do ta harrojnë kurrë. Këtë gjë ata e dëshmuan  me punën e tyre të përditëshme, me veprimtari arsimore e  kulturore etj., duke mos harruar asnjëherë nga kanë ardhur, ku e kane vendin, udhën, kulturën, si dhe traditën shqiptare . Pra, u bënë pjesë e historisë së vendlindjes, me ndihmesën e dhënë, në forma të ndryshme.

Edhe bashkatdhetarët e qytetit Boras, në Suedi, e bëjnë një gjë të tillë, duke ndihmuar për vendin e tyre, pa  kursyer asgjë. Që nga viti 2007 e deri sot, shqiptarët në këtë qytet u bënë më me zë, se kurrë. Ata hapën Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Në kuadër të saj, filloi një revistë, e quajtur ”Dituria”, me tematikë për fëmijët e të rinjët, si dhe për prindërit shqiptarë në mërgatë. Revista del një herë në muaj dhe shpërndahet falas për bashkatdhetarët tanë. Ajo shkon nëpër qytetet e  Suedisë, ku jetojnë shqiptarë, si dhe në disa vende të Europës e Botës, si në Kosovë e Shqipëri.

2.

Një vit më vonë, pra më 2008, filloi nga puna edhe Radio”Dituria”, po ashtu nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Pikrisht në 5-vjetorin e QKSH ”Migjeni” e revistës “Dituria“, që u mbajt një vit më herët, u tubuan në Boras shumë bashkatdhetarë, autorë librash, personalitete të ndryshme të arsimit, kulturës e letersisë, si nga Suedia, Kosova e Shqipëria etj. Ndër mysafirët e ftuar për këtë ngjarje, ishte  dhe një grup miqësh nga Tirana: prof.Murat Gecaj, shkrimtari Viron Kona, publicistja Kozeta Hoxha dhe arsimtarja Kadrije Gurmani.

Gjatë kësaj vizite, ata qëndruan katër ditë në qytetin Boras, ku u mahniten me gjithçka, që panë dhe përjetuan për atë kohë, duke vizituar për herë të parë vende të ndryshme, në takime me miq suedezë e shqiptarë etj. Kontaktet me njëri-tjetrin, më parë, ishin për ndonjërin vetëm përmes Internetit dhe jo fizikisht, sikurse kësaj radhe.

Nga kjo vizitë mbresëlënëse, tashmë në librin e ri, “Me zemër në vendlindje”, me autor prof.Murat Gecaj, mund të lexosh krejt çfarë ai dhe kolegët kishin parë e përjetuar. Ishte hera e parë, që ai e vizonte një nga shtetet skandinave, siç ishte  Suedia.  Në librin e tij, dokumenton se qenë takime të bukura e të paharruara, të këndëshme, me miq e shokë. Nga vizitat e ndryshme, nguliti në kokë krejt, çka ai kishte parë e përjetuar .

Kështu, nga kjo, prof.Murati dëshironte që të gjitha përshtypjet, që mori nga Suedia, t’i publikonte në një libër. Këto i bëri ai  për ta kujtuar atë kohë të paharruar , për t`u treguar edhe të tjerëve, për mes librit “Me zemër në vendlindje“, si dhe për t’i falënderuar miqtë suedezë e ata shqiptarë për pritjen, që ata u bënë mysafirëve nga Shqipëria, me rastin e 5-vjetorit të QKSH “Migjeni” dhe revistës “Dituria”, në Boras.

Libri flet, pra, shumë rreth vizitës në Suedi, për takime me njerëz të ndryshem dhe mosha e profesione të larmishme, me miq e kolegë të dashur. Më tej, vazhdon të tregojë autori në këtë libër, për  vizitat e mëherëshme, nga miqët suedezë e shqiptarë, në Durrës e Tiranë, komunikimet me bashkatdhetarë, biseda te ngrohta e letra përshëndetëse, falendërime, si dhe fotografi nga më të ndryshmet  e shumëçka tjetër.

Në festimet e 5- vjetorit të radios ”Dituria”, në Boras, që u  mbajt më 30 mars 2013,  ishin musafirë nga Tirana, por kesaj radhe jo edhe prof.Murat Gecaj. Ndërsa këtë  herë ai solli dhuratë librin e tij më të ri,  “Me zemër në vendlindje”, përmes Viron Konës e Petrit Xhajës, të cilët ishin pjesë e manifestimit tonë kulturor.

Në mesin e disa librave, që u përuruan nga Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesëve  Shqiptarë, në Suedi, me kryetar Hysen Ibrahimin dhe anëtarë të tjerë të kësaj Shoqate, që ishin aty mysafirë,   u bë edhe përurimi i këtij libri, për të cilin folëm, shkurtimisht, edhe më lart.

Ne e falenderojmë nga zemra prof .Murat Gecaj për librin, që ua kushton bashkatdhetarëve shqiptarë në Suedi, si dhe miqëve sedezë. Urojmë që ai të ketë jetë të gjatë dhe suksese të njëpasnjëshme.

Faleminderit, prof.Murat Gecaj !

2.

Në përurimin e këtij libri foli shkrimtari i njohur, Viron Kona. Më  poshtë po  japim edhe fjalën e tij, për librin e prof.Gecaj, të mbajtur në Boras, në ditën e 5 –vjetorit të radios “Dituria”:

“Duke qenë i ftuar nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë , në festimet e 5-vjetorit të krijimit të revistës ”Dituria” dhe 4-vjetorit të Radios ”Dituria”, në prill të vitit të kaluar, prof.Murat Gecaj është nxitur të shprehet ndjeshëm , me respekt dhe me shumë dashuri , për ato festime dhe për aurelën, që i ka shoqëruar ato, në Shqipëri dhe në Suedi .Këtë gjë, ai  e ka realizuar bukur, përmes faqeve të librit më të ri të tij, ”Me zemër në vendëlindje ”(Shenime nga Suedia), i cili u publikua para ditëve në Tiranë.

Kur i lexon , varg njëri pas tjetrit, shkrimet e librit të krijojnë përshtypjen e një buqete me lule të shumëllojshme e të freskëta, të lidhura me ”fjongon” e miqësisë shqiptare-suedeze, por dhe mikpritësve suedezë, të cilët iu gjendën pranë vëllezërve tanë nga Kosova , në ditët e tyre më të vështira , kur mbi ta veproi me egërsinë më  më të madhe, gjenocidi serb.

Në shkrimet e këtij libri, pasqyrohen dhe vlerësohen dukuri , episode, dhe ngjarje , veprimtari miqësore shqiptare-suedeze dhe ndjenja atdhedashurie, për vendlindjen Kosovë dhe Shqipërin. Por shprehen edhe meditime rreth asaj, çfarë prof.Gecaj ka përjetuar e ka ndjerë , në ato ditë të qëndrimit dhe të vizitave në Boras e Goteborg të Suedisë mike.Gjithçka është parë dhe shkruar nga këndëvështrimi i një publicisti të sprovuar .Me penën e artë të tij, autori gjen rastin të shprehet bindshëm, argumentues dhe bukur për Suedinë e zhvilluar dhe të përparuar. Njëherazi, shkruan me një gjuhë zemre të ngrohtë edhe për ato vlera thellësisht njerëzore, që e shquajnë popullin suedez.

Cilido lexues i vëmendshëm vëren se ngjarjet, episodet , shënimet , përshtypjet , skicat, reportazhet e bisedat dhe e tërë ngrehina publicistike e paraqitur mjeshtërisht në faqet e librit, ka një bosht, rrezaton një subjekt: Jetën e suedezëve dhe të shqiptarëve , me banim në Suedi; jetën aktuale, mardhëniet e natyrshme dhe tepër njerëzore e miqësore, të krijuara ndërmjet tyre, për një ardhmëri të sigurt; për fëmijët, familjet dhe vazhdimësinë e jetës. Përmes gjinive të ndryshme publicistike, libri pikëzon dhe veçon episode dhe ngjarje, portretizon tipa dhe karaktere njerëzish, shqiptarë dhe suedezë, të moshave dhe profesioneve të ndryshme; vë  në dukje e vlerëson dhe gjithçka e bën në mënyrë tepër shprehës, figurative dhe emocionuese.

Libri  nisë me lajmin e udhëtimit për në Suedi, nëpërmjet ftesës së veçant të Qendër Kulturore Shqiptare ”Migjeni” në Boras;me udhëtimin ajror drejt Veriut të Europës , në vendin e dikurshëm të vikingëve, kurse sot të suedezëve të zhvilluar, të përparuar dhe shpirtmirë, me botë të pasur njerëzore.Vijon libri me shkrime për brendinë e festimeve të 5-vjetorit të revistës”Dituria” dhe 4-vjetorit të radios ”Dituria ”. Por gjejmë në libër edhe vazhdimësinë e lidhjeve të autorit me kolegë e miq të tij në Suedi , si me anë të Internetit, por dhe nga takimet me ta, në qytetin e Durrësit dhe në Tiranë.

Nëpër faqet e librit kalojnë emra njerëzish, të moshave e profesioneve të  ndryshme, shqiptarë e suedezë , fëmijë , nxënës shkollash ,mësues e mërgimtarë të thjeshtë, personalitet të artit e kulturës, miq dhe dashamirës të Shqipërisë e Kosovës; autoritete vendëse, gazetarë, shkrimtarë, artistë, studiues …Emrat e tyre bëhen të njohur nga autori, me respekt e dashuri; ata portretizohen dhe paraqiten bukur, me të veçantat e tyre, me vlerat dhe me mesazhet që përcjellin, nëpërmjet tregimeve, ndodhive, bashkëbisedave të ngrohta e të sinqerta. Nga njëra faqe në tjetrë , lexuesi miqësohet me t , si me njerëz, që ka mall e dëshirë t`i takojë e t`i njohë më nga afër.

E bën tërheqës librin, fakti se ai është shkruar me një gjuhë të pastër letrare e drejtshkrimore, me larmi, ngjyrime e nuanca emocionale, me stil tërheqës dhe origjinal. Gjithashtu, e bën edhe më të plotë librin, pajisja me fotografi njerëzish, vendesh, peisazhesh dhe pamjesh, nga vizitat në Suedinë e bukur, si dhe nga takimet vazhduese, në Durrës e Tiranë.

Do të jetë vetë lexuesi, ai që do ta bëjë vlerësimin e librit ”Me zemër në vendlindje “(shenime nga Suedia), me autor prof. Murat Gecaj. Por, me këtë rast, e urojmë dhe e përgëzojmë atë, për këtë botim të bukur, mbresëlënës e domethënës!”

Boras, prill 2013

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: bahtir Latifi, me zemer ne vendlindje, Murat Gecaj

“NENA NAILE”- BANJAT NË KLLOKOT TË KOSOVES…

April 24, 2013 by dgreca

Nga Prof.Murat Gecaj

1.

Kur më ra në dorë fletëpalosja, në formë reviste, me  pamje nga Qendra për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim ose Banjat në Kllokot, me emrin e bukur  “Nëna Naile”, mendja më shkoi në disa vite më parë. Më mirë të shprehem, se e kam fjalën për vitet e fundit të shek.XX…

Si shumë njerëz të tjerë, si shkak i ndikimit të kushteve jo të mira gjatë rritjes, pra që në fëmijëri, ndieja dhimbje në shtyllën kurrizore, sidomos në mes të vertebrave 4 e 5. Ndoshta, ajo u bë shkak edhe që  më pas të vuaja e të kurohesha, sipas diagnozës mjekësore, “Dystonia neurovegetative lumbargo”. Për këtë arsye, që të gjeja ndonjë mundësi përmirësimi, rasti e solli që u njoha me vlerat kurative të banjave ose llixhave, siç i quajnë zakonisht, në Leskovik të rrethit të Kolonjës. Dihet se, banja të tilla termale, me shumë vlera mjekuese, ka edhe në vende të tjera të Shqipërisë, ndër të cilat njihen ato në Elbasan e Peshkopi, por edhe në Bilaj të Krujës.

Pa u zgjatur, rikujtoj këtu që shkova në Llixhat e Leskovikut  dy vjet radhazi e, pas një ndërprerjeje, edhe tri vjet të tjera, kryesisht gjatë stinës së verës, kur e merrja lejën vjetore nga puna. Në atë kohë, u “dashurova” me këto banja dhe, bile, kam shkruar disa herë në shtyp për vlerat e gjithanshme kurative të tyre. Përveç banjave në vaska, aty uji edhe pihej, megjithëse kishte një erë pak “të vështirë”. Po kështu, persona të veçantë e përdornin baltoterapinë etj.

Ishte kërshëri, kur mësova se për ato banja ishte bërë “sherr” edhe gjatë vendosjes së kufirit me shtetin fqinj jugor, më 1913, pra donin t’i kishin ato brenda vendit të tyre. Interesimi për këto banja qe i madh, deri sa pyesnin për to, nëse funksiononin ose jo edhe emigrantë nga SHBA etj. Sigurisht, secili ka përvojat e tij jetësore, por mund të pohoj se, në 5 herë, nga dy javë, që shkova në ato llixha, pata përmirësime të ndjeshme, si në dhimbjet e shtyllës kurrizore, po kështu në mbajtjen e gjendjes së pandryshuar, të ulçerës në duoden.

Tani e them me keqardhje se, siç më kanë informuar të njohur të mi nga ajo zonë jugore, Llixhat e Leskovikut nuk funksionojnë më?! Nuk kam dijeni të sakta për “arsyet”, por sigurisht kjo gjë është një humbje e madhe për shëndetin e njerëzve tanë, të cilët aty mund të gjenin përmirësim, në mjaft sëmundje të tyre.

2.

Por jo kudo ka një nënvlerësim të tillë për qendrat termale, si në Shqipëri, por dhe në Kosovë. Ja, siç e shënova në fillim të këtyre radhëve, ndjeva kënaqësi, kur u njoha me punën e përkushtuar dhe të organizuar në Banjat e Kllokotit, “Nëna Naile”, me president z.Sabri Maxhuni-Novosella.(Emrin e morën ato, në kujtim të nënës së nderuar të tij).

Që në kopertinat e këtij botimi, njihemi me mjedisin shumë të mirë të këtyre banjave, ku ndodhen ndërtesa të bukura disakatshe, me pajisje mjaft të përshtatshme, si dhe me mjedisin e gjelbëruar dhe tërheqës për njerëzit, që vendosin t’i kalojnë aty disa ditë dhe kështu  të kurohen e ta përmirësojnë gjendjen shëndetësore. Ja, se si informohet lexuesi i interesuar, për këtë vend të rrallë: “Rreth 50 km në jug-lindje të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, me pamje të mrekullueshme, në drejtim të maleve të Sharrit dhe në lartësi mbidetare, prej 400 metrash, shtrihet një nga dukuritë ose margaritarët e natyrës kosovare, me emrin Kllokot…”.

Në vazhdimësi, në këtë botim, marrim informimet e duhura, se si funksionon jeta në këtë qytezë dhe cilat janë shërbimet, që kryhen aty dhe vlerat, që përfitohen prej tyre, nga njerëzit e interesuar. Ai vend, mendohet se është vlerësuar për dobitë e tij shëruese, që në periudhën ilire. Ndërsa, si qendër e organizuar, ka nisur të funksionojë që nga 1 maji i vitit 2007, pra tash 6 vjet radhazi. Ajo është e pasur me ujë të pashtërrshëm termomineral, në temperaturat natyrore, 32-36 gradë Celsius dhe e pajisur me teknikë moderne, mjekësore e rekreative. Puna aty vazhdon, pandërprerje, pra si në kohë me të ftoftë ose të nxehtë. Prandaj edhe në këtë broshurë lexojmë: “Te ne do të gjeni ngrohtësi, në katër stinët e vitit”.

Jeta në këtë qytezë funksionon në katër objekte, secili me disa dhoma moderne e të pajisura me çdo gjë të nevojshme, me kuzhinë e bar-restorant, vaska e pishina mjekuese me ujë termal, mjedise për veprimtari të ndryshme dhe mjedise të gjelbëruara jashtë. Po kështu, në shërbim të pacientëve janë salla te posaçme, me pajisje moderne për ushtrimet e terapive fizike etj. Gatimet e ushqimeve për ata bëhen në mënyrë cilësore, bio-ekologjike.

Në shërbim të personave, që shkojnë në këtë Qendër për kurim, është një grup i përsosur mjekësor, i cili mbikqyret nga Dr.Enver Haxhiu dhe organizohet nga Dr.Nerimane Abazi. Aty janë tërhequr për shërbim specialistët më të njohur të fiziatrisë në Kosovë, pra mjekë, infermierë, teknikë etj.

3.

Sigurisht, lexuesi është i interesuar të dijë, se për çfarë mund të shkojë për t’i kaluar disa ditë, në QMFR “Nëna Naile”, pra në Banjat e Kllokotit. Ashtu siç shënohet në botimin, që përmendëm më lart, duke bërë banjë, duke e pirë ujin mineral dhe duke e përdorur baltën, aty përmirësohen pacientët me sëmundje: reumatike, artikulare dhe ekstra  artikulare, degjenarative, inflamatore e metabolike. Gjithashtu,  ndikim i mirë dhe përmirësim vërehet në sëmundjet neurologjike të sistemit nervor dhe në gjendjet post-tarumatike, në sëmundjet kardiovaskulare, të traktit digjestiv e të sistemit urinar, në sëmundjet e lëkurës dhe ato gjinekologjike.

Përveç tarapive natyrore, në QMFR të Kllokotit praktikohen edhe terapitë më të ndërlikuara shëruese dhe rehabilituese, si: Elektroterapia, kineziterapia, balneoterapia, hidroterapia, parafinoterapia, termoterapia, magnetoterapia, terapia me laser, mehanoterapia, sonoterapia dhe fototerapia. Gjithashtu, praktikohen edhe terapi të tjera, si: turmalinë, spektër frekuencash dhe masazhe.

Në përgjithësi, në këto banja pacientët, jo vetëm që përmirësohen në mjaft sëmundje, por edhe u shtohet qëndresa e organizimit ndaj tyre. Për këtë gjë, janë dëshmitarë qindra persona, që kanë kaluar disa ditë aty, gjatë këtyre viteve, që nga nisja e veprimtarisë së QMFR “Nëna Naile”, në Kllokot të Kosovës.  Për arsyet e mësipërme dhe të tjera, që nuk mund t’i shënojmë këtu të gjitha, e përgëzojmë kolektivin e saj, për punën e përkushtuar dhe profesionale, që ka bërë dhe bën, në shërbim të njerëzve me shqetësime shëndetësore! Jemi të bindur se, bazuar edhe në përvojën e fituar deri tani, në vijimësi, pacientët do të gjejnë aty një shërbim gjithnjë e më cilësor dhe më të kualifikuar.

Tiranë, më 24 prill 2013

Filed Under: Reportazh Tagged With: Banjat ne Kllokot, Kosove, Murat Gecaj

TRI EKSPOZITA PIKTURE, NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR…

April 24, 2013 by dgreca

Nga Murat Gecaj

NE FOTO:Pjesmarres ne ekspoziten e Abaz Hados/

1.

Në Muzun Historik Kombëtar të Tiranës, herë pas here, organizohen veprimtari mbresëlënëse. Aty përurohen libra të rinj të gjinive të ndryshme dhe nderohen njerëz të njohur, në përvjetorë të tyre, por dhe çelen përkohësisht ekspozita të arteve figurative etj. Vërehët se, bashkë me ardhjen e pranverës, aty janë shtuar veprimtari të tilla të bukura, të cilat ndiqen me interes nga banorët e kryeqytetit.

Dje, për shembull, aty u çel ekspozita me pamje nga Shqipëria dhe Greqia, e piktorit të lirë, Bujar Babis Abazi. Vëmëndjen e të pranishmëve e tërhoqën 38 punime të tij, në vaj. Ato dallohen për tematikën e larmishme dhe shprehëse, për ngjyrat e ndezura e tërheqëse. Të tilla mund të përmendim: “Tirana”, “Natyrë e qetë”, “Motiv shqiptar”, “Limani”, “Bregdet shqiptar”, “Akropoli” etj.

Ky piktor i njohur na tregon se, megjithëse i larguar afër dy dhjetëvjeçarë nga Shqipëria, në qendër të krijimve të tij i ka edhe motivet nga Shqipëria. Ndër to, janë pamje të qyteteve e krahinave të ndryshme, të natyrës sonë të bukur dhe  personazheve të veçantë.  Kënaqësinë e shikuesve të pikturave të Bujarit, e kanë përjetuar edhe shikuesit e shumtë të ekspozitave, që ai ka çelur, që nga viti 1991 e në vazhdim, në Tiranë, por dhe në Greqi, Itali e deri në Nju Jork. Duke biseduar me një koleg të këtij piktori, Vangjel Taton, ky shprehet: “Pikturat e Bujarit dallohen për ndjenjat e holla, të shprehura me penelin e tij,  përmes ngjyrave të bukura  e shprehëse dhe shijeve suprizuese estetike etj.”.

2.

Sot në mesditë, në hollin kryesor të Muzut Historik Kombëtar pati gjallëri të veçantë. Vizitorë të shumtë kishin ardhur për të marrë pjesë në përurimin e eskpozitës se piktorit mjaft të njohur dhe tani zv.ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Abaz Hado. Ajo titullohej “Çamëria Jonë” dhe përmbante 30 punime të përmasave të mëdha, me grafika e piktura. Këto përshkohen nga frymëzimet dhe ndjesitë e këtij artisti, për vendin e bukur e të bekuar, Çamërinë, nga e ka edhe originën.

Ashtu siç e vlerësojnë specialistët e kësaj gjinie të artit, kjo ekspozitë është me krijime të kohëve të fundit të autorit dhe e para e këtij lloji, jo vetëm për përmbajtjen e saj, por edhe për shprehjet origjinale të një grafike dinamike, me teknika, që u japin atyre frymë e konceptim modern.

Të pranishëm ishin piktorë e skulptorë, miq e kolegë të këtij autori, punonjës të arteve, kulturës, arsimit e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Pjesëmarrësit i përshëndeti dhe i falënderoi vetë piktori, A.Hado. Pastaj folën Adri Nurellari; zv.ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ardian Tana; përfaqësues nga Shoqata “Çamëria” etj.

Duke u ndalur në veçoritë dalluese të kësaj ekspozite, përveç vlerave të larta artistike, ata theksuan edhe mesazhin, që ajo përcjell te shikuesit tanë. Pra, nënvizohet me force se historia e Çamërisë  është pjesë e pandarë e të kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes së popullit shqiptar.

Në mbyllje, piktori A.Hado i falënderoi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit, të cilët i ftoi në koktejin e shtruar, me këtë rast. Së bashku, përveç bisedave të ngrohta e mmiqëssore, ata bënë mjaft fotografi, që  kanë kujtim nga kjo veprimtari mbresëlënëse.

Kjo ekspozitë pikture, me tematikë nga Çamëria jonë, do të çelet edhe në qytetet Fier, Durrës, Berat, Vlorë, Sarandë etj.

3.

Gjatë ditës se sotme, vëmendjen e vizitorëve në këtë Muze e tërhoqi edhe një afishe, ku njoftohej për çeljen, në mbrëmje, të një eskpozite me punime të disa famijëve, pra me vizatime e piktura të tyre. Për këtë ngjarje të bukur më foli edhe Pandeli Koçi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve  dhe Artistëve për Fëmijë e të Rinj.

Për kënaqësinë e  këtyre artistëve të vegjël të penelit, të prindërve, por dhe të mësuesve të tyre, këtu poshtë po i shënojmë të gjithë emrat e tyre:

Al’bert Buraj, Ana Lekloti, Amelia Gjika, Denis Kolgegaj, Ditio Varkova, Era Selimaj, Ema Çiçolli, Elena Basho, Ergi Isaraj, Emili Nushi, Ester Zotka, Ilia Basho, Iris Boshnjaku, Jona Selimaj, Kaltra Mezini, Kevin Kolgegaj, Kristiana Sterio, Kleist Sulaj, Laura Halku, Melina Zhupa, Martina, Petri Çiçolli, Viktoria Basha e Viola Hoxha.

Duke i shikuar me vemendje të gjitha punimet e thjeshta të kësaj akspozite, që mbante emërtimin  kuptimplotë, “Pranverë fëminore-2013”, menjëherë bie në sy tematika  fëminore e saj. Kshtu, ata kanë bërë objekt  të   vizatimeve dhe pikturave të tyre, pamje nga natyra jonë e bukur, lule të ndryshme, kafshë e shpendë etj.

Padyshim, kjo ekspozitë e famijëve tanë ndihmon në nxitjen e mëtejshme të talentit të tyre, në këtë fushë të artit, por edhe e bën më të këndshme jetën e banorëve të kryeqytetit. Prandaj i përgëzojmë dhe i urojmë ata nga zemra, për punimet e bukuara dhe shprehëse, që kanë paraqitur në këtë eskpozitë! Jemi të bindur që, duke ecur të sigurtë në këtë udhë të artit, nesër do të bëhen piktorë e skulptorë të njohur.

Tiranë, 24 prill 2013               

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, ne muzeun historik, Tirane, tri ekspozita

ADEM DEMAÇI PROMOVOHET NE TIRANE

April 11, 2013 by dgreca

Përurohet seria me 10 libra e Demacit në Akademinë e  Shkencave të Shqipërisë/

Nga: Prof. Murat Gecaj/

FOTO: Përshëndetet ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Visar Zhiti/

 Të martën në mesaditë, në sallën kryesore  “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, u organizua një tubim i bukur e mbresëlënës. Ishte festë e vërtetë për  përurimin e serisë me 10 libra, shkruar nga “gjeniu i qendresës shqiptare”, Adem Demaçi, siç e cilësoi në përshëndetjen e tij, ish- i burgosuri tjetër politik, Visar Zhiti, tanimë ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Ishin të pranishëm shkrimtarë e poetë, pedagogë e profesorë, studiues të fushave të ndryshme të arsimit, kulturës e shkencës, botues dhe nga media e shkruar e ajo elektronike etj.

Përshëndetet ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Visar Zhiti

Të ardhur posaçërisht për këtë veprimtari festive, të parët folën disa të ftuar nga Prishtina. I pari e mori fjalën prof.Shyqyri Galica, i cili tregoi se seria e 10 librave të Adem Demaçit është botuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ato do të dhurohen për lexuesit e trojeve amatare dhe në diasporën shqiptare.

Në fjalën e saj, veprimtarja e shquar Flora Brovina theksoi se këta libra përshkrohen tejembanë nga filozofia e qendresës dhe janë shkruar nga një hero i gjallë  i popullit tonë, i lirisë e demokracisë. Përmes tyre përjetohen vuajtjet, sakrificat dhe shpirti i vendosur liridashës i një autori, i cili është zë i fuqishëm i kohë sonë. Vërtet ai qendroi 28 vjet në burgjet e tmerrshme serbe, por asnjëherë nuk arritën t’ia burgosin fjalën as shpirtin e tij kryengritës e liridashës, me të cilat mundi ta shpartallojë errësirën. Adem Demaçi i dha emër secilit brez, në Kosovë, Shqipëri e trojet tjera shqiptare.

Në vazhdim, diskutoi prof. Burhan Çiraku, i cili u ndal në disa veçori të veprave letrare dhe të stilit krijues të këtij autori, të cilin e vlerësoi “kalendar i vërtetë i kohës”. Prof. Shefkije Islamaj u ndal posaçërisht në veçoritë gjuhësore e sintaksore  të veprave të Adem Demaçit. Ndër të tjera, nënvizoi se ato kanë një pasuri të çmuar të leksikut të shqipes letrare, me fjalëformime të reja dhe gjuhë të zgjedhur letrare etj.

Me interes u ndoqën edhe diskutimet e bëra nga:  prof.Meri Lalaj, Besim Ndregjoni, prof. Emil Lafe, veprimtarja e poetja Kozeta Zavalani; publicistët Albert Zholi, Kolec Traboini e Dhimitër Xhoga  dhe arsimtarja e poetja Zyba Hysa, e ardhur posaçërisht nga Vlora, në këtë përurim.

Gjatë kësaj veprimtarie përuruese, miq e kolegë të autorit recituan disa poezi të bukura dhe domethënëse të tij, sidomos nga libri “Tung, vargu im!” Këtu po shënojmë vetëm titujt tjerë, të kësaj serie me libra, nga Adem Demaçi, që janë: 7 romane, 1 libër me tregime, 1 libër me poezi e 1 dramë: “Fërkime”(tregime), “Gjarpinjtë e gjakut”(roman), “Libër për Vetë Mohimin”(roman), “Heli e Mimoza”(roman), “Nëna Shegë e pesë gocat”(roman), “Shkrumbnajë e dashuri”(roman), “Dashuria kuantike e Filanit”(roman), “Alb Prometeu”(roman) dhe “Politika e pushka”(dramë).

Në mbyllje të kësaj ceremonie të paharruar foli vetë Adem Demaçi, i cili i falënderoi nga zemra folësit e gjithë pjesëmarrësit. Gjithashtu, shprehu nderimin dhe respektin e tij për botuesit e librave të tij dhe për Ministritë e Kulturës e të Arsimit të Shqipërisë. Pastaj ai theksoi se: ”Jam bir dhe ushtar i vogël i popullit tim të madh…Ne kemi cilësi të jashtëzakonshme etë mrekullueshme dhe jam i bindur se, me punë e dituri dhe duke qenë të gjithë të bashkuar, do ta arrijmë e tejkalojmë Europën, ku synojmë të integrohemi. Gjuha, kultura dhe letërsia do ta bashkojnë e përparojnë Kombin tonë”.

Me dëshirë e plot kënaqësi, shumë të pranishëm në këtë veprimtari, bënë fotografi me martirin e gjallë të demokracisë e lirisë, bacën Adem Demaçi, emri i tw cilit nw librat e tij është shënuar më shqip, “Adem Dema”. Sigurisht, ato do t’i ruajnë kujtim të rrallë, në jetën e tyre.

Tiranë, 11 prill 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem Demaci, Murat Gecaj, promovohet ne Tirane

VJESHTË NË NATYRË DHE PRANVERË NË POEZI…

April 10, 2013 by dgreca

(Vëllimi “Një vjeshtë pa ty”, i Enkelejda Kondit)/

Nga: MURAT GECAJ/

1.

Ndoshta, është “përjashtimi” i vetëm , që po bëj me këto shënime modeste për vëllimin e ri me poezi, të mikes e poetes Enkelejda Kondi-Massboeuf. E them këtë gjë, pasi është hera e tretë që shkruaj për librat e saj. Ajo është me origjinë nga Gjirokastra dhe vetë ka lindur e është rritur në  rrethin e Korçës, ku banojnë prindërit e saj. Me profesion është mësuese dhe ka shërbyer disa vite në zonën e Maliqit e në Lozhan. Ndërsa edhe atë e “perfshiu” vala e emigracionit e ka disa vjet, që punon mësuese dhe jeton familjarisht, në një qytet të Francës. Megjithatë, ajo i mban të pashkëputura lidhjet me vendlindjen e Shqipërinë, ku vjen herë pas here. Kjo ka qenë arsyeja edhe e njohjes sime me të, përmes Internetit.

Pa e zgjatur, rikujtoj këtu se, pak vite më parë, Ledi më dërgoi një mesazh me dëshirën që t’ia lexoja dy vëllime të saj me poezi. Kështu, ajo m’i dërgoi ato me postë, në Tiranë dhe pastaj u shpreha me disa fjalë modeste, të cilat edhe i kam publikuar, kohë më parë.

2.

Ndërsa para pak ditësh, përsëri na dha një lajme tjetër të gëzuar, Ledi. Pra, publikoi vëllimin e ri poetik, “Një vjeshtë pa ty”, me redaktor Albert Zholin. Siç e kam theksuar edhe në shkrimet e mia të mëparshme, largësia e saj nga Atdheu, ka bërë që në vargjet poetike të jetë mjaft e ndjeshme, përcjell  emocione dhe mendime paksa të trishta. Me sa kam vërejtur, kështu veprojnë edhe poetë të tjerë, jo vetëm të rinj, por edhe të moshuar, ndër të cilët po përmendi këtu Përparim Hysin, i cili jetoi për  shumë vite në mërgim dhe tani u rikthye në Shqipëri.

Libri I Ledit është i ndarë në  katër cikle. Në të parin, është dhe vjersha, nga e cila e ka marrë titullin gjithë vëllimi poetic, që na prekë me ndjesitë, që përshkon: “Një vjeshtë pa ty, sa e trishtuar,/m’u duk një vit, një vit i gjatë./ Në stolin bosh gjethembuluar,/ka mbetur vetëm një degë e thatë…”. Me ndjenjat “ e lagështa” të kësaj stine, janë mbushur edhe poezitë pasuese: “Vjeshta” , “Shi vjeshte” , “Qiej malli” e “Pemët. Na duket edhe ne, lexuesve, se ajo do të na futet deri në palcë, por dhe na mundon heshtja e melankolia e asaj stine: “S’ dëgjohet asgjë, vetëm heshtja,/një heshtje e kthjellët si uji…”. Janë ditë të zymta, kur “Pemët krahëlakuriqe/ i ngrenë duart qiellit, nga kjo erë e fortë…”.

E ulur e vetme në bregun e detit dhe e zhytyr në mendime, poetja  shpërthen me vargjet e saj: “Unë s’jam prej këtu, por nga të tjera brigje…/ Jam guri, që kërkon rrënjët e veta”. Ajo e njëson veten me stinën e vjeshtës dhe prandaj i përshpërisin në vesh njëra-tjetrës dhe: “Një rrëkezë loti u derdh nga dashuritë e trishtuara të verës” (“Sekrete vjeshte”).

Të gjithë ëndërrojnë në këtë botë, por ndoshta më ëndrrimtarët janë poetët. Pra, e tillë na paraqitet Ledi, në ciklin e dytë të këtij libri, “Ëndërrime”. Në këtë botë vetmie, ajo shkruan: “është vonë,/por sonte paskam dëshirë të shkruaj,/si kalë i bardhë të humbi kujtimesh” dhe më tej: “Sonte qenkam fëmija, që shëtitë pyjeve të kujtesës” (“Vonë”). Si një ëndërr e bukur, që është bërë realitet, i shfaqet djali i saj, i cili rritet dita-ditës dhe ia mbushë shpirtin me mirësi: “U rrite, biri im, u bëre burrë!/Vitet ikin/ dhe unë s’i vura re”. Puthja e mamit për të birit iku larg, si “e turpëruar”  dhe “u ndal në degën e një ëndrre” (“Djalit tim”).

Poetja shkruan me dhimbje për ditët, që kanë ikur dhe nuk kthehen kurrë më, të cilat i shkaktojnë vuajtje në shpirt. Prandaj shkruan: “Bie shi sot,/ shi lotësh nga qiej të zbehtë./ Ndiej dimër në shpirt, në këtë pranverë të vonuar…” (“Me dhimbje”). Bile edhe kur shkruan për bukurinë, poetja  trishtohet, se ajo e ka ndërruar fomën e saj: “E panë dhe thanë, se bukuria ishte venitur…”! Me  gjithë këtë “pesimizëm” e trishtim, poetja gjen forca ripërtëritjeje, përmes një rrezeje drite dhe thotë: “Kokën do ta vë në gjoksin tënd të çlodhem,/ faqen dhe mirësinë aty do të gjëj” (“Do të vij”).

Në ciklin “Mall”, që është vazhdim i natyrshëm i mendimeve dhe ndjenjave, që poetja ka shprehur më parë, përsëri na e paraqet veten pranë detit. E kam vërejtur se Ledi përherë gjen prehje, qetësi e ngushëllim shpirtëror, kur ndodhet e shkruan buzë detit. Ndoshta, kështu, mendimet i përkunden asaj si valët e shkumbëzuara dhe shushurima e ujit të kripur. Duke e  barazuar veten me dallgët e detit, shkruan: “Ashtu edhe malli im me tallaze,/si dallgët turret, në gji të mbledhë”.

Gjithashtu, për mallin e së shkuarës dhe të tanishmes, ajo shkruan te poezitë “Kujtimet” dhe “Pranë e larg”. Për ndjenjat njerëzore të dashurisë, por dhe trishtimin e përjetuar prej saj, shprehet në poezitë vijuese, “Puthmë” e “Pa njëri-tjetrin” ose “Kurrë nuk e kuptova, kur çelin mimozat” e “Parfum dashurie”: “E shkon një ditë e shkon një jetë,/ digjem në mall e thahem në lotë!…”.

Një motiv i bukur i kësaj poeteje është malli e dashuria për Atdheun, të cilat i ka shprehur me vargje plot emocione. Se kjo ndjenjëe bukur  është mbi të gjitha të tjerat dhe asnjëherë nuk e lejon emigrantin të qetësohet, sado mirë të jetojë. Këtë gjë e gjejmë të pasqyruar edhe te poezitë “Atdhe” e “Po kthehem”. Ja, se si e shprehë ajo trishtimin e dhimbjen e ndarjes: “Atdhe, t’i ktheva krahët,/dhe mora rrugën e gjatë!…”. Ndërsa rikthimin e përjeton me gjoksin e mbushur plot gëzim: “Po kthehem në Atdhe,/ po vij të ngrohi shpirtin e të qetësoj mallin…”. E njëjta gjë na jepet edhe përmes vargjeve, kur ajo fluturon me avion mbi re, duke e ditur se kthimet janë “të përkohshme”: ”Drejt teje, përjetësi, Atdheu im”. I duket se, për këtë gjendje të saj, “fajin” ia kanë aeroportet, për të cilat thotë: “Aeroportet më ngjajnë me /buzëqeshjet, që thyhen si kristali…/Mall botësh të brishta,/pranë dhe larg”.

Në ciklin e fundit, “Pa adresë”, janë 20 poezi të shkurtëra. Poeten Ledi Kondi e kemi aty, si në të gjitha krijimet e saj: pak të bishtë, melankolike, me mendime të heshtura dhe me kokën e kthyer pas. Prandaj, e dëshpëruar, ajo na drejtohet me çiltërsi e sinqedritet: “Përkohësisht, mos më kërkoni…po shkoj/ pak larg, ku zemra ime të gjejë qetësi”. E ndodhur në vetminë e saj, kur “dashuria ka ftoftë”,  ajo kujton të shkuarën, si një lodër fëmijësh: “Atëherë, kush ndjeu më shumë mall,/nga kjo heshtje-largësi:/ unë apo ti?” Plot meditime dhe mendime në vetëvete janë disa poezi tjera të këtij cikli, si: ‘Robëria”, “Dimër”, “Ikën apo vjen”,’Po bie” ose “Premtimi”, “Janari” etj.

Vëllimi mbyllet me poezinë kushtuar dhimbjes së përhershme për ndarjen nga Atdheu, kur veten e ndien vazhdimisht të huaj”: “Aty dhe këtu,/me dy tokë, pa tokë,/me dy atdhe, pa atdhe,/ndër kohera, ndër vite!…”.

..Është lajm interesant ai, që na dha këto ditë Ledi, përmes Internetit: “Të dashur miq, përsëri kam kënaqesinë t’u njoftoj se libri im më i ri, “Një vjeshtë pa ty”, u botua në trajtë elektronike, nga z.Albatros Rexha, në Prishtinë…Jam e nderuar, që

botuesi përzgjodhi edhe librin tim. Faleminderit, Albatrosit!”

E urojmë nga zemra Enkelejda Kondin për këtë libër të ri dhe jemi të  bindur e shpresojmë, që me shpërthimet e vrullshme,  frymëzimet poetike dhe ndjenjat e pasura të saj, do të na dhurojë libra të tjerë edhe më të bukur!

Tiranë, 10 prill 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Enkelejda Kondi, Murat Gecaj, poezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT