• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbyllet samiti në Paris: BE mbetet e angazhuar në Ballkan

July 4, 2016 by dgreca

“Do të mbajmë fjalën dhe do të vazhdojmë të punojmë për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan, ndërsa vendeve të rajonit u themi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian vazhdon”, ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande, në mbyllje të samitit për Ballkanin Perëndimor në Paris.

Në konferencën për gazetarë, Hollande ka thënë se shqetësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor se si do të ndikojë te to vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur BE-në, kanë qenë të arsyeshme.

“Ka qenë e rëndësishme të theksohet se vendimi i Britanisë, në asnjë mënyrë, nuk do të ndikojë në angazhimin e BE-së ndaj vendeve ballkanike, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, ka thënë Hollande.

Ai ka theksuar se BE-ja është projekt paqeje dhe se të gjitha vendet e rajonit kanë përjetuar luftën civile, nacionalizmin dhe ekstremizmin, andaj “edhe dinë të vlerësojnë paqen”.

Për të lëvizur tutje në procesin evropian, ka shtuar Hollande, është i domosdoshëm zbatimi i reformave, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.

Në samitin në Paris, Serbia ka marrë dritën e gjelbër për vazhdimin e mëtejshëm të euro-integrimit. Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Kroacia ka dhënë pëlqimin për hapjen e dy kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, gjë të cilën e ka kundërshtuar deri më tash.

Hahn po ashtu ka thënë se BE ka vendosur të sigurojë 96 milionë euro për tre projekte të infrastrukturës hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.

Takimi i Parisit pas BREXIT, Hollande dhe Mogherini rikonfirmojnë mbështetjen ndaj perspektivës europiane të rajonit. Miratohen financimet për tre projekte të infrastrukturës në Shqipëri, Kosvë e Serbi. Nënshkruhet marrëveshja për Zyrën rajonale të Bashkëpunimit Rinor.

I mbledhur në një kohë kur për Bashkimin europian dhimbjet e kokës për largimin e Britanisë së Madhe janë ende të forta, takimi i nivelit të lartë me kryeministrat e vendeve të Ballkanit, i treti në vazhdën e procesit të nisur në Berlin në 2014, rikonfimoi me fjalët e aktorëve kryesorë europian se angazhimi për këtë pjesë të Europës nuk është zbehur.

“A e ka ndryshuar perspektivën europiane që u është ofruar vendeve të Ballkanit , vullneti i popullit britanik i shprehur me referendum? Po procedura që do të nisë në vjeshtë mes BE-së dhe Britanisë së Madhe? Po paqartësitë që kanë lindur pas këtij rezultati? Ishte e rëndësishme që të rikonfimonim tepër qartësisht se vendimi Britanik nuk e ka vënë në dyshim angazhimet ndaj Ballkanit”, deklaroi në deklaratën e tij për shtyp në përfundim të takimit presidenti francez François Hollande. “Pse duhet të jemi kaq të qartë? Eshtë nga njëra anë mbajtja e fjalës së dhënë, por edhe për të rikujtuar atë çfarë është Europa”, tha ai duke nënvizuar se “Europa është paqja. Dhe vendet e Ballkanit na kujtojnë thelbin e vetë procesit europian. Ato kanë njohur shpërbërjen e Jugosllavisë, luftrat civile, nacionalizimin dhe ekstremizimin dhe ato e njohin vlerën e paqes”, u shpreh presidenti Hollande. Megjithatë ai saktësoi se rruga është gjithashtu e qartë për të gjithë sipas rregullave të përcaktuara më parë e që duhen respektuar nga vendet e Ballkanit. “Për të shkuar më tej drejt Europës, reformat janë të rëndësishme. Ky është kyshti për të vijuar me këtë perspektivë. Reformat për shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rregulla në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimi rajonal”.

Në të njejtën linjë me të dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini. “Para së gjithash zgjedhja e qytetarëve britanikë nuk përfaqëson fundin e Bashkimit Europian. Përkundrazi, qytetarët e Ballkanit Perëndimor shohin te BE-ja një projekt të madh paqeje, zhvillimi ekonomik dhe mundësishë për të rinjtë. Dhe duke e parë BE-në me sytë e të rinjve të Ballkanit, na ndihmon të kuptojmë se çfarë është sot në rrezik, çfarë do të humbisnim nëse nuk do të rizgjonim projektin europian siç po bëjmë këto javë”, u shpreh ajo duke saktësuar se “mesazhi që kemi për miqtë tanë të Ballkanit është se BE-ja është aty, mbetet e fortë, mbetet fortësisht e interesuar për procesin e zgjerimit në Ballkan dhe punon çdo ditë me secilin vend për të menaxhuar flukset e emigracionit, ato të refugjatëve, parandalimin e terrorizmit, zhvillimin e rrjeteve të ndërlidhjes për ekonomitë tona, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, u shpreh zonja Mogherini.

Takimi i Parisit bëri një vlerësim të ecurisë së projekteve të mbështetura në Samitin e Vjenës, ku u miratuan 10 projekte të ndërlidhjes rajonale (6 në infrastrukturën rrugore e 4 në infrastrukturën energjitike). Në deklaratën përfundimtare të takimit theksohet se “projektet e investimeve të miratuara në Vjenë duhet të vihen në zbatim pa vonesa. Pjesmarrësit mirëpritën faktin se disa nga këto projekte mund të inaugurohen gjatë këtij viti”. Po ashtu, u miratuan dhe 3 projekte të reja, ndër të cilat njëri lidhet me Shqipërinë, me rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekururdhor Tiranë – Rinas, me një vlerë investimi 81 milionë Euro, nga të cilat, 35 milionë euro do të jepen si grant nga WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor). Dy projektet e tjera lidhen me Serbinë, me modernizimin e hekurudhës Nis-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, përmes një granti 44 milionë eurosh, dhe me Kosovën, për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant 17 prej milion eurosh.

Ndërkohë, projekti i Gazsjellësit Adriatiko-Jonian është paraqitur si një projekt rajonal në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, dhe do të mbështetet financiarisht nga BERZH-i studimi i fizibilitetit me 3,5 milionë Euro. Po në fushën e energjisë, sipas Deklaratës përfundimtare, është prezantuar dhe “një nismë për rritjen e investimeve për efikasitetin e energjisë lidhur me ndërtesat e banimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, falë një financimi shtesë të BE-së prej 50 milion eurosh. Në këtë rast bëhet fjalë për një program i cili synon të identifikojë rrugët më të mira për zhvillimin e potencialit hidroenergjitik të rajonit”, ndërkohë që është rënë dakort për “një hartë rruge që do të çojë drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë”.

Një nga vendimet e takimit, i nënvizuar si “një hap i rëndësishëm për mbylljen e plagëve të së kaluarës” e i përshëndetur në mënyrë të veçantë dhe nga presidenti Hollande, ishte nënshkrimi nga vendet e rajonit të marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor një nismë e kryeministrave të të Shqipërisë dhe Serbisë, bazuar në modelin franko-gjerman të pas Luftës së dytë Botërore. Objektivi i Zyrës do të jetë “mbështeja e aktiviteteve që promovojnë ripajtimin mes popujve, si dhe të programeve mbi diversitetin, shkëmbimet ndërkulturore, pjesmarrjen qytetare dhe promovimin e velrave demokratike”. Vendet e rajonit do të kontribuojnë me një total prej 1 milion eurosh për funksionimin e Zyrës Rajonale, ndërkohë që 1 milion euro të tjera do të ofrohen nga BE-ja.

Filed Under: Rajon Tagged With: BE mbetet e angazhuar, ne Ballkan, Samiti i Parisit

Kryeministri Rama flet për sfidat e sigurisë në Ballkan

April 13, 2016 by dgreca

Nga Keida KOSTRECI/ Zeri i Amerikës/

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli sot në Këshillin e Atlantikut, ku ai u ndal tek sfidat e sigurisë me të cilat ndeshet sot Ballkani perëdnimor në kuadër të përpjekjeve të tij për t’u integruar në Bashkimin Evropian.Zoti Rama nga njëra anë shprehu shqetësimin se sfidat me të cilat përballet Evropa, rrezikojnë ta lënë në hije integrimin e Ballkanit deri në një afat të pacaktuar dhe nga ana tjetër theksoi se përfitimet e integrimit do të ishin të dyanshme.

“Në këtë kontekst, ekziston rreziku se pasojat e krizës ekonomike, të sigurisë dhe asaj të migrantëve që po kalon Evropa do të përhapen në Ballkanin Perëndimor duke sjellë më shumë pasiguri për këtë rajon”, tha zoti Rama.Për momentin tha kryeministri, çështja e migrantëve është problemi numër një në Evropë, si nga ana e sigurisë ashtu edhe nga çështja e vlerave. Ai the se përgjigjia e Evropës ka qenë e ngadaltë dhe jo e qartë, me përjashtim të Gjermanisë.

Zoti Rama e shprehu shqetësimin se zgjerimi mund të mos jetë përparësi, por duke dolur për sfidat aktuale në kontinent, ai sugjeroi se përfitimet mes Ballkanit dhe Evropës janë reciproke.

“Nuk është e tepruar të thuhet, se Evropa, ka nevojë për Ballkanin të paktën po aq sa ç’ka nevojë Ballkani për BE-në”, në këto momente.

Zoti Rama tha se rajoni është në momentin më të mirë të mundshëm përsa i takon marrdhënieve mes vendeve të tij, një arritje siç tha ai duke pasur parasysh të kaluarën me përplasje etnike.Kryeministri i bëri thirrje Evropës për të intensifikiuar bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor në këto kohë krizash.Një nga këto sfida dhe një temë për të cilën zoti Rama qëndroi gjatë, ishte çështja e ekstremizmit të dhunshëm.

Zoti Rama tha se vendi i tij është bërë partner i plotë në përpjekjen globale për ta luftuar atë. Sipas burimeve të ndryshme, nga Shqipëria ka patur rreth 100 luftëtarë që i janë bashkuar grupeve ekstremiste në Lindjen e Mesme.Por kryeministri Rama tha sot se gjatë vitit 2015 asnjë shtetas shqiptar nuk është bashkuar me organizatat ekstremiste.  Kryeministri shqiptar përmendi në fjalën e tij se Shqipëria është një shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës së feve të ndryshme. Ai tha se radikalizimi duhet luftuar së pari në mendjet e njerëzve, sidomos të rinjve.

“Duhet t’u mësojmë brezave të rinj sesa i çmueshëm është ky shembull i Shqipërisë, sa i vlefshëm është ky komunitet tolerance dhe bashkëekzistence fetare dhe çfarë rrezikohet përsa u takon kërcënimeve që vijnë nga të gjitha anët ndaj kësaj pasurie kombëtare”, tha kryeministri.“Ne mendojmë se informacioni i përshtatshëm për moshën dhe një diskutim i hapur në klasa do të kontribuojë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të fitojnë njohuri që të jenë më mirë në gjendje që t’i rezistojnë urrejtjes mbështetur tek feja, të refuzojnë diskriminimin dhe kështu të përforcojmë kompaktësinë tonë të njohur sociale”, tha zoti Rama.

Ai iu referua kështu një teme të diskutuar mjaft në Shqipëri. Zoti Rama tha se kur ndodhin sulme terroriste si ai i Parisit, ka nga ata që thonë që ato u kryen nga myslimanët dhe pastaj vazhdojnë duke thënë se kjo është arsyeja që duhen mbyllur kufijtë, duhet t’u hiqet shtetësia dhe këtyre njerëzve u rritet mbështetja.Duke folur për këtë temë, zoti Rama, përmendi edhe kandidatin republikan, Donald Trump, komentet për të cilin kishte dhënë para disa ditësh, ngjallën reagime në Shqipëri.Ai sugjeroi se do të ishte e rrezikshme që një njeri që demonizon grupe të caktuara – duke folur veçanërisht për myslimanët – të ishte në krye të Shteteve të Bashkuara.

“Dhe ta them deri në fund se nuk mund të mos e them, se si mundet që Donald Trump mund të arrijë të jetë kandidati i një partie që kishte si kondidat Ronald Reganin”.

Dhe duke folur më gjerë për rrezikun e mosnjohjes, ai dha më shumë hollësi për kontekstin duke thënë se kjo mosnjohje e tjetrit, hendek në mosnjohje krijon premisa të rrezikshme që i bën njerëzit të ndjehen të përjashtuar dhe stigmatizuar.

“Dhe pastaj e kupton që ka një hendek njohjeje, një hapësirë e gjerë ku injoranca, mosnjohja e koncepteve të thjeshta, bazë për fetë dhe për besimin e tjetrit, ka krijuar një terren që e ushqen këtë lloj politike, për këtë lloj radikalizimi dhe krijon një efekt zinxhir”.

Zoti Rama vlerësoi lart marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se Shqiptarët janë me fat që është një histori suksesi e Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ai përmendi si sfidë për rajonin edhe përpjekjet për ndikim rus, por shtoi se ky ndikim nuk është i njëjtë për të gjitha vendet e rajonit.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Rama foli edhe për problemet me të cilat përballen vendet e Ballkanit së brendshmi, si klima politike, përfshirë Shqipërinë.

“Po, ne si vende të rajonit, na duhet të përballemi sfidat që kanë të bëjnë me të shkuarën tonë dhe do ta lidhja thjesht me ritmin e integrimit të vendeve ish-komuniste”, tha ai.

“Nëse për vende si Polonia, të hynin në Evropë ishte si të riktheheshin në shtëpitë e tyre, për ne hyrja në Evropë, është të shkojmë diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha ai.

Ai shtoi se vende si Shqipëria kanë më shumë sfida të dukshme përsa i takon korrupsionit apo mungesës së vullnetit për të respektuar ligjin, për shkak të mungesës së modernizimit.

Ai bëri edhe një krahasim me klimën politike në SHBA.

“Përsa i takon klimës politike, jemi në Uashington dhe nuk është një vend që më bën të më vojë zor për jetën tonë politike, sepse nëse nuk ka ndonjë gjë për të mësuar në Uashington është se si të partitë të bashkohen për të mirën e vendit, sepse as republikanët, as demokratët nuk mund të na thonë se e duan njëri-tjetrin dhe sa të gatshëm janë për të bashkuar forcat për një synim më të madh”, tha zoti Rama duke iu referuar retorikës së ashpër të fushatës presidenciale në SHBA.

 

Filed Under: Komente Tagged With: e Sigurisë, keida Kostreci, ne Ballkan, Rama flet për sfidat

Xhamia me e madhe në Ballkan në vendin më të varfër të Evropës!

January 17, 2016 by dgreca

Turqia ua futi thikë pas shpine shqiptarëve, i ktheu në mesjetë, i mbërtheu me narkozën e besimit të verbër islamik, i paralizoi si gjarpri bretkosën. Në misionin e shkombëtarizimit e debilizimit e ndihmuan komisarët (oficerët e zbulimit) nga Arabia Saudite, Irani e Egjipti, e ndihmuan edhe shtetarët tonë të korruptuar e të kriminalizuar. Për dhjetë vjet Azia e Afrika veriore u derdhen në territoret shqiptare më shumë se për pesëqind vjet sundimi të Perandorisë Otomane. /
Opinion Nga Gani MEHMETAJ/
Ndërtimi i xhamisë më të madhe në Ballkan, që do të bëhet në Prishtinë, është shpërblim për kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës që rekrutoi shqiptarë fatkeq për luftën në Siri përmes Turqisë. Gjaku i shqiptarëve në Siri e Irak do të materializohet në xhaminë e dhjetëra shitoreve, ndërsa kreun e BIK-ut i bëri njerëzit më të pasur në shtet, tagrambledhësit e haraçit në gjak. Xhamia do të ndërtohet në pjesën më urbane e ambientin më të arsimuar të Prishtinës. Qytetarinë shqiptare perëndimore që është pjesa dërmuese e kryeqytetasve, ka nis t’i mbërthej tmerri nga plani i qeverisë për ndërtimin e xhamisë. Ata prisnin që t’ua ndërtonin një sallë koncertesh pikërisht në vendin ku e caktoi qeveria lokacionin e xhamisë. Fondet e BE-së ishin të gatshme për këtë qëllim, por zyrtarët tonë nuk mund të zhvatnin nga BE-ja, ndërsa fondet islamike ua kishin mbushur xhepat me para. Për tmerr- Lagjja Elitare do të shndërrohet në mëhallë orientale.
Në vend të fabrikave e teatrove, shteti ndërton xhami!
A ia kishim nevojën xhamisë më të madhe në Ballkan? Xhami kemi me tepri, të reja e të vjetra, më shumë se i tërë Gadishulli Ilirik së bashku. Fabrika kemi më së paku në Evropë, ose nuk kemi fare. Investimet e huaja ikin nga vendi ku ndërtohen xhami. Turqia investoi në abrika e ekonomi në shtetin serb, ndërsa në Kosovë vetëm në xhami. Shqiptarët i ktheu në mesjetë, serbët i ndihmon të përparojnë.
Janë edhe tri xhami në Prishtinë, të cilat në emër të kinse rinovimit TIKA turke, e lidhur me terrorizmin islamik, i rindërtoi nga themelet, i zgjeroi, ua dyfishoi hapësirën, i vuri në funksion në vend se ti konservonte, ashtu si nënshkroi kontratën me Ministrin e Kulturës. TIKA turke e okupoi rrugën e asfaltuar shqiptare, që lidhte një pjesë të lagjes afër Muzeut të Kosovës me pjesën tjetër, duke e futur në oborr të xhamisë rrugën e asfaltit. Ajo e zuri edhe trotuarin. Njerëzit s’dinë nga të shkojnë: të ecin në rrugë më rrezik t’i shkel makina, apo të hipin mbi murin e xhamisë që ua mori trotuarin? Nuk i pyeti TIKA që u bë shtet mbi shtet urbanistët, nuk ia vari shtetit, kur e rrëmbyen trotuarin, nuk e morën lejen e komunitetin kur ua morën rrugën e asfaltuar, nuk e përfillën Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve, kur i prishën xhamitë e vjetra deri në themel e rindërtuan të reja me beton. Xhamia e Madhe (me emër të sulltanit më gjakatar në historinë e shqiptarëve) e ndërtuar nga islamikët e dyshimtë , nuk e përfilli Gjimnazin më të famshëm në Kosovë me mijëra nxënës, që ua ndërprenë mësimin çdo ditë nga altoparlantët ulëritës. Xhamia e Madhe prapë me fondet e dyshimta u rindërtua mbi themelet e Katedrales Katolike Shqiptare, ku u varros Pjetër Bogdani, shqiptari më i famshëm pas Skënderbeu. Nuk ia vunë as një pllakë përkujtimore në ballë të murit të xhamisë, ku do të shkruante: Këtu u varros Imzot Pjetër Bogdani, prijësi ushtarak e shpirtëror i arbërorëve që luftoi kundër hordhive turke deri në vdekje.
Dhe sikur nuk mjaftoi ky terror, tash dolën me projektin e xhamisë në qendrën më urbane të kryeqytetit për ta bërë lagje të Kandaharit a Pehshevarit, ashtu si e bënë qytetin e vjetër. S’na mbeti asnjë lagje për të qenë, të gjitha i bënë mëhalle turke.
Xhami më e madhe në Ballkan do të ndërtohet me fondet e dyshimta islamike, sikurse të gjitha xhamit në Kosovë, sepse sikur t’u lihej vullnetit e parave të besimtarëve shqiptarë, asnjë xhami nuk do të ndërtohej në Kosovë e në Shqipëri. Ato fonde që i ndërtuan xhamitë, e blenë kreun e shtetit e të partive politike, korruptuan zyrtarët e të gjitha niveleve, rekrutuan njerëz në polici e në ushtri, futen para në gazeta, portale e televizione. Kur kundërshtonin banorët shqiptarë, ua ndërsenin eksponentët e Shërbimit të Fshehtë (i)legal, i cili në dhjetëvjetëshin e fundit e bëri punën e djallit, duke u ndihmuar turqve e arabëve në islamizimin e shqiptarëve e shpërfytyrimin e tyre. Sidomos punë djalli bënë në Drenicë, ku myslimanizmi nuk zuri rrënjë në kohën e Perandorisë otomane sa i mbërtheu me presionin e SHIK-ut, të emisarëve arab e turq.

Çmendina shqiptare po na kthen në mesjetën anadollake
Asnjë xhami në Prishtinë e në Kosovë nuk u ndërtua pa zhvatje e pa korruptimin e qarqeve zyrtare e grupeve jo formale. Ky ishte haraçi në ndërtim, ndërsa xhamitë e nxorën nga haraçi në gjak. Të gjithë e dinin (pos shërbimeve tona (jo) inteligjente) se në Kosovë e në Shqipëri shumica e xhamive u bënë qendra rekrutimi për ushtarët e ISSIS-it. Xhamit u bënë kazerma, minaret raketa për armikun e islamit, sipas parimit të ideologut Gokan, kurse hoxhallarët shqipfolës kapter turko-arab. Rrënimet e varreve katolike e protestante, thyerjet e varreve të bektashinjve, përdhosja e varreve të myslimanëve tradicional, fyerje publike e personaliteteve historike etj, janë vepra të hoxhallarëve të djallëzuar. Për rrënime varresh e fyerje personalitetesh sikur shteti të mos ishte i korruptuar deri në palcë do t’i fuste në burg keqbërësit, do tua mbyllnin xhamitë e portalet. Në vend të dënimit hoxhallarët që nxisin urrejtje fetare e kombëtare u japin hapësirë në TV publike e private, në gazeta e portale. Hoxhën më mjeran e më antishqiptar që rekrutoi xhihadistë e nxiti urrejtje fetare, mediet tona e bënë yll.
Asnjë hoxhë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri kur bëhej luftë në Kosovë nuk bëri kushtrim kundër Serbisë. Asnjëherë nuk e thanë në predikimet e tyre se, të luftosh okupatorin e të bësh luftë atdhetare është luftë e shenjtë, ndërkaq, kur financohen nga organizatat terroriste islamike, mbajnë ligjërata për luftën e shenjtë islamike, për shpëtimin e Sirisë nga Amerika etj. Hapeni vetëm faqen islamike të Shkodrës e do të shihni se si predikohet lufta kundër krishterimit e Evropës Perëndimore. Predikimet e hoxhallarëve aziatikë kundër shqiptarëve janë për tmerr: çdo fjali e tyre është nxitje e urrejtjes kombëtare e fetare, çdo ligjëratë e tyre është kushtrim për luftë kundër “kaurit”, ndërsa kauri, sipas tyre është shqiptari katolik, shqiptari protestant, shqiptari ortodoks apo shqiptari laik. Amerika, sipas tyre është krye armiku.
Hoxhallarët kërkojnë luftë civile, sipas modelit arab. Nuk punuan me kot mbi dhjetë vjet instruktorët arab e turq: ata e përgatitën terrenin për destabilizim të territoreve shqiptare, sipas modelit të shteteve arabe. Kaçanikun, Termopilet shqiptare, ku trimat vriteshin për të mbrojtur flamurin e Gjergj Kastriotit kundër Turqisë, sot për turp islamikët e Ankarasë e bënë simbol të shëmtisë antishqiptare.
Sikur të mos e mbështesnim islamin e terrorit, sot nuk do ta kishim problemin e frikës nga terrori që po na kthehet bumerang nga Siria. Të rinjtë që i nisëm të vrisnin “të pafe” më parë i mbushëm me urrejtje, i bëmë bomba të kurdisura, i ndërsyem kundër atyre që mendojnë ndryshe. Prandaj ruhemi nga ta, sepse i shitëm në Siri, prandaj i ruajmë kishat katolike e protestante, i ruajmë sheshet e institucionet publike. Shtetarët tanë na morën në qafë.
Të gjithë e dimë se nuk ia patëm nevojën, nuk ia kemi as takatin xhamisë më të madhe. Kur nuk mund të mburremi me fabrikat më të mëdha në Ballkan, kur nuk mund të lavdërohemi me shtetin më të pasur në rajon, sepse jemi shteti më i varfër i Evropës, si nuk kanë turp kreu i BIK-u e kreu i shtetit që duan ta lejojnë ndërtimit e një luks të tillë për popullatën që po ia mbathë në Perëndim duke ikur nga xhamitë. Shqiptarët parajsën po e kërkojnë në vendin e kishave e kumbonarëve, sepse ua morën shpirtin xhamitë e minaret.
Derisa bota e qytetëruar po e lufton ideologjinë islamike, zyrtarët në Shqipëri e në Kosovë po e mbështesin. Zyrtarët e çmendur vetëm me ndërtime xhamie merren edhe në Tiranë. Shtetarët e korruptuar nuk ia qajnë hallin sallave të teatrit që nuk e kanë asnjë për be, as sallave koncertesh që u mungojnë, por angazhohen për ndërtimin e xhamisë më 200 vend parkime! Nuk e tha kryebashkiaku i Tiranës: 200 vend parkime janë për deve (gamilet) e beduinëve, që do ta ndërtojnë xhaminë, apo për makina të hoxhallarëve?

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, ne Ballkan, Prishtine, xhamia me e madhe

Papunësia mes të rinjve shqiptarë më e larta në Ballkan

September 20, 2015 by dgreca

Në Shqipëri punon vetëm një ndër pesë të rinj dhe vetëm 30 përqind e tyre janë punësuar sipas profilit të studimeve apo profesionit./

Gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale të Shqipërisë po e vuajnë më së shumti të rinjtë e saj, të cilët zënë pjesën dërrmuese të popullatës. Sipas një studimi mbi të rinjtë shqiptarë, i sapo-publikuar nga fondacioni Fridrih Ebert, papunësia rinore është ndër më të lartat në Ballkan dhe sistemi i edukimit nuk ofron alternativa për të ardhmen e tyre. Studimi zbuloi se gjysma e të rinjve shqiptarë janë të papunë, por për paradoks, investitorët shqiptarë dhe të huaj janë në kërkim të fuqisë punëtore të kualifikuar. Të rinjtë vetë pohojnë se nuk kanë shpresë se gjërat do të bëhen më mirë; ata janë të shqetësuar për shkollimin e tyre akademik, por parapëlqejnë të studiojnë jashtë vendit për shkak të korrupsionit me provimet. Pjesa më e madhe e të rinjve e dinë se duhet të presin gjatë një vend pune pas mbarimit të studimeve. Aktualisht në Shqipëri punon vetëm një ndër pesë të rinj dhe vetëm 30 përqind e tyre janë punësuar sipas profilit të studimeve apo profesionit.

Organizata humanitare World Vision organizoi një konferencë me të rinjtë e fshatrave dhe periferitë e 7 qyteteve të mëdha, ku ata morën këshilla praktike nga drejtues të bizneseve si ta kërkojnë punën dhe si të nisin profesione apo idetë e tyre për biznes dhe vetëpunësim. Të rinjtë treguan gjatë konferencës se si kanë marrë pjesë ose kanë udhëhequr nisma të ndryshme, duke sjellë ndryshim në zonën ku banojnë. World Vision bashkëpunon me rreth 2 000 të rinj në Shqipëri për t’i bërë të aftë të përmirësojnë jetën e tyre dhe të komunitetit ku banojnë. Sipas studimeve nga organizata dhe sociologë, të rinjtë pohojnë se papunësia dhe mungesa e perspektivës është problemi kryesor i tyre. Ata pohojnë se arsimi është më pak i rëndësishëm se njohjet politike, ndaj edhe prirja për emigrim është e lartë. Në studimin e fondacionit Fridrih Erbert theksohet që të rinjtë deklarojnë shpresa të vakëta për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme, por më shumë shohin pasigurinë e vazhdueshme të një tranzicioni të gjatë e të lodhshëm, dhe kanë një besim të pakët tek institucionet shtetërore. (Sh K)

Filed Under: Analiza Tagged With: më e larta, ne Ballkan, Papunësia mes të rinjve shqiptarë

Në Ballkan po fryjnë erërat e ndryshimeve politike

August 21, 2015 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Turqia njoftoi zgjedhje të reja parlamentare për muajin nëntor. Rexhep Taip Erdogan për herë të parë në qeverisjen e tij të mbi një dekade humbi të drejtën e formimit i vetëm të qeverisë turke. Autoritarizmi I tij si dhe përfshirja e disa anëtarëve të kabinetit në korrupsion çuan jo vetëm në uljen e numrit të deputetëve, por edhe në refuzimin e partive të tjera për të bërë koalicion qeverisës. E vetmja zgjidhje mbetën të jenë zgjedhjet e reja. Erdogan beson se me këto zgjedhje do të mund të marrë mandatin e qeverisjes. Por kjo gjë me shumë gjasë nuk do të ndodhë. Kohët e arta të Erdogan dhe partisë së tij tashmë kanë perenduar dhe Turqia po shkon drejt adaptimit të një modeli të ri qeverisës, model që nuk do t’i ngjasojë autoritarizmit të Rexhep Erdoganit.
Në Greqi para shtatë-tetë muajsh erdhi në pushtet SYRIZA e problematikut, Tcipras. Alexis Tcipras pas një fushate disavjeçare antieuropiane, veçmas antigjermane e antiMerkel, i “bindi: zgjedhësit grekë që të marrë prej tyre mandatin e krijimit të qeverisë. Por vetëm disa muaj pas promovimit të tij në qeverisje ai dështoi në përpjekjet e tij për ta injoruar Europën e për t’u lidhur me Vladimir Putin. Në stilin manipulues Tcipras organizoi një referendum, me të cilin tentoi të marrë mandatin e grekëve për të kundërshtuar masat e kursimit të impunuara nga BE dhe donatorët e tjerë ndërkombëtarë për rimëkëmbjen e ekonomisë greke.
Por europianët i imponuan atij pas referendumit masa po aq të rrepta sa edhe para tij. I dhanë mesazhin se Tcipras, i vetëm nuk mund të luajë në fushën e tatrit europian të politikës. Kështu kryeministri grek duhej të përballej me pakënaqësinë e partisë së tij, përkrahjen e së cilës e humbi. Prandaj grekët në shtator do të drejtohen sërishmi drejt kutive të votimit. Rezultati duket së është i parashkruar. SYRIZA nuk do të ketë më shumicën absolute, pra, as mandatin e krijimit të qeverisë si forcë e vetme politike. Edhe nëse do të jetë forcë e parë, ajo domozdoshmërisht do të drejtojë vendin në koalicion me të majtën e moderuar greke. Ndryshe do të rikthehet koalicioni i qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë. Shkurt, Greqia, ashtu si edhe Turqia, me zgjedhjet e reja është nisur drejt normalitetit.
Po Maqedonia? Në Shkup është nënshkruar një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, pa Nikolla Gruevskin kryeministër. Protestat e opozitës, me të cilat për herë të parë u bashkuan edhe shqiptarët, bënë që Gruevskit t’i imponohen kushtet e kryeopozitarit Zajev dhe vendi t’u drejtohet pranverën e ardhshme kutive të votimit. Të gjitha gjasat janë që të ketë një rrotacion pushteti. Nëse në Turqi dhe në Greqi pritet një rrotacion i modelit të qeverisjes, në Maqedoni pritet gjithashtu ndryshimi i kaptenëve të anijes maqedone. Kjo për shkak të aferave korruptive dhe politikave përçarëse të kryeministrit aktual.
Kohët e fundit ka filluar të flitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Serbi. Edhe këtë radhë duket që Kosova të jetë shpikja si “molla e sherrit”. Presidenti Tomisllav Nikoliç vijon të jetë i pozicionuar pro vijës ruse të aleancave e të zhvillimit dhe kundër integrimit në BE e NATO. Kryeministri Aleksandër Vuçiç, pas disa kryeneçësive gjatë zhvillimit të bisedimeve midis Prishtinës e Beogradit kur ishte në postin e numrit dy të qeverisë, ka dhënë fjalën se do të jetë i përkushtuar në rrugën europiane të zhvillimit dhe integrimit të vendit. Por zevendësi i tij, Ivica Daçiç është bërë xheloz për protagonizmin europian të Vuçiç dhe kësisoj ka nisur konflikti midis dy aleatëve kryesorë në qeverisje. Daçiç po shfrytëzon në këtë rast sërishmi Kosovën, duke kundërshtuar ashpër anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, gjë për të cilën Vuçiç ka një ujdi me Angela Merkel. Ky konflikt duket se ka marrë përmasa dhe po e çon koalicionin drejt krisjes. Krisje do të thotë zgjedhje të parakohshme. Edhe në këtë rast zgjedhjet do të jenë test në funksion të përforcimit të orientimi europian të Serbisë. Sa më shumë zgjedhje, aq më shumë do të ndryshojë kursi serb I zhvillimit, fillimisht në favor të integrimit europian e më vonë edhe të integrimit në NATO.
Mbeten Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina. Në Shqipëri dyshja Rama-Meta kanë krijuar një hendek më të madh sesa Tciprasi në Greqi dhe Gruevski në Maqedoni, sa i përket rezultateteve të qeverisjes dhe mbajtjes së premtimeve elektorale. Në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka ndodh që të krijohet kaq shpejt një humnerë kaq e thellë midis aspiratës dhe shpresës së shqiptarëve dhe modelit të qeverisjes sa në këto dy vitet e fundit. Po t’i shtojmë kësaj krize të thellë ekonomike, sociale e të mosbesimit edhe hendekun e krijuar midis lidershipit në qeverisje dhe partnerëve ndërkombëtarë, atëherë do të kuptojmë se zgjedhjet e parakohshme në ventin tonë jo vetëm janë të domozdoshme, por madje imperative. Këto zgjedhje ka shumë gjasa të vijnë si argument institucional nga një çarje e koalicionit midis partnerëve të majtë PS-LSI.
Por gjithësesi Shqipëria gjendet përpara një ndryshimi epokal në modelin e qeverisjes dhe në rikthimin e vlerave të demokracisë. Autoritarizmi dhe arbirtratiteti, njësoj si në Maqedoni e Turqi, është shkaku kryesor i ndryshimeve që duhet e pritet të ndodhin. Ndërsa këtij modeli autoritar mund t’i shtojmë dhe modelin e premtimeve të pambajtura dhe orientimit të gabuar, si Tciprasi në Greqi, drejt Lindjes. Pra, në Shqipëri janë kryqëzuar të gjitha dilemat ballkanike, sa i përket kërkesës për ndryshim. Vendi ka humbur shpresën e zhvillimit të mëtejshëm dhe për këtë arsye opozita duhet të nxitojë të japë alternativën e saj të besueshme. Opozita me Lulzim Bashën ka dhënë të gjitha shenjat se modelon një formë tjetër qeverisjeje, qeverisjen efektive dhe të moralit demokratik, qeverisjen e moderuar e larg konfliktit politik. Shqiptarët tashmë e përceptojnë faktin se kreu i opozitës i përket një epoke të re të zhvillimit politik dhe demokratik të Shqipërisë.
Por kjo nuk mjafton. Në radhë të parë duhet të largohet fryma e krahasimit të të dy palëve, “këta si ata e ata si këta”. Kjo do të ndodh vetëm nëse opozita do të kombinojë protestën e rëagimin qytetar me dhënien e alternativës së qarte, të lexueshme, të kuptueshme e të prekshme nga çdo qytetar i këtij vendi. Që do të thotë, një kombinim i përvojës së Berishës me modalitetet e politikës moderne të Bashës.
Qevesija Rama – Meta tashmë ka dështuar. Ajo është e dështuar edhe në mjeshtërinë e zbukurimit të gjërave, edhe në alibinë e slloganit “Fajin e ka Berisha”. Modeli ramizist i nxitjes së shqiptarëve “opozitarë” për të emigruar në botën e Perendimit vetëm se e thellon krizën politike e sociale të vendit. U bënë dy vjet qeverisje dhe rrukullisja e vendit drejt humnerës ekonomike e sociale si dhe drejt konfliktit politik të mpleksur me kriminalitet e mercenarizem banditesk ka shkuar në fundin e vet.
Në këto kushte opozita nuk duhet të presë, aq më pak të duartrokasë krisjen e koalicionit qeverisës. Ka mundësi që këtë krisje Rama ta shfrytëzojë për të hedh të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes së dështuar te aleatët e sotëm të LSI-së dhe kjo do të ndikonte në ruajtjen e pozicioneve të PS-së, sidomos në rastin e joshjeve të opozitës për koalicione me pjesët e së majtës. Lojërat polliste të koalicioneve nuk i shërbejnë zgjidhjes, pra nuk sjellin ndryshimin e duhur, sepse qeverisja në të dy anët e koalicioni është implikuar keq në korrupsion, trafiqe dhe bashkepunim me krimin e organizuar, madje me bandat kriminale.
Nëse tek ne do të ndodhin zgjedhjet e parakohshme, ato duhet përfundimisht t’i japin fund politikës së vjetër të konfliktit e për më tepër politikës së sotme të bashkëpunimit me krimin e të keqen. Për këtë opozita duhet të punojë. Se ndryshimi politik në Shqipëri do ta sjellë vendin në normalitet të zhvillimit dhe integrimit të tij. Vetëm në këtë rast Shqipëria do të jetë në kohezion me frymën e re poltike të krijuar në Ballkan.
Ndërsa Kosova tash për tash duket stabile, por fillimi i punës së Gjykatës Speciale në janarin e vitit të ardhshëm dhe zgjedhja e presidentit, post i cili i është premtuar Hashim Thaçit, do të sjellin ndryshime dhe me shumë gjasë edhe zgjedhje të parakohshme.
Nga e gjithë kjo analizë, vijmë në përfundimin se një erë e re po fryn në Ballkan. A do të jenë ndryshimet politike të afërta çelësi i suksesit të vendeve të rajonit veç e veç e në tërësi, apo do vijojë modeli i sotëm i qeverisjes? Le të shohim në praktikë se çfarë do të ndodhë. Megjithatë ndryshimet politike duket se janë ndikuar nga kërkesa e brendshme dhe e ndërkombëtarëve për më shumë demokraci e më pak autoritarizëm, për më shumë drejtësi e më pak manipulime, për bashkëjetëse e kundër konfliktit etnik apo politik, për zhvillim e integrim dhe aspak izolim. Kjo do të thotë gjithashtu për stabilitet politik të orientuar qartë drejt integrimit euro-atlantik dhe kundër çdo përpjekje për aleanca fluide me Lindjen autoritare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, ne Ballkan, po fryjnë erërat e ndryshimeve politike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT