• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

7 MARSI- NDERIM PËR DY MËSUES TË PAHARRUAR

March 5, 2016 by dgreca

 

Nga: Prof. Murat Gecaj/

     1.Mesud Abule, mësuesi e pedagogu dhe miku i shtypit tonë

Në korrik të këtij viti mbushen 11 vjet, nga dita kur u nda përgjithnjë nga jeta mësuesi e pedagogu, studiuesi e botuesi dhe veprimtari i dalluar, arsimor e shoqëror, ish-sekretari i Shoqatës ”Bashkësia Dibrane”, Mesud Sulejman Abule.

Lindi në Tiranë, më 21 prill 1932, në një familje atdhetare nga Dibra e Madhe, që trashëgoi e zhvilloi traditat e virtytet më të mira të shqiptarizmës. Shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesme i kreu në kryeqytet. Më tej, vazhdoi studimet e larta në Beograd dhe i përfundoi me nota shumë të mira, në vitin 1955, në degën matematikë-fizikë, të Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës.

Me njohuritë e fituara në bankat e shkollës, me pasionin, talentin dhe energjitë e tij djaloshare, Mesudi shërbeu me përkushtim, mësues dhe edukator i nxënësve në shkollat e mesme më në zë të Tiranës, si ”Qemal Stafa”, ”Çajupi” e ”Partizani”. Mbas një pune të gjatë e të pasur pedagogjike, ai u përzgjodh për të punuar pedagog në Shkollën Ushtarake ”Skënderbej” dhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në kryeqytet. Aty shërbeu dhjetëra vjet me radhë, mësimdhënës e përgjegjës katedre, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në modernizimin dhe zbatimin e matematikë-fizikës, në të gjitha lëndët e përpikta të fushës ushtarake. Breza të tërë kuadrosh të Ushtrisë sonë gjetën te ai  specialistin e talentuar në lëndët që jepte dhe njeriun me virtytet më shembullore.

Studimi dhe puna me librin ka qenë një ndër fushat më të pëlqyera për Mesud Abulen.  Në gazeta e revista të ndryshme ka botuar dhjetëra artikuj e studime, sidomos nga fusha e shkencës së fizikës, të cilët janë pëlqyer nga lexuesit e moshave të ndryshme. Mori pjesë dhe drejtoi disa sesione shkencore, ku vetë lexoi punimet e tij të thelluara dhe tërheqëse për dëgjuesit, në fushën e  mësimdhënies, pedagogjisë etj. 

Përvojën e tij të pasur, Mesud Abule e la të pasqyruar në libra shkencorë e shkollorë, si: ”Toka dhe historia e saj”, ”Leonardo Da Vinçi”, ”Astrologjia”(për shkollat e mesme), ”Mbi optikën”, ”Fjalori i astronomisë” (bashkautor) dhe në botime të tjera për maskimin në ushtri, kurs fizike për shkollat ushtarake etj.

Për shumë vite me radhë, ai  ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i redaksisë dhe autor  i  sa e sa shkrimeve, të botuara në faqet e gazetës ”Mësuesi”, organ i MASH. Po kështu, ishte bashkëpunëtor i revistës kulturore e shkencore ”Univers”, u aktivizua në borde të ndryshme të shoqatave kulturore e shkencore etj.

Por, mbi të gjitha, Mesudi mbeti i gjallë në kujtesë për familjen, nxënësit e kolegët dhe të gjithë ata, që e njohën, njeri shumë i dashur e gojëmbël, i sinqertë e i  respektueshëm, i matur e i papërtuar, shembull për t’u ndjekur, në fjalët dhe veprimet e tij. Prandaj, me të drejtë, të gjithë e thërrisnin ”Profesor”. Ai pati gjithnjë pranë bashkëshorten Bukurie, me të cilën rritën dhe edukuan djalin Admir e vajzën Eliana, me virtytet e cilësitë tona më të mira.

Për familjen, kolegët, nxënësit e prindërit dhe gjithë të njohurit, Mesud Abule mbetet i paharruar; jeta dhe veprimtaria e dalluar e tij në fushën e arsimit tonë kombëtar, do të jenë të pashlyera e frymëzuese për breznitë e reja. Ne gjithnjë përulemi përpara kujtimit të tij!

2.Lec Zadeja, një jetë në arsim e i lidhur me shtypin e tij

Disa kohë më parë, pra kur nuk shërbeja më redaktor në gazetën ”Mësuesi”,  mora një letër të ngrohtë dhe miqësore nga miku e kolegu ynë, Lec Zadeja. Për shumë vite me radhë, ai shërbeu me pasion në fushën e arsimit  dhe pastaj ishte  në pension, në qytetin e lindjes, aty në Shkodër. Megjithatë, siç shkruante ai në atë letër: 

”Unë, megjithëse në pension, nuk rri i qetë, por pasionin që kam pasë për vite, për historikun e arsimit, vazhdoj ta ruaj. Lexoj shtypin arsimor dhe jam informuar se, gjatë kohës që ishit në gazetë, keni përgatitur dhe botuar një libër për historikun e arsimit shqiptar. Por kështu, kur lexova vëllimin e parë të ”Historisë së Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, vërejta se një ose dy kapituj ishin përgatitur nga ju. Kjo gjë më gëzon, se shoh mikun e kolegun tim të vjetër, që tani ka hyrë në ”vallen” e studimeve për historinë e arsimit”. 

Ndërsa, më tej, Leci sillte përsëri ndërmend gazetën e tij të paharruar: ”Ju vetë nuk e dij se me çfarë merreni konkretisht, a shkoni ndonjëherë në gazetën ”Mësuesi” dhe a e takoni Ilirin (i bëni të fala) dhe kolegët e rinj aty. Ua kujtoni atyre se, në shtator të 2006-ës, është 45-vjetori i gazetës ”Mësuesi””. Në fund, ai kërkonte disa libra për historikun e arsimit dhe u përpoqëm t’ia plotësonim dëshirën.

Në arkivin vetjak ruaj një dorëshkrim të vitit 1975, të dy bashkëpunëtorëve të tjerë të rregullt dhe të kahershëm të gazetës “Mësuesi”, Idriz Kali e Muamer Vuci. Ai i kushtohet pikërisht  veteranit të arsimit, Lec Zadeja dhe mban titullin “Punëtor i palodhur i arsimit”. Ndër të tjera, aty flitet se ai e nisi punën e nderuar të edukatorit të brezit të ri, në Oblikë të Shkodrës. Në vitin 1948, aty u ngarkua me detyrën e mësuesit dhe drejtorit të shkollës. Me qëllim ngritjen e  mëtejshëm të nivelit arsimor e profesional, u regjistrua e ndoqi studimet pa shkëputje nga puna, në ILP “Aleksandër Xhuvani” të Tiranës. Pas shërbimit ushtarak, përsëri  Leci ishte në drejtimin e disa shkollave, në fshatrat Gruemirë, Gur i Zi e Mjedë.  Të gjithë nxënësit e prindërit e kujtojnë atë për punën shembullore të tij, në shkollë e jashtë saj. Ndërsa  arsimtarët e rretheve të Veriut e mbajnë mend atë, si një “arkiv të gjallë”, në qendrën e konsultimeve, pranë ILP të Shkodrës.

Krahas detyrës së përditëshme në shkollë, Lec Zadeja nisi të studiojë historinë e arsimit dhe të bashkëpunojë me shtypin pedagogjik, me gazetën “Mësuesi”, numri i parë i të cilës doli në shtator 1961. Po kështu, ndër të tjera, përgatiti për botim  punimin: “Një vështrim historik, rreth punës për krijimin dhe zhvillimin e shkollave, në rrethin e Shkodrës, në vitet 1944-1974”.

Gjatë një periudhe disavjeçare, ai trajtoi në faqet e gazetës “Mësuesi” çështje nga më të ndryshmet, të historisë dhe zhvillimit të arsimit në rrethin e tij. Me informacione, korrespondenca, artikuj problemorë, reportazhe, vëzhgime etj., ashtu serioz dhe  sistematik siç është, ai zuri vend ndërmjet bashkëpunëtorëve më aktivë të kësaj gazete dhe fitoi dashurinë e respektin e lexuesve të saj. Shkrimet e tij janë dalluar për saktësinë, thjeshtësinë dhe thellësinë e mendimit, për çështjet e trajtuara.

Për punën e bërë në fushën e arsimit dhe si bashkëpunëtor i shtypit arsimor, Leci u nderua me disa medalje e urdhëra. Ashtu siç e pohon vetë, në letrën e mësipërme,edhe në vitet pasardhëse nuk qendroi duarlidhur dhe e sfidoi moshën e tij, duke u marrë me kërkime, shkrime e studime në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Ndër të tjera, ai e ndieu veten  krenar se, sëbashku me qindra bashkëpunëtorë e korrespndentë vullnetarë, e arriti 1 shtatorin 2011, pra jubileun e 50-vjetorit të krijimit të gazetës së dashur “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. 

Lec Zadeja dëshironte të ishte edhe në përvjetorë të tjerë, por fatkeqësisht u nda nga jeta, në ditët e para të marsit të vitit 2012, kur afrohej “Dita e Mësuesit”, Festa e Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Tiranë, 4 mars 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Mesud Abule, Murat Gecaj, nderim per dy mesues

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti mori pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të Heroit të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku
  • Presidentja Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin
  • Lot të bardhë…
  • UDHËKRYQET E KOSOVËS…
  • Çfarë është deliri madhështisë?
  • Nevoja urgjente për lidership
  • NJË KËSHILL MBARËKOMBËTAR, PËR TË KOORDINUAR STRATEGJITË DHE MBROJTJEN E INTERESAVE TË SHQIPTARËVE NË BALLKAN…
  • Woodrow Wilson: Do të bëhej një komb i harbuar…
  • Veprat bamirëse të Mehmet Ali Pashë Kavallës në vendlindjen e tij
  • “VATRA” DHE SHTETFORMIMI KOMBËTAR
  • Aktivitetet e Vatrës kanë gjurmë të fuqishme në historinë e re të Kosovës
  • SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
  • STATEMENT BY AMBASSADOR JEFFREY M. HOVENIER September 24, 2023
  • Sulmi terrorist serb ndaj policisë së Kosovës, sulm ndaj sovranitetit të Kosovës
  • Kryeministri Kurti me anëtarë të kabinetit ndezën qirinj në nderim të heroit, Afrim Bunjaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT