• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ilir Meta me krushqit grekë në Athinë

October 11, 2016 by dgreca

1-ilir-meta-krushqit-greke

Nga Arben LLALLA/

Pa nisur mirë është përfolur mjaft vizita e disa ditore në Athinë e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht kreut të LSI-së, Ilir Meta. Në këtë kohë të ngarkuar të marrëdhënieve shqiptaro-greke prej zgjidhjes përfundimtare të Çështjes Çame, delegacioni shqiptar përbëhet nga një shumicë deputetësh me kombësi greke.

Metën e shoqëron deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, bashkëshortja e të cilët është greke, Vangjel Tavo, deputet i LSI-së, i cili është me kombësi greke, Vangjel Dule i mirënjohur si antishqiptar, vlleh me kombësi greke, kryetar i PBDNJ, deputeti i PS, Anastas Angjeli me kombësi greke, deputeti i PD, Gjergji Papa, gjithashtu me kombësi greke.

Duke parë se me kë Ilir Meta ka shkuar në Athinë nuk ka si të pritet ndonjë deklaratë zyrtare rreth Çështjes Çame apo pronave të shqiptarëve në Greqi, të cilat janë të sekuestruara prej vitit 1940 me dekret të Mbretërisë së Greqisë.

Me këtë rast vlen të përmendim mendimet poetit dhe shkrimtarit nga Çamëria Bilal Xhaferrit i cili dikur shkruante: “Të gjithë ministritë në Tiranë janë mbushur sot me funksionarë të lartë me origjinë greke, me racë, me gjuhë e me zemër greke. Kur puthen buzë më buzë me klikën e Enverit në Tiranë, grekët e Athinës në fakt puthen buzë më buzë me vëllezërit e tyre të minoritetit grek në Shqipëri, të cilët kurdisin prapaskenat e politikës së Tiranës në interes të Greqisë. Këta minoritarë grekë, të dalë nga një grusht fshatarësh minoritarë në rrethin e Gjirokastrës, me pallaska gjeneralësh e kolonelësh të fshehur nën sqetull dhe me dorë të lirë e askush s’u thotë gjë”. (SHBA, Prill 1985)

Mendoj se ky vlerësim i Bilal Xhaferit për politikanët dhe politikën e Tiranës së dikurshme vlen edhe sot. Çështja është se çfarë e ka gjetur politikën zyrtare të Tiranës që ta përfaqësojnë në politikën e saj kombëtare një grusht katundarësh të minoritetit grek, gjyshërit e të cilëve kanë ardhur në tokat shqiptare si çobanë bagëtish dhe shërbëtorë në çifligët e bejlerëve të jugut?

Vërtetë çfarë do thotë kryetari i Kuvendit Ilir Meta për Çështjen Çame që ne të tjerët s’e kemi thënë? Asgjë, ai do kërkojë përkrahjen e Athinës për të ndikuar tek emigrantët shqiptarë për të votuar në 2017 për polin e tretë që LSI synon të krijojë, me qëllim kryesor krijimin e një qeverie që do ta konservojë Çështjen Çame e pronave shqiptare në Greqi duke i mbuluar me pluhurin e harresës.

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, Ilir Meta me, krushqit grekë, ne Athine

Ministrat shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë…

April 9, 2016 by dgreca

Vëzhgim nga Abdurahim Ashiku- Athinë/

REGJISTRIMI I EMIGRANTËVE DHE AUTOBUSËT PËR VOTIM…/

Ministri Tahiri shfrytëzoi udhëtimin në Athinë lidhur me problemet e refugjatëve nga Lindja e Mesme, ku Greqia mban peshën kryesore në udhëtimet e tyre drejt Evropës, për tu takuar edhe me emigrantët (dikur refugjatë) shqiptarë në Athinë.
Takimet e pushtetarëve të lartë me emigrantët shqiptarë në Greqi historikisht janë bërë me “tel të nëndheshëm”, pa njoftime të gjera e pa ndonjë program diskutimesh dhe debati. Kështu që edhe fjalët e tyre, edhe diskutimet e të pranishmëve, kanë korrur “mbi kalli”, pa mbledhë bereqet për të bluar miellin dhe për të gatuar bukën e detyrimeve që ka shteti për mërgimtarët tashmë 25 vjet  larguar e harruar.
E natyrshme do të ishte që edhe vendi i takimit të ministrit Tahiri, (oborri i një institucioni universitar amerikan – siç e treguan fotot dhe kronikat e përcjella), edhe tema e diskutimit të ishte pa “kalem”.
Ministri Tahiri foli për regjistrimin e emigrantëve, një hap shumë i vonuar për një shtet të organizuar, për një shtet i cili e ka mbajtur (dhe e mban) frymën gjallë nga dërgimi i parave (remitancave siç thuhet me një fjalë që nuk e ka fjalori i shqipes) dhe nga investimet në ndërtim dhe në hapjen e bizneseve me paranë e djersës, gjakut dhe mundit të më se një milionë shqiptarëve.
Në 25 vjet shteti shqiptar nuk qe në gjendje të regjistrojë shtetasit e vet që i kishte ”dërguar” në kurbet ndërkohë që shteti më i ri në botë, Kosova, e ndërmori këtë hap dhe e përfundoi plotësisht !
Në 25 vjet shteti shqiptar, me një numër ministrish rekord, nuk bëri një MINISTRI EMIGRACIONI  që të dëgjonte zërin dhe të kujdesej për një të tretën e shtetasve të vet që punojnë e jetojnë në emigracion. Kosova, shteti më i ri dhe me një numër shumë më të vogël mërgimtarësh se sa Shqipëria, ka vite që komunikon me mërgimtarët e vet nëpërmjet MINISTRISË SË DIASPORËS (!)
Ka 15 vjet që në Selanik (7 mars 2001) është hapur shkolla e parë shqipe për mësimin e fëmijëve të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e nënës, shkollë e drejtuarnga mësues atdhetarë të SHKALLËS SË PARË –“Rilindës të kohës sonë” (jo rilindje të Edit e Ilirit), shkollim vullnetar, pa asnjë lloj shpërblimi e stimuli moral e material.
Në 15 vjet të Ilirit, Nanos, Saliut e Edit-kryeministra, nuk u arrit të bëhet një ligj i posaçëm për shkollën shqipe në mërgatë, të regjistroheshin në një amzë të ministrisë së arsimit mësues e nxënës(!)
Këtë e bëri Kosova, shteti më i ri në botë. E bëri me disa nene në ligjin për ministrinë e diasporës dhe me një “Udhëzim administrativ për shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë”.
Për shkollimin shqip të fëmijëve në Greqi nuk ekziston asnjë marrëveshje midis dy shteteve dhe dy ministrive të arsimit për krijimin e hapësirave legale për zhvillimin e mësimit shqip në mjedise shkollore greke, pse jo edhe si gjuhë e dytë për një popullsi legale që kap rreth 10 për qind të banorëve në hapësirën greke.
Problemet e mërgatës në Greqi shtruar me gojë e me shkrim, me letra në drejtim të organeve të larta të shtetit, kanë rënë në vesh të shurdhër dhe në sy të mbyllur.
Është kërkuar të njihen kontributet e mërgimtarëve në Greqi, kontribute që kanë mbajtur (dhe mbajnë) në këmbë sistemin grek të sigurimeve të IKA-ve, OGA-s, T.E.V.E. etj. Nuk është bërë dhe as që flitet që të bëhet ndonjë marrëveshje për këtë gjë.
Është kërkuar të njihen patentat e shqiptare në Greqi.Nuk është bërë dhe nuk është vënë “uji në zjarr” për bisedime e njohje.
Greqia është i vetmi vend në Bashkimin Evropian që nuk i njeh ligjërisht prindërit e djemve dhe vajzave shqiptare, gjyshet dhe gjyshet e vogëlushëve shqiptarë. Ata jetojnë ilegalisht, pa asnjë mbrojtje ligjore dhe pa asnjë mbrojtje shëndetësore.
Vargu i problemeve që shteti shqiptar duhet të zgjidhë në marrëveshje me shtetin grek dhe në ligje kuvendare nga shteti shqiptar, është i gjatë…
Ministri Tahiri foli për regjistrimin e mërgimtarëve shqiptarë në Greqi e më gjerë, për ligjin e miratuar por nuk foli për zbatimin praktik të tij.
Regjistrimi i emigrantëve shqiptar do kohën e vet, do njerëzit për regjistrim, do edhe shpenzimet e veta. Do ta uroja dhe përgëzoja z. Tahiri në qoftë se Ai, atë ditë, në prani të emigrantëve të mbledhur të niste procedurat praktike të regjistrimit, ta fillonte regjistrimin nga pjesëmarrësit në takim.
Thuhet që regjistrimi i emigrantëve do të bëjë që secili shqiptar që i ka mbushur në bazë të ligjit 18 vjeç do të votojë në zgjedhjet e ardhshme atje ku banon; në Athinë, Selanik, Kretë…në të gjithë hapësirën greke. Dhe më gjerë, në të gjithë botën.
Thuhet por asnjë hap nuk është hedhur.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare tashmë janë shumë afër, një vit e tre muaj larg, në qershor të vitit 2017. Regjistrimet nuk kanë filluar dhe nuk dihet kur do të fillojnë e kur do të mbarojnë. Votimi i emigrantëve në zgjedhjet e 2017 është i komprometuar.
Në shtyp flitet për autobusë që u nisën në Shqipëri për të votuar për kreun e partisë socialiste. Se ku do të votojnë dhe mbi bazën e cilave lista, nuk dihet.
Partia në pushtet nuk e din numrin e anëtarëve të saj në Greqi se po ta dinte do tua dërgonte kutitë e votimit atje ku punojnë dhe jetojnë, atje ku militojnë si anëtarë të devotshëm të Partisë Socialiste.
Siç “duken bathët”, votimi i emigrantëve atje ku punojnë dhe jetojnë, është larg.
Ministra e deputetë të “Rilindjes” shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë. Vetëm muajin e fundit kanë ardhur dy ministra dhe një deputet.
Vijnë, flasin, dhe nuk dëgjojnë…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 9 prill 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Andurrahim Ashiku, Ministrat shkojnë e vijnë, ne Athine, NGA TIRANA...

ME ARISTIDH KOLËN NË ATHINË

October 29, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
Kisha pyetur që në vitin 1991, madje kisha bredhur rrugicë më rrugicë të Athinës për të gjetur zyrën e tij të Lidhjes së Arvanitasve ”Marko Boçari”. Nuk munda ta gjej. Si një emigrant që nuk di ku ka kokën nuk u bëra mbarë në kërkim dhe nuk arrita ta takoj deri në vitin 1993, kur nxorra gazetën “Egnatia”. Gazeta i kishte rënë në dorë dhe e lexonte rregullisht. Ishte entuziast se “djemtë”- kështu i quante emigrantët, anipse mund të mos kishte diferencë të madhe moshe me ta – djemtë pra “kishin nxjerrë edhe gazetë”. Në atë kohë nuk qe më e vështirë ta gjeja e të më gjente. Por ishte dhe Shpëtim Mezini i Ambasadës sonë në Athinë, që bënte kujdes që ne t’i gjenim lehtësisht këto lidhje.
Një ditë u gjendëm pranë e pranë edhe në faqet e gazetës ultranacionaliste greke që dilte në Athinë “Stohos” e Kapsalit, ku në çdo numër nuk linin gjë pa thënë për Aristidh Kolën, “tradhëtarin e Greqisë, spiunin e agjentin e amerikanëve dhe shqiptarëve”. Në një nga ato numra gazete më kishin nderuar edhe mua duke më vënë përkrah “tradhëtarit” e duke më pagëzuar me epitetin – “shqiptari nacionalist i çmendur që bën gazeta në gjuhën shqipe në Athinë. Të shporret në Shqipëri me gjithë gazetën e tij. Alvanoset ekzo!”
Kjo situatë na rëndonte në zemër, po ç’të bënim. Vazhdonim punën tonë sikur të mos kish ndodhur kurrgjë. Aristidhi thoshte: -“Le të shkruajnë. Nuk i lexon njeri përrallat e Kapsalit”. Shkoja e çoja çdo numër të ri në zyrën e Aristidhit në rrugën “Filipidu 6”, më së shumti ia lija poshtë tek kutija e postës, por kur gjendej aty më ndalonte të bisedonim. I pëlqente të fliste shqip, një shqipe ku arvanitishtja dhe shqipja e re gjenin njëra-tjetrën herë ngushtë e herë lirshëm.
Një prej ditëve në verë 1995, ndërsa po i bëja ca fotografi në zyrën e tij më tha se “këtu në tryezen e punës kam “Egnatian” tënde. Dhe ky duhani që pi me çibuk, – theksoi, -e kam nga Shqipëria. Duhan “Taraboshi” nga Shkodra jote. Ma kanë prurë djemtë”. E kuptova dhe e fotografova. E ashtu mbeti. Me “Egnatia”-n pranë, i mendueshëm tek mbante në dorë çibukun me duhan Shqipërie, një portret që rrezatonte mirësi e dritë.
Disa ditë para se të largohesha nga Greqia për në SHBA, Aristidh Kola më ftoi familjarisht në shtëpinë e tij në një darkë lamtumire. Për të bërë shoqëri në atë mbrëmje kish ftuar edhe piktorin Robert Alia-Dragot me të shoqen Mimozën, shkrimtarin Tasos Karantis, mikun e tij të rinisë, grekun Niko, me të cilin dikur kishin shkuar deri në Francë për të ndjekur studimet pasuniversitare, si dhe një familje tjetër shqiptare, çiftin Albana dhe Adrian Prifti. Albana punonte sekretare në zyrën e tij.
Ajo mbrëmje e bukur vere athiniote ruhet në kujtesën tonë si më e bukura ditë e pesë viteve jetë në Greqi. Në fund të mbrëmjes, të cilën Robert Aliaj nuk mungoi ta xhironte me kamera, Aristidh Kola la miqtë e tjerë në shtëpi, nxorri makinën nga parkingu dhe na përcolli deri në shtëpi, në rrugën Filolao. Ishte pasmesnate. Kur po ndahesha më tha miqësisht se bashkë do të takoheshim përsëri, pasi e kishim lënë që me shoqërinë e gazetarit të BBC-së, Robert Goro e disa shqiptarë të tjerë intelektualë do të shkonim në një lokal. Edhe ajo ishte një mbrëmje e bukur. Aristidh Kola në mes nesh ishte shqiptari në mes të shqiptarëve.
Në bisedë të afërt, ndër të tjera, mbaj mend fjalët që më tha për një brengë që ai kish. “Pse ne shqiptarët vrasim njëri-tjetrin? -më tha. Nuk bën! Nuk bën!” -përsëriti disa herë. – Këtë duhet ta dinë djemtë. Të mos e prishim njëri-tjetrin. Jemi vëllezër…”
Ai ishte një njeri që i kuptonte fenomenet që ndodhnin në gjirin e shoqërisë shqiptare, por i vinin shumë të hidhura lajmet kur ndonjë emigrant kish vrarë shokun e vet për para. Ishte shumë i dhimbsur si njeri dhe i vinte keq për njerëzit e gjakut të vet. I thernin në shpirt vuajtjet e djemve siç gëzohej me shpirt për sukseset e tyre. Kur u bë koncerti me poezitë e emigrantëve, mbështetur në librin “Balada e largësive”, të cilin e realizoi Bujar Limani, Aristidhi erdhi ndër të parët.

* * *
Intervistën që i pata marrë atij e që u botua në gazetën “Illyria”, në New York, Nr.555, 556, Gusht 1996, e priti me shumë kënaqësi. Ja si shprehet në një letër:

Aristidh P.Kola. Jurist – Shkrimtar. Filipidou 6 Athina 11526.

I dashur e i paharruar vëlla Kolec,
E mora letrën tënde të bukur që më dërgove, dhe gjykoj se ishte dhurata më interesante për ditëlindjën time, jo vetëm për rëndësinë e saj, por edhe sepse na dhatë disa çaste të çmuara të gjithëve ne që u mblodhëm dhe e festuam ditëlindjen time së bashku.
I dashur Kolec! Të dërgoj librin e fundit që kam botuar dhe që është një dokument historik i vitit 1899 me shumë interes. Shpresoj se do ta përkthejnë djelmtë. Nëse dëshëron të mësosh të rejat e këtushme, “Egnatia” jote shkon mirë.
Keni, të gjithë ju, shumë të fala nga të gjithë miqtë tanë këtu, nga Ana, nga Adriano (Prifti), nga Taso (Karantis) dhe Robert Alia (Dragot).
I përcjell përshëndetjet dhe fëmijëve të tu të admirueshëm të cilëve u uroj çdo mirësi dhe përparim në të ardhmen. Shpresoj gjithnjë se, vonë apo herët do të ritakohemi, qoftë këtu, qoftë në Amerikë.
I dashur Kolec, nuk e di se me çfarë pune merresh tani në Amerikë. Të lutem më shkruaj pak për këtë temë. Dua të të them dhe një gjë dëshpëruese. Atë fotografinë e bukur që më ke bërë me çibuk, ma mori një gazetare kosovare që më intervistoi. I spjegova se ajo fotografi ka një vlerë dhe një rëndësi të veçantë personale dhe duhej të ma dërgonte sa më shpejt. Për fat të keq e hëngri fjalën e besës që më dha. Dhe akoma nuk ma ka dërguar. Për të tjerat, të gjitha shkojnë mirë dhe unë vazhdimisht shkruaj, shkruaj…

Mirupafshim
Miku yt
Aristidh Kola
Po ne nuk u takuam kurrë më….

ËSHTË FATLUM AI KOMB QË LIND TË TILLË BURRA

A ka ky shtet shqiptar një Akademi të dëgjojë këmbanat, që të mos lërë në harrim kulturën tonë përtej kufijve, një kulturë e traditë, një histori plot lavdi, që është po me aq vlerë sa ajo brenda kufijve, në mos më shumë. Veç bustit të De Radës si nuk u pa gjëkundi në këtë dhe një monument a bust për ata që dhanë aq shumë për kulturën arbërore jashtë kufijve të vitit 1913. Si nuk u panë të shfaqen në dy dekada grupet kulturore arvanite-arbërore në këtë vend. Të mos flasim për shkrimtarë, piktorë e artistë që janë nderi e krenaria e fqinjit tonë të jugut. Pse ia sharrojmë vetes degët që kemi nën këmbë. Me fustanellën tonë krenohen fqinjët duke e quajtur pjesë të etnografisë së tyre kombëtare. Po ne si nuk morëm një kostum aq të mrekullueshëm të grave arvanite e të mburremi me të, sepse është vërtet pjesë e kulturës sonë të mrekullueshme arbërore. Pasi na zvogëluan gjeografikisht të tjerët, pse për fajin tonë, vazhdojmë të zvogëlohemi shpirtërisht. E kryepseja: pse pra ne e kemi humbur shansin historik për t`u bërë qendra e mbarë botës arbërore-arvanite-shqiptare?
Parë në këtë sy, mund të them se diku përtej gardhit tonë, në Greqi, patëm fatin të njohim Aristidh Kolën, personalitetin më të madh arvanitas të shekullit XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë. Akademikët tanë që flenë nëpër katedra duhet t`ia kenë zili atij, por jo zili për keq, sepse ai ishte e mbetet pjesë e kulturës sonë arbërore, por t`ia kenë zili për vullnetin e këmbënguljen, për sakrificën, sepse
Aristidh Kola në studimet e veprat e veta, vuri tërë dashurinë, tërë pasionin, tërë kohën, edhe jetën e vet duke punuar në kushtet e një terrori verbal e psikologjik. Por mendoj se këtu vegjeton edhe një zili për keq, prej atyre që kanë veshur papuçet akademike të Obllomovit. Lënia jashtë vëmendjes, thuajse në harrim e kësaj figure, duke mjaftuar me emërtimin “Aristidh Kola” një rrugicë të vogël në periferi të Tiranës, diku fshehur pas pallatit të Brigadave a fshatin Sauk, është vërtetë shprehje e qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit, për të mos thënë frikës se mos bash për këtë mbeten prishaqejf diplomatët e fqinjëve.
Vështirë është ta pranojmë të vërtetën, por pa e pranuar atë nuk ka as dhe një shans të vetëm të gjejmë një udhë të drejtë në këtë mishmash kombëtar, ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte e kultura konsiderohet si një handikap shoqëror i bezdisshëm. Aristidh Kolia i madh kishte një mendësi krejt tjetër. Kultura, tradita, gjuha, prejardhja, historia ishin gjithçka në jetën e tij. Ai e shihte Shqipërinë me sytë e shpresës. Ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri e një herë në Kosovë, por edhe në Kalabri e Siçili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierë që na kishin vënë në mes nesh, në mes të njerëzve të një gjuhe dhe një gjaku. Ndaj është krejt e kuptueshme çiltërsia me të cilën e priti dyndjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi me mendimin, se kjo do të ishte një rast ideal për të krijuar lidhjet e mungura mes krahëve të shqiponjës.
Ai u afroi shqiptarëve emigrantë një miqësi pa asnjë rezervë e pa asnjë kusht. Ai nuk përdori për ta asnjë herë fjalën emigrant. I quante me gjuhën e tij të bukur shqipo-arvanite “djemtë”. Kush e di ç’bëjnë djemtë. Kush e di ku janë djemtë. I thërriste ashtu siç thërriste të birin e vet Panajotin. Me të njëjtën dashuri. Ishte një miqësi e dashuri që buronte prej gjakut të përbashkët që na rridhte në damarë e gufonte në zemrat tona arbërore. E më së shumti nuk ishim ne që e kërkonim atë, sepse edhe druheshim, por ishte ai që interesohej se çfarë ndodhte me emigrantët shqiptarë në Greqi. Që kur e takuam për herë të parë, ashtu do ta ruajmë në kujtesë, të gjallë e plot energji, të përzemërt, me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar.
Kush tjetër si ai! E kjo ndodhte se ai kishte një vizion të madh e nuk i shihte shqiptarët e Shqipërisë së vitit 1913 si njerëz të përtej sinoreve, por vëllezër gjaku, sepse e dinte se kufijtë ishin krijuar nga të tjerët e jo nga shqiptarët, se pengesat i sjellin qeveritë e politika, por jo popujt. Aristidh Kola ishte si një diell që lind, kalon në zenit dhe perëndon, e gjatë gjithë udhës në qiell ndriçon për njerëzit. Kështu ndriçoi gjatë tërë jetës së tij miku ynë i madh e i paharruar që sot e kujtojmë me nostalgji. Veç perëndimi ishte tejet tragjik për diellin metaforik me emrin Aristidh Kola. Ai kaloi nga Thiva ku lindi, përmes fshatrave arvanite të Atikisë, që i rrinë Athinës si kurorë, nga ishulli Salamina i Anastas Kulluriotit, kalonte nëpër malet e Moresë, tek Arbëreshët e De Radës e Zef Serembes në Kalabri e Siçili të Italisë, ku zuri miq të mëdhenj si At Antonio Bellusci me të cilin e lidhi një miqësi e jashtëzakonshme. Të dy dijetarë me mendje të ndritur, karakter të fortë e zemër guximtare. Njëri në lindje e tjetri në perëndim të Arbërisë sonë. Si dy zogj shqiponje, së bashku fluturuan lart, por edhe larg deri në Strasburg, për t’i thënë Europës se Arvanitët, trashëgimtarët e Kollokotronit, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Laskarina Bubulinës e plot heronjve të tjerë të Revolucionit Grek, ishin gjallë, anipse të harruar, pak prej vetes e shumë e më shumë prej të tjerëve. Ata kështu po i kthenin arvanitasve krenarinë e dinjitetin, lavdinë e një historie të mohuar.
E vërteta që mbronte Aristidh Kola kaloi si hark drite edhe në qiellin e Shqipërisë dhe Kosovës e mbarë trojeve shqiptare në Ballkan. Kush më shumë e më zjarrtë se ai i mbrojti shqiptarët e Kosovës kur edhe në revistën e tij “Arvanon” shkruhej me gërma të mëdha “Edhe unë jam kosovar!”. Ai me guximin që tregoi shfaqi tiparet e trimave arvanit në histori që nuk e njihnin frikën. Ata ishin lindur në luftë dhe lufta i rriste e i trimëronte, siç thotë miku i tij, veprimtari tjetër arvantias Jorgo Miha. Vetëm pse mbronte shqiptarët e Kosovës në të drejtën e tyre për liri, u kërcënua publikisht në një emision televiziv nga një gazetare, sot deputete komuniste në parlamentin grek: “Ju akuzoj si agjent i të huajve… më e pakta i UÇK-së, ju akuzoj për agjenturë dhe propogandë të zezë, jeni armik i brendshëm.” Për këtë ngjarje skandaloze në median greke, ndoshta e vetmja e këtij lloji në mbarë Europën, në një letër që Aristidh Kolia i dërgoi mikut të tij arvanitas, Taso Karandis, botuar post mortum në revistën “Ritmi i Salaminës”, shkruante:

“Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi
mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në “Sky” 5 Maj 1999 dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja… Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse “e drejta del, vjen kur t`i vijë ora…”. E kam dashur dhe e dua vendin tim, por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mia, të cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresën e shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat. Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjerra dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time…”

Dhe e pagoi. E pagoi pa iu dridhur qerpiku sepse kishte gjak arbëror e karakter arvanit të pamposhtur. Me të drejtë i vëllai i tij, Jorgo Kola, thotë se me Aristidh Kolën ndodhi ajo që thuhet në një proverb biblik: “Kush ka guximin të thotë të vërtetën, kryqëzohet.”
U bë një dekade e gjysëm që nga ajo ditë e zezë athinjote, ajo vdekje mizore, që na e rrëmbeu parakohe e krejt e papritur Aristidhin tonë. Po a thue përnjimend u shua ai diell arbëror? Kurrsesi , sa kohë që ia ndjejmë rrezet e ngrohta që burojnë prej veprave të tij. Se ja kështu ka ndodhur edhe me Anastas Kulluriotin e Jorgo Marugën, por ikën vetëm fizikisht. Asgjë tjetër nuk ka ikur veç trupit që iu kthye dheut të krijimit.
Nuk mund t`i vihen pranga dritës. As ideve dhe frymës së tij që ndjejmë në çdo libër e në çdo fjalë. Veprat e mendimet e tij na shoqërojnë. Sot më tepër se dje, nesër me tepër se sot, kështu në vazhdimësi, sa kohë që bijtë e shqipes arbërore, shqiptarët, arbëreshët, arvanitët rrojnë e do të rrojnë mbi dhe.
Aristidh Kola ishte një mendje e ndritur që e kuptonte se në këtë botë kish jetë, por kishte edhe vdekje, por dinte akoma më mirë se vdekja mund të mundej me vepra të mëdha për njerëzit. Ai e dinte mirëfilli se ka një mënyrë për të
rrojtur edhe pas vdekjes, çfarë në të vërtetë e mrekullisht ndodh. Se ja, tani për Aristidhin tonë dinë e flasin më shumë njerëz. Anipse gazetat shqiptare në Tiranë e Prishtinë fare pak shkruajnë, se janë peng e robër të politikës dhe
interesave konjukturale, por falë komunikimit të shpejtë e masiv elektronik, për Aristidh Kolën sot flasin e shkruajnë me admirim në të katër anët e globit, nga Europa në Amerikë, Kanada dhe Australi, kudo ku ka shqiptarë. Vepra e tij
madhore “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” veç 14 botimeve në Greqi, është botuar e ribotuar edhe në Shqipëri, por, edhe vepra të tjera si “Gjuha e Perëndive” tashmë i kanë në dorë shqiptarët në arbërishten tonë të lashtë e të bukur.
Disa njerëzve vdekja iu shërben për t`u bërë edhe më të gjallë se të gjallët. Kur trupi
ikën, shpirti vjen më pranë njerëzve. Ndaj gjithmonë do të themi se Aristidh Kolën e kemi gjallë midis nesh. Ai zjarr dashurie e krenarie që ndezi në mes të arvaniteve si të ishte një Promete, kurrë nuk mund të shuhet.
Le ta mbyllim me fjalët që aq shumë i kish për zemër i pavdekshmi Aristidh Kola: “Rrënjët tona janë në Arbëri!” E këto fjalë, që të kujtojnë edhe të madhin De Rada që i mbylli sytë duke parë detin, duhet t`i kenë në mendje e në zemër arvanitasit edhe arbëreshët, por duke ditur rrethanat e mundësitë, le t`i ndihmojmë edhe ne sado pak, që të mos i harrojnë, që njerëzit që kanë guximin të thonë të vertetën edhe më tej të mos kryqëzohen, që errësira të mposhtet përballë dritës e shpirti i Arbërit të rrojë përgjithmonë!

Kolec TRABOINI
Nga libri “Aristidh Kola”

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, ME ARISTIDH KOLËN, ne Athine

Janullatos në Athinë, ankohet për kishën e Dhërmiut

August 25, 2015 by dgreca

Mediat greke bëjnë me dije se Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të takohet mesditën e sotme me kryeministrin në ikje të Greqisë.
Takimi, i cili nuk është konfirmuar zyrtarisht, duket se do të ketë në fokus çështjen e kishës së Dhërmiut.
Lidhja mes Aleksis Cipras dhe Anastas Janullatos duket se bazohet në pëlqimin reciprok. Pak kohë më parë, kreu i qeverisë greke propozoi pikërisht kryepeshkoni e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare për president të vendit të tij

Filed Under: Komente Tagged With: ankohet, Janullatos, ne Athine

KUJTESE PER KRYEMINISTRIN, PAS FJALES NE PRESHEVE….“MARATONA E ABETARES” NË ATHINË….

November 14, 2014 by dgreca

Nga Abdurrahim Ashiku/ Athine/
Kryeministri ynë foli bukur në Preshevë. Foli për kujdesin që duhet treguar për shqiptarët në Kosovë, Preshevë, Bujanovc, Medvegjë, Maqedoni, Mal të Zi…për detyrimin kushtetues, për atë që në Nenin 8 të Kushtetutës thuhet…
1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.
Më bëhet qejfi që foli për ta. E përgëzoj dhe dëshiroj që ta mbaj fjalën…
Veçse mos harrojë që vetëm në Greqi ka një komunitet prej rreth një milionë shqiptarësh “që jetojnë e punojnë jashtë shtetit”dhe që kanë nevojë “për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.”
Një komunitet të harruar që kujtohet vetëm për remitancat…
* * *
Maratona dhe maratonomaku, vrapimi dyzetë kilometra i luftëtarit për të sjellë në Athinë fitoren e madhe dhe rënia e tij me fjalën “fituam” në gojë, për shqiptarët është njohur më shumë se çdo libër historie me poezinë brilante të Nolit.
Nuk do të flasim për të, për Maratonën historike, por për një lloj tjetër maratone që u është imponuar mësueseve vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi në misionin e tyre atdhetar për tu mësuar fëmijëve, tash anekënd Greqisë, në stere dhe në ishuj, të shkruajnë, lexojnë, këndojnë e recitojnë në gjuhën e nënës së tyre
Fjala është për “Maratonën e Abetares”, udhëtimin e lodhshëm fizikisht, psikologjikisht dhe materialisht të saj për në bankën e nxënësit, një histori që ka nisur para trembëdhjetë vjetësh në Selanik për tu kthyer në një problem që nuk e mban asnjë kandar.
Në Ambasadën tonë në Athinë nga mesi i tetorit mbërritën më në fund abetaret bashkë me fletoret përkatëse. Lajmi është konfirmuar me email-e në adresë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe, gojë më gojë, në adresë të mësuesve në kurset e mësimit plotësues në të gjithë Greqinë…
Nga një email në adresën time, ndër të tjera veçoj…
…Nëse ju do të keni ndonjëmundësipër tëmbështetur transportin, ose përmes informacioneve që keni, të na orientoni si është procedura për raste të tilla, etj., do ta vlerësonim…
Ambasadës tonë i kanë ardhur dhe i kanë mbetur në “derë” Abetaret. Nëpunësit e saj që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë (dhe nga taksat tona për vula e pasaporta që janë më se dyfishi i asaj që paguhet në Shqipëri) kërkojnë… ndonjë mundësi për të mbështetur transportin, kërkojnë…informacione dhe ndonjë orientim se si është procedura… edërgimit të librave tek mësuesit…
Në qoftë se me të vërtet nuk e dinë (!?)…atëherë do t’i këshilloja të përcjellin një email në ambasadën kosovare në Vjenë… për të mësuar se si librat që vijnë nga Kosova ata i përcjellin me shpenzimet shtetërore në çdo shkollë…
Për përvojën dhe përkushtimin kosovar për dërgimin e librave mësimorë në çdo klasë në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë kam shkruar me shembuj marrë nga goja e një autoriteti të Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë të Kosovës dhe të një mësuesi në Vjenë…
…Në Greqi, në tetor, klasat u mbushën me nxënës. Mbi tavolina mungonin Abetaret dhe librat e tjerë sipas kurseve të mësimit të gjuhës shqipe.
Marrja dhe shpërndarja e librave i “mbeti në derë” Lidhjes së Mësuesve me drejtues në qytetin e Korinthit, më se njëqind kilometra larg Ambasadës…
Kryetari i Lidhjes iu drejtua Sh. H. një aktivisti të Lidhjes në Athinë. Ky, pas disa telefonatave më në fund vendosi të japë ndihmën e vet…
Nuk kishte mjet të vetin për të shkuar në Ambasadë e për të marrë librat. Iu drejtua një mikut të vet taksist i cili e la punën dhe u vu në dispozicion të tij. Shkuan në Ambasadë. Mendoi se librat ishin paketuar në kuti sipas listës dhe ishin gati për t’udërguar në adresat e dhëna. U ballafaqua me një grumbull librash në pako pesëshe siç kishin dalë nga shtypshkronja. Pas telefonatave dhe mëdyshjeve vendosi t’i merrte për t’i çuar në KTEL, pikë të shpërndarjes në Athinë. Nuk ishin pak. Ishin rreth gjashtëqind libra me një peshë rreth katërqind kilogram. Iu fut punës bashkë me taksistin dhe i morën librat. Makina u mbush sa mezi bënë vend të ulen…
Shkuan në pikën e shpërndarjes. Nëpunësi u tha se librat duhen futur në kuti mbi të cilat të shkruhet adresa. Shkuan në një pikë shitje dhe morën njëzet kuti. I mbushën dhe u vunë adresat…
Një punë e lodhëshme…
Pas veprimeve financiare librat morën rrugën drejt Kavallës, Kallabakës, ishullit të Tinosit…shkollave në tërë hapësirën greke… Vetëm Kavallës, 1500 kilometra larg Athinës, iu nisën njëqind abetare dhe njëqind fletore pune me peshë rreth 130 kilogram…
Një maratonë e lodhshme, një shpenzim i konsiderueshëm parash dalë nga xhepi i atyre që bëjnë sakrificën e paimagjinueshme për kohën, japin mësim falas për fëmijët mërgimtarë, sakrifikojnë ditën e punës, ditën e pushimeve të shtunat e të dielat, prishin qetësinë familjare, një vlerë që është emërtuar si “Rilindës të kohës sonë”…
“Maratona e Abetareve” 2014…
Mbase është “maratona” e fundit…
Mbase…
Megjithatë unë nuk e besoj.
Shteti ynë e ka marrë me bezdi punën e madhe patriotike të mësuesve të gjuhës shqipe në Greqi…
Kryeministri ynë foli bukur në Preshevë. Foli për kujdesin që duhet treguar për shqiptarët në Kosovë, Preshevë, Bujanovc, Medvegjë, Maqedoni, Mal të Zi…për detyrimin kushtetues, për atë që në Nenin 8 të Kushtetutës thuhet…
1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.
Më bëhet qejfi që foli për ta. E përgëzoj dhe dëshiroj që ta mbaj fjalën…
Veçse mos harrojë që vetëm në Greqi ka një komunitet prej rreth një milionë shqiptarësh “që jetojnë e punojnë jashtë shtetit”dhe që kanë nevojë “për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.”
Komuniteti mërgimtar shqiptar në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Angli…në të gjithë botën, i ka sytë dhe veshët tek shteti shqiptar, nuk donë të asimilohet…donë që fëmijët e tyre ta flasin dhe ta shkruajnë gjuhën shqipe me të 36 germat e Alfabetit të Manastirit….
Një zë që nuk duhet të bije në vesh të shurdhër…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 12 nëntor 2014

Filed Under: Emigracion, Mergata Tagged With: “MARATONA E ABETARES”, Abdurrahim Ashiku, KUJTESE PER KRYEMINISTRIN, ne Athine, NE PRESHEVE...., PAS FJALES

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT