NGA LAURA KONDA/
Në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington, u valëvit flamuri amerikan për nder të shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij. Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja.
Ky gjest simbolik u bë i mundur në saje të ligjvënësit amerikan Eliot Engel, i cili është prej një çerekshekulli një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres. Zoti Engel vlerësoi veprën e Kadaresë, për universalitetin dhe mesazhin e rëndësishëm që jep, përmes miteve dhe figurave letrare:
“Kam një kënaqësi të veçantë që jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën e Ismail Kadaresë. …Me të drejtë, Ismail njihet gjerësisht si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës sonë. Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, po ato sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Juria e Jeruzalemit, që e nderoi me çmim kohët e fundit Kadarenë e vlerësoi atë si një shkrimtar që përpiqet të ekspozojë përmes miteve dhe metaforave, krimet e kryera; edhe pse protagonistët janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale. Unë personalisht jam i lumtur që Kadare është fituesi i çmimit të Izraelit, sepse ky çmim është simbolik.”, – tha ligjvënësi.
Autor i rreth 40 veprave letrare, të shkruara në një periudhë rreth 60 vjeçare, Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.
Në ceremoninë e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, zoti Engel ja dorëzoi flamurin e valëvitur për nder të Kadaresë, me një dedikim të posaçëm për të, Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Illyria” në Nju Jork, i cili ishte edhe nismëtari i idesë për të nderuar shkrimtarin:
“Jam shumë i gëzuar që organizohet ky takim në Kapitol Hill për shkrimtarin tonë të madh, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, zotin Ismail Kadare. Pikërisht në këtë ndërtesë zoti Kadare ka dhënë një dëshmi në vitet e para të demokracisë në Shqipëri për nevojën që ajo të rreshtohet në rrugën e demokracisë dhe tani, më tepër se 20 vjet më vonë, pikërisht në ndërtesën e Kapitolit Hillit po organizohet një takim për të nderuar veprën e tij, pasi ai mori çmimin në Jerusalem. Kjo ceremoni u realizua me mbështetjen e kongresmenit Eliot Engel. …Kombet e vogla, si kombi shqiptar, kanë nevojë për figura të mëdha, siç është Ismail Kadare, me të cilin shqiptarët identifikohen në botë dhe mund të them se kjo figurë kaq e madhe, ky shkrimtar kaq i madh është letërnjoftimi më i mirë i shqiptarëve të botë,” – tha zoti Bajrami.
Për veprën letrare të Ismail Kadaresë foli përkthyesi i veprës se tij në anglisht, David Bellos, profesor në Universitetin prestigjioz të Prinstonit. Zoti Bellos, duke u shprehur në mënyre figurative, tha se Kadare është një shkrimtar që hapi një dritare transparente për Shqipërisë në kushtet e periudhës se komunizmit, kur Shqipëria ishte në fakt një dritare opake.
Zoti Bellos tha se vepra e tij nuk është opozitare në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes saj Kadare tregon pasojat gërryese të pushtetit dhe na lejon të kuptojmë thelbin e një shoqërie totalitare. Ai tha se valëvitja e flamurit amerikan mbi Kapitol për nder të Kadaresë është një nder i jashtëzakonshëm për një shkrimtar:
“Mendoj se është një nder i jashtëzakonshëm dhe tepër domethënës; shkrimtarët e huaj nuk janë shumë të njohur në Shtetet e Bashkuara, dhe është e rëndësishme që Kadare po nderohet këtu, edhe pse është një shkrimtar jo amerikan… Të gjitha romanet e tij janë në një fare mënyre për Shqipërinë, por një Shqipëri e veçantë, Shqipëria e Kadaresë; vepra e tij është e lexuar kudo, në Amerikës, apo vende të tjera. Unë mendoj se Ismail Kadare është mes shkrimtarëve më të shquar të kohëve tona, si dhe i të gjitha kohërave.”
Zoti Bellos tha se është një rast i rrallë, kur përmes aktit të ngritjes së flamurit, Shtetet e Bashkuara nderojnë në fakt jo vetëm Kadarenë, jo vetëm Shqipërinë, por letërsinë në përgjithësi.
Rituali i ngritjes së flamurit amerikan mbi ndërtesën e Kapitolit është një traditë e filluar nga Kongresi amerikan 78 vjet më parë, për të nderuar ngjarje historike dhe individë të shquar, së fundi, mes tyre, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.Për Ditarin, Laura Konda, Uashington.(Zeri i Amerikes)
Çështja e tre vëllezërve Bytyçi, në Kongresin Amerikan!!!
Nga Washington DC Beqir SINA,/
…Roharbacher” Çfarë ka bër Serbia me çështjen Bytyci, atë të tre amerikanëve të vrare para 16 vjetë më parë – A mos duhet të presim edhe 16 vjet të tjera që Serbia të gjej vrarësit dhe të dënojë ata ?’/
Komitetit i Punëve të Jashtme të Kongresit, dhe Nënkomiteti mbi Evropën i Dhomës së Përfaqësuesve, mbajti këtë fillimjavë një seancë të posaçme dëgjimore, ku në rendin e ditës ishte progresi dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor, arritja e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, 20 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit.
Kjo, seancë dëgjimore, e cila u kryesua nga Kryetari i Komitetit për Marrdhënijet Ndërkombëtare, të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresiti Republikan , i Kalifornisë, Dana Rohabacher, dhe anëtarët e këtij Nënkomiteti, kongresistët Gregory W. Meeks dhe Albio Sires repubilkan nga Nju Xhersi, u shoqërau me një debat të gjerë të problemeve ballkanike siç i quajtën folësit.
Një debat i shkurtër u zhvillua lidhur me të ashtuqujturën progresi i Serbisë simbas DioGuardit, dhe oponentit të tij profesorit Ivan Vejvoda. Pas panelit të parë që u mbajt për të njëjtin qëllim ishte edhe paneli i dytë, ku dëshmuan në dy komitetet e jashtme të Kongresit edhe ish kongresisti republikan i Nju Jorkut Joseph DioGuardi kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, dhe profesori Ivan Vejvoda zëvendes President i Fondit Gjerman Marshall në SHBA.
Kjo, seancë dëgjimore e cila u kryesua nga Kryetari i Komitetit për Marrdhënijet Ndërkombëtare, të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresiti Republikan , i Kalifornisë, Dana Rohabacher, u shoqërua me një replike të fort rreth çështjes së vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro amerikanve të vrarë brutalisht nga forcat policore sërbe në vitin 1999, disa ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë
Profesori Ivan Vejvoda zëvendes Prisdent i Fondit Gjerman Marshall në SHBA, ‘illustroi” në dëshmin e tij, ndryshimet në politikën e Serbisë, sidomos simbas tij në qasjen që ka Serbia sot ndaj Kosovës. Ai permendi si shumë domethënse bisedimet në mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe disa argumenta të tjera sipas tij të cilat tregonin progresin e Serbisë. Andaj si konkluzion profesori Vejvoda tha ” me gjithe se ka shumë për të bër, por Serbia meriton më shumë për të qenë në BE.
Ky ka qenë një moment, mjat diskutabil I cili pati edhe ndërhyjen e kryetarit të seancës degjimore, kongresistit republikan Roharbacher, i cili duke e ndërprer profesorin Vejvoda, ka pyetur atë së çfarë ka bër Serbia me çështjen Bytyci, atë të tre amerikanëve të vrare para 16 vjetë më parë – A mos duhet të presim edhe 16 vjet të tjera ?” pyeti Rohrabacher që Serbia të gjej vrarësit dhe të dënojë ata?
BUSTI I DISIDENTIT ANTI-KOMUNIST ÇEK VACLAV HAVEL NË KONGRESIN AMERIKAN
“E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet” (Vaclav Havel)/
Nga Frank Shkreli/
Ish-disidenti anti-komunist çek Vaclav Havel, i cili ka ndërruar jetë tre vjetë më parë, konsiderohet si njeriu i cili simbolizon mbarimin e luftës së ftohtë dhe fillimin e konsolidimit të lirisë e të demokracisë dhe i cili njëkohsisht njihet edhe si simbol i pajtimit në ish-vendet komuniste të kontinentit europian, do të renditet me më të mëdhejtë e demokracisë amerikane.
Për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e ish dramaturgut dhe ish disidentit anti-komunist çek, i këthyer në një luftëtar lirie dhe demokracie, Vaclav Havel-in, Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka vendosur të dedikojë bustin e tij më 19 të nëntorit, në sallën e Kongresit që quhet Forumi i Lirisë. Aty, busti i Vaclav Havelit do të vendoset pranë busteve të më të mëdhejve të historisë amerikane, Xhorxh Uashingtonit dhe Abraham Linkolnit, por edhe pranë ish-kryeminstrit britanik, Uinston Çurçillit. 19 nëntori shënon 25-vjetorin e Revolucionit anti-komunist të Kadifenjtë të Çekisë, revolucion ky që i solli vendit të tij lirinë, demokracinë dhe pavarësinë nga dominimi i komunizmit sovjetik.
Këtë njoftim e bëri më 22 shtator, Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, republikani Xhon Boehner i cili nepërmjet një letre njoftoi për këtë vendim të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqsuesve, si dhe anëtarët e Senatit amerikan. Në letrën dërguar kolegëve të tij ligjvenës të të dy partive — demokratëve dhe republikanëve — udhëheqsi republikan i Dhomës së Përfaqsuesve tha se, “Si dramaturg i këthyer në një politikan disident, Vaclav Havel kishte kaluar vite në burg, vetëm e vetëm, sepse gjatë jetës së tij ka sfiduar ideologjinë dhe legjitimitetin e regjimit komunist që sundonte vendin e tij Çekosllovakinë, gjatë Luftës së Ftohtë. Në vazhdim të letrës, Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve u tha kolegëve të tij se, “Në 25-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, revolucion ky i cili çliroi popullin e tij dhe që çoi në zgjedhjen e Vaclav Havel-it si president, ne do të mblidhemi që të kujtojmë atë dhe të gjithë ata, sakrifikicat e të cilëve ndihmuan në përmbysjen e Përdes së Hekurt.” Atë ditë,pothuaj 25 vjetë më parë, më 17 Nëntor, 1989, Vaclav Havel udhëhoqi demonstratën paqësore të studentëve në Pragë, e cila çoi në një numër ngjarjesh që pasuan demonstratën dhe të cilat më në fund rezultuan në rrëximin e regjimit komunist të Çekosllovakisë.
Autorizimi për vendosjen e bustit mbrenda hapësirës së Kongresit amerikan — e që është në përfundim e sipër nga skulptori çek Lubomir Janecka — e ka zanafillën në rezolutën e miratuar njëzëri nga ligjvensit e të dy partive kryesore të Kongresit amerikan, Marsin që kaloi, me qëllim sipas fjalëve të rezolutës për të, “nderuar jetën dhe trashëgiminë e Vaclav Haveli-it”. Duke paraqitur rezolutën në Kongresin amerikan më heret këtë vit, për autorizimin e vendosjes së bustit të disidentit antikomunist çek në Forumin e Lirisë në kryeqendrën e demokracisë botërore, sponsorizuesi kryesor i rezolutës, kongresisti Ed Rois ka thënë se, “Si dramaturg, Vaclav Haveli nxori në shesh absurditetin e ideologjisë komuniste dhe njëkohsisht diskreditoi regjimin komunist shtypës të Çekosllovakisë.” Siç dihet, pas ndërhyrjes brutale të sovjetikëve komunistë për të shtypur lëvizjen e njohur si Pranvera e Pragës, në vitin 1968, që kërkonte një liberalizim më të madh politik, Havelit iu hoq e drejta që të vazhdonte punën në teatër, në përpjekje nga autoritetet komuniste për t’ia mbyllur gojën. Por, ashtu siç deklaroi edhe kongresisti amerikan, Ed Rois, “Komunistët e nënvlersuan tepër pasionin e Vaclav Havelit për liri. Në vend që të dorëzohej përballë frikësimeve të tyre, ai e shtoi veprimtarinë e tij politike, duke luajtur rolin kryesor në përpilimin e asaj që tani njihet si Karta 77 mbi të drejtat e njeriut. Ai njëherazi ishte edhe njëri prej anëtarve themelues të kësaj organizate disidentesh anti-komunistë, të bazuar në të njëjtat parime”, theksoi kongresisti amerikan. Dhjetë vjetë para shëmbjes së komunizmit, më 1979, Vaclav Havel kishte formuar Komitetin për Mbrojtjen e të Persekutuarve Padrejtsisht.Këto dhe veprimtari të tjera antikomuniste, në mbështetje të lirisë dhe demokracisë, tha Kongresisti Rois, shkaktuan që Vaclav Havel të burgosej disa herë nga autoritetet komuniste çeke, por më në fund shtoi ai, “Vaclav Haveli dhe kauza e lirisë, triumfuan”.
Edhe pas rënjës se komunizmit, Vaclav Havel nuk pushoi veprimtarinë e tij në mbështetje të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.Vaclav Havel njihte mirë vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës, si njërin prej regjimeve më të egëra komuniste, jo vetëm në Europë por edhe në botë. Gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, Vaclav Havel ishte ndër të parët në Europë i cili luftoi duke kundërshtuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në trojet e veta në Kosovë, me mbështetjen e tij për sulmet ajrore të aleancës perëndimore të NATO-s në fushatëan e saj për çlirimin e Kosovës. Në lidhje me Kosovën, ai ishte shprehur se “Edhe më parë kam mbrojtur qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve të pafajshëm nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë ai në mbështetje të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të ish-regjimit serb të Millosheviçit. Jiri Pehe, njëri prej këshilltarëve të tij ka thënë se “Kur ai, mbështeti bombardimin e Serbisë më 1999 ose invadimin e Irakut me 2003, ai nuk fliste për objektiva të mëdha gjeopoliitke ose strategjike, por theksonte nevojën për të ndaluar abuzimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nga diktatorë brutalë.” Dhe më 2011, Vaclav Havel u qëndroi besnik parimeve të tija, duke ftuar Presidenten e Republikës së Kosovës që të merrte pjesë më 2011 në punimet e konferencës vjetore prestigjioze ndërkombëtare –Forumi 2000 — në Pragë, megjithë kundërshtimet e mëdha nga Serbia. Ishte kjo një thyerje e akullit për pjesmarrjen e Presidentes së Kosovës në mbledhje ndërkombëtare megjithë fushatën dhe këmbënguljen e Serbisë për të mos pranuar përfaqsuesit më të lartë të Kosovës në takime të tilla ndërkombëtare.
Nëse më lejohet një notë personale, gjatë vizitës së parë të tij zyrtare në Washington më 1990, Vaclav Havel kishte kërkuar të vizitonte shërbimin çek të VOA-s për tu takuar me gazetarët e shërbimit çekosllovak të VOA-s dhe për arsye të detyrës së atëhershme, si Këshilltar i Programeve radiofonike të divizionit europian të VOA-s, pata rastin dhe fatin e mirë të isha pjesë e pritjes së Zotit Havel në kryeqëndrën Zërit të Amerikës. Ai takim dukej si një diçka nga bota e përrallave: në kryeqendrën e Zërit të Amerikës, ndodheshim ball për ball me disidentin e famshëm antikomunist çek, mbështetsin e flakët të të drejtave të njeriut në botë dhe njërin prej minuesve kryesorë të komunizmit ndërkombëtar, për të cilin në të gjitha transmetimet e VOA-s, kishim folur pothuaj për çdo ditë, për aktivitetin e tij dhe të kolegëve të tij disidentë, çekë dhe të tjerë anë e mbanë Europës. Diçka e madhe dhe historike me përmasa botërore kishte ndodhur në fund të shekullit 20-tët, dhe ja tani — në Uashington dhe për më tepër në kryeqendrën e Zërit të Amerikës — shtërnguam duartë me njërin prej protagonistëve kryesorë të kësaj historie. Ishte një takim që nuk fshihet lehtë nha kujtesa! Megjithëse ende ishte vështirë të besonim, ne në të vërtetë ishim në prani të njërit prej realizuesve të ëndrrës shekullore për liri dhe demokraci për të gjithë popujt.Ja ky ishte Vaclav Haveli, i cili pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres vizitoi VOA- dhe busti i të cilit tani me akt të Kongresit amerikan do të vendoset mbrenda hapësirës së parlamentit më të njohur dhe më të rëndësishëm të botës. I thjeshtë në nivel njerëzor, human i cili, siç na tha me atë rast e ndjente për detyrë të vinte tek VOA dhe të takonte bashkatdhetarët e tij, zërin e të cilëve e kishte dëgjuar për vite me radhë e të cilët, sipas tij, kishin dhënë një kontribut të madh në informimin e tij dhe të kolegëve të tij gjatë ditëve më të zeza të vendit të tyre.Ky ishte Vaclav Havel, mirënjohës!
Një ditë para se të miratohej rezoluta nga Kongresi amerikan, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjithashtu me origjinë çeke dhe mbështetse e fortë e të drejtave të shqiptarëve — gjë që ajo e tregoi gjatë luftës për çlirimin e Kosovës — ka thënë gjatë një konference kushtuar trashëgimisë morale dhe politike të Vaclav Havelit se ai meriton të nderohej nga Kongresi Amerikan sepse, sipas saj “Ai tregoi se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime morale”.
Rezoluta për të nderuar Vaclav Havel-in me një bust në Kongresin amerikan përkrah baballarëve të kombit amerikan, ishte një përpjekje që u mbështet nga të dy partitë kryesore të Amerikës, ndërkohë që sponsorizuesi kryesor i rezolutës, kongresisti republikan nga Kalifornia ka thënë se, “Trashëgimia e këtij luftëtari të lirisë shërben si frymëzim edhe për aktivistët e sotëm paqësor për demokraci”, dhe si i tillë është shprehur ai, në emër të të gjithë kolegëve të tij, imazhi i disidentit anti-komunist Vaclav Havel-it përballë kampionëve të tjerë të lirisë në Forumin e Lirisë të tempullit të demokracisë amerikane që është Kongresi — “Do tu kujtojë brezave të ardhëshëm ndikimin që një njeri i vetëm mund të ketë në avancimin dhe në mbrojtjen e lirisë.” Vaclav Havel si president i Çekosllovakisë ishte ftuar të mbante një fjalim para Kongresit amerikan, vetëm dy muaj pasi ishte zgjedhur në atë detyrë më 1990. Ndonëse ai ndër të tjera foli mbi ndërgjegjen morale të njerëzve në përgjithësi, por të politikanëve në veçanti – tani prania bustit të tij do të jetë e përhershme dhe e përjetësuar në kujtesën e miliona njerëzve jo vetëm nga Amerika por nga e mbarë bota, që çdo vit vizitojnë Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Por për më tepër, busti i disidentit anti-komunist çek në Kongresin amerikan do tu kujtojë të gjithëve dhe për gjithmonë triumfin e shpirtit njerëzor, mbi atë që vet Vaclav Havel kishte cilësuar në fjalimin e tij para dy dhomave të Kongresit amerikan 25 vjetë më parë, si “një sistem totalitar komunist i cili jo vetëm në radhët e çekëve dhe sllovakëve, por në mbarë popujt e Bashkimit Sovjetik dhe të popujve të tjerë të skllavëruar nga regjimet komuniste, ka lënë pas një trashëgimi të një numëri të madh e të panjohur të vrarësh, një spektër të pa fund vuajtjesh njerëzore, një dështim të tmershëm ekonomik, dhe mbi të gjitha” ka thënë ai, “komunizmi ishte një sistem që ka lënë pas një poshtërim njerëzor të përmasave jashtzakonisht të mëdha. Na ka sjellur tmerre që fatkeqsisht ende nuk dihen”, u ka thënë ai dy dhomave të Kongresit 25 vjetë më parë. Kjo është trashëgimia e komunizmit sipas ish disidentit anti-komunist Vaclav Havel, busti i të cilit tani do të vendoset me Kongresin amerikan më 19 Nëntor të këtij viti, në shënjë nderimi për të po se po, por njëkohsisht është edhe një simbol dhe shënjë kujtese që Shtetet e bashkuara të Amerikës duan që brezat e ardhëshëm amerikanë dhe të huaj të mos harrojnë as krimet dhe viktimat e komunizmit kudo.
Ne Foto: Skulptori çek, Lubomir Janecka duke përfudnuar bustin e Vaclav Javelit që do të vendoset në Forumin e Lirisë të Kongresit amerikan.
Profesor Pllana dëshmon sërish në Kongresin Amerikan
Nga Halim Hoti/
Me rastin e vizitës së tij zyrtare, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Sallën e bukur të Kongresit Amerikan(numër 2255) për marrëdhënje me jashtë, mori pjesë edhe publicisti nga Kosova, Prof.dr.Nusret Pllana – i cili në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë popullit të shumëvuajtur e liridashës shqiptar dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në fitoren e plotë të luftës së sajë të drejtë, ua dhuroi nga një libër të tijë (Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999) ribotimin e pestë të plotësuar, të sajuar në shtatë gjuhë të huaja: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht- këtyre personaliteteve: Kongresmenit amerikan,z. Eliot Engel, Kongresmenit amerikan, z. Robert Aderholt, z.Grant Harris – Drejtor i Divizionit Europian të Bibliotekës Botërore të Kongresit Amerikan, Presidentit shqiptar, z.Bujar Nishani, Dr.Elez Biberit – Drejtor i Drejtorisë së përgjithshme të “Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe”(VOA) dhe z.Avni Mustafa – Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Libri i Dr.Pllanës “Terrori I Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” i cili në shtatorin e vitit 2012 ka marrë mirënjohje nga Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan, nga viti 2001 e deri më tani ka arritë të promovohet në qendrat kryesore europiane dhe botërore, si: Prishtinë, Tiranë, Shkup, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Paris, Lion, Vjenë, Oslo, Stoklholm, Budapest, Jovik, Katovicë, Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir, Romë, Shtutgart, Dortmund, Singen, Hechingen, Nyrnberg, Hamm, Heidelberg, Mynhen, Ludvigsburg, Heslingen, Phorzheim, Helsinki, Toronto, Berri, New York, Washington, Detroid, Melbourne, etj.
Më 21 mars 2014, do të promovohet në Bruksel – në shenjë respekti, të 15 vjetorit të Intervenimit humanitar dhe ushtarak të NATO-s në Kosovë.
Washington D.C, 4 Shkurt 2014
100-vjetori i pavarësisë në Kongresin amerikan
Anëtarë të Kongresit amerikan dhe personalitete të tjera përkujtuan rolin e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore/
Nga ILIR IKONOMI/
Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, anëtarë të Kongresit amerikan dhe personalitete të tjera përkujtuan rolin e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veprimtaria u organizua nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën drejtimin e çiftit Joe dhe Shirley Dioguardi.
Në Kongresin amerikan, 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë u përkujtua në një mënyrë të veçantë. Një numër anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve e të Senatit, si dhe personalitete të rëndësishme të lobit hebre në Shtetet e Bashkuara, u mblodhën të nderojnë shqiptarët që me një vepër unike gjatë Luftës së Dytë Botërore fituan simpatinë e botës.
Senatori nga Nju Jorku, Charles Shummer, ka paraqitur në senatin amerikan një rezolutë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në rezolutë vlerësohet populli i Shqipërisë dhe i Kosovës për shpëtimin e jetës së hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kur 6 milion hebrej u asgjësuan egërsisht, Shqipëria ishte i vendi vend në Evropë që kishte më tepër hebrej se sa përpara fillimit të luftës.”
Kjo, tha senatori, flet për mikpritjen, trimërinë dhe humanizmin e shqiptarëve.
Prapa rezolutës dhe organizimit të këtij aktiviteti prestigjoz në Kongresin amerikan qëndron çifti Joe dhe Shirley Dioguardi, udhëheqës të organizatës lobiste Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
“Tani ekziston një lidhje reale që po forcohet akoma më shumë, mes popullit shqiptar dhe Kongresit amerikan. Kjo ka rëndësi. Ne festojmë 100 vjetorin e pavarësisë. Por vetëm në vitin 1919 Shqipëria u njoh si shtet. Kjo ndodhi falë presidentit demokrat Woodrow Wilson. Pastaj, në vitin 2008, ishte Presidenti republikan George W. Bush që solli njohjen e Kosovës. Prandaj, unë mendova se ishte një ide e mirë që festimi i pavarësisë të bëhej në selinë e Kongresit amerikan, në Kapitol”.
Agim Aliçkaj nga Nju Jorku është i biri i Arif Aliçkajt, njëri prej atyre që shpëtuan hebrej në Kosovë. Ai bëri thirrje që shteti i Izraelit të njohë Kosovën.
“Babai im nuk kërkoi ndonjë shpërblim. Ai na tregoi se kishte shpëtuar hebrej por kurrë nuk mendoi se kjo do t’i njihej një ditë me mirënjohje. Ai mendonte se ishte detyrë morale e një shqiptari për ta bërë këtë dhe vdiq pa e ditur se sot ai do të kujtohej në një rezolutë të Kongresit amerikan. Ai do të ishte i lumtur nëse do ta kishte ditur këtë. Babai im do të ishte akoma më i lumtur nëse shteti demokratik i Izraelit do ta njohte Kosovën si shtet i pavarur”.
Zonja Shirley Dioguardi, një veprimtare aktive e çështjeve shqiptare, është dakord.
“Izraeli ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë për shkak të asaj që shqiptarët bënë gjatë Holokaustit.”
Kryetarja e komisionit të punëve të jashtme në Kongresin amerikan, Ileana Ros Lehtinen, kujtoi rrugën e vështirë të popullit shqiptar gjatë 100 viteve që nga shpallja e pavarësisë:
“Vendosmëria e popullit shqiptar për të qenë të lirë nuk u lëkund kurrë megjithë koston e lartë. Njëzet vjet më parë, populli shqiptar përmbysi sunduesit komunistë dhe filloi rindërtimin e vendit. Kush do ta kishte besuar se shqiptarët do të bëheshin kaq shpejt një demokraci, anëtarë të NATO-s, dhe aleatë të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Zonja Shirley Dioguardi thotë se pjesëmarrja e kongresmenëve dhe senatorëve me ndikim në këtë veprimtari ishte me rëndësi për shqiptarët.
“Ky takim i sotëm bëri që anëtarët e Kongresit të pohojnë edhe një herë se shqiptarët janë forca më pro-amerikane dhe më prodemokratike në Evropë”.
Dana Rohrabacher është kongresmeni që e paraqiti rezolutën për 100-vjetorin e pavarësisë në Dhomën e Përfaqësuesve:
“I jemi mirënjohës popullit shqiptar për aktin e tyre. Jam krenar që ndodhem mes jush në këtë takim për të falenderuar popullin shqiptar, i cili i tregoi botës se qëniet njerëzore në kohë krizash janë në gjendje të veprojnë me guxim”.
Në takimin e djeshëm ndodhej edhe artistja e njohur Kara Dioguardi, e bija e zotit Joe Dioduardi.
“Jam shumë e gëzuar që ndodhem këtu për të kremtuar gjithë ato gjëra që kanë bërë shqiptarët pçr popullin hebre dhe jam shumë krenare për këtë. Është me shumë rëndësi fakti që ata shpëtuan shumë jetë njerëzish. Ne duhet t’i falenderojmë ata për vlerën e tyre të madhe që babai im e quan besa, pra kur dikush të vjen në shtëpi, ti e pranon dhe e nderon”.