Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë: Ndihma e SHBA është me të vërtetë e madhe/
Javën e kaluar, Ministre e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Shekerinska Jankovska, mirëpriti në zyrën e saj atasheun e ri të Mbrojtjes së SHBA në RM, Kolonel Timoti Bjuken, duke i uruar atij një qëndrim të këndshëm e produktiv në Maqedoni. Gjatë takimit Ministre Shekerinska dhe Kolonel Bjuken, shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e stërvitjes “Dragoon Guardia17”, e cila po zhvillohet aktualisht në Krivollak, duke theksuar përfitimet nga ky aktivitet i përbashkët. Ndihma e SHBA-së, është me të vërtetë e madhe, si në sektorin e mbrojtjes, ashtu dhe më gjerë, tha Shekerinska. Në këtë kontekst, ajo përmendi deklaratën e Zv.Presidentit, zoti Mike Pence, gjatë Samitit të grupit të Kartës së Adriatikut në Podgoricë, 2 gusht 2017, se SHBA mbeten të angazhuara në rajon, në Maqedoni dhe në aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në NATO. Së fundmi, qeveria ka demonstruar përkushtimin e saj për integrimin Euro-Atlantik. Dëshmi e qartë për këtë është përmirësimi i marrdhënieve me fqinjët dhe gatishmëria për të zgjidhur ceshtjet e pazgjidhura, tha Shekerinska. Ajo përcolli deklaratën e kryeministrit Zaev, për rritjen graduale të buxhetit të Mbrojtjes dhe për kontributin në operacionet ndërkombëtare. Ministre Shekerinska-Jankovska, përshëndeti mundësinë e dhënë për arsimimin e pjestarëve të ARM-së në SHBA, si dhe përkrahjen në pajisjen dhe modernizimin e ushtrisë. Nga ana e Tij, Kolenel Bjuken falenderoi për pritjen e ngrohtë dhe tha se, mandati i tij fillon në një periudhë interesante dhe dinamike, si për Ministrinë e Mbrojtjes, ashtu dhe për Armatën e vendin në tërësi. Zoti Bjuken theksoi se, Dera e Zyrës së Atasheut të Mbrojtjes të SHBA, por dhe Ambasada në përgjithësi, gjithmonë do jetë e hapur për bashkëpunim dhe ndihmë.
{Shefqet Kërcelli, sipas Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes të RM}.