Të shtunën (6 shkurt) në pallatin kulturës Asim Vokshi në Gjakovë është mbajtur tryezë shkencore me temën: Aqif Blyta dhe mbrojtja e Pazarit të Ri.
Ky aktivitet u organizua nga organizata “ Kosova për Sanxhakun” në bashkëpunim me shoqatën e intelektualëve “ Jakova” nga Gjakova. Aktiviteti poashtu u zhvillua edhe nën përkujdesjen e kryetares së komunës së Gjakovës, zonj. Mimoza Kusari- Lila.
Në tryezën shkencore pjesëmarrësit kanë paraqitur një kërkesë për presidenten e vendit,Atifete Jahjagën. Pjesëmarrësit kanë kërkuar që Aqif Blyta të nderohet me titullin Hero i Popullit.
Kërkesa është paraqitur me iniciativë të Ismet Azizit, kryetari i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, organizatë kjo që njëherit u kujdes edhe për organizimin e kësaj tryeze. Azizi, duke folur në lidhje me veprimtarinë patriotike të Aqif Blytës, arsyetoi kërkesën drejtuar presidentes:
“Qëllimi kryesor i takimit të sotshëm është që pikërisht sot nga ky tubim këtu, nga qytetarët e Gjakovës të dërgohet një kërkesë për kryetaren e shtetit, zonjën Atifete Jahjaga, që Aqif Blytën ta nderoj me urdhrin Hero të Popullit. Ky do të ishte kulminacioni i këtij tubimi”, tha Azizi.
Me këtë rast drejtori për kulturë në Gjakovë, Meriton Ferizi, në emër të kryetares Kusari-Lila, për Aqif Blytën ndau mirënjohjen “Post Mortum”. Ferizi, pos tjerash, deklaroi:
“Në emër të komunës së Gjakovës, sot të ndajmë edhe mirënjohje “Post Mortum” për Aqif Blytën me motivacionin – për vlerat e tij patriotike në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga trojet e veta të krahinës së Sanxhakut, si dhe për mbrojtjen e popullit të kësaj krahine nga gjenocidi i armikut”.
Përfaqësuesit e familjes Blyta, falënderuan kryetaren Kusari-Lila, Drejtoratin për Kulturë, shoqatën e intelektualëve “ Jakova”, sidomos organizatën “ Kosova për Sanxhakun” e cila bëri shumë dhe hapi edhe një dritare për ta njohur jetën dhe veprën e Aqif Blytës.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale dhe historianë të cilët vlerësuan lart kontributin dhe figurën patriotike të Aqif Blytës. Me kumtesa janë paraqitur: Ali Daci nga Rozhaja, Fazli Muriqi nga Rugova, Zahir Kastrati nga Polluzha , Admir Muratoviq nga Pazari i Ri, Alban Dobruna nga Gjakova, Ismet Azizi nga Gjilani dhe Masar Rizvanolli nga Gjakova. Ndërsa në pamundësi pjesmarrjeje, punimet e tyre i dërguan: Nexhmedin Spahiu, Mazllum Baraliu dhe Sulejman Aliqkoviq.
Në fund u zhvillua debat i hapur dhe i frytshëm me pjesëmarrës për figurën dhe veprimtarinë e Aqif Blytës. Vlen të theksohet se në kumtesën e tij Prof. Dr. Admir Muratoviq, i cili është drejtor i Institutit për Hulumtim të Krimeve ndaj popullatës së Sanxhakut, kryetar i Bashkësisë Kulturore të Sanxhakut dhe ligjërues në Universitetin Internacional të Novi Pazarit, pjesëmarrëseve ua bëri me dije se personaliteti i Aqif Blytës për Sanxhakun është sikurse ai i Adem Jasharit për Kosovën.
Organizatorët u zotuan se aktivitete të ngjashme për Sanxhakun do të organizohen edhe nëpër vendbanimet tjera.( E dergoi per Diellin:Ismet Hazizi)
Shqipëria hap Konsullatë Ndëri në Gjakovë
-Ministri Bushati: Hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë/
-Ministrja Tahiri: Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës/
Nga Behlul Jashari/ GJAKOVË, 20 Tetor 2015/ Është zhvilluar sot ceremonia e inaugurimit të konsullatës së nderit të Shqipërisë në Gjakovë, konsullatë kjo e cila ka për qëllim forcimin e lidhjeve kombëtare dhe promovimin e bashkëpunimit në gjitha sferat mes dy shteteve.
Në këtë ceremoni në Gjakovë organizuar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministrja kosovare, Edita Tahiri, ambasadorët në dyja vendet Qemal Minxhozi dhe Ramiz Lladrovci, konsulli i nderit akademik Tahir Emra dhe shumë personalitete tjera nga jeta politike e kulturore nga Kosova dhe Shqipëria.
Gjatë ceremonisë, ministri Bushati u shpreh se, “hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë, nga njëra anë është tregues konkret i thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve dhe nga ana tjetër, kjo Konsullatë, e para në llojin e saj, hapet në qytetin me tradita të Gjakovës, që ka lindur disa nga figurat më të shquara të kombit shqiptar, nga Ali Podrimja, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Elton Zherka e deri tek kapiteni Kuq e Zi – Lorik Cana. Bijtë e Gjakovës na kanë bërë të ndjehemi krenarë para vetes dhe para botës”.
Më tej, ministri Bushati shtoi se, “është kënaqësi për mua të emëroj Konsullin e nderit të Shqipërisë në Gjakovë, z. Tahir Emra, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, falënderoi ministrin Bushati për këtë iniciativë me rëndësi dhe vlerësimin e veçantë që i bën zonës së Gjakovës. “Hapja e Konsullatës përben një detyrim për ne për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e Gjakovës me institucionet e Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Ministrja Tahiri në fjalën e saj shprehu përgëzimet e qeverisë së Kosovës për hapjen e kësaj konsullate të Shqipërisë në Gjakovë duke uruar të gjithë që kanë kontribuar për këtë vepër vizionare. Ajo tha se kjo konsullatë do të forcojë lidhjet e kombit, lidhjet që na i këputi historia duke na lënë të ndarë dhe që është detyrë e jona dhe brezave të ri që ta rilidhim fuqishëm kombin shqiptar. “Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës, e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare, do të prek në hapësirat ku kombi ka nevojë për të punuar bashkë për të mirën tonë”, tha Tahiri.
Ajo më pastaj tha se zëvendëskryeministri dhe ministri Jashtëm, Hashim Thaçi, nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë ngjarje sepse ka udhëtuar për Paris për të lobuar për Kosovën në UNESCO dhe ne kemi pritje dhe përkrahje që Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe në vijim edhe në gjithë organizatat tjera ndërkombëtare.
“Kur mora ftesën për këtë ngjarje, së pari mendova pse kjo konsullatë në Gjakovë dhe jo në Prizren. E analizova historinë dhe i dhashë të drejt këtij vendimi, sepse Gjakova ia dha Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshin, një komandant të shquar që së bashku me udhëheqësit tjerë të Lidhjes na e lanë një amanet, ta bashkojmë kombin shqiptar. Dhe ne po e bëjmë realitet misionin tonë që të bashkojmë kombin shqiptar, se a do ta bëjmë përmes integrimeve evropiane apo rrugë tjetër, e rëndësishme është që do të vendosim vet”, theksoi ministrja Tahiri.
Po ashtu, vijoi ajo, mendoj se Gjakova e meriton këtë konsullatë nderi sepse ishte qyteti ku gjenocidi serb shkaktoi humbje të mëdha në njerëz dhe në shpirtrat tonë. “Por, ne gjithnjë kemi qenë dhe jemi të fortë në luftën tonë për pavarësi dhe prosperitet, këtë po e dëshmon edhe Shqipëria edhe Kosova dhe gjithë shqiptarët anë e kënd”, tha Tahiri.
Gjatë kësaj ceremonie, ministrja Tahiri bisedoi me ministrin Bushati për rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe zbatimin e vendimeve të dala nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë këtë vit, e në Prizren vitin e kaluar.
Në mbledhjen e qeverive Shqipëri-Kosovë, në 23 mars të këtij viti, u nënshkrua një marrëveshje e veçantë për thellimin e bashkëpunimit të zonës ndërkufitare midis Komunës së Gjakovës dhe Malësisë së Gjakovës.
Hapja e kësaj konsullate do të shërbejë në strukturimin e bashkëpunimit mes bashkive veriore të Republikës së Shqipërisë me Komunën e Gjakovës në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, shkëmbimeve tregtare, kulturore, turistike dhe realizimit të projekteve ndërkufitare mes dy vendeve.
Konferenca e donatorëve dhe zona e lire ekonomike në Gjakovë
Konferenca e donatorëve dhe zona e lire ekonomike në Gjakovë,në prizmin e planifikimit hapësinor dhe urban*/
Shkruan: arch.Ylber Vokshi-Ylli/
Shoqëria jonë ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha ekonomike,sociale dhe kulturore. Si rezultat i dhunës shtetërore (lufta e vitit 1999),si dhe ndryshimeve rrënjësore të sistemit ekonomik dhe politik në erën e globalizmit. Ekonomia e tregut, prona private dhe procesi i decentralizimit janë sfidat ma të mëdha në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik. Ky trekëndësh magjik konsiderohet si gurë themel i një shoqërie te hapur demokratike.
Gjakova edhe tani mbetet një nga komunat ma të varfra në Kosovë,nga një komunë dikur e zhvilluar,me punësim të madh në nivelin federal,me aftësi prodhues e çka është ma kryesore me njerëz të vyeshëm dhe punëtor. Me një qasje tërësisht të gabueshme dhe tendencioze për 15 vite,çuditërisht u arrit të shkatërrohet e tërë infrastruktura zhvillimore e Komunës,e krijuar me mund të madh me dekada,thua se ajo nuk ishte pjesë integrale e Kosovës.
Konferenca e donatorëve që u organizua këto ditë ka rëndësi të veçante që organizohet edhe në nivelin komunal,është ky një kualitet i ri,që do të ndihmojë stabilitetin e shtetit,por duhet të jemi realist për kërkesat tona dhe atë çka na afrohet. Nga një angazhim i madh i të gjithë faktorëve komunal,edhe me angazhimin pothuaj se vullnetar të ekspertëve të shumtë gjakovar,u arri që me sukses për dy ditë të kemi shumë prezantime të projekteve të ndryshme dhe kërkesave reale për financim të tyre. Kishte shumë premtime nga donatorët prezent ato dy ditë,ishte kjo një ndodhi që efektet e veta do ti ketë afatgjate,për atë duhet përgëzuar ideatorët dhe të gjithë të tjerët që ndihmuan që kjo konferencë me sukses të realizohet.
Konferenca e donatorëve që u mbajt tregoi një interesim të dukshëm të donatorëve që veprojnë në Kosove. Kjo është inkurajuese për iniciatorët që e organizuan ketë ndodhi në Gjakovë,që edhe ne të ardhmen të prezantojnë projekte tjera të cilët i plotësojnë kriteret e një konkurrence të madhe në rajonin e Ballkanit. Çdo donacion-ndihmë e ardhshme është e mirëseardhur për ne duhet pasur dituri dhe kujdes nga ana e jonë për realizimin e tyre,e mos të lejojmë keqpërdorimet ashtu si ka ngjarë me shumicën e projekteve në vitet e pas luftës.
Kjo fazë kaloi,tek tani fillon faza thelbësore,puna e madhe që i pret gjakovarët për të filluar me i materializuar këto projekte,që direkt apo indirekt do të ndikojnë në punësim si dhe rritjen ekonomike. I tërë ky proces do të jetë i realizueshëm nëse është në përputhje me dokumentet hapësinore ekzistuese , të reviduara apo të reja,duke ia përshtatur kërkesave të reja në përputhje me direktivat,rregullat dhe normat e standardet e Planifikimit Hapësinorë dhe Urban.
Në mungesë të dokumenteve REALISTE të planifikimit hapësinor dhe urban ( PZhK. PZhU dhe PRrU),shumë investime janë humbur e shumë të tjera kanë dështuar,nga puna jo serioze e organeve përgjegjëse në tërë Kosovën. Nuk mjaftojnë vetëm “dëshirat”,e në disa raste edhe projekte ekzekutive pa koncepte realiste zhvillimore komunale,e ma gjerë në nivelin e Kosovës dhe regjionit. Sektori i prodhimit,si esencial në zhvillimin e Gjakovës,duhet përkrahur edhe me mjete tjera stimuluese si janë kredit e buta me kushte të volitshme apo subvencione tjera, e jo të lihet vetëm në iniciativa private.
Punimi dhe aprovimi i disa dokumenteve të planifikimit hapësinor dhe urban në komunën e Gjakovës në vitin 2007,ka qenë jo serioz dhe ka pasur efekte negative te faktori ndërkombëtar e posaçërisht te donatorët kryesor. Është punuar në mënyrë stihike për të plotësuar vetëm kërkesat e një grupi të caktuar të njerëzve,pa pjesëmarrjen në vendimmarrje të atyre për të cilët punohen këto dokumente,për atë kanë mbetur ne sirtarët e komunës,nuk janë zbatuar. Trajtimi i hapësirës urbane në Komunën e Gjakovës në vitet e fundit ka qenë skandaloze,pasi në emër të “forcës” kanë vepruar shumë “patriot”.Askush nuk do të jep donacione për të korrigjuar gabimet e qëllimshme hapësinore dhe urbane të jona.
Një sfidë e madhe është edhe shpallja e Gjakovës dhe Mitrovicës si Zona të Lira Ekonomike nga ana e Qeveris së Kosovës. Natyrisht për ketë është punuar intensivisht në vitet e fundit,nuk është kjo dhuratë nga zoti si dëshiron dikush ta thekson,kjo është e bazuar në shpirtin progresiv që e karakterizon Gjakovën me shekuj,ku moto kryesore ka qenë dhe është PUNA dhe vetëm puna,për të pasur mirëqenie dhe progres individual dhe shoqëror të Komunës dhe Shtetit të Kosovës.
Se sa është i rëndësishëm ky veprim i Qeverisë është e tepërt për të shpjeguar,është kjo një dritë që shihet në fund të tunelit në Gjakovë. Lehtësitë e mëdha që Komuna i ka me shfrytëzimin e infrastrukturës ekzistuese industriale,e ngërthyer me kapacitetet e vjetra prodhuese,me fuqinë punëtore të edukuar me dekada dhe me traditë industriale,janë garanci për funksionimin e kapaciteteve të reja dhe joshjen e investitorëve të huaj për eksportimin e prodhimeve tona,e çka është ma kryesore me rritjen e punësimit në ekonomin konkurrente të tregut botëror. Natyrisht duke respektuar të gjitha rregullat (ligjet) vendore dhe ndërkombëtare,me një përgjegjësi individuale dhe kolektive,në tërësi sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare të Planifikimit Hapësinor dhe Urban. Tek tani kërkohet një angazhim maksimal i tërë faktorëve relevant të kyçur në ketë proces e posaçërisht të stafit menaxhues profesional që do të udhëheq procesin e ri-ndërtimit të Gjakovës.
Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, po vërehet një fryme e re demokratike e pa ditur në Kosovë,ku për të gjitha problemet madhore të cilat i shqetësojnë qytetarët e Gjakovës organizohen takime dhe “debate publike”,për tu dëgjuar edhe zëri i qytetarëve ose të banorëve të zonave të caktuara të qytetit. Natyrisht se ekziston një skepticizëm real,por uroj që se shpejti të tejkalohet atëherë kur dëgjohet zëri i qytetarit. Vetëm atëherë kur do të krijohet bindja-ndjenja së jemi pjesëmarrës dhe kontribuues direkt për zhvillimin dhe planifikimin e hapësirës ku jetojmë dhe veprojmë,do të kemi rezultate pozitive.
Me siguri do të ketë edhe kërkesa tjera për reparte prodhimi,lokacionet e reja duhet përcaktuar me disiplinë në përputhje me dokumentet hapësinore ekzistuese komunale,me revidimin ose punimin e ri të tyre, në tërësi sipas Ligjit të ri të Planifikimit Hapësinor,në frymën e ekonomisë globale të tregut,duke i respektuar dhe mbrojtur interesat e komunitetit,posaçërisht në aspektin e mbrojtjes së mjedisit dhe direktivave mjedisore ndërkombëtare.
Do të ishte ky një kontribut për të mos përsëritur gabimet e të së kaluarës. Vetëm puna e përkushtuar profesionale dhe menaxhimi adekuat i pavarur,e i pasuruar me dituri të reja do ta shpie Gjakovën dhe Kosovën përpara.
Prishtinë, arch.Ylber Vokshi-Ylli- ylberv1@yahoo.com
*Ne Foto: Pamje nga Gjakova