Presidenti Nishani i jep titullin “Nderi i Kombit” veprimtarit te dalluar te komunitetit z. Rrustem Gecajt/
TIRANE : Në një njoftim nga Tirana thuhet se Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka nderuar sot me titullin Nderi i Kombit, veprimtarin e dalluar të komunitetit shqiptarë në SHBA, zotin Rrustem Gecaj i cili njëhereshit është edhe pronari i kantinës së verës Stone Castel, në Rahovec – Kosovë.
Në njoftimin zyrtar të presidencës thuhet se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 27/04/2015, nr. dekreti 9056 zotit Rrustem Gecaj Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të thellë për veprimtarinë e tij të çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim, mbrojtje e mbështetje të çështjes kombëtare, si dhe për lartësimin e emrit dhe vlerave të rralla të bashkësisë shqiptaro-amerikane”.
Në Manhattan, New York, më 2 Qershor 2014- në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork, zotit Gecaj, i është dhënë nga Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga Medaljen Presidenciale të Meritave.
Në një ceremoni duke i dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacionin “Për veprimtarinë dhe angazhimin në afirmimin e Cështjes Kombëtare”, zotit Gecaj, Ambasadori Bekim Sejdiu, ish – Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, në Nju Jork, përgëzoi z. Gecaj për kontributin e madh që ka dhënë për Kosovën, para dhe gjatë luftës, si dhe për kontributin që vazhdon të japë sot duke investuar në Kosovë –
Duke përuruar Sallën qendrore të Shtëpisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, në 27 maj 2014, në Bronx – New York, u nderua me një pllakë bronxi veprimtari i dalluar i komunitetit Rrustem Gecaj. Në këtë veprimtari morën pjesë, udhëheqësit e Vatrës dhe dhjetra aktivistë e veprimtarë të komunitetit.
Në pllakën e vendosur në mur është gëdhendur shënimi: “The Renovation of these Premises Donated by Mr. Rrustem Gecaj – April 2014” (Rinovimi i këtyre mjediseve është dhuruar nga z. Rrustem Gecaj – Prill 2014) /Beqir SINA/
Agim Rexhaj: NË VATËR U RUAJTËN FATET E KOMBIT SHQIPTAR
….Një jetë me përpjekje, sakrifica, ëndrra, zhgënjime, suksese, e kaluar për të arritur çlirmin e Kosovës ku kam lindur dhe demokratizimin e Shqipërisë time Nënë, nuk mund të kishte një ditë më të bukur sesa kjo e sotmja.
Qindra mijëra kilometra udhëtime, netë e ditë në dispozicion të çështjes tonë kombëtare, përpjekje të paepura të bëra në një jetë që ndodhej midis dy botëve: Atë të dashurisë dhe dhimbjes për atdheun, për Shqipërinë në njërën anë dhe për Kosovën në anën tjetër.Te dyja të ndara prej një kufiri të vendosur në mes të një populli, të një kombi, të një gjaku, të një dheu – dhe një jete me të gjitha të mirat në vendin më të bukur në botë, Ameriken, por…gjithesesi,në mërgim.
Një jetë me shqetësimin e pandarë për fatet e njerëzve të gjakut tim, të vëllezërve, të të afërmve të bashkëkombasve tanë deri në ditën e lirisë;
Dhe të gjitha këto në një vend, në një Vatër, ku u ruajtën fatet e atdheut tonë këtej kufirit e ku u mbrojtën ato matanë kufirit në Kosovën tonë të dashur.
Ishte VATRA ajo që me ngrohtësinë e saj, me idealet e saj, me frymëzimin e saj në një vend të madh ku u vendosen fatet tona më mori pranë vetes për të bërë një udhëtim jo të shkurtër, por plot tridhjetë vjeçar që nga ajo ditë kur si emigrant i ri në Shtetet e Bashkuara iu bashkangjita për të mos u ndarë kurrë më prej saj.
Sot është një ditë e madhe për VATRËN.
JU zoti President si një drejtues vizionar i Shtetit tonë Amë keni nderuar vatranët, jo thjesht Ing. Agim Karagjozin, Dr Gjon Buçajn dhe mua, por tërë ata burra që e filluan këtë udhëtim të gjatë që nga çelja e tokave të Ulsterit, nga fabrikat e Bostonit, nga dera e Kishës së Nolit, nga zgjuarsia e Konicës, nga përpjekjet e Panaritit deri tek figura eminente e inteligjences shqiptare,Prof. Arshi Pipa, dinjiteti i Ing. Agim Karagjozit e urtësia e Dr Gjon Buçajt.
Unë ndjehem I lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundi të qenjes time për kombin tim.
Zoti President!
Nuk ka fjalë që ta përshkruajë mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.
Por ka një mënyrë për tua shpërblyer këtë:
Ta çojmë më përpara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë.
Zoti e bekoftë këtë vend, Shqipërinë tonë, Kosovën tonë , trojet tona shqiptare popullin shqiptar!
Zoti i bekoftë Shtete e Bashkuara të Amerikes!
Zoti ju bekofte juve!
Faleminderit!
* Pershendetja e zv/kryetarit te Vatres, Agim Rexhaj me 24 Nentor 2014, ne Presidencen e Republikes, me rastin e dekorimit me titullin “Nderi i Kombit”
***
AGIM REXHAJ: “NDERI I KOMBIT”, VLERËSIM PËR VATRËN
Zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, ndjehet i gëzuar dhe tepër i vlerësuar për nderimin që i bëri Presidenti i shqipërisë me Urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai i tha editorit të Diellit se këtë dekoratë të lartë e sheh jo thjesht si dekorim vetiak, por si një vlerësim për vetë Vatrën. E thashë edhe para presidentit, tregon z. Rexhaj pas kthimit nga Tirana:” Ju zoti President si një drejtues vizionar i Shtetit tonë Amë keni nderuar vatranët, jo thjesht Ing. Agim Karagjozin, Dr Gjon Buçajn dhe mua, por tërë ata burra që e filluan këtë udhëtim të gjatë që nga çelja e tokave të Ulsterit, nga fabrikat e Bostonit, nga dera e Kishës së Nolit, nga zgjuarsia e Konicës, nga përpjekjet e Panaritit deri tek figura eminente e inteligjences shqiptare,Prof. Arshi Pipa, dinjiteti i Ing. Agim Karagjozit e urtësia e Dr Gjon Buçajt.”
Agim Rexhaj është zv/ kryetar i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”Vatra” prej më shumë se dy dekadash, dhe në Kuvendin e prillit të vitit 2013, kryetari i tanishëm, dr. Buçaj, e propozoi sërish për ta pasur në krah në drejtimin e Vatrës.
Z. Rexhaj tregon se e lëshoi vendlindjen, Kosovën e tij të dashur, në dhjetor 1983. Veprimtaria e tij kishte rënë në sy të okupatorëve serbë pas dmeonstratave të ’81-shit, ku familaj ishte e rrezikuar në egzistencën e saj. Persekucioni nis me nxjerrjen nga puna të familjarëve Rexhaj. Dy vëllezërit, Agimi së bashku me Bashkimin, duhej të gjenin shtegun e shpresës.Nuk mbeti rrugë tjetër,thotë ai, veç ikja në mërgim dhe vënia në shërbim të Kosovës. Marrin rrugën e dhimbshme të mërgimit dhe përmes vështirësish të panumërta arrijnë në kampin e refugjatëve në Austri dhe prej andej në SHBA, në tokën e bekuar, që do të ushqente me shpresa dhe ëndrrën për Kosovën e lirë.
Z. Rexhaj që në fillim u përfshi në organizimin e lëvizjes në ndihmë të Kosovës. Ai ishte bashkëthemelues i Shoqatës “Kosova Demokratike” 1990 ne New York, e cila zhvilloi një veprimtari Kombëtare të rëndësishme në drejtim të njohjes së represionit serb në Kosovën e pushtuar nga okupatori serb, që ushtronte gjenocid mbi popullsinë e pafajshme dhe mohonte të drejtat njerëzore.
Zoti Rexhaj me bashkëpunëtorët e vet u bënë bashkepuntorë të ngushte të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Themelimi i LDK-së në Kosovë, krijojë lëvizjen e shpresës tek shqiptarët e Amerikës. Në ato procese formuse të LDK, shqiptarët e Amerikës kanë pjesën e tyre madhore, ndërkohë që z. Rexhaj,tregon për Diellin se udhëtoi nga Amerika në Kosovë, në fund të Shkurtit 1990 dhe dha kontributin e tij. Ai u takua me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij dhe mori udhëzime për krijimin e strukturave të LDK-së në SHBA.Pas kthimit në SHBA, ia nisi punës.
Ai kujton se ishte data 21- Mars 1990,kur nisën anëtarësimet në LDK, në Restorantin që ishte pronë e vëllezërve Bashkim dhe Agim Rexhaj.
Pas këtij momenti veprimtaria e LDK-së në SHBA nis të japë frytet e veta, të sensibilizojë politikën amerikane, përmes demonstratave dhe vizitave në Washington. Era e Lirisë për Kosovën po frynte nga brigjet e Atlantikut, ku bijtë e saj u organizuan.
Z. Rexhaj është pjesmarrës dhe organizator i demonstratave për Kosovën në New York, Washington, Dejton dhe etj. Ai e ka udhëhequr për disa vite LDK në SHBA, ku kontributi për mbledhjen e ndihmave financiare për Kosovën ka qenë i konsiderushëm.
Z.Rexhaj, tregon se ai kontribuoi edhe ne mbledhjen e fondeve per UÇK. Së bashku me Vatrën, ai mblodhi ndihma për Luftën dhe ndërmorën nëj udhëtim të vështirë deri në spitalin e Bajram Currit, ku kuroheshin të plagosurit e luftës dhe dërguan atje ndihma. Po ashtu mijëra dollarë u dorëzuan nga Vatra në zyrën e Kosovës në Tiranë. Z. Rexhaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dhënë kontribut të madh në afrimin e politikanëve dhe zyrtarëve amerikanë në mbështetje të çështjes së Kosovës. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin mbështetës të fuqishëm në Rambuje, ku shkuan dhe shumë vatranë.Në komunitetin shqiptar, zv/kryetari i Vatrës ëshët i njohur edhe për kontribut të veçantë në pajtimin e gjaqeve, të mbartuar edhe këtu në SHBA. Ai ka realizuar 38 pajtime.Ndjehet me fat që në vitin 1986 mori kontakt me vatranët dhe u bë pjesë aktive. Në vitin 1991 ishte sekretar i Vatrës, ndërkohë që ajo kishte për kryetar një ndër figurat eminente të inteligjencës shqiptare, Prof. Arshi Pipën.
Një vit më vonë do të zgjidhej zv/Kryetar i Vatrës, detyrë që e mban edhe sot.
Nuk ka veprimtari të Vatrës ku të mos jetë edhe kontributi i z. Rexha; ai ishte pjesë aktive e komisionit të përcjelljes së eshtrave të themeluesit të Vatrës, Faik Konica, po ashtu ishte nëTiranë në qershor 1998, kur një delegacion i shoqatës Vatra shkoi nga SHBA, qëndroi në Shqipëri në kuadrin e një misioni vëzhgues dhe ndihme për shqiptarët e Kosovës pas fillimit të agresionit ushtarak serb.
Vatra dorëzoi me atë rast në Zyrën e Kosovës në Tiranë, disa dhjetëra mijë dollarë për Luftën në Kosovë.
Po ashtu z. Rexhaj dhe një pjesë e delegacionit shkoi në Tetovë për t’u takuar me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqiptarëve,dhe per ta vizituar Kryetarin e Gostivarit z. Rufi Osmani, aso kohe i burgosur nga regjimi Maqedonas për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar.
Bashkë me Vatranët, menjëherë pas luftës në Kosovë, Rexhaj ishte pjesë e delegacionit shqiptaro-amerikan qw vizituan Kosovwn.
Z. Agim Rexhaj ka qenë mbështetës i vendosur i proceseve demokratike në Shqipëri që në fillimet e Lëvizjes Demokratike e deri sot. Ai është aktiv edhe sot, si nënkryetar i Vatrës, por edhe si individ,është pjesmarrës i takimeve me kongresistë e senatorë amerikanë, merr pjesë në fushatat e tyre, në mbledhejn e fondeve etj.
Po ashtu z. Rexhaj, thotë se është në korent të zhvillimeve në politikën amerikane dhe kontribues në dhënien e opinioneve, prej vitit 2004 është anetar i Komitetit Kombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP) National Committee on American Foreing Policy.Ai shton se ishte anëtar i Bordit per shume vite ne Ligen Qytetare Shqiptaro Amerikane nga 1990-1996.
Z.Rexhaj ne vitin 2004 me delegacionin e Vatrese dhe LDK-se ne Vatikan mori pjese ne ceremonin e Lumturimit te Nene Terezes.Ishte ne komisionin per ngritjen e shtatoreve te Nene Terezes ne Prishtine,Mitrovice dhe Struge.Ai tregon se ishte pjesë në komisionin per ngritjen e Memorialit te Shaban Polluzhes ne Fshatin Polluzhe-Kosove ne Gushte te vitit 2004 dhe se kanë pasur shumë probleme nga grupimet e majta që përpiqeshin ta pengonin, madje 9 here ka udhëtuar nga Peja ne Polluzh me kembengujle qe inagurimi i ketij memoriali, te sponzoruar nga shqipetaret e New Yorkut, të realizohej me çdo kusht. Kryetar i atij komisioni ishte vatrani Sejdi Hysenaj. Inaugurimi u bë në muajin gusht, por fatkeqsisht majtisët e Drenasit e bënë pa praninë e komisionit.
Z. Rexhaj, po ashtu ishte anëtar i komisionit per ngritjen e Katedrales Nena Tereze ne Prishtine.
Nënkryetari i Vatrës ndjehet tepër i nderuar që vlerësimi i tij u bë së bashku me nderimin e martirëve të Vatrës. Ia tahshë dhe Presidentit Nishai dhe të gjithë pjesmarërsve në ceremoni, thotë z. Rexhaj: “Unë ndjehem i lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundi të qenjes time për kombin tim.Nuk ka fjalë që ta përshkruaj mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.Por ka një mënyrë për tua shpërblyer këtë:
Ta çojmë më përpara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë.”(Botoi Dielli ne Print, Dhjetor 2014)
Presheva më dha “titullin” “Nder i Kombit”…
Nga Zyba Hysen Hysa/Para disa ditësh më vjen një ftesë për në Preshevë, por e kisha krejtësisht të pamundur të isha e pranishme, ndaj me kërkesën e tyre, u shkruaj një fjalë përshëndetëse…
Të dashur vëllezër dhe motra të Preshevës martire,
Edhe pse nuk jam fizikisht aty, jo vetëm sot në këtë ditë përkujtimore për poeteshën Sadete Presheva, por gjithmonë zemra dhe shpirti im kanë qenë pranë jush duke ndjerë njëlloj si ju, gëzimet dhe dhembjet tuaja e këtë na e mundëson gjaku shqiptar që na rrjedh në deje, ndaj përmes kësaj letre po u nis zërin tim, zërin e një nëne, të një gjysheje, të një poeteje, të një patrioteje… për ta bashkuar me zërin tuaj dhe njëherësh të themi:
I paharruar qoftë kujtimi i Poeteshës Presheva!
Dikur të ndarë me kufij klonesh, as që e njihnim njëri – tjetrin dhe sa mall e sa lot derdhëm për këtë, sot që klonet u tretën, klone të padukshme ende na mbajnë të ndarë, por di të them që ne, shqiptarët që mbijetuam shekujve, po futemi në udhë pa udhë prej mugëtirës së kohës që po kalojmë…
Stuhia antishqiptare duket se ka pushur, por mendoj që antishqiptarizmi, ka ndërruar taktikë, jo strategji, se mjegullnaja e përhapur në hapësirat shqiptare e më gjerë, ka mprehur dhëmbët e ujkut, se populli ynë i mençur thotë: “ujku mjergull do” dhe vijnë ujqërit e stepave mbështetur nga çakejtë tanë dhe bëjnë kërdinë… mjegulla endet mbi ne, ne na duhen syshqiponjë për të parë përtej mjegullës, e këta sy i kanë intelektualët, krijuesit, patriotët e vërtetë, që të çjerrin tymnajën dhe të mbajnë popullin syçelë, që të ruajë thesaret kombëtare ashtu siç ka ditur t’i ruajë ato edhe përmes stuhive të shekujve…
Të dashur miq pjesëmarrës të këtij takimi,
Në letrën time nuk dua të flas me akademizma, por me fjalë të thjeshta dua të shpreh mendime akademike për situatën nëpër të cilën po kalon kombi ynë. Them se është kapërcyer problemi i përdorimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla, kjo është një arritje e madhe, se gjuha është vërtet e dyta pas gjirit të nënës, se sapo lind foshnja pi qumësht gjiri, e pak nga pak mëson fjalët e para të gjuhës së mëmës, por kjo liri na ka bërë të pavëmendshëm në përvetësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe saktë, apo më e keqja më e madhe, emigrantët po harrojnë t’ua transmetojnë brezave.
Në maj të vitit 2011 kam pasur fatin të jem aty, në Preshevën shqiptare dhe më besoni, edhe sot i ruaj të freskëta ato kujtime , biseda me intelektualë, me mësues, me nxënës të mrekullueshëm, që, kur konkursi i poezisë filloi me poezinë e Ali Asllanit, m’u duk vetja sikur isha në Vlorë, kudo që ishim, këdo që takuam, prekëm Shqipëri dhe folëm shqip, por ajo që më tronditi, qe se historia, letërsia, muzika… e pse shkruhen shqip, nuk flasin shqip, me këtë dua të them që nuk lexojnë të vërtetat e shqiptarëve ndër shekuj… tekstet shkollore duhet të përafrohen deri në unifikim në të gjitha trojet shqiptare mbarëkombëtare dhe në diasporë (këtu me specifikat e veta) Një abetare e përbashkët do ishte hapi i parë, por jo abetare vetëm për shkronja, fjalë, fjali e tekste, por një abetare që do transmetonte frymë kombëtare, ashtu siç janë edhe abetaret e gjuhëve tjera të botës. Më pas historia, ndryshe në Shkup, ndryshe në Preshevë, ndryshe në Prishtinë, ndryshe në Tiranë dhe kësaj i thonë të mësosh gabim historinë me gjuhën tënde, kjo është vetëvrasje e identitetit tonë kombëtar, apo letërsinë, gjeografinë, muzikën…
Të qenit autoktonë në trojet tona, na ka bërë të pavëmendshëm të kuptojmë ndryshimin e taktikave në strategjinë e armikut tonë shekullor për pushtimin e trojeve, që për fat të keq, ju ende e keni mbi shpinë dhe një pjesë e fatkeqësive, ka ardhur me duart tona. Kështu herë me të mirë e herë me dhunë, është bërë e mundur që shumë troje të popullohen me serbë dhe batica serbe vazhdon edhe sot e kësaj dite, por me një taktikë mashtruese, se gjoja do vendosim klimën paqësore midis shqiptarëve dhe serbëve, po si u vendoska kjo klimë, kur shi bie vetëm në arën e hasmit??
Nuk mjafton të themi “jemi krenar që jemi shqiptar”, por të përpiqemi të ruajmë identitetin tonë shqiptar në çdo çast, në çdo veprim, në çdo situatë, të flasim, të mendojmë, të jetojmë si shqiptarë. Edhe pse bisedojmë me një serb, ne duhet t’i flasim shqip, ta përshëndesim shqip, se jo vetëm është gjuha e mëmës, por është shenja e parë dalluese që na quan shqiptarë. Pse t’i përgjigjemi serbëve, grekëve, malazezve… me gjuhën e tyre, kur ne kemi gjuhën tonë, atë gjuhë që është ballafaquar me gjuhët më të mëdha të botës, siç bëri Noli në përkthimet e tij, atë gjuhë që edhe gurë e drurë të këtyre trojeve, po të kishin gojë, do flisnin vetëm shqip. Për sa kohë që nuk do kemi mundësi të bashkojmë territoret, gjë që nuk është më e rëndësishme, se sa të ruajmë identitetin, se nëse ne nuk ruajmë çdo gjë që është shqiptare dhe nuk flakim tej ato gjëra që na janë imponuar ndër shekuj me qëllim që të na përçajnë, kufijtë nuk do na vlejnë më, ashtu siç nuk po na vlejnë kufijtë e Shqipërisë dhe të Kosovës, se nuk po punohet me seriozitet për t’u prezantuar në botë si një faktor më vete dhe i rëndësishëm…
Lufta për të drejtat e shqiptarëve, është përpjekja e secilit prej nesh për të qenë shqiptar… por siç ka thënë poeti ynë, Xhevahir Spahiu: “Është vështirë të jesh shqiptar dhe shkrimtar në Shqipëri…”, po në Kosovë, po në Maqedoni, Po në Malin e Zi, Po në Preshevë, të dashur miq? Sigurisht shumë herë më e vështirë, por kjo vështirësi duhet të na latojë mendjen, të na çelë sytë për të shpëtuar vetveten, për të ruajtur identitetin tonë kombëtar…
Mbase u mërzita, por këto, besoj janë edhe shqetësimet tuaja, se kanë ikur ato kohëra të një propagande fallso që bëheshin takime, kuvende, festa e përkujtimore dhe nuk thuheshin të vërtetat e hidhura, se e vërteta, sado e hidhur qoftë është shumë herë më e ëmbël se gënjeshtra, se kur thuhet në kohë e vërteta, dëmton më pak se kur mbulohet. Kur të qëllon prindi, shuplaka harrohet dhe marrim mësime, kur të qëllon armiku shuplaka hap plagë dhe dhemb gjatë, të “qëllojmë” njëri – tjetrin me dashuri prindërore, ashtu siç më qortonte i ndjeri babai im, duke më përqafuar, dhe do shohim se sa përpara do të ecim dhe se sa bashkë do të jemi.
Unë jam e bindur që vepra e profesoreshës Presheva do mbetet një dritë e pashuar, një shkëndijë që ndezi gjuhën shqipe në një kohë të trazuar, ajo do mbetet një misionare e pavdekshme për ne dhe gjithë kombin tonë. Shpirti i saj, si i gjithë patriotëve dhe mendimtarëve shqiptarë, nuk e ka gjetur akoma vendin në parajsën qiellore, ato enden mbi ne, për të pritur realizimin e ëndrrës së tyre dhe ne e kemi këtë detyrë dhe përgjegjësi për t’u prehur përfundimisht shpirtrat e tyre në paqe. Zoti na dhente dashuri mes njeri – tjetrit, Zoti na dhente mend te vlerësojmë vlerat tona, gjuhen tone te bukur, vendin tonë te mrekullueshëm, kulturën tone te hershme dhe te jemi bashke për t’u bere bashke…
Unë s’kam se çfarë të them më shumë se titulli i librit që përurohet sot: “Sadete Presheva: Simbol i Femrës Shqiptare”.
FALEMINDERIT!
Pasi e nis shkrimin tim, më vjen kjo përgjigje:
“E nderuar poete Zyba,
Unë me profesion superior jam filozof dhe kësaj here do të mundohem që testin që e keni shkruar që në këtë apo në atë mënyrë paraqet një oqean që duhet shterur.
Është fakt i pamohueshëm se testi juaj paraqet një hyrje të plotë për një enciklopedi kombëtare. Po të kisha mundur si Rudolf Carnapi ta formoj një alfabet, apo siç thoni ju, abetare, nuk do të kisha pasur shkronja me ju falënderuar për tërë atë që e ke thënë, prandaj në pamundësi të tillë për ta shpreh tërë atë që duhet me e thënë, sepse gjuha standarde është tepër e varfër për ta shpreh tërë atë që e ndien gjuha emocionale. Kështu që në pamundësi për të gjetur shprehje për një falënderim për një nënë të madhe shqiptare, do t’i kthehem fjalës së popullit, bij e të cilit je edhe ti: Të faleminderit, rrofsh e qofsh sa malet e Tomorrit!
P. s. Në mungesë të Zyba Hysa, një karrige do te jete e zbrazët.
Prof. dr Avni Presheva”
Kaluan ditë dhe siç rrëmbehem unë nga puna, nuk i kisha kontrolluar mesazhet, kur hapa kompjuterin dhe pashë fotot dhe fjalët shumë ngazëlluese të Prof. Dr. Avni Preshevës: “E nderuar, shih aty ku është kryesia, vendi yt është i zbrazët. E kam mbajtur fjalën , se njeriu lidhet për fjale e cjapi për brirë.
Përshëndetje dhe shume të faleminderit për telegramin, të cilin e kemi lexuar!
Prof. Dr. Avni Presheva”mbeta pa frymë… M’u shkaktua një ndjesi e pa provuar ndonjëherë, mbase këtë e kanë ndier ata që marrin titullin e lartë “Nder i Kombit” dhe unë u ndjeva po ashtu, unë do ta ruaj këtë “titull” në shpirt që kurrë të mos më bjerë shpirti në agoni, por deri në gërhimën e fundit të luftës së tij për të dalë të më ndriçojë sytë dhe mendjen për t’i shërbyer vendit tim, popullit tim, KOMBIT tim!
Faleminderit Prof. Dr. Avni Presheva, faleminderit të gjithëve ju, që më keni ruajtur vendin bosh për të qenë aty… Më keni respektuar, më keni nderuar, por të gjitha këto u takojnë juve, se jeni njerëz fisnikë dhe patriotë!
I paharruar qoftë emri dhe vepra e poeteshës Presheva!
FALEMINDERIT!
(Ne Foto:Nga salla e takimit)
MALËSI E MADHE, O NDERI I KOMBIT
Nga Frank Shkreli/
Njoftohet se Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Bujar Nishani ka vendosur të dekorojë Malësinë e Madhe me titullin ”Nderi i Kombit”. Pritet që Presidenti Nishani të zhvillojë cermoninë e dorëzimit të titullit, “Nderi i Kombit” Malësisë së Madhe më 25 Nëntor, pak ditë para Festës së Madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën trevat e Malësisë së Madhe , kësaj kalaje të patundur të Arbërit ndër shekuj — kanë dhënë një kontribut të çmueshëm dhe historik. Është e drejtë historike dhe morale që Presidenti Nishani njeh meritën dhe kontributin e malësorëve, të cilët me ndihmën e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, dhe patriotëve të tjerë, përpiluan memorandumin me 12 pika, të ashtuquajturin ”Libër i Kuq”, e i cili përfshinte kërkesat e të gjithë shqiptarëve, ndër të tjera, për vet administrim, me gjuhë, buxhet dhe guvernator të vetin. Memorandumi, që në atë kohë bëri jehonë të madhe anë e mbanë Evropës, përfaqësonte kërkesat e të gjithë shqiptarëve. Në një gazetë të kohës Kolnische Zeitung, cituar në librin Kosova të Jusuf Buzhovit në artikullin, ‘’Shqiptarët dhe Evropa’’ thuhet se ‘’Malësorët e fiseve shqiptare të Grudës, Hotit, Kastratit, Kucit dhe të Shkrelit nuk i lëshojnë armët prej dore dhe më me dëshirë vdesin për çështjen e tyre të shëjntë se sa të jetojnë në robëri.’’
Sipas revistës Leka të vitit 1937, nënshkruesit malësorë të këtij memorandumi ishin: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.
Këta ishin prijësit heroikë të malësorëve trima, këtyre rojtarëve të fateve të kombit shqiptar ndër shekuj, që sipas Ismail Qemalit ”ishin pushkë të ngrehura të Shqipërisë”, të cilëve gjatë asaj periudhe kritike për shpëtimin e kombit shqiptar nga copëtimi, iu bashkangjitën në Podgoricë edhe mendjendriturit e atëhershëm të kombit shqiptar, Ismail Qemali, Ekrem Vlora, Luigj Gurakuqi, Fadil Pashë Toptani, Pandeli Cale, Qazim Kokoshi, Hamit Bej Toptani, Risto Siliqi, Xhemal Kondi, Hil Mosi, Mark Kakarriqi e të tjerë. Ishte ndoshta hera e parë, ç’prej Lidhjes së Prizrenit, që kryengritja e malësorve kishte përkrahjen e të gjithëve, gjë që i jepte asaj edhe një frymë pjekurie kombëtare që do ta çonte Shqipërinë në pavarësinë e saj. Më 24 Mars 1911, malësorët trima, me kryengritjen e tyre hodhën hapin vendimtar drejtë lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, megjithëse e copëtuar, e pasuar nga kryengritja e Kosovës më 1912, e prirë nga Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini, duke kurorëzuar kështu një mori kryengritjesh të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tij kundër robërisë shekullore otomane.
Si një mërgimtar me origjinë nga ato treva, falenderoj Presidentin e Republikës për akordimin e titullit ”Nderi i Kombit”, Malësisë së Madhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në këtë ditë të shënjtë të kombit shqiptar. Ky përvjetor, le të festohet në trekëndshin shqiptar: Tiranë-Prishtinë-Shkup, si një festë mbarë-kombëtare në të gjitha trevat, përfshirë edhe Malësinë e Madhe, duke shënuar një moment historik të kombit, kur shqiptarët janë më të lirë se asnjëherë tjetër në historinë e tyre, kurë me fatin e tyre nuk luan më as sllavi as greku e as edhe Evropa shtrigë — dhe kur kombi shqiptar është duke luajtur rolin që i përket atij për ruajtjen e paqës dhe të stabilitetit në Balkan, ndërkohë qe ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar, që Shqipëria e natyrshme të jetë pjesë e pandarë e botës përendimore ështe në prag të realizimit.
Le të shpresojmë qe brezat e sotëm shqiptarë të jenë bartës të denjë të vuajtjeve, sakrificave dhe luftërave të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve gjatë historisë, duke jetuar sipas trinomit në bazë të cilit jetonin dhe vepronin malësorët tanë, e që janë besa, nderi e burrënia, të bindur se këto vlera bazë të përmblidhej udhëzimi i drejtë për një jetesë të ndershme e të kënaqshme për të gjithë kombin. Me gjith lirinë që gëzojnë sot shqiptarët pas aq shumë vjetë mohim lirie dhe nepërkëmbje të të drejtave bazë të tyre — së bashku të gjithë festojmë këte ditë shënjte — të mirëfilltë se liria dhe shpëtimi i vërtetë i kombit vjen nga njohja e vlerave të këtij trinomi dhe të traditës frytdhënse të historisë tonë kombëtare, të pastruara nga ideologjitë dhe influencat e huaja.
Duke uruar Malësinë e Madhe për nderimin që i bën Kombi në këtë përvjetor, dhe të gjithë shqiptarët për këtë jubile historik, shpresoj dhe lutem që liria që gëzojnë sot shqiptarët, të çojë në një përmirësim të gjithanëshëm të jetës politike dhe ekonomike si dhe në një diskurs më të denjë politik dhe në një jetë më të lumtur dhe më të begatshme për të gjithë shqiptarët kudo që janë.