-Delegacioni i bizneseve amerikane diskuton mundësitë e bashkëpunimit me bizneset kosovare. Takime në Qeverinë e Kosovës, në Ministrinë e Zvillimit Ekonomik, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë…/
PRISHTINË, 13 Mars 2019-Gazeta DIELLI/ Një delegacion i bizneseve amerikane bashkë me Konzullen e përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, në vizitë në Kosovë po diskuton mundësitë e bashkëpunimit me bizneset kosovare. Themeluesi dhe Shefi Ekzekutiv i kompanisë amerikane MD Squared Property Group, Michael Mintz, tha se kapacitetet e të rinjve dhe ndërmarrësve në Kosovë si dhe talenti i tyre janë të jashtëzakonshme.
KRYEMINISTRI HARADINAJ PRITI NË TAKIM DELEGACIONIN E INVESTITORËVE AMERIKANË
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim delegacionin e investitorëve amerikanë, të kryesuar nga Michael Mintz, themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë “Squared Property Group LLC”, me të cilët ka biseduar mbi situatën aktuale ekonomike në vend, duke thënë se Kosova ka krijuar klimë tejet të favorshme për investimet e huaja.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj theksoi se me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, zvogëlimin e tarifave tatimore, reformat thelbësore në sundim të ligjit dhe ato fiskale, si dhe me ligjin për investime strategjike, Kosova ka hyrë në hartën e vendeve atraktive dhe të sigurta për investitorët e huaj.
“Kosova tashmë e ka Ligjin për Investime Strategjike, që krijon lehtësira dhe kushte të mira për investitorët e huaj. Janë themeluar tri zona të veçanta ekonomike të gatshme për të pritur investitorët e huaj”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke përmendur edhe projektet e mëdha energjetike, ato të energjisë alternative.
Ndër tjerash, gjatë bashkëbisedimit me këtë delegacion, kryeministri Haradinaj shtoi se Kosova tashmë është kthyer në një adresë të besueshme për investime amerikane.
Nga ana e tyre, delegacioni i investitorëve amerikanë falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit mes tyre.
DELEGACIONI I BIZNESEVE AMERIKANE, TAKIM NË MINISTRINË E ZHVILLIMIT EKONOMIK
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti delegacionin e bizneseve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga konsullja e Kosovës në SHBA, Teuta Sahatqija, me të cilët diskutoi rreth sektorit të teknologjisë informative dhe komunikimit (TIK), sektorit të energjisë dhe klimës të të bërit biznes në Kosovë.
Delegacioni i kryesuar nga znj. Sahatqija, Ani Zeldan, kryeshef ekzekutiv i Quantum Media Group, themeluesja e Partners in Digital Health, Tory Cenaj, avokati Nelson Happy dhe gazetari nga The Washington Diplomat, Larry Luxner, u interesuan rreth klimës së të bërit biznes në Kosovë dhe rreth projekteve në sektorin e TIK dhe atë të energjisë.
Ministri Lluka i informoi se Kosova ka një sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese, është një qendër lidhëse në Evropë dhe se Banka Botërore e ka cilësuar si vendin e dytë në rajon në raportin e të bërit biznes.
“Kosova ka një sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese, është vendi me borxhin më të vogël publik përshtatur GDP-së, është urë lidhëse me vendet e Evropës dhe ka qasje në tri porte detare, atë të Selanikut, Durrësit dhe të Malit të Zi. Në raportin e të bërit biznes Kosova radhitet e 40-ta në botë dhe e dyta në rajon”, u shpreh ministri Lluka.
Sektori i TIK është i vetmi sektor në Kosovë i cili ka bilanc tregtar pozitiv dhe është sektor i cili u ka mundësuar të rinjve të vendit të punojnë për vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, është sektor në të cilin ka projekte të ndryshme dhe nga i cili gjenerojnë vende pune.
“Sektori i teknologjisë informative është sektor i cili ka bilanc tregtar pozitiv dhe është sektor në të cilin kompanitë vendase kryejnë shërbime ‘outsource’ për kompanitë në Evropë, SH.B.A. dhe më gjerë dhe është sektor në të cilin truri nuk ikën nga vendi. Projekti Kosovo Digital Economy (KODE), në të cilin projekt me ndihmën e Bankës Botërore do të investohen 25 milionë euro për shtrirjen e infrastrukturës së rrjetit të internetit në 96% të territorit të Kosovës me synim të veçantë në zonat rurale”, tha ministri Lluka.
Kreu i MZHE-së delegacionin e bizneseve nga ShBA e informoi rreth “Tech Park Prishtina” dhe “Training and Innovation Park” në Prizren ku parashihet që të krijohen qendra për trajnime dhe qendra të ekselencës digjitale në të cilën do të trajnohen bizneset dhe të rinjtë e vendit.
Përfaqësuesit e delegacionit gjithashtu u interesuan rreth sektorit të energjisë, zhvillimeve dhe projekteve të cilat janë duke u zhvilluar.
Ministri Lluka iu shpreh se Kosova e ka synim përmirësimin e gjendjes së furnizimit me energji elektrike, dhe këtë e dëshmon fakti i nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë “Countur Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, si dhe rreth mënyrave të gjenerimit të energjisë nga mbeturinat.
Në fund, përfaqësuesit e bizneseve nga SHBA falënderuan ministrin Lluka për informacionet e dhëna dhe thanë se do të mbeten në kontakt në mënyrë që të informohen më detajisht rreth sektorëve që mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik ashtu që të shihen hapësirat për investime në të ardhmen.
ODA EKONOMIKE AMERIKANE NË KOSOVË PRITI NË VIZITË DELEGACIONIN E BIZNESEVE TË SHBA
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë priti në vizitë delegacionin e bizneseve amerikane të udhëhequr nga Konzullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Teuta Sahatqija, ku bizneset anëtare patën rastin të shkëmbejnë mundësi bashkëpunimi me ato amerikane si dhe krijimin e lidhjeve të reja në sektorë të ndryshëm.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ky takim është një mundësi e mirë për të ndërtuar dhe krijuar bashkëpunime të reja me kompanitë amerikane, si dhe një rast i veçantë që bizneset amerikane të njihen me disa nga storiet e suksesit të Kosovës. Zeka falenderoi Ambasadoren Sahatqija jo vetëm për punën e saj në përfaqësimin e Kosovës në Nju Jork por edhe në ndërtimin e marrëdhënieve mes bizneseve si dhe nxitjen e relacioneve ekonomike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e e cila është edhe misioni i Odës Ekonomike Amerikane.
Konzullja e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, tha se prioriteti ynë kryesor mbetet krijimi i lidhjeve dhe partneriteteve mes bizneseve kosovare dhe atyre amerikane, si dhe përmirësimi i imazhit të kompanive tona në tregjet ndërkombëtare. Ajo tha se përmes kësaj vizite jemi duke synuar bashkëpunime të reja për bizneset tona duke pasur parasysh kapacitetet e tyre gjë e cila do të ndikojë edhe më tutje në krijimin e imazhit të Kosovës si një vend i përshtatshëm dhe atraktiv për investime të huaja.Themeluesi dhe Shefi Ekzekutiv i kompanisë amerikane MD Squared Property Group, Michael Mintz, tha se kapacitetet e të rinjve dhe ndërmarrësve në Kosovë si dhe talenti i tyre janë të jashtëzakonshme. Ai tha se janë mjaft të impresionuar me zhvillimin e bizneseve në Kosovë si dhe mbështetjen e sektorit privat dhe qeverisë në kultivimin e kapitalit njerëzor si dhe lehtësirave të tjera në zhvillimin e bizneseve në vend./b.j/