• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arrestohen 12 imamë në Kosovë dhe të tjerë

September 17, 2014 by dgreca

* Shefqet Krasniqit iu gjetën edhe dokumente të Serbisë/
* Thaçi Naim Tërnavës: Jep dorëheqje/
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për Urdhër bastisje dhe ndalim dhe pas vendimit të Gjyqtarit të procedues paraprake të Gjykatës Kompetente, sot është zhvilluar një aksion i Policisë së Kosovës, me ç’rast janë bastisur dhe janë arrestuar 15 persona.
Sipas Prokurorisë së Shtetit, të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës.
“Pas veprimeve të ndërmarra sot, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në koordinim me institucionet tjera kompetente, do të vazhdojë me procedurat tjera të parapara me ligj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
====
Kush janë 12 imamët e BIK’ut që u arrestuan sot
Policia e Kosovës ka kryer të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit një aksion policor në tërë vendin, në ndjekje të personave të dyshuar për nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe përçarjes kombëtare, që bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Derisa vazhdon aksioni policor, deri më tani janë arrestuar 13 persona, prej tyre përveç liderit të partisë islamike LISBA, Fuad Ramiqit, të tjerët janë hoxhallarë nëpër rajone të ndryshme të Kosovës.
Më poshtë lexoni emrat e të gjithë të arrestuarve deri në këto momente, të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar dhe shkuarjes të të rinjve nga Kosova për të luftuar “në emër të Zotit” përkrahë organizatave terroriste ISIL dhe Al Nusra.
1. Sabahudin Selimi,
hoxhë nga Vitia.
2. Enes Goga,
kryeimam në Këshillin e Bashkësisë Islame (BIK) në Pejë.
3. Eroll Nesimi,
hoxhë dhe administrues i poratalit perkujtimi.net
4. Idriz Bilibani,
hoxhë i komunitetit boshnjak dhe administrator i portalit stazomislama.com
5. Leonard Ruli,i vetëquajturi Ebu beker Ruli, hoxhë nga Prizreni.
6. Dardan Gjuka,
imam nga Peja, ligjërues në radio radio-udhezimi.com
7. Shefqet Krasniqi,
i lindur më 20.6.1966, në fshatin Sibovc të Obiliqit, ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë, njëherësh edhe imam në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
8. Shefki Koraçi,
imam në Kaçanik.
9. Mazllam Mazllami,
jeton në Prizren, imam në xhaminë e “Jeni Mahallës”.
10. Bedri Robaj,
imam në xhaminë e improvizuar në lagjen Dardani të Prishtinës.
Ajo është jashtë juridiksionit të BIK-ut. Xhamia pa emër e vetëm me mbi shkrimin “XHAMI”, gjendet në lokalet e Ndërmarrjes Shoqërore (NSh) “Auto-Prishtina”, ndërsa qiraja e hapësirës financohet nga Fatos Rizvanolli, biznesmen nga Peja.
11. Ekrem Avdiu,
i lindur më 18 Korrik të vitit 1971, në qytetin e Mitrovicës, aktualisht imam dhe ligjërues në xhaminë e lagjes ‘Tavnik’ dhe është anëtarë i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës.
12. Enis Rama,
i lindur më 12 Qershor 1976, në qytetin e Mitrovicës, jeton dhe vepron në Mitrovicë, ku mban edhe ligjërata të rregullta javore si imam në xhaminë ‘Isa Beg’ në Mitrovicë, si dhe është kryeredaktor në televizionin Peace TV Shqip.
13.Fuad Ramiqi,
i linduar më 26 mars 1960, në Pozharan komuna e Vitisë. Aktualisht kryetar i Lëvizjes Islame Bashkohu – LISBA.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit njësiti antiterrorist ka filluar operacione policore në tërë Kosovën, dhe se ka arrestuar disa persona të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar dhe përçarjes kombëtare – vepra penale që bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për lajmi.net se operacioni policor po ndodh në disa rajone të Kosovës, dhe se janë arrestuar disa të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar. Ai ka thënë se derisa operacioni është ende duke vazhduar, Policia nuk mund të jep detaje të tjera rreth këtyre arrestimeve.
====
Të arrestuarit, Shefqet Krasniqi dhe Fuad Ramiqi, po intervistohen
Burime të Policisë së Kosovës, kanë konfirmuar arrestimin e Shefqet Krasniqit dhe Fuad Ramiqit. 

Poashtu, të njëjtat burime, pohojnë se Krasniqi dhe Ramiqi, janë duke u intervistuar.
====
Përpos imamit Shefqet Krasniqi nga Prishtina e Enes Goga nga Peja, arrestime imamësh ka pasur sot edhe në Mitrovicë.
Siç konfirmoi Policia e Kosovës, operacioni policor përfshin disa rajone në Kosovë.
Mësohet se arrestime të imamëve ka pasur mëngjesin e së mërkurës edhe në Mitrovicë.
Policia në këtë rajon ka arrestuar imamin Enis Rama, imam në xhaminë ‘Isa Beg’ në Mitrovicë dhe kryeredaktor i televizionit ‘Peace TV’ në shqip.
Një tjetër emër i njohur pos tij është edhe Ekrem Avdiu, që, aktualisht shërben si imam dhe ligjërues i xhamisë në lagjen Tavnik njëkohësisht është anëtar i BIK-ut në Mitrovicë.
====
Sot në mengjes është arrestuar në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, hoxha Ekrem Avdiu.
Këto burime kanë treguar se arrestimi është bërë në shtepinë e tij.
Policia e Kosovës në aksionin e saj ka arrestuar edhe imamin e Pejës Enes Goga
Burime të lajmi.net nga Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, kanë bërë të ditur se të mërkurën në mëngjes është arrestuar krye-imami i Pejës, Enes Goga.
Motivet e këtij arrestimi janë të njëjta me të Krasniqit; nxitja e urrejtjes ndërfetare dhe ekstremizmi Islam.
====
Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është arrestuar të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës. Ndër të arrestuarit mësohet se është edhe drejtuesi i partisë LISBA, Fuad Ramiqi.
Sipas burimeve të lajmi.net, sot (e mërkure) para pak çastesh Policia e Kosovës ka vënën nën arrest imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqin.
Motivet e këtij arrestimi nga policia, kanë qenë nxitja e urrejtjes ndërfetare e ekstremizmi Islam.
Ndryshe, para një muaji, janë arrestuar 40 persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra, duke kryer me këtë vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Shefqet Krasniqit iu gjetën edhe dokumente të Serbisë/

Policia e Kosovës, gjatë bastisjes të shtëpisë së Imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, përveç parave kanë konfiskuar edhe disa dokumente të Republikës së Serbisë.
Në shtëpinë e Krasniqit, i cili gjatë një aksioni të gjerë policor në shkallë vendi, u arrestua të mërkurën së bashku me 11 imamë të tjerë, janë konfiskuar 8 mijë euro kesh, mbi 7 mijë franga zvicerane, 2 mijë e 300 dollarë, denarë – shuma e të cilave nuk dihet, monedha arabe, rupi të Pakistanit, si dhe disa dokumente të Republikës së Serbisë.Imami, njëherësh ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame, në fillim të këtij muaji, pas arrestimit nga policia dhe intervistimit nga prokuroria, ishte liruar pas disa orësh, për tua arrestuar sërish sot, kësaj radhe me shumë kolegë, si të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar, përçarjes kombëtare dhe veprimtari të tjera që bien ndesh me sigurinë nacionale dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Krasniqi, prej kohësh njihej në opinion me ligjëratat e tij nxitëse të ekstremizmit fetar ndër shqiptarë, të cilët, qoftë myslimanë, të krishterë a ortodoks, historikisht njihen për bashkëjetesë dhe tolerancë fetare.

Thaçi Naim Tërnavës: Jep dorëheqje
Eksperti i arsimit, Jusuf Thaçi, i ka quajtur hipokrizi të pështira, deklaratat e BIK’ut të Naim Tërnavës se askush nuk është mbi ligjin.
Në vend të deklaratave që ai i quan hipokrizi të pështira, ai i bën thirrje Tërnavës të japë dorëheqje, duke i thënë se heshtja, neutraliteti e strukja janë cilësi e qyqarëve, ndërsa dorëheqja është cilësi e të guximshmëve dhe të ndershmëve.
Këto komente ai i ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Me gjithë sugjerimet e shumë miqve që për shkak të ndjeshmërisë së temës të mos shprehem publikisht, megjithatë nuk po më zë vendi-vend pa e thënë qëndrimin tim në lidhje me zhvillimet e sotme rreth arrestimit të disa imamëve e zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe qëndrimit të BIK-ut në lidhje me këtë.
Andaj po i drejtohem publikisht kryetarit të BIK-ut, z. Naim Tërnava.
Z. Tërnava, sot u arrestuan më shumë se 10 imamë të xhamive (kryesore) e zyrtarë të BIK-ut, pra punëtorë dhe vartës tuaj. Qëndrimi zyrtar neutral i BIK-ut me fraza demagogjike “askush mbi ligjin” shpërfaqë një hipokrizi të pështirë që nuk i ka hije një institucioni, që para së gjithash do të duhej të ishte institucion moral.
Jo ore zotëri, merrni kurajon dhe:
– Nëse besoni në pafajësinë e vartësve tuaj të arrestuar, atëherë dilni e mbroni publikisht dhe mobilizoni të gjitha burimet profesionale e financiare të BIK-ut për t’i mbrojtur ligjërisht të arrestuarit, pavarësisht presionit publik, medial e politik.
– Nëse besoni në fajësinë e vartësve tuaj të arrestuar, atëherë dilni e denonconi publikisht dhe jepni dorëheqje në shenjë të pranimit të paaftësisë tuaj për të parandaluar kryerjen e veprave ligjërisht të dënueshme nga vartësit tuaj.
– Nëse nuk keni qëndrim (nuk besoni as në fajësinë e as në pafajësinë e vartësve tuaj të arrestuar), atëherë jepni dorëheqje në shenjë të pranimit të papërgjegjshmërisë tuaj, si person që e udhëhiqni BIK-un për gati një dekadë e nuk i njihni ende vartësit tuaj.
Z. Tërnava, heshtja, neutraliteti e strukja janë cilësi e qyqarëve! Dorëheqja është cilësi e të guximshmëve dhe të ndershmëve!
P.S: Për shkak të ndjeshmërisë së temës dhe mundësisë së shtrembërimit të mesazhit tim, nuk do të lejoj komente emocionale në këtë postim, as pro as kundër askujt!” ka shkruar Thaçi në Facebook.(Kortezi: Gazeta “Bota Sot”

Filed Under: Kronike Tagged With: 12 imamë, Arrestohen, ne Kosove

Vahabizmi duhet të ndalohet me ligj në Kosovë

August 26, 2014 by dgreca

Shteti i parë që e ka ndaluar me ligj Vahabizmin është Malajzia. Ky vend ka nxjerrë vendim zyrtar nga zyra për çështje fetare në një provincë të Malajzisëqë të ndalohet rreptësisht përhapja apo shpërndarja e çfarëdo ideje Vahabiste nga ata të ashtuquajturit Selefi./
Drejtues të Bashkësisë Islame, imamë e ministra, janë pro ndaljes së Vahabizmit në Kosovë. Të gjithë këta po thonë se shteti mund ta miratojë një ligj dhe ta ndalojë përgjithmonë përhapjen e kësaj feje, që po thuhet se ka dalë nga Islami. Bile, sipas tyre, Vahabizmi duhet të ndalet sa ma shpejt, pasi po e prish imazhin e Kosovës dhe Islamit në përgjithësi. Ndalimin e Vahabizmit me ligj e ka bërë ditë me parë Malajzia.
Resul Rexhepi nga Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se Kosova mund dhe duhet ta ndalë Vahabizimin. Ai ka thënë për Gazetën Express se ndalimi i kësaj mund të bëhet kur të duan drejtuesit e shteti. Sipas tij, nëse shteti do të marrë hapa për ta ndaluar Vahabizimin do ta këtë edhe mbështetjen e BIK’ut.
“Vahabizmi mund të ndalët kur të dojë shteti. Ata i bëjnë ligjet dhe ata e kanë në dorë këtë punë. Ne si BIK u japim mbështetje dhe përkrahje çdo herë. Ndalimi i saj kishte me qenë e mirë edhe për vendin, pasi Vahabizmi nuk i duhet asgjë Kosovës”, ka thënë ai.
Rexhepi ka treguar se hapja e Vahabizmit mund të jetë edhe rrezik për vendin, po ashtu sipas tij, edhe ndikon negativisht në imazhin e vendit. Ai thotë se Vahabizmi po i jep edhe imazh negativ Islamit.
Ndalimi i saj kishte me qenë e mirë edhe për vendin, pasi Vahabizmi nuk i duhet asgjë Kosovë
Mendim thuajse të ngjashëm më BIK-un ka edhe imami Zuhdi Hajzeri.
Ai ka treguar për Express se Vahabizmi mund të ndalet në Kosovë shumë lehtë. Bile ai po thotë se këtë hap duhet sa më shpejt ta marrë Qeveria e Kosovës.
“Po është e mundur dhe madje shumë lehte. Ndalimi i saj mund të bëhet me miratimin e një ligji. Po ashtu duhet edhe të studiohen idetë e vahabizmit dhe të shikohen financat e tyre”, ka thënë Hajzeri për Express.
Ai ka thënë se shteti duhet të marrë hapa konkret sa i përket ligjeve dhe rregulloreve, kur është në pyetje ndalimi i Vahabizmit. Hajzeri mendon se shembull konkret Kosova mund ta marrë edhe Malajzinë që ditë me parë e ndaloi këtë fe me ligj.
“Kosova mund të marrë shembuj dhe këshilla edhe nga vendet qe e kanë ndaluar vahabizmin, siç është Malajzia. Duhet të mbajë konferenca të hapura me ekspertë qoftë edhe nga jashtë për t’i demantuar idetë vahabiste dhe ekstremiste, duhet ligji për bashkësitë fetare menjëherë dhe një gjë qe është shumë me rëndësi është nostrifikimi i diplomave, këtë duhet të bëjë Ministria e Arsimitndaj atyre që njihen për ide ekstreme”, ka thënë për Express imami Zuhdi Hajzeri.
Kosova mund të marrë shembuj dhe këshilla edhe nga vendet qe e kanë ndaluar vahabizmin, siç është Malajzia
Ai mendon se Kosova është edhe e rrezikuar nga Vahabizmi dhe sipas tij drejtuesit e shteti duhet të ndalojnë edhe shpërndarjen e fotografive dhe videove nëpër rrjete sociale.
Ndalimin e kësaj feje e kishe menduar para shumë vitesh edhe ish-kryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai në një prononcim për Express ka treguar se qysh në vitin 2004 kur ka qenë në pozitën e kryeministrit, kishte marrë iniciativë që të ndalohet ekstremizmi në Kosovë, por ai thotë se të huajt ishin ata që e penguan.
Rexhepi ka thënë se në atë kohë ka propozuar një draft ligj, i cili ndalon një organizim fetar, por zyrtarët ndërkombëtarë nga Strasburgu nuk e kanë lejuar një gjë të tillë.
“Kam kërkuar të ndalohet me ligj dhe atë kam thënë jo vetëm për grupet e caktuara islame, por edhe për grupe katolike dhe grupe tjera, nëse bie ndesh me këto format e religjionit që janë tradicionale në Kosovë. Mirëpo, në atë kohë në grupet punuese ka pasur edhe ndërkombëtarë. Nga Këshilli i Evropës, nuk më kanë lejuar të dorëzoj këtë ligj në Parlament duke thënë se kjo cenon të drejtën njerëzore”, ka thënë Rexhepi.
Ministri në detyre i Punëve të Brendshme ka treguar se i ka pyetur edhe ndërkombëtarët, se nëse interesi shtetëror i shtetit tënd rrezikohet nga një diçka e tilla, a do t’i respektosh ato vlera njerëzore dhe religjioze, më ka thënë se ndoshta jo. Atëherë, Rexhepi tregon se ka thënë se pse atëherë me Kosovën bëhen eksperimente.
Shteti i parë që e ka ndaluar me ligj Vahabizmin është Malajzia. Ky vend ka nxjerrë vendim zyrtar nga zyra për çështje fetare në një provincë të Malajzisëqë të ndalohet rreptësisht përhapja apo shpërndarja e çfarëdo ideje Vahabiste nga ata të ashtuquajturit Selefi.
Vahabizmi është fe e re që ka dalë nga feja Islame dhe që është pahapur viteve të fundit. (Kortezi:Gazeta EXPRESS)

Filed Under: Opinion Tagged With: duhet të ndalohet, me ligj, ne Kosove, Vahabizmi

Votat e spicave dhe zgjedhjet në Kosovë!

June 12, 2014 by dgreca

Nga Rrezart Kalaja/
Bracoletë humoristike lidhur me ngjarjet politike aktuale në Kosovë!
Këto ditë Kosova i nxehu karriget e politikanëve pikërisht me rastin e zgjedhjeve .Partia ma e madhe e PDK -së i fitoj zgjedhjet elektorale u gëzuam të gjithë i madh e i vogël .Po duke hulumtuar doli se PDK-ja me shtylla i kish fituar edhe me spica . PDK-ja dhe votat e shtyllave dhe spicave e kishin bërë koalicionin ,e tri partive të talivabneve islamik të Kosovës , dmth të ekstremit xhihadist islamik të leshave!?.Aty ishin fut vjedhurazi me spicat e Behxhet Pacollit para shumë vitesh duke lobuar me ta .Pos ,këtyre do pyka me bërë PDK-në edhe ma të qëndrueshme ju bashkuan edhe Partia Demokristiane , që askund nuk përputhen me leshët taliban, po( parja e kthen ujët përpjetë), thotë një fjalë popullore. Pos, leshave edhe demokristianve do spica , pyka, ju vunë nga këmba e djathtë PDK-së edhe nga partitë e hashkalive , romëve, gabelëve, turqve, serbeve, po kot mezi arriti 30% .Me këtë 30 % bashkërisht dolën festuan me gojë vesh më vesh te gjithë Haradini i Kuqve, Feridi i Aganve Flora e Çitakve Fuadi i ramiqve kish mbet pak mbas shpine duke i palu kepucet xhemtit te vet ?. Kryetari i PDK-së ,Hashim Thaçi ishte i rrethuar me talibanet dhe votuesit e spicave , bile si ma afër i rrinte njëfarë Memli i biri i Milazim Krasniqit me buzë të çaraveshta me plot gaz duke i pëshpërit diç në vesh.
Me të marr vesh opozitarët se çka ndodhi e luajtën një lojë të fshehtë dhe ja bënë puç pas 24 orëve PDK-së.Bashkimi i koalicionit përmes AAK-së së Ramush Haradinajt , LDK-së e Isa Mustafës dhe Nismës për Kosovën e Fatmir Limajt , të shtyrë edhe këta me spicat e Vetëvendosjes së Albin Kurtit arritën ta nokautojnë me një goditje të rëndë PDK-në e spicave dhe shtyllave. Pra 3-eshja , PDK.në, leshat taliban, minoritarët serb, hashkalitë ,gabelët, romët, bëshnjaktë, partitë e rrencave,partine e bixhozgjive , të pëllumbagjive i qitën jashtë loje duke i sjell në një kolaps politiko-social,sa qe mbeten të gjithë pa punë .Bile Ramush Haradinaj ju ka kërcënuar që t’i fut në burg patinë e hajnave.Boll ju tregova ju i njihni cilët janë hahhahaha . Nga kjo dridhje dramatike të krizës politike në Kosovë , zoti Hashim Thaqi ish kryeministër i Kosovës i telefonoj Kryetarit te SHBA-ve pikërisht Obames për punë .
Po ju sjell tekstualisht bisedën si ma poshtë:
***
– Alo , Thaqi .
-Alo urdhëroni, Obama .
-Jam HashimThaqi zoti kryetar Obama.
-Po me kënaqësi zoti Thaqi respekt për ju çka ka ?
-A ki ndonjë vend t’lirë pune për mua se ma ngulen 3-eshja opozitare?
-Qysh …qysh ta kanë ngul aaa ?Ha ha ha ha… Çka me t’ba kështu e ka ,kur të nxënë tu vjedh .Hajt tash trus kepen rri siç e ke bërë e ke gjet , tung Hashim se kam thirrje edhe nga Behxht Pacolli !!!

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe zgjedhjet, ne Kosove, Rezart Kalaj, Votat e spicave

RAHOVECI, “KRYEQYTETI” I VRESHTARISË DHE VERËS NË KOSOVË

May 29, 2014 by dgreca

Nga Saimir SULAJ/
Rajoni i Kosovës, i njohur në lashtësi si Dardania, shquhej për prodhimin e verës më të mirë në Ballkan, traditë kjo që u “vodh” nga vendet perëndimore të Europës, si Italia dhe Franca. Por një vend ku ka ekzistuar tradita, ajo nuk shuhet. Në vitet ’50, pati një përqasje të ekspertëve jugosllave dhe atyre gjermanë, për ta rikthyer traditën. Rahoveci u kthye në qendrën gravitacionale të vreshtarisë dhe verëtarisë në Kosovë dhe jo vetëm. Në Kosovë, sa herë përmenden vreshtat me rrush, mendja të shkon menjëherë në Rahovec dhe e anasjellta. Rajoni i shtrirë në jug-perëndim të shtetit të ri, i është rikthyer traditës së vjetër të vreshtarisë dhe përgatitjes së verës. Në këtë zonë, rreth tre mijë hektarë tokë janë mbjellë me varietete të ndryshme të rrushit, duke bërë që vreshtaria dhe prodhimi i verës në Kosovë, të jenë sektorët me rritjen më të madhe. Në Rahovec gjendet një prej kantinave më të mëdha të përgatitjes së verës në Ballkan, e themeluar që në vitin 1953. Për shumë vite, industria e verës ka pasur një kapacitet prodhimi prej 50 milionë litra në vit. Gjatë luftës u dogj një pjesë e mirë e vreshtave dhe infrastrukturës, por tani situata ka ndryshuar ndjeshëm. Një prej ndërmarrjeve më të suksesshme në këtë fushë, është ajo e biznesmenit të shquar shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj. Pas suksesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa vite më parë ai vendos të investojë edhe në vendlindje. Tashmë, kantina e verës “Stone Castle”, në pronësi të tij, është një histori suksesi. Përmes saj, jo vetëm që ka ndihmuar në punësimin e qindra njerëzve, por edhe ka promovuar Kosovën. Kjo pasi vera e kantinës “Stone Castle”, eksportohet në vendet më të rëndësishme në botë. “Themelimi i kësaj kantine nga ekspertë të periudhës së ish-Jugosllavisë dhe gjermanë është bërë duke studiuar tokën, duke studiuar kushtet klimatike të favorshme për ngritjen e vreshtave në këtë rajon. Kështu që lindi kjo kantinë dhe me kualitetin e dëshmuar të cilësisë së verave tona, ne kemi arritur që në vitet ’80-të të eksportojmë në bashkësinë evropiane deri në 50 milionë litra”, -tregon menaxheri i kantinës, zoti Artur Camaj. “Ne si biznes posedojmë rreth 700 hektarë vreshtë aktive. Kemi dy mijë e 200 hektarë tokë, të cilat shpresojmë se do të kthehen në vreshta të gjitha. Prodhimi mesatar vjetor është mbi 12 milionë litra verë. Si kantinë kemi një kapacitet stazhionimi deri në 30 milionë litra verë”, -shton Camaj. Kantina “Stone Castle” prodhon 18 lloje të ndryshme vere dhe rakie. “Ne kemi mbi 18 produkte të verës dhe të rakisë. Eksportojmë pothuajse në të gjitha shtetet evropiane, përjashtuar shtete nordike, pasi aty nuk jemi. Eksportojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eksportojmë në Turqi, në Nigeri dhe së shpejti shpresojmë që të fillojmë eksportimet edhe në Malajzi dhe Japoni”, -tregon menaxheri Camaj. Vera e Rahovecit vlerësohet kryesisht për cilësinë dhe pastërtinë e saj. “Vera jonë, sidomos ajo ‘Chardonnay’, vlerësohet shumë në tregun rajonal dhe në atë europian për cilësinë shumë të pastër të këtij varieteti. Kantina jonë ka veçorinë se të gjitha verërat që ne i prodhojmë, i kemi të pakombinuara. Ato janë të pastra 100 për qind, që nga aroma dhe e gjithë struktura”, -shpjegon Camaj. Ministri i Bujqësisë së Kosovës, Blerand Stavileci thotë se qeveria ka mbështetur vazhdimisht këtë sektor të ekonomisë, përmes ndihmave dhe subvensioneve. “Ne e mbështesim jashtëzakonisht shumë këtë sektor, edhe atë të prodhimit dhe atë të përpunimit të verës. Tek sektori i prodhuimit ne i mbështesim fermerët në pagesa direkte apo subvencioneve dhe me skemën e granteve për ngritjen e vreshtave të reja. Vetëm gjatë kësaj periudhe ne kemi mbështetur ngritjen e 567 projekteve të tilla zhvillimore. Edhe bodrumet e verërave i përkrahim edhe sa i takon subvencionimit të stokëve dhe sa i përket promovimit brenda dhe jashtë vendit”, -thotë zoti ministër. Sipas Stavilecit, Rahoveci cilësohet pa frikë si kryeqyteti i bujqësisë në Kosovë. Veç vreshtarisë, vitet e fundit ka pasur një ecuri mjaft pozitive edhe të sektorëve të tjerë të bujqësisë. Kjo ka bërë që në Kosovë të ndryshojë bilanci tregtar, pasi ka pësuar rënie importi, teksa është rritur eksporti. Vitet në vijim, qeveria ka në plan të investojë 500 milionë Euro në këtë fushë, me synimin e ruajtjes e zhvillimit të traditës dhe sigurimit të 50 mijë vendeve të reja të punës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: “KRYEQYTETI” I VRESHTARISË DHE, ne Kosove, RAHOVECI, Saimir Sulaj, VERËS

DREJTËSI PËR GRATË E DHUNUARA GJATË LUFTËS NË KOSOVË

May 20, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të martën më 20 Maj, 2014, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga kryesoi mbledhjen e dytë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës. Takimi inaugurues i këtij Këshilli u mbajt Marsin që kaloi gjatë të cilit u përcaktuan detyrimet dhe angazhimet e pjesëmarrësve të institucioneve qeveritare dhe jo-qeveritare për të ndihmuar dhe për të mbështetur njërën prej kategorive më të ndjeshme të viktimave të luftës në Kosovë. Është ky, më në fund, një angazhim i shtetit dhe i institucioneve të Kosovës, i cili duke marrë parasyshë seriozitetin e këtij krimi çnjerëzor e barbar, duhej të trajtohej në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, shumë vite më parë. Por siç tha edhe Presidentja Jahjaga gjatë takimit të posaçëm të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, ky angazhim i ri i institucioneve dhe i shoqërisë civile u bë i mundur si përfundim i miratimit nga Kuvendi i Kosovës , Marsin që kaloi, të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.
Por megjithëse kanë kaluar 15 vjet nga mbarimi I luftës, më në fund të pakën po bisedohet për këto krime dhe siç thotë fjala e vjetër, më mirë vonë se kurrë. Natyrisht se shteti dhe shoqëria kanë obligimet kryesore ndaj kësaj kategorie të viktimave të luftës. Dhe si rrjedhim nevojitet angazhimi i intitucioneve shtetërore, që siç tha edhe Presidentja e Kosovës Jahajaga, për të zhdukur tabutë dhe njëkohësisht e doemosdoshëme është njohja e këtij krimi të fshehur të luftës duke dërguar — nga nivelet më të larta, “një mesazh të qartë tek secila viktimë se ato nuk janë të vetme dhe që ne, si institucione dhe si përfaqësues të shoqërisë, do të përmbushim obligimet tona për t’ju ofruar atyre, në radhë të parë, njohjen ligjore dhe më pas qasjen në shërbimet e nevojshme psiko-sociale, ekonomike dhe shëndetësore, me synim rehabilitimin, dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri.”
Përveç kësaj, shteti i Kosovës në bashkpunim me vendet mike dhe me organizatat ndërkombëtare duhet të marri hapa të menjëherëshëm, edhe në nivel ndërkombëtar, që dhuna seksuale të trajtohet si një krim lufte dhe si përfundim, të kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Këtë angazhim të institucioneve të Kosovës për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara, në të vërtetë, e vuri në dukje edhe Zëvendës Kryeministrja në detyrë Edita Tahiri, gjatë një bisede shoqërore që pata me të në New York para dy javësh, e cila siç duket, për këtë nismë ka siguruar edhe mbështetjen e disa ish-deputeteve të Kosovës, përfshirë edhe Ministren e Integrimit në detyrë, Vlora Çitaku. Gjatë takimit të parë të kësaj nisme të grave përfaqsuese të politikës së Kosovës, javën që kaloi (shih foton më poshtë), Edita Tahiri tha se nisma ka për qëllim të bind Organizatën e Kombeve të Bashkuara që të përgatisin një raport zyrtar, i cili sipas saj, do të “vendosë drejtësinë për femërat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, si dhe për këtë tragjedi lufte, për krimet dhe gjenocidin që Serbia dhe forcat serbe kanë bërë gjatë luftës në Kosovë.” As Kombet e Bashkuara, as vetë Kosova dhe as organizata të tjera nuk kanë botuar ndonjë raport mbi numërin përfundimtar në lidhje me viktimat e dhunës seksuale kundër grave dhe vajzave gjatë luftës së Kosovë, as për përgjegjësit e këtyre krimeve. Me përjashtim të në një raporti të organizatës Human Rights Watch me qëndër në New York, mbi dhunën seksuale të kryer nga forcat serbe në Kosovë. Në atë raport thuhet se përgjegjësia për këto krime lufte bie mbi krejtësisht mbi shpatullat e oficerëve dhe komandantëve të forcave ushtarake dhe policiore të Serbisë. Raporti i botuar në vitin 2000 thekson gjithashtu se dhuna seksuale në Kosovë nuk ishte as e rradhë dhe as e izoluar, por përdorej me qëllim si një instrument lufte për të terrorizuar popullatën civile shqiptare. “Këto nuk janë incidente të rastit të kryera nga disa njerëz të çmendur. Dhuna seksuale është përdorur si instrument lufte dhe duhet të dënohet si i tillë. Këta individë që kanë kryer këto krime të tmerrshme duhet që patjetër të sillen para drejtësisë”, ka thënë Regan Ralph , drejtori ekzekutiv i degës mbi të drejtat e grave pranë Human Rights Watch.
Ndërkaq, shkurtin që kaloi, Sekretari britanik i punëve të jashtëme, William Hague ka njoftuar mbajtjen e një konference të nivelit të lartë kundër dhunës seksuale si instrument lufte — konferencë kjo që do mbahet më 10-13 Qershor në Londër dhe në të cilën do të marrin pjesë përfaqsues nga 140-vende. Gjatë një fjalimi në Washington, shkurtin që kaloi duke njoftuar mbajtjen e kësaj mbledhjeje, Z. Hague ka thënë se nuk është një gjë e zakonshme që një burrë politikan të flasë mbi çështje të dhunës seksuale, por ai theksoi se, “dhuna dhe krimet seksuale janë kryesisht akte dhe krime të meshkujve kundër femrave dhe fakti se ato kanë ndodhur kur bota nuk bëri asgjë për t’i ndaluar ato krime, duhet të turpërojë, në radhë të parë, të gjithë burrat”kudo. Në të vërtetë — nënvijoi Sekretari britanik i punëve të jashtëme — injorimi i këtyre krimeve sikurë ato kinse nuk kanë ndodhur, është në vetvete diçka që nuk është burrërore. Nëqoftëse femrat gjithnjë trajtohen me këtë urrejtje të tmershme dhe barbare në kohë lufte, ato nuk do të trajtohen si të barabarta as në kohë paqeje, ka thënë mes tjerash dhe me të drejtë zyrtari i lartë britanik.
Presidentja Jahjaga njoftoi të martën në takimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës se Republika e Kosovës do të marrë pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë në Londër mbi dhunën seksuale në kohë lufte, konferencë e cila do të bashk-kryesohet nga Sekretari britanik i punëve të jashtëme dhe aktorja amerikane Angelina Jolie. Presdientja e Kosovës tha gjithashtu se si pjesëmarrëse në këtë tubim, në emër të grave të dhunuara, Republika e Kosovës do të japë kontributin e vet në përpilimin e marrveshjeve ndërkombëtare për të evidentuar dokumentacionin mbi krimet e dhunës seksuale kundër femrave gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht do të ofrojë prëvojën e vet në këtë fushë, në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellur para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer këto krime kundër njerëzimit.
Mirëpo, për realizimin e këtij objektivi, është i nevojshëm angazhimi kombëtar, i jo vetëm grave politikane të Kosovës, por edhe i të gjithë burrave, me qëllim “për të thyer heshtjen që ka mbizotëruar mbrenda dhe jashtë vendit”, mbi këtë çështje. Këto janë krime të cilat përbëjnë shkelje flagrante të konventave të Gjenevës mbi torturat dhe të ligjeve të luftës dhe si të tilla përbëjnë gjenocid dhe janë krime kundër njerëzimit. Njohja e këtyre krimeve çnjerëzore si krime lufte si dhe angazhimi i shtetit të Kosovës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të njohur me ligj statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, rritë sadopak shpresat se kriminelët serbë të këtyre akteve barbare do të sillen eventualisht para gjyqit. As më pak as më shumë — kjo është drejtësia që më të drejtë kërkojnë viktimat e dhunës seksuale të luftës së Kosovës, drejtësi kjo që u është mohuar atyre për 15-vjetë dhe të cilën ua ka borxh jo vetëm shteti dhe shoqëria, por edhe bota, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe orgnaizata të tjera ndërkombëtare.

Ne Foto: Nga takimi i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: DREJTËSI PËR GRATË, E DHUNUARA GJA.TË LUFTËS, Frank shkreli, ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 22
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT