• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SARANDA – QYTETI MË ME DIELL NË EVROPË

May 16, 2016 by dgreca

PESË ESE PËR TURIZMIN/
 Ese nga Xhevair Lleshi/
 Nganjëherë gjërat fillojnë vetëm pse të do qejfi. Ndoshta je nisur për një udhëtim turistik edhe ti si puna jonë dhe sa ke bërë kilometrat e parë ke ndeshur një gjë të bukur e të veçantë, zaten ato dy përcaktime plotësonin njëri-tjetrin. Shkaktari ishte Sefer Bodini shoferi i dytë dhe pronari i autobusit që po na shëtiste nëpër Evropë. E meqë verës merrej me turizëm aktiv, në kohën e lirë (mendo: koha jonë pothuaj e gjitha ishte e lirë!) i përkushtohej diçkaje tjetër. Kështu që i morëm gjërat me radhë e, sigurisht të ndjekura nga kujdesi për të mësuar ca të vërteta që duhen thënë, patjetër duhen shprehur, se mbase bëjnë diçka, lëvizin. Se mbi të gjitha nuk kërkojnë pare, por thjesht kthim të vëmendjes, ndryshe atë që quhet kujdes! Po të duash, thoshte Seferi, në moshën e burrit të ri që ka marrë drejtimin në lartësitë serioze të jetës, unë e bëj hallall, i shohim të dy, duke e shëtitur vendin, se aq jemi, një pëllëmbë vend. Është e zorshme të mendosh për një qytet që s’e ke shkelur ndonjëherë, po ato qendrat tona për turizmin janë si buka me djathë. Kërkon qytet me lule? Mendja të shkon te Përmeti, po hajde të lutem, shkojmë në Përmet dhe çfarë të tregoj, të të vijë keq që ke lindur, domethënë që je i shtrënguar ta shëtisësh vendin tënd. Ehu, e di, ka turistë që nuk e vënë re rrugën e keqe, mjaft që ta shikojnë atë, ta shkelin. Se lule mund të gjesh, qëllon që gjen edhe në Tiranë. Edhe në Sarandë, edhe pse aty ke shkëmb e shtëpi, shkëmb e pallate dhe… det! Një magji më vete është deti. Dhe mos harroni se për të vijnë aty njerëzit. Edhe për diellin. Se është vendi më me diell në Shqipëri e në Evropë. Magji e rrallë, por hajde shkele të lutem: lashtësinë (Onhezmin e dikurshëm, të vjetër!) e ka futur në një zgëq, që ec ta gjesh, sepse asgjëkund nuk shkruhet, s’ka lëvizje me drejtim, shkelur me prepotencë nga një pallat shumëkatësh që fsheh detin dhe diellin e nga ana e sipërme nga një hotel i ardhur nga fshati… Mos harro: jemi në Sarandë! Të rruat rruga që ke bërë. Pastaj të vjen edhe inat, të plasësh. Lëre ç’dëgjojmë, e kam fjalën për ato që shohim dhe pastaj përjetojmë një ndjenjë të hidhur, madje kjo na mbetet si shije që duam ta largojmë. Po pse, pse të gjitha këto? Se ja: e para rrugë për në Sarandë është qafë Muzina, një vijë e hollë, që hidhet e përdridhet derisa del në vendin ku të puth tjetër evá, tjetër pamje dhe poshtë të pret «Syri i Turbulluar», sa befasues edhe i tmerruar…
Ja tek vijmë në Sarandë dhe gëzohemi, sigurisht. Se ti dhe shumë të tjerë jeni të kënduar dhe i doni gjërat të shkoqitura: hyr në qytet dhe të mbërthen një panik i zbrazët, i lodhshëm. Është paniku që të shkakton arkitektura. Krejt pa dashje. E them sinqerisht, se edhe me mua kështu ka ndodhur dhe ndodh sa herë vij këtu. Panikun vetvetiu ta shoqëron mëria. Mëria me kë dhe ndaj kujt? Me shumë gjëra, ndoshta edhe me ato që ke lexuar atë punën e trajtimit të veçantë të qytetit! Këtu s’ka as parqe, as lule, as rrugë. Ah po, ka diell e det. Të qofsha falë! Se këto që po themi për atë të shkretë diell e det po i themi, apo jo? Na mbiu «e keqja» në gojë. Dhe kush flet keq, keq gjen! Fjalë popullore, por që s’ka vlerë në Sarandë. Deti është një blu e allasojtë, e thellë, një magji që të përpin. Më në fund arrin të dalësh nga pështjellimi i qytetit, se zorrët të kanë ardhur te gryka. Më tepër nga inati. Se arkitektët sikur kanë qenë në garë që kush e kush ta fshehë më tepër detin, margaritarin e çmuar. Ti s’ke ardhur në Sarandë të ecësh kuturu nëpër rrugët e ngushta, por të kthesh kokën o majtas, o djathtas për nga deti! Pastaj shpreson t’i fshihesh diellit, por s’gjen dot mundësi. Se është si puna e asaj fjalës «hall me buaj e hall me qe!»… Dhe pastaj hedh sytë nga shkëmbi dhe meteorët që sikur bien nga qielli i sertë ose i lëmuar, për të parë më tej një tjetër katrahurë që del drejt Ksamilit. Hidh të hedhim. S’ka sinjalistikë. S’ka rregull. S’ka gjelbërim. Me këtë vend kanë bërë si kanë dashur, duke tororisur ato. Ah, nuk e dija, këtu, duke qenë poetik ka shpërthyer poezia! Domethënë më shumë andralla, më shumë gëzim. Njëherë në Butrint më morën për budalla. Pse? Sepse kërkoja që treguesit të ishin në vendet e tyre, kur m’u kthye njëri nga pritësit: ej, je i trashë ti, apo bën vet kështu. Eja, mavri, eja të hash drekë, se mbaron dhe ngelesh pa të. Sigurisht në Butrint trapi për të dalë matanë është aty, rruga e hollë vjen ngadalë e nëpër tym, më shumë me pamje nga shtëpitë se nga deti. Po deti, deti ku është? Se ne aty e kemi mendjen dhe mezi presim. Kurse në Sarandë sikur e kanë bërë me fjalë të ta fshehin detin!
E di, mund të hysh në qytet edhe pa fjalë, pa poezi, pa pikën e kërkesës dhe pastaj mund të thuash «pashë dhe ika!» siç ndodh rëndom, mirëpo mua s’më lë mëria ime. Kur ia them vetes, ua them edhe të tjerëve dhe pastaj kur vendi do jetë në duart e një hundëleshi ( se patjetër një ditë do bjerë në ato duar!), që t’i kthejë gjërat si duhen, këtë do ta shohim. Se, ta dini prej meje, këtu ka dalë djalli nga shishja! Hajt fute prapë po munde! Në Sarandë sot je në një ballkon shkëmbor të mbushur me shtëpi. Xhungël. Pale edhe shkëmbi natyror është prishur, edhe ai është mbushur me shtëpi. S’ke ku hedh kokrrën e mollës. Edhe po të vije nga Llogoraja po nga kjo pikë do hyje, se e kemi ararét të mos i biem nga Shën Vasi-ja, ku fryn pak erë, por që nuk trondit asgjë. (Edhe në gjuhë mohimin e kemi me të tepërt, edhe me nuk edhe me as.) Aty në qafë Gjashtë, kur hyn, kërkon të përplasesh me atë që ke kërkuar tërë rrugës. Ndonjëherë edhe mundesh, por megjithatë kur ke diellin nuk merakosesh edhe aq. Se këtu je në vendin më me diell në Evropë. Le ta përshëndesim këtë fakt, të paktën. Se ja, vajte në hotel. Varet ku je, në cilin hotel. Ka mjaft rëndësi, se varet nga xhepi, nga dëshira e papritur, nga mospërfillja e gjërave të vogla. Tek e fundit, janë ato, gjërat e vogla, që na prishin punë, përpos arkitekturës së harruar e të përçmuar, sidomos nga pushtetet që vijnë e ikin, gjithë kohën me duart në xhepa dhe me sytë nga buzët e tjetrit: pale ç’do thonë. Kur them gjërat e vogla kam parasysh çarçafët, dyshekët, jastëkët, dhoma, ajrimi i saj, pamja që të mundëson, uji, dushi ose vaska, televizori jo si mobilje, frigoriferi, pastaj banja, shampoja, sapunët dhe plot kërkesa të tjera. Dhe duke zbritur në restorant se si të mbyt aroma e gjellës dhe si të shpifur që jemi, thirrjet tona reklamuese i shoqërojmë me britma: janë gatime të vendit! Ose: janë kombëtare. Pale kur shtojmë edhe «mesdhetare». Dhe nën shoqërinë e sa e sa të papriturave je ulur në tavolinë, mbulesat e të cilave i ka djegur o duhani, o një dorë e pastërvitur dhe për kiamet se i ndërron njeri, pasi «stina» e ndryshimeve ende s’ka ardhur. E mbledh veten, nga frika se mos e pësoja si ndonjë nga ish kritizerët e letërsisë. Mund t’i trokisja në derë Vullnet Matos dhe gjeje shërimin. Ai të paktën të jep libra dhe ti ke ku e përplas kokën. Se mos, kush e di sëmuresh në Sarandë dhe kërkon ku të vish në vete. Mirë që nuk na është sëmurur njeri, thuaj. Se, e di? Edhe sëmundja mbrohet nga vetvetja. Po erdhi, pastaj, gjej vend e futu. Në ambulancë? Në klinikë? Në spital? Ku? S’e di. Të paktën në tabelat rrugore nuk i gjen. Unë nuk gjeta dot pallatin e kulturës në Ksamil ku qëndron i fshehur prej syve të botës kompozitori Limoz Dizdari. Po pse i fshehur? Po ja, e bleu për 99 vjet pallatin e kulturës dhe tani i fryhet një të forti dhe i thotë «Ik», boll ndenje. Po unë, si, ç’ka ndodhur, pse, ç’është kjo hata… Ose më keq: e di që ne na pëlqen të themi se «në Shqipëri jemi!» dhe qeshim. Kaq e thjeshtë të jetë? Pse jo?
Ne po flasim për turizmin, ku shteti bën detyrën e tij dhe ne që i përcjellim bëjmë tonën. Ne, miku im, nuk kemi kulturë. Domethënë nuk kemi kulturë shërbimi. Ne, e zëmë se jemi kamerierë dhe të përgjigjemi me hundë, pa kokrrën e mendjes e të kujdesit, me ndjesinë e të «fortit», të beut, të tangërllëkut, krejt fshatarçe. Do trokasësh në ndonjë derë të fisme? Po mirë, bëje, por mua që vij nga larg, më duket sikur i ka prerë një sharrë e janë një format. Se ja, më gjej një vend më të bukur se Saranda? Komani? Berati? Kruja? Valbona? Thethi? Apo Gjirokastra? S’ke si shan se të thahet pështyma në gojë pastaj. Lum ne që i kemi dhe mjerë ne që po ashtu i kemi! Hall mbi hall. T’i kesh, sigurisht që bukur mirë, por ato të uruara duhen mirëmbajtur! Ty të qesh syri dhe të bëhet shpirti det kur nuk gjen një copëz letër, madje as një bisht cigareje, ku shkelim vetëm ne, turistët! Por e di ti që më së paku njeriu pështyn në facoletën ose shaminë e tij, se njeriu nuk bën skena me nxjerrje këlbaze plot zhurmë e sëkëlldi, por hiqet mënjanë, ose shkon në banjë dhe kurrë (po kurrë ama!) nuk pështyn rrugës, as në natyrë, as kruan hundët dhe as lëpihet tek e fundit. Ti i do gjërat troç. Po ec o me mua! Shkojmë bashkë. Madje gjej një edhe me një fisnikëri të rëndë. Kush jeni? Brutal tek zoti. Por mund të thoshte edhe: kush je ti? Ti çfarë, do t’i thuash se kemi ardhur të bëjmë një … Asgjë. Rri më mirë. Ngroh vezë, more vesh. Ti vete në hotel dhe nuk gjen dot një fletë palosje, nuk gjen guida në gjuhë të huaj, alternativa kulturore për t’u vizituar, harta, ç’të të them. Ç’duan? Pyet ai, i ziu me bojë, si i ngarkuar, domethënë si rrogëtar diku. Të njeh? Jo. Epo, ik e pirdhu thuaj, ç’pret! Dhe e keqja e lë derën të hapur dhe dëgjon barsoleta të gjëmimshme: thuaj një fjalë o Tërmet, se këtu ti je mbret! Mbret dhe pasha si ty Saranda nuku ka! Barsoletë dhe këngë. Se Tërmeti është emër njeriu, do ketë lindur asaj dite kur ka rënë tërmet dhe të ziut fshatar të tromaksur ajo fjalë i mbiu në gojë dhe i vuri emrin djalit! Tregoje bukur këtë dhe do qeshin njerëzia, turistët, de! Po le të qeshin, ç’ka! Do qeshin, se në mikpritjen tonë të sotme nuk e sheh më, dhe s’ke ç’bën, po do thuash fjalë të urta gjirokastrite: nuse m’i ngri ato vetulla, se s’kam ç’t’i dua ato petulla!…
 Është njëlloj sikur në Sarandë të të presë Vullnet Mato, poeti, shkrimtari, botuesi, i cili s’di pse e ka hobi punën për të folur rreth magjisë së saj. Po se vetëm magjia ka mbetur, se të tjerat janë gllabëruar. Fjalët e bukura duhen, kurse detin dhe diellin (i paçim me jetë!) i kemi ne, domethënë ata, pushteti, drejtoritë e ashtuquajtura rajonale që merren me drogë, merren Balilët, krushqia dhe miqësia e malultë me detin dhe deti pastaj (bashkë me diellin) s’bëjnë dot prokopi! Oj, dashke si në Split, si në… lëre më mirë se s’ka as lezet. Ne edhe i hamë, edhe ua kërkojmë të tjerëve se ç’i bënë. Kuje e zezë! «Kuja» del në korridor me gotë rakie në dorë, e gjatë, ezmere, e lyer, e vrenjtur, sikur ta kishte zënë për gryke qoftëlargu dhe të hidhet në fyt se si e ke hallin, se ku më gjete e ku më pe, se ma bëtë shpirtin zeher, se po shitemi badihava, se… ç’të të mollois! Furia e dëshpërimit i ka lezet të ndershmit e jo batakçiut. Ore, dihet pastaj, të vjen të vjellësh e jo për të shëtitur në vende të largëta ku bukuria bën majë e të jep shpirt. Them se do të bënim diçka tjetërsoj, kupton? Jo, po qyteti juaj i artë! Përralla me mbret. Të duket sikur kurvëron gruan tënde, ja çfarë. Sikur masturbon dhe për këtë merr vazhdimisht viagra! Qelbërsillëk. Urrejtja që këtej e ka origjinën. Më vjen të plas, por ama turistët qeshin. Qeshin se s’qajnë dot. Kurse mua më vjen keq. S’e dua veten. Janë thjesht gjëra aq të vogla e që s’të hyjnë në sy, gati si ai pluhuri që s’duket gjëkundi: pecetat?, pak si e pa fshirë?, e shtrembët?, të palara?… Mos more! Nga na dole ti? Ah, po, qenke dibran! Po punë e madhe! E kujt i plas?! Me Vullnetin, njerëz, mos u mërzitni, i flet shpirti poetik. Mos thoni kurrë që ju kanë plasur buzën. Se ndryshe lë edhe portalët e tij të shumtë për Sarandën dhe ju s’keni ku të gjurmoni më burime…
 Them shpesh me vete që gjërat e bukura t’i ruajmë dhe për këtë ka disa mundësi: o t’i mirëmbajmë me sa më pak shpenzime, o t’i ndreqim nga pak (pa i bojatisur kurrë!), përndryshe t’i lëmë në hallin e tyre. Rrëmujë hesapi. Dhe lulëzon injoranca, kuptohet. «Zhvillimi» i këtij lloji është simbol i një kulture të prapambetur. Se njeriu i ditur gjen simbolin, të veçantën dhe atë e bën nuse, e vesh, e zbukuron, e mban në pëllëmbë të dorës, se, tek e fundit, njerëzia për nusen kanë ardhur, jo për ty! Mirëpo kush ha pykë. Ndërkaq unë e lë pak mënjanë Seferin, shoferin e dytë dhe pronarin e autobusit turistikë (në fakt i një shoqërie turistike me disa autobusë!) dhe më vijnë në mend takimet e mia të para në vitin 1993, teksa prisja në Sarandë dy njerëz të huaj, italianë, Ettore Setten dhe Vito Anselmi. Erdhën me një skaf të madh dhe e ankoruan në përkohësisht në Sarandë, sepse në kthim do t’i priste në Vlorë, se Durrësin e përfytyronin. Erdhëm së pari në Syrin e Kaltër, tashmë të turbulluar çuditërisht. U mrekulluan me Butrintin dhe me Syrin e Kaltër. Si Saranda ka plot, thanë, por seç ka një gjë të veçantë: duket si ato vajzat e turpshme! E bukur: mbështetu te thjeshtësia, që e mbron bukurinë natyrore! Pastaj mos harroni, ishim në vitin 1993. Thua të ndihej aq e turpshme ato vite Saranda? Unë për vete e besoj. Dhe në Syrin e Kaltër zonja Anselmi nuk të linte të hidhje edhe një cifël të hollë në atë mjedis! Pa shiko, sikur ta ndjente ku fshihej mrekullia, dhe kërkonte vetëdijesim. Unë i përmend gjithnjë këta dy personazhe, por s’mund të mos them atë që gjetën në Vlorë: «moj Vlorë e bukur në gropë, u çmendtë ai që të ka fshehur poshtë!» Dhe kur u thamë se të tilla qenë vargjet popullore të një kënge Setteni shtoi se ku i dihej, mund të kishte mbërritur kënga deri tek ata! Mos kërkoni më tepër. A e ruajtëm ne brishtësinë dhe thjeshtësinë e Sarandës? Jo. S’mundëm ta ruanim dot prej bishave! E nga na erdhën bishat? Apo bisha ishim vetë? Ku janë muret e lyer më gëlqere? Ku janë amvisat me përparëse dhe llërë përveshura? Ku janë ato pastërtoret si drita që s’bien në sy? Ku janë fshehur qoftë edhe xhirimet e vjetra që të vijnë pranë e të ndihmojnë për të perceptuar të thjeshtën e çmendur që e duan aq shumë ata që e shohin një gjë për herë të parë?… Dikush, ndoshta, do ta gjejë tharmin që bën përshtypje mbi të zakonshmen! Pse jo, mund edhe ta shembin pa pikë emocioni gjithë të renë e ndërtuar shkel e shko, e cila mund të ishte bërë jashtë qytetit, në lagjet e reja, në qendrat e reja shumëplanëshe e shumëfunksionale! Pra, një kthim në identitet. Tek Saranda e thjeshtë, ajo vajzë e bukur e jugut, ku bënin e do të duhet të bëjnë majë (po përmend si shumë shprehjen e shkrimtarit Roland Gjoza, – edhe ky më duhej tani!) dyzet shenjtorët. Si dyzet ikonat e mrekullisë shqiptare: të zbulohet dielli, ikona e parë dhe deti i magjishëm, si ikona e dytë! Kishat, mis­tika e tyre, poezia, këngët, dritat, fshati që e rrethon me prodhimet e veta, me hajen e shijshme të Sarandës, me frutat dhe mishin e saj fantastik, ngaqë meraja e bagëtive është e tjetërfartë. Mirëpo, ndërhyn me të drejtë Seferi, këto duhet t’i shohin me sy, t’i gjejnë nëpër tavolina. Eh. Gjë trishtuese. Por ç’të bësh, më të bukur se kaq s’mund të gjesh dot. Në mos është, krijoje! Le të jetë e vjetër sa të dojë. E mbushur me ikona. Por mbi të gjitha e kthyer në identitet. Të kthesh në gërmadhë gjithë këto miliarda që kanë përdhunuar gjithçka. Kur të futesh nesër në Sarandë të thuash se ja te qenka ajo vajza e thjeshtë, e mrekullueshme, perla e Mesdheut, Saranda ime, jotja, jona, ja! Shikojeni, shijojeni dhe në vendet rreth e qark do të gjeni pyje, pyje, pyje, parqe, parqe, parqe! Më tej, lagje të tjera, të jashtme. Dhe ju do të shihni një njeri të vogël që merr e jep me lulet, të çon në Onheizm, të fut në kishë, të kthen ngado me fytyrë nga dielli dhe deti i mrekullueshëm… Kaq. A nuk mjafton? Sigurisht kaq duan të gjithë. 
 
Tiranë, më 14.05.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: MË ME DIELL, ne Evrope, SARANDA – QYTETI, Xhevair Lleshi

Trupa amerikane marshojnë në Evropë

August 2, 2015 by dgreca

Janë disa qindra ushtarë amerikanë të armatosur mirë dhe që po përshkojnë mijëra kilometra nëpër Evropë. Ky marshim synon të sigurojë aleatët e NATO-s dhe popujt e atyre vendeve që i ka kapur paniku i një agresioni të mundshëm rus. Ja si shprehet koloneli i ushtrisë amerikane John Meyer:
“Ata janë të shqetësuar. Panë se çfarë ndodhi në Krime dhe çfarë po ndodh në Ukrainë.” Në mars, autokolona e ushtrisë amerikane filloi një udhëtim prej mbi 2 mijë kilomtrash duke u nisur nga Estonia. Në maj, ata përshkuan 350 kilometra brenda Rumanisë. Autokolona ushtarake do të kalojë nëpër Gjermani, Republikën Çeke, Slovaki dhe Hungari gjatë muajve shtator dhe tetor. Ekspertët për sigurinë evropiane thonë se marshimet e autokolonave janë më shumë se manovra, ato janë deklerata ndaj Rusisë që të qendrojë larg vendeve të NATO-s. Heather Conley është me Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike. “Po dërgojmë mesazhin – që as mos e çoni ndërmend ta bëni një gjë të tillë.” Që nga Luftërat Botërore, ushtria amerikane shihet si çlirimtare nga banorët e shumë shteteve evropiane. “Këtë nënkupton marshimi. Është ndjesia se Shtetet e Bashkuara janë këtu. Të gjithë jemi anëtarë të një aleance. Për sa kohë të jemi pjesëtarë të kësaj aleance, kjo aleancë do të mbrojë këto vende.”, thotë koloneli amerikan John Meyer. Ai thotë se ka në plan të vazhdojë marshime të tilla në autokolonë deri në vitin 2016. Sigurimi i aleatëve dhe forcimi i aleancës, thotë ai, janë prioritet i ushtrisë amerikane.(SH.K)

Filed Under: Rajon Tagged With: marshojnë, ne Evrope, Sh K, Trupa amerikane

Artisti shqiptar Anri Sala nderohet me çmimin më prestigjioz në Evropë

November 23, 2014 by dgreca

Njërin prej çmimeve më prestigjioze të artit bashkëkohor në Evropë, e ka rrëmbyer për këtë vit artisti shqiptar Anri Sala.
Ky çmim i cili bartë në vete një shumë prej 40 mijë eurosh, ndahet një herë në 2 vite, ndërsa është themeluar në vitin 2000, duke synuar që të shpërblejë artistët puna e të cilëve influencon zhvillimin e artit bashkëkohor në Evropë.
Sipas jurisë, Sala ka një punë poetike dhe në të njëjtën kohë një punë konceptuale me shumë mesazh.
Vepra e cila i dha Salës këtë çmim, quhet “Le Çlash” dhe “Tlatelolço Çlash”, ndërsa, në anën tjetër ka kombinuar dy filma me një punë tjetër, “Doldrums” – bateri që luhen atomatikisht si përgjigje ndaj një zëri me frekuencë të vogël si kolonë zanore.
Prestigjiozja e famshme londineze “The Guardian”, tregon se dy filmat që luhen automatikisht në instalacion gjenden në Meksiko City, ndërsa pjesa tjetër gjendet në një qendër kulturore të braktisur në Francë.
Sala, nuk ka qenë i pranishëm për ta marrë çmimin, por përmes një videomesazhi ai e ka krahasuar veprën e tij me rastin e marrjes së çmimit, i cili ka thënë “Është kënaqësi që kam marrë çmimin por s`mund të jem aty ta marr. Kjo i ngjan edhe punës sime, ku fotografia është në një vend ndërsa zëri diku tjetër”./

Filed Under: Featured Tagged With: Artisti shqiptar Anri Sala nderohet, me çmimin, më prestigjioz, ne Evrope

NË EVROPË – SI ALEATË TË AMERIKËS

December 22, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Le ta themi haptas – vendimi për të mos ia dhënë Republikës së Shqipërisë statusin e vendit anëtar për në Bashkimin Evropian, edhepse i pritshëm në një farë mase, nuk ka zgjuar aspak ndjenja të bukura tek Shqiptarët.
Shije disi të baltimtë do të linte sidomos fakti që, për të kundërshtuar kandidimin e Republikës së Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, në krye të kësaj nisme mori trajtë një institucion lobues i përbërë nga tri vendet më të fuqishme të këtij organizmi, përfshirë vendin e Tony Blairit, si dhe të dy vendeve të tjera (pra, gjithësejt, deri tash, pesë vende).
Ndoshta, më shumë se vendimi negativ, na befasoi vrazhdësia e sjelljes së vendimmarrësve dhe e termave të përdorura që e shoqëruan atë.
Ne, tashmë Republika e Shqipërisë dhe, herët a vonë, edhe Republika e Kosovës, e shikojmë veten drejtpërdrejt në një garë jetike me vendet fqinje ballkanase – kush do të shpërblehet duke u integruar më herët e më mirë në Evropë, për rrjedhojë, kush do të ndëshkohet me shtyrje pas shtyrjesh, kush do t’i meritojë apo nuk do t’i meritojë shpërblimet, kush do t’i meritojë apo nuk do t’i meritojë ndëshkimet.
Vendet fqinje ballkanase, në gjithë historinë moderne, deri edhe në koniunkturat më të liga e më të mbrapshta, kanë pasur raporte të privilegjuara me Evropën, qoftë me atë të dikurshmen, qoftë me atë të mëvonshmen, e cila identifikohet me vizionin e Bashkimit Evropian. Për këtë, ka ndikuar fuqimisht fakti se këto vende janë aleate të Rusisë. Dhe po integrohen në Evropë si aleate të Rusisë.
Shihet qartë, pra, se tradita ka ndikim të madh aktual dhe se kjo logjikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Prandaj, ne shqiptarët, mund ta shohim veten të integruar me sukses në Evropë vetëm si aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky vend na shpëtoi në fund të Luftës së Parë Botërore nga kthetrat e Evropës, ky vend na shpëtoi menjëherë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë kur makineria e luftës e Millosheviçit synonte të na shndërronte në një komb pa atdhe, pra në një komb-diasporë, ky vend na anëtarësoi në NATO, ky vend dëshmon interes të sinqertë që ne të integrohemi sa më suksesshëm në Evropë, në hapësirën veriatlantike dhe atë globale.
Ndonëse, deri në sekondën e fundit, ne shpresuam në një vendim pozitiv të Bashkimit Evropian, meqë jemi më mirë ose shumë më mirë se fqinjët tanë, ne jemi të bindur se Republika e Shqipërisë nuk e meriton integrimin në këtë organizëm. Po ta kishim ne në dorë, sigurisht, një vendi ku bën kërdinë prej njëzet e sa vjetësh ligji 7501, një klon i reformës agrare të Enver Hoxhës, nuk do t’ia hapnim dyert e integrimit evropian. Nuk do t’ia hapnim dyert pa e vënë në rrugën e zgjidhjes së plotë dhe të drejtë çështjen e pronës. Nuk do t’ia hapnim dyert pa bërë drejtësinë e plotë ndaj klasës së ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, si dhe pa dënimin moral të ish burgosësve e ish përndjekësve të tyre. Nuk do t’ia hapnim dyert pa hapur dosjet e zyrtarëve të lartë të periudhës së tranzicionit, të cilët kanë qenë eksponentë të Sigurimit të Shtetit apo të shërbimeve të tjera lindore antishqiptare. Nuk do t’ia hapnim dyert pa parë se konkretisht po merr fund periudha e pandëshkueshmërisë së politikës së përfshirë në korrupsion dhe në krim të organizuar. E kështu me radhë.
Pikërisht nga Shtetet e Bashkuara, nga njëri prej institucioneve më eksperte të Uashington D. C. vinte këto ditë mesazhi i qartë: për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendet e Ballkanit, pra edhe në Shqipëri, është e domosdoshme që të konfiskohen pronat dhe pasuritë e politikanëve. Të gjithë e dinë se në Shqipëri, si në vendet fqinje ballkanike të saj, politikanët janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Kjo ka bërë që në këto vende të ndërtohen një rend i padrejtë, deri në flagrancën më të skajshme.
Për të krijuar një rend të drejtë, është e domosdoshme të ndërtojmë me sukses shtetin e së drejtës, të ndërtojmë demokracinë funksionale, të ndërtojmë pluralizmin e frytshëm bashkëpunues. Kjo kërkon që ne të jemi të hapur ndaj ndihmës së drejtpërdrejtë të aleatëve tanë, në radhë të parë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të të gjithë atyre që janë të prirur e të dëshmuar për të na dhënë ndihmë të sinqertë. Dhe një nga këto ndihma të sinqerta do të ishte që opinionit shqiptar, kur i flitet për korrupsionin dhe krimin e organizuar, t’i flitet gjithnjë e më pak me terma të përgjithësuar, abstraktë, t’i flitet gjithnjë e më shumë me terma konkretë të prekshëm. Në këtë mënyrë faktorët përbërës të realitetit tonë do të krijojnë bindjet dhe vendomsëritë më të plota për të zëvendësuar pjesërisht apo rrënjësisht politikën në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.
Në retorikën që e shoqëroi vendimmarrjen e këtyre ditëve në Bruksel, u vunë re edhe paragjykime të mbrapshta kundër veçorive tona evropiane, në vend që të theksoheshin e të përgjithësoheshin ato për t’u bërë vlerë e Evropës, siç është toleranca shembullore ndërfetare. Dhe u shpërblyen pikërisht ata që kanë investuar me shekuj për t’i rrënjosur në Evropë e në botë paragjykimet e tilla ndaj nesh, aleatët e Rusisë, në vend që të shpërbylerit të ishim ne për sjelljen tonë shembullore ndaj fqinjëve tanë, ndonëse ata nuk kursyen ndaj nesh armiqësitë dhe mizoritë më shembullore.

Për t’i çrrënjosur këto paragjykime ndaj nesh në trurin e Evropës, natyrisht, ndihma më e sigurtë dhe më e frytshme do të jetë pikërisht Amerika. Garancia më e plotë dhe më e qartë për faktorizimin tonë sa më të suksesshëm evropian, perëndimor dhe global do të jetë pikërisht vizioni amerikan, pa të cilin nuk mund të realizohet kurrë as vetë vizioni aq i mrekullueshëm i Bashkimit Evropian. Për këtë kërkohet që të rritet pesha e Republikës së Shqipërisë në NATO si dhe në të gjitha organizmat e instancat e tjera ndërkombëtare. Për këtë kërkohet konsolidimi sa më i shpejtë i Republikës së Kosovës dhe hyrja e saj sa më bindëse në rrugën e integrimeve evropiane, perëndimore e globale.
Në ditët e sotme ne e shikojmë se Evropa nuk i ka nervat e duhura, nuk e ka vullnetin e duhur, nuk i ka kapacitetet e duhura për të na ndihmuar ne në mënyrë sa më të frytshme në integrimin tonë të suksesshëm. Për këtë, siç e theksoi edhe kryeministri Rama këto ditë, ndikojnë edhe ngërçet e krijuara nga përçarjet e brendshme të vetë Bashkimit Evropian – çka u vu re edhe në rastin e vendimmarrjes për ne, ku vetë institucionet e Bashkimit Evropian ishin haptas kundërvënëse dhe kundërthënëse mes tyre, duke hedhur poshtë konkluzionet e njëra tjetrës dhe duke krijuar çorodi, në vend të kthjelltësisë dhe transparencës, tek vetë vendi që aplikoi për kandidat të Bashkimit Evropian.
Shtyrjet e deritashme doemos ndikojnë tek ne në krijimin e psikologjisë se këto shtyrje do të jenë të pafundme, se dera ndaj nesh do të jetë gjithnjë gjysmë e hapur, pra gjithnjë gjysmë e mbyllur, ndërkohë që fqinjët tanë e kanë të rezervuar biletën e hyrjes, kur të duan ata dhe si të duan ata. Kjo nuk ka pse të zbehë aspak evropianitetin tonë. Ka në Evropë vende bindshëm më të suksesshme se vetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, siç janë Zvicra dhe Norvegjia.
Vetë Evropa sot përbëhet nga disa rrafshe, diku paralele, diku prerëse, siç janë Bashkimi Evropian, Evropa e Zonës Euro, Evropa e Hapësirës Ekonomike Evropiane (Organizata e Bashkëpunimit për Zhvillim Ekonomik) e të tjera. Kjo e bën atë sa të ndërlikuar, aq dhe të depërtueshme. Për këtë na është e domosdoshme ndihma psikologjike, teknike dhe e gjithanshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo vetëm në fazën e anëtarësimit, por edhe në perspektiva tejet afatgjata.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Evrope, si aleate te Amerikes, Skender Bucpapaj

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT