• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEGA E VATRËS E QUEENSIT PËRKUJTOI MIT’HAT FRASHËRIN NË HOTELIN LEXINTON

October 4, 2013 by dgreca

Mbrëmjen e 3 shtatorit, pikërisht në datën kur humbi jetën apostulli i shqiptarizmës, Mithat Frashëri, dega e Federatës Vatra  në Queens me kryetar dr, Skënder Murtezani, ka organizuar një takim përkujtimor. Inisiator i këtij organizmi  ishte  vetë dr. Skënder Murtezani, i cili kishte ftuar në këtë takim nderues edhe Shkrimtarin Naum Prifti, aktivistin e njohur  dhe sekretar i Shoqatës Camëria Sali Bollati, studiuesen  Julika Prifti, Bashkim Musabelliu, Uke Gjonbalaj, Bujar Golemi  dhe editorin e Diellit, Dalip Greca.

Në takim u sollën copëza nga jeta e Mithat Frashërit, jetë që e shkriu për Kombin. Po ashtu u sollën copëza nga momentet e fundit të jetës së tij si dëshmi të pesonave që iu ndodhën pranë në castet e fundit, ku mendja e ndritur e kombit mbylli sytë larg vendit për të cilin pat shkrirë jetën dhe pasurinë.

Gjatë takimit u propozua që për vitin e ardhshëm që është përvjetori i 65-të i vdekjes të organizohet një simpozium po në këtë hotel, i cili ka gjasa të jetë hoteli ku mbylli sytë mëmëdhetari mendjendritur më 3 tetor 1949. Hotel Lexinton ka ndryshuar disa herë emrin dhe kohët e fundit u rikthye sërish tek emri i vjetër. I ndërtuar që më 1925 ky hotel ka pritur dhe përcjellë personalitete të larta nga e gjithë Bota. Po aty ishte vendosur edhe presidenti i Republiëks së Shqipërisë dhe stafi i tij gjatë qëndrimit në New York.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dega e Vatres, Naum Prifti, Queens, Skedner Murtezani

Qerosi Famëmadh

September 7, 2013 by dgreca

Tregim humoristic nga Naum Prifti /

Vëllai i vogël kishte qëlluar edhe qeros edhe frikacak. Aq frikacak sa trëmbej jo vetëm nga viçokët, por edhe nga zogjtë e pulës. Frika i ishte futur në palcë dhe e keqja qe se nuk i doli as kur u rrit, madje edhe kur kapërceu të njëzetat. Një natë me hënë, sapo doli në oborr të derdhte ujët e vogël, qe kthyer pa frymë brënda në dhomë, duke thënë se dikush e kishte ndjekur pas. Vëllezërit e tij dolën me vrap të shihnin mos u kishte hyrë fshehur ndonjë hajdut, a rrugaç pa strehë, po përveç hënës së plotë në qiell dhe pemëve nuk panë gjë tjetër. E pitiqën se vëllai qe trembur nga hija e tij. Kaq u desh të mbushej kupa e durimit të tyre. U hoqën mënjanë  të këshilloheshin kokë më kokë e t’i jepnin dum çështjes së tij.

– Shartesë e çuditshme e gjërave të kundërta ka qëlluar vëllai ynë, – tha i madhi. -Hem qeros, hem i bukur; hem frikacak, hem i zgjuar.

– Shtatin e ka shqiponjë, zemrën harabel, – e plotësoi i dyti.

– Dyshoj se do të prozvalë familjen tonë keq, prandaj sa më parë të largohet, aq më mirë, – vazhdoi i madhi.

– Ta përzemë? – e pyeti i dyti.

-Le të shkojë ku të dojë dhe fati e ndihmoftë! – shtoi i madhi.

– Së pari duhet të bindim nënën tonë, – qe këshilla e vëllait tjetër.

Nëna e pranoi propozimin e tyre, me kusht t’i jepnin pjesën e pasurisë që i përkiste, se edhe ai qe djalë babai.

Kësisoj e ndanë mendjen t’i blinin Qerosit një dori të mirë, shalë me telatina dhe një shpatë me dy tehe. Kalin ia mbathën me potkonj çeliku, shalën ia zbukuruan me pafka ergjëndi, kurse shpatën ia dhanë në dorë, duke iu lutur ta përuronte me gjak, nëse donte të dilte faqebardhë në çdo betejë.

Ku ta gjakoste shpatën i ziu Qeros? Të therte dashin u trembej brirëve, t’i çante barkun  qenit u trembej dhëmbëve, t’i priste kokën maçokut, frikohej se e gërriste. Ndërsa mendohej si ta përuronte shpatën, pa macen e shtëpisë që kishte kapur një mi dhe po luante me të, lësho e kap, kap e lësho, derisa t’i ngulte dhëmbët. Fati ia solli dhuratë në dorë therorin. Miun mund t’ia priste kokën pa kurrfarë ndrojtje se qe gjysmë i shushatur prej thonjve të  maces. Një t’i rënë me shpatë dhe e ndau më dysh.

– Shkruaje këtë trimëri, – e porositi vëllai i madh, – se ndryshe s’ta beson njeri.

– Ku ta shkruaj? – e pyeti Qerosi, duke dyshuar se mos ai tallej.

– Në shpatë, ku tjetër? Ashtu si e do zakoni, ashtu si bëjnë të gjithë.

Qerosi mori bojë prej sharku arrash, që nuk del as me ujë të ngrohtë, as me finjë dhe shkroi mbi shpatë: “Një mi me një të rënë!” Ngjeshi shpatën në brez, i hipi doriut dhe u nis për rrugë. Gjoku i ri, i ushqyer me elb e krunde, ecte revan dhe Qerosi kapardisur mbi shalë ndukte frerët duke e mbajtur trupin drejt, që ta admironin sa bukur kalëronte. Si për inat as rrugës, as nëpër portat e shtëpive s’po dukej kurrkush dhe  krekosja po i shkonte kot; atëherë për të tërhequr vëmendjen nisi t’i grahte kalit duke thirrur “hya-hya-hya,” e duke vërejtur sa përpara prapa. Ndërkohë për shkak të grillit, potkonjtë e kalit nisën të lëshonin shkëndija pas, të cilat Qerosi i mori për shigjeta zjarri, sikur armiqtë po e gjuanin dhe për të shpëtuar kokën, ia ngjeshi mamuzet kalit, mirëpo sa më shumë e shtonte vrapin doriu, aq më shumë xixa fluturonin prapa.

“Djegshin këmbët e kalit, se sa për vete nuk shkel më kësaj rruge sikur me flori të ma shtrojnë,” u betua Qerosi.

Mbylli sytë, mirëpo edhe ashtu ndiente fërshëllimat e shigjetave dhe të ushtave që i kalonin mu rrëzë veshëve. I ziu Qeros po priste me tmerr që ndonjë prej tyre t’i hapte kokën më dysh a t’i ngulej në kurriz, pa i shkuar ndërmend se fishkëllimat vinin nga era. Vraponte duke u lutur: “Aman, le të sos ku të sos, veç të arrij gjallë.”  Te e vona kali i lodhur nga vrapi, gjeti një derë plevice anës rrugës dhe u sul drejt saj, i tërhequr nga aroma e barit të thatë.

Qerosi mori frymë lirisht, zbriti prej kalit dhe u plandos mbi bar, i kapitur për vdekje  nga rruga dhe frika. Nuk donte as të hante, as të pinte, veç të flinte gjumë pas gjithë atij tmerri që kishte provuar. Për fat asnjë shigjetë s’e kishte gërvishtur lëkurën e tij në asnjë pjesë të trupit, falë vrapit të shpejtë të doriut.

 

Në mëngjes, i zoti i shtëpisë sheh një kalë me shalë në oborr, derën e plevicës hapur dhe dyshon mos kanë ardhur ta vjedhin. Sa hyn brenda në kaçorre, sytë i bien mbi  Qerosin që fle më kurriz me shpatën e ndritur pranë. Ngadalë e nxorri shpatën prej millit dhe lexoi mbishkrimin me shark arre. Qoftë nga tronditja apo drita e mugët, në vend të “një mi me një te rënë,” lexoi: “një mijë me një të rënë!” dhe e zuri frika se një trim që vret një mijë me një të rënë, e përlan atë dhe  gjithë fisin e tij si kërnackë. Kthehet në shtëpi dhe i tregon vëllait për katallanin që u kishte çatisur në plevicën e tyre. I rrëfen si dëshmi edhe shpatën me mbishkrimin e famshëm. Vëllai tjetër vë duart në kokë nga kjo e keqja që u zuri derën aq papritur. S’dijnë nga t’ia mbajnë; ta marrin me të mirë e ta nderojnë si trim, apo ta përzënë si vagabond? Pse pati hyrë në plevicë e nuk trokiti te porta e shtëpisë? Kuptohej, ngase nuk kishte qëllime të ndershme dhe ngase nuk vinte si mik.

Motra e tyre dëgjon bisedën e vëllezërve dhe qesh nën buzë, mirëpo buzëqeshjet e saj i ngjallin dyshime vëllait të madh. Mos vallë qe dashnor i motrës së tyre,  të cilin e kishte ftuar tinëz tyre? Sekretin e Gazones do t’ia zbulonte me një stratagjemë të hatashme.

– Atij cubit që na erdhi sonte natën fshehur, do t’ia hapim barkun govatë, se unë këtë turp nuk e duroj, – thotë i madhi duke shikuar nga e motra pale a do të tronditej.

– Tashti po ia hamë mëlçinë, – tha i vogli. – Gazone, ndiz zjarrin!

– Unë di se shpretka haet e gjallë,  – ia kthen ajo djallushe se i njeh që mburren kot.

– Nuk  na shpëton duarsh, do t’ia presim kokën aty ku është, – thotë i madhi.

– A doni tepsi apo sini? – i pyet Gazonia.

Nga përgjegjet e saj duket qartë se motra nuk kishte ndonjë lidhje me të panjohurin dhe vëllait i vjen  paksa turp që dyshoi për moralin e saj.

– Jo motër, ti rri aty ku je, se kjo s’është punë grash, – ia kthen i madhi. – Ti vetëm na mprih shpatat se kemi kohë pa i përdorur.

– Më mirë me hunj a me cfurk, se ai nuk ka armë, – i këshilloi e motra.

Të dy vëllezërit hyjnë në plevicë duke e lënë hapur derën, që po ta shihnin rrezik t’ia mbathnin me të katra. Për fat, i huaji akoma po flinte dhe ata duke i dhënë zemër njeri tjetrit,  i bërtitën:

– Dorëzohu, je i rrethuar!

– Dorëzohu, s’ke shpëtim!

I shkreti Qeros u zgjua menjëherë dhe sapo shquajti sipër tij majën e mprehtë të hurit dhe bigaçet e cfurkut, iu mpinë krahët sa nuk mund t’i ngrinte as për t’u dorëzuar. Nga tmerri rrotullonte sytë andej këtej, aq sa kokërdhokët sa s’po i këcenin jashtë zgavrave. Ca nga sytë e hakërryer që shkonin çapraz, ca nga që nuk pranoi të dorëzohej, vëllezërit menduan ta zgjidhnin keqkuptimin me mjete paqësore, ndaj i tërhoqën armët prej druri dhe filluan të buzëqeshnin se gjasme e kishin me shaka.

– Ti duhet të kishe ardhur drejt e në shtëpi, – e qortoi miqësisht i madhi.

–  Qe paksa vonë dhe nuk desha t’u shqetësoja, – u shfajësua Qerosi.

–  Familja Martini e ka derën hapur për miq të nderuar, – tha i vogli duke e ftuar brenda.

Vëllezërit Martini qenë të thekur për të dëgjuar histori trimërore, prandaj donin të dinin në sa  luftime kishte marrë pjesë miku i tyre,  sa  duele kishte zhvilluar dhe sidomos si qe historia e atij mbishkrimi mbi shpatë.

Qerosi u kurdis e filloi të rrëfente ngjarjet trimërore që kishte dëgjuar qysh nga fëmijëria e deri në kohën që vëllezërit e tij e përzunë nga shtëpia. E kishte fantazinë mjaft të zhvilluar, prandaj nuk e pati vështirë të sajonte beteja dhe ndeshje me kuaj, me topuza e mëzdrakë, madje dhe me gjyle. Edhe për humbjen e flokëve shpiku një betejë heroike. Tha se një fis i fuqishëm që hante  njerëz, e kishte kapur rob dhe ia rrëzuan flokët me një lëng të verdhë, para se t’i piqnin kokën. Ndërsa armiqtë e tij ndezën  zjarrin dhe po mblidhnin kopër e majdanoz se e donin mishin me erëza, ai hëngri me dhëmbë litarët e duarve dhe pasi pati rrëmbyer një urë zjarri, kishte shtrirë për tokë  nja shtatë a tetë, – nuk i numëroi tamam se qe natë, – veç atyre që u çau gurmazin me thikë, dhe pastaj  u kthye gjallë e shëndoshë te kulla e babait të vet. Kjo qe trimëria më e freskët, e fundit, prandaj dukej si qeroz.

Të kishe mik shtëpie një asisoj trimi, a vëlla me gjak, s’e çaje kryet për asnjë kundërshtar. A do të pranonte të bëhej probatin i tyre? Vështirë, se ku ai, ku Martinajt nga shkalla e trimërisë. E mira ta bënin dhëndër, po qe se ishte akoma beqar.

– Po qe se pranoni të mbetemi miq, hallall e paç motrën tonë! – i propozoi menjëherë vëllai i madh.

Qerosi i zgjuar dyshoi se mos kishin ndonjë motër lëneshë të mbetur në derë, prandaj nxitoheshin t’ia rrasnin si grua, por nga ana tjetër nuk donte t’i shpëtonte duarsh ky rast.

– Pa e parë, nuk mund t’u jap fjalën, – vërejti Qerosi, – se qe besa, sot edhe një bagëti kur e blen në pazar, e sheh nga këmbët e nga dhëmbët.

– Ajo do të vijë tani të sjellë kafetë, – e qetësoi vëllai i madh.

“Ndonjë shëmtirë, mos prit tjetër, Qeros vëllai,” tha me vete ai dhe u bë pishman që nuk u kishte thënë se qe i fejuar.

Hyri motra e tyre te dera me tabakanë e kafeve ndër duar. Qerosit i mbeti goja hapur nga habia. Nuk e priste të shihte një femër aq të bukur e nurmadhe. Si kishte qëlluar një perri e tillë  në atë copë fshat e si nuk qe fejuar më parë? “Kësmeti im,” mendoi Qerosi, dhe atë çast iu kujtua proverbi se nga kaçuba e vogël del lepuri i madh. Goja vesh më vesh Qerosit për guguçen që ia solli fati, sytë i ndritnin si të maçokut në errësirë dhe domosdo nuk u mendua as dy minuta se bukuria, ndryshe nga cilësitë e tjera, s’ka nevojë për prova. Ishte gati ta hipte në vithe të kalit e të zhdukej tok me të që atë ditë, mirëpo befas u kujtua se tani nuk kishte as shtëpi, as katandi, ndaj iu zbeh pak lëkura e kokës. Ku ta shpinte?

– Do ta shtyjmë pak dasmën, – tha Qerosi, – se unë tani jam duke i shtuar një kat tjetër pallatit tim, por besoj se deri nga fundi i kësaj vere, e përfundoj.

– Mund të rrini këtu sa të kini dëshirë, – i tha Martinaj i madh, – se ne, për fat,  kemi boll vend, ndërsa  motra ka sarajin e saj.

Vëllai i vogël, i mahnitur nga historitë trimërore që dëgjoi, nuk donte të ndahej prej kunatit të ri, prandaj e luti edhe ai.

Gazonia që kishte ëndërruar të martohej me një burrë trim që ta nderonin të gjithë, e pëlqeu Qerosin, prandaj e dha pëlqimin menjëherë. Trimëria ishte cilësia që çmonte mbi gjithë të tjerat, prandaj as nuk deshi të mendohej. I fejuari i saj, për fat, kishte qëlluar trim, i pashëm dhe i këndshëm në bisedë.

Disa javë kaluan për bukuri, mjaltë e qumësht, festë e vizita të ndërsjellta ndër miqtë e tyre. Kurrë Qerosi s’ishte trajtuar e rrethuar me përkujdesje dhëndërishte, kurrë s’kishte jetuar më mirë.  Le të zgjatëte deri në amëshim ajo jetë. Dhëndërushi qe i vendosur të  hante sa t’i nxinte mullëza, të flinte sa t’i dilte gjumi vetë dhe të shpikte trimëri pa u lodhur së dëftyeri, duke mrekulluar kunatollët dhe farefisin. Mirëpo e mira nuk zgjat  shumë, se pa kaluar tre muaj, krisi poterja me fisin e Jakëve për një copë pyll që e mtonin të dy palët. Grindja nisi me dajak e përfundoi me shpata. Vëllezërit Martini menjëherë shkuan te kunati i tyre të kërkonin ndihmën e krahut të tij.

– Për sot të duam, dhëndër, – i tha i madhi. – Fat i madh për ne që ndodhesh këtu.

I vogli e luti të nxirte shpatën e famshme që priste me një të goditur një mijë, se nuk i durohej sa ta shihte trimin duke luftuar. Qerosi u tha se shpata duhej futur në një lëng të posaçëm për disa orë që të kalitej, prandaj le të niseshin ata përpara. Çfarë nuk shpikte mendja e Qerosit që t’i vidhej ndeshjes. Kur e parafytyronte barkun me zorrët jashtë çarë prej shpatës, sa nuk i binte të hollët, ndaj mbahej pas murit kur ecte. Nisi të dridhej sa i kërcisnin dhëmbët.

– Mos je sëmurë? Mos të kanë zënë ethet? – e pyeti e shoqja.

– Më ka zënë tartakuti  prej frikës… – i tha hapur.

E shoqja besoi se ai po bënte shaka, por ai vazhdoi:

– Grua, mësoje se të ka qëlluar në pjesë burri më frikacak në botë, – iu rrëfye Qerosi. – Tani në daç më mbaj, në daç më lësho, mua për luftë nuk më ke. Më  duket marrëzi të vritet njeriu  për ca drurë të shtrembër e për ca gjethe…

E shoqja e besoi se se ai s’ishte për luftë, madje edhe sikur të shkonte, do të turpërohej për jetë .

– Zhvishu shpejt! – e urdhëroi ajo. – Kujdes, sa të kthehem unë mos ia hap derën kurrkujt!

U vesh Gazonia me rrobat e të shoqit, mori shpatën, i hipi kalit dhe vrap te sheshi i betejës. Ardhja e kunatit trim u dha zemër të dy vëllezërve, ndaj u turrën furishëm mbi kundërshtarët. Dhëndërushi sëllonte me shpatë hipur mbi kalë dhe habia qe se kur i ra kapelja nga koka, e panë me flokë të gjatë. Fisi i Jakëve e la sheshin e betejës duke u teratisur nga u vinte më lehtë.

Motra u kthye në shtëpi më parë se vëllezërit, mbushi një fshikëz peshku me gjak dhe ia futi të shoqit nën tirq.

– Thuaj që je plagosur, çalo pak nga kjo anë dhe lëre gjakun të kullojë pikë-pikë, – e mësoi  Gazonia.

Rënkonte a s’ rënkonte  Qerosi kur u kthyen vëllezërit Martinaj, duke vënë dorën në kofshë, sipër fshikëz.

– Nuk do t’ua harrojmë kurrë këtë ndihmë, – i tha i madhi, – veç atje, në fushën e betejës,  m’u duke me flokë mjaft të gjatë.

– Më zgjaten sa herë egërsohem, – u përgjegj Qerosi. – Njëherë më arritën deri në brez, se beteja vajti gjatë… – tha duke i mëshuar fshehur fshikëz me gjak.

– Bre, po ti qënke plagosur dhe nuk po na rrëfen? – e qortoi vëllai i dytë. – Ngrihe pak çakçirin të shohim plagën.

– Mos ma merni për mburrje, – u tha Qerosi, – po unë kurrë s’i kam treguar plagët e luftës. Ju s’kini pse të shqetësoheni hiç, se nesër jam fill.

Të nesërmen vërtet ecte për bukuri dhe ata u habitën sa shpejt i mbyllte plagët trupi i tij. Nami i Qerosit u përhap anembanë, mirëpo edhe lavdia ka bezditë e saj, se vinin njerëz nga vende të largëta vetëm të shihnin shpatën e tij.

Gojë pas goje fjala arriti deri te mbreti dhe ai menjëherë e thirri në pallat, sepse donte t’i jepte dërmën mbretit fqinj dhe se lufta po vazhdonte prej dhjetë vitesh. Tani me ndihmën e Qerosit qe rasti më i mirë të ngashnjente përfundimisht.

Mbreti e lejoi të hynte në stallën e tij, të zgjidhte kalin  më të mirë, qoftë edhe hamshorin e tij personal dhe të nisej për në luftë se gjendja qe shumë kritike. Fjalët e tij të fundit qenë:

– Me shpatën tënde të hatashme që pret një mijë njëheresh ose siguron fitoren, ose mbretërinë time e merr lumi.

Qerosi  u fut në stallë,  zgjodhi kalin më të ngathtët, atë  që tërhiqte qerren e zarzavateve  për kuzhinën mbretërore, me qëllim të vinte në sheshin e luftimeve sa më vonë, me shpresë të mos e arrinte betejën. E la kalin të çapitej pas qefit pa e ngacmuar as me fshikull, as me mamuze dhe sadoqë u vonua, veshi i kapi zhurmërimat e betejës. Si t’i shmangej? Mendoi të fshihej në pyll, prandaj e ktheu kalin drejt ca kaçubeve e shkurreve që nuk çaheshin as me këmesë. Një hop kali eci fare i qetë, pastaj papritur, i trembur nga një gjarpër që i shkoi nëpër këmbë, u bë si i tërbuar  duke u sulur  përpara me vërtik pa vënë re as shkurre e çufrra, as kule e trungje. Që t’u shmangej dërmishjeve dhe përplasjeve Qerosi zgjati duart të kapej pas degëve të një peme, mirëpo toka qe e lagur prej shiut, pema u shkul me gjithë rrënjë dhe i mbeti në dorë.

Kryekomandanti i ushtrisë armike, që qe fshehur midis shkurreve, sapo dëgjoi për ardhjen e  divit me shpatën e tmerrshme, u pataks kur e pa Qerosin me pemën ndër duar.

– Ti je ai ? – e pyeti gjithë frikë.

– Unë, – i tha Qerosi kot, pa e ditur aspak se për kë qe fjala.

– Pse me dru e jo me shpatë?

– Nuk i ka ardhur radha akoma … – iu përgjegj Qerosi.

– Dorëzohem, – tha kryekomandanti dhe domosdo pas tij u dorëzua edhe gjithë ushtria.

Merita e fitores i takonte Qerosit që kishte kapur rob kryekomandantin armik. Ndërkohë Mbretin e mundonte pyetja pse kishte shkuar në luftë me një kalë qerreje  e jo me kalë vrapi?

– Lartësia juaj, – i tha Qerosi, – me kalë të stërvitur lufton kushdo, veç kur mbaron beteja askush nuk është në gjendje të thotë se ç’pjesë e trimërisë i përket kalit dhe ç’pjesë njeriut.

Aq i arsyeshëm iu duk shpjegimi mbretit, sa nga entusiazmi e luti të pranonte detyrën e Ministrit të Luftës.

Qerosi u lumtërua nga propozimi i mbretit. Sa e ngazëllente titulli Ministër, aq i shtinte dridhmat fjala “luftë” që vinte menjëherë pas. Që t’i jepte fund mëdyshjes mendoi të këshillohej me Gazonen.

– Në do të ruash lavdinë që fitove, mbylle me kaq, – e këshilloi e shoqja.

Mirëpo Qerosi nuk e dëgjoi, se posti është më i ëmbël se mjalti, më tërheqës se kumari, më joshës se opiumi. U kapardis disa kohë si Ministër i Luftës, duke shitur trimëri lart e poshtë, deri ditën që erdhën disa mysafirë nga vendlindja e tij. Ata e njohën, rrëfyen pse e kishin ndjekur vëllezërit dhe si qe historia e shpatës legjendare.

Qerosit nuk i erdhi aq keq për postin që humbi, sa për famën, se më pas s’e përfillte askush, as kunetët e tij.

* falenderojme shkrimtarin Naum Prifti, qe na e dergoi tregimin e bukur humoristic per DIELLIN

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Naum Prifti, Qerosi famemadh, tregim humoristik

LETËRSIA ARTISTIKE NË FAQET E GAZETËS “DIELLI”

February 3, 2013 by dgreca

Nga Naum Prifti*/

Kur flasim për letërsinë artistike në faqet e Diellit, kemi parasysh si letërsinë origjinale nga autorë shqiptarë, ashtu edhe letërsinë e përkthyer nga gjuhët e tjera, prozë e poezi, meqë ato përbëjnë një binom të pandarë.

Duke shfletuar Diellin befasohemi nga larmia e shkrimeve artistikë të botura qysh kur filloi botimi i tij më 1909. Në faqet e tij shihen  autorë me famë ndërkombëtare, e midis të tjerash vlen të shënohet se janë botuar jo vetëm tregime të shkurtra, dhe poezi që praktikisht zenë pak vend dhe preferohen nga gazetat, por edhe novela që vazhdonin disa numra me radhë. Përzgjedhja e veprave të botuara dëshmon kulturën e gjerë të editorëve të Diellit,  njohuritë e tyre për letërsinë botërore dhe po ashtu kontaktet me kritikën bashkë kohëse. Fan Noli, Konica dhe kryesia e Vatrës synonin t’i njihnin emigrantët shqiptaro-amerikanë, me disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, edhe pse shumica e lexuesve të Diellit ishin analfabetë, ose vetëm me disa klasa të fillores. Ata e shihnin letërsinë si mjet efikas për edukimin artistik të emigrantëve dhe njëkohësisht patriotik. Nga ana tjetër botimi i letërsisë artistike, sidomos përkthimet ndihmonin të hidheshin poshtë denigrimet e pasosura për gjuhën shqipe nga shovinistët grekë, si  gjuhë barinjsh, e pa aftë të shprehte ndjenja të holla, mendime artistike e filozofike.

Në kohën kur në ShBA doli në dritë “Dielli” në trojet etnike shqiptare, dua të them në katër vilajetet e saj, nuk kishte asnjë gazetë, asnjë revistë shqip, mbasi qeveria turke i quante subversive. Patriotëve Rilindës s’u mbeti rrugë tjetër veç t’i botonin gazetat, revistat e librat shqip jashtë kufijve të perandorisë Otomane. Shtegun e çeli  De Rada  me botimin e revistës  “Fiamuri i Arbërit” në Itali më 1883, e  përmuajshme politike, shoqërore, kulturore. Pastaj botimi i gazetave e  revistave mori hov nëpër kolonitë shqiptare Bukuresht, Sofie, Athinë, Kairo.

Në Amerikë patrioti Sotir Peci nisi botimin e gazetës “Kombi”  më 1906. Aty punoi disa kohë edhe Fanoli dhe përvoja e fituar e ndihmoi të drejtonte me sukses gazetën “Dielli.” Noli ka qenë editori i saj i parë, ai që e vuri mbi themele të shëndosha, çka e dëshmon jetëgjatësia e saj një shekullore. Gazeta si organ i Federatës Panamerikane “Vatra” kishte karakter politik, shoqëror e kulturor, pra t’i shërbente komunitetit dhe atdheut.  Letërsia artistike zakonisht në gazetat jo specifike qe e rastësishme,  anësore, jo e përhershme. Nuk ka asnjë gazetë tjetër që ta ketë kundruar letërsinë si pjesë integrale të punës së saj. Nga kjo anë  gazeta “Dielli” shënon një rekord në shtypin shqiptar të para luftës dhe të pas luftës II botërore, si brenda e jashtë atdheut.

Merita i takon konceptit që kishte Noli, editori i Diellit, për rolin dhe vlerën e letërsisë artistike. Pikpamjet e tij gjetën përkrahje si nga Konica, ashtu edhe nga Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, njerëz me kulturë e vizion për të ardhmen.

Te koleksioni i Diellit, vërehen emra autorësh të antikitetit, sikurse Eskili, Herakliti, te ata të Mesjetës, Shakespeare, Moliere, Cervantes, Khajam, te klasikët Gëte, Heinrich Heine, Ibsen, Victor Hugo, Maksim Gorki, Tolstoi, Mopassan, Stendhal, Alphons Daudet, Ibanez, Longfellow, Irving Washington e deri te kontemporanët Fridrih Niçe, Rudyard Kipling, Edgar Allan Poe, Bjornson, etj.  etj.

Shumë nga përkthimet mbajnë firmën e Nolit, ose psudonimet që përdorte. Te libri “Noli i panjohur” Efthim Dodona, me hulumtimet për jetën e Nolit në Harvard, ribotoi edhe përkthimet e tij botuar te “Kombi” dhe te “Dielli.” Ai vëren se komedinë me një akt “Martesa me pahir” të Molierit, Fanoli e quan adaptim mbasi ndryshoi, më sakt shqiptarizoi  emrat e personazheve, spostoi vendin e veprimit në Korçë dhe latinizmat i ktheu në greqizma duke vënë në lojë elementët progrekë. Atje ku profesori grek e pyet me ç’gjuhë do t’i flasë, latinisht, gjermanisht, frëngjisht, turqisht, protagonist ngulmon “Jo! Shqip, shqip, shqip!” Noli e përfundon komedinë me thirrjen “Rroftë Hyrieti. Rroftë Korça greke! Poshtë Masonët!” duke e aktualizuar që të shijohej nga shikuesit emigrantë.

Novelën e Stendalit “Vanina Vanini” Noli e zgjodhi për të theksuar dramën e heroinës, e cila për të fituar të dashurin denoncon kryengritësit karbonarë, por pëson disfatë se Misirili e neverit sapo merr vesh ngjarjen. Dashuria e tij për atdheun është më e madhe se për Vaninën, çka na kujton vargjet e Petëfit “Për dashurinë jap jetën/Për liri jap dashurinë”.

Te “Dielli” gjejmë përkthime nga Faik Konica, Kost Çekrezi, Dennis Kambury, autor i fjalorit të parë anglisht-shqip (1917), Shevqet Bënça, Dhionis Karbunara, të cilët janë të periudhës më të hershme.

Veç përkthimeve të spikatura nga Anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, rusishtja, jidishtja, disa prej të cilave zunë vend në antologjitë e shkollave, sikurse “Korbi” dhe “Anabel Lee” të Edgar Allan Poes, Noli botoi mjaft poezi origjinale, midis të cilave edhe “Jepni për Nënën,” (25 maj 1917) një manifest që ngriti peshë zemrat e shqiptarëve tej e mbane Amerikës. Dy vargjet e saj “Mbahu Nëno, mos ki frikë/ Se ke djemtë nëAmerikë” u kthyen në shprehje popullore. Epopeja u përsërit gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, (1999) me ndihmat kolosale materiale nga emigrantët  dhe me vullnetarët e “Batalionit Atlantiku” që rrëfyen se në rembat e shqiptarëve vazhdonte të rridhte gjaku i Isë Boletinit dhe Adem Jasharit.

Gjatë një shekulli “Diellin” e kanë drejtuar një sërë editorësh, të cilëve u shprehim mirënjohjen për aftësitë dhe zellin e treguar. Pa përjashtim të gjithë kanë mbajtur lart dashurinë për atdheun, të pandarë nga dashuria për liri. Përkulemi me nderim pëpara kujtimit të Kostë Çekrezit, Qerim Panaritit, Xhevat Kallajxhiut, Refat Gurazezit, Eduard Liços, Arshi Pipës dhe shprehim respekt për editorin e fundit poetin dhe studiuesin Anton Çefa. Kërkojmë falje që nuk po i përmendim të gjithë.

“Dielli” u bë tribunë e mendimit shqiptar, jashtë vargojve te censurës komuniste. Në shkrimet letrare të kësaj periudhe shprehet malli për vendlindjen, vuajtja nga mbyllja hermetike e kufijve, dëshira për ta parë atdheun të lirë. Do të sjell si shembull poezinë e Xhevat Kallajxhiut “Si e dua Shqipërinë,” jo aq për bukurinë e vargjeve, se sa për mendimin që ngërthen.

“Un’ e dua Shqipërinë

Të fortë, të lulëzuar,

Me dy bijat të bashkuar

Me Kosov’ e Çamërinë,

Nga Mitrovica n’Janinë.

Un’ e dua Shqipërinë,

Që të hy e dal lirisht,

Të flas haptas, sinqerisht,

Pa frikë dhe kërcënime,

Pa burgje dhe internime.”

Poeti i poemit “Vallja e Vdekjes” bëhet kësisoj zëdhënës për ndjenjat dhe mendimet e të mërguarve politikë.

Do të sjell edhe një shembull tjetër, poezinë e Agim Karagjozit kushtuar dhimbjes për vdekjen e Nënës, hidhërimit që nuk iu ndodh në çastet e fundit, një poezi e ndjerë, mbrujtur me mallëngjim.

Në bazë të copave të botura te “Dielli,” Qerim Panariti redaktoi librin e Konicës “Shqipëria Kopshti shkembor i Europës Juglindore,” dhe po ashtu mblodhi krijimet e Fanolit te “Album “ (II) me krijimet e pambledhura në Albumin e parë, duke evidencuar trashëgimin e Nolit. Refat Gurazezi botoi një historik të Vatrës, Arshi Pipa botoi një sërë studimesh per De Radën e letërsinë shqipe, Eduard Liço hartoi përmbledhjen e bukur “Flamurtar i Kombit” për figurën e Nolit nga autorë që e kanë njohur së afërmi.

“Dielli”e pasuroi letërsinë shqipe, me përkthime cilësore të autorëve të huaj, prozë e poezi. Shumë nga ato vepra, si “Vanina Vanini,” “Madam Fifi,” “Martesë me pahir,” “Dy miqtë” u ripërkthyen dhe u botuan në vitet ’60-70, dhe ne i lexuam me kënaqësi, pa e ditur se ato ishin përkthyer e botuar te “Dielli” gjysmë shekulli më parë. Ky fakt tregon se përzgjedhja e autorëve ka qenë cilësore. Në 100 vjetët e rrugëtimit të tij historik “Dielli” ka qenë tribunë e mendimit demokratik të pa censuruar, e njëkohësisht tribune për krijimet artistike të emigrantëve politikë dhe të emigrantëve të rinj pas vitit ‘90.

Botimet e letërsisë artistike te “Dielli” ruajnë vlera të larta estetike dhe njëkohësisht gjuhësore.

*Kumtese e mbajtur ne 100 vjetorin e Gazetes “Dielli”- New York -qershor 2009

Filed Under: Featured Tagged With: e Gazetes Dielli, Letersia artistike, Naum Prifti, ne faqet

ATDHEU – MË I SHTRENJTË SE GJAKU

December 5, 2012 by dgreca

TREGIM NGA NAUM PRIFTI*/

 Sekretari trokiti në dhomën e vogël që Skënderbeu e përdorte si studio dhe e lajmëroi se nipi me gjithë familjen dhe me ata që e shoqëronin, kishin arritur te porta e Kështjellës dhe po prisnin.

-Futini brenda! – Vetëm kaq tha Skënderbeu dhe sërish u përkul mbi tryezë për të vazhduar punën që kishte nisur. Ai nuk doli vetë t’i priste dhe nuk shfaqi asnjë gëzim kur dëgjoi lajmin e ardhjes së nipit.Ftohtësia dukej qartë në zërin dhe në fytyrën e tij, gjë të cilën sekretari e vuri re.

Kur dera u mbyll, Skënderbeu deshi të vazhdonte punën dhe sërish mori pendën, mirëpo frazat s’po i dilnin të qarta dhe mendimet iu turbulluan. Penda gërvishte mbi letër dhe karakteri i shkrimit ndryshoi.Nervozizmi ndihej edhe në lëvizjen e dorës. Kur vuri re se disa fjalë i kishte shkruar nga dy herë dhe shkronjat kishin dalë të shtrembëra, e zhubrosi letrën, e bëri shuk dhe e hodhi në shportë. U ngrit në këmbëdhe shikoi nga dritarja.Jo më kot kishte zgjedhur si studio dhomën nga juglindja. Atë e rrihte dielli më gjatë, ishte më e ngrohtëdhe me më shumë dritë se të tjerat. Nga dritaret e saj shtrihej një panoramë e larmishme, që përmblidhte valëzimet e kodrave, fushën tej poshtë, kënetën dhe hapësirat e Adriatikut.Ndryshe nga ana lindore, që kufizohej nga faqja shkëmbore dhe e ashpër e malit, këtej syri tëçlodhej në madhështinë e mjegulltë të detit.

Deti atë ditë ishte i mbushur me avuj dhe një qiell gri e i ftohtë rëndonte mbi shpatullat e maleve. Vetëtimthi e ndjeu se asnjë peizazh tjetër, i ndezur nga ngjyrat e vjeshtës a i praruar nga rrezet e verës, nuk do t’ia shkartiste mendimet që i zienin në kokë. E dinte prej disa ditësh se Gjergj Balsha do të vinte, pasi kishte marrë një letër të shkurtër prej tij për fatkeqësinë që i kishte ndodhur. Kështjella që zotëronte qe pushtuar nga turqit thuajse befasisht.Ndërsa Balsha dhe kapedanët e tjerë kishin dalë për gjah larg kështjellës, turqit kishin brofur papriturdhe kishin shtënë në dorëkështjellën. Të zotët e shtëpisë kishin ngelur përjashta, të huajt qenë futur brenda.

Pushtimi i kështjellës së Modricës e tronditi Gjergj Kastriotin, sepse, veç të tjerave, krijonte njëtëçarë në unazën e mbrojtjes.Prej andej turqit e kishin shumë më të lehtë të ndërmerrnin sulme drejt brendësisë së tokës arbërore.Skënderbeu kërciste dhëmbët nga inati, kur kujtonte sesi kishte rënë ajo kështjellë në duart e osmanllinjve. Për turp! Pa u shkrehur një top, pa u ndezur një fitil, pa flakëruar një shpatë, pa u hedhur një shigjetë, pa u thyer një shtizë. Të gjithë kapedanët e vjetër, të cilët prej më shumë se dymbëdhjetë  vitesh po luftonin kundër turqve, e kishin quajtur të gabuar emërimin thuajse general të një djaloshi të ri e të pa sprovuar, që deri në atëkohë nuk ishte dalluar për asgjë. Gjergj Katrioti kishte thënë se do të shihte zotësinë e gjithsecilit dhe sipas aftësive do t’u caktonte postet dhe detyrat. Mirëpo në dy raste kishte devijuar nga  ky parim. Rënia e kështjellës së Modricës u dha shkak feudalëve dhe princëve të kujtonin edhe njëherë thyerjen e ushtrisë arbërore para kështjellës së Beratit.Ndonse Skënderbeut nuk I kishin thënë gjë drejtpërsëdrejti, ai e ndiente qortimin nga vështrimet e oborrtarëve, të princëve dhe kapedanëve.Gjithsesi kunati axhami e kishte shlyer paaftësinë për humbjen e kështjellës së Beratit me jetën e vet, ndërsa nipi, djali I motrës kishte ardhur në kështjellën e Krujës me gjithë arsenalin e gjahut, me kuaj e pajisje njëlloj sikur të shkonte për verim.Ndërkohë komentet e oborrtarëve nëpër oda e korridore nuk shternin.

 

-Sikur të ishte dikush tjetër, Gjergji nuk kishte për ta pranuar.

-E ka nip. Nipi duhet më shumë se djali!

-Edhe sikur të dojë, s’ka çfarë t’i bëjë, se rrezikon prishjen e marrëdhënieve me të motrën.

-Gjergji i vogël nuk i afrohet as në thua daiut të vet.

-Në të ngrënë dhe në luks ia kalon.

-Edhe për të prishur para s’ia gjen shokun.

Skënderbeu nuk i dinte të gjitha sa thuheshin por i merrte me mend, aq më tepër se ato ditë një pjesë e mirë e princërve dhe e feudalëve ndodhej në kështjellën e Krujës. Skënderbeu i kishte thirrur për të biseduar për traktatin që propozonte Senati i Venedikut. Të ftuarit e fundit priteshin të vinin atë mëngjes dhe pasdite do të hapej kuvendi.Por derisa të hapej mbledhja, ai duhej të merrte një vendim për Gjergj Balshën.Ku mund ta çonte këtë komandant pa kështjellë?A mund t’i besonte ndonjë detyrë tjetër më pak të rëndësishme? Ta linte fare pa përgjegjësi? Mos kishte këtu ndonjë tradhti?Sa herë i afrohej ky dyshim, e largonte me ngulm.

-Nuk është e mundur! – bërtiti me zë të lartë. – Si mund të ma bëjë këtë gjë?

I kujtohej se kur ia kishte besuar kështjellën e Modricës dhe rrethinat e saj, kishte peshuar sinë kandar cilësitë e mira dhe dobësitë e Gjergjit të vogël, dhe peshorja nuk anonte në asnjë krah, sepse, për çudi, virtytet dhe veset plekseshin si një gërshet. Më së fundi Skënderbeu kishte arsyetuar se, sido që të vinte puna, Gjergji i Balshajve do t’i qëndronte besnik gjakut të vet. Tradhtia e Hamzait, djali të vëllait, kishte qenë e ushqyer si nga etja për pushtet, ashtu edhe nga nxitjet e pareshtura të turkeshës, nënës së tij.Ndërsa Gjergji i ri pikërisht për shkak të nënës nuk kishte për të tradhëtuar kurrë.

I kaloi edhe një herë nëpër mend ngjarjet që lidheshin me rënien e këshjellës së Modricës. Atë ditë komandanti i kështjellës kishte dalë për gjah. Gjer këtu s’kishte asgjë të jashtëzakonshme a të dyshimtë, sepse gjahu ishte një nga pasionet më të forta të feudalëve.Ai kishte marrë me vete gjithë garnizonin e tij.Po pse e kishte marrë tërë garnizonin pas?A nuk mund t’i linte një pjesë të ushtarëve në kështjellë? Dhe po atë ditë turqit vijnë papritur dhe hyjnë si krushq. Një palë ikin nga njëra anë e një palë vijnë nga ana tjetër.Pse kishte qenë e hapur porta kryesore e këshjellës?

Skënderbeu i njihte turqit dhe manevrat e tyre.Agjentë sekretë, të mbuluar me petkun diplomatik, ose tregtarë të huaj kryenin misione të ngarkuara nga turqit dhe merrnin shpërblime. Për turqit ishte krejt e natyrshme që atë gjë që s’mund ta fitonin me gjak ose me trimëri, ta blinin me para. Ata kishin dërguar një raguzian te Vrana Konti me propozimin e një shumë kolosale prej 300.000 dukatash, nëse dorëzonte kështjellën e Krujës. Vrana Konti e kishte hedhur poshtë me neveri atë propozim, por dikujt tjetër mund t’i ishte prishur mendja.

Skënderbeu doli nga dera e studios dhe, pasi përshkoi korridorin, hyri nësallën  e ngrënies. Ia mori mendja se aty do ta gjente nipin dhe nuk u gabua. Ai po u tregonte vajzave dhe grave që ishin aty disa anekdota të kohës dhe atopo shkriheshin së qeshuri. Sapo hyriSkënderbeu, Gjergj Balsha u mundua t’i jepte fytyrës një pamje të pikëlluar.Gratë e vajzat u shpërndanë.

-Ç’qe kjo që bëre? – e pyeti Skënderbeu, pa i dhënë as dorën.

-Një fatkeqësi, asgjë më shumë…

-Si del për gjah, kur turqit ishin aq pranë?

-Nuk kishim asnjë dijeni. Ata erdhën fare papritur.

-A nuk keni dyshim mos i ka lajmëruar njeri për daljen tuaj në gjueti?

Gjergj Balsha ngriti supet.Mundtë kishte ngjarëdhe ashtu por ai s’kishte dijeni.

-Pse e nxorre gjithë garnizonin jashtë kështjellës?

-Shkuam për të gjuajtur drerë dhe ju e dini mirë se kjo gjueti…

-Unëe di se kur është kohë lufte, nuk dilet për gjah, – i tha rreptë Skënderbeu.

-Dajo, po marr guximin t’ju them se, po të vazhdoni të më pyesni në këtë mënyrë, nuk do të pranoj të përgjigjem.

Skënderbeu nuk lëshoi pe.

-Unë mendoj se duhet të përgjigjesh dhe të përgjigjesh mirë. – Gjergj Kastrioti e nënvizoi fjalën “mirë” dhe ajo mori një nëntekst të fortë. – Jo vetëm para meje, po kundrejt gjithë atyre që do të pyesin. Mos të duket diçka e vogël pushtimi i një kështjelle? Përgjegjësia dhe nderi prej fisniku u detyrojnë më shumë nga sa pandehni.

-Unë s’kam asnjë faj! – bërtiti Balsha i ri i fyer, duke përpjekur dorën në tryezë. – Gjithçka ndodhi krejt rastësisht.

-Shumë rastësi kanë ngjarë brenda një dite…- tha me ironi Skënderbeu.- Ju dilni për gjah, turqit vijnë papritur. Ardhjen e tyre nuk e lajmëron kërkush, tymtarët flenë, britësit  nukndodhen në vendin e tyre, në kështjellënuk ka asnjë ushtar dhe turqit futen drejt nga porta e madhe.

Gjergj Balsha e pa se daja ishte shumë i zemëruar dhe biseda kishte nisur ters. Ktheu kokën nga dritarja, sikur donte t’i thoshte: “Mjaft më! Unë e ndiej gabimin vetë.”Fytyra e mbushur e Gjergj Balshësme nofullat katrore dhe sytë e vegjël e të shndritshëm tregonin qartë se ai kujdesej veçanërisht për sofrën.Jaka e bardhë e këmishës vinte në dukje ngjyrën e kuqe të lëkurës.

          -Kush urdhëroi të hapej porta? – e pyeti Skënderbeu.

          -Askush. Ishte e hapur.

          -Kur dolët për gjah, nuk porositët të mbyllej?

          -Habitem si u vete mendja të dyshoni, – tha Gjergj Balsha me duart drejt vetes së tij ndërsa sytëi vërtiste sa nga njëra anë te tjetra.

          -Hapja dhe mbyllja e portës bëhet vetëm me urdhër të komandantit të kështjellës dhe ti e di këtë qëkur ishefoshnjë. Atëherëkush urdhëroi të mos mbyllej porta, kur dolët jashtë? –gjënoi Skënderbeu.

-Unë! – thame inat Gjergj Balsha.

Skënderbeu me duart prapa filloi të bënte ecejake nëpër dhomë.Hyri një kështjellar dhe i kumtoi diçka.Skender i dha shenjë të mos largohej.

-Mos edhe kjo është rastësi? – epyeti Skënderbeu.

-Sigurisht! Pse, mos kisha dëshirë të mbetesha pa kështjellë dhe të vija këtu për të kërkuar strehë e bujtje?

Skënderbeu e mbërtheu në vend me një vështrim të rreptë.

-Gjergj Balsha, o njeri i dobët, ti ke rënë në marrëveshje me turqit, ti ke lënë hapur portën, ti e ke shitur kështjellën.

Kaq e papritur ishte kthesa dhe akuza, sa Gjergj Balsha brofi izverdhur dhe vuri dorën në brez.

-E shoh se qëndrimi im këtu qenka i tepërt dhe i padëshirueshëm, prandaj do largohemqë këtë çast, -tha duke u drejtuar nga dera.

-Nuk do tëlëvizësh pa u përgjigjur për tradhtinë, – gjëmoi Skënderbeu dhe pastaj, duke u kthyer nga ushtari, i dha urdhër.-Futeni në burgun e kështjellës dhe jepjani gjyqit!

Vendimi i Skënderbeut e mpiu Gjergj Balshën dhe ai nuk rezistoi kur e çarmatosën. Vetëm kur po e hiqnin nga salla, ktheu kokën dhe bërtiti:

-Nuk do t’jua harroj këtë poshtërim!

Lajmi i burgosjes së Gjergj Balshës dhe akuza për tradhëti u përhap menjëherë gjer në skutat më të thella të kështjellës.

Në derë u ndje trokitja e butë e gishtrinjve të së shoqes dhe ajo hyri menjëherë në dhomë.Dukej e tronditur dhe përmbahej me zor.

-Më ndjeni, zot, që ju ndërpreva.

Ajo qëndroi një çast duke fërkuar duart si për të gjetur aty fillin e bisedës e si për të kërkuar fjalët më të përshtatshme. Gjergji pyeti veten: “Ka ardhur vetë, apo e ka dërguar ime motër? Ka shumë të ngjarë ta ketë dërguar Jella, s’do të vijë vetë ose ngaqëështë zemëruar”.

-Në kështjellë nuk flitet për gjë tjetër, veçse për atëqë ndodhi … -Zëri i dridhej lehtë dhe në sytë e butë shihej një dëshpërim i sinqertë.

-Në kështjellë edhe më përpara flisnin për atë. – Ai u ngrit në këmbë dhe po përpiqej të mbërthente përpara pasqyrës tokëzën e togës.

– Por ç’do të thonë të tjerët për këtë veprim?

Ai nuk u përgjigj menjëherë dhe kjo vonesë nuk iu duk shenjë e mirë së shoqes.

-Unë bëra atë që duhej të bëntë çdokush në vendin tim.

-Gjergji është gjaku tuaj!

-Andronika! – ai nuk e thirri me emrin përkëdhelës “Donika”, siç e thërriste shpesh, dhe asaj iu ndrysh zemra. – A thua të ketë gjak ai njeri? – Dhe pas pak vazhdoi. – Edhe një pikë gjak arbëri të kishtë në trup, nuk do ta bënte atë që bëri.

Donika vuri re se i shoqi ishte tepër i prerë eipalëkundur.

-Pse je kaq i bindur në fajësië e tij? Gjithçka mund të ketë ndodhur rastësisht ose nga pakujdesia.

Skënderbeu u kthye nga Donika.

-Një dyshim i vogël akoma më vërtitet në kokë. Por qoftë tradhti a pakujdesi, faji mbetet faj.

-Ka të ngjarë të jetë pakujdesi! – i tërhoqi vëmendjen ajo.

-Po atëherë pse nuk bëri atë që do të bënte gjithkush në vendin e tij? Të përpiqej të fitonte me nder atë që humbi me turp? Pse nuk luftoi, kur u kthye?Kapidani i mirë e braktis i fundit anijen ose mbytet bashkë me të.

Biseda u mbyll dhe Donika, para se tëdilte i tha:

-Ende nuk është krejt e sigurt.

Skënderbeu e njihte mirë të nipin, ia njihte dobësitë dhe të metat, po kishte shpresuar se jeta, përpjekjet, detyra dhe përgjegjësia do ta burrëronin. Me sa duket, ai ishte si ato dardhat skallangure, që nuk piqen kurrë.Megjithatë ishte kureshtar tëdinte prapaskenën dhe arsyet qëi kishte hyrë asaj rruge. E dinte që kishte njerëz, të cilët do të thoshin se ishte detyruar ta dënonte nipin për tëmbyllur gojët e botës, por ajo nuk ishte arsyeja e vërtetë .

Që atë pasdite Gjergj Balsha pohoi para hetuesisë fajin. Dëfteu se kishte rënë në marrëveshje të fshehtë me turqit dhe ua kishte dorëzuar kështjellën për 30.000 dukata. Për ta paraqitur si rastësi dhe pakujdesi, ishte organizuar gjahu dhe braktisja e këshjellës!

-Edhe tokës i vjen rëndë nga kjo fytyrë, që guxoi të shiste atdheun. Hiqeni prej këtej dhe niseni të shoqëruar për në Napoli!  Do t’i lutem mikut tim mbretit të Napolit, ta mbajë në burgjet e tij, meqëne këtu s’kemi burgje, – urdhëroi Skënderbeu.

* Botoi Dielli, numer special me rast e 100 vjetorit te Pavaresise, 28 Nentor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Atdheu, dielli, me i sjtrenjte, Naum Prifti, se gjaku, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT