Shkruan: Prof. Asoc, Dr. Enver Bytyçi/Nesër mbushen 18 vite nga koha kur avionët e NATO-s filluan bombardimet kundër caqeve ushtarake të Serbisë. Në orën 19. 45 të datës 24 mars 1999 avionët e Aleancës lëshuan mbi Jugosllavinë e mbetur bombat e para, duke shënuar fillimin e një fushate historike për t’i dhënë fund një konflikti më shumë se njëshekullor në Kosovë. Presidenti amerikan, Bill Clinton, atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se ai kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Duke njoftuar urdhërin e tij për bombardimet kundër Serbisë, Bill Clinton u tha amerikanëve se “Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Milosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftra të tmerrshmë në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”. Presidenti amerikan në atë fjalim para kombit amerikan përcaktoi dhe objektivat strategjike të operacioneve ushtarake, të cilat konsistonin në demonstrimin e forcës kundër agresionit të Milosheviçit në Kosovë, që ai të ndalë sulmet kundër civilëve të pambrojtur, si dhe të dobësohej fuqia ushtarake e Serbisë, me qëllim që ajo të mos mund të vazhdonte me tej agresionin e saj ushtarak në Kosovë. Dhe jo vetëm Bill Clinton… Thuajse në të njëjtën njëjtën orë dolën atë natë në ekranet e televizioneve kombëtare udhëheqësit kryesorë të Europës Perendimore për t’u kumtuar popujve të tyre vendimin për t’i ardhur në ndihmë një populli që po përndiqej, masakrohej dhe shpërngulej prej trojeve të veta, shqiptarëve të Kosovës. Tony Blair në Londër, Gerhard Schreoder në Berlin, Shirak në Paris e të tjerë burra shteti u detyruan të justifikonin aksionin ushtarak të ushtrive të tyre, me qëllim që ky aksion të merrte dimensionet e veta reale. Kancelarit gjerman i duhej të shpjegonte se pse Gjermania për herë të parëpas Luftës së Dytë Botërore do ta nxirrte ushtrinë e saj jashtë kazermave të mbyllura e do t’i bashkëngjitej veprimeve luftarake të Aleancës. NATO për herë të parë në historinë e saj 50 vjeçare u bashkua njëzëri për t’i dhënë një mësim të mirë agresionit serb në Kosovë dhe për të parandaluar katastrofën humanitare dhe zgjerimin e konfliktit në rajon. Ishte aksioni i parë ushtarak i Aleancës në një territor jashtë vendeve anëtare të saj. Ishte gjithashtu kthesa më e rëndësishme në vendosjen e rendit të ri botëror pas rënies së Murit të Berlinit. Ishte kjo një ndërmarrje ushtarake më e madhja në historinë e NATO-s, pas shterrimit të të gjitha mjeteve diplomatike e politike preventive për t’i dhënë fund terrorit serb të Milosheviçit në Kosovë. Katër ditë pas fillimit të bombardimeve,më 28 mars, ministri i Mbrojtes i Gjermanisë, Rudolph Scharping kishte folur për herë të parë “për krime kundër njerëzimit” të Beogradit në Koosovë. Ndërsa pak ditë më pas, ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, masakrat e dhunën e Milosheviçit në Kosovë i konsideroi si “Makineria e vdekjes e Milosheviçit” dhe foli për “SS-të serbë”, ndërkohë që kundështarët e sulmeve të NATO-s i quajti “përkrahës të fashizmit të ri”. Fischer shkoi më tej, kur masakrat në Kosovë i krahasoi me Aushvicin. Ai u shpreh se “Nuk kam mësuar vetëm nga nocioni “kurrë më luftë”, përkundrazi, kam mësuar nga nocioni “kurrë më një Aushvic i ri”. Po ashtu Tony Blair paralajmëroi se Europa nuk mund të pranonte që në fund të shekullit të XX të përsëritej koha e nazizmit. Nato vazhdoi bombardimet e saj kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë në një hark kohor prej 78 ditësh. Gjatë gjithë kësaj kohe Aleanca koordinoi jo vetëm programin e përditshëm të sulmeve ajrore, por edhe operacionin mediatik, me qëllim që opinioni publik të ishte gjithnjë i informuar dhe të mbështeste operacionet ushtarake të NATO-s. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bruksel dhe në disa qendra të tjera europiane u krijuan qendrat mediale të informacionit. Më e rëndësishmja prej tyre ishte Qendra Mediale e Operacioneve (Media Operations Centre – MOC) në selinë e NATO-s në Briuksel, ku u angazhuan së paku 20 ekspertët më të mirë të përpunimit të informacionit. Këtë qendër e drejtonte Alastair Campbell, një nga këshilltarët më të zotë te Tony Blair. U formuan gjithashtu kompanitë e performancës së imazhit të luftës. Të gjithë personazhet mediatikë, zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea, gjeneralët, ekspertët, politikanët, u angazhuan të argumentonin se “Përse kjo luftë kishte kaq shumë rëndësi për rendin e ri botëror”. Zëdhënësi Jamie Shea thoshte se “Kosova ishte e para luftë mediatike. Përdorimi i medias, beteja për përpunimin e opinionit ishin po aq të rëndësishme sa edhe sulmet ajrore”. Ndërkaq videokonferencat patën një efekt të jashtëzakonshëm sa i përket ritmikës së trajtimit të tematikave dhe proceseve. Megjithatë, siç ndodh në të gjitha rastet e konflikteve në botë, edhe në rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë konflikti çoi në polarizimin e palëve kundërshtare. Kundërshtarët e intervenimit të NATO-s në Kosovë e trajtuan konfliktin si pjesë të interesit dhe strategjisë së Perendimit dhe NATO-s, veçmas SHBA-ve, për zgjerimin e zonave të influencës. Organizatat e Lëvisjes për Paqen demonstruan dhe protestuan fushqishëm kundër luftës dhe ndërhyrjes së Aleancës në Kosovë. Në këto demonstrime kishte ndikim dhe intervenim nga pala kundërshtare Serbia dhe Rusia. Por pati gjithashtu raste kur kjo qasje u dekonspirua. Psh gjatë një proteste anti-NATO në Berlin protestuesit me kombësi serbe kishin hedhur parullat “Vdekje shqiptarëve”! Kjo e kompromentoi qëllimin e protestës, sepse në opinionin publik perendimor u dha mesazhi se “kërkohej ndalimi i përdorimit të forcës, për të legjitimuar dhunën e terrorin serb në Kosovë”. E gjithë dinamika e zhvillimeve të 78 ditëve të intervenimit ushtarak të NATO-s për Kosovën u zhvillua përmes debatit, nëse sulmet ajrore të saj ishin ose jo legjitime. E vërteta është se për këto sulme nuk pati një mandat të Këshillit të Sigurimit, siç edhe parashikohet në nenin 52 të Kartës së OKB-së. Kjo ndodhi për shkak se Rusia paralajmëroi veton e saj sa i përket autorizimit të aksionit ushtarak kundër Serbisë. Mungesa e një mandati të Këshillit të Sigurimit i çoi shumë ekspertë të konkludonin se bombardimet e NATO-s në Kosovë ishin të paligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Formalisht kjo ka një impakt jolegjitimiteti. Por në përmbajtje ekziston një e vërtetë tjetër substanciale. Kjo për disa arësye: 1. Masat e diplomacisë preventive të Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërprerjen e dhunës serbe në Kosovë jane unikale, të papërsëritshme, së paku deri në këtë kohë. Për t’i dhënë fund këtij konflikti bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të, NATO dhe BE punuan në koordinim me njëri-tjetrin në një periudhë kohore të gjatë. Ata u udhëhoqën nga përvoja e mëparshme e mosveprimit në Bosnjë, ku makineria ushtarake serbe shkaktoi terror masiv e masakroi mbi 150 mijë muslimanë, në emër të idesë së çmendur të “Serbisë së Madhe”. Cituar nga historiani me famë europiane, Holm Sundhaussen, Milosheviçi më 1989 kishte deklaruar se “Serbia ose do të bëhet e madhe, ose nuk do të ekzistojë fare”. Kjo formulë hitleriane e kishte zgjuar komunitetin ndërkombëtar. Prandaj bota demokratike krijoi instrumentet e parandalimit të dhunës e agresionit serb në Kosovë. U krijua Grupi i Kontaktit, në të cilin bënin pjesë SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Italia. Këshilli i Sigurimit e shqyrtoi situatën në Kosovë katër herë dhe në rezolutën 1190 të 30 shtatorit 1998 arriti në përfundimin se “Situata në Kosovë rrezikon një katastrofë humanitare dhe që ta përhapë konfliktin në të gjithë rajonin”. Ky konstatim, i votuar edhe nga Rusia, sipas kapitullit VII të OKB-së justifkon ndërhyrjen ushtarake për t’i dhënë fund konfliktit. Nëse Rusia nuk dha Ok e saj për këtë operacion, kjo ka të bëjë kryekëput me interesat e saj gjeopolitike, por jo me qëllimet dhe misionin që përcakton Karta e OKB-së. Kjo do të thotë se legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë e ka cënuar qëllimisht e drejta për veto e Rusisë. Ndërkohë përmbajtësisht ajo parashikohet në Kartën e OKB-së, përkatësisht në kapitullin VII të saj. 2. Legjtimitetin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë e përforcon fakti se para kësaj ndërhyrjeje u zhvillua në Ramboullet të Francës Konferenca për Kosovën, marrëveshjen e së cilës e firmosi pala shqiptare dhe e refuzoi pala serbe. Refuzimi i marrëveshjes nga Beogradi ishte fundi i një procesi dialogues dhe preventiv që konflikti të zgjidhej me mirëkuptim dhe në mënyrë paqësore. 3. Por këtë legjitimitet e përforcon gjithashtu fakti se në përfundim të luftës Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë të posaçme, atë me nr 1244, e cila e vuri Kosovën nën protektoratin ndërkombëtar dhe sigurinë e saj nën autoritetin e NATO-s. Kjo rezolutë e votuar edhe nga rusët pas kapitullimit të Milosheviçit e shndërroi në null gjithë procesin e mëparshëm, duke legjitimuar jo vetëm bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, por edhe duke përcaktuar të ardhmen e Kosovës sa i përket statusit dhe ushtrimit të vullnetit politik të shqiptarëve dhe banorëve të tjerë të saj. 4. Sa i përket legjitimitetit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ekspertiza mund të operojë edhe me një lloj deduksioni të tillë: Nëse Këshilli i Sigurimit do të autorizonte një ndërhyrje të forcës në Kosovë e ndërkohë NATO nuk do të donte ta ndërmerrte këtë aksion, cili do të ishte rezultatntja e një autorizimi të tillë? Eshtë krejt e natyrshme se Këshilli i Sigurimit nuk mund të impononte një aksion ushtarak të NATO-s. Helmetkaltërit e OKB-së do viheshin në situatën e masakrës së Sebrenicës. Prandaj më i rëndësishëm se një autorizim i KS ishte dhe mbetet vullneti i vendeve anëtare të NATO-s për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Kompaktësia e vendeve anëtare të NATO-s ishte suksesi më i madh i këtij aksioni. Duhet thënë se në këtë proces pati përpjekje për të ndaluar sulmet me rastin e festave të Pashkëve Ortodokse, por ato përpjekje dështuan. Një inciativë të tillë e ndërmori ministri i Jashtëm i Italisë, Lamberto Dini, i mbështetur nga Greqia dhe Franca, por Madllein Olbright dhe Joschka Fischer paralizuan përpjekjet e tyre për t’i dhënë Milosheviçit një sinjal se ai mund të tolerohej në terrorin që ushtronte kundër shqiptarëve në Kosovë. Më 9 qershor 1999 u nënshkrua në Kumanovë marrëveshja për paqen midis NATO-s dhe përfaqësuesve të Milosheviçit. Më 10 qershor u miratua në KS të OKB-së rezoluta 1244, e cila e shkëputi Kosovën përfundimisht nga Serbia dhe i dha asaj të drejtën për vetëvendosje. Më 12 qershor 1999 trupat ushtarake të NATO-s nën siglën e KFOR-it hyjnë në Kosovë dhe e vendosin atë përfundimisht në hartën e një vendi të lidhur me Aleancën Atkantike, Bashkimin Europian dhe vlerat amerikane të demokracisë. Pa këtë ndërhyrje Kosova nuk do të mund të shpallej e pavarur më 17 shkurt 2008. Megjithatë asaj i mbetet ende rrugë derisa të pranohet në OKB dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Kosova ka nevojë të integrohet në BE e sidomos në NATO. Institucionet e saj nuk duhet të harrojnë se mund të konsolidohen së pari përmes përkushtimit të politikës, por edhe përmes mbështetjes së vazhdueshme të NATO-s, SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.
NATO, SHBA DHE USHTRIA E KOSOVES
NATO DHE SHBA TE SHQETSUARA RRETH PLANIT TE KOSOVES PER TE KRIJUAR USHTRINE E SAJ/
Pergatiti per Diellin Gjon Kadeli/
Presidenti i Kosoves Hashim Thaci paraqiti nji projektligj ne parlament, ne te cilin kerkohet “shendrrimi i Forcave Kosovare te Sigurise ne nji ushtri te rregullt.” Ai shtoi se ky asht nji hap normal i nji shteti sovran e te pavarun. Ky plan ka per qellim per te mbrojtun sovranitetin toksor dhe integritetin, per te mrojtun Kosoven si edhe per te ruejtun paqen ne rajon.”
Por, Sekretari i Pergjithsem i NATO-s Jens Stoltenberg tha se u ka thane udheheqesve te Kosoves se “pa nji ndryshim ne kushtetute, veprime te njianeshme si keto,jane te pa pershtateshme.”
Stoltenberg shtoi se, aleanca mund te paksoje bashkpunimin me Forcat Kosovare te Sigurise, ne qofte se qeveria e zbaton planin ne fjale; i cili kundershtohet ne menyre te forte, si nga pakica kombetare Serbe
ne Kosove dhe nga Beogradi.
Edhe Uashingtoni asht i shqetsuem. Keshilltaret Amerikan, stervisin dhe kane ndihmue ne organizimin e Forcave Kosovare te Sigurise. Edhe Ambasadori i Shteteve te Bashkueme ne Kosove, bani nji deklarate
lidhun me kete ceshtje, ne te cilen tha se perkrah nji transformim shkalle- shkalle dhe te qarte, ne nji force shume etnike, qe perputhet me rregullat e NATO-s. Ai shtoi se Uashingtoni asht i shqetsuem, sepse
plani i Thacit u njoftue,pa ndryshue kushtetuten e vendit. Pati rreagime te lloj-llojshme nga ana e Beogradit e kompani.
Muejin qe kaloi, gjate vizitave vecas qe bane ne Kosove Stoltenberg dhe Komandanti i Pergjithshem i forcave aleate ne Europe, Gjenerali Kurtis Skaparroti thane se NATO-ja e ka sigurue Kosoven se ne ate vend do te mbahen forca te NATO-s sa te jete e nevojshme prania e tyne.
AD
Ivanov i ankohet BE-së, NATO-s dhe… Turqisë për Platformën Shqiptare
Ivanov i shkruan SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe Turqisë – kërkon të dënohet platforma shqiptare/
Në një letër dërguar presidentit amerikan Donald Trump, kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov tha se dënimi i kësaj platforme është mënyra, sipas tij, më e mirë për kapërcimin e krizës politike.
Platforma shqiptare, veç tjerash parasheh rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, e pranuar edhe nga LSDM-ja opozitare, e cila ka arritur marrëveshje koalicionimi me partitë politike shqiptare.
“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga kriza pa rrugëdalje në të cilën ndodhemi. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinës, para se gjithash reformat prioritare, stabilizimin politik, uljen e tensionet e ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka shkruar Ivanov.
“Platforma është një dokument paszgjedhor i arritur në shtet të huaj, në kabinetin e një kryeministri të huaj. Më këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Maqedoninë në pozitën e varshmërisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë me të cilën rrezikohet karakteri unitar i shtetit. Platforma rrënon Marrëveshjen e Ohrit, e cila rregullon marrëdhëniet mes bashkësive etnike me Maqedoninë”, ka shkruar Ivanov duke kërkuar gjithashtu dënimin, e siç ka thënë, përzierjes së shteteve fqinje në punët e brendshme të Maqedonisë.
“Pres që të dënoni përzierjen flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë të dy shteteve fqinje të Maqedonisë, aspirantë për anëtarësim në BE. Pres që më në fund të dërgoni mesazh të fuqishëm për paprekshmërinë e kufijve të Ballkanit dhe të riafirmoni perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit”, ka thënë Ivanov.
Letra e Ivanovit vjen pas mbledhjes së të hënës së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, të cilët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni.
Shefja e diplomacisë Federca Mogherin bëri thirrje për shfrytëzimin e të gjitha instrumenteve për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni, e cila siç tha ajo mund të shndërrohet në krizë ndëretnike.
NATO mbetet në Kosovë
-Ambasadori i SHBA, Greg Delawie: NATO nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO nuk mund të tërhiqet përderisa Kosova nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse/
-Sesionin e tretë të seminarit të 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar, Pandeli Majko/
PRISHTINË, 23 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë, sot, në sesionin e tretë të Seminarit të 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të cilin e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar në AP të NATO-s, Pandeli Majko, panelistët diskutuan për të ardhmen e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin e NATO-s si një ofrues i sigurisë. U analizuan, gjithashtu, kontributet e NATO-s për stabilizimin e rajonit dhe partneritetet e saj.
Sesioni u hap me diskutimin e komandantit të KFOR-it, Giovanni Fungo, i cili foli për rolin e kësaj force ushtarake në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai tha se KFOR-i kontribuon në krijimin e kapaciteteve vendore, përfshirë edhe mbështetjen e veprimeve të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë. Gjendja e sigurisë në Kosovë, shtoi gjenerali Fungo, është përmirësuar dukshëm që nga viti 1999, kur KFOR-i ka luajtur rol kryesor në krijimin e stabilitetit. Megjithatë, sipas, tij, ende mbeten shumë sfida.
“Kam besim në këtë aspekt se ky proces do të vazhdojë edhe më tej me mbështetjen e plotë të të gjithë akterëve të rëndësishëm, qoftë në nivel lokal apo në arenën ndërkombëtare, duke ndarë të njëjta objektivat, siç janë: paqja, stabiliteti, prosperiteti, të drejtat e njeriut, rendi dhe ligji”, theksoi komandanti i 21-të i KFOR-it në Kosovë.
Gjeneral Dietmar Mosmann, drejtor, Këshilltar i NATO-s dhe Ekipit Ndërlidhës (NALT), tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, duke mirëpritur aspiratën e Kosovës që të përmirësojë aftësinë e saj për të garantuar siguri për të gjithë banorët e saj dhe të kontribuojë për sigurinë e përgjithshme të rajonit.
Në vazhdim, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, foli për rolin e NATO-s në Ballkan, nga pikëpamja e SHBA-ve. Ai tha se për rreth 25 vjet rresht NATO-ja ka qenë garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan dhe KFOR-i si shprehje e këtij përkushtimi. Delawie tha se KFOR-i ka qenë destimulues i dhunës dhe i jostabiletit. Sipas tij, ky mision është treguar i suksesshëm dhe roli i tij nuk ka përfunduar ende.
“NATO-ja nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO-ja nuk mund të tërhiqet përderisa vendi nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse”, theksoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke shtuar se mbështet transformimin gradual të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Ambasadori amerikan Delawie tha se tre vende të rajonit, Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria, tashmë janë anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, ndërsa së shpejti kjo do të ndodhë edhe me Malin e Zi. Këtë hap, ambasadori i SHBA-ve e konsideroi të arritur të madhe dhe sinjal të fuqishëm për të gjitha vendet e tjera të rajonit, të cilat aspirojnë anëtarësimin në këtë organizatë.
Duke u ndalur në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ambasadori amerikan theksoi se Kosova është lider në këtë aspekt.
Për rolin e NATO-s në rajon dhe perspektivën e Kosovës, foli edhe ambasadori Istvan Gyarmati, kryetar i Qendrës Ndërkombëtare për Tranzicion Demokratik në Hungari. Ai tha se edhe pse Kosova është një prej vendeve të rajonit në binarët e duhur drejt Evropës, ky progres, sipas tij, mund të rrezikohet nga zhvillimet në rajon. Ai tha se rajoni po përballet me kërcënime të vjetra, por në forma të reja.
“Kemi deklarime se nuk rrezikohemi nga terrorizmi. Kjo është edhe e vërtetë edhe e pavërtetë. E vërtetë ngase në këtë moment s’po shohim shumë rrezik. Por e pavërtetë ngase kemi përpjekje në tentativë”, tha Gyarmati, duke shtuar se konfliktet e vogla nuk mund të përjashtohen as këtu e as larg prej këtu.
Në sesionin e katërt të seminarit, të cilin e udhëhoqi Antje Fritz, zëvendësshefe e Operacioneve në Evropën Juglindore, Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), u diskutua për progresin në reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e forcimit të mekanizmave të llogaridhënies, në funksion të transferimit të ardhshëm të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë tradicionale ushtarake.
Duke folur rreth mundësisë së këtij transformimi, ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se kjo çështje ende nuk është vënë në rend dite të Kuvendit, ngaqë nuk ka pasur gatishmëri të deputetëve nga komuniteti serb, ndërkohë që ka konsensus midis pozitës e opozitës dhe deputetëve të pakicave tjera joserbe. Ai foli për angazhimet e ministrisë dhe të FSK-së në këtë proces, duke shtuar janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se pritet vetëm vendimi politik.
“Ne jemi të interesuar që të transformojmë FSK-në në FAK dhe jemi të gatshëm për këtë transformim”, theksoi ministri Demolli.
Ai përmendi edhe Medaljen e artë që Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë e FSK-së, ka fituar ditë më parë në Uells të Mbretërisë së Bashkuar, në një ndër ushtrimet më sfiduese dhe më prestigjioze në botë, “Cambrian Patrol’’. Demolli e konsideroi këtë dëshmi të përgatitjes së lartë të pjesëtarëve të kësaj Force.
Anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së të Kuvendit të Kosovës, deputetja Ganimete Musliu, foli për integrimin gjinor në sektorin e sigurisë së Kosovës dhe rolin e komisionit parlamentar në mbikëqyrjen e mekanizmave të sigurisë.
“14 % e gjithë strukturës së Policisë së Kosovës përbëhet nga femrat, e ku më shumë e ku më pak edhe në strukturën komanduese është afërsisht kështu. Ndërsa, uniformën e FSK-së e kanë të veshur 8,52% femra. Më mirë në përfaqësimin gjinor femra është në Doganat e Kosovës, ku rreth 30 % e stafit përbëhet nga gjinia femërore”, theksoi deputetja Musliu.
Mbi perspektivat për reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë, me qëllim të orientimit të Kosovës drejt NATO-s, foli Besfort Rrecaj, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai tha se NATO-ja ende e sheh Kosovën në prizmin e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, ndërsa shtroi nevojën që NATO-ja të gjejë një zgjidhje për këtë, duke tejkaluar këtë rezolutë dhe duke i ofruar Kosovës perspektivë të qartë.
Panelistët u përgjigjën edhe në pyetje të të pranishmëve.
Kosovë-Minsitri Hoxhaj takime në NATO
-Gjatë fundvitit formalizohet raporti i ri me Aleancën/
-Kryediplomati Hoxhaj është takuar edhe me Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO, Douglas Lute/Bruksel, 12 shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj pas takimeve në selinë e BE-së, është pritur edhe në NATO ku është takuar me Zëvendës/Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Ambasadorin Alexander Vershbow, Ambasadorin amerikan në NATO dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Aleancës.Në këto takime, Hoxhaj ka ngritur nevojën e thellimit të marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe NATO-së që janë të rëndësishme jo vetëm për paqen dhe sigurinë në Kosovë, por edhe mbarë rajonin.Ministri Hoxhaj është shprehur optimist për këtë raport të ri që mund të formalizohet në fund të këtij viti.
“NATO vazhdimisht ka qenë një përkrahës dhe mbështetës i rëndësishëm i Kosovës. Por në takimin që sot kisha me zv/Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, biseduam si të kemi një bashkëpunim më të ngushtë bilateral ndërmjet NATO-s dhe Kosovës. Shpresoj që nga fundi i këtij viti kjo marrëdhënie e re do të formalizohet”, ka thënë Hoxhaj.
Kryediplomati Hoxhaj është takuar edhe me zyrtarë të kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm, si dhe me Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO, Douglas Lute.
Paradite, Enver Hoxhaj ka zhvilluar takime të ndara me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 10
- Next Page »