• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“BAJRAM CURR, O BAJRAM CURR, EMRI YT S’ HARROHET KURRË!…”

March 29, 2016 by dgreca

Nderim, në përvjetorin e vrasjes/

Nga: Prof. MURAT GECAJ/

1.Sado vite që të kalojnë, brez pas brezi, do të nderohet e kujtohet biri i paharruar i Kosovës dhe i mbarë Shqipërisë, “Heroi i Popullit” Bajram Curri. Sepse, ashtu si shumë atdhetarë e luftëtarë tjerë tanë trima, jetën e shkriu për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e mbarë trojeve tona amtare.

Lindi në një karrocë, në vitin 1862,  në fshatin Krushtë e Madhe të Kosovës, gjatë rrugës për në qytetin e Prizrenit. Pushtuesit osmanë po i internonin familjen, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), si hakmarrje ndaj qendresës antiosmane të babait të tij, Shaqir Currit. Erdhi në jetë “i burgosur”, por kurrë burgun nuk e pa me sy as e lidhi do kush ndonjëherë, veç nëna në djep edhe pse armiqtë tërë jetën e ndoqën kamba-këmbës. Se ishte trim e trimëri merrte përherë nga populli ynë, për të cilin nuk kurseu asgjë, as jetën e tij.

Rasti e ka sjellë që, gjatë jetës, jam njohur nga afër me bashkëshorten e tij, kreshniken Dervishe ose “Ajkunën”, siç e quante vetë Bajram Curri. Por kam njohur nga afër dhe bijat e tij, nënë Feriden, në Tiranë  e nënë Hajrinë dhe mbesat, Valdetin e Mimozën, në Shkodër. Kur shkoja për ndonjë arsye shërbimi në këtë qytet të lashtë, gjeja kohë e kthehesha në banesën e tyre mikpritëse. Deri para disa viteve, kur u nda nga kjo jetë, aty jetonte e moshuar dhe nënë Hajria. Sigurisht, temë e bisedave tona ishte dhe babai i saj, “Heroi i  Popullit” Bajram Curri.

Në vijim të këtyre lidhjeve, jemi takuar në Tiranë ose më ka marrë në telefon, nga Shkodra edhe mbesa e B.Currit, Mimoza Kraja. Ajo kishte një merak dhe amanet të nënë Hajrisë: “Mos e harroni asnjëherë gjyshin tuaj dhe kujtojeni me nderim çdo përvjetor të rënies së tij”.

Siç tregonin bashkëkohësit, që  në rininë e tij, Bajram Curri, i cili e kishte prejardhjen nga fshati Curraj i Epërm i Nikaj-Mërturit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), u dallua për zgjuarësi dhe gjallëri. Bashkëmoshatarët dhe ata, që e njohën nga afër, tregonin se qyshë 10-12 vjeç i pëlqente të stërvitej me kalë dhe të godiste shenjën me gurë e më vonë me armë. I edukuar me ndjenjat atdhetare në gjirin e familjes, urrejtja për pushtuesit dhe çdo lloj armiku, iu kthye në nevojë jetësore.

Megjithëse provoi disa fatkeqësi familjare, Bajrami nuk e dha veten. Përkundrazi, gjeti forca për të punuar e luftuar më shumë për Atdheun. Nënë Feride Bajram Curri më tregonte: “Babës i vdiqën dy vëllezër, djem e vajza, por nuk u ligështua. Përkundrazi, u jepte forcë e zemër njerëzve, kur kishin halle. Më shumë kujdesej për të tjerët, se sa për vete. Baba ka patur muhabet të mirë, të shtruar dhe kurrë nuk rrinte pa shokë e dashamirë. Asnjeherë nuk ishte me nerva të ngritura në jetën familjare e shoqërore dhe nuk dëshironte t’i dëgjonte të tjerët të bënin shamatë. Ishte shakaxhi dhe i pëlqenin kënga e muzika popullore. Zërin e kishte të bukur, melodioz; mendjen të hollë dhe ishte shumë zemërgjerë”.

Siç dihet, Bajram Curri nuk pati shkollë, por ishte mjaft i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Me kujdesin e tij, u çelën shkolla shqipe në: Gjakovë (më 1915), në Malësinë e Gjakovës dhe në Has e Lumë etj., në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Me dhjetëra djem kosovarë i dërgoi për të vazhduar mësimet në Shkup, Kolgecaj e Krumë, në Tiranë dhe Elbasan. Duke vlerësuar lart ndihmesën e tij në këtë fushë, në Kongresin e Arsimtarëve të Tiranës (më 1924), atë e zgjodhën kryetar nderi etj. Siç e fikësuan studentët shqiptarë në një fotografi, tashmë të njohur, Bacë Bajrami pati si moto të jetës së tij: “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

3.Qyshë në rini, Bajram Curri doli në ballë të qendresës popullore kundër pushtuesve otomanë. Në Malësinë e Gjakovës ai mblodhi rreth vetes një çetë me luftëtarë të vendosur dhe u ndesh me ushtrinë e Mustafa pashës, duke i penguar që ta nënshtronin atë krahinë liridashëse dhe të mblidhnin rekrutë e taksa të shumta. Kjo veprimtari i shqetësoi pushtuesit, prandaj u përpoqën që ta afronin atë me mënyra të ndryshme e duke i bërë lajka. Por atdhetari i madh nuk e ndërroi asnjeherë mendjen, pra qendroi i vendosur në luftën e tij të drejtë.

Kryengritjet e mëdha antisomane të viteve 1910-1912 ngritën peshë zemrat e qindra e mijëra luftëtarëve, në Kosovë e kudo në Shqipëri. Veçanërisht, është e njohur veprimtaria e Bajram Currit gjatë kësaj periudhe, në krye të forcave kryengritëse të krahinave veriore, si Gash, Krasniqe, Bytyç, Nikaj-Mërtur, Shalë etj. Një qendresë e pashoqe malësorët u bënë pushtuesve në Qafën e Morinës dhe në prita të tjera, kur sulmoi ushtria e gjaneralit gjakatar Durgut Pasha. Ndërsa në Qafën e Prushit (ku të parët tanë farkëtonin armët kundër pushtuesve,-siç pohonte Akademiku Eqrem Çabej) armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Bacë Bajrami i udhëhoqi me guxim luftimet për mbrojtjen e trojeve shqiptare edhe kundër pushtuesve serbo-malazezë. Veprimtaria e tij luftarake u bë e njohur kudo, ku flitej shqipja, por dhe ndërmjet armiqëve. Janë mjaft domethënesë fjalët e B. Currit, sipas bashkëluftëtarit të tij, atdhetarit Hasan Prishtina: “Asht nji detyrë e shenjtë për me luftue kundra çdo anmiku dhe mos me pasë aspak pushkë. Lufta na u ka ba detyrë. Pra, duhet t’u dalim zot të drejtave tona dhe të shpëtojmëë prej robnisë”. Synim të jetës së vet, B.Curri kishte dhe edukimin e brezit të ri me virtytet më të larta të shqiptarizmit. Kështu, bashkëkohësit tregojnë se u drejtohej kështu të rinjëve: “Merrni vesh, djemtë e mij: -Kur një djalë shqiptar nuk ka besë e nder, kur nuk e do vatanin e vet dhe nuk vdes për të, ai nuk është shqiptar, ai është më e fundit vrimë e kavallit (fyellit)”.

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Bajram Curri e priti me gëzim të madh. Por përsëri nuk e rreshti luftën  e tij të vendosur kundër armiqëve, ndaj synimeve të serbomëdhenjve dhe të shteteve të tjera shoviniste fqinje. Mbështeti fuqimisht qeverinë e Ismail Qemalit, në Vlorë dhe më pas atë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, e cila e emëroi Ministër Paportofol dhe komandant të Forcave Kombëtare. Duke e përshëndetur këtë gjë, përfaqësues të popullit i shkruanin ato ditë:” E gjendmja e një burri me shpirt të thjeshtë, kombëtar, na jep një shpresë të madhe për Shqipërinë”. Ndërsa në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri luajti rol vendimtar. Ai udhëhoqi afër 2.000 forca kryengritëse, të cilët hynë me fitore në Tiranë.

Por edhe pas dështimit të këtij Revolucioni, B.Curri e vazhdoi qendresën e vendosur në malet e Veriut të Shqipërisë, në mbrojtje të idealeve demokratike. Atje gjeti strehë të sigurtë dhe përkrahje të gjithanshme nga malësorët trima e liridashës. Kudo la mbresa të pashlyera dhe te secili gjeti besnikë për kokë. Prandaj nuk është e rastit që, sa e sa familje atdhetare e bujare  në Malësinë e Gjakovës, Dukagjin, Has, Lumë, Pukë, Dibër a gjetiu, e kujtojnë atë  edhe sot e kësaj dite si mik e bashkëluftëtar të paharruar të shtëpive të tyre. Janë të njohura familjet në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) e më gjerë, ku ai u strehua e gjeti mbështetje të fortë, si te Sali Mani i Bujanit, Shend Balia i Margegajve, Dulë Alia i Dragobisë, Gjonajt e Geghysenit, Qarrët e Hasit etj.

Në vitet ’60-të e ’70-të të shekullit të kaluar, babai im më tregonte për “kreshnikun Curr”: “Bajrami ishte burrë i pashëm, trupmadh, si lisi me rrema. Ta fitonte zemrën me thjeshtësi, urtësi e dashuri. Fliste me cilindo, bile edhe me fëmijët e gratë e moshuara. Ta dinte nderën e ishte mikpritës. Këtë gjë e kam provuar tek ai edhe vetë unë…”.

Armiqtë e gjurmonin ta kapnin të gjallë atë, por nuk ia arritën dot qëllimit. Mjaft shtëpi malësorësh u bastisën, në atë dimër të egër të fillim-vitit 1925. Por nuk treguan asgjë për vendndodhjen e tij. Sapo përmendim këto fjalë, menjëherë na bien ndërmend vargjet-lapidar të një elegjie të njohur: “Thon’ u shtri e thonë u vra,/ po ti s’ vdiqe, or Baba,/ as te Shkëmb’ i Dragobisë,/ as te zemër’ e djalërisë…”. I  shkroi me dhimbje e pasion Fan Noli, në përkujtim të “tribunit të vegjëlisë”, B.Curri.

Po si kishte ndodhur ajo epope legjendare? Siç thamë, armiqtë e ndiqnin Bajram Currin. Ai gjeti strehë në Alpet e Shqipërisë, bashkë me luftëtarët e vetë besnikë. Shpella e Dragobisë u bë istikam i sigurtë për të, deri sa e rrethuan nga të gjitha anët. Atëherë, ai gjeti një shteg kalimi e u nis drejt një vatre mikpritëse të atij fshati. Por, papritmas, u ndesh në forcat armike. Ata qëllonin, por nuk donin ta vrisnin. Se kryeministri serb Pashiq,”hajni”, në bashkëpunim me tradhtarët vendës, kishin venë shuma të mëdha, 10 mijë franga ari, si shpërblim për atë, që do ta kapte të gjallë Kryetrimin. Lufta u bë e ashpër ndërmjet Bajram Currit, me pak veta dhe kundërshtarëve, që shkonin në front luftimi.

Ishte 29 marsi i vitit 1925. Fillim pranëvere. Bjeshkët kreshnike gjëmuan nga armët e paulura të “Dragoit të Dragobisë”. Por zogjtë e malit përhapën lajmin tragjik, “ma të idhtë se zana”, se, më në fund, kishte rënë “lisi me rrema”. Ushtimën e tij e përhapën me dhimbje të pazakontë valët e Valbonës ujëkaltër dhe Alpet e mbuluara me borë të përhershme. Ndërsa rapsodi popullor e përjetësoi atë, me vargje të dhimbshme e kranare: “Bajram Curr, o Bajram Curr,/ emri yt s’ harrohet kurrë!/Të kujton gjithnjë Shqipëria,/ s’të harron përjetë Kosova…”. Shumë epitete e fjalë nderimi e vlerësimi i kanë bërë Bacë Bajramit, duke e quajtur: “Fatosi i lirisë së Shqipërisë”, “Dragoi i Dragobisë”, “Babai i vegjëlisë”, “Shqiponja e maleve shqiptare” etj. Emri i tij është përjetësuar në shumë shkolla e rrugë, në Shqipëri e në Kosovë dhe në qytetin alpin “Bajram Curri”.

Trupi vigan i Bajram Currit u mbulua me flamurin e lavdisë shqiptare; ai u kthye në simbol lirie e në Përmendore të bardhë, e cila përherë i fton brezat për atdhetarizëm, guxim e trimëri.

Tiranë, 29 mars 2016                      

Filed Under: ESSE Tagged With: “BAJRAM CURR, EMRI YT S’, HARROHET KURRË!...”, Murat Gecaj, O BAJRAM CURR

SI SOT, 25 VJET MË PARË…

March 6, 2016 by dgreca

Nga MURAT GECAJ/

Si sot, 25 vjet  më parë, edhe në familjen tonë përjetuam një ngjarje të pazakontë e troditëse. Por këtë “gjëmë kolektive” e përjatuan sa e sa familje, jo vetëm në kryeqytetin tonë, por dhe në qytete e fshatra të mbarë Shqipërisë. Pa e zgjatur, shënoj këtu se edhe dy djemtë tanë u bashkuan me turmat e të rinjëve e të rejave, që vërshuan për në qytetin e Durrësit, pa e ditur mirë se ku do t’i çonin! Që aty, me anijen e tejmbushur “Tirana” ata i drejtuan për në anën tjetër të Adriatikut, pra i zbritën në portin e Brindizit të Italisë. Edhe tani na duket se e ndiejmë atë shqetësim e tronditje shumë të madhe shpirtërore. Por u qetësuam sadopak, kur ata arritën të hynin në një familje italiane dhe që andej të na njoftonion me telefon, në shtëpinë e një fqini, se ishin shëndosh e mirë.

Pastaj ngjarjet rodhën shumë shpejt dhe, në ato ditë, shumicën e emigrantëve shqiptarë, të 6 marsit 1991, i dërguan me tren për në qytetin verior të Italisë, Asti. Aty i vendosën në një kazermë ushtarake, deri sa i shpërndanë nëpër familjet e atij qyteti. Rasti e solli që dy djemtë tanë i morën në familjen e tyre çifti Adino e Mirela Genta. Aty qëndruan rreth tre muaj dhe ata u kujdesën që t’u gjenin punë e më vonë edhe shtëpi me qera, bashkë me një shok të tyre.

Me merakun për t’i parë nga afër, se ku jetonin e punonin djemtë tanë, arrita që të merrja vizë në Ambasadën Italiane në Tiranë dhe shkova në Asti e qëndrova një muaj, bashkë me ta. Nga largësia e 25 viteve, gjej rastin që t’u shpreh falënderimet tona të përzemërta jo vrtëm familjes Genta, por  dhe mjaft të tjerave, që pata rastin t’i njihja dhe që i mbështetën e u kujdesën për djemtë shqiptarë, që shkuan emigrant në atë qytet.

Me dhimbjen dhe emocionet e asaj kohe, më pas ( 6 mars 2011), unë shkrova një vjershë modeste, të cilën e kam publikuar më parë dhe me të cilën po i shoqëroj këto radhë. Gjithashtu, po botoj edhe një foto të rrallë, të tetorit 1991, ku jam bashkë dy djemtë tanë dhe me disa miq të tyre, që kishin shkuar edhe ata emigrantë në Asti.  Në këtë qytet kam qenë shpesh here, gjatë këtyre viteve, pasi aty jetojnë pësëri  me familjet, që krijuan djemtë tanë, por dhe shumë të tjerë, që morën udhët e mërgimit, në marsin  e 25 viteve më parë.

Uroj e shpresoj që, megjithëse kanë kaluar kaq vjet, përsëri  emigrantët e asaj kohe, një ditë të rikthehen përgjithnjë, në Atdheun tone, i cili sado ndadalë, po ecën në rrjedhat evropiane. Se, kudo që të shkojnë e sado mirë që të jetojnë ata, askund nuk do ta gjejnë ngrohtësinë e vendlindjes së tyre!

Tiranë, 6 mars 2016

———————————————————-

AH, KY 6 MARSI 1991…

( Sa kujtime e dhimbje na sjell!? )

Kam shkruar,  më parë, për këtë  datë të paharruar,

që zemrat e shumë shqiptarëve fort i pat’ copëtuar!

Sa shpejt ikën vitet, ato u mbushën plot njëzetepesë…

Po, a e dini, vallë, se ato gati janë një jetë e tërë?

Atë ditë Tirana gjëmoi si një i fuqishmëm- tërmet

dhe ngjante se këmbë njeriu këtu nuk kishte mbetë;

vraponin e vraponin-vargua, plot të rinj  dhe të reja,

sa dukej që njerëzve në mes iu ishte këputur jeta.

Nëna e baballarë u lebetitën e ata shumë lotuan,

të gjithë të shtangur, drejt portit të Durrësit shkuan.

Anija “Tirana” atë ditë priti plot miq të paftuar

dhe nuk e dinte aspak, se ku kishte  për t’i dërguar;

mbi ujë e tallaze, me shpejtësi filloi të lundrojë,

deri sa në  brigjet italiane udhën ajo e ndaloi.

Po, ankthin tonë, a e merrni ju sot me mend,

se të gjithëve as toka aspak nuk na zinte  vend?!

Nuk dinim ne asgjë, për djemtë as për vajzat,

Se ku, vallë,  i kishte pëplasur e egër vala?!

……………………………………….

Kjo histori është, tashti, plot njezetepesëvjeçare,

po më kuptoni, se dhimbja nuk na është hequr fare;

mendja e sytë na kanë mbetur ne atje, përtejdeti

e përsëri sikur i ndiejmë lëkundjet e atij “tërmeti”.

Lexuesi im, më beso ti mua, që nuk jam poet,

por kur njeriu kujtesës detyrohet e i thërret

e dhimbjen sadopak dëshiron ta pakësojë,

atëherë, çuditësisht, niska që të vjershërojë!?…

U kërkoj ndjesë, për vargjet që më lart shkrova,

Por, kështu, mendje e zemër sadopak i lehtësova.

…………………………………………

Tani, më falni, se në Internet po më vjen sinjal

dhe në anën tjetër po prêt të  lidhet me ne njëri djalë;

pra, me figurë e zë, përsëri sot ne do të bisedojmë

e atë datë, aq  të dhimbshme, përherë  do ta kujtojmë…

(Shkruar së pari, më 6 mars 2011,ora 20.00)

Filed Under: ESSE Tagged With: 25 VJET MË PARË…, Murat Gecaj, Si Sot

7 MARSI- NDERIM PËR DY MËSUES TË PAHARRUAR

March 5, 2016 by dgreca

 

Nga: Prof. Murat Gecaj/

     1.Mesud Abule, mësuesi e pedagogu dhe miku i shtypit tonë

Në korrik të këtij viti mbushen 11 vjet, nga dita kur u nda përgjithnjë nga jeta mësuesi e pedagogu, studiuesi e botuesi dhe veprimtari i dalluar, arsimor e shoqëror, ish-sekretari i Shoqatës ”Bashkësia Dibrane”, Mesud Sulejman Abule.

Lindi në Tiranë, më 21 prill 1932, në një familje atdhetare nga Dibra e Madhe, që trashëgoi e zhvilloi traditat e virtytet më të mira të shqiptarizmës. Shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesme i kreu në kryeqytet. Më tej, vazhdoi studimet e larta në Beograd dhe i përfundoi me nota shumë të mira, në vitin 1955, në degën matematikë-fizikë, të Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës.

Me njohuritë e fituara në bankat e shkollës, me pasionin, talentin dhe energjitë e tij djaloshare, Mesudi shërbeu me përkushtim, mësues dhe edukator i nxënësve në shkollat e mesme më në zë të Tiranës, si ”Qemal Stafa”, ”Çajupi” e ”Partizani”. Mbas një pune të gjatë e të pasur pedagogjike, ai u përzgjodh për të punuar pedagog në Shkollën Ushtarake ”Skënderbej” dhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në kryeqytet. Aty shërbeu dhjetëra vjet me radhë, mësimdhënës e përgjegjës katedre, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në modernizimin dhe zbatimin e matematikë-fizikës, në të gjitha lëndët e përpikta të fushës ushtarake. Breza të tërë kuadrosh të Ushtrisë sonë gjetën te ai  specialistin e talentuar në lëndët që jepte dhe njeriun me virtytet më shembullore.

Studimi dhe puna me librin ka qenë një ndër fushat më të pëlqyera për Mesud Abulen.  Në gazeta e revista të ndryshme ka botuar dhjetëra artikuj e studime, sidomos nga fusha e shkencës së fizikës, të cilët janë pëlqyer nga lexuesit e moshave të ndryshme. Mori pjesë dhe drejtoi disa sesione shkencore, ku vetë lexoi punimet e tij të thelluara dhe tërheqëse për dëgjuesit, në fushën e  mësimdhënies, pedagogjisë etj. 

Përvojën e tij të pasur, Mesud Abule e la të pasqyruar në libra shkencorë e shkollorë, si: ”Toka dhe historia e saj”, ”Leonardo Da Vinçi”, ”Astrologjia”(për shkollat e mesme), ”Mbi optikën”, ”Fjalori i astronomisë” (bashkautor) dhe në botime të tjera për maskimin në ushtri, kurs fizike për shkollat ushtarake etj.

Për shumë vite me radhë, ai  ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i redaksisë dhe autor  i  sa e sa shkrimeve, të botuara në faqet e gazetës ”Mësuesi”, organ i MASH. Po kështu, ishte bashkëpunëtor i revistës kulturore e shkencore ”Univers”, u aktivizua në borde të ndryshme të shoqatave kulturore e shkencore etj.

Por, mbi të gjitha, Mesudi mbeti i gjallë në kujtesë për familjen, nxënësit e kolegët dhe të gjithë ata, që e njohën, njeri shumë i dashur e gojëmbël, i sinqertë e i  respektueshëm, i matur e i papërtuar, shembull për t’u ndjekur, në fjalët dhe veprimet e tij. Prandaj, me të drejtë, të gjithë e thërrisnin ”Profesor”. Ai pati gjithnjë pranë bashkëshorten Bukurie, me të cilën rritën dhe edukuan djalin Admir e vajzën Eliana, me virtytet e cilësitë tona më të mira.

Për familjen, kolegët, nxënësit e prindërit dhe gjithë të njohurit, Mesud Abule mbetet i paharruar; jeta dhe veprimtaria e dalluar e tij në fushën e arsimit tonë kombëtar, do të jenë të pashlyera e frymëzuese për breznitë e reja. Ne gjithnjë përulemi përpara kujtimit të tij!

2.Lec Zadeja, një jetë në arsim e i lidhur me shtypin e tij

Disa kohë më parë, pra kur nuk shërbeja më redaktor në gazetën ”Mësuesi”,  mora një letër të ngrohtë dhe miqësore nga miku e kolegu ynë, Lec Zadeja. Për shumë vite me radhë, ai shërbeu me pasion në fushën e arsimit  dhe pastaj ishte  në pension, në qytetin e lindjes, aty në Shkodër. Megjithatë, siç shkruante ai në atë letër: 

”Unë, megjithëse në pension, nuk rri i qetë, por pasionin që kam pasë për vite, për historikun e arsimit, vazhdoj ta ruaj. Lexoj shtypin arsimor dhe jam informuar se, gjatë kohës që ishit në gazetë, keni përgatitur dhe botuar një libër për historikun e arsimit shqiptar. Por kështu, kur lexova vëllimin e parë të ”Historisë së Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, vërejta se një ose dy kapituj ishin përgatitur nga ju. Kjo gjë më gëzon, se shoh mikun e kolegun tim të vjetër, që tani ka hyrë në ”vallen” e studimeve për historinë e arsimit”. 

Ndërsa, më tej, Leci sillte përsëri ndërmend gazetën e tij të paharruar: ”Ju vetë nuk e dij se me çfarë merreni konkretisht, a shkoni ndonjëherë në gazetën ”Mësuesi” dhe a e takoni Ilirin (i bëni të fala) dhe kolegët e rinj aty. Ua kujtoni atyre se, në shtator të 2006-ës, është 45-vjetori i gazetës ”Mësuesi””. Në fund, ai kërkonte disa libra për historikun e arsimit dhe u përpoqëm t’ia plotësonim dëshirën.

Në arkivin vetjak ruaj një dorëshkrim të vitit 1975, të dy bashkëpunëtorëve të tjerë të rregullt dhe të kahershëm të gazetës “Mësuesi”, Idriz Kali e Muamer Vuci. Ai i kushtohet pikërisht  veteranit të arsimit, Lec Zadeja dhe mban titullin “Punëtor i palodhur i arsimit”. Ndër të tjera, aty flitet se ai e nisi punën e nderuar të edukatorit të brezit të ri, në Oblikë të Shkodrës. Në vitin 1948, aty u ngarkua me detyrën e mësuesit dhe drejtorit të shkollës. Me qëllim ngritjen e  mëtejshëm të nivelit arsimor e profesional, u regjistrua e ndoqi studimet pa shkëputje nga puna, në ILP “Aleksandër Xhuvani” të Tiranës. Pas shërbimit ushtarak, përsëri  Leci ishte në drejtimin e disa shkollave, në fshatrat Gruemirë, Gur i Zi e Mjedë.  Të gjithë nxënësit e prindërit e kujtojnë atë për punën shembullore të tij, në shkollë e jashtë saj. Ndërsa  arsimtarët e rretheve të Veriut e mbajnë mend atë, si një “arkiv të gjallë”, në qendrën e konsultimeve, pranë ILP të Shkodrës.

Krahas detyrës së përditëshme në shkollë, Lec Zadeja nisi të studiojë historinë e arsimit dhe të bashkëpunojë me shtypin pedagogjik, me gazetën “Mësuesi”, numri i parë i të cilës doli në shtator 1961. Po kështu, ndër të tjera, përgatiti për botim  punimin: “Një vështrim historik, rreth punës për krijimin dhe zhvillimin e shkollave, në rrethin e Shkodrës, në vitet 1944-1974”.

Gjatë një periudhe disavjeçare, ai trajtoi në faqet e gazetës “Mësuesi” çështje nga më të ndryshmet, të historisë dhe zhvillimit të arsimit në rrethin e tij. Me informacione, korrespondenca, artikuj problemorë, reportazhe, vëzhgime etj., ashtu serioz dhe  sistematik siç është, ai zuri vend ndërmjet bashkëpunëtorëve më aktivë të kësaj gazete dhe fitoi dashurinë e respektin e lexuesve të saj. Shkrimet e tij janë dalluar për saktësinë, thjeshtësinë dhe thellësinë e mendimit, për çështjet e trajtuara.

Për punën e bërë në fushën e arsimit dhe si bashkëpunëtor i shtypit arsimor, Leci u nderua me disa medalje e urdhëra. Ashtu siç e pohon vetë, në letrën e mësipërme,edhe në vitet pasardhëse nuk qendroi duarlidhur dhe e sfidoi moshën e tij, duke u marrë me kërkime, shkrime e studime në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Ndër të tjera, ai e ndieu veten  krenar se, sëbashku me qindra bashkëpunëtorë e korrespndentë vullnetarë, e arriti 1 shtatorin 2011, pra jubileun e 50-vjetorit të krijimit të gazetës së dashur “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. 

Lec Zadeja dëshironte të ishte edhe në përvjetorë të tjerë, por fatkeqësisht u nda nga jeta, në ditët e para të marsit të vitit 2012, kur afrohej “Dita e Mësuesit”, Festa e Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Tiranë, 4 mars 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Mesud Abule, Murat Gecaj, nderim per dy mesues

“LARG & AFËR”, ME GAZETARIN DHE POETIN JAHO MARGJEKA…

March 1, 2016 by dgreca

Nga Murat Gecaj/

Për lexuesit e këtyre pak radhëve po tregoj se, me publicistin dhe poetin e njohur Jaho Margjeka, na lidhin shumë “fije”. Së pari, kemi lindur të dy në Bujan të Malësisë së Gjakovës, fshat i bukur e me tradita të lashta atdhetare, kulturore, arsimore etj. Po kështu, rasti e kishte sjellë që  të isha bashkëpunëtor me Radio-Tiranën, që në vitet e  para të punës në shtyp, pra më 1963, kur nisa  të shërbeja në gazetën e kohës “Pionieri”.

Vitet rodhën e, pothuajse, asnjëherë nuk u shkëputa me ndihmesën time modeste, në këtë institucion kaq të rëndësishëm. Ndërsa i shpeshtova lidhjet e mia me Radio-Tiranën, kur aty Jaho u caktua gazetar dhe më pas shef  departamenti. Po kështu, bashkëpunova në mjaft emisione, sidomos për arsimin. me moderatoren dhe gazetaren e njohur, Kozeta Hoxha. Sigurisht, gjatë këtyre viteve gjeta e njoha disa kolegë e miq të tjerë të mirë, duke u bërë kështu aty “si i shtëpisë”.

Pa u zgjatur, shënoj se kohët e fundit sikur i kisha rralluar vizitat në Radio-Tirana. Kjo erdhi për arsye të mijat vetjake. Megjithatë, përherë kam qenë i pranishëm, si me bisedat tona në celular ose me shkëmbim mesazhesh në Internet, por dhe  me ndjekjen e emisioneve të transmetuara, si nga Jaho e Kozeta dhe miq të tjerë. Kështu,  më kanë pëlqyer emisionet e transmetuara nga Jaho në hapësirën radiofonike“Larg&Afër”,që u kushtohet kryesisht bashkatdhetarëve tanë emigrantë në diasporë. Ja, po sjell ndërmend këtu emisionet në studio ose drejtpërdrajt nga vendbanimet e tyre, me arsimtarin, publicistin dhe shkrimtarin e mirënjohur, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku. Ndër të tjera, ai drejton atje Radon lokale në gjuhën shqipe, “Dituria”. Emisione të tillë, kohëve të fundit, kanë qenë ato me Sotir Shukën nga Bostoni e Artan Kutren nga Parisi, me publicistin Engjëll Ndocaj,gazetarin Asllan Bajrami e historianin Beqir Meta, me Selim Musajn,Ndue Lazrin e Tonin Nikollin nga Italia, me Edmond Gurin e Miho Gjinin nga Greqia,Dalip Grecën e Raimonda Moisiun nga SH.B.A. etj.

Si për të më treguar që edhe unë isha për Jahon “afër e larg”(ha,ha), ai më ftoi për një kafe në lokalin pranë Radio-Tiranës. Në shoqërinë edhe të Kozetës e kolegëve të tjerë, përveç programeve të Radios, ne biseduam për tema të ndryshme, sidomos rreth krijimtarisë publicistike e letrare, për jetën tonë familjare etj. Me Jahon folëm që mund të përgatiten emisione edhe për disa shoqata  shqiptare e figura të njohura në diasporë, si në Amerikë, Angli, Gjermani etj. Sigurisht, u ndjeva përsëri mjaft mirë, ndërmjet këtyre kolegëve dhe i falënderova për ftesën e tyre dashamirëse.

Jaho, nga fundi i bisedës, më tregoi se Emisioni “Larg& Afër”, më 28 shkurt 2016, ishte “bërë” njëvjeçar. Mes shakave e ndonjë batute miqësore, ne e uruam atë  për 1-vjetorin e emisionit të tij në Radio-Tirana. Prandaj dhe ishte e përligjur që ai të na qeraste, me këtë rast.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshiroj të them se miku im, Jaho Margjeka, është edhe letrar i talentuar. Përveç redaktimeve të shumë librave të autorëve të ndryshëm, sidomos atyre të rinj, ai vetë ka publikuar tre libra me poezi,”Lojë në Pasqyrë”, “Ëndrra midis”, “Edhe  pak qiell për dashuri” dhe librin me tregime “Letra nga planeti i borës”. Sigurisht, ai ka edhe krijime të tjera në dorëshkrim, të cilat shpresojmë që do t’i botojë në të ardhmen.

…U ndava me Jahon, por dhe Kozetën e kolegët e tyre, në ditën e fundit të muajit shkurt,  me dëshirën për t’u takuar përsëri, jo vetëm në lokal për kafe, por dhe në studiot e Radio-Tiranës, për të biseduar për çështje të arsimit e kulturës, krijimtarisë letrare e artistike etj.

Deri atëherë, po përshëndes, sipas traditës së krahinës sonë: “Tungjatëjeta, Jaho Margjeka!”

Tiranë, 29  shkurt 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: “LARG & AFËR”, JAHO MARGJEKA, ME GAZETARIN DHE POETIN, Murat Gecaj

Margarita Stoja: LLAVA E POEZISE

December 12, 2015 by dgreca

“SI NJË VULLKAN, BRENDA MEJE VLONTE LLAVA E POEZISË, KRIJIMTARISË LETRARE…”/

 (Bisedë me poeten e shkrimtaren, Margarita Stoja)/

Nga: Prof.Murat Gecaj-publicist e studiues-Tiranë/

1.Përshëndetje mike krijuese, Margarita Stoja! Kam kënaqësi, që u lidhëm bashkë e u njohëm, sadopak, përmes Internetit…Shpresoj që një ditë të shihemi nga afër, këtu në Shqipëri, në vendlindjen tënde, me të cilën edhe pse jeton larg, në emigracion, pra në Itali, mban lidhje të vazhdueshme dhe ke mall të natyrshëm. E them ketë gjë, pasi edhe pesë librat e tu, janë botuar në Tiranë, dy nga të cilët janë përuruar po këtu…Lidhur me këtë pyetje, a mund t’u tregosh lexuesve diçka, për jetën tende?

–Po, me dëshirë…Kam lindur nè qytetin e Burrelit dhe jam rritur nè qytetin e Laçit,pas trasferimit tè prindèrve tè mi, nga Jugu i Shqipërisë.Kam mbarur gjimnazin “Ismail Qemali”, po nè Laç dhe pedagogjiken “17Nèntori”, nè Tiranè.Kam punuar mèsuese e ciklit tè ulèt,nè fshatrat afër qytetit të  Laçit, deri sa u largova nga Shqipèria Gjatë këtyre viteve, kam jetuar 15 vjet nè qytetin e Firences, ku jam gjèndur mjaft mirë, nè tè gjitha aspektet.Për këtë gjë, më ndihmoi edhe gjuha italiane, të cilën e njihja dhe e kisha mësuar, që nè rininè time,madje,dhe kur ishte e ndaluar.

2.Si të lindi dëshira për të shkruar krijime letrare dhe kur nise t’i botoje ato?

-Tani, mè mungojnè ato dorèshkrimet e para,kur isha ende njomèshtake. Ishte koha, kur rrija orë e orë mbi shkrimet e mia dhe.jam tepèr e lènduar, qè nuk i gjej dot ato! Mendoni, kam filluar tè shkruaj, nè prozè, kur isha vetèm 16-vjeçare. Kam praktikuar, pèrveç skicès e tregimeve,edhe njè novelè… O Zot, kujtoj edhe subjektin: Jeta e vèshtirè e qytetarève tè vendbanimit tim, pasi ishte njè lagje, qè nuk kishte ujè brènda,edhe pse tubacionet nuk mungonin… Sa tmerr! Ujin e mbanin me enè tè mèdha, edhe moshataret e mia, Mua mè kujtojnè vetèm me dy shishe në duar,kètè gjë e mbaj mend edhe unè. Pra, isha njè adoleshente, qè trajtoja njè problem shoqëror të kohës, nè njè novelè. Ndèrsa sot, adoleshentet…? Ah, jo, mè mirè mos tè flas!…. Ndèrsa romanin e kam shkruar pas 10-vjetèsh, pasi ishte maturuar brènda meje, ashtu siç ndodh me njè nènè, e cila lindë fèmijèn e saj.Eshtè njè rrèfim i vèrtetè, ngjarjen e kam marrë nga Firence…

Pra, siç e tregova me lart, kam filluar tè shkruaj nè moshën e adoleshencës, tè lexoj ende mè shpejt.Kujtoj këtu, se, pèr herè tè pare, kam lexuar nè moshèn 9-vjeçare ,njè novelè tè Agim Cergès, “Duke kèrkuar lumturinè…”. Si tani, e mbaj mend pasditen, kur shkova nè biblotekèn e qytetit dhe e kèrkova kètè libèr. Punonjësi,  qè shèrbente nè biblotekè, u habit se si njè njomèshtake e kèrkonte kètè libër, me titull tè madh! Mè pyeti pèr moshèn dhe, pasi mori pèrgjigjen,serish m’u drejtua: “A e dinë prindèrit, qè ti lexon libra të  tillë?” Nuk e mbaj mend përgjigjen time, po, kur e mora atë libër, e shtrèngoja fort, si tè mbaja diçka tè fshehtè dhe askush nuk duhej ta dinte, qè unè po mbaja ashtu lumturinè e njè novele. Kèshtu, ky libèr shènoi pèr mua fillimin e leximit fshehurazi prindèrve, pra që nuk ishin pèr moshèn time. I vendosja ata nè mes tè librit tè historisë dhe, ashtu, dukesha sikur po mësoja!? (ha,ha). Nè lidhje me kètë, gjithmonè u jam drejtuar prindèrve tè kontrollojnè atè, çka lexojnè fèmijèt edhe pse sot ata janè mè tè lidhur me tè rejat e teknologjisè elektronike, sesa me leximin…

Fèmijërinè time e kujtoj me shumè kënaqësi, por edhe me dhimbje. E theksoj kètè gjë, sespse ajo periudhè, pèr mua, ishte mjaft delikate. Nè vènd qè tè rritesha ngadalè, me kullullat dhe lodrat e njè fèmije ndër duar, rritesha me shpejtèsi marramèndèse, nga shqetësimet e kohës. Mendoj që fèmijëria èshtè njè etapè shumè e rèndèsishme nè jetèn e individit.

Realiteti, ku jetoja, mè dukej i papèrshtatshèm, ndrydhës. Ai nuk mè la që ta shijoja fëmijërinë, siç duhej. Por, njëkohësisht, ma zhvilloi fantazinè e u rrita shpejt edhe nè psikologji. Nè moshèn 18-vjeçare, i mblodha tè gjitha dorèshkrimet dhe i çova te kryeredaktori i gazetës “Drita”, i vetmi rrjet artistik, nè atè kohè.Shkrimet e para i pata tè gjitha nè prozè.

Si sot e kujtoj atè pasmesnatè tè vonè,kur u ngrita nga gjumi dhe u ula që ta shkruaja skicèn e parë, me titullin “Ajo ndihej e lumtur”. E pasova me krijime të tjerë, pra me tregime dhe novela, por asnjèri prej tyre nuk e pa dritèn e botimit! Në rastin, që përmenda më lart, kryeredaktori i gazetës në fjalë mè tha se ishte tepèr shpejt që t’i botonin krijimet e mia,ndonèse i kishte lexuar dhe pèlqyer.Si pèr ironi, mè tha se Balzaku i kishte botuar krijimet e tij, vetëm pas 100 shkrimeve! Por nuk e di, nëse ai e kuptonte që, ashtu, po e ndrydhte penèn time tè brishtè, duke ma vrarè èndrrèn, por jo pasionin, dhuntinè për të krijuar e shkruar…

3.Më lart, më fole për krijimet tua…Po cilët janë librat e publikuar, deri tani, sipas viteve të botimit?

– Faleminderit për interesimin! Po ua tregoj ata, duke përmendur dhe shtëpitë botuese, në Tiranë,  të cilat  i falënderoj për bashkëpunimin e ndihmën e dhënë:

Librat, që janè publikuar ose në proces botimi:

-“Fshehur pas yjeve”, vëllim me poezi, ShB “Milosao”, Tiranë, nëntor 2013;

-“Dashuritë e mia”, prozè poetike, ShB “Ada”, Tiranë, 2014;

-“Nata e një lamtumire”, tregime dhe novela, ShB “Ada”, Tiranë, 2014;

-“Rrëfmet e një gruaje bionde”, roman, ShB “Toena”, Tiranë, dhjetor 2014;

-“Mbulomë me qiell”, poezi dhe aforizma, ShB “Ada”, Tiranë, 2015.

4.Sigurisht, ke dhe krijime tjera, në dorëshkrim ose në proces botimi…

-Duke vazhduar në gjininë e romanit, e cila tani më rrëmben, kam në proces botimi “Edhe ëndrrat shuhen një ditë”. Gjithashtu, është në proces botimi një libër me poezi, në gjuhën italiane, përkthyer në shqip. Titulli i tij është, “Le onde della fantasia” (Valët e fantazisë).

5.A është organizuar përurimi i ndonjërit nga këta libra?

-Kam bèrè pèrurimin e librit tè parë, “Fshehur pas yjeve”, në mjediset e Biblotekës Kombètare, në bashkëpunim me P.Koçin. Pèrurimin tjetèr, pra të librit “Nata e një lamtumire”, e kam bèrè në tetor 2014, te Qendra e Biznesit, në “Rruga e Kavajès” së kryeqytetit.

  1. Një pyetje paksa larg krijimtarisë…Po profesionin e mësueses, a e ushtrove ndonjëherë?

-E detyruar, nga sa thashë më sipër, e ndèrpreva përkohësisht krijimtarinë, duke iu pèrkushtuar njè profesioni tè bukur, të cilin e kam dashuruar, pra mësuesinë. Por, megjithëse i ndèpreva shkrimet, si njè vullkan brènda meje vlonte llava e poezisè, krijimtarisè letrare…. Ndërkaq, shpejt kuptova se unè adhuroja e kisha po tè njèjtin pasion edhe pèr interpretimin. Kështu, realizova nè “Radio-Tirana” CD-në, “Frymë dashurie”. Atë e ruaj, si një diçka mjaft të çmuar nga jeta ime…

  1. Dëshirojmë të dimë edhe sa e si është vlerësuar kjo punë e përkushtuar, në udhën e krijimtarisë letrare?

-Jam pjesëmarrëse në një antologji poetike, me autorë shqiptarë, publikuar nga Shtèpia Botuese “Muzgu”. Jam fituese e konkursit “Amazon”, organizuar nga Shtèpia Botuese “Pagine”, Romè, me drejtues Elio Pecora. Kam marrë pjesè nè kolanën poetike “Riflessi”. Botoj, pandërprerje, nè Revistën kulturore tè pèrmuajshme “Dituria”, nè Itali, me drejtor gazetarin dhe redaktorin G.Paraggio, i cili èshtè edhe redaktor i librit tim me poezi, në italisht…

8.Duke qenë larg vendlindjes, pra në emigracion, besoj ke mbajtur lidhje me bashkatdhetarët tanë…

-Sidomos nè fillim, kam ndjekur disa veprimtari në bashkësinë shqiptare të qytetit, ku banoja. Ndërsa mè vonè “i humba” lidhjet e mëparshme! Gjithashtu, duke jetuar larg, nuk kam patur mundèsi që tè bèj çdo pèrurim libri të ri. Nè Itali kam lidhje me studiuesin e çështjeve historike, shkrimtarin, gazetarin dhe drejtorin e revistès “Dituria”, G.Paraggio. Bashkè do tè organizojmè pèrurimin e librit tim me poezi, në italisht, “Le onde della fantazia”(“Valët e fantazisë”).

–Të përshëndesim dhe të falanderojmë përzemërsisht, mike Margarita Stoja, për përgjigjet tua të sakta dhe, pse jo, interesante, gjatë kësaj bisede të përbashkët! Me këtë rast, urojmë që të keshë: shëndet të plotë, krijimtari sa më të suksesshme dhe gjitha të mirat, në jetën e përditëshme! 

Tiranë, 10 dhjetor 2015

Filed Under: Interviste Tagged With: Margarita Stoja: LLAVA E POEZISE, Murat Gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT