-Pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen në 7 Shtator 2020 në Bruksel për të vijuar me dialogun/
-Kryeministri Hoti: Të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke…/
-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 6 Shtator 2020/ Pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë dhe marrëveshjeve të nënshkruara me praninë e garancitë e Presidentit Amerikan Donald Trump, Kosova e Serbia takohen nesër në Bruksel poashtu në nivel të lartë – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri i Kosovës tha sot se, bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 Korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Francez Makron dhe Kancelarja Gjermane Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura.
Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit”, theksoi Kryeministri Hoti.
Ai paralajmëron edhe një takim tjetër të rëndësishëm në Bruksel.
“Të martën, në selinë e NATO-s në Bruksel, takohem me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e falënderoj për gatishmërinë.
Kosova është e bekuar me miqtë e saj, në të dy anët e Atlantikut”, shprehet Kryeministri Hoti.
Para takimit të dytë – të nesërm, 7 Shtatorit 2020, në 16 Korrik 2020, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar për herë të parë në Bruksel, pas një takimi virtual nëpërmjet video-konferencës në 12 Korrik 2020, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit 2018.
Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012 në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.
HISTORIKU I DIALOGUT KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL
Para rifillimit të takimeve në 16 Korrik 2020 të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takimi i fundit Prishtinë-Beograd në Bruksel, ishte zhvilluar në 8 Nëntor 2018, i cili, siç u deklarua atëherë ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut është mbajtur në 24 Qershor 2018, ndërsa i dyti në 18 Korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 Shtatorit 2018, por sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, Presidenti i Serbisë Vuçiç nuk ka pranuar të takojë Presidentin e Kosovës Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.
Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008.
Takimi i 8 Nëntorit 2018 ishte i teti i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel. Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për Presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin Prill 2016, dhe Presidentin Vuçiç, të inauguruar në Qershor 2017, takimi i 8 Nëntorit 2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 Korrik e të katërtit në 24 Qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.
Ndërsa takimi i 23 Marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 Korrik e të dytit në 31 Gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 Shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 Janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Në këto dy raunde Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë Presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 Janar dhe i fundit që nga i pari në 19 Tetor 2012.
Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 Prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut, të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.
Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.
Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel:
30 RAUNDET KRYEMINISTRORE
Thaçi-Daçiç:
Viti 2012:
Raundi 1 – në 19 Tetor
Raundi 2 – në 7 Nëntor
Raundi 3 – në 4 Dhjetor
Viti 2013:
Raundi 4 – në 17 Janar
Raundi 5 – në 19-20 Shkurt
Raundi 6 – në 4 Mars
Raundi 7 – në 20 Mars
Raundi 8 – në 2 Prill
Raundi 9 – në 17 Prill
Raundi 10 – në 19 Prill
Raundi 11 – në 21 Maj
Raundi 12 – në 20-21 Qershor
Raundi 13 – në 8 Korrik
Raundi 14 – në 24 Korrik
Raundi 15 – në 27 Gusht
Raundi 16 – në 8 Shtator
Raundi 17 – në 7 Tetor
Raundi 18 – në 6 Nëntor
Raundi 19 – në 5 Dhjetor
Raundi 20 – në 13 Dhjetor
Viti 2014:
Raundi 21 – në 27 Janar
Raundi 22 – në 12 Shkurt
Raundi 23 – në 31 Mars
Mustafa-Vuçiç:
Viti 2015:
Raundi 24 – në 9-10 Shkurt
Raundi 25 – në 21 Prill
Raundi 26 – në 23 Qershor
Raundi 27 – në 29 Qershor
Raundi 28 – në 25 Gusht
Raundi 29 – në 13 Tetor
Viti 2016:
Raundi 30 – në 27 Janar
TAKIMET E PRESIDENTËVE
Viti 2017:
Thaçi – Nikoliç -2 takime
-1 Shkurt
-24 Janar
Thaçi – Vuçiç
-3 Korrik
-31 Gusht
Viti 2018:
-23 Mars
-24 Qershor
-18 Korrik
-7 Shtator (vetëm takime të ndara me Mogherinin)
-8 Nëntor
Viti 2020:
Hoti -Vuçiç
12 Korrik (takim virtual nëpërmjet video-konferencës)
16 Korrik
7 Shtator (takimi që pritet)