Fezollari: Në Amerikë do të vija me”Trojanët”
Artistët Shqiptarë në Botë/
Enke Fezollari: Për Komunitetin Shqiptar do të doja të vija me”Trojanët”/
Tragjedia shekspiriane “Hamleti” është vepra që kam më shumë për zemër. E shfaqa Tetorin e kaluar në Tiranë…./
Enke Fezollari është një artist shqiptar i cili në moshë të vogël ka emigruar në Greqi së bashku me nënën edhe motrën e tij. Shpeshherë në intervistat e tij në Greqi ka përshkruar vështirësitë që kaluan vitet e parë. Jo vetëm kaq, por ai ka shprehë edhe revoltën për mënyrën ligjore, në shtetin Helen. Pasi mbaroi shkollën shtetërore për dramaturgji në Veri të Greqisë, mori pjesë në shfaqjen teatrale të regjizorit shqiptaro-grek Laert Vasili “ Një në dhjetë”. Një shfaqje teatrale e suksesshme, që i dha një grusht goditës situatës në Greqi për keqtrajtimin e brezit të dytë të emigracionit.Sipas ligjit,brezi i dytë dilte i paligjshëm në bazë të mënyrës së legalizimit që aplikonte Greqia.
Enke Fezollari ishte aktor në këtë shfaqje dhe në skenë tregoi talentin e tij. E kam ndjekur atë shfaqje dhe akoma e mbaj mend këtë skenë kur e kam parë për herë të parë, sa i përqëndruar edhe emocionus ishte. Me shumë këmbëngulje, por edhe me këmbë në tokë, në një Greqi, në të cilën, kriza ishte në fillimet e saj, ai vendos në skenë në shqip me shumë sukses jo vetëm për publikun shqiptar por edhe atë grek “Dritarja” e shkrimtarit me famë botërore Jani Rico. Ky ishte edhe aktor, edhe regjizor.
Ky fillim i mbarë ka ndjekur me shumë shfaqje teatrale klasike. Një nga ato është edhe Çehov me “Plandonof”, që shënoi një sukses të jashtëzakonshëm. Ai kishte gërshetuar në mënyrë të jashtëzakonshme aktorët, skenën, gjithçka. Në shtypin grek u prit me kritika shumë pozitive. Ai nuk ndaloi këtu, më vonë vendosi në skenë, shfaqjen teatrale “Pjesë nga një martesë”(të cilën do të dëshiroja shumë ta ftoja në Amerikë dhe të jepej si shfaqje për shqiptarët këtu). Ishte një shfaqje në të cilën frymëzon shpirtin e gjithësecilit që e sheh. Një temë shumë reale për martesën, sidomos për ne shqiptarët, tashmë, ku marrdhëniet martesore kanë filluar të plasariten shumë vitet e fundit. Me këtë shfaqje ai më aprovoi se dinte ti imanagjonte shumë mirë të dyja anët e medaljes, si errësirrën,ashtu edhe dritën.Unë e kisha “kritikuar” se vepra, vërtetë ishte thelbësore, po edhe pak depresive . Isha e ftuar edhe në dy shfaqje teatrale, të cilat vendosi në skenë, ku në thelb kishin tronditjen shpirtërore të brendshme për shkiuesin.
Ky është Enke; artist, ku çdo hap i tij është shumë i matur, secila vepër që zgjedh është shumë e studjuar. Veprat që vendos në skenë janë edukuese. Kjo është mënyra se si gjenë ai komunikimin me publikun, por jo vetëm kaq, me këtë lloj arme, Enke shprehet për padrejtësitë që shikon rreth tij, shoqërinë e cila hesht në mënyrë tragjike. Me këtë mënyrë bën revolucionin, ndaj një shoqërie të kalbur e cila e ka më të lehtë ti hedh dikujt fajin, se të mbaj përgjegjësinë vetë. Ështe një artist me vlerë.
Këto ditë, ne përsëri patëm një bisedë rreth punës së tij si regjisor dhe si aktor. I kërkova një bisedë për Gazetën “Dielli”, më e vjetra e Botës shqiptar, që botohet në SHBA nga Vatra, prej 107 vitesh. U tregua i gatshëm. Desha t’i përcjell lexuesëve se Enke, është artist i suksesshëm. Në moshën kaq të re të tij ka arritur të regjizojë shumë vepra klasike, në një periudhë krize në Greqi, ku arti është nga të parët që u prek. Me një sukses të jashtëzakonshëm, edhe me kritika shumë të vlerësuara, ai vuri në skenë “Shtëpia e Bernanda Albës” të Lorkës, që jo pa arsye u quajt një nga shfaqjet e vitit. Ka shumë për të thënë, por nuk arrinë koha që kemi në dispozicion. Shpresoj në një të ardhme të kemi mundësi, të shikojmë edhe një teatër për komunitetin këtu në SHBA, jo vetëm këngëtarë e folk.
– ‘Teatri është shtëpia e shpirtit”, nuk mbaj mend se ku e kam lexuar këtë kripë-mjaltëz, s’më kujtohet as autori, por më ka mbetë në mendje. Me të vërtetë është kështu. Më të shumtit e artistëve morën valixhen edhe ikën jashtë Greqisë, me ty ndodh diçka magjike. Në krizën mendoj se një nga regjizorët e rinj me katër shfaqje teatrale, ku në epiqendër kanë tema thelbësore, edukuese, reale për situatën që përjeton Greqia por jo vetëm. Si shfaqjen teatrale “Profesioni i një prostitute”, si Shtëpia e Bernandës, si edhe Hamletin në Shqipëri, të tjera që më duhen shumë të tjera. Si ndodhi kjo? Cili është sektreti Enke?
Përgjigjet ai:-Nuk ka sekret. Kriza krijon nevojë të kërkojmë zgjidhje dhe të kapërcejmë pengesa, si në nivel personal edhe në art. Brezin tim e quaj të sakatpësur nga njera anë, dhe nga ana tjetër, ka arritur të mbijetojë dhe të mbështetet me këmbët e tij. Normalisht shteti duhet të investonte në fushën e edukimit, të shëndetit, edhe të artit por një ngërç ; memorandumet edhe metodat e tyre kanë bërë gjërat të paralizohen. Nuk e di për sa kohë do duroj edhe unë para se të përgatis valixhet. E gjithë kjo gjendje sjell edhe një fërkim. Plakesh para kohe sepse mban mbi supe shumë ngarkesë. Të vetmen kurajo që ke është se disa nga ne këmbëngulim të bëjmë shfaqje me shumë pak buxhet, me shumë punë por me një dashuri të thellë. Publiku e kupton këtë e ndien e vlerëson me mbështetjen edhe me praninë e tij.
E pyes: -Më përshkruaj, cilat nga të katërt shfaqjet që ke shfaqur nga viti i kaluar e deri tani, është më e dashura dhe më e veçanta?.
Përgjigja e Enke: -Shfaqja teatrale “Profesioni i një prostitute” i Lili Zografu ishte një stacion për mua, ashtu si edhe Lorka.Por edhe Petrula Dhimitra me dokumentarin therës për luftën civile, një periudhë që ngelet një faqe e zezë për Greqinë.Por zemra sivjet i përket me të drejtë Hamletin, që regjizova në Shqipëri. Një veper e madhe dhe e mrekullueshme shekspiriane.
-Si ishte për ju kjo përvojë?
Enke:- Është hera e parë që vendos shfaqje teatrale në Shqipëri me një vepër shumë të madhe me një aktor histori për vendin tonë, ku në rolin e Hamletit luante një grua.
– Më përshkruaj si u ndieve, çfarë mësove, çfarë të bëri më shumë përshtypje?
Enke: -E quaj dhuratë kthimin në atdhe… në të vërtetë, ti mund të pyesësh: për kë atdhe? Ke të drejtë po ta mendosh se ne u shpërndamë, ikëm nga atdheu, por ai mbetet aty. Ishte një udhëtim pjekurie,pas traumave, të lotëve,ishte edhe një Oskar personal… të kthehem edhe të vendos në skenë këtë vepër edhe të regjizoj me aktoren, Luiza Xhuvani, që në fëmijërië e admiroja, në vendin që pashë për herë të parë teatër. Në kujtesën edhe në fëmijërinë time të mrekullueshme,Tirana nuk ishte ajo që kisha lënë. Teatri aty ka nevojë për brez të ri për njerëz që do ti japin jetë të re. Aktorët ishin vërtetë punëtor të artit. Eshtë nga gjërat që mbaj mend, si edhe vështirësi por edhe dashuri të vërtetë.
E pyes unë:- Si është situata në Greqi?
Enke: -Shpresa është ajo që të jep besim se gjërat do ndryshojnë. Uroj të ndryshojnë gjërat por e shikoj shumë të vështirë, kjo që po ndodh është në të gjithë rruzullin… është shumë tronditëse, do vetëm durim si edhe kontribut nga secili, do veprim me gjërat që secili disponon. Ka akoma njerëzillëk në Greqi.
– Cili është hapi tjetër që do të hidhni për të ardhmen?
Enke: – “Gënjeshtra e fundit” nga Mixali Kakojianni, e cila do paraqitet në teatrin e Pireut, është një dhuratë e madhe për mua të transformoj një film kaq të madh. Njëkohësisht do përsëritet shfaqja “Ky është nëna moj” me Dhimitra Petrula dhe Sofia Adamidou si dhe Vera Krusko të cilën e shfaqëm vitin e kaluar. Njëkohësisht rikthehem edhe si aktor tek shfaqja “Filoktiti” për pak shfaqje tek Vrisaki.
– Me Shqipërinë kur do ketë ndonjë shfaqje te re?
-Shpresoj…
– Çfarë shfaqje do të dëshironte Enke të sillte në skenë në një turne në Amerikë për komunitetin shqiptar?
– Trojanët..
-Faleminderit që biseduam për Diellin.
Enke:- Ishte kënaqësi….
Flet regjisori Vladimir Kasa dhe ëndrra e arratisjes për në Amerikë
Për gjithë sakrificën dhe vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension prej 70 dollarësh… Vërtetë tragji-komike… Nuk jam i penduar për gjithcka bëra, ndihem i fortë dhe energjik e me mendje të kthiejllët si në ato vite, por tashme me pjekurinë e moshës dhe një akumulim artistik që dhëntë zoti ndodh ndonjë çudi… Dhe çudirat ndodhin… V.Kasa/
Nga Bisedoi Keze Kozeta Zylo/
Kam dëshirë ta filloj bisedën me ju për publikun artadashës me fëmijërinë tuaj, cilat janë kujtimet gjatë kësaj periudhe dhe çfarë vendi kanë zënd në memorjen tuaj? Janë realizuar ëndrrat e fëmijërisë suaj dhe a kanë qenë ato ëndrra katalizator për t’u lidhur me botën e artit?
–Në botën magjike të artit jam futur krejt rastësisht. Në vitin 1968, vazhdoja vitin e fundit në gjimnazin e Pukës i detyruar të ndihmoja familjen e vëllait, i cili ishte transferuar atje. Unë vija nga gjimnazi “Qemal Stafa” i Tiranës dhe kuptohet që u vendosa perballë një realiteti të mërzitshëm. Regjisori shkodran Edmond Mëhilli, i sapoemëruar në shtëpinë e kulturës Pukë, më propozoi një rol në dramën “Hijet e Natës” te dramaturgut Vedat Kokona.
E pranova me kënaqësi duke menduar se thyente ditët e mërzitshme e të ftohta e pse nuk kisha marr pjesë kurrë në aktivitete të tilla artistike. Roli ishte shumë i bukur dhe mbante pothuaj gjithë cfaqjen. Fillova të punoja me një pasion të çmendur me vehten time. Kaq shumë më bëri për vehte kjo punë, sa në çfaqjen që dhamë për publikun pata një sukses të jashtëzakonshëm. E kështu pas një muaji shkuam në Elbasan në festivalin e trupave amatore, ku mora medaljen e artë si aktori më i mirë i festivalit dhe m’u propozua të futesha në Akademine e Arteve, dega dramë. Kështu vura hapat e para në klasën e profesor Mihallaq Luarasit të cilit i jam mirënjohës për këmbëguljen e tij në largimin tim me studime ne Rumani. Pasi mbarova vitin e dytë dega dramë, së bashku me një grup studentësh, shkova me studime në Rumani pranë Akademisë së Teatrit dhe Filmit “ION LUCA CARAGIALE”, Bukuresht.
Ju jeni një regjisor i mirënjohur në botën e kinematografisë shqiptare, cilat janë disa nga filmat e rëndësishëm kombëtar që ju keni realizuar?
Filmi artistik “Streha e re” me regji të V.Kasaj dhe S.Pecani.
Kino Studio Shqipëria e re. 1976
Filmi artistik me dy seri “Ditët që sollën pranverën” me regjisor V.Kasaj. RTSh, 1978
Filmi artistik me dy seri: “Flaka e maleve” me regjisor V.Kasaj. RTSH, 1980
Filmi artistik “Inxhinieri i minierës”, me regjisor V,Kasaj. RTSH, 1981
Kino Komedia “Canta e zezë, me regjisor V.Kasaj. RTSH, 1984
Kino Komedia “Hapi sytë e zezë” regjisor V.Kasaj. RTSH, 1984
Filmi artistik me dy seri: “Rikonstruksioni” me regjisor V.Kasaj, fituesi i çmimit të madh Aleksandër Moisiu në festivalin e filmit në Tiranë, si filmi më i mirë i vitit. RTSH, 1986
Gjatë xhirimeve ju keni pasur pranë aktorë kombëtarë mjaft të dashur për publikun, cilat janë disa nga momentet më pikante që do të kujtonit dhe çfarë më konkretisht?
E doja marrëzisht profesionin tim, e duke punuar në RTSH, që nga struktura mund ta krahasoj me gazetën, kishim lidhur jetën me të dhe nuk njihnim orar. Kam realizuar me dhjetra teledrama me Teatrin Kombëtar, teatrin “Migjeni”, Shkodër, teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, atë të Korçës apo Elbasanit dhe Fierit si dhe koncertin e madh të ndërrimit të viteve 1980, 1982,1984, 1987 që nga përmasat ishte produksioni më i rëndësishëm i vitit. Qindra emisione humoristike apo koncerte në natyrë, me aktorët tanë më të mirë të humorit dhe këngëtarët e mrekullueshëm të vendit tim. Kam pasur privilegjin të punoj me ajkën e artit Shqiptar, për të cilët ruaj kujtime të bukura. Dua të veçoj këtu aktorët e humorit si Luftar Pajën, Tano Banushin, Skënder Sallakun, Aleko Prodanin, Ceken, Zef Deden, Gezim Krujën, Fadi Hasën, apo parodistët e Fierit dhe Vlorës. Këngëarët tanë të mrekullueshëm, Vaçe Zela, Gaqo Cako, Avni Mula, Zeliha Sinën, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku e qindra të tjerë që të më falin se nuk mund t’i përmend në këto pak reshta. Njerëz të përkushtuar dhe të devotshëm. Më kujtohet në xhirimet e koncertit të madh të Vitit të Ri 1984, xhironim në skenën e Akademisë së Arteve, ora 03:40 e mëngjesit, ku duhet të vinte të këndonte V.Zela. Dërguam makinën ta merrte në shtëpi dhe erdhi. Po qeshte me ne, se na quante lugetërit e natës … -Po mirë xhanëm nuk ju zë gjumi mbi pultin e regjisë? Këndoi me atë zë të mrekullueshëm edhe pse e kthyem disa herë… Kur po ikte më tha: “Vëre dorën në ballë”. Ishte shumë e nxehtë. Kam qenë me 39 gjithë ditën vazhdoi artistja.
Qeshi dhe u largua. Në një nga këto netët e lodhshme më kërkon drejtori i përgjithshem i RTSH-s, Marash Hajati. Lashë montazhin dhe shkova. Si është puna me filmin që keni xhiruar në Cakran të Fierit, më tha? Unë ngela i befasuar se nuk po kuptoja se për çfarë e kishte fjalën… -Keni marrë një gomar ku hypën Luftar Paja? -Po i thashë… -Duhet ta hiqni nga filmi, se është ngritur organizata bazë e fshatit dhe ka dërguar letër në Komiteti Qendror, pasi gomari është i një të deklasuari…Ju mund të qeshni… por gomari u hoq dhe na detyroi të rimontonim filmin duke parë çdo kuadër se mos dilte koka apo pëlliste diku jashtë kuadrit.
Ju keni disa foto me legjendën e Teatrit Kombëtar Kadri Roshin, cili ka qenë bashkëpunimi me të dhe tematika qe aktori pëlqente më shumë si dhe mesazhet që ai përcillte pranë jush në radhë të parë dhe pastaj për miliona artashës që e shikonin me ëndje?
Dashuria ime ishte kinemaja. Kisha shumë ëndrra dhe vija me një informacion të kohës nga studimet në Rumani. Këtë e ndjeja në punë me kolegët, me aktorët dhe me ekipin realizues të filmave. Isha shumë egzigjent në punë dhe kërkoja në radhë të parë disiplinë, sepse vija re një lloj indiference nga teknika. Filmi është art kolektiv dhe nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat në perfeksion ndikon në anën artistike të tij. Këto raporte kisha krijuar dhe me aktorët, për të cilët dua të theksoj se kisha fatin të punoja me gjigandët e artit skenik si, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Ndrek Luca, Roza Anagnosi, Reshat Arbana, Serafin Fanko, Sander Prosi, Sulejman Pitarka, Bep Shiroka etj. Isha shumë i ri në moshë dhe puna me ta më mësoi shumë. Shpesh në shesh të xhirimit shumë gjëra ngecnin për një arsye apo tjetrën, por falë eksperiencës dhe urtësisë së këtyre aktorëve të mëdhenj unë bëra një shkollë të dytë, atë të mjeshtërisë së aktorit. Vetëm me punë dhe vetëm punë me përkushtim, u formova si artist.
Ky ishte leksioni më i mirë që mora prej këtyre akorëve të mëdhenj…
Ndër figurat historike kombëtare keni menduar ndonjëherë për të realizuar një film rreth Ali Pashë Tepelenës dhe për cilin aktor mendoni se do të ishte më i përshtatshëm? Vetë qyteti i Tepelenës, kalaja aq pranë , rrugicat e ngushta, lumi Vjosa dhe ura e drunjtë që lidh qytetin me vendet e tjera janë frymëzim i magjishëm për artistët, cili është opinioni juaj?
Unë jam nga Tepelena dhe fatmirësisht kam jetuar aty dy vjet. Gjithmonë e admiroj këtë vend në kujtimet e mia, sepse vërtet aty kishte gjëra përtej imagjinatës. Si djali i Cavoit pasi kështu ma kishin vënë nofkën shokët ndihesha komod dhe shumë shpejt u përshtata me ta. Isha tip sportiv dhe u bëra pjestar i ekipit të basketebollit me Minatorin e Tepelenës që merrte pjesë në kategorinë e dytë. Njoha shumë njerëz të mrekullueshëm që punonin me përkushtim si pedagog, sportist apo artist, me të cilët kam mbajtur lidhje të vazhdueshme dhe në këtë kontekst nuk kishte si të kalonte pa u ndjerë figura e Ali Pashe Tepelenës. Në atë kohë qarkullonin shumë legjenda të cilat dëshironim ti preknim në rrënojat e kalasë, sic ishte tuneli që lidhte kalanë me fshatin Damës (ashtu flitej në atë kohë mes nesh)… Kalon poshtë Vjoses thonin dhe ne që nuk lamë brimë pa kërkuar, apo cdo relike që gjenim e ruanim si hajmali pasi mendonim se na sillte fat. Shpesh kur shkoja i papërgatitur në mësim, i lutesha një pafilleje që kisha gjetur në kala për të mos u ngritur në mësim dhe cuditërisht funksiononte. Kështu u mitizua Ali Pasha tek unë dhe ndihesha i detyruar të bëja dicka për të. Dhe momenti erdhi kur lexova novelën e Kico Blushit “Koka e prerë”. Kisha shfletuar shumë për të, por kjo më ngjiti dhe fillova të skicoja sekuencat e para. Në një ditë të bukur kur xhironim filmin “RIKONSTRUKSIONI”me mikun tim aktorin e madh Kadri Roshi dolëm për të gjuajtur peshk në det të hapur. Ja hodha si ide. Më pa dhe u emocionua…
E kuptova menjëherë se e ngacmoi mendimi për të luajtur rolin e këtij njeriu të madh… I thashë se doja ta vendosja në kalanë e Porto Palermos përsa i përket xhirimeve në exterier… Fillova t’i flisja gjithë kohës se më kishte hypur delli I frymëzimit dhe pasi më la te flisja pa më ndërprerë, më kapi nga dora dhe me sytë që i shkëlqenin më tha: “Ndoshta do të kem fatin ta luaj sa të jem gjallë”. …Por as ai dhe as unë nuk patëm mundësinë për të realizuar këtë film historik, të parin e këtyre përmasave.
Ndryshimet demokratike të vitit 91, shkatërruan përfundimisht ëndrrën tonë…
Do thoni ju, kush të pengon, bëje tani!…
Mos harroni qe filmi është industri dhe me mundësitë financiare të vendit tonë është absurde ta mendosh.
Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një ndër filmat me shikues më të shumtë, ku ju bashkëpunoni ngushtë me regjisorin e shquar Dhimitër Anagnosti cilat janë disa nga vështirësitë qe keni pasur në realizimin e këtij filmi me aktor brilant si Kadri Roshi etj?
Bashkëpunimi me regjisorin Dhimitër Anagnosti në filmin “Lulëkuqet mbi mure” ka qenë shumë konkret, pasi jam marrë me zgjedhjen e trupës së fëmijëve të jetimores. U desh të seleksionoheshin rreth 500 nxënës të shkollave të ndryshme të Tiranës nga ku doli ai grup i vogël i mrekullueshëm aktorësh. Puna me fëmijët aktor më afronte më shumë me ta, pasi edhe vetë isha në një moshë të re dhe për më tepër skenari i filmit më kishte bërë për vehte, e ashtu sic është shprehur edhe Taqo (kështu i flisnin Dhimitrit) gjetëm njeri tjetrin. Unë solla në këtë film
atë energji dhe akumulimin artistik të përfituar në shkollën rumune, që për hir të vërtetës mund të them që ishte në nivele botërore dhe të mësonte vërtetë ABC-n e kinemasë. Atë që admiroja tek Taqo ishte disiplina dhe përkushtimi ndaj punës, për të mos folur pastaj për eksperiencën shumëvjecare në kinema. Dhimitri kishte mbaruar shkollën ruse për operator dhe kjo i jepte avantazhin e madh në ndërtimin e mizaskenave, ndërsa unë fusja në lojën e fëmijëve pikërisht ato çapkënllëqe të fëmijërisë sime. Në punë kam kërkuar gjithmonë te futem në psikologjinë e personazhit duke e pasuruar ate nga jeta ime, për të thënë gëithmonë diçka të re dhe mos të përsëriteshin klishe të mërziteshme. Sigurisht kjo ndërthurje mes lirisë time personale të përfituar në vitet e studimit jashtë shtetit dhe llogjikes racionale të Dhimitrit, ndryshuan shumë episode nga skenari fillestar duke realizuar nje film ikonë të kinematografisë shqiptare. Xhironim me Kadri Roshin episodin që fëmijët i lidhin një spango te shkallët për tu hakmarrë ndaj tij. Morëm një akrobat të cirkut që do bënte rolin e kaskadorit në rrëzimin tek shkallët. Shikoja Kadriun që vinte vërdallë nëpër atelier dhe për një moment më mori mënjanë duke më thënë se donte ta bënte vetë pengimin tek shkallët, por unë i thashë se do vritej dhe nuk ja lejonte mosha.
Jo, jo,më tha! I thashë Taqos dhe pasi nguroi disa çaste u futëm në xhirim. Ajo rënia akrobatike e bërë nga Kadriu u bë disa herë dhe kjo për faj të tij se nuk arrinte atë që donim. Në dublin e katërt e mbyllëm me sukses dhe të gjithë shkuam të përgëzonim Kadriun. Hajde këtu më tha, duke më futur pas kuintave. Ngriti bluzën dhe më tregoi kurrizin e mavijosur dhe të enjtur. Me erdhi shumë keq. Të hëngri vetë b…i thashë dhe e përqafova. Në historinë e filmit shqiptar nuk mund të le pa përmendur këtë kastë të mrekullueshme aktorësh pa të cilët nuk mund të kompletohej gjerdani i bukur i kinematografisë.
Ju jeni regjisor i filmit “Flaka e maleve” me një tematikë mjaft interesante dhe intriguese cila ka qenë puna juaj konkretisht dhe si bashkëpunuat me aktorët dhe banuesit e zonave ku xhiruat filmin?
Filmi “Flaka e maleve” mund të them pa frikë se ka qenë filmi më i vështirë në karierën time. Kisha menduar ta vendosja në zonën e Malësisë së Madhe për ashpërsinë dhe bukurinë e mahniteshme që mbarte në vetëvehte, kështu që u stacionuam në Selcë, afër Vermoshit, në periudhën më të ftohtë të vitit, ku bora shkonte mbi një metër. Që në ditët e para kuptova se sa vështirë do ta kishim për realizimin e filmit dhe ashtu ndodhi vërteë. Makinat nuk ndizeshin nga i ftohti, bateritë e kameras (filmi eshte xhiruar në elektronik) nuk mbanin e shkarkoheshin shpejt dhe shumë telashe të tjera që sot kur i kujtoj më zë frika, por mirë thonë që pasioni për punën të bënë të harrosh çdo gjë. Në këto kushte detyrohem të shpërngulem në Shkodër dhe ta vendos filmin në rrethinat e saj në Bogë, Koplik, Leqet e Hotit, për xhirimet jashtë dhe Shkodër të gjitha interieret në mjedise reale. Por kjo kërkonte te ndryshoja çdo gjë në skenarin tekniko-regjizorial. Ai që është profesionist e kupton më mire se çdo të thotë. Punoja gjithë natën mbi skenar që të nesërmen të isha gati në sheshin e xhirimit. Filmi i bënte jehonë ngjarjeve të kryengritjes së vitit 1911, në Malësinë e Madhe, por unë dëshiroja të theksoja shpirtin liridashës të shqipetarëve për të rritur ndërgjegjen kombëtare në Kosovë pasi aty kishin filluar levizjet e para për Pamvarësi. Ndrek Luca ishte në rolin kryesor, ky aktor i madh, kishte kohë që ishte njohur me skenarin dhe në ndryshim nga të tjerët punonte në detaj me personazhin duke i veshur petkun e malësorit dukagjinas prej nga kishte origjinën e tij. Ansambli i aktorëve u kompletua me trupën e Teatrit “Migjeni” Shkodër, me të cilët kisha bashkëpunuar ne filmin “Ditët që sollën Pranverën” dhe njihja shumë mirë karakteret e secilit. Ajo që ndodhi më vonë kur filmi mori miratimin për vizionim në publik është e trishtueshme, sepse shumë episode u hoqën me motivin se aludonte me ngjarjet në Kosovë dhe kuptohet që mua më dhëmbi jashtë mase sikur më hoqën një pjesë të trupit tim. Por më e dhimbshme për mua si krijues ishte coptimi i gjëmës episodi i vajtocave, që në konceptin tim ishte nje spektakël homerik real me vlera kolosale të traditës shqiptare të cilat sot i ka asimiluar koha. Filmi pati vertetë një jehonë të madhe në Kosovë dhe diasporë, si dhe anë e mbanë e për mua nuk kishte vlerësim më të madh se urimet që merrja ngado.
Sot mjaft filma shqiptarë janë nën konstruktim, e mirëpritët këtë ligj? Çfarë ndryshoni konkretisht tek filmat e mëparshëm dhe pse, ndërkohë që historia është histori dhe i lihet asaj me gjithë vërtetësinë që mbart?
Filmi shqiptar po përjeton një situatë të vështirë në shumë drejtime. Në radhë të pare dhe që për mendimin tim është financiar, sepse fondi i caktuar nga buxheti i shtetit për qendrën kombëtare të filmit është i pa përfilleshëm, pothuaj qesharak dhe e dyta, ne sot nuk kemi salla kinemaje të cilat janë apo nuk janë 3-4 të tilla.
Ky fenomen nuk ndodh vetëm tek ne, sot ka vende të Europës me traditë dhe shumë herë më të fuqishëm se ne, që ka një rënie të theksuar të filmit artistik. Unë mendoj se futja dhe progresi i madh që po ndodh në elektronikë, sic janë televizionet, po sfidon dita ditës kinemanë dhe që ajo më kryesorja, Hollivudi, ky gjigand i kinematografisë botërore ka përqëndruar rreth vehtes ajkën e aktorëve në botë dhe e kanë kethyer në industrinë më fitim prurëse. Shikoj në ekranet e TV tanë që transmetohen pothuaj çdo ditë filmat tanë dhe ndiqen me shumë vëmendje nga të rinjtë edhe pse në mënyrë pirateske, pasi janë shumë pak TV që derdhin detyrimet në shoqatën tonë të mbrojtjes së të drejtave të autorëve. Kam dëgjuar që është një projekt për digitalizimin e TV shtetëror dhe do isha shumë i lumtur që gjithë arkivi i këtij TV (ai që ka mbetur) të mund të arkivohej përsëmbari pasi një nga filmat e mi Ditët që sollën Pranverën (2 seri) i cili është montuar në magnetoskop amerikan AMPEX, nuk mund të transmetohet, pasi kjo lloj paisje nuk figuron më në përdorim. Ju doni të dini dhe me të drejte shtroni pyetje rreth ndryshimit të këtyre dy epokave. Sistemi komunist kohë në të cilën dhe janë realizuar këta filma, investonte shumë në anën ideologjike edhe pse njerzit jetonin në mizerabilitet. Orientimi kryesor në fushën e artit si filmi, muzika apo teatri ishte paraqitja e gënjeshtërt e atij realiteti dhe kufizimet ideore të realizmit socialist. Shumë nga ju nuk e dinë se miratimi i një filmi për t’u shfaqur në publik bëhej nga një komision i ardhur nga komiteti qendror të cilët nuk kishin idenë se nga binte filmi. Kështu ndodhi me filmin “Flaka e Maleve” apo “Lulëkuqet mbi mure” ku po të vini re një episod si: “mbledhjen e celulës komuniste” duket si çiban në film dhe motivonte rolin e partisë në strehën vorfnore… Qesharake. Ky paradoks sot duket shumë i largët, por ne që i perjetuam nuk mund ti harrojmë kollaj, apo ajo që mua më tmerronte ishte fakti që pasi i vritej babait diku djali ne kufi…, babai, deklaronte… “Ja bëj hallall gjakun e tim biri partisë”!… Sigurisht këtij prindi thellë thellë ja dinte shpirti për humbjen tragjike…
Ka ndonjë peng regjisori Vladimir Kasa?
A kam ndonjë peng? Eshtë një pyetje që do të jap tri pergjigje, që kurë nuk i kam publikuar më parë. Në Korrik të vitit 1982 u martova me një pianiste shumë të bukur nga një familje profesorësh të respektuar e quajtur Valbona Kasaj (Shehu) sot pedagoge me emër pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”,Tiranë. Fati na bashkoi për jetë dy artistë, njera koncertiste dhe plot ëndrra për të ardhmen e saj dhe unë që kisha nisur rrugëtimin tim në kinematografi. Të vendosur perballë këtij realiteti kuptohet që dikush nga ne të dy duhet të sakrifikonte dhe të tërhiqej nga ëndrra e tij për t’u marrë me fëmijët, pasi dhurata e parë e Zotit, ishn dy mrekullitë, Alba dhe Flori. I jam borxhli Vabonës dhe sinqerisht e kam pasur peng gjithë jetën për sakrificën e bërë, duke më dhënë mundësinë mua ti përkushtohesha profesionit. Ajo diti të edukonte dhe të rriste dy fëmijë për të cilët jemi krenar, e me një vullnet të jashtëzakonshën u rrit nga ana profesionale ne fushën pedagogjike, duke vendosur bazat e një shkolle të re pianistike, gjë që solli breza të tërë pianistëh që debutojnë sot në skenat amerikane dhe europiane.
Pengu tjetër lidhet me vajtjen time në Romë-Itali në vitin 1989 për blerje filmash në llogari të RTSH-s. Pas pune ku viziononim me dhjetra filma dhe kalonim ne “site” pranë në studio produksioni italiane, në mbrëmje me miqtë tanë, shkonim në klubin e artistëve që ndodhej në një lagje shumë të bukur të Romës për të pirë ndonjë kafe. Aty pata mundësinë të takoja mes të tjerëve dhe shkrimtarin e madh Italian A.Moravia, por ajo qe dua të veçoj është takimi me regjisorin e talentuar dhe shumë të njohur aso kohe Francesco Nutin. Diskutuam gjatë së bashku për kinematografinë italiane, për plejadën e aktorëve të papërsëritshëm, për shkollën italiane të kinemasë që solli një revolucion në botën e artit, e shumë, e shumë tema të tjera që isha kurioz qysh në rininë time dhe kuptohet që pastaj i kthyem sytë për kinematografinë shqiptare të cilën ai nuk e njihte fare. Flisja me pasion se kisha ç’të tregoja thoja duke ngritur vlerat e regjisorëve dhe aktorëve tanë. Aty nga fundi i bisedës dola dhe tek krijimtaria ime duke i treguar që tashmë në këtë histori të kinemasë shqiptare, renditeshin dhe tetë filmat artistik të realizuar prej meje. Pashë që më shikoi me habi. Shume i ri më tha për një prodhimtari kaq të madhe dhe pas një pauze qeshi duke shtuar…”Me siguri duhet të jeni shumë i pasur”! Nuk fola dhe pa dashur më shkoi mendja kur isha student në Rumani. Ne vitin e dytë të shkollës më lindi ideja të arratisesha në Amerikë pasi mundesia e ikjes ishte shumë e lehtë. Fillova ta bluaja në kokë gjithnjë e më tepër këtë ide, por nuk guxoja ta bisedoja me njeri. Kisha filluar të kisha emocione dhe natën më zinte gjumi shumë vonë. Pikërisht atë vit duke ecur rrugëve të Bukureshtit me dy shoqet e mia pianisten e njohur Nora Cashku dhe violinisten e talentuar Rajmonda Koço
(gruaja e dirigjentit Eno Koço) pësova një perforacion akut në stomak që falë mikeshave te mia përfundova në urgjencën e spitalit më të afërt. Nuk kisha vuajtur kurë nga stomaku pasi gëzoja një shendet shumë sportiv dhe mendoj se pikërisht ideja e aratisjes time më krijonte vazhdimisht një pështjellim në fund të barkut. Nejse, u operova dhe çdo gjë kaloi me sukses e pas dy ditesh më erdhi konsulli ynë me makinë për të shkuar në ambasadë ku familja ime ishte shumë e shqetësuar dhe donte të sigurohej nëse ishja mirë. Fillova të flisja me nënën time e cila vetëm qante…qante…qante…! E doja marrëzisht atë njeri të mrekullueshëm dhe teksa po mbaronim bisedën më tha ashtu e mekur: “Më ka marrë malli bir, mezi po pres të shoh”! Atë natë nuk fjeta fare… Më dilte fytyra e nënës sime, babait, vëllezëreve dhe motrave të mia… Mendoja aratisjen time… Mendoja pasojat që do kishte familja ime… Mendoja nënën time… Do t’i fusja në gropë të gjithë… Ky ishte pengu i fundit që kurrë nuk ja thashë njeriu, por atë natë me Francesco Nutin më erdhi ndërmend dhe e kapërdiva me vehte…
Çfarë sollën në jetën e Vladimir Kasaj ndryshimet që ndodhën në Shqipëri pas vitit 91?
Asokohe ishim të çoroditur dhe gjëja e pare që më shkoi ndërmend doja të kethehesha pas disa vjetësh në Rumani, për të vetmen arsye se kisha nostalgji për vitet e shkollës dhe më kryesorja për të takuar shokët e mi, të cilët nga viti 1974 nuk dinin gjë fare për fatin tim, sepse largimi i të gjithë studentëve shqiptar u bënë mënyrë misterioze dhe të fshehtë, që siç mësuam më vonë” rrezikoheshim të bëheshim kontigjent i agjenturave të huaja, e gjepura të tilla.
Mendoni çfarë butaforie dhe ç’ishte në gjendje të fabrikonte regjimi komunist! Kështu një natë të ftohtë Marsi pa dijeninë e askujt na mblodhën dhe na nisën drejt Tiranës. Kisha shumë emocion kur u riktheva në Bukuresht. Më dukej se nuk kishte ndryshuar asgjë. Gjuhën edhe pse nuk e kisha përdorur fare gjatë këtyre viteve e flisja në mënyrë të përsosur. Mendoni ti fanepsesh krejt papritur dikujt, që pasi ke qëndruar e punuar së bashku vite të tëra apo ndonjë zemre të lënduar largohesh pa pikë politese duke mos i dhëne as dorën. Çaste vertetë të paharrueshme, përqafime. Por ajo që dua të theksoj ishte fakti se në ato ditë u njoha me një rumun të amekanizuar të quajtur Vasile Boleanu dhe shkëmbyem numurat e telefonit (kuptohet numurat e shtëpisë se celularin nuk e njihnim akoma). Ky njeri punonte për llogari të një TV amerikan. Nuk kaluan as tre muaj kur ky person më merr në telefon nga kufiri i Qafë Thanës e më lutet të shkoja ta merrja pasi kishte ardhur me grup xhirimi dhe kishte frikë të udhëtonte nëpër Shqipëri. Flasim gjithmoë për vitet 92 kur vërtet situata ishte kaotike. Nuk kam ndërmed të zgjatem se çfarë mikpritje dhe sigurie i krijova këij njeriu dhe grupit të xhirimit. Realizuam dy filma dekumentar me metrazh të gjatë falë mundësive dhe njohjeve të mia. E futa dhe xhiroi nga t’i donte e bardha zemër. Mblodhi kapele ushtarësh e policësh, rrypa mezi dhe helmeta ushtarakësh bile dhe një copë nga statuja e bronztë tashmë të rrëzuar e Stalinit që ishte vendosur përball hotel Dajtit, pasi siç më tregonte, atje në Amerikë kishte një muze personal shumë interesant. Siç duket i pëlqeva me punën time këtij miku, se realizimi i dekumentarëve u bë falë punës dhe pervojës shumëvjeçare që unë kisha tashmë. Kam ardhur me mendimin më tha që ty Vladimir mos të dhëmbi koka gjithë jetën… Ishte fillimi i një rruge të panjohur për ne dhe sinqerisht besonim qorazi në ndonjë mrekulli. Krijuam firmën “Technical Media Cooperation”, ai president dhe unë zv/presidenti i firmës me perspektivën e ngritjes së një TV privat që do punonte për llogari të një kanali amerikan ku ai punonte. Ide që unë qysh në fillimet e ndryshimeve demokratike më kishte lindur dhe po e përpunoja në kokë. Bile kur e diskutoja me koleg më shikonin me habi, pasi ishte koha kur ekonominë e tregut dhe unë që fillova nga të parët të flisja për të, më quanin xhambaz, fjalë e shëmtuar, por ky ishte koncepti komunist i asaj kohe. U la me këtë rumunin e amerikanizuar të dërgonte një kamera dhe një magnetoskok pasi operatorë të mrekullueshëm nuk mungonin edhe këtu e të merresha me lajme të ndryshme të rajonit që në ato kohë vlonte i tëri. Që mos të bëhem i lodhshëm ëndrra vazhdonte deri në momentin që shiti filmat me një vlerë marramendëse për kohën dhe su bë më i gjallë.
I dashur lexues, nëse dikujt i bie rasti ta takoj këtë njeri diku andej nga Amerika, i thoni se me idenë që pati e me pak shpenzime në ngjarjet që ndodhën në Shqiperi, si në 97-ën dhe Kosovë, do siguronte lajme që do t’i dhjetëfishonin pasurinë e tij, nëse ishte i tillë dhe mua do më kishte një nga mediat më të fuqisheme, kur TV private këtu filluan pas 10 vjetësh me vonesë. Kështu i zhgënjyer mendova të mbijetoj duke parë se puna në TV Shqiptar dhe prurja e militantëve anonim si dhe paga qesharake për të përballuar jetën më detyruan të gjeja rrugë të tjera jashtë profesionit tim, por rrugë të ndershme!
Dhe në këto reshta të fundit dëshiroj t’ju falënderoj ju znj.Kozeta që më dhatë mundësinë t’i rikethehem pas shumë vitesh magjisë së artit të shtatë ku unë kisha vënë jetën dhe ëndrrën time. Vërtetë rrëfim i dhimbshëm siç u shprehët ju, por mendoni një jetë të lënë në mes dhe një mosmirëjohje për atë që ngritëm me aq dashuri dhe sakrificë. Mund të thoni që fajtor jeni ju për shkëputjen totale nga profesioni. Edhe unë ja kam bërë këtë pyetje vehtes dhe sinqerisht më ka munduar ky mendim për shumë kohë, por nuk jam i vetmi ndër kineastët shqiptarë që u ndodhëm perballë një realiteti të tillë. Motivet janë të shumta dhe nuk kam ndërmend ti rendis ato këtu, por di t’u them se për gjithë sakrificën dhe vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension prej 70 dollarësh… Vërtet tragji-komike… Nuk jam i penduar për gjithcka bëra, ndihem i fortë dhe energjik e me mendje të kthiejllët si në ato vite, por tashme me pjekurinë e moshës dhe një akumulim artistik që dhëntë zoti ndodh ndonjë çudi…
Dhe çudirat ndodhin…
Qershor, 2016
Staten Island, New York
SERENATAT KORÇARE NGAZËLLUAN BASHKËKOMBESIT NË AMERIKË
Nga Julia GJIKA/
Në Foto:Kantautori Kulla në Koncertin e Bostonit/
Muaji i Majit erdhi me shpërthimet e ngjyrave të pranverës, duke lënë pas dimrin e ashpër si kudo edhe këtu në Worcester, MA. Komuniteti shqiptar i këtij qyteti ardhjen e pranverës së këtij viti e gëzoi bashkë me madhështinë që solli festa tradicionale e Pashkëve të Mëdha më 1 Maj, kur u përkujtua ringjallja e Krishtit.
Gëzimi i kësaj feste tradicionale u reflektua gjatë shumë ditëve me aktivitete të ndryshme si brenda ambjenteve të kishës Fjetja e Shën Marisë dhe jashtë saj. Ajo që e bëri dhe më të këndshëm e më interesant Majin e këtij viti ishte ardhja e Korçës me serenatat e saj, dukuri të cilën e krijoi kantautori i mirënjohur Maks Kulla me këngët e tij. Ai erdhi bashkë me zonjën e tij Xhuli për vizitë tek e motra Effi Qeleshi për disa javë. Effi dhe bashkëshorti i saj, z. Mihallaq Qeleshi së bashku me familjet e vajzave të tyre e shëtitën vizitorin nëpër parqe, muze, Hard Rock Cofee Restorant, ku kanë kënduar legjendat e rockut, kazino, etj. Mirëpo dhurata që i ka dhënë Zoti këtij burri me zërin melodioz, bëri që ai t’ua kthente kënaqësitë shumëfish jo vetëm anëtarëve të familjes Qeleshi, por dhe shumë banorëve të Massachusetts-it e Connecticut me serenatat korçare, të cilat i këndoi në disa mbrëmje që u organizuan prej komunitetit shqiptar të këtyre dy shteteve, me përkujdesjen e z. Frank Zdruli dhe z-njës Anisa Luarasi.
Shoqëria “Djemtë e Shën Marisë” (Worcester, MA), sipas rregullit të vet të martën e parë të çdo muaji, organizon takimin e saj të radhës. Gjatë takimit jepet raporti për shpenzimet e fitimet e shoqërisë, hahet një darkë dhe herë pas here ftojnë një folës. Gostinë e sponsorizojnë biznesmenë të ndryshëm, kurse të ardhurat që mblidhen prej pagesës sësejcilit pjesëtar nga 13 dollarë, i kalojnë shoqërisë, e cila i përdor ato sipas nevojave e planeve mirëbërëse që cakton Këshilli i Kishës.
Të martën e parë të muajit Maj, pra më 3 Maj 2016, u organizua darka e radhës prej shoqërisë “Djemtë e Shën Marisë”. Këtë darkë, meqënëse rastisi të ishte një ditë mbas festës së Shën Gjergjit, biznesmeni i suksesshëm Gjergji Disho dhe bashkëshortja e tij z-nja Kreuza, sponsorizuan shpenzimet e darkës speciale me mish qingji dhe raki të nxjerrë vetë këtu në USA. Midis 80 pjesëmarrësve, kësaj here u ftua dhe vizitori korçar Maks Kulla, i cili ishte i njohur dhe shok i ngushtë me shumë prej tyre. Mbas seancës së mbledhjes dhe ngrënies, kantautori mori kitarën dhe e ktheu darkën në një koncert të këndshëm, gjatë të cilit bashkuan zërat e tyre dhe shumë korçarë të vjetër e të rinj.
Ky ishte koncerti i parë spontan për nga organizimi në ambjentet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”. Këngët buçitën deri në orët e vona të mbrëmjes. Tërheqëse ishte se dhe disa burra të moshuar, të lindur këtu në Amerikë, kënduan bashkë me këngëtarin duke shprehur respektin e tyre për baballarët e nënat që ua kishin mësuar ato këngë që në fëmijëri. U shpalos etja për këngët e vjetra, serenatat korçare, të cilat kishin filluar t’i krijonin atdhetarët tanë të Rilindjes si Mihal Grameno, Spiridhon Ilo, Pandeli Cale e pas tyre grupi “Lira” në vitet 1920-të. Pas kësaj mbrëmjeje ditët e muajit Maj u bënë më të ngjeshura me aktivitete.
Mbas disa ditësh, Effi dhe Mihallaqi ftuan familjen Disho dhe disa familje të tjera në restorantin e tyre Coffee Mug, (286 Southbridge Street Webster MA) për darkë, ku u kënduan sërisht serenatat korçare drejtuar prej këngëtarit Kulla.
Në komunitetin shqiptar të qytetit Worcester MA shquhen individë me aftësi organizuese për veprimtari të ndryshme. Midis tyre bie në sy z-nja Anisa (Hoxha) Luarasi, me profesion ekonomiste, drejtoreshë e buxhetit për Financën në Worcester State University. Anisa me bashkëshortin e saj z. Redi Luarasi ndihmojnë komunitetin dhe Kishën në forma të ndryshme, ajo si organizatore koncertesh me këngëtarë e këngëtare që i sjell nga atdheu, kurse i shoqi me punë tëndryshme për riparimin e difekteve që ndodhin brenda e jashtë kishës.
Më 14 Maj në Boston, në Marriot Burlington, Anisa organizoi koncertin e quajtur “SPRING” ku kishte ftuar nga Shqipëria këngetaret e famshme Eli Fara e Mariola Kacani. Në këtë koncert i ftuar special ishte dhe Maksi Kulla, si dhe orkestra e Alban Hoxhës, Drejtor i spektakteve në RT, në klarinetë Maksi, Vathi pedagog në shkollën e muzikës Tiranë, Dj Jorgo Boston. Në këtë koncert morën pjesë mbi 200 dëgjues, të ardhur jo vetëm nga rethinat e Bostonit, por dhe nga shtetet New Hampshire e New York. Pa u shlodhur nga ky koncert më 15 Maj, Anisa organizoi me po këta këngëtarë me po këtë orkestër koncertin tjetër në “AQUA TURF CLUB”, Waterbury CT. Këtu pjesmarrja ishte mbi 500 dashamirës të artit dhe bashkëkombës erdhën të çmalleshin me këngët e Atdheut. Pjesëmarsit ishin jo vetëm nga shteti Connecticut, por dhe nga New Yorku, New Jersy, New Hamshire, Massachussetts, etj.
Maksi i emocionuar thotë se nuk di si t’i falenderojë organizuesit, motrën dhe kunatin e tij, që e shoqëruan kudo, dhe sidomos dy mbesat Marjolën dhe Adelajdën, pa të cilat, ai nuk do të mund të arrinte të merrte pjesë në këto koncerte, mbasi distancat në Amerikë janë të tilla që nuk mund t’ia dalësh pa u vënë në dispozicion “shoferë” me makinat e tyre të shpejta.
Para se të largohej Maks Kulla pati dëshirën të ndihmonte kishën “Fjetja e Shën Marisë” për të mbledhur fonde për shpenzimet që u duhenkatër të rinjve prej anëtarëve të kësaj kishe gjatë vajtjes nëShqipëri në këmbim përvoje duke jetuar e vepruar së bashku me të rinjtë e tërejat e kishës shqiptare orthodokse të Elbasanit. Organizatorja Anisa bashkë me sekretaren e kishëz, z-njën Deby u treguan te gatshme dhe të shpejta. Më 21 maj u realizua mbrëmja familjare “Ejani të kënaqemi duke kënduar së bashku serenatat korçare” në St. Mary Church Hall me këngëtarin Maks Kulla dhe organistin Mikel Shkëmbi. Sejcili pjesëmarrës dha donacion sa dëshiroi.
Si të gjitha mbrëmjet që organizohen në ambjentin e kishës edhe kjo u hap me përshendetjen dhe lutjen e Fr. Timothy Lowe dhe gjatë ngrënies së mezeve shpërthyen serenatat korçare, gjinia e preferuar e kantautorit Kulla, me të cilat ai çeli e bëri mbrëmjen të paharrueshme. Djaloshi Mikel Shkëmbi, një emigrant i ri që jeton e punon në Worcester MA e shoqëroi këngëtarin me organo, violinë e kitarë.
Të pranishmit ishin nga të gjitha moshat, fëmijë e të rritur, të lindur këtu e në atdhe. Z. Bob Steffo me të shoqen Diana, me djalin Gregory, nusen dhe mbesën, pra tre breza të lindur nëAmerikë kënduan serenata dhe kërcyen vallet popullore sikur të ishin përgatitur në kurset e valleve. Po ashtu dhe vajzat e z. Bill Kamenica u aktivizuan gjatëgjithë mbrëmjes, sidomos Mark Dionisi, dhëndri i vogël, i cili ështënjë veprimtar i palodhur në gjithëaktivitetet e kishës sonë. Bill (Vasil) Kamenica ka emigruar këtu qëkur ishte 6 vjeç. Që në moshë të re ky emigrant u lidh fort pas kishës dhe ka ndihmuar si pak kush në gjithë veprimtaritë e saj, prandaj atë e ka emëruar Peshkopata Orthodokse Amerikane “Kalorës të Shën Gjergjit”, titull që u jepet besimtarëve më të devotshëm. Vallet pa u lodhur i kërcyen motër e vëlla Carol e Bob Laska, sikur të ishin ritur me vallet shqiptare.
Në tavolinën ku isha ulur unë me bashkëshortin tim, u ulën dhe çifti Alketa e Fredi Athanas bashkë me një komshijen e tyre pogradecare. Ata kishin ardhur nga qyteti Manchester NH. Alketa me Fredin janë njerëz alegro, ata nuk mungojnë në ngjarje të tilla, me thotë Anisa. Ata kanë më shumë se 20 vjet martuar, por duken si të jenë 20-vjeçarë, ndonëse aq kanë djalin e tyre të madh.
Në këtë MBREMJE FAMILJARE, ne hymë në valle dhe i kërcyem ato me mall , sepse na tërheq ai ritëm i njohur, ai ritëm që kemi mësuar qysh fëmijë, siç po hidhet para syve tanë duke na çuditur, duke na lënë pa gojë për veshin e tij muzikor dhe dashurinë për vallet shqiptare, i vogli dyvjeçar e gjysem Nikolla Zdruli. Ai mban si mikrofon në doçkën e tij të djathtë një stilolaps që e shtrëngon fort para gojës. Franklin Zdruli dhe e shoqja ndjehen të lumtur që po i rritin dy pëllumbat në vëndin ku ëndrrat bëhen realitet. Kushedi një ditë ky vogëlush do të bëjë emër në fushën e muzikës dhe ne ia urojmë suksesin me gjithë shpirt.
Z. Steffo e rrëmben Nikollën e vogël në krahët e tij dhe nuk lodhet duke hequr vallen me rrotullime, duke mbushur sallën dhe gjithë sa ishin aty me gëzim që nuk pershkruhet me fjalë.
Në të tilla mbrëmje bie në sy puna e mirë që ka bërë mjeshtri i valleve Dhimitër Demiri, i cili ka drejtuar kursin e valleve për mëse 10 vjet me të rinjtë e kësaj kishe. Nxënësit e tij, shumë prej të cilëve tani janë studentë universitetesh ose punonjës në ndërmarrje të ndryshme shquhen në të gjitha festat, pikniket dhe festivalet e kishës sonë.
Mbas këngës “ Dua më shumë Shqipërinë”, me të cilën u hap mbrëmja, vijuan serenatat, të cilat shpesh këndoheshin së bashku me pjesëtarët e sallës…
Harruam se ishim në Amerikë, na u duk vetja sikur ishim në ndonjë festë a dasëm në Korçën tonë. Duartrokitje të vazhdueshme, gjallëria e këngëtarit, zëri i tij melodjoz e ndezën atmosferën nga kënga në këngë. Serenatat njëra më emocionuese se tjetra, jo vetëm përcillnin emocione, por dhe mesazhe malli për mëmëdheun, dashuri për bukurinë dhe virtutet e vajzës shqiptare, për vitalitetin e popullit shqiptar, etj.
Malli për Atdheun u ul këmbë kryq në atë sallë të elektrizuar. Këtë e tregonin fytyrat e Natashës, Maksimit, Edit, Valbonës, Ilir Zguros, Adelajdës, Maniolës, Effit, Mihallaqit, e të gjithëve pa përjashtim, si e fëmijëve të tyre, sytë e përlotur të të moshuarve, vallet që hiqeshin me patos nën tingujt e muzikës. Amerikano-shqiptari Bob Steffon nuk la valle pa kërcyer, me krahët hapur si një shqiponjë, me kërcimin e lehte si të një djaloshi adoleshent u admirua nga pjesëmarrësit, të cilët e rethonin me duartrokitje dhe emocione, duke ndjekur ritmin e muzikës, duke u bërë si një trup i vetëm. Atmosfera u mbush me dashuri e krenari për vlerat e vendit që i kemi lënë përtej oqeanit. Kemi nevojë shpirtërore për të tilla momente gëzimi e përmallimi, që na pasurojnë botën tonë shpirtërore.
Më tej këngëtari bëri një ndërhyrje me humor:
-”Unë kam rënë në dashuri në jetën time vetëm një herë”.
Salla shpërtheu në të qeshura.
-”Po, po, thotë Maksi, një herë me një ezmerkë , po të më thoshin ta filloja jetën nga e para, kë do të zgjidhja për të dashur, do t’ u thoja padyshim EZMERKEN, fjalën e ka për gruan e tij, Xhulin, e cila e shoqëron në çdo fjalë dhe notë muzikore, ndërsa ai ia fillon këngës “Ezmerkë moj lezet me kripë / Ndalu pak… ndalu pak…
Me radhë, ai vijon këngët: “Për të gjitha nënat tona”, këngë e kenduar dikur prej këngëtares kosovare me famë Nexhmie Pagarusha; “O moj korçare sa e bukur je”, “Një ditë të bukur Maji”, “Syçkat si ato të tuat”, “Te rrapi në Mashkullorë”, etj, etj.
–Në repertorin tim kam pothuaj mbi 50 këngë, thotë kantautori, kam bashkëpunuar me poetë të vendit , muzikantë për orkestrimet, si Ardian Jorgji e të tjerë, gjithashtu kam edhe krijimet e mija.
Ne hymë në valle të dehur nga muzika e vendit tonë, bashkuam duart me të panjohur, duar të padukshme na tërhiqnin me forcë, ishin duart e mallit, hodhëm hapin qetësisht pas të parit, që na udhehoqi me buzëqeshje të butë, që i ngjan butësisë së barit, blerimit, atij blerimi në Maj, kur mbushen luadhet dhe malet, ndërsa ndihemi si në shtëpinë tonë dhe jemi të lumtur së bashku.
–Të kontribuojmë jashtë kufijve të atdheut, e kemi peshqeshin më të vyer që na dha LIRIA pas 50 vjet diktaturë – thotë Maksi i emocionuar. Unë nuk munda të kryeja studime në Konservator për muzikën, por si u thashë edhe më parë Zoti u kujdesua për mua duke më dhënë dhuratën më të cmuar, zërin, duke më thënë mos e humb dhe une s’bëj gjë tjetër veç mbaj premtimin. Komuniteti i Usterit (Worcesterit) dhe kudo ku shkova, bashkatdhetarët më pritën me dashuri, me kulturë dhe entuziazëm. Jam i ngarkuar me shumë mbresa, i gëzuar për çdo njeri që takova, kur qeshnin ata mua më qeshte zemra.
Muzika që kantautori Kulla përcolli në këto koncerte ia shtoi Majit ngjyrat dhe tingujt , i lumturoi dashamirësit e artit, bashkëkombësit. Ata shprehën dëshirën për ta patur sërish mes tyre. Maksi premtoi se në të arthmen do të vijë me këngë më të bukura, që shpirti i tij po i ndjen qysh tani, sepse ngrohtesia dhe duartrokitjet e pjesmarësve e thonë.
Për një pjesë emigrantësh që nuk mundën të vijnë në këtë MBREMJE FAMILJARE, dhe që jetojnë në pallatin “Ilirian Gardens”, pranë Kishës Ortodokse Shqiptare, u kujdes si gjithmonë çifti i angazhuar Eleni Millona dhe bashkëshorti i saj Sotir Millona, të cilët përgatisin një herë në muaj “Orën e kulturës shqiptare” për të argëtuar e kulturuar shqiptaro-amerikanët që pleqërohen në këtë godinë.
Vidioklipi i përgatitur në Korçë me këngët e kantautorit u shfaq në TV dhe u ndoq nga zonjat Jorgjia, Meri, Drita, Polikseni, Gjylizari, Dolorezi,Violeta, Valentina, Aferdita, Lefteria, Marika, etj në dhomën e madhe që përdoret për takime e koncerte. Shumica janë nga Korça jo vetëm u çmallën me serenatat korçare, por dhe me bukuritë e qytetit, natyrën e rrethinave, hotelet e restorantet lluksoze që janë ndërtuar gjatë këtyre viteve të fundit, të xhiruara me kujdes. Falenderuan çiftin Millona për punën e përkushtuar që bëjnë. Këngçtarit Kulla i percollen urimet e rastit dhe falenderime për kënaqësitë që u dhuroi në këto ditë të bukura të Majit të sivjetëm, duke u sjellë Korçën, “Parisin e vogël” këtu në atdheun e dytë…
Nekrologjia” e një legjende shqiptare në Amerikë
Beqir SINA – New York/
Boston, nga “ëndrra Amerikane” fama e madhe, tek mbyllja e restorantit, dhe shembja e restorantit të famshëm të Bostonit Anthony’s Pier Four/
BOSTON MA : Mediat e Bostonit në Shtetet e Bashkuara, njoftuan lajmin e kobshëm dhe dhanë kumtin 3 vjet më parë se restoranti i famshëm i Bostonit dhe për një kohë të gjatë, dhe ikona e restoranteve në Amerikë, Anthony’s Pier 4, do të mbyllej përgjithmonë. Kjo, mbasi fëmijët e “hajrit” e shitën restorantin e famshëm të babait, të tyre, pronën e tij, që me sa mund e djersë, ai arrti t’a vëjë, këtë , pronë, si një kurbetçi i ardhur nga Korça, në Amerikë, në moshën katër vjeçare me prindërit e tij.Restoranti Anthony’s Pier 4 Pier 4, ishte hapur në vitin 1963 nga vet Anthony Athanas, afaristi dhe patrioti i dalluar i komunitetit shiptaro-amerikan, i cili ndërroi jetë në vitin 2005, në moshën 93 vjeçare.
Historia e tij me këtë biznes ishte e një jetë, që është quajtur ndryshe edhe ”ëndërra amerikane”, e realizuar me punë të rëndë dhe dedikim ndaj familjes, pronës dhe vendit të tij.Ai vdiq në Boston, dhe është konsideruar si një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës. Anthony Athanas, ishte një nga bisnemenët më të famshëm të Bostonit, por në komunitetin shqiptar të Amerikës, ai do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar, që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij në Shqipëri edhe në Kosovë.Ndërsa gruaja e tij Ester Athanas, një grua e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan, vdiq më 1 nëntor 2004 në moshën 91-vjeçare në shtëpinë e saj, mbas një jete martesore prej 64 vjetësh bashkëjetese me zotin Anton. Në vitin 1940, Esteri, 28 vjeç, u martua me Anton Athanasin. Anthony Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare Vatra dhe bashkëthemelues i organizatave të tjera shqiptaro-amerikane.Ai vdiq në shtëpinë e tij në Swampscott pas një beteje tre-vjeçare me sëmundjen e alcajmerit. Antoni Athanas, ishte themeluesi i një prej restoranteve që u bë më pas më me emër në rangun e restoranteve të Amerikës – dhe ishte pagëzuar me emrin Anthony’s Pier Four.Kryetari i Bashkisë së Bostonit e quajti Athoni Athanasin, një traditë në vetvete, pasi ky restorant, tha ai u kthye në një mikpritës të mijra takimeve politike dhe ishte shumë bujar në mbështetjen për komunitetin.
Sekretari i Shtetit – ish Senatori i Maseçustiti, miku i Athanasit, John Kerry u shpreh kur vdiq legjenda shqiptare në Amerikë, se :”Anthony Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo imigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar,” tha senatori Kerry.
I lindur në Shqipëri më 28 korrik 1911, Athanasi imigroi me familjen e tij në New Bedford në vitin 1915. Në fillim ai shiste fruta dhe zarzavate, shiste gazeta dhe ndizte zjarrin e furrave në kuzhinat e restoranteve. Në vitin 1937 hapi restorantin e tij të parë dhe vazhdoi pastaj me restorante të tjerë, më i famshmi i të cilëve u bë Anthony’s Pier Four.
Anthony Athanas do të mbahet mend sidomos për ndihmën bujare që i dha komunitetit shqiptar të Amerikës dhe kontributin për bashkatdhetarët e tij në Shqipëri dhe në Kosovë.
Nuk ka shqiptar në Boston, por edhe përtej tij që të mos ketë një kujtim nga ky restorant apo nga vetë Anthony Athanas, bashkëpunëtori i ngushtë i Fan Nolit, udhëheqësi dhe sponsorizuesi i dikurshëm i ‘Vatrës’ dhe një nga figurat historike të diasporës sonë në SHBA.
Ndonëse jo rrallë i injoruar dhe përbuzur nga njerëzit që u kishte shërbyer më shumë, (figurat si Athanasi janë vështirë të palosen e të mbyllen brenda një komuniteti), ai do të mbetet përgjithnjë në kujtesën dhe historinë e Shqiptarëve të Amerikës.
Restoranti “Anthony’s Pier 4”, i njohur si vendi ku darkuan presidentë amerikanë e shumë njerëz të shquar të artit e kulturës, ku u mbajtën shumë takime të komunitetit e ngjarje personale të shqiptaro-amerikanëve, pati shënuar rënie që kur Anthony Athanas ishte gjallë, ndërsa pas vdekjes së tij duket se shpresat për ringritje qenë shuar njëherë e mirë.
Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” me kryeredaktorin e saj Ruben Avxhiu, i kushtojë një shkrim historikut të këtij restoranti, që ka qenë ndër të preferuarit e elitës së Bostonit për dekada me radhë.
Ajo shkruante se “Gjysëm shekulli më parë, kur Anthony Athanas vendosi të hapte restorantin e tij të radhës, “Pier 4”, ai zgjodhi një zonë të pabanuar e të shkretuar. Me mole e skela të vjetra, ku asnjë mjet lundrues nuk ndalej më.
Një nga anektodat më interesante të kohës, tregon për Fan Nolin, mikun e ngushtë të Athanasit, që ishte tmerruar nga ideja dhe u lutej miqve që ta shpëtonin Athanasin nga ky gabim i madh. Kush do të shkonte të hante në atë vend? Po i hidhte Anthony të gjitha paratë e fituara në një pellg që sillte veç dështim.Po çfarë nuk shihte dot gjeniu i kulturës shqiptare, e dallonte syri i gjeniut të biznesit dhe guximtarit nismëmarrës.Ky vend gati “ekzotik” në krahasim me pjesët e qytetëruara të Bostonit shumë shpejt u kthye në një sekret të vogël, të cilin që të gjithë e dinin”, shkruan gazeta.Familja Kennedy, duke përfshirë edhe Presidentin John Kennedy, apo presidentë e politikanë të tjerë, artistë si Liz Taylor e Lisa Minelli, regjizori Hitchock janë vetëm një ilustrim i vogël i dhjetra njerëzve nga më të shquarit e botës amerikane që kanë darkuar në këtë lokal, për gjysëm shekulli.
Në vitet e fundit, me ripërtëritjen e komunitetit shqiptar në Boston e rrethina, “Anthony’s Pier 4” ishte bërë përsëri një nga vendet e preferuara për dreka e darka solemne, festa gëzimi e përkujtimore të dhimbshme.
Gazeta The Boston Globe njoftonte se restoranti i famshëm i Bostonit Anthony’s Pier Four, do të mbyllej përgjithmonë në muajin gusht- 2013. Restoranti i njohur, pronë e familjes Athanas, u hap në vitet 60 nga shqiptari i mirënjohur Antoni Athanas, i cili vdiq në vitin 2005 në moshën 93 vjeçare.
Zoti Athanas erdhi nga Shqipëria në Amerikë në moshë fare të vogël dhe pasi hapi disa restorante në periferitë e Bostonit, bleu një truall buzë detit të cilin më vonë do ta shndërronte në atë që ai e quajti Anthony’s Pier Four.
Restoranti u bë mjaft i njohur për menunë e pasur dhe verërat e zgjedhura dhe në vitin 1981, ai ishte njëri ndër 5 më të suksesshmit e Amerikës.
Xha Antoni, siç u bë më vonë i njohur pronari i tij, krijoi miqësi me disa ndër njerëzit më të shquar të Amerikës, të cilët vinin shpesh këtu për mjedisin që zoti Athanas u krijonte dhe natyrisht për ushqimin e mirë. Mes tyre kishte presidentë, aktorë dhe artistë me emër.
Komuniteti shqiptar do ta mbajë mend restorantin për takimet e rëndësishme që ka mbajtur këtu ndër vite, në sajë të bujarisë së pronarit Antoni Athanas.
Djemtë, e zotit Athanas, që trashëguan pronën e babait të tyre që u bë i famshëm me këtë restorant, i thanë gazetës The Boston Globe, atëhere se ata mund të hapinin një restorant tjetër, një variant më të vogël të Pier Four-it, në njërën prej ndërtesave të reja që do të ngrihen në atë vend ku ishte dikur një restorant i famshëm që tani nuk do të jetë më.
Mirëpo vetëm 8 vjetë nga vdekja e pronarit të Restorantit të famshëm në Boston, i themeluar nga shqiptari i famshëm Anthonu Athanas në vitin 1963, njoftuan lajmin e “trishtueshem”, se dje se restoranti me emrin Pier Four Restorant Anthony – është shembur.
Dhe tani do të na mbeten vetëm kujtimet “ se na ishte një herë një Restorant i famshëm në Boston, i kurbetqarit shqiptar nga Korça, që u bë i famshëm, Anthony Athanas, quhej lindi më 1911 dhe vdiq më 1985 në Amerikë”.
Njoftimin për shembjen e tij e njoftoi zyrtarisht Bashkia e Bostonit këtë të martë, e cila tha se mjetet e rënda e kan shembur plotësisht restorantin e njohur “Athony’s Pier 4”.
E cila ka qenë pronë e Shqiptarit Anthony Athanas, i cili e ngriti restorantin e tij në vitin 1963, ku me pjatat e shijshme të përgatitura tërhoqi mjaft klientë të njohur, si Riçard Nikson dhe familjen Kenedi.
Por edhe gangsteri i famshëm i Bostonit, Xhejms Bolxher ishte një klient i rregullt i restorantit të shqiptarit, i veçantë jo vetëm në ushqime, por edhe në mikpritje, tradita që mesa duket shqiptari nuk e ka lënë pas.
Me ndarjen nga jeta të Anthony, restorantin e trashëgoi djali i tij, i cili vendosi ta shiste truallin tek një sipërmarrës. Restoranti i “Athony’s Pier 4” nga fillimi i viteve 1980 arriti në një fitim rreth 12 milionë dollar në vit dhe ishte restoranti më fitimprurës në Shtetet e Bashkuara, por i mbyllur në gusht 2013.
Anthony Athanas, ishte një shqiptar i lindur në Korçë, në vitin 1911 dhe emigroi bashkë me familjen. Në vitin 1938, ai bleu restorantin e parë në Massachusetts, i cili në vitet ’50 u bë një nga restorantet me fitimprurëse në SHBA, me 1 milion dollarë në vit. Ai vdiq në vitin 2005 në moshën 93-vjeçare.
Antoni Athanas – shqiptari dhe amerikani i famshëm/
Më 21.05.2005 Ilir Ikonomi i Zëri i Amerikës, dha kumtin se vdiq në Boston një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës, Anthony Athanas. “Ai ishte një nga bisnemenët më të famshëm të Bostonit por në komunitetin shqiptar të Amerikës do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij si në Shqipëri edhe në Kosovë” tha Ikonomi, i cili e vizitoi disa herë këtë restorant dhe na solli kronika të bukura nga Bostoni .
Anthony Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare Vatra, tha ai andaj Zëri i Amerikës intervistoi kryetarin e athereshem të Vatrës, Agim Karagjozi, sot Presidenti i përjetshëm Nderi i Vatrës.
Zëri i Amerikës: Zoti Karagjozi, ju si kryetar i Vatrës, si e keni njohur zotin Athanas, ç’mund të na tregoni për njohjet tuaja të hershme me të?
Agim Karagjozi: Antoni Athanasin e kam njohur shumë herët, qysh në vitet e para që kam ardhur në Amerikë, në fillimin e viteve 60. Antoni Athanasi në atë kohë ishte “the rising star” – ylli që po shkëlqente në Vatër. Ai ishte shumë i afërt me Kristo Athanasin, i cili në atë kohë konsiderohej si “Babai i Vatrës”. Por në skenë doli Antoni Athanasi, njeriu i ri, njeriu i dinamizmit, që solli një gjallëri të re në Vatër, shumë i përkushtuar, me mbështetje të jashtëzakonshme financiare dhe me veprimtari dhe me punë. Ishte ai që ngjalli shpresa të reja për Vatrën dhe sigurisht ishte puna që bëri në ato vite Antoni që Vatra është e gjallë sot.
Zëri i Amerikës: Antoni Athanasi ishte njeri shumë i zënë me biznesin e tij. Si arrinte ai të kontribuonte edhe me veprimtaritë për Vatrën?
Agim Karagjozi: Antoni Athanasi kishte ndjenja shumë të thella shqiptare. Ai i kishte marrë ndjenjat në radhë të parë nga familja e tij. Ai ka ardhur në Amerikë në moshën tre-vjeçare. Kishte një familje shumë atdhetare – i ati i tij ishte atdhetar. Pastaj, pasi u rrit, u njoh me Nolin dhe me Konicën dhe i admironte të dy ata, por sidomos Nolin.
Antoni Athanasi ishte një dishepull i Nolit dhe u frymëzua shumë thellë nga veprimtaria, puna, kultura dhe idealizmi i Nolit. Athanasi i përkiste një familjeje që u përzu nga grekët në vitin 1913 kur u bënë masakrat, pra ishte një familje e vuajtur dhe kjo e shtynte të përpiqej për t’i shpëtuar shqiptarët nga rreziqet e fqinjëve.
Ai kishte një krenari dhe ndjenja të thella shqiptare prandaj e gjente kohën, sado i zënë që ishte. Kishte edhe kapacitetin financiar dhe moral që t’i kushtohej Vatrës, e ndjente këtë si detyrë. Antoni Athanasi ishte trashëgimtari i Nolit në Vatër, ishte ai që i siguroi jetën Vatrës për shumë dekada.
Ai ishte edhe një amerikan i shquar, gëzonte një reputacion shumë të madh në Amerikë, ishte ndoshta njeriu më i suksesshëm në biznesin e restoranteve. Ishte një filantropist i pakursyer që ndihmonte në shumë anë. Kështu, ai në Boston është një nga figurat më të nderuara dhe njihet në të gjithë Amerikën si një figurë e shquar.
Restoranti i tij Pier 4 është një nga restorantet më të mirë ku vijnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës. Antoni Athanasi është bërë një legjendë në Amerikë. Ka qenë shumë i aftë dhe shumë dinamik, njeri që nuk harxhonte kohën kot me fjalime të gjata. Edhe në mbledhjet që bënim ne kur bisedoheshin çështjet e ndryshme – ju e dini si e kanë zakon shqiptarët që i zgjasin bisedat – ai i binte shkurt dhe hynte drejt në temë. Ishte tamam njeriu me vetitë e individit të suksesshëm, kishte veti natyrore dhe ishte njeri i rrallë.
Zëri i Amerikës: Sot në Shtetet e Bashkuara vijnë shumë emigrantë të cilët ëndërrojnë të bëhen të njohur, të krijojnë bizneset e tyre dhe të pasurohen. Çfarë mund të mësojnë ata nga Antoni Athanasi?
Agim Karagjozi: Ata mund të mësojnë këtë gjë, që me talent dhe me përkushtim dhe me punë të pakursyer mund të arrihet çdo gjë. Antoni ishte për t’u habitur. Ja se ç’tregonte ai në një rast: kur arriti të ketë restorantin e tij të parë, një restorant fare i vogël, ai punonte aty fare i vetëm. Rrinte te banaku dhe thërriste me zë të lartë, gjoja sikur po i jepte porosinë gjellbërësit.
Në fakt, ai nuk kishte gjellbërës, por pasi thërriste porosinë, vraponte vetë në kuzhinë që të përgatiste gjellën për t’ua sjellë mushterinjve. Ishte njeri me kapacitet, me talent, punëtor, i zgjuar, i gjallë, i zoti dhe nuk e harxhonte kohën kot. Si rrjedhojë e kësaj, erdhi koha kur ai arriti të ketë në Boston katër restorante. Ai ndërtoi restorantin Pier-4 në Boston, i cili është gati si një monument në Amerikë, një vend pelegrinazhi ku shkojnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës për të ngrënë një drekë a një darkë.
Njerëzit shkonin atje edhe thjesht për dëshirën që kishin për të takuar Antoni Athanasin, sepse ai rrinte në restorant ditë e natë, nga ora 6 e mëngjesit e deri në mbrëmje kur mbyllej. Ai rrinte atje për të pritur e përcjellë vetë mysafirët. Njerëzit kishin një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie që të takonin Antoni Athanasin. Nuk ka personalitet amerikan që të mos ketë qenë në restorantin e tij, qoftë personalitete politike apo të artit, njerëz të Hollivudit e të tjerë. Në restorant do të gjesh të gjitha fotografitë e këtyre njerëzve të shquar.
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- …
- 6
- Next Page »