• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRANI LEGJENDË MUSTAFË ELEZI, I PUSHKËS, I PENËS, I SAKRIFICAVE, I BESIMIT DHE LUMTURIMIT

March 1, 2015 by dgreca

Deklaratë më 1989: “Gjithmonë do të punoj e mendoj për “Vatrën”, se është shpirti im”.
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Njëri nga lisnaja e Jahelezëve të historisë, Mustafë Elezi, i gjashti ndër dhjetë fëmijët e Sali Jahës, u lind më 26 shkurt 1926 në prehër të Alpeve Shqiptare, që albanologu i shquar, Milan Shuflaj, i quan “zinxhiri i botës”. U lind në një nga luginat më të bukura për syrin e zemrën, në atë të Valbonës, bash në brigjet e lumit ujëkaltër, ku jetnonte e gurron Eposi i Kreshnikëve, ku Fishta i madh teksa ua dinte historitë dhe i pa me sytë e tij, hyjnoi sikur “Ora e Shqipërisë” “rri atje mbi Valbonë”. U lind në një nga vendet e bekuara të Perëndisë, në Dragobi, fshat si amfiteatër-kështjellë, që legjendat e thirrnojnë “vend i dragojve”, ku albanologu Baron Nopça u mrekullua gjatë vizitës së tij para njëqind vjetësh.U lind në kullën trekatëshe si një ansambël arkitekturor alpin në gjysëm hektari tokë të rrethatueme me avlli dy metra të lartë që dukej si kështjellë, të cilën e dogjën partizanët më 21 nëntor 1945 dhe, pasi Jahelezët e ringritën edhe më të bukur, ua shtetëzoi komunizmi dhe i vrau, burgosi e internoi të gjithë jetarët e saj epope e epokal.
Nga kjo kështjellë që ka pritë e përcjellë si Jakup e Shemsi Ferrin, Bajram Currin, Kerrin e Sadri Bardhit, Hoxhën e Ismail Qemalit, bajraktarë të Rrafshit të Dukagjinit e të Malësisë së Madhe është nistue Jahë Elezi (gjyshi i Mustafës) me të vetët e gjakut e të pragut për të luftuar për Flamurin e Pavarësisë në prill 1912, pasi “përleshjet e armatosura me sunduesit osmanë filluan në Malësi të Gjakovës dhe u përhapën dora-dorës në krahina të tjera të vendit…” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vol. II, v. 2008, f. 1371).
Më 18 gusht 1912 kryengritësit e vilajetit të Kosovës, të udhëhequr nga ideologu e strategu Hasan Prishtina, së bashku me Bajram Currin, Isa Boletinin, Nexhip Dragën, Jahja Agën (gjyshin e Presidentes së sotme të Kosovës, Atifete Jahjaga), gjunjëzuan Perandorinë Otomane e dallga-çuan te Shpallja e Pavarësisë në Vlorë. Në një foto të rrallë duken kryengritësit në tren duke u futur triumfalisht në kryeqendrën e vilajetit, në Shkup, ku mes tyre gjenden edhe Jahelezët e Dragobisë.
Flamuri u ngrit në Vlorë po duhej mbajtur e mbrojtur në çdo krahinë e kullë shqiptare, ndaj kah fillimi i 1913-tës malazezët iu rivërsulën edhe Dragobisë. Aty te Ura e Memës ka zgjat lufta disa ditë e kronikat thonë se organizator, prijës e ndihmëtar materialisht i luftëtarëve malësorë ishte Jahë Elezi, çka kjo epope u përjetësua edhe në këngë:
Jahë Elezi n’goxhup t’dhisë,
Komandar i Dragobisë,
Për vatan e troje t’veta,
Nuk i dhimset malli as jeta…
(Ndue Ukcama. “Jahelezët e Dragobisë”. Monografi. Ora. Tiranë, 2009, f. 42).
Jahë Elezi mori pjesë në krah të Bajram Currit në mbrojtjen e Prizrenit, të Plavë-Gucisë dhe kudo ku krisi pushka e shqiptarit për liri (Dalip Greca, “Illyria”, 15-18 maj 2009).
Në se në historinë moderne të Shqipërisë, Jahë Elezi udhëtoi me tren për në Shkup, tani, në vitin 1914, bashkë me të birin, Zeqirin, në përgjigje të kushtrimit bestar të Bajram Currit, lundronte me anije nga Shëngjini deri në Durrës, duke iu gjendur ballas në mbrotje Princ Vidit, duke luftuar për të ardhmen euro-atlantike të shqiptarëve në trojet tona etnike.
Kësokohe, më 28 prill 1912, në Boston–SHBA themelohet edhe Federata Panshqiptare “Vatra”, me të parin drejtues, në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të saj, Fan Nolin e tevona u zgjodh kryevatran edhe Faik Konica, dhe në bashkari me gazetën e saj “Dielli”, me ndikimin në politikën amerikane e shqiptare, iu bë krah fitores e konsolidimit të Pavarësisë e të Shtetësisë dhe të Demokracisë në vitet ’90 të Shqipërisë si dhe Pavarësisë së Kosovës në kapërcyell të shekujve.

Nga viti 1912 i Shpalljes së Pavarësisë përkitazi gjejmë mirëfilltas një lidhje idealesh të Mustafë Salih Elezit të lisnajës të Jah-Elezëve të Dragobisë me”Vatrën” qyshce në të shenjtën themeli të saj.
Pikërisht pas 28 shkurtit 1968 kur “e pa Zoti me sy” e “shkeli me këmbë” në Amerikë, do të fillaniste një lidhje më e afërt dhe e pandashme shpirtërore, organizative e historike në mes tyre.
Mustafë Elezi, i pushkës e i penës, i sakrificave, i besimit e i lumturimit do të kishte nderin e kohës të fitonte titullin e fisnikërisë kombëtare “vatran”, duke kontribuar ndër vite në detyra të vlerësueshme e të besueshme si sekretar (punët e dokumentacionit, protokollit, bankat etj.) dhe antar i kryesisë së saj.
Në vitin 1989 në një letër të tij deklaronte se “gjithmonë do të punoj e mendoj për “Vatrën”, se është shpirti im” (Mustafë Elezi. “Nuk e harrova Malësinë e Gjakovës”. Botim triptik. Tiranë, 2010, f. 333).
Në këto dekada të ndrrimit të shekujve “Vatrës” e vatranëve iu ka zdritë fati të ketë në krye të saj burra dinjitar e mendëtar si Sami Repishti, Agim Karagjozi, Gjon Buçaj.
Ashtu si të parët e vetë, të betuar e të sakrifikuar për Flamurin Kombëtar Shqiptar, që siç ligjëron kryevatrani i madh, Faik Konica, është flamuri shtetëror më i vjetër në Europë, flamur që kurrë nuk prini në luftëra pushtuese, vatrani ikonik Mustafë Elezi në moshën 17 vjeçare e kapi pushkën partizane kundër hitlerianëve, dhe nga vrella e tij poetike valboniane ujëvaron disa vjersha edhe për Flamurin si ajo fjala-shpirt, shkruar më 28 nëntor 2009:
“Kurr’ ma parë dielli nuk shndriti.
Ma me shpres’ për Kombin tone.
Se at’ ditë, që nalt valviti.
Kuq e Zi, Flamuri n’Vlonë…
2.Njeriut legjendë e gjallë, Mustafë Elezit, Koha Shqiptare ia gdhend përditë emrin e nderuar e ia rendon vendin e merituar: si luftëtarë i Luftës së Dytë Botërore (1944-’45); si i përsekutuar politik i regjimit komunist (1944-1990); si një ndër vatranët emblematik (prej 1968-tës); si njeri i penës me shkrimet publicistike, poezitë e poemat te “Dielli”, “Përpjekja Jonë”, “Illyria” etj. dhe me librin triptik “Nuk e harrova Malësinë e Gjakovës” (466 faqe: me shënime, kujtime, krijime); si një ndër skllevërit ndërtimtarë të punës së detyruar e të papaguar në kampet e përqëndrimit (1952-‘56) në vepra të tilla si Aeroporti Civil i Rinasit, aerodromi ushtarak i Kuçovës, hapjen e kanaleve ujitëse në fushën e Maliqit, Peqin-Kavajë, Levan-Fier etj.; si ish i dënuar politik në burgjet e kampet shfarosëse të komunizmit (25 korrik 1949-11 janar 1956) në Tiranë, Durrës, Maliq, Rrogozhinë, Shtyllas, Rinas; si njeri i besimit e më shumë se një dekadë veprimtar fetar i Qendrës Islamike në Bryklin në SHBA; si një familjar i rrallë e prind i lartë që i mirërriti Amerikës e Shqiptarisë me arsim, edukim e punë, fëmijët, nipërit e mbesat e vet.
3.Ndër lisnajën nacionaliste të Jahelezëve, Mustafa me të dy vëllezërit, Jahën e Abazin, u inkuadruan në formacione luftarake të Luftës së Dytë Botërore kundër fashizmit.
Jahën e gishtit e të penës, kryekomunar në Junik, teksa ishte partizan në Brig. VII të Diviz. V në Gostivar, në korrik 1945, me kërkesën e Jugosllavëve e miratimin e Enver Hoxhës, arrestohet në kohën që po u mësonte luftëtarëve shkrim e këndim shqip dhe OZNA e fillikat në burgun famëkeq të Sheremetit në Pejë, gjersa e vrasin në gusht të vitit 1946 si luftëtar i Shqipërisë Etnike.

Mixhën e tij, Asim Jahë Elezi, luftëtar për mbrotjen e Plavë-Gucisë nga serbo-malazezët (1943-’44) e pushkatojnë komunistët në pranverën e vitit 1945.

Akademik Abdulla Hoxha, i internuar si antifashist në ishullin e Sardenjës (Itali) gjatë kthimit për të luftuar në Shqipëri, çeta e tij me 12 veta bie në përpjekje me gjermanët në Metkoviç (Mali i Zi), dhe pasi i mbarojnë fishekët kapet prej tyre, i japin veglat të hapin varrin e vet, por nuk pranon, e godet me lopatë oficerin gjerman duke mbetur edhe vetë i vrarë me trupin shoshë nga plumbat.
Idriz Bashë Metaliaj, ndonëse i verbër, iku partizan në vitin 1943. E arrestojnë gjermanët dhe e çojnë në Kampin e Përqendrimit në Prishtinë e në Mathauzen në Austri, ku prej andej i shkruante letër motrës me një thënie të spikatun: “Ka me ague edhe për ne Dielli”. Në vitin 1948, me mbylljen e kufirit me Shqipërinë mbeti në Gjakovë, merr një fëmijë të vogël për dore, i hip trenit e shkon në Beograd. Aty del në rrugë me letër në gjoks me mbishkrimet:”PoshtëJugosllavia!
Rroftë Shqipëria!”. Arrestohet nga serbët e pas disa ndërhyrjeve lirohet e kthehet me avion në Tiranë.
Më 17 tetor 1960, kur Mustafa ndodhej në komunistët ia pushkatojnë nipin (djalin e vllaut) Rizë Xhemajl Elezi.
Jahelezët kanë mbi një gjysëm shekulli (1945-1997) që përballën me komunizmin sllavo-ortodoks me flakë e gjak, nga djegja e kullës (1944), pushkatimi pa gjyq i Asim Jahës (1945) e deri te plagosja e gardistit Fahri Adem Metaliaj nga bandat e rebelimit neokomunist në Cerrik (1997). “Shpallja kulakë, diferencimi e rrënimi ekonomik, burgosja e Azemit, Ademit, Mustafës, Abazit, Jakupit, Ymerit e Malës, pastaj 100 vjet burgim. Pastaj përshkallëzimi i shtypjes. Dëbimi e internimi në një natë i 13 familjeve të Jahelezëve drejt kënetave të Myzeqesë për rreth tre dekada me 2.000 vjet internim” (Mujë Buçpapaj, Gazeta “Nacional”, Tiranë, 16 gusht 2009).
4.Jahelezët e Dragobisë, në historinë moderne të Shqipërisë, qysh në fillimet e shek. XX i çuan fëmijët në medresetë e Gjakovës e të Tiranës, në gjimnazet e Shkodrës e të Tiranës. Një rast të rrallë përbën fakti se qysh në vitet ’30 –’40 i shkolluan edhe vajzat si Elez Hoxha të tria: Dritën, Durijen e Kijen në gjimnazin e Tiranës. Hysni Hoxha (Mushaku) diplomohet për teologji e pedagogji në Universitetin e Al-Ahzarit në Egjipt punon në tri kontinente, në Afrikë, Azi e së fundit në Amerikë. Abdullah Hoxha ndjek studimet në Akademinë Ushtarake në Itali për aviator etj. Në mesin e shek. XX dy vëllezërit e Mustafës, Jahë Salihi, kryekomunar në Junik (Kosovë) e Adem Salihi në Medresenë e Tiranës (e pastaj kryemyfti i Kukësit) shkruajnë artikuj në shtypin e kohës.

Jahelezët kanë edhe një dinasti fetare mbi 100-vjeçare me 6 klerikë të shquar, ndër të cilët veçojmë Prof. Hysni Hoxha, Adem Salihi, Elez Hoxha, Azem Jaha.
Nga lisnaja e Jahelezëve Idriz Bashë Metaliaj në vitin 1956 boton vëllimin poetik “Sytë e mij”, po çensorët politik të kohës e rikthejnë në karton e hynë në listën “libra të ndaluar”!
Prof. Hysni Hoxha në Amerikë, poligiot, ka botuar disa libra si “Kur-an”-in e përkthyer në shqip nga arabishtja e frengjishtja, “Të drejtat e njeriut në fenë Islame” përkthyer nga arabishtja etj. dhe ka pasë publikime te “Dielli” i “Vatrës”.
Mustafë Elezi mundi ta botojnë librin e tij të parë vetëm në dekadën e dytë të demokracisë shqiptare (2010, ndërsa vllau i tij, poliogloti e poeti Adem Sali Elezi (Metaliaj), mbi njëqind vjet pas lindjes, do të botohet libri i tij “Gurgullojnë Valbonat” me artikuj, përkthime (nga persishtja, arabishtja, etj), krijime poetike, me një pjesë të dorëshkrimeve që iu kanë shpëtuar përndjekjeve e inkuizicionit politik.
Një libër me artikuj e krijime e ka në planet e veta të pritshme edhe Sami Adem Metaliaj, ish kryetar i PDSH të Kurbinit, një ndër drejtuesit e Komitetit Mbarëkombëtar të Veriut gjatë rebelimit komunist të vitit 1997, veprimtar i Shoqërisë Civile.

Dy vajzat e Mustafës, Shpresa e Mereme Elezi, kanë shkruar e publikuar poezi të tyre.
5. I burgosuri politik, Mustafë Elezi, punonte me pranga e kazmë në duar për ndërtimin e aerodromit ushtarak të Kuçovës (1953-‘54) dhe të Aeroportit të Rinasit (1954-‘55) e ëndërronte një ditë në gjallje të jetës së vet të fluturonte larg nga ky vend i pushtuar, nënshtruar e poshtëruar nga regjimi komunist, pasi asaj kohe ndër shqiptarë në atdhe e në mërgim endej urimi i dëshirtë: “Të pafsha në Amerikë”! Në vitin 1981, te gazeta “Dielli”, te ky flakadan i “Vatrës”, do të publikonte një nga krijimet e tij “Liria”:
Në kafaz i mbyllun nuk mund të jetoj,
Nëpër fusha e male due të fluturoj,
I kam humbur shokët, kam humbur krenarin’,
Më liro prej burgut ta g’zoj prapë Lirinë,
Atëherë unë kuptova sa kushton Liria.
për të cilën jetën e flijon Njerëzia…

Noli, kryevatrani i veladonit të zi e penës së artë, në një elegji për Bajram Currin, hero emblematik e kushëri në tetë breza me Mustafë Elezin, i ka gdhendë vargjet hymn vendlindjes së tij”:
Me zjarr të shenjt’ u ndrit kjo shpellë,
Gjer në qiell u ngrit si kështjellë.
Për çlirimin e Shqipërisë.
Katakomb’ e Dragobisë…
Në Rinas, pesë djemë të rinj e të fuqishëm, të burgosur të atyshëm, e hapën me sakrifica një tunel të nëndheshëm nga ëc-të katër metra nëntokë e në mes të kampit deri përtej telave me gjëmba. Një natë të ftohtë në mes të dhjetorit 1954 u arratisën nëpër tunel e nën breshëri të mitralozëve. Dikush u vra e disa ikën në Botën e Lirë, në Amerikë, si Abaz Korçari (Detroit), Nexhip Dauti e Ago Çela-Hito (Hackensack). Këta iu bënë ftesë edhe Mustafë Elezit e Sami Repishtit, po u shemb tuneli e mbetën pa dalë prej andej.
Koinçidencë: tevona, më 19 shkurt 1957, në 31 vjetorin e ditëlindjes, Mustafë Elezi arratiset nga Qafa e Morinës (Tropojë) ku sot ngrihet një pikë doganore e trupon autostrada Shqipëri-Kosovë dhe jetnon një dekadë në Kosovën Dardane. Aty martohet më 1962 me Mehanen, vajzën e atdhetarit fisnik Ukë Qerim Neza (Shipshan) e tre fëmijët e parë i pagëzuan me emra simbolik: Mërgim, Bashkim, Shpresë.
Në vjeshtën e vitit 1967 gjatë qëndrimit familjar transit disamuajsh në Itali, i rastisë me u njoft me kryevatranin e sotëm, Dr. Gjon Buçaj, një nga miqtë e tij të idealeve të mëdha kombëtare e të miqësisë së përhershme.
Kështu u tubuan bashkarisht në Amerikë vatranët, të cilët vinin nga istikamët e nacionalizmit, nga tragjeditë e burgjeve e të internimeve, nga sakrificat e mërgimit, dhe i jepnin frymën e kohës e të shpirtit të vet, fuqinë e tokës iliro-dardane dhe magjen e magjinë e “Demokracisë Amerikane” Federatës Panshqiptare “Vatra”, që me siglën e figurat e saj, me atributet e kontributet e saj arriti të jetë e njohur historikisht e shpirtërisht në vatrat shqiptare.
Në këtë Prill të Njëqind e tretë, tuj-e perifrazuar kryevatranin poet, Nolin e madh, te elegjia e sipërthanun, dritënojnë vargjet epike: “Me zjarr të shenjt’ u ndrit “Vatra”/ Gjer në qiell u ngrit si kështjellë” apo vargjet hymn si një nga leitmotivet e Luftës epokale të Kosovës (1999): “Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë në Amerikë/.
Mustafë Elezi, vatrani i sakrificave në botën e metastazës komuniste dhe i lumturimit në botën ringjallëse demokratike, kur i detyruar i mori udhët e mërgimit pati ligjërue:
“Atdhe i dashtun besën po ta jap,
Kur të vijë Liria, do të kthehem prap…
Deshti Zoti që të ketë jetë e të mbajë besë me e sypa e me u shpritlumnue me kujtimet e vendet e veta. I vizitoi për herë të parë Shqipërinë Demokrative (në vitin 1991) dhe në Kosovën e Pavarur (18 korrik 1999). Mesa di ka ardhë më shumë se 20 herë, po kushedi se si e përjeton zemra e mendja e tij zbritjen në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas?!
Krenaria e lumturia e Mustafë Elezit të Metaliajve të Dragobisë është e shumëfishtë se në këto mbi njëqind vjet, në këto dy arritje kombëtare historike, në themeli e lartësi të tyre kanë kontributet e veta edhe “Vatra” (se është vatran veteran), edhe Amerika (se është shqiptaro-amerikan), edhe lisnaja e Jahelezëve (se është lis genetik fisnik i tyre).

Filed Under: Vatra Tagged With: DHE LUMTURIMIT, i besimit, I PENËS, I PUSHKËS, I SAKRIFICAVE, Mustafe Elezi, VATRANI LEGJENDË

BUJARI VATRANËSH

February 27, 2015 by dgreca

VATRANI MUSTAFË ELEZI DHUROI $1000 PËR GAZETËN DIELLI/
Në mbledhjen e Këshillit të Vatrës të 31 Janarit 2015, Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, njoftoi se vatrani veteran z. Mustafë Elezi, kishte dërguar një Chek me 1000 dollarë,sponsorizim për gazetën Dielli. Ky njoftim u prit me duartrokitje. Edhe vjet, edhe para një viti, 2, 3..5 edhe… Gati cdo vit ai nuk e harron bujarinë e vjetër vatrane. Pra, nuk është e para herë që ky atdhetar i përkushtuar dhuron për Diellin e Vatarës. Ka vite që ai dërgon chekun dhe jo me $100.00 sa ëshët anëtarësia, por me $1000.00.As këtë vit nuk harroi. Faleminderit atdhetar! Faleminderit vatran! Kështu vepronin vatranët e vjetër, ata që me fjalorin e Nolit, thirreshin”Vatranë të dimrit e beharit!.Kemi pak të atillë sot…
Për vatranët e rinj, që nuk e njohin, po shkruajmë pak radhë për historinë e Mustafë Elezit. U lind më 26 shkurt 1926 në Luginën e Valbonës, në fshatin e bukur dhe me plot histori të Dragobisë. Komunistët e vunë në shënjestër. Ishte 31 vjec kur mori rrezikun në sy. Nuk mund ta harrojë 19 shkurtin e vitit 1957 kur u arratis nga Qafa e Morinës. Në Kosovë njohu shoqen e jetës, Mehanen, të bijën e atdhetarit Ukë Qerim Neza(Shipshan) dhe u martua më 1962. Më 1967 nga Italai erdhi në Amerikë.U lidh me Vatrën.
Ramiz Lushaj ka shkruar për të: Mustafë Elezi, vatrani i sakrificave në botën e metastazës komuniste dhe i lumturimit në botën ringjallëse demokratike, kur i detyruar i mori udhët e mërgimit pati ligjërue: “Atdhe i dashtun besën po ta jap/ Kur të vijë Liria, do të kthehem prap…
Deshti Zoti që të ketë jetë e të mbajë besë me e sypa e me u shpritlumnue me kujtimet e vendet e veta. I vizitoi për herë të parë Shqipërinë Demokrative (në vitin 1991) dhe Kosovën e Pavarur (18 korrik 1999). Ka ardhë më shumë se 20 herë, po kushedi se si e përjeton zemra e mendja e tij zbritjen në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas?! Krenaria e lumturia e tij është e shumëfishtë se në këto njëqind vjet, në këto dy arritje kombëtare historike, në themeli e lartësi të tyre kanë kontributet e veta edhe “Vatra” (se është vatran veteran), edhe Amerika (se është shqiptaro-amerikan), edhe lisnaja e Jahelezëve (se është lis genetik fisnik i tyre).
U lidh që në fillim dhe për asnjë cast nuk iu nda Vatrës. As sot!
Faleminderit Mustafë Elezi!

Filed Under: Vatra Tagged With: Bujari Vatranesh, dalip greca, dielli, Mustafe Elezi

Mustafë Elezi, nga Dragobia në ShBA, një jetë mes dy botëve

February 12, 2014 by dgreca

Mosha nuk e ndanë Mustafë Elezin nga VATRA. Në mbledhjen e së dielës të 2 shkurtit 2014, Zef Përndocaj më dorëzoi një zarf nga Mustafë Elezaj, ku vatrani kishte vendosë një Chek me $1000.00! Kështu veproi dhe vitin e shkuar, edhe para dy vitesh, edhe para…! Faleminderit vatran i dimrit dhe beharit, sic thoshin vatranët e kohës së Nolit e Konicës. Po kush është vatrani veteran, Mustafë Elezi?/

Nga Dalip Greca/

Mustafë Elezi është një ndër shqiptarët që erdhi në SHBA në fundvitet ’60 të shekullit të shkuar. Ai jeton në shtëpinë e tij dy katëshe në Yonkers, NY. Ftesa qe i bera për një intervistë për sfidat dhe sukseset e jetës së tij, e gëzoi pa masë. Na priti në krye të shkallëve të shtëpisë dykatëshe. Atë ditë kishte mysafirë nga Shqipëria, të nipin me të shoqen, që të dy juristë. Mustafa ka siguruar një mirëqenie të kënaqshme falë punës  dhe përkushtimit të vetë atij dhe të fëmijëve, që i ka të mbarë e të suksesshëm. Suksesin e  tij e pasqyron dhe shtepia private ku jeton, komode dhe tradicionale ne mobilim.Ndjehet i gëzuar nga mirënjohja dhe përkujdesja që tregojnë fëmijët për të, për të cilët ai thotë se janë krenaria dhe gëzimi i jetës së tij. Ka investuar por dhe ata ia kanë shpërblyer. I ka shkolluar të gjithë dhe mundimi nuk i ka shkuar kot. Edhe pse vitet ia kanë shtuar pleqërinë, Mustafë Elezi nuk ndahet nga veprimtaritë  e komunitetit. As nga Shqipëria që e do aq shumë, paçka se ia patën mohuar. Udheton shpesh drejt Shqiperise. Kur shkova për ta intervistuar ishte në prag të një udhëtimi drejt vendlindjes. Vizitat në vendlindje, ia mbajnë shpirtin ngrohtë, siç shprehet vetë ai. Mustafa e ka mbajtë shpirtin gjallë edhe me poezitë e bukura që ka shkruar për lirinë, Flamurin kuq e zi, gjuhën shqipe, Atdheun dhe kombin tonë ilir.Në prag të 28 Nëntorit 2010 ai botoi librin e tij të dytë me titull”Nuk e harrova Malësinë e  Gjakovës”, një libër që i kalon kufijtë e një autobiografie. Në 465 faqet e librit ai përcjell shpirtin mëmëdhetar. Mustafë Elezi është bujar, gjithë jetën ka dhuruar për cështjen Kombëtare. Në mbyllje të vitit ai dhuroi njëmijë dollarë për gazetën më të vjetër të Shqiptarëve, gazetën Dielli, zërin e Federatës Panshqiptare”Vatra”.

***

Mustafë Elezi ndjehet vatran në shpirt dhe që prej vitit 1968, ku është bërë pjesë e saj, nuk mund t’i largohet.Ishte edhe në veprimtarinë e fundprillit te vitit 2009 organizuar nga Vatra në promovimin e librit “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha”, të Fahri Balliut, ndërsa në festimin e 98 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk mundi të vinte, por dërgoi mesazhin e tij, një poezi të bukur për 28 Nëntorin dhe Flamurin Kombëtar dhe kontributin e tij financiar. Është antikomunist me shpirt nga që komunizmi ia pat nxirë jetën, jo vetëm atij, por të gjithë fisit. Lufta më absurd e komunizmit shqiptar është ajo kundër familjeve nacionaliste. Familja e Jah Elezit të Dragobisë, pjesë e së cilës është Mustafa, në shekullin e shkuar ishte me emër në të gjithë Malësinë e Gjakovës e më tej. Ajo përmendej për tradita e trimëri në Kosovë , Plavë-Guci e Shqipëri. Para Luftës së Dytë Botërore, kjo familje e madhe prej më shumë se 50 anëtarësh i nënshtrohej rregullave të traditës patriarkale, ku punët përballeshin bashkë e miku pritej me bujari e besë. Familja e Jah Elezit ka jetuar në Dragobi dhe Çerem. Sa herë mësynin sllavët nga Gryka e Dragobisë, Eleztë ishin në ballin e luftës. Komunizmi këtë familje të madhe nacionaliste, e shpalli armike të popullit! Për pesëdhjetë vjet kalvari që përshkoi  familja e Jah Elezit, qe i përgjakur; me të pushkatuar, të burgosur e të internuar deri në vitin 1990.

Luftëtarët e lirisë shpallen armiq

Lufta e Dytë Botërore i gjeti Eleztë në ballin e Luftës për liri. Tre djemtë e Sali Jah Metalisë; Jah Sali Metalia, Abaz Sali Metalia dhe Mustafë Sali Metalia   ishin rreshtuar në radhët e luftëtarëve të lirisë kundër pushtuesve. Njëri vëlla, Jah Sali Metalia i ishte përgjigjur menjëherë kushtrimit për të shkuar në Kosovë. Ai kishte përfunduar gjimnazin e Shkodrës dhe ishte ndër ata djem që me thirrjen e parë të Mit’hat Frashërit shkoi në Kosovë. Gjatë kohës së pushtimit ai ishte kryetar i komunës së Junikut. Ishte koha kur një pjesë e inetelektualëve të Shqipërisë dhe të Kosovës menduan se ishte realizuar bashkimi kombëtar dhe rrezikuan veten për të shërbyer sipas aftësive intelektuale, kudo ku kishte nevojë Kosova. Ishte koha kur Ago Agaj, Kudret Kokoshi, e intelektualë të tjerë të Shqipërisë i shkonin në ndihmë Kosovës. Jah Metalia mbeti ushtar dhe idhtar i Mit’hat Frashërit dhe iu përgjigj thirrjes së tij. Në betejën e Junikut Jah Sali Elezi ishte në ballë të luftës. Tri ditë zgjati beteja, por heronjët u ndëshkuan duke u shpallë armiq të popullit. Komunistët shqiptar dhe ata jugosllavë  e akuzuan Jahon për bashkëpunim me pushtuesin, ndërkohë që Juniku i tij dhe e tërë Kosova ranë sërish në pushtimin sllav. Ai u masakrua së bashku me 100 kosovarë. U pushkatuan pa gjyq ata që deshën të mbronin Junikun dhe Kosovën.Familja Elezi trashëgonte patriotizmin e Jah Elezit, që kishte prirë në betejën e Valbonës. Ai kishte marrë pjesë së bashku me Bajram Currin në mbrojtje të Prizrenit, pat luftuar për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë dhe kudo ku kriste pushka e shqiptarit për liri.

Ish partizani shpallet armik i popullit!

Mustafë Elezi ishte vetëm 17 vjeç kur iu përgjigj thirrjes së Atdhut për të luftuar për liri. Ishte një ndër partizanët e vegjël në moshë të Brigadës 25  partizane. Kur partizanët çliruan Tropojën, i kërkuan atit të tij që të niste me ta djalin. Ishte djalë i ri plot ideale dhe mendonte se populli shqiptar pas lufte do të vendoste pushtet demokratik dhe do të gëzonte një jetë më të mirë.Sakrifikoi rininë e vet nëpër male në të ftohtë e shpesh i pangrënë. Luftoi që nga Tropoja në Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë etj. Por u zhgënjye shpejt; në vend të demokracisë komunistët vendosën diktaturën më të egër në të gjitha vendet ish komuniste.Jo vetëm kaq, por komunistët shqiptarë  bënë pakt vëllazërimi dhe u bashkuan me Titon duke zhgënjyer vëllezërit kosovarë. Ata dorëzuan Kosovën dhe shumë nga djemtë shqiptarë që kishin ushqyer iluzionin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ose kishin luftuar me parullën “Kosova është Shqipëri” , u ndëshkuan. Tronditjen më të madhe Mustafë Elezi e pësoi kur u kthye nga lufta, shtëpia e tij në Dragobi ishte djegë nga bashkëluftëtarët e tij partizanë. Ishte një zhgënjim tronditës. Familja e madhe qëndronte në qiell të hapur, pa patur një strehë ku të fusnin kokat. Shpërblim i bukur për kontributin e dhënë në luftë!-psherëtinë gjatë rrëfimit Mustafë Elezi.Ai i kishte kërkuar pushtusit nëpër male, por ata paskishin qenë aq pranë!

Era e së keqes po frynte me tersëllimë edhe në grykën e Dragobisë. Tani sllavët nuk vinin më me taborre sulmi përmes luginës së Valbonës për ta ndalë turin tek shpella e Bajram Begut! Ata ishin ulur këmbëkryq në Tiranë dhe u dorëzonin komunistëve shqiptarë listat e atyre që kishin luftuar për një Kosovë bashkë me Shqipërinë, pra ishin kundër vëllazërimit me serbët. Pas djegies së shtëpisë erdhën të tjera fatkeqësi për familjen Elezi; në vitin 1945 komunistët kishin pushkatuar pa gjyq xhaxhanë e Mustafës; Asim Jah Elezin, duke lënë në katër rrugë të shoqen dhe tre fëmijët e tij.Mustafës ende nuk i kishte ardhë radha. Ai kishte ende meritat e luftës. Po sa do ta mbronin ato? Vazhdonte të shërbente si nënoficer në ushtri duke qenë shef i prapavijës në batalionin e  artilerisë bregdetare. Dukej se ishte larg rrëbeshit që po i rrëzonte një nga një burrat e familjes Elezi, por ky ishte vetëm iluzion i përkohshëm.Tragjedia vazhdon të godasë familjen e madhe të Elezëve me një fuqi goditëse si një tërmet nëntë ballësh; në vitin 1946 arrestohet tek po kryente shërbimin ushtarak në brigadat shqiptare në Maqedoni, vëllai tjetër i Mustafës. Tragjedia në familjen e Jah Elezit nuk ka të ndalur. Rrethi po i afrohej edhe vetë Mustafës. Arrestohet dhe vëllai tjetër i tij, Adem Sali Elezi, ish myfti në Kukës, vetëm pse predikonte Kosova dhe Shqipëria janë një. Pas pak kohësh në pranga përfundon edhe xhaxhai Azem Jahja, ish imam në Tropojë.Të dy ata u përballën përmes një kalvari të tmerrshëm nëpër burgjet e diktaturës komuniste. I vetmi “faj” i tyre ishte nacionalizmi, patriotizmi ndaj Kosovës, e cila i ishte dorëzuar Jugosllavisë.

Arrestimi i Mustafë  Elezit

Mustafa po e parandjente se po i afrohej arrestimi edhe pse tregohej i kujdesshëm, që të mos i shpëtonte asnjë fjalë e pamatur apo ndonjë gabim teknik në detyrën që kryente, ai nuk mundi ta shmangte të keqen. Hafijet kishin filluar t’ia përgjonin hijen. Iu vunë prangat në vitin 1949.Ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Shëngjin të Lezhës në artileri bregdetare, kur dëgjoi akuzën e tmerrshëm: “Në emër të popullit je i arrestuar!”. Filluan edhe për atë vuajtejt dhe torturat e tmerrshme. Hetuesia vazhdoi për më shumë se dy muaj. Një hetuesi e ashpër me tortura spartane të huazuara nga rusët ra mbi të. Pas hetimit, ku ai nuk pranoi asgjë, erdhi gjyqi ushtarak.U gjykua për faje që nuk i kishte kryer. Cilësohej armik ai që kishte luftuar për liri. Nuk kishte as avokat që të mbrohej; prokuror, gjykatës, avokat ishte Partia Komuniste. Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg, ndërsa trupi gjykus e la me tetë vjet. Nga burgu i Tiranës e çuan në Korçë. Atje u përball me vdekjen. Këneta e vdekjes mori shumë trupa të sfilitur të burgosurëve politikë. Mustafa thotë se ishte me fat që i shpëtojë vdekjes. Në kujtesë ka ende ënjtjen e trupit nga sëmundja e skorbutit, që ra mes të burgosurve dhe mori shumë jetë. Edhe Mustafa s’mund të bënte përjashtim. Dr. Isuf Hysenbegasi, që ishte i burgosur, arriti t’i shpëtojë duke kërkuar me këmbëngulje domate në mungesë të vitaminave për të burgosurit. Nuk i harrohet as Ram Halili, një i burgosur , që e ka lënë policët tërë ditën në diell e tërë natën jashtë, të lidhur këmbë e duar dhe më pas çonin tek ai të gjithë të vargun e të burgosurve, që ta pështynin. I shkreti, mezi e përballoi Maliqin, por nuk përballoi Peqinin. Vendosi që të ikte nga skëterra, por e tradhëtoi shoku me të cilin pat vendosë të arrastisej. Ai ishte spiun dhe në momentin e arratisjes e kapën dhe e vranë Ramën. Nga viti 1949 deri në vitin 1957 jeta  e Mustafës kaloi sprovat e qëndresës në burg dhe kampet e internimit. Ka punuar edhe në kanalin Peqin-Kavajë. Aty ka gjetë vëllanë e vet Ademin. Vuajtjet nuk kishin të mbaruar. Më pas e kanë çuar në ndërtimin e fushës së aviacionit në Kuçovë. Nuk mbaruan me kaq vujatjet. Pasi të burgosurit përfunduan ndërtimin e  fushës së aviacionit i dërguan në ndërtimin e kanalit Vjosë-Levan-Fier.Vuajtën shumë në Shtyllas.Një vit e gjysëm ka qëndruar në ndërtimin e kanalit.Më pas i kanë çuar për ndërtimin e fushës së aviacionit në Tiranë.Edhe pse kampi ruhej në mënyrë të rreptë, pesë nga të burgosurit hartojnë një plan arratsije. Të prirur nga Abaz Korçari ata hapën një kanal të nëndheshëm në fshehtësi dhe hartuan planin e arratisjes. Pasi kanë bërë gati kanalin, kanë dalë, por në dalje e sipër i ka dikutuar roja dhe ka qëlluar me breshëri automatiku. Njëri prej të arratisurëvë është vra. Pas kësaj ngjarjeje në kamp ka shkuar vetë Mehmet Sheu dhe u ka mbajtë një fjalim të ashpër, duke i cilësuar armiq, të poshtër e fundrina të shoqërisë. Pas kësaj ngjarjeje kanë shtuar masat e sigurisë.Vuajtjet ishin të pafundme.Kur është liruar nga burgu, Mustafa e ndjeu veten të shkatërruar e tepër të lodhur.

Mbushet kupa e vuajtjeve, vendosë të arratiset

Në vitin 1957 kishin filluar sërish dënimet dhe internimet masive. Familja Elezi kishte ndërtuar një shtëpi të re me 12 dhoma pas asaj që ia dogjën gjatë luftës. Edhe këtë shtëpi ia kishin marrë komunistët dhe po përgatitej internimi masiv pasi ishin shpallë kulakë, duke u hequr edhe kartat e Frontit.I erdhi në mbrëmje një mik nga Kolgecaj. Mustafa kish qenë në luftë me mikun e tij. Ai e lajmëron se kishin sjellë nga lartë listat e internimeve të reja. Në këto lista ishin të parët emrat e atyre që ishin liruar nga burgjet, ku ishte dhe emri i Mustafës. Falenderoi mikun dhe vendosi që të arratisej. S’kishte rrugë tjetër, ndryshej do t’i duhej të mbyllej në kampin e internimit, ku dera e burgut mbetej përherë e hapur. Ka qenë një ditë e ftohtë dimri. Binte dëborë.Kaloi mesnatë në Morinë, ku u strehua në një familje myftinjësh, që aty në postë të policisë. Të nesërmen e dërguan në Junik, ku dha intervistën. I dhanë strehim politik dhe e transferuan në Prishtinë, ku gjeti shumë nga anët e veta.Më pas e vendosën në Ferizaj. Një jetë e re nisi në Ferizaj. Për dhjetë vjet jetoi mes shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë pjesa e familjes së mbetur në Shqipëri vazhdoi të përballej me dhunën komuniste. Pas ikjes së tij u arrestua vëllai, Jakup Elezi, që ishte në moshën 60 vjeçare.Arrestimi i vëllait erdhi në vitin 1957. Një vit më pas u arrestua Abazi, i cili në moshën e  arrestimit nuk ishte më shumë se 30 vjeç. Gati të gjithë meshkujt e familjes së madhe Elezi provuan ferrin e burgjeve komuniste. Arsyeja ishte se diktatura kishte vendosur që t’ia ulte kryet nacionalizmit shqiptar. Në vitin 1960 dy vëllezërit e Mustafës, Jakupi, që kishte dalë nga burgu, së bashku  me bashkëshorten, Zizën e djalin si dhe Xhemajli me djalin, arratisen duke dalë në Gusi. Ata dolën pas një beteje të ashpër me forcat e kufirit. Kjo ikje në grup e me luftë ishte si reagim dëshprues ndaj burgosjeve dhe internimeve masive të fisit Elezi. Përveç burgosjeve qeveria komuniste mbajti në internim 85 pjestarë të familjes Elezi derisa u shemb sistemi dhe erdhi demokracia. Ndërsa nipi i Mustafës, Riza, u vra dhe mbeti pa varr.

Kur e pyes  Mustafën, pse komunizmi e kishte stërmunduar aq shumë familjen  Jah Elezi, ai përgjigjet me një rrëfimin e një ngjarjeje, që ka ndodhë në Dragobi në vitet e luftës: Ka shkuar atje Fadil Hoxha i shoqëruar me disa serbë dhe ka mbledh popullin dhe u ka folë për vëllazërimin dhe miqësinë pas lufte.Është ngritë i ati Mustafës, Sali Jah Elezi dhe i ka thënë:Fadil Hoxha: Ti je shqiptar dhe je i mirëpritur mes shqiptarësh, por jo me ata që ke me vete. A mund ta harrojmë ne përgjakjen me sllavët në Plave e Guci, në Prizren, Dragobi etj? Mos na i fut sllavët në shtëpi se nuk kanë besë. Ndoshta që atëherë familja e Jah Elezit u fut në rreth të kuq.

Rrugëtimi drejt lirisë

Në Ferizaj Mustafa e rregulloi në një farë mënyre jetën e tij. Aty u martua me një vajzë nga dera e Nezajve nga Malësia e Gjakovës. I lindën tre fëmijë atje, dy djem dhe një vajzë. Mërgimi, Bashkimi dhe Shpresa. Ata ia mbushën jetëm me gëzim, por dhe ia rritën detyrimin për të gjetur një shteg drejt perëndimit. Kjo ishte ëndërra e Mustafës. Jeta në Ferizaj po bëhej përherë e më e vështirë. Shërbimi i fshehtë Jugosllav po shtonte provokimet dhe presionin mbi nacionalistët. Disa nga shqiptarët kishin pranuar që të bëheshin bashkëpunëtorë të UDB, një pjesë rezistonin derisa të gjenin një shteg për të dalë në Evropë.Mustafa thotë se u qëndroi larg ofertave për bashkëpunim. Të bëhej spiun i Beogradit do të ishte një tradhëti për idealet e njerëzve të tij të përgjakur me serbët. Kështu që ai u përpoq që të gjente një mënyrë shpëtimi për t’iu larguar së keqes.

Qëllimi i Mustafë Elezit ishte emigrimi në SHBA. Mes shqiptarësh kishte filluar qarkullimi i pasaportave, me të cilat mund të kaloje deri në Trieste e më pas nuk hynin në punë. I  siguruan pasaportat me anë të Nderim Kupit dhe Abedin Mulosmanit. U larguan nga ish Jugosllavia në gusht të vitit 1967. Kaluan nga Ferizaj në Beograd, që andej në Triestë. Familja përbëhej prej pesë vetëve; Mustafa me bashkëshorten dhe tre fëmijët si dhe familja e Muharrem Elezit prej tre vetash. Askënd nuk njihnin në Beograd. Dikush u kishte rekomanduar Dom Preng Ndërvashaj.Telefonin e tij ua kishte dhënë  Abedin Mulosmanaj.I telefonoi Preng Ndervashës dhe i kërkoi ndihmë. I tha se ishin tetë vetë në Beograd dhe donin të kalonin në Itali, por nuk dinin se si dhe ku të shkonin.Askush nuk i priste.

Ai udhëzon që sapo të arrinin në Trieste t’i hidhnin pasaportat dhe të merrnin taksi e të paraqiteshin në kampin e emigrantëve në Trieste. Atje, u kishte thënë dom Ndërvasahj, do t’i priste nipi i tij. Ashtu vepruan. Morën trenin dhe u nisën. Sapo kanë mbërritur në Triestë kanë marrë taksinë dhe janë paraqitur në kampin e emigrantëve. I priti i nipi i Preng Ndërvashës. Interpoli i mori në intervistë. Që aty i dërguan në Latina, ku qëndruan gjashtë muaj. Më pas i mori ambasada amerikane dhe i intervistoi. Edhe sot në kujtesën e Mustafë Elezit ka mbetur sjellja shumë e ngrohtë e personelit amerikan.Mirëpo dikush e bllokoi familjen Elezi në çastet e fundit. Ishte një urdhër i Ministrisë së Brendshme që s’dihet se në ç’rrethana u gatua. Më pas i vendosën në San Piage. Atje jeta ishte e vështirë. Mustafa së bashku me Hasan Isufin dhe Halil Hamzën, shkuan në Vatikan për të kërkuar ndihmë. Atje takuan Preng Ndërvashaj.Shkon dhe Gjon Markaj dhe pasi bisedon me ta bën një raport për në Ministrinë e Brendshme Italiane.Pas gjashtë muajësh Italia ua hapi dritën jeshile drejt Amerikës. Nuk e harron atë ditë Mustafë Elezi. Ka qenë 24 shkurt 1968. Edhe pse qe ditë e ftohtë dimri, Mustafa thotë se ai dhe e gjithë familja, fëmijët më shumë, ndjenin ngazëllimin e një pranvere në shpirt.

Fillimi i vështirë në SHBA

Me ndihmën e mikut Uk Qerimi,  u vendos në Bronx të Nju Jork-ut, në një apartament, që u kish zënë ai me rentë. Ëndërra për të ardhë në Amerikë e kishte munduar tërë jetën Mustafë Elezin, por kur u vendos aty e pa se në jetë nuk ishte si ëndërr. Mosditja e gjuhës angleze i shumëfishonte vështirësitë. Italishtja dhe ajo pak frëngjishte që dinte nuk i hynin në punë. E kujton fillimin e vështirë, ku në një bllok të vogël shënonte emrat e rrugëve që të mos humbte dhe kërkimet e pasuksesshme për të gjetur një punë për të mbajtë familjen e për të paguar rentën. Kaluan shtatë muaj pa punë dhe vetja po i  rëndohej çdo ditë e më tepër. Në ndihmë i ka ardhë miqësia dhe shoqëria, që i kanë dhuruar ndihma për  të jetuar e për të paguar rentën.Pas shtatë muajësh ka qenë Imam Isa Hoxha, që Mustafën dhe shumë të tjerë nga Malësia e Gjakovës i ka  sistemuar në pastrime në Manhattan në 14 rrugë, në avenunë e parë. Mustafa u ndje mirë aty nga që i hyri në punë italishtja. Pronari ishte Italian dhe kuptoheshin shumë mirë me njëri-tjetrin.Ai kujton se ndihmoi edhe shqiptarë të tjerë si Xhaferr Elezin, Sali Nezën e shumë të sapoardhur, që më vonë krijuan bizneset e tyre e u bënë me emër në Amerikë. Më pas, Mustafa, nisi një punë tjetër, duke larë dritaret. Iu desh kohë derisa të stabilizohej si portier  në Muzeun Metropolitan në Avenunë e Pestë në Manhatan. Aty punoi derisa doli në pension.

Nga çështja kombëtare s’hoqi dorë. Mustafa u anëtarësua që në fillim në Federatën Panshqiptare Vatra. Ia kishte dëgjuar emrin e madh Vatrës dhe mori një grup shokësh dhe trokiti në derën e saj në qershor 1968.Që atëherë nuk u nda nga Vatra duke qenë pjesmarrës i rregullt në veprimtaritë që organizonte federata. Ka qenë edhe aktivist i Xhamisë. Ishte ndër mbështetësit e ndërtimit të Xhamisë në Brooklyn. Ashtu siç çdo popull këtu në Amerikë ka faltoret e veta edhe muslimanët shqiptarë duhej të kishin faltoret e  tyre, thotë ai.

Për tetë vjet ka qenë nënkryetar i Këshillit të xhamisë, në kohën kur kryetar ishte Rexhep Kumbarçe, apo më vonë me Abdulla Kaloshin. Në kujtesë ka shumë aksione për mbledhjen e të hollave në ndihmë të xhamisë. Kështu në kohën e Rexhep Kumbarçes ai udhëhoqi një aksion të sukseshëm, ku u mblodhën rreth 90 mijë dollarë, një shumë e madhe për atë kohë. Ka qenë dhe sekretar i xhamisë. Përpara se të ndërtohej xhamija, Mustafë Elezi ishte pjesë e komisionit ndërfetar të shqiptarëve, në kohën kur Imam Isa Hoxha bashkëpunonte ngushtësisht me Monsinjor  Zef Oroshin dhe Kishën Orthodokse të Bostonit.

Në kujtesë ka ditën e  inaugurimit të Qendërs Islame Shqiptare në Bruklin, kur kishin ardhë për t’u gëzuar me ta shumë shqiptarë nga shtetet e Amerikës, madje edhe nga Kanadaja. Në gëzimin e tyre ishte bërë pjesë edhe “Zëri i Amerikës”. Mustafa ka mbajtë fjalimin atë ditë dhe është duartrokitë e përgëzur për fjalët atdhetare, që tha aty.

Së bashku me Abdulla Kaloshin ai ishte përkrahës dhe pjesmarrës në të gjitha demonstratat e komunitetit shqiptar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe atyre kundër komunizmit në Shqipëri. Në demonstrata, kujton ai, nuk mungonte asnjëherë  Imam Isa Hoxha.Ai kujton se 3 mijë shqiptarë kanë demonstruar në Washington.Mustafa ka qenë përherë i dashuruar pas fjalës shqipes. Ai ka shkruar në vazhdimësi poezi për ngjarje historike dhe ato ngjarje që ka përjetuar vetë dhe që i kanë lënë gjurmë në shpirt. Për shumë kohë ka qenë dhe një nga drejtuesit e revistës ”Pëprjekja jonë”, duke qenë nënkryetar i Këshillit Botues. Ishte jo vetëm fetare revista, por edhe letrare. Mustafë Elezi, nuk është  kursyer për çështjen kombëtare.Ka kontribuar qoftë për Vatrën, qoftë për xhaminë dhe në të gjitha veprimtaritë, ku ka marrë pjesë. Mustafa së bashku me Ahmet Rexhepin dhe Hasan Gashin ka hapur shkollën shqipe, të cilën e mbajtën për dy vjet në Nju Jork. Ka qenë edhe anëtar i këshillit të Vatrës deri në vitin 2002.

Krenaria për sukseset e  fëmijëve

Familja Elezi, siç respektonte kodin tradicional të besës e të traditës, po ashtu shkollonte gjeneratën e  re. Vetë Mustafa kishte marrë arsim të rregullt të kohës, kishte studiuar për finance në Ferizaj. Vëllai, Jaho, që u pushkatua në Pejë, ka pasë mbaruar gjimnazin në Shkodër, një vëlla tjetër ka pasë studiuar në Medrese në Tiranë; edhe një kushëri i tij, Hysni Hoxha ka qenë një ndër nxënësit e shkëlqyer të Medreses në Tiranë dhe është përzgjedhur si ndër më të mirë për të vazhduar studimet e larta të Kajro. U diplomua shkëlqyshëm për Teologji dhe filozofi. U bë një ndër profesorët e Universitetit qendror të Arabisë Saudite, ku dha mësim deri në vitin 1972. Kur erdhi në SHBA dhe u bë pjesë e demonstratave dhe u thoshte shqiptarëve; në vend të përshëndetjes ”tungajtjeta”, përshëndetuni me njëri-tjetrin me fjalën ”Kosova”. Mustafë Elezi ndjehet i gëzuar sepse investimi më i madh i tij ka qenë në shkollimin fëmijëve. Të tre fëmijët e lindur në Ferizaj dhe dy të lindur në SHBA; Sanija dhe Nderimi, i janë përkushtuar  arsimimit të plotë dhe kanë arritur suksese në jetë. Mërgimi, djali i madh, pasi përfundoi shkëlqyshëm shkollën e mesme, studio në Peas University, Bashkimi i ka kryer studimet universitare në Iona College në New Roshell.Të dy djemtë kanë arritur rezultate të shkëlqyera në studimet universitare. Mërgimi punoi shumë kohë si anlalist në Golden Sections, tani është Chif  Ekzecutiv for Information në City Group. Ndërsa Bashkimi ka punuar menaxher në një kompani ndërtesash në Manhattan, ndërsa tani vazhdon që të merret me Realy State.Ai ka kompaninë e vet. Vajza e madhe, Shpresa, e lindur në Ferizaj, edhe pse kishte përfunduar shkollën e mesme shkëlqyshëm, sipas traditës u martua për t’iu përkushtuar familjes, por nuk iu nda shkollës së lartë derisa përfundoi studimet në Adelphi University.

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, Mustafe Elezi, nga Dragobia ne ShBA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT